Shtesë » Lajme
Bajram Asllani akuzohet për planifikim të terrorizmit
E enjte, 17.06.2010, 08:58 PM
Nga Jeton Musliu, Express
I arrestuari nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në plane që kanë të bëjnë me vepren penale të terrorizimit, është Bajram Asllani nga Mitrovica.
Ky person është arerstuar në mengjesin e ditës së sotme dhe ka vazhduar të merret në pyetje për katër orë në oborrin e shtëpisë së tij në Mitrovicë.
Familjarët e tij kanë shpjeguar për Express se gjatë arrestimit, Policia nuk ka përdorur dhunë dhe forcë dhe se ka pasur sjellje shumë korrekte.
Asllani, 30-vjeçar, është marrë me vete nga policia, ndërkohë që pas bastisjes, familjarët tregojnë se me vete kanë marrë edhe disa gjëra të tjera.
Edhe pse ata thanë se Bajramit nuk i janë lidhur duart, familjarët dëshmojnë se atyre u janë konfiskuar një fotoaparat, dy shtëpiza të kompjuterit, si dhe shumë aparate të telefonisë celulare, gjysma e të cilëve të prishur.
Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorit Publik të Prokurorisë së Karolinës së Veriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Express ka siguruar edhe aktakuzën e tij dhe qëndrimin zyrtar në lidhje me këtë person të Prokurorisë së Karolinës së Veriut.
Në numrin e nesërm të gazetës, do të mund të lexoni më detajisht se si është bërë arrestimi i tij, kush e ka përcjellë vazhdimisht atë, mbi çfarë procedurash është arrestuar Asllanin, si dhe dëshminë e familjarëve të tij.
Arrestim në Mitrovicë në lidhje me terrorizëm
Njësia Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës, nën mbikëqyrjen e prokurorit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), e ka arrestuar një mashkull shqiptar të Kosovës në rajonin e Mitrovicës, pas kërkesës së bërë për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës autoriteteve kompetente në Kosovë.
Gjithashtu, në lidhje me këtë kërkesë, Policia e Kosovës e ka bërë bastisjen e një shtëpie.
Prokurori publik i Shteteve të Bashkuara për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut e ka akuzuar të pandehurin për dy vepra: sigurimi i përkrahjes ose resurseve materiale për terroristë, përkrahje për terrorizëm dhe planifikim të vrasjes, rrëmbimit, gjymtimit, ose lëndimit të personave apo dëmtimit të pronës në ndonjë shtet të huaj.
Urdhër-arresti dhe bastisja e shtëpisë janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ka njoftuar nëpërmes një komunikate për shtyp, Kristiina Herodes, zëdhënëse e komponentës së Drejtësisë në EULEX