E shtune, 26.04.2025, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: Domosdovë, moj, aman

E marte, 11.05.2010, 09:52 PM


Vullnet Mato

 

DOMOSDOVË, MOJ, AMAN !

 

Era e liqenit shtynte

në perëndim

kuajt nga Anadolli

dhe devetë karvanë.

Te Qafa,

pashai peshoi mbi yzengjitë:

“Domosdovë, moj, aman, aman !

 

Eh, ç’ma ke mbushur

zemrën me maraz,

moj bukuroshe e egër

e ëndrrave të mia!

Po këtë herë pa derman

do të shtie në kafaz,

të gëzojë Stambolli

dhe gjithë Rumelia ! “

 

Turmat lamashe

turreshin e thërrisnin:

“Ohej, Ohej,

Arbëri malegjelbër !”

Dhe xhufkat e kokës

mbi kurmet lakuriq,

u tundeshin mes pluhurit

e djersës së qelbur.

 

Asqerët xixëllonin sytë

mbi fushën e stolisur,

ku gratë si mjellma

notonin nëpër ara,

dhe klithnin

me epshin e tyre të uritur:

"Ohej, arbërore,

moj fustanbardha!”

 

Po kur tatëpjetë Qafthanës

lëshoheshin në fushë

me patkonjtë

si venduza mbi kurriz të dheut,

Përballë -

këto pamje i ndante më dysh

shpata e ngritur e Skënderbeut...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx