Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cilat janë dhjetë sëmundjet vdekjeprurëse në botë

| E shtune, 27.10.2007, 07:09 PM |


Kafshët që mund t’jua përcjellin këto viruse

Jonida Tashi - Albania

Sëmundje të ndryshme e kanë shoqëruar njerëzimin që nga fillimet e tij e deri në ditët tona. Shumë prej tyre janë vënë nën kontroll, disa janë reduktuar plotësisht, por ende ekzistojnë disa sëmundje që janë ende të tmerrshme në forcën e plotë të tyre. Që nga vitet 1970 janë më shumë se 20 sëmundje, të panjohura më parë, për të cilat ende nuk është identifikuar një trajtim i plotë dhe efektiv kurues, që do të çonte në shërimin e tyre. Raste të tyre shihen në çdo vend të botës, ndërkohë që mjekësia po monitoron zhvillimin dhe po përpiqet çdo ditë e më tepër ta kufizojë përhapjen e sëmundjeve të tilla, si dhe të zbulojë vaksina e kura të reja, pa përmendur këtu zhvillimet më të fundit në këtë progres si: inxhinieria gjenetike, zbulimi i plotë i gjenomit njerëzor (harta e gjeneve), manipulimet cito-molekulare e deri te nanoteknologjia në ndihmë të mjekësisë. Më poshtë radhiten 10 më të rëndësishmet e këtyre sëmundjeve të pashërueshme, të cilat janë ndër më të rejat që sjellin frikë jo vetëm tek ekspertët e mjekësisë, por dhe në mbarë popullatën.

Virusi NIPAH

Ky virus e ka marrë emrin nga vendi i zbulimit të tij në Nipah të Malajzisë, në vitin 1999. Megjithëse ka shkaktuar pak "shpërthime", aftësia e tij për t’u shndërruar dhe lëvizur nëpërmjet kafshëve e njerëzve dhe vdekshmëria e lartë e bën këtë virus nga më të tmerrshmit e sëmundjeve të reja. Sipas mjekëve dhe shkencëtarëve mendohet se bartës i këtij virusi është lakuriqi i natës, por kjo sëmundje është parë edhe te derrat, qentë e macet. Njerëzit e marrin këtë virus duke u ushqyer me mishin e kafshës së infektuar ose nga gërvishtjet e tyre. Periudha e inkubacionit është 4-18 ditë dhe në fillim duket si grip. Më pas, virusi vazhdon e prek trurin, duke sjellë konvulsione e më pas gjendje kome. Gjysma e të sëmurëve të prekur nga ky virus vdesin, sepse për këtë sëmundje nuk ka trajtim shërues. Deri tani, 109 njerëz kanë vdekur nga virusi Nipah.

H5N1-Avian Flu

Në maj të vitit 1997, ekspertët botërorë të gripit u frikësuan se mos po përhapej një epidemi e madhe gripi, me një masivitet të paparë që nga koha e gripit spanjoll i vitit 1918. Si shkak për këtë epidemi masive njihet një djalë 3-vjeçar në Hong Kong, të cilit i kish rënë gripi i pulave. Normalisht, virusi i gripit pëson ndryshime (mutacione) gjatë kalimit nga shpendët te derrat e më pas te njerëzit. Por ky tip kishte kapërcyer barrierën e specieve, duke sjellë një tip të ri virusi të gripit për të cilën njerëzit nuk kanë rezistencë natyrale ta përballojnë. Për këtë tip gripi nuk ka kurë dhe as vaksinë. Ky tip gripi preku 18 njerëz, prej të cilëve 6 vdiqën. Vetëm pas therjes dhe groposjes së 1.4 milionë pulave, u arrit që sëmundja të vihej nën kontroll.

Lyssavirusi australian i lakuriqit të natës
 
Në nëntor të vitit 1996, një grua 39-vjeçare, nga Queensla nd-i, e cila sapo kishte filluar të kujdesej për lakuriqët e natës, u sëmur rëndë. Ajo humbi ndjeshmërinë në krahun e majtë dhe gradualisht kaloi në koma e më pas vdiq. Kjo ishte e para që humbi jetën nga një sëmundje e tillë, e cila prek të gjithë popullatën e lakuriqëve të natës në Australi. Dy vjet më vonë, një tjetër person vdiq po nga kjo sëmundje. Deri tani nuk ka kurim për këtë sëmundje.

HHV8 Virusi i Sarkomes Kaposi. Kanceri i lëkurës

Në vitin 1995, doktorët vunë re lezione ngjyrë vishnje në të zezë në lëkurë ose në organet e brendshme të të sëmurëve me SIDA. Kjo ishte një formë e re dhe e rrallë e kancerit të lëkurës. Sipas mjekëve, kjo vjen nga një variant i virusit herpes dhe prek më shumë personat që e kanë sistemin imunitar të dëmtuar, por mund të përhapet edhe te gjëndrat limfatike e mushkëritë me pasoja fatale. E vetmja tentativë kuruese për këtë sëmundje ngelet Kemioterapia, por rezultatet nuk janë të kënaqshme.

Virusi Sabia

Në gusht të vitit 1994, një virolog shkoi në Klinikën e Mjekësisë Tropikale në Universitetin e Yale (SHBA) me ethe dhe dhembje kurrizi. Pas ekzaminimeve, mjekët konstatuan se ai kishte një formë komplet të re të një virusi, të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, i cili kishte “rrëshqitur” nga një epruvetë e plasaritur. Aktualisht, vetëm dy raste janë raportuar me këtë sëmundje. Një vdiq me hemorragji të organeve të brendshme, ndërsa tjetri mbijetoi pas vuajtjeve të papërshkrueshme dhe të tmerrshme. Ky virus njihet shumë pak dhe nuk ka ende trajtim kurues për të.

Hepatiti C

Hepatiti C është infeksion viral i mëlçisë, gjithashtu dhe shkaku kryesor i formimit të kancerit në mëlçi, verdhëzës dhe vdekjes nga helmimi i gjakut. Kjo sëmundje u zbulua për herë të parë në vitin 1989. Hepatiti C përhapet nga kontakti direkt me gjakun e njeriut si për shembull nga transfuzionet e gjakut apo nga kontakti seksual. Në mënyrë globale mendohet se janë mbi 170 milionë persona me këtë infeksion kronik dhe çdo vit kësaj armate i shtohen 4 milionë pacientë të tjerë. Për Hepatitin C nuk ka vaksinë. Ndërsa Hepatiti E, i zbuluar në vitin 1988, ngjason me Hepatitin C, përveç faktit se mund të transmetohet nga ushqimet dhe ka më pak shanse të jetë vdekjeprurës.

HIV-Human Immunodeficiency Virus
 
Virusi HIV u zbulua në vitin 1983. Ai është përgjegjës për sëmundjen e pashërueshme të SIDA-s, sindromën e imuno-deficiencës së fituar. Kjo sëmundje është identifikuar për herë të parë te burrat homoseksualë në Amerikë. Që atëherë përhapja e kësaj sëmundjeje është bërë më virulente ndërmjet heteroseksualëve, veçanërisht në Afrikë e Azi. Ky virus shpërndahet nëpërmjet gjakut dhe lëngjeve trupore. Për të nuk ka kurë dhe as vaksinë, por një formë e re trajtimi me ilaçe e quajtur “terapia treshe” po jep rezultate inkurajuese.

Escherichia Coli 0157: H7 (Diareja)

Ky variant i rrezikshëm i Escherichia Coli u zbulua për herë të parë në vitin 1982 pas një shpërthimi të një diareje të tmerrshme me gjak, me origjinë nga hamburgerët e kontaminuar. Pas kësaj, shumica e infeksioneve kanë ardhur nga ngrënia e mishit të grirë dhe të pagatuar plotësisht. Të rriturit e shëndetshëm zakonisht e marrin veten pas kësaj sëmundjeje, por kjo mund të jetë vdekjeprurëse te fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.

Virusi i Sindromës Pulmonare - HSP

HSP u gjend për herë të parë në vitin 1993, pas hetimeve të bëra për një sëmundje fatale respiratore, e cila u vu re në shtetet jugperëndimore të SHBA-së. Që atëherë, 100 raste të prekurish nga ky virus janë raportuar në 20 shtete amerikane, shumica në perëndim. Si veçori e kësaj sëmundjeje, ndryshe nga shumica e sëmundjeve që zakonisht sulmojnë njerëzit me mbrojtje (sistem imunitar) të dobët, kjo sëmundje ka prekur më të shëndetshmit dhe më të fortët. Shkencëtarët kanë zbuluar se kjo sëmundje vjen nga minjtë e pyllit, veçanërisht nga i quajturi “mi i drerit”, pra nga rodentët. Pacientët pasi ekspozohen ndaj feçeve të këtyre rodentëve, kanë ethe dhe dhembje muskujsh deri 5 javë më vonë. Sëmundja më vonë pasohet me marrje fryme, sepse gradualisht mushkëritë mbushen me lëng dhe në raste ekstreme ky virus sjell vdekje. Për këtë virus nuk ka ende një trajtim kurues. Sëmundja shfaqet menjëherë. Periudha e inkubacionit varion nga 6 orë-5 ditë. Pacienti ka ngërçe abdominale, të vjella dhe humbje lëngjesh (dehidrim). Vdekja vjen pikërisht nga humbja e lëngjeve. Ndërsa antibiotikët ndihmojnë për të shkurtuar sëmundjen.

Virusi Guanarito

Në shtator të vitit 1989, doktorët në Venezuelë filluan të shihnin një sëmundje me ethe tepër të larta në mesin e popullsisë së fshatit. Shumë nga këta pacientë u shtruan në spitale, sepse ethet nuk u pushonin, kishin dobësi të përgjithshme, humbje lëngjesh dhe hemorragji të brendshme. Mbi 100 raste janë konfirmuar dhe rreth 1/3 e pacientëve vdiqën. Mjekët mendojnë se shkaktarë për përhapjen e kësaj sëmundje janë minjtë, ndërsa njohuritë e tjera për këtë virus janë minimale.