Kulturë
Poezi nga Dibran Demaku
E premte, 14.05.2010, 09:57 PM
Dibran Demaku
P O E Z I
GJEOGRAFI E ATDHEUT
Armiqët të brejtën
pak nga pak
si minj të uritur
vrimave
E ti në log
betejash
u këndoje këngë
trimave
Shekujt iknin
dalë nga dalë
e ti bëje jetë
kaçakqe
në mal
Duke shitur
dushk për gogël
e tkurreshe
e bëheshe
e vogël
e vogël
Kur dielli
të ndriqoi rrugën
jetën
nise të gërryesh
vetëvetën
ËNDRRËN KENI PREKË
(Jusuf,Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës)
Nata derdhte terr
natë e ftohtë Janari
ëndrrën kush e tjerr
nën një dritë fanari
Në Untergrupenbah
tri lulëkuqe gjaku
a dëgjove Bah
si t`u skuq mbrëmë praku
Dhe ti Volfgang Gete
ti Fridrih Shiler
stuhi nëpër dete
n`buzë të agimit-terr
Ti Jusuf Gërvallë
dhe ti Kadri Zekë
Bardhoshi lot n`qepallë
për të tyren Mekë
Për të tyren Mekë
që Kosovë-një emër
ëndrrën keni prekë
me shpirt e me zemër
RREZE DRITE
(Katedrales së Prishtinës)
Në ekranin e televizorit
shfaqesh madhështore
tek rrit shtatin
nën qiellin e kaltër të Kosovës
Në themelet e lashta të Dardanisë
ti rilind si një Feniks
mbi lulëkuqet e gjakut e nis jetën
shekujve n`vijim u rrëfen të vërtetën
Engjujve e zanave ti u bën rojë
hienave e shtrigave u mbyll gojë
si diell mëngjesi mbi male
Prishtinës rreze drite i fale
GJUHË E QENIT
Gjuhë e qenit
këtu e n`Kinë
nuk ndërron ngjyrë
as melodinë
Nuk ndryshon
asnjëherë vesin
edhe veshët
kur ia presin
Leh në mik
e në armik
dikush thotë
ai është besnik
Gjuhën qençe
e përdorë vënçe
n`prak të derës
i nuhat erës