E shtune, 21.12.2024, 01:01 PM (GMT)

Kulturë

Me Timo Fllokon

E diele, 04.11.2007, 10:44 AM


Elona Demollari

Timo Fllokon është e vështirë “ta kapësh“. Merreni me mend, kjo intervistë është planifikuar rreth tre muaj më parë. Gjithsesi, për një aktor kaq publik ia vlen të presësh. Vetë Timo për këtë distancë nga mediat thotë: „Ka një numër të pafund gazetash dhe televizionesh.Shprehesh një herë në një apo dy të tilla dhe s’ke çfarë thua më, përsëritja s’më pëlqen...“. Në këtë rrëfim për Fundjavën e Shekullit, Timo Flloko flet për veten, për filmin shqiptar, për pasionin e tij poezinë, për ndarjen mes Shqipërisë dhe SHBA-së... Me falënderimin për prezencën e tij në Faqet e Së Dielës, i urojmë atij dhe fansave të tij, lexim të këndshëm!

Përshëndetje nga Shekulli. Kjo është një nga intervistat tuaja të rralla në shtyp. Pse kjo distancë?

Nuk jam i distancuar, jam paksa i përmbajtur sepse sot në treg ka një numër të pafund gazetash dhe televizionesh.Shprehesh një herë në një apo dy të tilla dhe s’ke çfarë thua më, përsëritja s’më pëlqen. Arsyeja tjetër është se nuk ka shumë luajalitet, sepse jep një intervistë dhe e shikon të ndryshuar, duke filluar që nga titulli ndonjëherë.. Ti flet për artin dhe titulli të vihet nga boksi....Marrin një citim apo thënie për ta bërë median atraktive, por kjo humb kuptimin e intervistës dhe krijon një farë problemi.

Çfarë do të thotë të jesh aktor i famshëm në një vend të vogël si Shqipëria?

Të jesh aktor së pari është e rëndësishme, është profesion shumë i vështirë, nga më të vështirët. Për dimensionin publik që ka, është i bukur dhe i lakmueshëm. Nuk harroj që është profesion dhe si çdo profesion nuk duhet ndarë nga profesionet e tjerë. S’ka përse të fetishizohet për ato që thashë më lart. Kudo që të jesh si në Shqipëri, si në botë problemi është që të kesh mundësi ta ushtrosh si profesion. Ndryshimet në jetën shqiptare nga periudha e gjatë e tranzicionit kanë lodhur edhe aktorin. Duhet të kërkojë e gjejë shumë projekte që të ketë mundësi jo vetëm të ushtrojë artin, por dhe të sigurojë të ardhura normale. Mendoj se në këtë drejtim jo të gjithë aktorët janë fatlumë, sigurisht më të mirët gjejnë rrugën drejt skenës, ekranit dhe pjesa tjetër, që është dhe më e shumta, jo dhe aq. E rëndësishme është që ka përpjekje nga sferat profesionale. Krijuesit e moshuar dhe të rinj përpiqen të gjejnë rrugë për ta ushtruar profesionin dhe kjo është gjë pozitive. Kur kërkon, gjen. Dhe duhet medoemos të ndeshesh me pengesat dhe realitetin.

Është Shqipëria një vend i mirë për një aktor të mirë?

E mirë, e keqe, kjo është. Është vendi ynë.

Meqë jemi këtu, të pyesim për kuriozitet...Ka ndryshuar sjellja e publikut shqiptar, psh. ndaj një artisti të madh si ju?

Në thelb admirimi për artistin është një koeficient i pandryshuar. Format e admirimit ndryshojnë nga koha në kohë. Në fillim të ndryshimeve të para, kur njerëzit e politikës, veçanërisht ata të Lëvizjes për Demokraci shfaqeshin kudo në ekran a në rrugë. Ata ua merrnin në atë kohë artistave vëmendjen publike dhe u duk sikur këta të fundit mbetën në harresë (jo për xhelozi)- Mbaj mend një herë unë dhe një kolegu im ishim duke ecur nga ana tjetër e bulevardit, përballë Hotel Dajtit dhe nga ana tjetër po ecte një politikan i shquar. Njerëzit nuk e kthenin kokën nga ne, por nga ai. (qesh)

Si artisti, si politikani duhet të kursejnë të shfaqurit e tepërt në media me dhe pavend. Problemi është që të mos konsumohet artisti, kjo është e rëndësishme. Publiku përherë ka çmuar artistin dhe me kalimin e viteve shtohet vlerësimi për të. Ja për shembull, ti më quan artist të madh, kurse unë veten nuk e quaj të tillë.

Çfarë i duhet para së gjithash filmit shqiptar sot?

Është fakt që filmi shqiptar ka mbijetuar, kjo falë pasonit të kineastëve e natyrisht dhe një suporti modest të shtetit. Filmit më shumë se sa çdo arti individual, qoftë edhe teatrit i duhen paratë, buxheti i cili tek ne është i kufizuar në krahasim me botën është fare minimum, madje i pa konsiderueshëm mos flasim për Hollyëod- in që shifrat janë astronomike. Sigurisht Shqipëria nuk jeton me industrinë e filmit dhe s’ka sesi, prandaj ti shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Ka 2-3 shtëpi produksioni që rreken të bashkojnë buxhetin që marrin nga bordi i kinemasë me produksione të huaja dhe kur gjejnë shtegun për buxhet dhe mjete, prej tyre arrijnë të bëjnë filmin, ndryshe jo. Të gjithë filmat e viteve pas ’95 e këtej kryesisht janë bërë në këtë mënyrë. Në çdo rast krijuesit, skenaristët, regjizorët, aktorët kurrë nuk kanë mundur të bëhen të begatë nga filmi. Artisti tek ne është i thjeshtë nga të gjitha drejtimet.

Artistët në Shqipëri individualisht ose në organizime artistike konceptin e mbijetesës apo shpërblimit e lidhin shpesh me prezencën e shtetit, pra presin buxhete shtetërore për të realizuar dhe krijuar. Këto mungojnë në fakt.. Në Perëndim, industria e filmit apo krijimtaritë në veçanti i “binden” rregullave të tregut. Ju jeni i kënaqur nga situata juaj, në kuptimin ndiheni mirë, po merrni atë që meritoni?

Padyshm që arti duhet të jetë nën kujdesin e shtetit në kuptimin që ta zhvillojë atë, ta inkurajojë. Veçanërisht teatrin, i cili kërkon për shumë arsye ndihmë nga shteti në kuptimin administrativ dhe atë financiar. Ne kemi vetëm teatër shtetëror dhe kemi një bordkinemaje, të cilët mbahen nga shteti. Sigurisht shteti ynë nuk është dhe aq i pasur, sa ti kapërcejë kufijtë e financimit, por nuk është dhe aq i varfër sa të mos ta mbështesë. Për artin mund të bëhet dhe më shumë nga shteti. Në teatër 1 biletë është shumë e lirë dhe të ardhurat në tërësi nuk mund të mbulohen nga fitimi nga biletat e shfaqjeve. Këtu çmimi është 20- 30 herë më i lirë se në perëndim dhe ky çmim shkon në raport me mundësinë financiare të publikut. Teatri jep vlera estetike, artistike, jo financiare. Shteti duhet ta mbajë kryesisht atë. Aktorëve u duhet që të kërkojnë projekte, të presin projekte dhe oferta nga regjisorët, të cilët gjithashtu duhet të gjejnë një buxhet konkret për të realizuar shfaqjet që mendojnë.

A mund të shitet “arti i mirë” në Shqipëri, apo tendenca drejt komercialitetit me çdo kusht është e vetmja alternativë?

Nuk besoj qe komercaliteti si tendencë në trajtimin e temave problematike në film do i sillte shumë të ardhura filmit. Unë jam i mendimit që filmi të shtrojë probleme që e shqetësojnë shoqërinë, të pasqyrojë këto probleme që janë më koherente, mos bëhet thjesht tendencioz në drejtim të fitimit. Komercializimifilmin do ta bënte të pavlefshëm.. Por ka një problem këtu.. Ne nuk kemi spektatorë filmi sepse mungojnë kinematë. Në televizion ato shfaqen rrallë dhe filmat e rinj nuk e shohin ekranin sepse për ti shfaqur duhet të paguash, por televizionet nuk paguajnë siç duhet. Madje filma që janë bërë 3-4 vjet më parë nuk janë parë ende. Publiku nuk ka ku ti shohë. Mungojnë sallat e kinemasë e jo vetëm.. Meqë jemi këtu, është nevoja edhe e një teatri tjetër.

Ju vetë keni pranuar të bëni diçka që ka lidhje me artin vetëm për hir të pagesës së mirë?

Këtu nuk bëhet fjalë të bësh diçka thjesht për para, sepse çmimi për një punë në raport me mundin për të është minimal. Çdo punë duhet të paguhet brenda logjikës të vendit ku jetojmë. Sa per ta ditur, 2- 3 ditë xhirimi në Hollivudjanë sa paga e një roli këtu në Shqipëri.. Nuk them që të bëhen krahasime nga sa paguhen artistët në Amerikë por edhe në vendet e tjera paguhet mirë.

Kam lexuar një poezi tuajën, vërtet të bukur.. Si ka lindur ky pasion i aktorit për poezinë?

Për aktor e pranoj se është profesioni im, në film, në teatër. Por poet s’mund të quhem sepse nuk e ushtroj si profesion dhe pse kam shkruar. Duhet ta kisha nisur shumë herët botimin e poezisë. Me siguri do kisha bërë shumë libra. Por kam vetëm një të tillë me poezi të titulluar “Rob i manive“. Vlerësimi për të është befasues për mua, për vetë faktin që unë nuk shkruaja poezi, veç vargjeve për rrethe miqsh të ngushtë.. Por poezia për mua është e rëndësishme. Shkruaj në momentet e mia të mendimit. Poezia është si të thuash substrakti i artit.. Më tërheq. Në pak, shpreh shumë... Kam bërë shumë tekste këngësh, kjo është një zbavitje. Teksti i fundit është për këngën e Aurela Gaçes e titulluar “Hape veten“. Tekstet janë hobi që kam nisur për lojë.. Tashmë kam hyrë në lojë, dhe po të dua nuk dal dot.

Besoj do na lejohet të bëjmë një pyetje disi më gjerë se thjesht arti. Sipas jush, gjërat në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave të fundit, jo thjesht për artistët, kanë ecur mirë apo keq?

Ka gjëra që kanë ecur. Koncepti për jetën, mentaliteti...sigurisht ka ndryshime. Ajo që është e rëndësishme është që njeriu të ndihet i lirë në kuptimin e të menduarit.. Por ka probleme ekonomike, ka njerëz që hasin vështirësi për të përballuar nevojat e jetesës. Ka konfliktualitet në tërësi. Këto nuk mund të shmangen lehtë dhe shpejt.. Mesa duket sepse jemi një vend që vijmë nga një e kaluar me shumë probleme..

“Kam pasaportë amerikane, por në Shqipëri ndihem i motivuar..“

Pse vendosët të iknit në SHBA dhe si e shihni Shqipërinë tani që jeni kthyer?

Në Amerikë shkova në ‚97 dhe kam qëndruar 6 vjet. Ika sepse atëherë, Linda, vajza kishte fituar një program shkëmbimistudentor dhe kjo ishte arsyeja kryesore, për të qenë me të. Por qëndrimi atje u kushtëzua nga fakti që unë doja të provoja si artist përvojën amerikane dhe bëra një sërë punësh, sigurisht role modeste që gjithsesi ishin një eksperiencë me interes. Amerika është një vend ku artisti veçanërisht gjen hapësira për t’u ridimensionuar. Ma merr mendja që Amerika ndikoi tek unë në një kuptim që më bëri të jem më i hapur në drejtim të profesionit dhe krijimtarisë në tërësi. Ndoshta nuk do të kisha shkruar dhe botuar, siç është libri apo poezitë, nëse Amerika nuk do ma thyente këtë tabu.. Mendoj se prirjet njeriu nuk duhet ti kufizojë por duhet ti eksperimentojë. E nëse ato nxjerrin në pah vlera atëherë ja vlen të provosh. Unë as nuk kam ikur, as nuk jam kthyer. Shkoj shpesh në SHBA pasi kam marrë pashaportë amerikane, por Shqipëria është vendi im. Ku më shumë se në vendin tënd mund të ndihesh i motivuar dhe vlerësuar?

PYETËSORI I PRUSTIT

Po të takoja Zotin? Do ti thoja „Më jep dorën..“

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Kapërcimi i një drame, lumturi të pastër nuk ka

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjez?

Dita që lind

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Me miq

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Vullneti

Defekti juaj kryesor?

Shpërfillja

Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?

Ndaj atyre që janë të korigjueshme

Me cilat personalitete identifikoheni më shume?

Nuk identifikohem

Udhëtimi juaj i preferuar?

Udhëtimi për në Palm Spring nga Los Anxheles

Shkrimtari juaj më i dashur?

Kadare

Kompozitori juaj i preferuar?

Moxart

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Besnkërinë

Tek një grua?

Feminilitetin

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Kënga që më mbetet në mendje

Libri që ju la mbresë të pashlyshme?

“ Shpirtra të vdekur“

Filmi që ju la mbresë të thellë?

“Eyes Wide Shut“

Piktori juaj i dashur?

Van Ghog

Ngjyra juaj e preferuar?

Varet sipas gjëndjes

Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Atë që çmojnë të tjerët

Pija juaj e preferuar?

Vera

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Koha që kalon

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Mosmirënjohjen

Frika juaj më e madhe?

Fundi i oqeanit

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kur ato janë të bardha

Cila është motoja juaj?

Ji vetja

Si do të dëshironit të vdisnit?

Pa kuptuar

Po të ndodhte të takonit Zotit, çfarë do ju pëlqente t’ju thoshte?

“Më jep dorën“

Në çfarë gjendjeje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Pasigurie

“Në TK aktualisht me një dramë mbi emigracionin“

Po punoj me një rol në dramën e dramaturgut amerikan Artur Miller, “Pamje nga ura“, në Teatrin Kombëtar në rolin e Edi Karbones. Regjisori i shfaqjes është Albert Minga, ndërsa skenograf është mjeshtri i skenës Agim Zajmi. Vepra është varianti i punuar i autorit dhe trajton dramën e emigracionit

( të një komuniteti italian në SHBA në mes të shekullit të kaluar ). Vepra është dhe në ditët e sotme aktuale veçanërsiht për ne shqiptarëtdhe emigracionit tonë nëpër botë. Fatet e personazheve të dramës, problemet janë sa njerëzoreaq edhe tronditëse, deri në tragjizëm. Ndjehem mjaft mirë me kolegët e mi, aktorë si Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu dhe me të rinjtë Indrit Çobani dhe Olta Gixhari. Po punojmë me përkushtim për premierën, e cila do të jepet në 23 nëntor në Teatrin Kombëtar. Unë personalisht pas përvojës me “Stinë e mërzitshme në Olimp“ ku luaja rolin e Prometeut dhe të shfaqjes“Për një fjalë goje“ me kolegun Ndriçim Xhepa që u vlerësua si sukses nga shtypi dhe publiku kam përgjegjësi dhe një motiv më shumë par ta bërë rolin siç duhet. Është ndeshje e vështirë dhe si në çdo ndeshje është risku në mes dhe fitorja ose humbja shihen në fund.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora