Kulturë
Hasan Qyqalla: Baladë për Kosovën
E merkure, 16.06.2010, 08:57 PM
Hasan QYQALLA
BALADË PËR KOSOVËN*
Të gjeta të ngrysur në gjunjë
pa krrokamë sorrash
veç...gurgëllimë prrockash
veç...shushërimë plepash!
As qengj,as dele s'blegërin
as vaj, as loj, as zë fëmije s'ka
"bereqetet" shkrumb i zi
Kostar pa kokë, pa duar, pa sy
veç...lumi gurgëllin
Lisi zgavrosur seç ngrin!
gjëmën ta dëgjoj
dhe rënkimet e thella
me plagën e njomë
me gjakun e avullt
mbi trupin e akullt!
bymehej njomaku...
Loti lag Drenicën,
frymon thellë Dukagjini
përpëlitet Podrimja
dëneset Llapi
tymon Qyqavica
flakëron Gollaku
ulërinë Karadaku
plangon Kosova
veç...lumit në lëndinë
mes zverdhjes psherëtin
ndjej dhëmbjen e Lisit
në nderim të gjakut e Fisit...
Shpirti përgjon dhembjet
e Kosovës,
e të çunit...
eh si të falem Kosovë?
...a fare s'do më falësh!?
këtej "krrokaten" poetë
shkarravisin peisazhe
.
.
.
Edhe njëmijë jetë
Ty Kosovë të falë
Ty dhe lumit e malit tim
Ty gjaku i gjenit tim
Kosovë zgjohu në Liri
shekujt u gjunjëzuan
njëqind e një qirinjë për Ty rrinë ndezë
njëqind e një lule në Ty aromizohen
e ashti heshtur karbonizohet
"Kosovë,gjaku im që nuk falet"!!!
Zgjohemi me emrin tënd
ligjëroj me zërin tënd
të puthë plagën e tmerrit
Kosovë - vargu im i fundit
Kosovë - loti im i fundit
Kosovë - dhëmbja ime e fundit
Kosovë - dufi im i fundit
në mes Lisit e Lumit!!!
Korrik-Gusht '99
*Poezia fitoi vendin e parë në konkursin letrar të Malishevës