Faleminderit
Nait Hasani: Dëshmori i Kombit Vezir Jashari
E hene, 05.04.2010, 06:57 PM
Fjalimi i njërit nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot Deputet në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasanit, i mbajtur në Akademinë përkujtimore për dëshmorin e kombit, Vezir Jashari- "Flamuri", ne Ferizaj...
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
I nderuar Kryetar i Komunës,
Familje e nderuar e dëshmorit Vezir Jashari,
Ngjarjet e mëdha i kanë edhe heronjtë e mëdhenj të tyre, e njëri ndër luftëtarët dhe dëshmorët e parë të Zonës së Nerodimes ishte Vezir Jashari - "Flamuri". Të flasësh sot për një ngjarje të madhe, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të flasësh nga kjo largësi kohore për veprën e saj madhështore e historike, të flasësh dhe të shkruash për njërën nga vlerat më të çmuara të kombit shqiptar, nuk është e lehtë, por është nder i veçantë për mua dhe për secilin prej nesh.
Ishte koha dhe, në kohën e duhur dolën njerëzit e duhur, të gatshëm, me pjekurin e plakut dhe me guximin djaloshar, për mbrojtjen e Atdheut tonë dhe luftuan si shqiponja për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga Serbia.
Atë që po bëjmë ne sot, këtu, në këtë Akademi përkujtimore, është pak që të përshkruhet vepra madhështore e dëshmorit Vezir Jashari dhe e shokëve të tij. Sot ka shumë të rinjë që nuk i kanë njohur njohur Vezirin, Rexhën e Xhavitin, sepse kanë qenë të rinjë, po ka edhe prej atyre më të moshuarve që nuk e njohin punën dhe vlerat e këtyre kolosëve të kësaj ane. Unë, kam detyrim moral, kombëtar e politik që t’ia them të vërtetën dhe t'ia bëj me dije kësaj gjenerate dhe gjeneratave që po rriten në këtë Kosovën tonë të dashur e të lirë, të çliruar nga Serbia, se këta burra, dy prej tyre dëshmorë të kombit, Rexha e Veziri, dhe Xhaviti i gjallë, ishin celula e parë e Ushtrisë Çlrimitare të Kosovës në Ferizaj dhe rrethinë. Këtë të vërtetë e them me përgjegjësi të plotë dhe pa marrë parasysh si do të kuptohem sot nga dikush. E ndjej për detyrë ta them të vërtetën, që historia të shkruhet ashtu siç ishte dhe ashtu si ishin zhvilluar ngjarjet në atë kohë.
Kisha fatin të isha njeriu i parë që e takova Rexhep Bislimin dhe më vonë edhe Vezir Jasharin, në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të bisedoje në atë kohë për çështje të luftës ka qenë shumë rrezik, sepse mund të kishe pasoja dhe rreziqe të mëdha për jetën dhe familjen. Unë, te Rexha erdha përmes kontaktit që pata në Tiranë dhe Durrës me Ekrem Jasharin, Azem Sylën dhe Xhavit Halitin – Zekën. Ne, si Shtab Qendror i UÇK-së, kishim për qëllim dhe i kishim vënë vetes për detyrë shtrirjen e UÇK-së në tërë territorin e Kosovës. Për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në Ferizaj, përfaqësuesit e UÇK-së, Azem Syla dhe Xhavit Haliti, kishin rënë në kontakt me Bacën Ekrem (për të kisha dëgjuar që herët, por për UÇK-në biseduam për herë të parë atë ditë) me të cilin e kishim lënë të takoheshim në një restaurant, në Durrës. Ishte pranverë e vitit 1996. Aty biseduam e diskutuam për rrethanat politike në Ferizaj, për mundësit e veprimit dhe të shtrirjes së UÇK-së në këtë Zonë. Nga Baca Ekrem e mora "shifrën", vendin, kodin dhe shtëpinë për ta takuar Rexhep Bislimin në Ferizaj.
Pas do dite, pasi që isha kthyer nga Tirana, shkova te shtëpia e Rexhës me Rexhep Selimin dhe e kërkova, mirëpo Rexha nuk ndodhej në shtëpi. Vëllezërit e tij më thanë se është me punë në fushë dhe se do të kthehet më vonë. I thuani, u thash atyre, se jam një shokë nga Prishtina dhe se kam ardhur për të blerë kumbulla. Do të vij nesër dhe ta takoj në pazar.
Të nesërmen shkova vetë në Ferizaj dhe e takova Rexhën. E mora në makinë dhe morëm rrugën Varosh-Gërlicë. Gjatë rrugës kemi biseduar për çka edhe kisha shkuar me porosi të Bacës Ekrem. Pasi biseduam gjerë e gjatë i kërkova Rexhës të mendonte për angazhimin e tij në UÇK. Pas disa dite, sipas asaj që ishim marrë vesh, shkova dhe biseduam përsëri për UÇK-në dhe luftën e armatosur. Atë ditë Rexha e tha Fjalën e tij, e cila ishte edhe vendim histroik për themelimin e Njësitit të parë gueril të UÇK-së në Ferizaj e rrethinë. Fjalët që Rexha m'i tha atë ditë, e që s'mund t'i harroj kurrë, kur ma zgjati dorën e më tha se "jam pjestar i UÇK-së", janë: "Unë kam fëmijë e familje, por për lirinë dhe për çlirimin e Kosovës jam i gatshëm me i dhënë krejtë". Atë ditë, por edhe sot, nga fjalët e tij, që edhe tash më kumbojnë në kokë, më është rrënqethur trupi. Në sytë e tij shikoja besimin, guximin dhe vetëdijen e plotë se Kosova duhet e mund të çlirohet nga Serbia vetëm me luftë të armatosur. Nga kjo ditë, në takimet tona, ne bisedonim dhe merrnim veprime sipas kërkesave dhe në kohën që përcaktonin Shtabi Operativ dhe Shtabi Qendror.
Në takime të tjera e kam takuar edhe Vezir Jasharin, i cili tashmë, bashë me Xhavitin, ishte anëtar i njisitit gueril të formuar nga Rexha, që vepronte dhe përcillte gjendjen në Feriziaj. Njësiti kishte identifikuar dhe përcaktuar edhe disa pika ku do të godiste. Pas njërit nga takimet tona, Veziri dhe Rexha më përcollën me makinën e tyre (Askon) nga Ferizaji deri në Sankoc të Drenasit. Nga takimet e shumta krijova bindjen se Njësiti i Ferizajit ishte i gatshëm dhe i përgatitur t'i realizonte objektivat që i ka përcaktuar vetes për çlirimin e Kosovës.
Sot, pas kaq kohe, ne i kujtojmë ato ditë dhe ngjarje të rëndësishme të histroisë së vendit tonë dhe njerëzit që ia kthyen krenarinë dhe nderin popullit tonë të shumëvuajtur nën thundrën njëqindëvjeçare të pushtuesit serb.
Koha vononë, por gjërat duhet të thuhen ashtu siç kanë qenë. Ne, sot kujtojmë Vezirin dhe luftën e tij për liri në Ushtrinë Çlirimitare të Kosovës, të cilës Veziri me shokë i dhanë emër, i dhanë Atdheut rininë e tyre, i dhanë gjakun e tyre të njomë, atë gjak që e kemi në Flamurin tonë kombëtar, i dhanë vendit vlera dhe krijuan vlera njerëzore, i dhanë Kosovës jetën e tyre, që ne të jetojmë të lirë, i dhanë Kosovës madhështinë dhe u bnë dëshmor të kombit. Veziri me shokë u bënë për ne legjendë lufte për liri. Ata jetojnë me ne dhe ne jetojmë me frymën dhe veprën e tyre. Dëshmori i kombit, Vezir Jashari është i gjallë midis nesh. Ai dhe dëshmorët e kombit nuk vdesin kurrë.
Të nderuar pjesëmarrës,
I thash këto pak fjalë për Dëshmorin, por nuk i thash të gjitha, sepse nuk ka mundësi që në një akademi si kjo apo në një Ditë shkolle të thuhen të gjitha, sepse vepra e dëshmorëve, Vezir Jashari e Rexhep Bislimi, dhe e Xhavitit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e përmasave të mëdha historike dhe kombëtare. Këtë po e dëshmon përditë koha dhe jeta e përditshme që ne po e jetojmë në Kosovë falë gjakut të dëshmorëve dhe Luftës Çlirimtare.
Prandaj, unë përmes kësaj akademie jua bëj me dije juve, qytetarë të Ferizajit, se Rexha, Veziri e Xhaviti ishin nismëtarët dhe Njësiti i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj e Zonën e Nerodimes. Pra, duhet ta mësojnë e ta dinë të gjithë se lufta e armatosur për liri në Ferizaj fillon me Rexhën, Vezirin dhe Xhavitin.
Lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të Kombit!
Ferizaj, më 2 prill 2010