Speciale » Basha
Sabile Keçmezi-Basha: Reagimet e forcave kombëtare në Kosovë ndaj vendimeve të Kuvendit të Prizrenit (1945)
E premte, 16.04.2010, 09:00 PM
REAGIMET E FORCAVE KOMBËTARE NË KOSOVË NDAJ VENDIMEVE TË KUVENDIT TË PRIZRENIT (1945)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sabile_basha@hotmail.com
Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945, dhe pas ngritjes së murit më makabër të ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e Kosovës dhe e trevave tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbetej e pazgjidhur. Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945 çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur[1]. Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit, ato jo vetëm që nuk u respektuan[2], por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u likuiduan.
Në Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit (Mbledhja e dytë e “Këshillit Nacionalçlirimtar” të Kosovës, Prizren, korrik 1945), u shpall se Kosova “ me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë Federale në kuadër të Federatës Jugosllave”[3]. Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan[4]. E tërë kjo që pasoi ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare.
Gjatë hulumtimeve që kam bërë për hartimin e kësaj teme vetvetiu mu imponua pyetja se kur dhe kush mori vendim për aneksimin e Kosovës me zonat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, dhe copëtimi i saj midis Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Kuvendi i Prizrenit nuk ishte as i pari e as i fundit i cili solli vendime që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga Kuvendi i Prizrenit pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”
Në të vërtet, me 9-12 nëntor 1944 në Beograd, në mbledhjen e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, para se sa Tito të priste një grup shqiptarësh nga Kosova që vinin për tu interesuar për fatin e saj jetik[5] u bë fjalë për Kosovën. Thënë më drejt, për Kosovën ishte bërë fjalë edhe me 2 shtator të vitit 1944, kur Shtabi Kryesor i UNÇ dhe AP të Kosovës, me urdhrin e Shtabit Suprem të UNÇ dhe APJ u vu nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ dhe AP të Serbisë. Prej kësaj kohe, Shtabi Kryesor i UNÇ të Kosovës u bë Shtab Operativ i UNÇ dhe AP të Kosovës.[6]
Në shkurt të vitit 1945, në KQ të PKJ-së u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se “Kosova e Metohija t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në federatën jugosllave”, por, meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk janë të favorshme për një hap të tillë- për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe hyrjen e Shqipërisë në federatën jugosllave, Kosova dhe Metohija si autonomi duhet ti bashkohen Serbisë[7]. Kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme” dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.
Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt me 7-9 prill të vitit 1945 në Beograd, nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë diskutuan dhe sipas dokumentit thuhej se shprehën “dëshirën” në emër të popullit të Kosovës që “Kosova të jetë nën Serbinë federale”[8]. Në diskutimin e Dushan Mugoshës në mes tjerash veçojmë këtë kur ai në emër të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit “përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat se popujt e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, t’i bashkohemi Serbisë federale vëllazërore”. Duke shprehur këtë “vullnet” të Këshillit Krahinor “Nacionalçlirimtar”, shpreh “dëshirën e popullit shqiptar”, të popullit serb e malazias[9].
Po në këtë frymë diskutoi edhe mysafiri tjetër nga Kosova, Mehmet Hoxha, i cili me diskutimin e tij vërtetoi fjalët e të mëparshmit duke thënë se “Dëshira, të cilën e shprehu shoku Mugosha, që Kosova e Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit”, por “e forcon dhe i jep siguri” se do të ketë po ato të drejta që i kanë edhe popujt e tjerë të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit[10]. Nga këto diskutime që u bënë në Beograd mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej mirë në bazë të dokumenteve historike se Kosova dhe populli i saj asnjëherë nuk diskutoi, nuk u pyet dhe nuk votoi që ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale.
Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë “pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar me aq perfiditet.
Andaj, për të dal “vendimet e ligjshme” u thirr Kuvendi i Dytë i Këshillit Krahinor “Nacionalçlirimtar” i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Mbledhja e Kuvendit u mbajt me 8-10 korrik 1945, dhe i tërë ky tubim kaloi me presione nga më të ndryshmet ngase aty merrnin pjesë shumë atdhetarë e patriotë të shquar të cilët as me çmimin e jetës nuk pranonin që tokat shqiptare të ngelnin nën ish- Jugosllavi.
Ata që e kundërshtuan një hap të tillë, më vonë u njekën, u burgosën pa arsyetim, e disa edhe u likuiduan tinëzisht nga organet e OZN-ës. Të tillët ishin shumë, por po përmendim vetëm rastin e patriotit të shquar të Anamoravës, Ramiz Cërrnicën i cili në kuvend doli haptas kundër qëndrimeve gllabëruese të Serbisë duke thënë se “Ne jemi shqiptar, kemi një gjuhë e një gjak me shqiptarët e Shqipërisë... Ku keni parë ju në historinë e njerëzimit që fëmija t’ia kthej shpinën nënës e ta përqafojë njerkën? Kjo s’është as e logjikshme e as e pranueshme për ne shqiptarët[11], por pas këtij diskutimi, në sallë pasoi një tollovi e paparë. Disa nga udhëheqësit kërkuan që ti ndërpritet fjala, disa kërkuan që të nxirret jashtë dhe dolën shumë propozime të tjera. Por, kalvari i Ramiz Cërrnicës nuk përfundoi me kaq, ai më vonë u ndjek dhe u arrestua nga organet e OZN-es, ku u dënua me 20 vjet burg të rëndë. Edhe pas daljes nga burgu, atë nuk e lanë të qet njëherit edhe anëtarët e tjerë që morën pjesë në kuvend dhe nuk u pajtuan me vendimet që u morën në te, u përcollën nga udbashët dhe disa nga ta kaluan vite të tëra nëpër burgjet jugosllave.
Aneksimi i Kosovës nga Serbia do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në ish-Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërmuese në tri republika jugosllave: në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi[12]. Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.
Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ato u shtruan dhe u tentuan të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës, udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej nga vetë popujt që jetonin atje, me mirëkuptim, nga partitë e regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri e në Jugosllavi, pas fitores mbi fashizmin[13]. Gjatë luftës vazhdimisht ishte folur e shkruar se pas saj ( luftës), do të respektohet Deklarata e Moskës[14], Karta e Atlantikut[15], Deklarata e Teheranit[16], Letra e Titos[17] e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit[18] e, shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.
Në ish-Jugosllavi në fund të luftës, deklarohej se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të saj, këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse territoret shqiptare përbënin një tërsi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale[19]. Të gjitha këto, ndikuan që te populli shqiptarë të rritet pakënaqësia. Këtë më vonë e pranuan edhe vet udhëheqësit jugosllav.
Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist, dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit të ri-okupimit në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë. Se, lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk do të pushoi, natyrisht me forma të reja, të imponuar nga situatat e krijuara.
Ato forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Shi për këtë, ishte e natyrshme që të bëhej një organizim i atillë, sepse ku ka okupim dhe robëri, lind edhe rezistenca e qëndresa e popullit.
Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë dhe në shumë vende të tjera të Kosovës bëhej gjenocid i vërtet. Edhe pse ishte e pushtuar Kosova, ajo edhe më tej trajtohej si zonë e rrezikshme dhe e pasigurt për shkak se banohej me një popullsi shumicë jo sllave, e shtypur dhe e diskriminuar[20]. Andaj edhe ekzistonte frika tek okupuesi.
Me këtë gjendje të imponuar, ku “liria” dhe “barazia” e popullit shqiptar ishin shndërruar në robëri nga një pakicë kombëtare –serbët dhe malazezet, kuptohet se populli liridashës nuk ishte i kënaqur. Meqë popullata shqiptare që jetonte përgjatë kufirit me shtetin amë, edhe zyrtarisht ishin shpallur si element i pabesueshëm[21], për këtë arsye edhe ndiqeshin, burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin të shpërnguleshin, madje edhe vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi. Fundja, të gjitha masakrat, që ua bënë shqiptarëve, ishin të legalizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania “ e Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I . Vukotiqit, elaboratet I,II të Vasa Çubrilloviqit, të cilat vazhduan të zbatohen me përpikëri si dhe projekte të tjera të mëvonshme.
Duke e parë tradhtinë e madhe që ndodhi me 8-10 korrik 1945, forcat nacionaliste shqiptare u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre.
Viti 1945, vlen të cekët se tek populli shqiptarë do të kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës, sepse do të pushkatohen disa dhjetëra mijëra veta, shumë të tjerë do të zhdukën pa gjurmë, mbi 30 mijë do të futën në burgje dhe do të vendosën në kampe, qindra mijëra të tjerë do të marinë botën në sy ( si në Turqi, Greqi e vende të tjera), e shumë të tjerë do të vriten jashtë Kosovës[22] . Të gjitha këto do të bëhen nën maskën e njëfarë “Vëllazërim-bashkimit” iluzor.
Administrimi ushtarak në Kosovë
Ndërsa Pushteti i Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij. Qëllimet e këtij pushteti ishin :
1. Administrimi ushtarak synonte t’u mohonte shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,
2. T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës.
3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet shpërthimin e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,
4. Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të ndryshme të Kosovës[23].
5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare, që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe
6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.
Administrimi ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos[24] dhe e tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua me formimin e brigadave dhe të divizioneve të reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në Kosovë, që u organizua në disa pjesë të saj. Gjatë ekzistencës së pushtetit ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në radhët e “brigadave të punës”[25]. Rruga që përshkuan këta të rinj ishte shumë e vështirë, për arsye të presioneve të shtabeve jugosllave.
Ndryshime të shumta u bënë në organizimin e reparteve ushtarake, në kuadrin komandues të këtyre reparteve dhe të seksioneve të shtabit të qarkut. Për drejtimin e tyre u caktuan kuadro serbe e malazeze, të cilët në shumë raste u thirrën nga rajonet e tjera të Jugosllavisë. Nga detyra u shkarkua Fadil Hoxha, i cili në këtë kohë ishte komandant i Shtabit Kryesor, e më pas i Shtabit Operativ të Kosovës. Shef i Shtabit Operativ për Kosovë u emërua Dushan Vukotiqi, i cili deri në atë kohë kishte qenë zëvendës komandant i Divizionit të 46- të jugosllav. Shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq,[26] i cili u dërgua nga Shtabi Kryesor i Serbisë.
Mu nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe qëllimi i administrimit ushtarak.
Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit Suprem[27]. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.
Ndërsa me 19 shkurt 1945 (11 ditë pasi u vendos administrimi ushtarak), në Prishtinë, OZNA dhe ushtarakët thirrën mbledhjen e Komitetit Krahinor të PKJ- së dhe morën vendim që organizata partiake e Kosovës t’i bashkëngjitej organizatës partiake të Serbisë[28]. Për të gjitha këto ndërmarrje populli e as anëtarësia nuk pyetej fare. Por, edhe sikur të pyeteshin, përfaqësimi i shqiptarëve në radhët e PKJ-së ishte shumë i vogël. Nga kjo del se pas luftës aspiratat kombëtare të popullit shqiptar në ish—Jugosllavi nuk u morën parasysh, por u shtypen me dhunë e terror. Udhëheqja e PKJ-së dhe politika serbe i shfrytëzuan si marrëdhëniet që u krijuan ndërmjet PKJ-së dhe PKSh-së ashtu dhe parullat për “vëllazërimin, bashkëpunimin e internacionalizmin”, për realizimin e qëllimeve të veta grabitqare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar[29] që u manifestua edhe më vonë.
Po qe se shqyrtojmë hollësisht dokumentet ushtarake (LANÇ) dhe partiake (PKJ), nxjerrim përfundime, se Kosova si njësi autonome nuk lindi pas vitit 1945, por autonomitetin e saj e gjejmë shumë më herët. Ajo gjatë gjithë viteve të luftës pati të drejta të barabarta, si edhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, ç’është e vërteta, populli shqiptar asnjëherë nuk e shikoi me “admirim” pushtetin e ri, që kishte gdhirë mbi Kosovën pa dashjen e saj. Edhe në dokumentet partiake të kohës thuhet se shqiptarët me vështirësi pranonin të anëtarësoheshin në radhët e PKJ-së. Ta zëmë se vetëm në mars të vitit 1945, në Kosovë kishte 1020 anëtarë të PKJ-së, prej tyre vetëm 328 ishin shqiptarë, ose 33% nga numri i përgjithshëm[30]. Përbërja kombëtare ndryshonte edhe në komitetet partiake të rretheve. Pas lufte, organizata partiake në Kosovë u nda në shtatë komitete partiake të rretheve. Vetëm në komitetin e rrethit partiak të Gjakovës, sekretar i organizatës ishte shqiptar ( Xhevdet Hamza). I cekëm sekretarët e komiteteve vetëm e vetëm që ilustrimi i padrejtësive në përfaqësimin e strukturës kombëtare të jetë më argumentues.
Diskriminimi kombëtar vërehet edhe në udhëheqësin më të lartë partiake të Kosovës. Sekretar politik i Byrosë së Komitetit të Partisë për Qarkun e Kosovës ishte Milladin Popoviqi, sekretar organizativ ishte Dushan Mugosha, ndërsa anëtar të saj ishin :Pavle Joviqeviq, Spasoje Gjakoviq, Ismet Shaqiri, Fadil Hoxha, Boshko Çakiq, Xhavit Nimani, Kërsta Filipoviq dhe Mita Milkoviq. Po kjo gjendje e organizimit partiak për nga struktura kombëtare u ruajt edhe pas vrasjes së Milladin Popoviqit[31] ( 13 mars 1945), e cila zgjati deri më vitin 1968, kur për herë të parë u zgjodh një shqiptar- Veli Deva. Mund të themi lirshëm se e tërë kjo ishte bërë me paramendim, ngase organet partiake luanin një rol shumë të madh për vendosjen e fateve të kombeve në ish- Jugosllavi.
Dhe do të shtoja se, asnjë komb në ish- Jugosllavi nuk ishte i ndarë në dysh dhe i copëtuar si shqiptarët, ku gjysma e tij quhej komb dhe gjysma tjetër kombësi. Asnjë komb në ish-Jugosllavi nuk ishte më i ekspozuar ndaj dhunës, dhe, nuk e ka përballuar atë, ashtu sikur se e përjetoi populli shqiptar, dhe, asnjë kombi, nuk i është rrezikuar ekzistenca e substancës kombëtare, sikur e shqiptarëve.
Më 8-13 maj 1945, në Beograd u mbajt Kongresi Themelues i PK të Serbisë. Në të, përveç konstatimit se “është zgjidhur çështja e pakicave kombëtare”, që e zuri në gojë sekretari politik i Komitetit Krahinor të PKS-së për Kosovë- Gjoka Pajkoviqi. Ai në mes tjerash kishte cekur edhe dobësitë dhe gabimet e shumta që u bënë ndaj popullit të Kosovës.
Po në këtë tubim, për të njëjtat gabime foli edhe Aleksandër Rankoviqi, njeriu më i dëshmuar për krimet që kishte bërë ndaj shqiptarëve[32]. Këto dy dëshmi dolën mu nga ata, që nuk kursyen asgjë për likuidimin e shqiptarëve. Shtrohet pyetja athua pse e bënë këtë?! Për të lehtësuar ndërgjegjen e tyre, apo për të fshehur masakrat e tjera, që u bënë në mënyrën më tinëzare, në natën e historisë. Mendoj, se, kjo e dyta është shumë më afër mendjes, e në favor të saj flasin shumë likuidime dhe shumë varre masive të shqiptarëve, si në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e për të cilat askush nga kompetentët nuk mori përgjegjësinë.
Planet për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare ishin, që ato të serbizohen dhe të sllavizohen, prandaj me nguti, menjëherë pas “çlirimit” në vende kyçe udhëheqëse në Kosovë, u caktuan serbët e malazezët si në gjyqe e vende të tjera[33]. U hoq Gjyqi Krahinor dhe me kërkesën e drejtpërdrejt të Dushan Mugoshës, u krijuan katër gjykata qarqesh: në Pejë, në Prizren, në Prishtinë dhe në Gjilan ( me qendër në Ferizaj), ku të katër kryetarët e gjykatave ishin serbomalazezë: Petar Shoshkiq, Dragutin Jakiq, Voja Stankoviq dhe Svetozar Nediq [34]. Serbët e malazezët dominonin edhe në Këshillin Krahinor, në Komitetin Krahinor dhe në çdo vend tjetër me rëndësi politike.
Kosova e dërrmuar nga pushteti ushtarak, me 8-10 korrik 1945 do të arrij në Konferencën e Dytë të Këshillit NÇ për Kosovë që u mbajt në Prizren. Siç është tani veç e ditur, kjo konferencë u mbajt nën presion dhe nën kërcënimet e grykës së pushkëve. Pjesën më të madhe të delegatëve e përbënin serbët e malazezët, por për të krijuar huti te delegatët shqiptarë ata kishin vënë plisa[35] të bardhë në koka.
Në mënyrë arbitrare, ky kuvend, shpalli të paligjshme dhe korigjoi vullnetin dhe aspiratat shekullore të popullit të Kosovës, të shprehura në Konferencën e Parë të Këshillit NÇ për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, të mbajtur në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës ( 31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944). Konferenca u mbajt në kohë lufte dhe pikërisht në atë kohë kur edhe kombet e tjera të Jugosllavisë themeluan organet më të larta të pushtetit të dala nga LANÇ-i, në kohën kur çdo komb po realizonte sipas dëshirës e vullnetit të tij të drejtën për vetëvendosje[36], por për shqiptarët sipas të gjitha gjasave nuk vlenin këto parime.
Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar, mbledhja e Bunjanit ( 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944), përcaktoi si synim madhor bashkimin e tokave shqiptare. Këto vendime që u morën në këtë mbledhje, nuk ishin shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem, edhe pse më vonë nuk u përfillën vendimet e saja. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptarë për luftën e sakrificën që bënë. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim, ishte burim kryesor i pakënaqësive që ndodhën në popullatën shqiptare.
Të tëra këto padrejtësi me arsye krijuan tek shqiptarët pakënaqësi. Shi për këtë, një organizim më i shpejt dhe më i mirë pritej nga patriotët e intelektualët. Në këtë periudhë dhe nën këtë trysni të vazhdueshme lindën dhe vepruan forcat nacionaliste që në mënyrë të organizuar, nëpër mes të organizatave ilegale artikuluan qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë.
Edhe pse pushteti jugosllav i dinte qëllimet e nacionalizmës shqiptare, ajo propagandonte se, këto organizata ishin armiqësore, nacionaliste, separatiste, dhe që vepronin pa sukses, të nxitura nga shtetet perëndimore.
Në këto momente kritike të historisë, nacionalizma shqiptare ende zotëronte një potencial njerëzor si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë ushtarak, i cili pas padrejtësive të shumta po vihej në veprim për ta ndryshuar situatën.
Bërthamën e forcave nacionaliste për formimin e Ushtrisë Demokratike Shqiptare e gjejmë diku në nëntor 1944. Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944[37], lindi ideja që në çdo pjesë të Kosovës, aty ku jetojnë shqiptarët të formohen organizatat ilegale si dhe grupet më të vogla të ilegales shqiptare. Në vazhdën e këtij aktiviteti të lëvizjeve atdhetare, u formuan shumë organizata patriotike shqiptare, me një distancë kohore të caktuar, e, që manifestoheshin sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste siç ishin : Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), Besa Kombëtare (BK), Organizata nr.2[38] dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve[39] e disa të tjera më pak të njohura.
Në këto grupime nacionaliste përfaqësoheshin gjerësisht inteligjencia e re shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri të bashkuar dhe demokratike.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial nga nacionalizmat e tjerë ballkanik. Ai në veprimtarinë e vet nuk ishte ekstrem, nuk kishte parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohej në fundamentalizëm fetar dhe në ekskluzivizmin etnik [40].
Delegacioni shqiptar në takim me Titon
Duke i parë rrjedhat politike, të muajve të parë të vitit 1945, gjenocidin e terrorin e paparë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, me iniciativën e disa patriotëve shqiptarë meret qëndrimi që të bisedohet shtruar për çështjen e Kosovës me vetë Titon. Ngase, gjatë luftës ishte premtuar e thënë shumë herë për vetëvendosjen e popujve. Duke u nisur nga këto premtime populli shqiptar, mori pjesë aktive në luftë për çlirimin nga fashizmi, dhe për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm. Vizita e delegacionit shqiptarë në Beograd u zhvillua me 6 prill 1945, dhe sipas dokumenteve thuhej se temë kryesore ishte statusi i ardhshëm i Kosovës dhe çështja agrare. Në delegacion merrnin pjesë: Mehmet Hoxha, Halim Spahija, Mehmet Krileva, Qamil Luzha, Demë Taraku, Ahmet Nishku, Hilmi Zariqi, Rifat Berisha, Ismajl Haxhi- Kaçaniku, Ahmet Efendi Mitrovica, Vesel Rexhepi etj.
Ata (Delegacioni shqiptar), kishin përgatitur me shkrim shtatë kërkesa, të cilat ia dorëzuan Titos, dhe në ato pika kërkohej :
1. Ligji agrar të përmirësohet
2. Administrata të mbahet në gjuhën shqipe në Kosovë
3. Të sillën arsimtarët nga Shqipëria në Kosovë
4. Shitblerja e tokave që janë bërë me kërcënime nga serbët mos të pranohen
5. Të burgosurit pa faj me u fal
6. Të garantohet përdorimi i Flamurit Kombëtar dhe
7. Të njihej e drejta për vetëvendosje[41]
Të pesë (5) pikat e para sipas një deklarate të Qamil Luzhës, Tito i pranoi,
por dy të fundit publikisht i refuzoi, dhe nga kjo ishte shumë e qartë se çka po i priste shqiptarët.
Në Konferencën e Tretë të PKJ-së për Kosovë, Bllagoje Neshkoviqi, mohonte çdo pjesëmarrje të shqiptarëve në LANÇ, duke thënë: “Ju në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo çast mund të çohen në kryengritje”, për të vazhduar më tutje se “ sa i përket fitores politike është e qartë se për të as që mund të flitet, sepse ne jemi mjaft larg prej saj. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare[42].
Këto vlerësime bëheshin kur Tito në bisedimet me delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në prill të vitit 1945, kur ai në një mënyrë pranonte, por edhe në një tjetër e qortonte delegacionin se ata nuk ishin me LANÇ-in. Në kongresin Themelues të PKS-së 8-12 maj 1945[43], e prezanton diskutimin me delegacionin shqiptar, duke iu rrëfyer të pranishmëve se çfarë iu kishte thënë shqiptarëve në takim: “Ne e dimë se ju keni qenë me ushtrinë gjermane dhe se keni luftuar kundër nesh, mirëpo kjo nuk do të thotë se ne do të iu thërrasim në përgjegjësi...Ne nuk duam që shqiptarët në Kosovë të jenë qytetar të rendit të dytë apo të tretë. Ne duam që ju të keni të drejtat tuaja, barazi, të keni gjuhën tuaj, mësuesit tuaj, të ndiheni si në vendin tuaj[44]. (Me gjasë Tito-ja kishte harruar se shqiptarët ishin në tokat e tyre, e ata -serbet ishin vetë okupuesit, që donin të ndjeheshin si në vendin e vet).
Formimi i Shtabit Suprem të Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare në Kosovë
Pa dyshim se Shtabi Suprem i Kosovës[45] ishte fryt i pamohueshëm i aktivitetit të forcave nacionaliste shqiptare, që vepronin në Zonën IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Ish- anëtarët e Shtabit të kësaj zone, me 1 dhjetor 1944 u takuan në fshatin Tërpezë dhe formuan Shtabin Suprem të Kosovës. Në takim merrnin pjesë krerët e Lëvizjes Kombëtare siç ishin : Adem Gllavica, Mulla Idriz Gjilani, Qazim Llugaxhiu, prof. Ibrahim Kelmendi e shumë të tjerë. Pas një diskutimi të gjatë e të gjithanshëm të situatës në Kosovë, u zgjodh udhëheqja e re e Shtabit Suprem të Kosovës. Komandant i SH.S.K u zgjodh Adem (Selim) Gllavica dhe zëvendës i tij u zgjodh Qazim Llugaxhiu.
Kuvendi Themelues i Shtabit Suprem për Kosovën u mbajt në ndërtesën e xhandarmërisë në fshatin Tërpezë të Moravës së Epërme, ku merrnin pjesë edhe shumë nacionalist të njohur si: Luan Gashi, Hamdi Gashi (Mramur), Selim Maqestena, Mehmeti i Zi, Bahtir Dumnica, Abdyl Henci etj.
Gjatë kësaj kohe u shtrua nevoja e ngutshme dhe e domosdoshme që krerët e lëvizjes të vepronin në ilegalitet të thellë. Kjo do të thoshte që duhej të bëhej një organizim tjetër, të cilën e impononte rrjedha e ngjarjeve, nga ai i mëparshmi. Gjatë kësaj periudhe, u formuan, vepruan dhe njëherit u zbuluan shumë patriot të shquar. Shumë veta u pushkatuan dhe shumë të tjerë u dënuan me shumë vite burgu. Kështu me 15-16 gusht të vitit 1945, Adem Gllavica si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës mori qëndrim që t’i ftojë krerët e ilegales shqiptare, dhe përfaqësuesit e të gjitha organizatave të NDSH-së. Tubimi u mbajt në Kopilaçë[46], me 15-16 gusht, vend ndërmjet Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit. Në këtë takim kishin ardhur krerët kryesor të forcave nacionaliste si: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, Ibrahim Haki- Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi, Dinë Hoxha, Qazim Llugaxhiu, Sylë Hotla etj. Po ashtu në këtë tubim merrnin pjesë edhe shumë anëtar të LNDSH-së si: Qemal Ali Skenderi, Mexhid Haki –Zyberi, Xhemail Bllaca[47]etj, që përfaqësonin KQ të NDSH-së në Shkup.
Tubimi i Kopilaçës zgjati dy ditë, dhe nga aty dolën qëndrimet më të rëndësishme historike, lëvizja e rezistencës shqiptare do ta konsiderojë tubimin si Kongresi III i Ballit Kombëtar ose si do të quhej më vonë si Kongresi i Parë i NDSH-së.
Vendimet që kishin rëndësi e peshë të madhe për lëvizjen ishin: Lëvizja e Rezistencës Shqiptare u vendos të quhej ”Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”, Ndër vendimet e tjera, kongresi mori qëndrim, që Komiteti Qendror i NDSH-së në Shkup, të jetë organi më i lartë partiak i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Të gjithë nacionalistët, që luftonin për lirimin e tokave shqiptare të quhen “Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare”[48]. Po në këtë kongres u vendos se duke pasur parasysh numrin e madh të luftëtarëve, të njësive dhe grupeve që ndodheshin në terren dhe ishin nën armatim, që të bëhet një organizim më i mirë dhe më i avancuar.
Në kongres u formuan pesë batalione. Secili batalion në kuadrin e vet do të ketë edhe Shtabin komandues, i cili nën urdhrat e tij do të veprojë aty ku paraqitet nevoja. Po në këtë tubim u caktuan edhe komandantët e batalioneve sipas terrenit se nga ishin luftëtarët. Komandant i Batalionit të Parë, i cili si terren veprimi do të kishte Malet e Kopilaçës dhe pjesën kryesore të Karadakut, u caktua patrioti Hasan Kabashi. Ndërsa, Batalioni i Dytë u caktua të vepronte në malet e Presedelit me udhëheqës Bajrush Xhaklin. Batalioni i Tretë, i cili do të vepronte në malet e Keçekollës u caktua të udhëhiqet nga Rexhep Okllapi. Si udhëheqës i Batalionit të Katërt u caktua Shaban Haliti dhe do të vepronte në Malet e Jezercit dhe të Budakovës. Ndërsa në Malet e Kaçanikut dhe të Shkupit u caktua të vepronte Batalioni i Pestë me udhëheqës Din Hoxhën, i cili ishte një luftëtar i rryer dhe kishte një eksperiencë të begat organizuese.
Po në këtë tubim u formua edhe “Shtabi i luftës”. Komandant Suprem i “Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare” u caktua Hysen Tërpeza[49]. Në Shtabin e Luftës u caktuan të merrnin pjesë Adem Gllavica, Luan Gashi dhe Ibrahim Kelmendi, që ishin të caktuar në sektorin e propagandës, por i cili do të veprojë edhe në zonat e Shkupit e Tetovës nën përkujdesjen e Ibrahim Kelmendit, dhe në zonat e Therandës (ish-Suharekës) e Prizrenit nën përkujdesjen e Luan Gashit. Nga ky kongres Shtabi Suprem aprovoi edhe platformën që populli shqiptar t’i drejtohej me një proklamatë.
Proklamata e cila u hartua nga Adem Gllavica, Abdullah Musliu e Ibrahim Cërnilla- Grainca, përfshinte pikat kryesore të situatës aktuale në Kosovë, siç ishin : aktet e tradhtisë komuniste, të komunistëve jugosllavë ndaj aleatëve komunistë e antifashistë shqiptarë, mandej në një pjesë të madhe u përfshin format e dhunës jugosllave ndaj popullit shqiptar[50]. Veç tjerash në të hidhet poshtë çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë.
Për tërë aktivitetin që zhvillonte Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare dhe anëtarët e Organizatave ilegale, OZNA ishte e njoftuar dhe çdo lëvizje të tyre e përcillte me një kujdes të veçantë. Ajo kishte ndërmarrë masa ndëshkuese kundër forcave nacionaliste, anëtarëve të NDSH-es dhe familjeve të tyre. Shpeshherë ndodhte, që në aksionet e shumta UPDSH-ja të largohej me humbje të mëdha, ngase OZNA, e përcillte çdo lëvizje të tyre, andaj nuk ishte e rastit që të zbuloheshin. Për të gjitha këto që ndodhnin në Kosovë ishin të njoftuar Mithat Frashëri dhe Muharrem Bajraktari. Ishte krejt e natyrshme, që në fillim të tetorit 1945, nga këta të vijë një kërkesë për kalimin e forcave të rezistencës për në Greqi. Ndaj kësaj kërkese reaguan shumë personalitete të nacionalizmës, por ndaj saj reagoi edhe KQ i NDSH-së në Shkup.
Krerët e Shtabit luftarak të UPDSH-së dhe të lëvizjes së rezistencës shqiptare, pas kërkesës së Muharrem Bajraktarit dhe Mithat Frashërit, para vetës kishin dy alternativa: Alternativa e parë ishte : të rrinë në Kosovë, të zhvillojnë një lloj lufte, që do të ndryshonte nga ajo që ishte zhvilluar deri më atëherë, e që pas situatës së nderë, që ishte krijuar në vend, mund të pasonte me viktima të mëdha, si në luftëtarë po ashtu edhe në popullatën e përgjithshme shqiptare, ngase në mënyrë intensive filloi të bëhej ndjekja dhe arrestimi i jatakëve të ilegalëve dhe i të gjithë atyre, që strehonin dhe ndihmonin luftëtarët e lirisë.
Alternativa e dytë ishte: që për krerët e lëvizjes ishte edhe më e afërt dhe më e pranueshme për ta, largimi jashtë vendit ishte një shans i mirë, për të shpëtuar luftëtarët dhe, për të kursyer popullatën nga maltretimet e OZNA-së dhe të UDB-es. Qëndrimi u mor, të përkrahet alternativa e parë, sepse rruga më e mirë ishte mërgimi i luftëtarëve jashtë atdheut, që më vonë për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, ndërsa çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga ana jugosllave do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit të dy vendeve fqinje, të Shqipërisë dhe Jugosllavisë[51].
Me 28 nëntor 1945, Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UPDSH, Hysen Tërpeza me Batalionin e Parë mori qëndrim që të kalojë kufirin[52]. Ky batalion fillimisht kapte rreth 100 veta, por në udhëtim e sipër numri i luftëtarëve sa vinte e shtohej. Kështu në kalim të kufirit ky grup arriti në mbi 300 luftëtarë. Largimin e luftëtarëve, populli e përcillte me një shqetësim të madh dhe me lot në sy. Çdo kund kah kaluan ata u përcollën me pikëllim. Athua vallë, këta trima të lirisë i përcillte vetëm populli, apo me kujdesin më të madh i përcillte edhe OZNA dhe bashkëpunëtorët e saj. Për largimin e luftëtarëve me kohë ishte e njoftuar ushtria jugosllave. Kështu në territorin e Maqedonisë, afër kufirit jugosllavo-grek hasën në pritën e Armatës jugosllave, ku pasoi një luftë e rreptë në mes tyre.
Për të dal jashtë vendit mori qëndrim edhe Batalioni i Dytë i udhëhequr nga Adem Gllavica. Ky grup, më 31 dhjetor 1945, kaloi kufirin jugosllavo- grek. Në rrugë e sipër, sikurse Batalionit të Parë, në pritë i kishin dal forca të mëdha të ushtrisë jugosllave. Edhe në këtë përleshje pati humbje të mëdha nga të dy palët.
Këtij grupi nuk iu bashkua Ajet Gërguri, i cili me disa luftëtarë u kthye në Drenicë dhe vazhdoi luftën e armatosur derisa u zbulua dhe u arrestua. Edhe pse këta dy luftëtarë (Ajet Gërguri dhe Adem Gllavica), nuk u pajtuan rreth qëndrimit apo daljes jashtë atdheut, megjithatë edhe pse ishin larg njëri- tjetrit ata mbajtën lidhje të vazhdueshme ndërmjet veti, duke këmbyer mendime e ndihma, që për këtë i raportonin KQ të NDSH-së në Shkup.
Edhe pse këto grupe e lëshuan Kosovën, konsolidimi i ri u bë shumë shpejt dhe, në Kosovë vepronin më tepër se 55 grupe ilegale si dhe organizatat patriotike- politike si LNDSH-ja, “Besa Kombëtare” e Prof. Ymer Berishës, “Organizata NO-2 “ e Ajet Gërgurit dhe që të gjitha mbanin lidhje të ngushta me KQ të NDSH-së në Shkup.
Pas luftës nacionalizmi shqiptar do të zhvillohej në emigracionin e detyruar, ndërsa ato forca apo elemente, që mbetën në trevat etnike shqiptare në ish- Jugosllavi do të ndesheshin me këto regjime në një betejë të pabarabartë, fundi i së cilës ishte tragjik për ilegalen shqiptare.
Në një dokument (Rekapitulim), që ishte përgatitur në zyrat e UDB-es, më 1947, e që kishte hiq më pak se 220 faqe shkrim, në mes tjerash thuhej se, në Kosovë, në nëntor-1944 dhe gjatë vitit 1945, vepronin 55 grupe të armatosura, të udhëhequra nga ana e një parie komanduese që e përbënte një efektiv prej 60 vetave më të vendosur [53] Grupet në fjalë, rreth vetes grumbullonin mbi 1375 veta. Megjithatë, grupi më i pa kompromis dhe më i vendosur për luftë kundër hordhive sllave ishte efektivi i përbërë prej 375 vetave. Grupi ishte heterogjen në të cilën merrnin pjesë intelektual (mbi 90 veta), fshatar (234 veta), ushtarak (36 veta), etj. Mirëpo në rast nevoje ky grup grumbullonte edhe deri 3.000- 4.000 veta.
Intelektualët e shquar që iu kishin përgjigjur zërit të atdheut ishin të shumtë, me fakultete të mbaruara në perëndim dhe ushtarak të njohur, që më vonë formuan organizata dhe grupe ilegale e që deri në fund do të luftojnë për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Në vazhdim do i përmendi vetëm disa nga ata si: Ymer Berisha, Luan Gashi, Gjon Sereqi, Qazim Sefa, Mulla Idrizi, Adem Gllavica, Halim Spahija, Tahir Deda, Ibrahim Lutfiu, Hasan Rema, Rexhep Abdullahu, Haki Myderriz Sermaxhaj, Halim Orana, e shumë e shumë të tjerë.
Pa dyshim, se forcat nacionaliste që nga orët e para u udhëhoqën nga intelektual të dalluar. Vlen të veçohet aktiviteti dhe puna e pa kompromis e Prof. Ymer Berishës, si figurë që lente mbresa dhe të epte kurajo se liria është afër dhe patjetër duhej fituar.
Vrasja e prof. Berishës e cila ndodhi me 10 korrik 1946[54] për ilegalen shqiptare ishte një humbje e madhe. Kjo u vërtetua me mbajtjen e Kongresit të V të LNDSH-së. Kongresi i V u thirr të mbahet me 25 qershor 1946 në malet e Lipovicës, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve të NDSH-së pati sukses, sepse kongresi u mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në Kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte ndër më masivët gjatë veprimtarisë ilegale. Në këtë tubim të madh të forcave nacionaliste u shqyrtua situata në rrethana të një shtetrrethimi të plotë ushtarak jugosllav dhe mori vendime që brenda 2-3 muajve të ardhshëm të bëhej tërheqja e njësiteve të armatosura nga Kosova dhe tokat shqiptare nën okupimin serbosllavë dhe dalja e tyre përmes Shqipërisë dhe Greqisë në Evropë e gjetkë në botë, ku do të punohej në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe ku do të bëheshin përgatitjet për një kryengritje e për një luftë gjithëshqiptare kundër copëtimit të tokave të Shqipërisë etnike[55].
Megjithatë, në kongres sikurse para “Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare” dominuan dy opsione kryesore: Qëndrimi në Kosovë, pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet, dhe opsioni tjetër, mbështeste zbarkimin e përkohshëm të komitetit në Shqipëri, ku do të bashkërenditeshin forcat gjithëshqiptare. Krahu militant kishte mbështetur opsionin e parë,[56] edhe pas një konsultimi të gjatë sikur ishte arritur marrëveshja për formimin e një formacioni të armatosur për depërtim në Shqipëri.
Më vonë, pasuan burgosjet, arrestimet dhe operacionet e vazhdueshme të reparteve jugosllave për gjëja “spastrimin e vendit nga mbeturinat e reaksionit” siç i quanin ata forcat nacionaliste. Ato u shoqëruan me masat për çarmatosjen e popullsisë civile. Aksionet për mbledhjen e armëve u karakterizuan nga keqtrajtimet dhe torturimi në masë i popullit shqiptar.[57] Gjenocidi antishqiptar u mpleks me shantazhin dhe me terrorin psikologjik, me anën e të cilëve u synua për ta mbajtur popullin shqiptar në ato treva nën presion, për ta detyruar atë që të linte tokat e veta. Rreth 120.000 shqiptarë hynin në listat e të dyshimtëve politikë, të përpiluara nga UDB-eja jugosllave dhe që ndiqeshin prej saj.
Ish- Jugosllavia dhe Serbia, mendonin se vetëm me pranga, me burgje, e me dhunë do të arrinin të mbanin një popull të tërë të robëruar dhe në kolonizim të përjetshëm. Ata pandehnin se me arrestime e me dënime, me dënime drakonike burgimi do ta gjunjëzojnë një popull të tërë. Do ta detyrojë atë që të heqë dorë nga aspiratat e tyre shekullore, për një bashkim gjithëkombëtar dhe për një Shqipëri as të madhe e as të vogël, por për një Shqipëri të vërtetë në kufijtë e saj etnik.
Megjithatë, qëllimet dhe aspiratat e forcave nacionaliste vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes së përgjithshme qytetëruese properëndimore, e qëndresës për çlirim të përgjithshëm kombëtar, të mbështetur në traditat e çmueshme të lëvizjes çlirimtare, themelet e së cilës u vunë që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( 1878 ), për të vazhduar edhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, gjatë Luftës së Parë Botërore e deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore[58], e në vazhdimësi deri më vitin 1998.
Kjo edhe ishte qëllimi suprem i gjithë ilegales shqiptare. E këtë amanet të përcjellë brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate, ia doli ta kurorëzoi me sukses bija më e devotshme e këtij populli, e dalë nga gjiri i saj i përflakur – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
[1] Sami Repishti, Fryma e LSHP dhe evolucioni politik i Kosovës në LSHP, Romë
[2] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë ( 1945-1947), Prishtinë
[3] Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit ( Mbledhja e Dytë e” Këshillit Nacionalçlirimtar” të Kosovës), Prizren, 8-10 korrik 1945
[4] Akademik Gazmend Zajmi, Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual ( Simpoziumi i mbajtur në Tiranë me 15-16 prill 1996, Tiranë
[5] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare ( 1844-1990), Gjakovë,
[6] Dr. Hakif Bajrami, Kosova prej Bujanit në Kaçanik, Prishtinë
[7] Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Zagreb
[8] Rezoluta e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë lidhur me vendimin e KAÇK të Sanxhakut dhe deklaratat e delegatëve të KKNÇ të Vojvodinës dhe të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, Gazeta “Borba”, 9 prill 1945
[9] Diskutimi i Dushan Mugoshës në séancën e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë me 7-9 prill 1945
[10] Diskutimi i Mehmet Hoxhës, në séancën e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë me 7-9 prill 1945, Dr. Hakif Bajrami, Kosova prej Bujanit në Kaçanik, Prishtinë
[11] Afërdita Halimi- Cërrnica, Raif Halim Cërrnica ( veteran i luftës dhe i demokracisë në Kosovë), Tiranë,
[12] Rexhep Qosja, Çështja shqiptare ( historia dhe politika), Prishtinë
[13] Udhëzime të S.V. Tempos për KK të PKJ-së për Kosovë, me 2 tetor
[14] Deklarata e Moskës u miratua në tetor 1943 , e cila kërkonte të “zbatohej bashkëpunimi më i ngushtë në udhëheqjen e luftës dhe në të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me kapitullimin dhe çarmatimin e shteteve armike.
[15] Karta e Atlantikut, u nënshkrua ndërmjet V. Çerçilit dhe F. D. Ruzveltit. Në këtë dokument të rëndësishëm në mes tjerash thuhet “kthimi i të drejtave sovrane dhe të vetëadministrimit atyre popujve , të cilëve u janë marrë ato dhe respektimi i të drejtave të të gjithë popujve , që të zgjedhin formën e vet të qeverisjes ( 14 gusht 1941)
[16] Deklarata e Teheranit, u soll me 1 tetor 1943, u nënshkrua ndërmjet Ruzveltit, Çerçilit dhe Stalinit. Kjo deklaratë garantonte se të gjithë popujve aleatë në Luftën Antifashiste t’u njihet e drejta për të rregulluar marrëdhëniet e veta “sipas aspiratave të tyre të ndryshme dhe sipas ndërgjegjes së tyre vetanake”
[17] Letra e Titos u botua në dhjetor të vitit 1942, në gazetën “Proleter”, me titull “Çështja kombëtare në Jugosllavi në dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në mes tjerash në lidhje me çështjen e shqiptarëve thuhej se “Çështja e Maqedonisë, çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnës e Hercegovinës do të zgjidhet lehtë ashtu siç dëshirojnë të gjithë, sepse do ta zgjidhë populli, kurse këtë të drejtë e fiton çdo popull, me pushkë në dorë, në këtë luftën e sotme Nacionalçlirimtare”
[18] Rezoluta e Bujanit, u miratua me 31 dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës, në Mbledhjen Themeluese të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës e Dukagjinit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë 49 delegatë ( 43 shqiptarë, 6 serbë e malazezë). Përveç Rezolutës që është një dokument me një rëndësi të madhe historike, u soll edhe Proklamata e Kryesisë së KNÇ-së së Kosovës, në të cilën thuhet: “Liria e juaj, qëndron në luftën tuaj, sepse vetëm lufta e armatosur, e përbashkët kundër okupuesit dhe ndihmësve të tij është rruga me të cilën sigurohet liria dhe e drejta për vetëvendosje dhe shkëputje”. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe udhëheqsia e re prej 9 vetave ( 7 shqiptarë, 2 serbë e malazezë).
[19] Dr. Lefter Nasi, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë
[20] Dr. Fehmi Agani, Demokracia, Kombi, Vetëvendosja, Pejë
[21] Doracak i Seksionit të Punëve të Brendshme, Beograd 1957
[22] Muhamet Mjeku, Lufta e Drenicës, Prishtinë
[23] Dr. Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës- shtator 1944- korrik 1945, Tiranë
[24] AVIH, k. 1411 nr. Regj. 14/4, Urdhëresë tepër reserve. Nr. 13.8 shkurt 1945 e Komandantit Suprem të UNÇ dhe APJ, Josip Broz Tito
[25] Krsto Filipoviq, Vojna uprava na Kosovu 1945 ( shenime stenografike), f. 308. I. Antonovski, Formiranje i razvoj Vojne uprave, f. 66
[26] Viqentije Gjorgjeviq, Organizacioni razvoj partije na Kosovu i Metohiju 1945- 1952, (“Klasa punëtore e Mitrovicës dhe Rrethinës në lëvizjen punëtore-komuniste”), Mitrovicë,
[27] Savo Dërleviq, Vojna uprava na Kosmetu, Beograd
[28] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Gjurmët e autonomitetit, Rilindja, 21 prill 1986, Prishtinë
[29] Dr. Lefter Nasi, Mbi statusin politiko- juridik të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, (Çështja e Kosovës një problem historic dhe aktual), Tiranë
[30] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë 1945-1966, Prishtinë,
[31] Spasoje Gjakoviq, Sukobi na Kosovu, Beograd,
[32] Osnivaçki Kongres KPS, Beograd
[33] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, Gjakovë
[34] Narodni Odbor Autonomne Kosovsko-Metohiske Oblasti 1943-1953, Prishtinë
[35] Kadri Rexha, Fati i luleve ( Rruga jetësore e shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Gërvalla), Prishtinë
[36] Dr. Jusuf Bajraktari, Rrënjet historike të autonomies së Kosovës, “Rrjedhat “, nr. 1,
[37] Dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko-ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë
[38] Organizatën nr. 2, e formoi Ajet Gërguri në prill të vitit 1945. Prej janarit të vitit 1946, quhet edhe me një emër të ri “Shtabi i Zonës II-të LPLTSH. Gjatë tërë veprimtarisë së saj ishte e lidhur ngushtë me organizatën patriotike “Besa kombëtare”. Anëtarët e kësaj organizate ishin njerëz të shquar të lëvizjes shqiptare si në fushën politike, ashtu edhe në atë luftarake. Për këtë arsye , kjo organizatë mori për detyrë përgatitjen e Kongresit të Lipovicës të LNDSH-së, të mbajtur me 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës.
[39] Në Kuvendin e Dobërdolit, u zgjodhën udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial. Duke mos lënë anash as udhëheqjen ushtarake e politike të sektorëve. Pasi se Kosova në këtë Kuvend u nda në 12 sektorë, andaj ishte krejt e natyrshme të caktohen komandantë dhe po aq komisarë politikë. Ky grup i përbërë prej 12 komandantëve e komisarëve politikë u quajt “Dymbëdhjetë Këshilltarët” apo “Këshilli i të dymbëdhjetave “
[40] Dr. sc. Beqir Meta, Nacinalismi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike”- 2, Prizren,
[41] Hakif Bajrami, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, Prishtinë
[42] Referat i Bllagoje Neshkoviqit, mbajtur në Konferencën e Tretë të PKS-së për Kosovë e Metohi, mars 1945
[43] Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë (1945-1966), Prishtinë
[44] Referati i Josip Broz Titos, Osnivaçki Kongres KP Serbije, Beograd
[45] Shtabi Suprem i Kosovës ishte një organ , i cili me kohë do të merrte rolin drejtues mbi të gjitha territoret shqiptare nën pushtimin jugosllav. Nën udhëheqjen e tij, prej 1 dhjetorit deri në gjysmën e dytë të vitit 1945, rezistenca shqiptare zhvilloi disa beteja frontale ushtarake të përgjithshme me “çlirimtarët”, sikurse që ishin lufta e Gjilanit, e Ferizajt e në vende të tjera të Kosovës, ku “pushteti popullor “ ushtronte terror dhe likuidime të shumta ndaj shqiptarëve .
[46] Branisllav Bozhoviq, Milorad Vaviq, Surova vremena na Kosovu i Metohiju, Beograd 1991, fq. 549, AVII, nj, k. 61, 12/1 – 45, 46
[47] Dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko- ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë
[48] Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani, Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë
[49] Hysen Tërpeza lindi më 1910 në fshatin Tërpezë- komuna e Vitisë. Ishte patriot i shquar i Anamoravës. Ishte kryetar i komunës në Pozhoran dhe ketë detyrë e kreu deri më 16 nëntor 1944. Menjëherë pas okupimit të Kosovës ai bashkë me luftëtarët tjerë organizoi rezistencën e armatosur kundër forcave çetniko-komuniste. Me 1 dhjetor 1944, në fshatin e lindjes – Tërpezë, u mbajt tubimi i forcave nacionaliste ku u formua Shtabi Suprem i Kosovës me komandant Adem Gllavicën dhe zëvendës i tij u zgjodh Qazim Llugaxhiu e Hysen Tërpeza u zgjodh anëtar i Shtabit. Me 15 gusht 1945, kur u bë riorganizimi i Shtabit, Hysen Tërpeza, u zgjodh komandant i Shtabit Suprem të Ushtrisë Popullore Demokratike Shqiptare. Në dhjetor të vitit 1944 mori pjesë në luftën e Ferizait e të Gjilanit. Pas këtij aktiviteti të dendur luftarak, në nëntor 1945, me batalionin e Parë të Shtabit Suprem me shumë luftëtar të tjerë, vetëm provizorisht tërhiqet për Greqi. Pas kësaj vlen të cekët se Hysen Tërpeza ka marrë pjesë aktive në të gjitha organizatat e lëvizjet e emigracionit shqiptar në Evropën Perëndimore, në Sh. B. A dhe në Turqi të cilat i organizonin kundër Jugosllavisë komuniste për çlirimin e Kosovës dhe formimin e Shqipërisë Etnike; Mustaf Xhemaili, Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën, Prishtinë 2004
[50] Dr. Muhamet Pirraku, vepër e cituar… f. 324-326
[51] Letra e Mithat Frashërit, Muharrem Bajraktarit; Reginald Hibert,Fitorja e hidhur, Tiranë
[52] Mustafë Xhemaili, Hysen Tërpeza, një legjendë për Kosovën, Prishtinë
[53] Rekapitulimi i UDB-es pas vitit 1947. Dr. Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë
[54] Gojko Medenica,Nata e frorit (Aksioni për zënien e komandantit të bandave balliste për Kosovë e Metohi, Ukë Sadikun), Rilindja 25 shkurt 1965; Hasan Shala, Izet Hoti, Besa e gurit, Prishtinë
[55] Dr. Muhamet Pirraku, vepër e cituar... f. 165
[56] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947, Prishtinë
[57] Dr. Jusuf Bajraktari, Format e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nëpërmjet aksionit të mbledhjes së armëve (1913-1993), (Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve nga kriza lindore e këndej), Prishtinë,
[58] Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë