Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Kush ma rrëmbeu djalin?
E premte, 07.05.2010, 08:58 PM
Reshat Kripa
Kush ma rrëmbeu djalin?
Po punoja si çdo ditë në zyrën time, kur degjova një të trokitur të lehtë në portë.
- Hyni! - fola me zë të lartë.
Në zyrë hyri një burrë i moshuar. Fytyra e tij tregonte një dhimbje të madhe. Mbylli derën dhe u ndal pas saj.
- Urdhëroni! Urdhëroni! - e ftova unë.
U afrua me ngadalë dhe kur erdhi pranë meje i zgjata dorën të cilën e kapi me të dy duart.
- Mirdita more bir! - më foli - Quhem Milto Neranxi dhe jam nga Himara. Kam ardhur te ju për t’ju treguar historinë time, ose më mirë të djalit tim të zhdukur nëpër labirintet e diktaturës komuniste
- Uluni, uluni! - e ftova duke i bërë shenjë nga karrikja. Porosita të na sillnin dy kafe dhe ju drejtova mysafirit të porsa ardhur:
- Jam gati t’ju degjoj.
- Ngjarja për të cilën do t’ju flas, - filloi ai - është aktakuza ime ndaj diktaturës së përmbysur dhe disa individëve që u bënë mishërimi i saj. Ata individë janë edhe sot dhe jetojnë me fytyra anonime. Këtë aktakuzë e bëjë unë plaku tetëdhjetëvjeçar, i rënduar nga humbja e djalit në labirintet e diktaturës çnjerëzore. E bënë shpirti i një nëne që u nda nga kjo botë pasi nuk mundi të duronte humbjen e djalit. E bënë një grua njëzetepesëvjeçare që humbi burrin dhe jetën e saj. E bëjnë dy fëmijë që një dorë gjakatare i detyroi të rriten pa përkëdheljen e babajt të tyre. Së fundi këtë e bënë edhe çdo njeri i ndershëm që dëgjon për bëmat monstruoze të zhdukjes enigmatike të sa e sa personave si im bir.
Plaku mori frymë thellë duke lëshuar një psheretimë të zgjatur. Ndërkohë mbërritën dy kafet që kisha porositur.
- Gëzuar! - i thashë duke iu drejtuar plakut të gjorë.
E ktheu filxhanin me ngadalë duke pëshpëritur një urim të cilin nuk arrita ta kuptoja. Drodhi një cigare nga kutia e tij dhe më drodhi edhe një mua. Po e shikoja me vëmendje në fytyrë duke pritur vazhdimin e tregimit. Ishte një histori shumë interesante. Megjithatë nuk i fola por prisja që ai të fillonte vetë. Por plaku vazhdonte të pinte kafenë pa folur. Edhe unë vazhdoja gjithashtu të pija pa folur. Së fundi, si e mbaroi, ai filloi:
- Leandro Neranxi ose Levisi si e thërrisnin shokët e tij ishte biri im. Ishte vetem tridhjetedy vjec. Punonte në fabrikën e ekstraksionit ne Himarë. Nuk do ta harroj kurrë datën e 15 shkurtit te vitit 1988. Shkoi në punë në turnin e dytë dhe nuk u kthye më kurrë. E pritëm me ankth kthimin e tij. Ishte një pritje e tmerrshme. Sidomos unë që dija disa gjëra për të isha shumë i shqetësuar. Pas mezit të natës u ngrita dhe shkova në fabrikë. Atje pyeta për të por më thanë se Levisi nuk ishte paraqitur fare në punë. Ç’të bëja? U ktheva në shtëpi. Gruas dhe nuses u thashë se do punonte dy turne për të zëvendësuar një shokun e tij. Ajo ishte nata më e gjatë e jetës time. Kështu në ankth kaloi dhe dita e nesërme. Levisi nuk po bëhej i gjallë. Ku të ishte vallë? Mendja më shkonte në lloj lloj rrethanash misterioze e të frikëshme.
- Mos është ndonjë femër në mes or burrë? - pyeti gruaja që kishte filluar të shqetesohej edhe ajo.
- Jo moj grua jo! - iu përgjigja unë i bindur për ato që thoja.
Një gjë e tillë nuk ishte e mundur. E njihja karakterin e tim biri. Ai nuk do të
pranonte kurrë të braktiste gruan dhe fëmijtë për këdo tjetër.
Të nesërmen shkova në polici dhe u thashë për djalin. Ata u hoqën sikur nuk dinin gjë. Operativ Agimi më sugjeroi që të pyesja njerëzit e mij në Tiranë, Fier dhe Lukovë. I mora që atë ditë të gjithë në telefon por ata nuk dinin asgjë.
Në këtë kohë plaku nxorri përsëri kutinë e duhanit dhe drodhi cigaren e dytë. Më ofroi edhe mua, por i thashë se nuk e pija. Si e thithi tre katër herë vazhdoi:
- Pas dy ditësh në mbrëmje në shtëpi vjen operativ Agimi, i shoqëruar nga Spirua, Kryetari i Këshillit të Bashkuar dhe disa policë të tjerë. Kontrolluan dhe bastisën gjithçka. Së fundi Agimi më pyeti se ku ndodhej fotografia e gjyshit. Ishte nje fotografi e madhe e vjetër e vendosur në kornizë. Ia tregova. E mori , e nxorri nga korniza dhe prapa saj gjeti një letër të cilën e futi në xhep.
- Ç’është ajo letër - e pyeta unë.
Nuk më ktheu pergjigje. Si kontrolluan edhe pak dhe nuk gjetën asgjë u larguan pa folur asnjë fjalë. Pas disa ditësh më njoftuan se duhej të paraqitesha te operativ Agimi. Shkova dhe më futën në zyrën e tij.
- Djali yt ka tradhëtuar atdheun, - më tha - dhe është arratisur në Greqi.
U largova duke mos besuar në variantin e ri që më serviri. Makari të kishte qënë e vërtetë një gjë e tillë. Por zemra më ndillte se kjo nuk ishte kështu. Im bir nuk mund ta bente një gjë të tillë. Ai më kishte treguar shumë gjëra të tjera dhe po ta kishte ndër mend një gjë të tillë, me siguri do të ma thoshte. Një e dridhur më përshkoi trupin. Për herë të parë më lindi mendimi se djalin ma kishin vrareë dhe shpikën alibinë e arratisjes për të mbuluar gjurmët.
Plaku drodhi cigaren e tretë dhe përsëri më ofroi edhe mua një. Kësaj here nuk e kundërshtova por e ndeza. Porosita edhe dy kafe të tjera. Kur ato erdhën filluam t’i pimë me ngadalë. Pastaj plaku vazhdoi:
- Megjithatë doja të sigurohesha. Shkova në Vlorë dhe në Tiranë. U interesova në Degën e Punëve të Brëndëshme dhe në Ministri. Por kudo mora të njëjtën pergjigje. Telat ishin rakorduar kudo njëlloj. Kur isha në Tiranë i shkrova një letër një kushuririt tim që jetonte në Greqi. Ai u interesua dhe pas një farë kohe më ktheu pergjigjen. Djalit nuk i gjendej asnjë shenjë. Atëhere m’u forcua bindja se ma kishin zhdukur. Një gjë të tillë ma forconte më tepër edhe një episod që më kishte treguar djali para ca kohe.
Plaku heshti dhe po mendohej. Une rrija dhe prisja pa folur. Në këtë kohe hyri në zyrë një punonjëse që më pruri një shkresë për ta firmosur. E firmosa pa e patur mendjen aty dhe i bëra shenjë që të largohej. Pas një heshtje të gjatë plaku vazhdoi:
- Një ditë e thirri Agimi dhe i propozoi të bëhej bashkëpuntor i sigurimit. Djali nuk pranoi. Tradita familjare nuk e lejonte të ushtronte atë profesion të ndyrë. E mbajtën katër orë nën presion të vazhdueshëm . Në fund e lanë të lirë duke e këshilluar që të mos i tregonte kurkujt për sa kishte ndodhur. Pas disa ditësh e morën përsëri dhe e çuan në njerën nga dhomat e hotel ‘’Adriatikut‘’ në Vlorë. Atje Pirrua, nënkryetari i deges, i kërkoi që t’i dilte dëshmitar Lea Dhimojanit që ishte arrestuar disa muaj më parë. Djali nuk pranoi përsëri. Atëhere filluan ta torturojnë. E mbajtën dy ditë. Kur u kthye në shtëpi dukej i shpërfytyruar. U trondita shumë kur e pashë në atë gjendje. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. M’i tregoi të gjitha.
- Të lumtë more bir! Nuk më paske turpëruar. - i thashë me krenari duke e përqafuar.
Që atë ditë nuk e thërritën më. Mendova se e kishin harruar. Por u gabova. Pas dy
muajsh ata e morën për të mos e kthyer më. Një gjë të tillë ma forcon fakti i letrës që gjeti Agimi në fotografinë e gjyshit. Kush i kishte thënë atij që aty kishte një letër, ku as unë nuk e dija një gjë te tillë? Me siguri ka qenë im bir i shtrënguar nga torturat çnjerëzore që do t’i merrnin edhe jetën.
Pas një viti na ndodhi edhe fatkeqësia tjetër. Gruaja nuk e duroi dot dhimbjen dhe mbylli sytë përgjithnjë.
Kjo është e gjithë historia për të cilën kam ardhur te ju. Dua vetëm një gjë. Hidhini në letër dhe botojini në ndonjë gazetë. Nëqoftëse nuk munda të zbuloj gjë , të paktën njerëzia të mësojnë tmerret e asaj periudhe.
I premtova se do t’ia plotësoja dëshirën .Gjithashtu i thashë se do ta ndiqja çështjen në komisariatin e policisë ku kryetar ishte një miku im.
- Nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. - më tha - U interesova. Takova edhe kryetarin. Ishte një burrë i mirë. Kërkoi gjithandej por nuk gjeti asgjë. Ata i kishin zhdukur të gjitha dokumentat. Ndërsa shkaktarët e këtij krimi Pirrua, Agimi dhe Spirua kishin fluturuar në Greqi ku një djall e di se me se merren. U mundova edhe deri në Greqi, por përsëri nuk gjeta asgjë.
U ngritëm dhe dolëm përjashta. Iu luta të rrinte për darkë dhe të kalonim atë natë bashkë. Nuk pranoi. E përcolla deri te autobuzi i Himarës. U përqafuam dhe u ndamë. Kur u nis autobuzi e përshendeta me dorë. Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Pas nje viti mësova se i kishte mbyllur sytë.
Tregimin tim e përmblodha në një shkrim që e botova në gazetën lokale dhe në një nga gazetat qëndrore.