Kulturë
Eranda - Beqarja liberale
E marte, 20.11.2007, 08:50 PM
Nga Ilda Lumani
Eranda Libohova po përjeton një rini të pafund. Në karrierë, në jetë dhe imazh. Ndër këngëtaret më interesante dhe të pëlqyera të një publiku të gjerë, ajo tashmë e di se çfarë kërkon: perfeksion në muzikë dhe një jetë emocionale aspak stresante.
Për mua dashuria nuk ka përkufizim, sepse është aq e ndryshme aq e gjerë aq e madhe sa nuk ta krijon mundësinë ta kufizosh”. Është ky koncepti për dashurinë i këngëtares Eranda Libohova, e cila vjen në një intervistë speciale për revistën “Shqip”. Nuk e ndjen asnjëherë veten vetëm dhe nuk e sheh më martesën si një domosdoshmëri. Janë këto disa nga mendimet e këngëtares, që aktualisht po prezantohet plotësisht shkëlqyeshëm në spektaklin “100 këngët e shekullit”. Pas një stine, jo pak të suksesshme në aspektin profesional, dy klipe të reja do të jenë surpriza e radhës e Erandës. Ndërkohë që Eranda ka gjetur kohën për të na treguar për projektet dhe jetën e saj. Për më tepër, le të udhëtojmë së bashku në këtë rrëfim me Erandën.
Çdo të thotë për ty të jesh një nga këngëtaret VIP në spektaklin “100 këngët e shekullit”?
Ndihem e nderuar që jam 1 ndër 10 artistët e përzgjedhur për të përcjellë këngët më të bukura shqiptare. Unë kam kënduar përkrah të mëdhenjve të muzikës tonë Avni Mula, Gaqo Çako, Vaçe Zela, sepse në fillimin e karrierës time kanë qenë pjesëmarrjet e tyre të fundit në festivale. Atëherë i shihja me admirim dhe këngët që ata interpretonin sigurisht që ishin materiale të zgjedhura. Pikërisht ato unë kam fatin që t’i risjellë sot para një publiku që i njeh, por edhe te një brez që nuk i njeh.
Cila është një nga këngët e repertorit të këtij edicioni, që ty të ngacmon dhe të pëlqen më shumë?
Nuk mund të bëj ndarje kategorike, por më të veçuarat janë “Kënga e Mrikës”, e N. Dokos, “Udhëtuam së bashku” e E. Shëngjergjit.
Këndon këngë të kompozitorëve dhe këngëtarëve të një brezi tjetër. Cili është ai kompozitor, a këngëtar prej tyre me të cilin do të doje të bashkëpunoje?
Kam tentuar të prek krijimtarinë e të gjithë autorëve madje dhe të atyre që nuk jetojnë.….. Kam kënduar këngë të A. Prodanit, F. Ibrahimit, P. Jakova. Por një nga autorët që nuk jeton më, të cilin do të doja të kisha një bashkëpunim, është Kujtim Laro. Gjatë këtyre viteve karrierë që kam nuk më është realizuar kjo dëshirë, por ndoshta mund të përzgjedh një ndër krijimet e tij në shenjë homazhi.
Ndërkohë pjesëmarrja në “100 këngët e shekullit” është i vetmi impenjim, që keni aktualisht apo…?
Këngët e Shekullit janë impenjimi kryesor, por pa lënë mënjanë koncerte në ditët ku ngarkesa është më e pakët. Për shembull pak ditë më parë isha në një koncert në Qytetin Studenti me rastin e fillimit të sezonit të ri shkollor.
Na rrëfe diçka për projektet e tua?
Projekti më i afërt ka të bëjë me realizimin e dy videoklipeve të dy këngëve, pjesë e albumit të fundit. Ka përfunduar vetëm njëri, dhe jam në fazën parapërgatitore, besoj deri në fund të dhjetorit do të jetë realizuar dhe videoklipi i dytë.
“Vetëm nuk jam”, është një nga baladat më të preferuara për publikun? Për ju kjo këngë çfarë domethënie ka?
“Vetëm nuk jam” doli si “single” në 2006, kështu që ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u popullarizuar. Mendoj që edhe baladat e tjera të albumit janë po aq të bukura, por le të presim jehonën e tyre pas disa kohësh sepse albumi ka vetëm 2 muaj që është në treg. Për mua kjo këngë nuk ka asnjë domethënie personale, është një këngë dashurie e realizuar mjaft mirë nga Florian Mumajesi.
Vetë Eranda është vetëm apo jo?
Nuk ndihem vetëm asnjëherë.
Të tremb vetmia?
Nuk e kam provuar asnjëherë vetminë si një frikë që mund të më ketë kërcënuar, por mendoj që çdo njeri ka nevojë për vetmi në situata të caktuara.
Kur mund ta quaj veten njeriu vetëm sipas teje?
Ka njerëz që kushtëzohen nga rrethanat për të qenë të vetmuar, ata nuk do donin të ishin ashtu, por kushtet i kanë vendosur në një situatë të tillë siç mund të jetë pleqëria. Por ka dhe njerëz që duan të jenë vetëm çështje zgjedhjeje, egoizmi.
Ç’është martesa për ty?
Dikur ka qenë një koncept i egër në kuptimin që në një moshë të caktuar duhej të ishe e martuar patjetër. Sot është një koncept liberal e unë kam lindur në atë kohë, por jetoj në këtë kohë. Nuk e shoh domosdoshmëri. Gjithsesi familja zë një vend të respektuar brenda konceptit tim.
Cili është përkufizimi yt për dashurinë?
Për mua dashuria nuk ka përkufizim sepse është aq e ndryshme aq e gjerë aq e madhe sa nuk ta krijon mundësinë ta kufizosh.
Kur zgjohesh në mëngjes cili është mendimi i parë që të vjen në mendje?
Cila është axhenda e ditës. Përpiqem të organizoj programin e punëve.
Kur e quan një mëngjes të trishtueshëm?
Kur nuk kam asgjë për të bërë, kur nuk kam njeri për të takuar, thjesht kur dita është bosh.
Si është një ditë e jotja?
Po të përgjigjem me vargjet e këngës time. “Mirëmëngjes i them pasqyrës, një makiazh të lehtë fytyrës, në udhëkryq tani unë jam, njëmijë ëndrra i kam”. Udhëkryqin mund ta interpretosh si të duash, punë, takime, koncerte, udhëtime, etj., etj.
Thuhet se e ndërron shpesh numrin e telefonit celular. Çfarë marrëdhëniesh ke me telefonin? Sa i rëndësishëm është për ty?
Hahahah. Varet nga ofertat e operatorëve telefonikë. Eshtë një mjet i rëndësishëm komunikimi. Bëhet edhe pa të, sidomos kur mendon që në Shqipëri tarifat janë shumë të shtrenjta. Ka pak kohë që për mua telefoni celular është kthyer në një mjet argëtimi, më pëlqen opsioni lojrave në të.
Sa e rëndësishme është e kaluara për ty?
E kaluara është e rëndësishme për këdo. Për mua personalisht është nostalgji në sensin shpirtëror, repertor në sensin profesional, eksperiencë në atë shoqëror.
Të tremb e ardhmja?
Nuk dua ta mendoj të ardhmen e largët, mendoj vetëm të ardhmen e afërt. E ardhmja e afërt ka të bëjë me atë ç’ka ndodh nesër, mbas një jave, mbas një muaji. Kur vjen puna që duhet të mendoj atë çfarë ndodh mbas vitesh, më duket e mistershme.
Ku e sheh veten pas 10 vjetësh dhe si e sheh?
Nuk dua ta mendoj veten mbas 10 vjetësh.
Çfarë është diçka në jetën tënde personale, që do të doje ta kishe por nuk e ke arritur?
Do të doja një jaht timin, e di që s’ka për t’u realizuar kurrë prandaj po e them.
Ka ndonjë peng Eranda?
Nuk kam pengje, por keqardhje të vogla.
Cila është gjëja që të ka lumturuar më shumë kohëve të fundit?
Besoj që gjithë stina që lamë pas ka sjellë ditë të lumtura në aspektin profesional. Lumturohem kur kam arritje në punë, realizimi i albumit ishte ndër objektivat e mia.
Cili është personi më i rëndësishëm i jetës tënde?
S’mund të ketë një. Kam disa por më i rëndësishmi është ai ose ajo që më bën mua të lumtur. E këtë e di vetëm unë.
Në këngën "Çoko dhe kakao" shfaqet një Erandë krejt ndryshe. Cila është arsyeja? Thjesht për t'iu përshtatur tregua, apo për t'iu përshtatur stinës në të cilën është lançuar kjo këngë?
Asnjëra as tjetra. “Çoko dhe kakao” është një këngë për t’i sjellë albumit tim një ngjyrë më tepër.
Do të pranoje të bëjë këngë vetëm për komerç?
Nuk do të bëja vetëm për komerç, por shpesh bëhen kompromise mes anës profesionale dhe asaj komerçiale.