E merkure, 13.11.2024, 06:15 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Srebrenica - gjenocidi sërb në zemër të Europës

E premte, 02.04.2010, 08:59 PM


Srebrenica - gjenocidi sërb në zemër të Europës

 

Nga Valon Kurtishi

 

Parlamenti sërb dje me një shumicë relative dhe pa prezencën e deputetëve radikalë ka miratuar një rezolutë ose Deklaratë me të cilën dënon “në bazë të vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë”, krimet e kryera ndaj popullatës boshnjake në qytetin e Srebrenicës. Polemikat mes grupeve të ndryshme politike në lidhje me votimin ose jo të kësaj rezolutë kanë zgjatur reth 12 orë. Mëse gjysma e deputetëve janë larguar në shenjë proteste nga salla e Parlamentit sërb, kështu që rezoluta është miratuar me gjysmën e votave të mundshme, 127 për, 21 kundër dhe një i përmbajtur.

 

Grupi parlamentar i radikalëve shovinistë e ka quajtur miratimin e kësaj deklarate si tradhti të lartë ndaj kombit sërb, ndaj Republikës sërbe të Bosnjës dhe ndaj heroit kombëtar të tyre Radovan Karaxhiq. Liberal-demokratët e Jovanoviqit janë larguar në shenjë proteste nga salla gjithashtu. Shkaku i mosprezencës së tyre ishte mosemërtimi i masakrës si gjenocid, çka ishte në të vërtetë. Nga deputetë të tjerë liberalë miratimi i kësaj rezolute është quajtur dyfytyrësi e qeverisë sërbe pasi bëhet vetëm për të përshpejtuar integrimin europian të vendit dhe jo për të dënuar sinqerisht gjenocidin e kryer ne Srebrenicë. Qarqet nacionaliste sërbe nga ana tjetër menjëherë kanë nisur një iniciativë të re për dënimin e krimeve të kryera ndaj sërbëve në territoret e ish Jugosllavisë, e cila shumë shpejt në formë rezolute do ti paraqitet për votim kuvendit në Beograd.

 

Po ç’ndodhi në të vërtetë në Srebrenicë në atë qershor të vitit 1995 dhe si u zhduk një qytet i tërë europian në sytë e gjithë botës?.

 

Republika e Bosnjë Hercegovinës, e pavarësuar nga ish Republika socialiste federative e Jugosllavisë me referendum popullor më shkurt/mars 1992, u pranua në OKB më 22 maj 1992. Duke qenë një Republikë tre kombëshe me një popullsi sërbe prej 31.21 % sipas regjistrimit të vitit 1991, ajo u gjend para një rebelimi të ashpër dhe terrorist sërb. Një kundër referendum i organizuar nga minoriteti sërb e copëtoi Bosnjën në dy entitete. Shteti i ri ishte i papërgatitur para arsenalit ushtarak të ish APJ (Armatës Popullore Jugosllave) e cila kontrollohej në tërësi nga elementët sërbë. Rebelimi i forcave terroriste lokale sërbe u përkrah nga ish Armata Popullore e Jugosllavisë, e cila për një kohë të shkurtër okupoi reth 70% të territorit të shtetit të pavarur të Bosnjë Hercegovinës. Në këtë kohë, forcat e mbrojtjes territoriale aritën të mbajnë nën kontroll qytetin e Srebrenicës, si dhe dy komuna fqinje të Zhepës dhe Gorazhdës të banuara në shumicë dërmuese me boshnjakë etnikë. Por agresioni sërb bëri që këto tre qytete të jenë të ndara nga territori më i gjerë i kontrolluar nga organet shtetërore në Bosnjën qëndrore, si dhe nën goditjet e përditshme të granatave të rebelëve sërbë.

 

Duke njohur këtë gjendje të rëndë për popullsinë lokale, Këshilli i Sigurimit të OKB, më 16 prill 1993, shpalli Srebrenicën, Zhepën dhe Gorazhdën, “zona të mbrojtura të cilat nuk duhet të sulmohen ushtarakisht apo ti nënshtrohen ndonjë akti tjetër armiqësor.” Forcat sërbe nën udhëheqjen e kriminelëve të luftës, gjeneralit Ratko Mladiq dhe me urdhër të drejtpërdrejtë të udhëheqësisë shtetërorë të Republikës së Sërbisë , të përforcuara me vullnetarë grekë, sërbë e rumunë, filluan sulmin e tyre frontal ndaj këtij qyteti në maj/qershor të vitit 1995. Forcat sërbe në këtë kohë morën si pengje edhe disa paqëruajtës ndërkombëtarë të forcës së OKB për mbrojtje - UNPROFOR. Duke pasur një avantazh të madh në numra dhe armatime, terroristët sërbë përparuan shpejt duke thyer forcat boshnjake të mbrojtjes. NATO përveç disa sulmeve të kufizuara ajrore, nuk ndërmori aksione serioze ndaj tankeve dhe makinerisë tjetër sërbe të luftës.

 

Srebrenica u pushtua nga forcat e agresionit sërb më 11 qershor 1995. Reth 30.000 civilë boshnjakë u aratisën jashtë qytetit, në Potoçar, një zonë nën kontrollin e paqëruajtësve holandezë. Duke filluar nga 11 qershori për reth një muaj me radhë, forcat e organizuara sërbe nën komandë të drejpërdrejtë të ushtrisë së të a.q “Republika Sërbe” si dhe forca të regullta të uniformuara nga Republika e Sërbisë, kanë kryer ekzekutimin e reth 8000 burrave dhe fëmijëve boshnjakë në zona të ndryshme të qytetit dhe rethinës. Gratë janë transportuar me kamionë dhe autobusë jashtë qytetit. Janë kryer një numër i madh i përdhunimeve, vrasjeve, maltretimeve para syve të ushtarëve holandezë të cilët nuk kanë intervenuar. Duke njohur fajin dhe lëshimin e bërë në këtë rast, qeveria holandeze ka pranuar fajin e saj dhe ka ofruar të paguajë dëmshpërblime për qytetarët e mbetur gjallë të Srebrenicës.

 

Ushtria amerikane pati incizuar disa pjesë të kësaj tragjedie me satelitë dhe më pas ka lëshuar pamje satelitore ku shihen trupa të të ekzekutuarve, gropa të mëdha të sapohapura dhe gjurmë të mjeteve të rënda zinxhirore të përdorura nga ushtria gjenocidale sërbe për të hapur varreza masive. Më vonë është vërtetuar se masakra nuk ka qenë e rastësishme, por e planifikuar, e organizuar dhe kryer nën urdhërat direkte të kreut politik dhe ushtarak sërb, si në të a.q "Republikë sërbe të Bosnjës" ashtu edhe në Sërbi. Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi, ka dhënë dënime ndaj një numri të ushtarakëve sërbë për këtë masakër si dhe e ka përkufizuar si një krim dhe gjenocid të forcave sërbe ndaj popullsisë boshnjake.

 

Masakra e Srebrenicës është quajtur shpesh nga gazetarë, analistë, e historianë të shumtë me emra të ndryshëm si inferno në këtë botë, apokalipsë njerëzore, masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore në Europë, gjenocid ndaj popullit boshnjak, si vërejtje e përhershme ndaj shovinizmit sërb, masakër e fondamentalizmit të çoroditur ortodoks, ndërgjegje e vrarë e Europës plakë e makiaveliste, etj. Srebrenica në realitet është ndërgjegja e vrarë e gjithë kontinentit europian. Ajo mbetet një vërejtje e përhershme për gjithë shtetet, kombet, popujt, shtresat shoqërore dhe forcat liridashëse e demokratike në Europë, për rrezikun e madh nga zgjimi i demonëve të së kaluarës gjenocidale e shoviniste. Ajo mbetet edhe një vërejtje e përhershme serioze për vetë entitetin supranacional të Bashkimit Europian, që në momente të tilla decisive dhe vendimtare për të ardhmen politike të rajoneve të caktuara europiane, të jetë më këmbëngulës në vendimmarje dhe të mos lejojë elementë dhe forca destruktivë të ushtrojnë veprime të pakontrolluara politike-ushtarake me pasoja për gjithë kontinentin. Srebrenica mbetet një njollë e zezë në moralin e gjithë europianëve dhe një dështim i demokracisë europiane e cila nuk gjeti forca që të reagojë në kohë dhe të pamundësojë këtë tragjedi masive në mes të Europës së bashkuar.

 

Sërbia duhet të dënohet seriozisht për krimet e kryera me urdhërat e saj në territoret e ish-Jugosllavisë. Fatkeqësisht, sot nuk shihet dënimi por në raste të caktuara nuk mungon shpërblimi i këtij vendi nga qarqe të caktuara europiane. Kjo nuk kontribuon për paqësimin e Ballkanit. Popujt duhet të afrohen në një proces të planifikuar faljeje e pajtimi. Megjithatë, procesi paqësues e pajtues mes kombeve të ndryshme ballkanike kërkon mund, përpjekje, kohë për të shëruar plagët e shumta të hapura nga këto masakra të tmershme.

 

Sërbia duhet të dekriminalizohet tërësisht me forca të veta të brendshme liberale e demokratike dhe pa presionet e BE dhe perëndimit. Përpjekja që me anë të rezolutave të këtilla gjysmake të fitohen simpatitë e perëndimit janë të dëmshme për vetë sërbët në radhë të parë, dhe pastaj edhe për fqinjët tjerë në këtë pjesë të Europës. BE, SHBA dhe perëndimi duhet të ushtrojnë trysni serioze në mënyrë që forcat e pakta dhe të izoluara demokratike në gjirin e kombit sërb të riten dhe shtohen në mënyrë që shoqëria sërbe të emancipohet nga mendësitë dhe mitologjitë terroriste të së kaluarës. Kur shteti dhe shoqëria sërbe të pranojnë fajin kolektiv për gjenocidet e kryera në vitet 90 ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, atëherë do të mund të ketë sukses procesi i paqësimit dhe pajtimit në Ballkan. Dënimet me gjysëm zëri dhe sa për sy e faqe të diktuara më tepër nga pafuqia në skenën ndërkombëtare dhe masat shtërnguese të BE, nuk mund të sigurojnë paqe, pajtim dhe stabilitet afatgjatë në Ballkan.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora