Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmet Zymeri: Kosharja legjitimoi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

| E merkure, 21.04.2010, 09:00 PM |


Me rastin e 11 - vjetorit të rënjës të heronjëve: Sali Çekaj dhe Agim Ramadani

 

KOSHARJA LEGJITIMOI LUFTEN E USHTRISE ÇLIRIMTARE TE KOSOVES

 

SHKRUAN: MEHMET ZYMERI

Kryetar i Nëndegës të LDK-së për Bavarinë

 

     Përkujtimi i dëshmorëve është shprehje e mirënjohjes tonë për sublimitetin e tyre. Vepra e dëshmorëve është dëshmi vetëfolëse. Edhe sikur asgjë të mos themi, tubimi ynë këtu, në përkujtim të tyre, do të ishte i mjaftueshëm. Sepse, ata, heronjtë, kanë folur me grykën e pushkës dhe me gjakun e tyre kanë hapur shtigjet e lirisë, ku fjala, në Kosovën tonë, nuk përbën më elementin e deliktit, për rrjedhojë ndëshkimin me burg dhe hekura. Dhe,kjo nuk është pak, madje, është sipërore.

 

     E përbashkëta e heronjëve është sublimja, jeta e dhënë në këmbim të lirisë. Veçantia është sipas aftësive ushtarake dhe intelektuale. Tërmat dhe emërtesat e përdorura pa masë e kritere, nuk i madhojnë heronjtë. Përkundrazi, i dëmtojnë ata, sepse ngjallin dyshime dhe relativizojnë edhe të bëmat faktike të tyre. Mjerisht,kjo ka ndodhur dhe vazhdon të përsëritet në trojet tona, me qëllime falsifikimi dhe përfitimi nga të gjallët hileqarë, që,faktikisht,nuk kanë qenë pjesë e luftës.

 

     Sot përkujtojmë dy heronjtë e Kosharës, dy heronjtë e Kosovës, dy heronjtë e Kombit - Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, i pari nga Broliqi i Deçanit, i dyti nga Zhegra e Gjilanit, por Kosharja i bashkoi, Kosharja i përjetësoi, për t`u prehur në amshim, në Panteonin e Nderit Kombëtar.

 

     Saliu dhe Agimi kanë jetëshkrimet e tyre të ndara: i pari jurist e politikan, i dyti poet dhe ushtarak. E përbashkëta e tyre është ndjenja e lirisë, ideali i pavarësisë dhe i demokracisë. Është pikërisht ky pikëtakim që i bashkon, duke i bërë sivëllezër në beteja, kundër pushtuesit, deri në rënien e tyre heroike, në Shpatet e Kosharës,ke Rrasa e Kosharës. Ata fituan përjetësinë, ndëra neve na lanë dhembjen, por një dhembje krenare, e shoqëruar me ngushëllimin e lirisë. Përjetimi i këtyre dy ndjenjave njëherësh, na forcon dhe frymëzon, për të realizuar idealet e Saliut dhe të Agimit me shokë, për ta zhvilluar demokracinë dhe prosperuar Kosovën e tyre dhe tonën, por, që, mjerisht, vazhdojmë të mbetemi larg njërës dhe tjetrës - njëherazi.

 

     Veçantia e jetëshkrimit të Sali Çekaj nis me atë se ai është pjesë e trinomit, tashmë të faktuar: Presidenti Rugova, profesor Fehmi Agani dhe juristi i diplomuar Sali Çekaj, në nismën fisnike, për të bërë Ushtrinë e Kosovës. Sali Çekaj bart urdhërin e dy eprorëve të cituar, për organizimin e ushtrimeve ushtarake në shtetin amë, prej nga do të dilnin çetanikët e parë në Drenicë, Llap e Gollak, Rrafshin e Dukagjinit dhe gjetiu.

 

     Sali Çekaj, duke qenë në krye të komunës të Deçanit, është i pari që vuri në jetë Kushtetutën e Kosovës, të aprovuar në Kuvendine Kaçanikut, duke dëshmuar, praktikisht, njëmendësinë për shtetësinë e Kosovës.

 

     Sali Çekaj është pjesë e Grupit të Djemëve të Deçanit, si çetë e parë e armatorusr në Kosovë.

 

     I përgjuar nga pushtuesi dhe i akuzuar për shumëçka, madje edhe për favorizim të shpërnguljes të serbëve dhe të malazezëve, largohet nga Atdheu. Në mërgim nuk humbë kohë. Veprimtarinë politike e vazhdon në Shtutgard, në LDK-së të atjeshme, duke u vendosur në zyrën e saj, në Königstraße, numër 54. Përkushtimi i tij ishte i veçantë. Asnjë ditë pushim. Komunikim i rregulltë me Qendrën në Prishtinë dhe me mërgatën në Evropë dhe në botë.

 

     Sali Çekaj ishte intelektual me përgaditje solide, njerëzor dhe bashkëkohor në komunikim me të gjitha shtresat e shoqërisë. I qetë dhe i matur në bisedë, sikur të ishte vëlla lindak me dr. Ibrahim Rugovën.

 

     Kanunor në pritje dhe përcjellje të gjithëditëshme. Shërbesën me kafe dhe çaj e bënte personalisht në zyrën e LDK-së, e cila, padyshim, ishte një Kosovë në miniaturë. Sali Çekaj, fillimisht, në cilësinë e anëtarit të thjeshtë të LDK-së, pastaj të anëtarit të Kryesisë, të sekretarit dhe, së fundi, të nëkryetarit të Degës të LDK-së për Gjermani, sëbashku me kryetarin e Degës dhe të Kolegjiumit të Degëve për Diasporë, Hafiz Gagicën, përbënin binomin më simpatik dhe më të suksesshëm në të gjithë diasporën shqiptare.

 

     Jeta politike - partiake, e gërshëtuar, pashmangëshmërisht, me veprimtarinë e klubeve dhe të shoqatave, fondet institucionale, si: Fondi i Aachen-it, Shoqata Humanitare "Nëna Tereze", si dhe Fondi shtetëror, i shprehur në 3%-in obligativ, padyshim janë pjesë e asaj rezistence, që mundësoi funksionimin e institucioneve paralele në Kosovë, rast unikal ky në historinë botërore, që i parapriu përgaditjes të opinionit ndërkombëtar, për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Kosovës, e deri në përgaditjen dhe fillimin e rezistencës të armatosur. Në të gjitha këto aksione ishte edhe mendja, zemra dhe puna e palodhur dhe efikase e heroit Sali Çekaj.

 

     Edhe Agim Ramadani ka një jetëshkrim të begatë, që fisnikërisht i paraprinë aktit sublim. Pas largimit nga shërbimi në Armatë, u detyrua të emigrojë. Ai zgjodhi Zvicrën helvetike, sepse zhegranët e tij dhe mërgimtarë të Kosovës Lindore janë me shumicë atje. I brengosur dhe zemërplagë mbante kontakte me eprorët ushtarakë, krahas veprimtarive tjera me mërgimtarët. Pasioni i tij ishte piktura, poezia dhe me vargje ushqente ëndrrën fisnike të lirisë.

 

Në Malësinë e Gjakovës, pikërisht në ushtrimorën e Papajt, djemtë e Kosovës, gjegjësisht, kuadrotë ushtarakë dhe politikë, po hartonin strategjinë e sulmit, për thyerjen e kufirit, për hapjen e tij, për shkuljen e gurëve ndarës, të cilët thernin si heshta në zemrat gjithëshqiptare. Dhe, aksioni i përgjakshëm rezultoi i suksesshëm.

 

Kosharja ka hyrë në historinë tonë më të re me dy simbolika shquese, si: hapja e kufirit ndërshqiptar, pas afro një shekulli mbylljeje dhe jehona e krismave të armëve edhe atëherë kur forcat pushtuese armike i kishin bërë të pushonin në pjesët tjera të Kosovës. Kosharja ishte dhe mbeti bastioni i vetëm rezistent, deri në çlirimin e Kosovës më 12 qërshor 1999. Andaj, edhe mohuesit fanatikë të qëllimshëm të dikurshëm, të ndodhur para fakteve kokëforta, janë detyruar të pranojnë se Kosharja legjitimoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, se Kosharja është kurorë  e lirisë, të cilën ne e gëzojmë sot.

 

     Padyshim, protagonistë të kësaj lufte e qëndrese titanike janë edhe heronjtë që sot po i përkujtojmë: Sali Çekaj e Agim Ramadani, së bashku me 128 dëshmorët e Brigadës 138, si dhe oficerët dhe ushtarët që mbijetuan Kosharën, të prirë nga Rrustem Berisha me bashkëpunëtorë.

 

     Lavdi të përjetëshme heronjëve të Kosovës dhe të Kombit Sali Çekaj e Agim Ramadani me shokë!

 

 

Prill, 2010         

Për ZSH - IDRIZ ZEQIRAJ