Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Imazhe nga Aquila, në zemër të Abrucios

| E merkure, 14.11.2007, 07:31 PM |


Nga Flori Slatina
    
Përtej një përvoje në Akademinë e Imazhit në Akuila të Italisë

Akuila (Aquila) është një qytet i vogël në zemër të Italisë dhe qendër e krahinës së Abrucios, 714 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 466 mije. Një qytet i vjetër, karakteristik i Mesjetës, me rrugë të ngushta e me kalldrëme, me kisha, bazilika e kështjella, por edhe universitet, me shkolla, me kinema, teatro, me dyqane e restorante nga më të bukurit e më të shtrenjtët, që të ftojnë në kalosh pak momente qetësie e relaksimi shpirtëror. Ky qytet mban emrin e shpendit tonë, me të cilin na identifikojnë shpesh, shqiponjës, ndoshta edhe për faktin se është një qytet malor, i denjë për një shpend krenar si shqiponja. Tani në nëntor klima është e freskët, për të mos thënë e ftohtë, temperaturat bien deri në 5-6 gradë, por natën ato shkojnë edhe më ulët. Banorët e këtij qyteti me 72 mijë banorë kanë gjetur çelësin e bashkëjetesës së përkryer me mjedisin e ftohtë.
Pikërisht në këtë qytet të vogël, ku ka fare pak shqiptarë, të cilët numërohen me gishta, por një komunitet i madh grekësh, një grup specialistësh nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri një trajnim një javor pranë Institutit Kinematografik “La lanterna magica”, një nga institucionet më të rëndësishme të këtij qyteti, por edhe më gjerë.

***
Pas mbërritjes në aeroportin e Fuimiçinos së Romës, një nga aeroportet më të mëdha të Italisë, me avionin e kompanisë së madhe prestigjioze “Alitalia”, një shofer i ardhur floriposaçërisht nga Akademia e Imazhit na shoqëroi drejt Akuilës, 150 km larg. Në pamje të parë të jepej përshtypja se ishte një distancë mjaft e madhe, duke e krahasuar atë me rrugët tona, pasi një distancë e tillë ishte sa Tirana me Korçën, por që ne na u desh pak më shumë se një orë për të mbërritur në qytetin malor të Akuilës. Drejtues të projektit na pritën pranë hotel “San Michel” ku ishim sistemuar. Pasi na urdhëruan mirëseardhjen e qëndrim të këndshëm dhe pas sistemimit, menduam t’i hedhim një sy të shpejtë qytetit, si dhe më pas të darkonin në një nga restorantet tipike, i vjetër dhe ndoshta në vitet 800 mund të kishte qenë edhe një han me nam.
Sheshi qendror i qytetit, “Piaca D’uomo” dukej i zbrazët në mbrëmje. Pak kalimtarë, më tepër mosha të thyera. Ndoshta i ftohti bënte punën e tij. Të gjitha dyqanet mbylleshin në orën 20.00 dhe qyteti përhumbej në atë qetësinë e tij.
E nesërmja rezervonte të tjera supriza.
Aktiviteti i programuar nga Instituti Kinematografik, nga Arkivi i Akuilës, konsistonte në një workshop mbi ruajtjen rekuperimin e pilikulës së filmit 35 mm, si dhe një vështrim i ilustruar mbi historinë e kinemasë dhe filmit. Ky workshop, pjesë e programit Interreg III, bëhej me pjesëmarrjen e Arkivit Qedror Shtetëror të Filmit në Tiranë.
Instituti kinematografi gjendej në një kodër, jo larg qendrës, pranë Bazilikës së famshme të Aquilës, ku prehej trupi i Papa Piu XVI. Nën shoqërinë e Andreas, koordinatorit të këtij projekti si dhe profesorëve Piercesare Stagni, Pierluigi Rossi e Francesco Castri bëmë një vizitë njohjeje me institutin, departamentet, sallat dhe gjithë veprimtarinë e tij. Më pas Piercesare bëri një përshkrim të shkurtër të rrugës së pelikulës, të ilustruar me shembuj si dhe filmime të viteve të para të kinemasë. Piercesare ishte autor i disa librave dhe një kritik kinemaje, i fiksuar më shumë pas dritës e imazhit në film, njohës shumë i mirë i punës së mjaft regjisorëve italianë dhe botërorë. Ai kishte konsultuar diçka dhe për kinemanë tonë dhe natyrisht dinte shumë pak, por që i mjaftonte për të krijuar një ide.
Me interes gjatë këtij workshopi ishte përvoja e marrë në drejtim të restaurimit dhe ruajtjes së pelikulës. AQSHF disponon me mijëra metra film 35mm, për të cilët çdo ditë bëhet një punë e madhe dhe e kujdesshme, shumë jo më pak profesionale se atje, por gjithsesi teknologjia dhe kujdesi i shtetit ishin më të mëdha. Cineteka e Akuilës ishte krijuar prej mëse 6 vjetësh, nga viti 2001, dhe kishte në ruajtje mbi 1500 filma të formatit 35 mm dhe 16 mm.
Aktiviteti kinematografik në Akuila ka qenë mjaft i pranishëm në vitet 70. Java e artit që zhvillohej në këtë qytet vuri në lëvizje mjaft kineastë e dashamirës të filmit, personalitete. Kino-forumi i formuar nga Gabriele Lucci nga mesi i viteve ’70 ishte hapi i parë, ndërsa në vitin 1981, gjithnjë nën veprën e Luccit, lindi Instituti Kinematografik i Aquiles “La Lanterna magica”, një kompani produksioni dhe zhvillimi, në ndihmë të kulturës kinematografike në Itali dhe në vendet e Lindjes.
Paralelisht u zhvillua një manifestim kinematografik nën emrin “Una citta in cinema”, me pjesëmarrje të gjallë të qytetit, profesorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore, mbi të gjitha profesionistë, të cilët sollën përvojën dhe artin e tyre në Aquila, duke e ngritur atë në nivelet e javës së artit. Duke u mbështetur në një bashkëpunim eksperiencash në fillim te viteve ’90, Gabriele Lucci ka përuruar edhe fondacionin e Akademisë Internacionale për Artet dhe Shkencat e Imazhit, shkollë e një niveli të lartë universal, e lindur me konkursin e “La Lanterna Magica”, e rajonit të Abruzzo-s të komunës së Aquilës, që me mësimdhënien profesorëve të kualifikuar ka diplomuar profesionistë të kinemasë dhe komunikimit multimedial.
Midis tyre mund të citojmë drejtoret e fotografisë Vittorio Storaro (tre here çmimi “Oskar”) dhe Luciano Tovoli, skenografin Dante Feretti ( Çmimi Oskar për “The Aviator” i M. Skorceze), Jim Morris (president i Lucas Digital Film), regjizor Riccardo Milani dhe Franco Lazzareti, ekspert ne teknologjine dixhitale Angelo D’Alessio,ekspert në teknikat e komunikimit multimedial Piero Trupia, etj...
Sheshi San Pietro i Instituti Kinematografik i Aquiles “La Lanterna Magica” ka avantazhe të mëtejshme, pasi ka një fond kulturor të shtrenjte, Arkivin e Aquilës, strukture nga më të rëndesishmet në Itali, me një pasuri rreth 1500 pelikula, disa prej të cilave kopje të vetme ose të rralla, të kërkuara nga festivale nga e gjithë bota, nga Institute Italiane të Kulturës, nga ente dhe shoqëri që operojnë në kampe kulturore me sektorë kinematografikë. Eshtë aktive në ent dhe një mediatekë e pasur, me mbi 15000 tituj ndërmjet vidiove, librave, botimeve dhe revistave në fushën e kinematografisë, më një sherbim rajonal e cila arrin 500 hua në ditë. Akademia e Imazheve kishte edhe nj[ redaksi ku botoheshin broshura, libra, katalogje e mjete te tjera propagande për filmin. Me interes dhe tepër profesionalë ishin botimet mbi filmin botëror, të ndarë në gjini të ndryshme, “Noir”, “Erotique”, “Fantazia” , etj. si dhe katalogjet mbi krijimtarinë e Moricones dhe të tjerë artistë të mëdhenj italianë , fitues të çmimit “Oscar”.
Në 21 dhjetor 2006 “La Lanterna Magica” propozoi nismën për “Notte Noir”, një program me shfaqe filmash në natën më të gjatë të vitit, deri në agim.
Të dy Institucionet e cituara kanë zyrat në Pallatin e Imazheve në Parkun e Collemaggio, dhe formojnë një qendër të mirëfilltë të imazhit multimedial dhe Audioviziv. Në këtë kompleks është vendosur gjithashtu L’Abruzzo Film Commission (www.abruzzofilmcommission.org) shoqëri e formuar nga Komuna e Abruzzo dhe nga institucionet më të rëndësishme të qytetit, për promovimin e Abruzzos, të qendrave historike, të pasurive ambientale dhe të vlerave natyrore si sheshxhirimi për prodhimet kinematografike, televizive dhe publicitare. Të shumtë kanë qenë filmat që janë xhiruar në Aquila dhe në Abruzzo.
Në rrethinat e Aquilas, ndërmjet interesit të lartë të vlerave arkitektonike (Santo Stefano di Sessanio, Capestrano, Castelvecchio Calvisio, Castel De monte, Bominaco, Fontecchio etj) kështjella, rrënoja romake dhe manastire. Në kështjellën e Rocca Calascio, më i larti ne Itali, është xhiruar në vitet ’80 filmi i “Ladyhawke” me Rutger Hauer, Michell Phiffer, Matthew Broderick dhe Loris Loddi. Këtu punonin aktualisht 106 vetë, pa llogaritur profesorët e jashtëm, apo bashkëpunëtorët. Në Institutin Kinematografik të Aquilës formoheshin çdo vit dhjetëra studentë në degë të ndryshme.
Dita e dytë me interes ishte shfaqja e filmit të madh të regjisorit të famshëm “Duart mbi qytet” të Francesko Roselinit, një film aktual edhe për problemet shqiptare. Ky film i ruajtur dhe i restauruan nga Cineteka e Akuilës. Filmi u shfaq në kinemanë e qytetit Kinema Massimo, pronë e vetë Cinetekës. Në të, përveç programeve shkollore, shfaqeshin edhe filmat e radhës së kinemasë italiane. Në mbrëmje ne patën rastin të shkojmë një nga filmat më të fundit italianë, “Giorni e nouvole” me aktorin Antonio Albaneze.
***
Në ditën e katërt na shoqëroi shiu, një shi i imët që shkonte me temperaturat e ulëta e me peziazhin e ashpër. Workshpi do të vazhdonte dy ditë të tjera në Pescara pranë Muzeut të Medias. Peskara ishte një qytet i formuar relativisht vonë, buzë detit Adriatik, me një arkitekturë jo fortë moderne, qytet i qetë tani në dimër, pas një vere të nxehtë e me mijëra pushues. Qyteti ishte më tepër industrial dhe pjesa më ekonomike e Abrucios. Këtu kishte edhe një komunitet shqiptarësh, sidomos në rrethinat e Peskarës. Workshopi i radhës konsistonte në bërjen dhe mirëmbajtjen e një faqe interneti. E nesërmja ishte festë në Itali dita e shenjtorëve, ndërsa data 2 ishte dita e të vdekurve...
Duke pasur parasysh faktin se Italia ka disa qendra të mëdha kinematografike, duke llogaritur Romën, me Institutin e famshëm “Luçe”, apo Çinetekën e Bolonjës, e shumë çineteka të tjera në mbarë Italinë, vëmendja që i kishte kushtuar komuniteti, shteti apo vetë qytetarët dhe intelektualët e Aquilës Institutit Kinematografik, të bën të mendosh se sa larg jemi ne, kur një pasuri e madhe si ish-Kinostudioja, sot është e copëtuar në tre institucione, të cilat janë unike në gjithë Shqipërinë dhe një pasuri e madhe kombëtare, për të cilën duhet të ketë më shumë vëmendje e investime, jo vetëm për faktin se është historia e fshehur në celuloid, por edhe për faktin se studentët e sotëm e të nesërm të Akademisë ës arteve, duhet të kenë një vend për të ushtruar profesionin e tyre.