E shtune, 26.04.2025, 10:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Kur qeni plak të kafshon

E diele, 09.05.2010, 07:57 PM


EDHE QENI PLAK TË KAFSHON

 

Ka diçka më të keqe se veset-virtytet false

A. Karr

 

Nga Luan Çipi

 

Sul Bala u caktua në një kohë të vështirë si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Vlorës, kur ishte në moshë të madhe. Ai erdhi nga zonat e ftohta të veriut, i pamësuar me temperamentin e ngrohtë jugor dhe e tregoi veten, i ndikuar nga plotfuqishmëria kanunore bajraktariste e detyrës, si një plak antipatik, despotik e dashakeq.

Shoku Sul sa erdhi, kërkoi e diktoi nënshtrim të plotë për të gjithë. Ai, brenda pak ditëve, nëpërmjet rrjetit të tij vetjak sekret, shumë shpejt, mori vesh për lidhjet, aftësitë, meritat dhe autoritetin e punonjësve kryesorë të rrethit, që do të kishin fatin të ishin bashkëpunëtorët e tij të afërt. Në këto rrethana u njoh dhe me veprimtarinë e Qani Kamos, që ishte drejtor në një ndërmarrje bujqësore dhe Kryetar i Komisionit të Bujqësisë në Këshillin Popullor të Rrethit. Sula filloi ta shihte me xhelozi popullaritetin e pazakontë të Qaniut dhe, si për disa të tjerë, përpunoi një program të posaçëm përgjimi, ndjekjeje, kundërveprimi e deri asgjësimi. Ata u futën në “listën e zezë”, së bashku me kuadro të tjerë, që i quajti rivalë dhe pengesë serioze për punët e tij.

Shoku Sul, sipas programit të vet, në fillim u rrek t’i ulë dinjitetin faqe të tjerëve dhe për ta zbehur personalitetin e Qaniut. Kështu, një ditë para fillimit të një takimi në mes të sheshit, ku kuadrot e rrethit prisnin duke biseduar në grupe të vogla, shoku Sul kroi zërin e tij dhe me ton autoritar, i ngrefosur, iu drejtua Qaniut:

- Të kam urdhëruar, me një qarkore të posaçme t’u bëje  punime ullinjve, buzë xhadesë që vjen prej Tirane, se, siç e di, presim ta vizitojë Komandanti qytetin tonë. Ne Atij duhet t’i tregojmë me vepra se këtu punohet. Po, ti, o Qano, si gjithnjë, të kundërtën bën. Gjithnjë kundër porosive të Partisë po vihesh, gjithnjë po më kundërvihesh edhe mua, personalisht. Kjo duket edhe për këtë rast, kaq domethënës. Po ja ku po ta them sot, faqe këtyre burrave: do të hash kokën tënde. Bash këta ullinj do të ta hanë kokën!

Qani Kamoja përgjigjet i qetë, aty për aty, në mes të mexhlisit, po me kundërpyetje:

- Po, pse, o shoku Sul, këta ullinj të bekuar, vetëm kokën time do të hanë? Po kokën tënde, jo? Pasi heshti një minutë, për mos t’u keqkuptuar dhe pa lënë mundësi replike, vazhdoi me një argument historik… Siç dihet, ullinjtë  e kësaj zone janë shumë të hershëm, janë mbjellë nga vendësit që në kohë të venecianëve dhe në këta pesë shekuj gjelbërimi të përhershëm kushedi sa koka kanë ngrënë dhe në pesëqind vjetët që do të rrojnë, kushedi sa koka të tjera do të hanë. Padyshim timen dhe tënden, po.

Sul Balo Kaposhi u bë pulë e lagur, sqepmbyllur.

Qëndrimet burrërore dhe të mençura të Qani Kamos janë bërë legjendë, të denja të përcillen ndër breza.

Sapo ishte ngritur në përgjegjësi qeveritare shkodrani energjik Muho Asllani dhe ishte emëruar zëvendësministër i parë i Ministrisë së Bujqësisë, menjëherë drejtoi organizimin e një “Konference Shkencore” në një nga sallat e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë. Për Konferencën u bë një punë e kujdesshme përgatitore me parulla, pankarta, fletë volante dhe ftesa të veçanta për të gjithë drejtuesit dhe specialistët kryesorë të ndërmarrjeve bujqësore të vendit. Referatin kryesor e mbajti personalisht organizatori Muho Asllani, një kuadër i ri, i përzgjedhur direkt nga udhëheqja e lartë, pas një “seleksionimi të kujdesshëm”. Shoku Muho quhej drejtues me perspektivë, shpresë e ardhshme për udhëheqjen e vendit.

            Në radhën e parë të dëgjuesve, krahas të ftuarve më të zgjedhur, kishte zënë vend edhe Qani Kamoja, si kuadër i vjetër, që kishte edhe meritën se i takonte brezit të nderuar të luftëtarëve ish-partizanë. Të tillë ishin të rrallë në këtë sallë, aq sa mund të numëroheshin me gishtat e dorës.

            Në të vërtetë, shokut Qani nuk para i pëlqenin këto farë konferencash, që ai i quante punëtë kota të rrafshit thjesht teorik. Ai ishte njeri i punës dhe i aksionit dhe ndiente më shumë kënaqësi kur shkencat e sektorit bujqësor e blegtoral zbatoheshin në praktikë dhe kur përziheshin me baltën, “burimin e të gjithë mirësisë në botë”, siç thoshte ai..

Qaniu rinte atje, në krye të sallës së madhe, si angari, me kokën ulur, që veç e ngrinte dhe e tundte ndonjëherë, në shenjë miratimi e nderimi, pa denjuar të dëgjonte fare për çka po fliste shoku dhe miku i tij i ngushtë, i porsangritur në qendër, në këtë pozitë kaq të rëndësishme. Duke e ulur kokën poshtë ai pa si i çuditur këpucët e tij llustrina, që edhe i shtrëngonin pak, se i kishte veshur për herë të parë, duke zëvendësuar çizmet e përditshme. Në këtë pozicion po mendonte dhe i vinte keq se po e kalonte kohën dëm. Do të qe ku e ku më mirë të ishte ndërmjet traktoristëve të tij të dashur, për të drejtuar nga afër fushatën e madhe të mbjelljeve pranverore ose të paktën të ishte i ulur me shokët e të tij gazmorë, në mbrëmjet pas pune, duke biseduar thjesht për punët e bujqësisë praktike, para mezes së mirë dhe një boce me raki rrushi… U kujtua ku ishte dhe sërish ngriti e

 tundi kokën.

Sapo mbaroi referati, shoku Muho e thirri nga tribuna Qaniun dhe, duke i hedhur krahun, duke shëtitur në hollin e madh, pasi kaluan çastet përshëndetëse, e pyeti shokun e vjetër e të dashur, gjithnjë me humor të këndshëm e kuptimplotë:

- Si t’u duk referati, o Qano?

       Qaniu, sikur s’e dëgjoi fare atë lloj pyetjeje, i përgjigjet:

- Po t’u referohesh vrojtimeve të bëra nga specialistët më të mirë të bujqësisë të rrethit tonë, këtë vit me prodhimin e ullirit do të jemi rekord. Siç i themi ne andej, ky do jetë “vit ulliri”.

- E, e… Bravo ju qoftë! Po referati im si t’u duk?

- Djalin e madh, ti e mban mend? E fejova me një vajzë të mirë, nga derë e parë dhe me arsim të lartë. Për atë e mblodha mendjen.

- Ashtu? Gëzohem shumë. Më bahet qejfi…

            - Po referati jem si t’u duk?

- Thuaj: “Shyqyr Dakes”, o Muh Artunda!

- Qano! A luajte menç, a… Ç’është kjo Dake?

Deri këtu, nuk luhet dot më tutje, mori vendim Qaniu. Ky më pyet mua, nëse kam luajtur menç, kurse paska luajtur vetë fare nga fiqiri. Kaq kapadai qenka bërë. Nuk e mbaj më, do t’ia përplas, që ta mbajë mend. Kështu bëj dhe një detyrë partie, si mik që e kam:

- More, shoku Muho! Po kaq shpejt e harrove Daken?! Po qenke bukëshkalë, more burrë. Të paska fluturuar mendja mbi flokë. Po “Shkolla e Dakes”, o vëlla. Ajo që mbaruam bashkë këtu në Tiranë! Kaq shpejt e harrove? (Ata të dy dhe shumë kuadro të tjerë, në të vërtetë, drejtues të zgjedhur dhe të afirmuar, po pa arsimin përkatës, i kishin grumbulluar pranë Institutit të Lartë Bujqësor dhe atje kishin kryer një kurs superior me ekuivalencë diplome për agronomë) Se, po të mos qe Dakja, vazhdoi argumentimin praktik shoku Qani, unë dhe ti ndonjë brigadier arash do të ishim. Do të ishe ti, se unë, meqë kam bërë edhe luftën, mund të shkoja deri përgjegjës sektori.

 Meqë e ke merak dhe ngule këmbë, pesë herë të vlerësoj referatin, që kush e di se kush ta ka përgatitur, po ta them me gojën plot, se atë e lexove shumë mirë.

- Qano, more vëlla! Hajde të të puth. Veç një mik e shok i ngushtë nga Vlora mund të të flasë kaq sinqerisht. Këtu në dikaster, në punën e re, kam rënë keq në mes të servilëve. Duke të dëgjuar, mendova thellë. Ky referat më shërbeu shumë. Të jap fjalën që do ta kontrolloj më mirë veten. Hajde të të puth edhe një herë me dashuri, o mësuesi im i përhershëm...

 

Kaluan vite dhe Muho Asllani, me zotësinë dhe shkathtësinë e tij, si me katapultë, i ngjiti të gjitha shkallët e hierarkisë shtetërore dhe partiake dhe u bë ndër dhjetë burrat më të dëgjuar të vendit, anëtar i Byrosë Politike. Si i tillë dërgohet edhe në Vlorë, me rastin e 35 vjetorit të themelimit të Partisë së vetme të vendit, për t’u shpërndarë militantëve dekorata simbolike. Ishte koha, kur në Vlorë Partinë dhe gjithë jetën ekonomike e politike të rajonit e drejtonte, si një diktator i vërtetë, plaku i pështirë Sul Bala. Ai vazhdonte të zhvillonte programin e tij të vjetër “përça e sundo”, duke asgjësuar ata që nuk i nënshtroheshin verbërisht. Viktima e radhës duket se ishte  Qaniu.

Ishte pikërisht shoku Muho, që e shpëtoi nga gijotina Qaniun. Ai, pasi i shpjegoi për miqësinë e fortë që kishte me Qaniun, i kërkoi Sulës të bënin një vizitë të përbashkët përshëndetëse në ndërmarrjen, ku ishte drejtor shoku i tij i vjetër. Kështu u bë. Sula që, nga natyra e vet ishte servil dhe trembej nga ata lart, pas kësaj Qanos nuk i ra më në qafë.

 Gjahtarët i kishin ndarë, paqësisht, zonat e prehjes dhe të gjuetisë. Qeni plak ishte rrahur keqas e nuk kafshonte më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx