E enjte, 14.11.2024, 06:37 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Unë dhe kanarina

E hene, 15.03.2010, 09:50 PM


Reshat Kripa

UNË DHE KANARINA

Në dritare të qelisë, kanarina kish qëndruar,
Këngë e saja melodioze, ëmbëlsi e mjaltëzuar,
Unë rrinja i mahnitur, këngën duke e dëgjuar,
Zemra ime njomëzake, u brengos e copëtuar..

Pse ky zog, ky zogth i bukur, nga kafazi kish  shpëtuar,
Të qetësonte shpirtrat tona, gjithë plagë të mbuluar,
Gjithë plagë të mbuluar, trup e shpirt të sakatuar,
Ndarë nga bota e madhe, në hapsanën e mallkuar.

M’u kujtua jeta ime, si e zogut sapo lindur,
Ëndërroja për lirinë, dita ditës duke pritur,
Që të ndriste, oh një ditë, që të zbardhte një mëngjes,
Të mos ecnim më mbi ferra, të jetonim plot me  shpresë.     

Porse shpresa ishte shuar, ferrat e kishin rrethuar,
Ëndrrat tona djaloshare, mjegulla i kish mbuluar,
Mua një djalosh i njomë, romantik, ëndërrimtar,
Më përplasi pa mëshirë, seç më futi gjallë në varr.

E vështroja kanarinën, po vazhdonte këngën bukur,
Nuk e di sepse dhe unë, ndjeva veten më të lumtur,
Dy, tri thërrime në dorë, po ia zgjas me dashuri,
Ajo fluturoi atje, cicëroi  ciu…..ci.

Mbylla dorën, mora zogzën dhe i putha bisht e ballë.
Përkëdhel puplat e saja, për çudi ndjeva një mall,
Një mall të madh për lirinë, për atë që më  mungonte,
Për atë që dridhte zemrën, lot nga sytë më lëshonte.
                
Ik o zog, zogëz e bukur, fluturo në qiell e lirë,
Qëndro larg nga kjo skëterrë, fluturo në botë të mirë,
Lerma mua errësirën, lermi prangat edhe lotin,
Qëndro larg nga botë e keqe, që mohoi edhe Zotin.

Kanarina fluturoi lart në qiell duke kënduar, 
Unë në qelinë time po qëndroja i menduar, 
Për çudi një ndjenjë tjetër, zemrën kishte gllabëruar,
Jam i lirë, thash me vete, prangat s’më kanë robëruar.




(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora