E enjte, 26.12.2024, 11:31 PM (GMT)

Speciale

Fritz Radovani: Xhakoni Mark Çuni i pari demokrat përballë diktaturës gjakatare komuniste

E hene, 10.05.2010, 08:59 PM


XHAKONI  MARK  ÇUNI  I  PARI  HERO  DEMOKRAT PËRBALLË  DIKTATURËS  GJAKATARE  KOMUNISTE NË  KREJT  LINDJËN  EVROPJANE…

 

Nga Fritz RADOVANI

 

            Që me 29 nandor 1944 Shqipnia e kishte mbyllë kapitullin e Luftës së Dytë Botnore. Forcat Aleate i dhanë të gjitha shanset e qeverisjes së vendit tonë forcave partizane që drejtoheshin nga partia komuniste shqiptare e themelueme nga jugosllavët e Titos, e udhëhiqeshin nga vegla besnike e tyne Enver Hoxha.

            Kudo bahej fjalë për “çlirimin” e vendit nga nazi–fashistët e huej dhe “trathtarët”. Pothuej të gjithë shqiptarët përdornin fjalën “çlirim” në vend të fjalës “liri”, mbasi kjo me të vërtetë ishte ma domethanse se ajo. Që n’atë kohë i madhi Pjetër Gjini, i pat ba shpjegimin gjuhsor kësaj fjalë që për Veriorët ishte e panjohtun: me vleftësue – me çvleftësue, me lirue – me çlirue…

            Me datën 24 Mars 1945, Argjipeshkvia e Shkodres u njoftue nga gjykata ushtarake se, në mengjezin e datës 25, në ora 05.00 duhet t’ishte pranë vorrezave të Rëmajit, në Zallin e Kirit një prift, me krye sherbimet e fundit fetare mbasi aty do të ekzekutoheshin disa vetë, ndër të cilët ishte edhe Don Ndre Zadeja. Në orët e fundit të datës 24, Don Tomë Laca, me cilësitë e famullitarit të Shkodres, bashkë me Don Mark Hasin kancelar i Argjipeshkvit Imz. Gaspër Thaçi, shkojnë tek shtëpia e z. Tefë Curani për me takue komandantin e forcave partizane aso kohe gjeneral Sheuqet Peçin. I kërkojnë mbas ekzekutimit mundësinë me marrë trupin e vdekun të Don Ndreut e me e varrosë pa ceremoni mbrenda vorrezave. Ai ua dha këte të drejtë dhe, për këte do të njoftonte prokurorin që do të ishte në ekzekutim të tyne të nesërmen. Posa u ba pushkatimi i krejt grupit Prekë Calit, me të cilët ishte edhe Don Ndreu, simbas marrveshjes një nate ma parë, Don Toma, afrohet dhe merr mbi sup të djathtë kufomen e Don Ndreut dhe, drejtohet nga dera e hymjes ndër vorre të Rëmajit. Aty e pret xhakoni Mark Çuni, me një shok tjetër (emni i të cilit nuk më kujtohet), që posa Don Toma me Don Ndreun e rrokun hynë ndër vorre Marku, hjellë sipër kufomës Flamurin e Shqipnisë të pa zhigatun me yllin partizan. Bashkë me Prekën e vorreve, hapin gropën tek toka e Zadejëjve dhe, kryejnë vorrimin. Kur mërrinë Don Toma në Argjipeshkvi, më tregonte Don Mark Hasi që priste tek dera, Ai ishte i lamë deri në fund të kambëve me gjakun e Martirit Don Ndre Zadeja, dhe dridhej nga një stres i mënershëm që për Don Tomën ka kenë i përjetshëm dhe i pasherueshëm.

            Mark Çuni bashkë me kufomen varrosi edhe Flamurin, Atë “Rubë të kuqe” për të cilën Don Ndreu dha jetën, por që, për Markun kje një betim, një vepër heroizmi mbi të cilin, jo larg, Ky, do të vente gurin e parë të demokracisë së vërtetë, tue kërkue me guxim der n’ vetflijim, “zgjedhje të lira e demokratike” për rindërtimin e Shqipnisë së Lirë, dhe realizimin e aspiratave të Atdhetarve të vërtetë Shqiptar, pa dallime feje dhe krahinore, tue unifikue mendimet dhe idetë e Tyne përparimtare mbi parimet demokratike të Evropës Përendimore, në një Organizatë antikomuniste e quejtun “Bashkimi Shqiptar”.

