Mendime
Aurel Plasari: Orienti apo hija nga oksidenti?
E hene, 19.11.2007, 12:56 AM
Orienti apo hija nga oksidenti?
Nga Aurel Plasari
Një “kulturë europiane” e thjeshtuar vetëm në trajtat e saj “oksidentale”, s’mund të përfytyrohet. Kulturorisht, si dhe shpirtërisht, Europa ngërthen në vetvete gjithë sa ka krijuar hapësira e quajtur “ballkanike”.
Në barrën e keqkuptimeve që, me kalimin e shekujve, vijnë duke u shtuar mbi marrëdhëniet e Perëndimit me vendet ballkanike, bën pjesë edhe përçmimi për thuajse gjithë sa është ballkanike, duke e përfillur këtë rajon si vis pa qytetërim “oksidental”. Duke i veshur Ballkanit prirjen për të përmbysur situatat gjeopolitike të Europës, intelektualë mediokër të Perëndimit europian i fajësojnë popujt ballkanikë për mynxyra deri nga ato që s’i nxë mendja. Analistët madje flasin rëndom për “ballkanizim”, në një kuptim fortësisht pejorativ, për të dëftuar gjithë sa, në doke, në kulturë dhe në nivelin e jetesës, i kundërvihet Perëndimit “të tyre”. Kështu Ballkani, më shumë se një rajon, është bërë një problem, duke qenë fjala për një “Ballkan” që ekziston më së shumti në mendje, se në terren.
Në një situatë të tillë është bërë tanimë detyrë të thyerit e mjaft prej modeleve me të cilat janë modeluar faktet e historisë botërore përkundrejt historisë së rajonit tonë, posaçërisht të atyre modeleve që përftojnë një shembëlltyrë të shformuar mbi zhvillimin e historisë europiane në të cilën Lindja shfaqet si një periferi e Perëndimit. Sidomos “ne ballkanikët” s’kemi më se përse të vijojmë duke pranuar një histori të njerëzimit siç është shkruar në mënyrë diverguese vetëm prej “popujve të mëdhenj”, një histori që e vështron rajonin tonë si një “botë shtojcë”, e cila gjallin jashtë qendrës së historisë botërore të identifikuar me një traditë vetëm e vetëm “oksidentale”.
Shfaqet së rishti, në këtë pikë, pyetja e përhershme: A ekziston përnjëmend një dallim i rëndësishëm mes të ashtuquaj turit “Oksident” dhe të ashtuquajturit “Orient” europian? Dhe, po qe se ai ekziston, ku qëndron? Mandej, ka të bëjë apo jo vendi ynë me një dallim të tillë? Dhe, nëse ka të bëjë, a është ky një dallim thjesht gjeografik, apo që ka një bazë kulturore? Me tjera fjalë: kemi të bëjmë me dallime të rendit historik, apo atij qytetërimor?
Më 16 prill 1999, përpara Bundestag-ut, deputeti kristian demokrat Karl Lamers, duke folur për shembëlltyrën e formuar në Europë për Ballkanin, thoshte: “Duhet të guxojmë e të rivëmë në diskutim shembëlltyrat tona në karakterin absolut të tyre”. Në fjalën e tij Lamers-i e vinte theksin ndershmërisht jo në kushtet historike dhe sociale të rajonit, që gjithsesi ndikojnë të sotmen dhe të ardhmen e rajonit në diskutim, por në karakterin raprezentativ të këtij realiteti që të huajt, pa e kuptuar, ndërtojnë në mendjen e tyre. Ndoshta ngase është bashkatdhetar i Kant-it, por Lamers-i ka gjithsesi të drejtë kur flet për shembëlltyrat sa i përket kësaj zone jug-lindore të Europës. Ngase asnjë njohje s’realizohet përveçse nëpërmes shembëlltyrës së objektit që duam të njohim, sidomos kur nuk flitet një lëndë shkencore, por bëhet fjalë për atë material të ndryshueshëm, me kufij të vagullt, që është njeriu, shoqëria që ai formon, qytetërimi që atë e mbruan dhe vendosja e tij para modelesh të tjera kulturore. Përkundër vizionit të kthjellët të Lamers-it, ngjan disi “spitullake” siguria e zotërisë sonë të dashur Bova, ambasador italian i akredituar në Shqipëri, i cili në konferenecën për shtyp për të paraqitur veprimtarinë “Shqipëria, kjo e panjohur”, shpallte pak ditë më parë: “Italia ka qenë dhe do të vijojë të jetë oksigjeni i vërtetë perëndimor për Shqipërinë”. Por ne, gjithsesi, e dimë që Shkëlqesia e Tij nuk është bashkatdhetar i Kant-it...
Shembëlltyra e shformuar e “Orientit” nga ana e një numri intelektualësh mediokër të Perëndimit është, për mendimin tim, fryt i asaj që në psikologji quhet transfert. Modelin mund ta nxjerrim nga alegoria e Arnold Toynbee-t me njerëzit e egër të hutuar nga të zënët e hënës, d.m.th. nga dukuria e eklipsit. Njerëzit e egër, simbas Toynbee-t, nuk e kuptojnë se hija që zë gjithçka, përveç një copëze të vogël të diskut ndriçues, projektohet prej vetë botës së tyre. Në mënyrë të ngjashme, shumë popuj të Perëndimit i shohin me përçmim e dhimbsuri bashkëkohësit e tyre të quajtur “jo-oksidentalë”. “Në përgjithësi, - vëren Toynbee-i, - jemi shumë të zënë me punët tona për të vështruar më nga afër, dhe kalojmë përtej duke menduar se hija që pllakos mbi ato qenie shëndetliga qenkësh fantazma e vetë së ka luarës së tyre”.
Çuditërisht të ngjashëm me “njerëzit e egër” të Toynbee-t, intelektualët mediokër të “Oksidentit” duken aq të hutuar nga realiteti ballkanik, sa të harrojnë se me emërtimin “Europë”, në kohët klasike, nënkuptohej vetëm Gadishulli i Hemit (Haemus), d.m.th. Ballkani i sotëm. Vetëm më vonë, nga fillimi i Mesjetës, nisi të quhej Europë i gjithë “kontinenti i bardhë”. Ndonjëherë, sikundër dëshmon harta e famshme e Fra Mauros, deri në vlug të Rilindjes emërtimi “Europë” vihej grafikisht diku mbi Dalmacinë e jugut ose Shqipërinë e veriut. Pikërisht në këtë rajon zanafillor u krijuan ato që sot i përfillim si “themele” të qytetërimit europian. Do të silleshim, pra, vërtet si “të egër” po të harronim se aty tek u takuan Traka dionisiake, Greqia orfike, Iliria pellazgjike dhe Roma e kristianizmit arkai k u përvjua Europa e vërtetë, jo ajo gjeografike, por ajo shpirtërore, d.m.th. në këtë pjesë të kontinentit u plazmuan më vlerat më të shquara të njerëzimit. Në këtë mënyrë rajoni ynë, falë pozicionit të tij të mbrothët që e vë në lidhje të ngushtë me dy kontinente të mëdha, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm si vatër qytetërimi dhe si ndërmjetës shkëmbimesh kulturore.
Mos u habitni tani po qe se, ndonjë të “egër” të dalë nga alegoria e Toynbee-t ta gjejmë edhe mes skribëve italianë, për shembull nën emrin Fabio Martelli, bolonjez, paraqitur lexuesve italianë si “kurator studimesh historike dhe antropologjike me impiant të gjerë”. Në një libër të tij të fundit, titulluar “Capire L’Albania” (shtëpia botuese “Mulliri” 1998), me një papërgjegjshmëri që kurrfarë lidhjeje s’ka me oksigjenin e premtuar prej z. Bova, bolonjezi i “Mullirit” ka vendosur të përgojojë me çdo kusht “identitetin” e shqiptarëve. Duke u marrë me parahistorinë e shqiptarëve, ai shqetësohet se këta e mbushkan historinë e tyre me “mite” dhe “legjenda”, ndërkohë që historianët italianë e kanë lejen ta mbushin historinë e tyre të vjetër deri edhe me përrallat e ujkonjës që ushqen me cicë bijtë e Rhea Silvias. Me ëndje të posaçme bolonjezi thashethemnor u qepet zbulimeve të ilirologjisë për t’ia mohuar popullit shqiptar iliricitetin e provuar tanimë shkencërisht. Duke qenë kryekëput i padijshëm në fushë të gjuhësisë, ai guxon të përtallë përkatësinë indoeuropiane të shqipes, kinse ajo qenkësh një “dogmë” zyrtare. Pa u kënaqur me kaq, si lehaqen ordiner që është, i përvishet të drejtës së lashtë dokesore të shqiptarëve për të dalë në zbulimin se ajo i paskësh shërbyer si bazë ideologjisë diktatoriale të E. Hoxhës. Si end një rrjetë paragjykimesh kundër letërsisë së Rilindjes kombëtare shqiptare, rrugaçi bolonjez kënaq kompleksin e vet të inferioritetit duke detraktuar me sa mund shkrimtarin Ismail Kadare. Madje për “më të shquarin” intelektual ai zbulon në Shqipëri Shahin Kadarenë, ndërkohë që Dr. Shahini, mjek i nderuar, ka në kulturën shqiptare të vetmen meritë të jetë vëllai i I. Kadaresë!
Mua vetë, në librin e tij, do të më gjeni të përshkruar, me llafologjinë e tij tipike marksiste-leniniste, si themeluesin e një “ideologjie reaksionare të mbështetur mbi dogmat e së djathtës ultranaziste” (f. 220). Si antropolog “me impiant të gjerë”, që s’mund të mos i dijë gjitha, nga kërthiza e botës së tij që quhet “Bolonjë” ai bën edhe zbulime të rëndësishme fantastiko-spiunore duke shkruar: “Analiza e realitetit shqiptar e disa eksponentëve të Departamentit të Shtetit përkon, në fakt, posaçërisht me perspektivat e elaboruara nga Plasari...” (f. 222) për të vijuar në më shumë se dy faqe të tjera ballafaqimin e “perspektivave të elaboruara” prej meje me tezat e George Tenet-it, nëndrejtor i CIA-s (ff. 222-224). Aq i mirinformuar vetëshpallet ky karagjoz bolonjez sot, në epokën e interneti t, sa esesë sime “Vija e Tedoosit rishfaqet” (1993, 1995 etj.) ia vë në dyshim botimin në Shqipëri, duke e siguruar lexuesin italian se as në bibliografinë e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, ajo nuk ekzistuakësh!
Pavarësisht këtyre, avazi (angl. commonplace) më problematik i transfertit të tij psikik duket se është ai që vetë e quan “immagjinari oksidental” i shqiptarëve, d.m.th. yni, ku bolonjezi përzien si makaraonat e s’ëmës elemente të historisë ilirike me ato të epopesë së Skënderbeut, tregimtarinë e Kadaresë me pasues të Ptolemeut të Aleksandrisë, Alfonsin e Aragonit me Aliun e Tepelenës etj.
Unë, qetësisht, do të desha t’u kujtoja intelektualëve të këtillë të papërgjegjshëm, nga cilido cep i Italisë qofshin, se shkencat e ardhura prej lëvizjes romantike europiane, si romanistika, gjermanistika, sllavistika, po ashtu edhe albanistika, duke luftuar sistematikisht paragjykimin e vjetër voltairean kundër Mesjetës, kanë dëftuar tanimë se çfarë ka sjellë Gadishulli ynë në pasurinë e përbashkët të njerëzimit gjatë formimit të atij qytetërimi që sot e quajmë “europian”. Është e vërtetë se në dhjetëra e dhjetëra libra mbi rajonin tonë, pra edhe mbi Shqipërinë, është bërë commonplace të folurit për një thyerje njësisë politike (si dhe shpirtërore) të kontinentit europian, filluar me ndarjen e famshme të Perandorisë romake në dy pjesë. (Me një ndarje të tillë, nën emrin e perandorit Teodos, merret edhe njëri nga librat e mi.) Por, ta shpërdorosh një këso ndarjeje duke e zmadhuar deri sa të mbërrish të flasësh, sikundër bëhet në dhjetëra e dhejtëra libra, për përftimin e dy botëve të ndryshme, “orientale” dhe “oksidentale”, bazuar në dy perandori, një të Lindjes dhe një të Perëndimit, ky është një prej falsifikimeve më të rënda të kësaj nyeje historike.
Kam bindjen se do të vijë një ditë e kthjellët, kur do ta pranojmë sheshit se dy perandori të tilla s’kanë ekzistuar kurrë. D.m.th. kurrë. Shembëlltyra e dy perandorive është konceptuar a posteriori, gjatë pozitivizmit historik të epokës moderne, ndërsa prej dokumenteve të kohës një siatuatë e tillë në mënyrë absolute s’del.
Në thelbin e vet, si dhe në shfaqjet e jashtme të saj, Perandoria romake rezulton një unicum. Simbas Idaceut, Marciani “përftoi monarkinë” (“obtinuit monarchiam”) dhe “monarchia” në latinishten e greqizuar të Mesjetës s’do të thotë veçse “qeverisje njëshe”. Sikur historianët e ashtuquajtur “oksidentalë” t’i lexonin me vëmendje kronikat që përbëjnë historinë kishëtare të shekujve V-VI: Idaceun, Prosperin, Viktorin Tununensis, Marcelin Komesin etj., do të vërenin me lehtësi se Perandoria asnjëherë nuk u bë “dy”. Dhe as mund të bëhej “dy”. Perandoria, në suazën e së cilës funksiononin si të parët tanë, ashtu dhe të parët e italianëve të sotëm, përbënte një konceptim historik aq një jtësor (unitar), sa rrethanat s’mund t’ia cenonin aspak pandashmërinë.
Po ta shohim në sy një realitet të tillë faktesh, do të na bëhet bëhet e qartë se si francezët, për shembull, e kanë zmadhuar tek s’thuhet rolin e tyre në historinë e njerëzimit duke e bërë gjithë historinë e “Orientit” një kapitull ose dy, të vendosur në bisht të çdo vëllimi “historie universale”. Për një hulumtues të paanshëm është diçka që duket sheshit se Klovi, Karli i Madh dhe gjithë shpura e “mbretërve perëndimorë”, frëngj apo gjermanë, përkundrejt dinastive bizantine ishin një pakogjë. Të rrëzosh sot këtë sipëraní të trilluar “oksidentalizante” do të thotë të kujtosh se i ashtuquajturi “Orient bizantin” ishte qendra e përpunimit dhe e sintezës rreth së cilës u zhvillua me shekuj historia europiane, madje në këtë “Orient” vendosej atëherë fati i njerëzimit. Për shekuj me radhë ai që sot e quajmë “Oksident” vetëm sa gravitonte rreth Bizantit. Aty u përqendrua ideja perandorake dhe përsëri aty një shtet mundi ta bënte realitet një ide të tillë, ai ishte “legjitimiteti” perandorak, sikurse qe edhe vetë “modeli” i perandorisë. Në Gadishullin tonë nënshtetësit e kësaj pjese të Perandorisë vijuan ta quanin veten “romanë”, në greqishten bizantine Rhomaioi. Perandoria vetë ishte Basilea ton Romaion, d.m.th. “Perandoria e romanëve”, ndërsa vetë perandorët edhe për shekuj vijuan ta quanin veten mbasardhës të Augustit.
Të kishte ekzistuar një Toynbee edhe në kohën, le të themi, të Justinianit, kur “Perëndim” donte të thoshte ende një botë amorfe, nuk është çudi ta kishte konstatuar dukurinë e transfertit në kahun e kundërt. Atëherë do ta kishte formuluar alegorinë e tij me “njerëzit e egër” të vendosur në Bizant, prej nga shohin me përçmin e dhimbsuri bashkëkohësit e tyre të ashtuquajtur “oksidentalë”.
Territoret perëndimore, në atë kohë, qenë për Bizantin vetëm një zonë infiltrimi. Ky infiltrim i fuqishëm mbulonte, për shembull, jo vetëm mbarë Gadishullin italik, por mbërrinte deri në Irlandë, dhe vargu i papëve grekë (ose sirianë) në Romë vijonte në një kohë kur në Kostandinopojë askush nuk dinte më latinisht. Ndodhte, pak a shumë, e kundërta e asaj çfarë ndodh në shekujt tanë. Që “Oksidenti” të lindte dhe të ekzistonte, u desh një proces i ngadaltë dhe i vështirë i shkëputjes nga orbita bizantine drejt gjetjes së një qendre të vetën, “njerëzit e egër” të së cilës një ditë prej ditësh do të pandehnin se hija që pllakos mbi ne këndej s’qenkësh veçse fantazma e “së kaluarë sonë”.
Po ta fokusonim vështrimin mbi Gadishullin përkundrejt, mund të vërenin lehtësisht se thuajse gjithë Italia, nga Bari në Gjenovë dhe nga Gjenova në Venedik, duke filluar prej shek. VI, ose ishte një provincë e kësaj Perandorie, ose çonte një jetë tipike “orientale”. Qytetarët e republikave detare qenë më së shumti “borgjezë” të Bizantit vendosur në tjetër truall. Dogja i Venedikut ishte një “dux” i llojit bizantin, ndërsa për thuajse gjithë princërit “oksidentalë” qe ëndërr të siguronin një titull perandorak nëpërmjet ndonjë martese me bijat e dinastive bizantine. Një nuse e këtillë pati qenë, në shek. XI, Maria Argjiropullos, që skandalizoi kishën perëndimore me truket dhe tualetet me të cilat qe nisur e stolisur, si dhe me sapunrat dhe parfumrat e përdorur, të cilët në “Oksident” as njiheshin Dhe unë ju siguroj që N. Iorga e ka vërtetuar bindshëm se prej Rhomaioi-ve të tillë vinte dhe Romeoja simpatik i “Romeo e Xhulietës”, emri i të cilit do të thotë pikërisht Rhomaion, d.m.th. një i krishterë i ritit bizantin.
Përfytyroni tani egërshanin e sipërpërmendur bolonjez, teksa e pushton mllefi dhe guxon të ngrihet edhe kundër vetë evidencave historike, duke shkruar në librin e tij: “Plasari [...] shfaq gjithashtu edhe një dashaligësi të thellë antiitaliane duke lënë të kuptohet se “vija e Teodosit” paskësh ndarë edhe Italinë, tepër e kushtëzuar kjo nga Orienti...” (f. 218). Sikur ju të pranonit ta bënim së toku një shëtitje në qytetin historik të lagunave, një “Orient” të tillë të gjallë do ta ndeshnim gati në çdo hap. Jo vetëm në stilin e ngrehinave të kultit apo në katrakteristikat e organizimit urban, por ja: edhe kur një veneciankë ngjitet në çati për të nderë teshat e lara (ose për të përgjuar më mirë shtëpinë e fqinjëve), ajo ka dalë në heligo, që është vendi i shtëpisë ku bie dielli, nga gr. helios. Kur edhe sot shëtisim nëpër k analet e qytetit me gondolë, mund të mos e dimë që, për shkak të trajtës së përzgjatur e të lakuar, nuk është fjala veçse për një kondolion bizantin. Madje harrojmë se njëherë e një kohë Venediku ishte vetëm ai që quhej Rialto, kanali më i thellë (rivus altus), ndërsa kryevendi i tij i vërtetë ishte Eraclea, emër që vjen me siguri prej perandorit bizantin të shek. VII, Heraclius.
Për të mos jua shpërdoruar durimin me të dhëna historike, do të them më në fund që personalisht jam i bindur se shembulltyra e shformuar e përshkruara nga alegoria e Toynbee-t s’ka për të vijuar përjetësisht. Vlerat e krijuara brenda kësaj zone të privilegjiuar, që është rajoni ynë, bëjnë pjesë në mënyrë të padiskutueshme në trashëgiminë e përbashkët të kulturës europiane. Dhe një “kulturë europiane” e thjeshtuar vetëm në trajtat e saj “oksidentale”, s’mund të përfytyrohet. Kulturorisht, si dhe shpirtërisht, Europa ngërthen në vetvete gjithë sa ka krijuar hapësira e quajtur “ballkanike”. Edhe diçka: kemi motiv për të besuar se hapësira në të cilën u përftuan një Zamolxis, një Orfe, si dhe arkretipi antropologjik i “vëllait të vdekur të kthyer”, nuk i ka shteruar ende burimet e veta shpirtërore.
Historiani i madh i qytetërimeve (Toynbee) propozonte dy zgjidhje për t’i ikur shembëlltyrës së shformuar që ai alegorizon: “Ose figura zotëruese duhet të kthejë kryet, ta kuptojë dënim që po shkakton dhe të lëvizë nga vendi për të mos e penguar më dritën, ose viktimat e saj, mbas përpjekjesh të kota për t’ia tërhequr vëmendjen dhe duke i kërkuar të ndërrojë pozicion, duhet të ngrihen dhe t’i ngulin një thikë në shpinë”. Ç’është e vërteta, me këto që thashë vetëm sa përmblodha subjektin e një librit më të fundit, që po përpiqem ta nxjerr nga dora. Ju siguroj se s’bëhet fjalë për “thikë në shpinë”, por thjesht për një “instrument” i cili t’i ndihmojë sadopak miqtë tanë “oksidentalë” për të depërtuar në këtë rajon dhe, në mos për t’i dashuruar popujt e tij, së paku për t’i kuptuar ata më mirë. Bot a Shqiptare nr. 44, 6-21 gusht 2001.