 

ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” ASHT ORGANIZATA E PARË,
ME PARIME DEMOKRATIKE PËRENDIMORE NË VENDET E LINDJËS KOMUNISTE.

 

Po kush ishte Ky djalë trim që guxoi me kundershtue vendimet e Jaltës..?

            Mark Çuni asht le në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Mbas shkollës fillore që ka krye në fshatin e vet shkollën e mesme e kreu në Shkodër. Në moshen 18 vjeçare vazhdoi studimet në Seminarin Papnor për meshtar po në Shkodër. Në muejn Maji 1945, delegati apostolik Imzot Leone G.B. Nigris u largue nga Shqipnia prej qeverisë komuniste shqiptare. Mbas disa përpjekjeve pa sukse të qeverisë për shkëputje të Kishës Katolike nga Vatikani, ajo mendoi me ndryshue taktikën e vet sigurisht, me udhzimet e Beogradit. Në muejn Prill një grup të rinjësh shkodranë, në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut në Rus, mendojnë me formue një parti demokristjane, e cila mbeti vetëm ide, siç, më ka shpjegue z. Nino Kurti, në vitin 1998 i pranishem në atë rast aty. Kjo ide nuk u aprovue as nga Kleri Katolik, mbasi u konsiderue grackë komuniste për me shpartallue Klerin dhe inteligjencën katolike në Shqipni. Atëherë qeveria dergoi në Shkoder ish sekretarin e Fan S. Nolit, nëpunës besnik pranë E.Hoxhës, “shokun” e njohtun në rrethin e klerit Sejfullah Maleshoven, i cili, u takue me Imzot Thaçin, At Gjon Shllakun dhe klerikë të tjerë, për me formue partinë demokristjane, që do të përfaqsonte elementin katolik shqiptar në zgjedhjet e dhetorit 1945. Përgjigja e klerikve katolik vazhdoi me kenë negative dhe e preme pa asnjë lëshim, kështu, plani mashtrues i qeverisë deshtoi përfundimisht.

            Seminaristi Mark Çuni në bashpunim me Prof. Gjelosh Lulashin dhe Gjergj Bicin, në mënyrë të mësheftë mendojnë se nuk duhet me u pajtue me zgjedhjet e dhetorit pa asnjë përpjekje por, duhet me gjetë mundësi me zgjue opinjonin shkodranë për “zgjedhje të lira dhe demokratike”, kështu, në gjysmën e muejt maji formojnë Organizaten “Bashkimi Shqiptar” dhe, menjëherë, fillojnë organizimin e saj dhe shtypjen e trakteve me të cilat bajnë thirrje për zgjedhjet. Mbas pak kohe qeveria komuniste ban shpalljen e deputetve të Shkodres, ku, paraqiten listat me përfaqsues të frontit, organizatave të masave, pra as nuk bahet fjalë për parti opozitare. Ata ishin vetëm komunistë të mëshefun nën frontin.

            Kur në Shkoder filloi me u ndigjue “fjala demokraci”, qeveria komuniste u kujtue se aty ishte edhe “çerdhja” e vitit 1924, kështu, ajo filloi gjurmimin e Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, me anën e disa spijunve si Zef Kuçi ( anëtar i Organizatës), Gjon Prennushi, Kol Shytani etj. dhe bie në gjurmat e Organizatës. Po, këte kohë xhakoni Gjon Shllaku, i dorëzon Tuk Jakovës një vjershë me të cilën tallej “deputeti i popullit”, ndonse gjysa e gazit Tukut, i doli ma vonë si thonte vjersha po, në atë kohë, ajo vjershë bahet shkak me u zbulue grupi. Dy anëtarë tjerë Gjovalin Zezaj dhe Luigj Kçira, me datën 27 nandor 1945 kapen tue shpërnda trakte nga spijunët Gjon Prennushi dhe Kol Shytani. Fillojnë arrestimet dhe mbrenda dy muejve Organizata asht e shpartallueme nga Sigurimi i shtetit, i cili, përveç anëtarve të saj akuzon edhe klerikët e pafajshëm por, edhe të pa ditun për vepren e kryeme nga xhakojt e tyne në Seminarin Papnuer të Jezuitve.

            Përveç At Giovani Faustit SJ, At Daniel Dajanit SJ, që ishin edhe eprorë të Seminarit por edhe profesorë aty, sigurimi implikon me këte Organizatë edhe At Gjon Shllakun OFM, ishprofesor françeskan në gjimnazin e fretenve “Illyricum” që nuk kishte të bante fare me Seminarin Papnuer, madje, ndodhej në malësi.

            Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela.

Në bankën e të akuzuemve ishin:

            1.  At Giovani Antonio Fausti  S.J. vjeç 46, nga Breshia, Itali.

            2.  At Daniel Llesh Dajani  S.J. vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.

            3.  Mark Ndoc Çuni  vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.

            4.  At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.

            5.  Gjergj Vat Bici  vjeç 26, nga Gurzi, Milot.

            6.  Gjon Prenk Shllaku  vjeç 22, nga Shkodra.

            7.  Ndoc Gjelosh Vata  vjeç 24, nga Gurzi, Milot.

            8.  Preng Llesh Lezaj  vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.

            9.  Pjetër Gjok Ejlli  vjeç 20,  nga Beltoja, Shkodër.

            10. Andro Lubo Petroviq  vjeç 32, nga Shkodra.

            11. Ernest Gjok Dema  vjeç 26, nga Shkodra.

12. Gjelosh Lulash Bajraktari vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh, Dukagjin.   

            13. Luigj Ndoc Kçira  vjeç 20, nga Shkodra.

            14. Prof. Gjelosh Lul Marku  vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.

            15. Zef Gjin Mirdita (Buka) vjeç 19, nga Shkodra.

            16. Gjovalin Kol Zezaj vjeç 17, nga Shkodra.

            17. Nino Zef  Kurti  vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.

            18. Myfit Qamil Bushati vjeç 18, nga Shkodra.

            19. Qerim Sadik Myftari vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.

            20. Luigj Sokol Shoshi vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.

            21. Frano Pjetër Mark Mirakaj vjeç 29, nga Iballe, Pukë.

            22. Pjetër Palok Berisha vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.

            23. Osman Brahim Plaka vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.

            24. Pjetër Sali Pjetërnikaj vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.

            25. Pjetër Mark Delija vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.

            26. Dedë Mëhill Deda vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.

            27. Jakë Vas Çunaj vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.

            28. Pashuk Kol Matia vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.

            29. Pjetër Kokërr Gjoka vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.

            30. Nik Deli Lekbibaj vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.

            31. Rrok Martin Lacaj vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.

            32. Çesk Zef Gjeluci vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjë.

            33. Ndoc Rrok Jaku  vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.

            34. Tonin Nush Bianku vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjë.

            35. Lazër Simon Kodheli vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjë.

            36. Ndue Bib Doda vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.

 

Hapet gjyqi :

Flasin të akuzuemit:

Mark Çuni:

            “Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë... Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë... Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim, por unë e kam ba... Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue... Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue...

Prof. Gjelosh Lul Marku (Lulashi):

            Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate... Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike... Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka çfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata...

            Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu...

            Gjergj Vat Bici:

            Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë...

Andro Petroviq:

            Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue... Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë... Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!

Mark Gjon Shllaku:

            Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.

            Pjetër Gjoka:

            E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo:

“Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!”.

            Luigj Kçira:

            At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij...

            Xhakoni Gjon Shllaku:

            Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945....Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.... Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira me i shpërnda.

 

Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:

            Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946 (Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

            “Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

            1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,

            2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,

            3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,

            4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,

            5. Qerim Sadik Myftari  nga Vuthaj, Guci,

            6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.

          Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

            Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.

            Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për tu shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.

                                               Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare

                                                       Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.

           

            “Sot ditën e hënë, datë 4 Mars 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:

            1. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!

            2. Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef  Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.

            3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!

            4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!

            5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti  Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!

            6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!

                                                    Prokurori  Ushtarak  (Tonin Miloti) d.v.

 

            Me datën 3 Korrik 1946, Gjykata e Shkodres njoftohet:

            “..Aprovohet ndeshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës. Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit. Frederik Nosi d.v.”

            Si duket, përpjekjet e Sigurimit me e ba spijun kishin deshtue…

            Edhe Frano Mirakaj u ekzekutue, por dosja nuk përmban asnjë shenim.

 

            Për me vertetue mendimin tem në lidhje me madhështinë e Këtij Heroi që guxoi me iu kundervue diktaturës komuniste, i pari në Lindjen Evropjane, kur ende nuk kishte përfundue Lufta e Dytë Botnore…nuk do të nisem fare nga ide të krijueme prej shkrimeve apo mendimeve gojore që kam pasë fatin me ndigjue nga njerëz të ditun apo filozof e teolog…po, këte herë, do të citoj ata mendime që asnjëherë nuk i kemi ditë të sigurta nga vetizolimi i Shqipnisë po, edhe, nga një “hapje” e vonueme e arkivave të Luftës së Dytë…:

            Papa Gjon Pali II, ka thanë: “Katolikët në politikë janë në shtëpinë e vet!”.

            Henry Kissinger, në librin “Diplomacia”, Tiranë 1999, shkruen:

            Në Jalta, Shkurt 1945: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën pa asnjë ndihmë nga Amerika. Ruzvelti nuk pranoi asnjë përgjegjësi të Amerikës për rimëkembjen ekonomike të Evropës: ‘Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit. Kjo nuk është detyrë e natyrshme për ne’ … Ai vuri në lojë qëllimin e Çërçillit…” (fq 396).

            “Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërçillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan.” (fq. 404)

            “Ai (Ruzvelti) parapelqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sesa një diktator totalitar.” (fq. 412).

            “Lëshimi i Stalinit ndaj aleatve të tij ishte një Deklaratë e Përbashkët për Evropën e Çliruar, e cila premtonte zgjedhje të lira dhe krijimin e qeverive demokratike në Evropën Lindore. “ (fq. 415).

            Xhorxh Kenan tha: “Proçedura demokratike gjethe fiku mbi lakuriqësinë e diktaturës staliniste”. (fq. 437). “Stalini e kishte shtyrë kufinin sovjetik 600 milje në Përëndim deri në Elba…” (fq. 426).

            Dy vitët e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vende tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë – Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Rumania, patën qeveri kualicioni.”

            Zhdanov quajti ‘demokraci të reja” Jugosllavi, Poloni, Çekosllovaki dhe Shqipëri.” (fq. 443). Bashkimi Sovjetik pat mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet rregjimesh satelite. (fq. 443).

           

Me fakte dhe dokumenta Ju vërtetova kush ishte xhakoni MARK ÇUNI !

Shqipnia asht e para që ka vendosë në Elterin e Demokracisë Evropjane: Heroin e Sajë të Pavdekshëm MARK  ÇUNIN..!

 

_________________________

 

XHAKONI  MARK  ÇUNI

(30 Shtator 1919 – 4 Mars 1946)

 

  I  PARI  HERO  DEMOKRAT

PËRBALLË  DIKTATURËS  GJAKATARE  KOMUNISTE

  KREJT  LINDJËN  EVROPJANE…

 

ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” ASHT ORGANIZATA E PARË

ME PARIME DEMOKRATIKE PËRENDIMORE NË VENDET E LINDJËS KOMUNISTE.

THEMELUESI I SAJ ASHT MARK ÇUNI

HERO I FESË DHE I ATDHEUT.

 

Në shenjë nderimi në këte 65 vjetor, Ia kushton:

Fritz RADOVANI. 

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Daniel Gàzulli: Gjendja sociale dhe prostitucioni Ilmi Veliu: Në Kerçovë, Zoti i diellit ilir është prezent në varret shqiptare, të krishtera dhe myslimane Pjetër Domgjoni: Pashkë të përgjakura Aristotel Mici: Himni i flamurit – simbol mbarëkombëtar Sabile Keçmezi-Basha: Revista ‘’Drita e Lirisë’’ dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare Ilmi Veliu: Nëna e Skënderbeut, Vjosava Tribalda, ishte shqiptare nga Pollogu Ilmi Veliu: Moisi Golemi ose Misi Dibra nuk e ka tradhetuar Skënderbeun...! Jahë Sadrija: Botushë, ta vura re mërzinë që edhe sot e ke! Thanas L. Gjika: Faik Konica hapi epokën e rikrishterizimit të shqiptarëve Vebi Xhemaili: Organizata ‘’Bashkimi Dibran’’ në mbrojtje të Shqipërisë së Bashkuar Agim Bacelli: Fajtorët e Historisë Fritz Radovani: Plot 65 vjet që qeveria komuniste shqiptare.., thotë: Mirë u pafshim… Evropë…! Avzi Mustafa: Ndihmesë e madhe arsimit shqip në Maqedoni Baki Ymeri: Kosova katolik dhe fantomat e fanatizmit ballkanik Ilmi Veliu: Kronistët dhe historianët osmanë japin të dhëna të pamohueshme se Skënderbeu ishte shqiptar Ramiz Bojaj: Njëzet vjetët e pajtimit shqiptar Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun Ilmi Veliu: Varre myslimane me simbole të besimit Ilir Vebi Xhemaili: Krahina e Rekës në mbrojtje të Shqipërisë Etnike (1941-1944) Besim Muhadri: Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politiko-ushtarake

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora