Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hije të mëngjesit...!

| E shtune, 13.03.2010, 06:55 PM |


E S E

Nga Sejdi BERISHA

STUDIMI I VETVETES OSE MATJA E JETËS ME HIJE TË MËNGJESIT...!

Sa herë që kam vendosur të shkruaj shkrime si këtë, në të njëjtën kohë i thosha vetvetes, epi fund gjërave të tilla, se nuk bën gjë nëse e përcëllon edhe më tutje vetveten dhe nëse e bezdis dikë me dhembje kaq të padurueshme. Por, menjëherë mendja më merr pezëm dhe ma detyron shkrimin. Sa shumë kënaqëm, atëherë. Çfarë peshe ka dhembja shpirtërore, pastaj!
... Mimoza është sugarja ime, e cila nuk besoj se merr frymë dot pa babain e vet,... pa mua! Sepse, gjithherë e përherë jetën e kemi pasur të lidhur, por, gjithashtu, përherë jetën dhe lumturinë e ka shikuar edhe përmes meje. Ajo, e di,... se tani ka ngelur me shikim kah Kosova e me fotografinë e prindit të saj që do t’i mungojë!
O, Zot! Sa vështirë është të jesh shkrimtar. Sa keq e tmerr për zemrën dhe shpirtin e tij! E tërë kjo më ngjanë në luftën e heronjve të heshtur. Për këtë arsye, ata edhe heshtin, ikin të pagojë, sepse,... zemra, mendja e shpirti u ngelet në tokën mëmë. Nëse jo kështu, atëherë, zemra e shpirti u mbetet edhe si shëtitës i mallkuar, pa vendlindje e pa atdhe. Kështu duken dhe kështu janë, heronjtë e heshtur...!

______________________

1.
Nuk di se kah t’ia filloj. Kah t’ia nisi. Ndoshta, do të ishte mirë që kësaj radhe, këtë shkrim të dhembjes ta filloj me një thënie të artistit kontravers, por edhe të njohur me karakterin specifik, Xhems Dinit: “Duhet jetuar shpejtë, sepse, jeta është e shkurtër”! Ky mendim, të cilin ma kishte cituar me afsh edhe një mik imi, të detyron të hapësh mendjen dhe të lërosh jetën cep më cep, edhe pse, ndoshta pastaj nuk do ta kesh asnjë dobi apo asnjë rezultat konkludimi. Por, ani. Në rrugëtime të tilla është mirë të pedatësh dhe as të përplasësh.
Isha në një orë letrare në një shkollë të cilën shpesh e vizitoj, kushtuar Ditës së Mësuesit. Në këtë manifestim modest, shkova për dy arsye. Një. Ngase, gjithnjë i kam dhënë për detyrë vetes që t’i përkrahi dhe t’i kurajoj krijuesit e rinj. Dhe, dy. Ngase, kohë më parë kisha marrë përsipër t’ia sajoj dhe përgatis poezitë për libër një nxënëseje. Ishte jetime, por e shkëlqyeshme në mësime. Babin ia kishin vrarë gjatë luftës në Kosovë. Dhe, në atë orë letrare, krijuesit e rinj me shpresa të mëdha e ëndrra lumturie, nga thellësia e zemrës recituan vargjet e tyre kushtuar mësueses dhe mësuesit, nga të cilët i kanë thithur rrezet e para të diturisë. Kënaqësi e madhe, ishte. E pa përshkruar. Por, atë kënaqësi ma shtrëngoi përreth qafës, sa desh mu zu fryma, vajza të cilës i kisha premtuar për t’ia “skalitur” vargjet për librin e parë të saj, në momentin kur mu afrua dhe duke më përqafuar, e futi dorën në xhep duke më thënë se i kishte mbledhur disa para për ta shtypur librin.
U shtanga, dhe të gjitha fjalët mu përthurën në fyt. E di, se vetëm i kam thënë: ta puthi syrin, o fëmija im! Dhe, çfarë nuk mu soll në mendje në ato momente. Fëmija i martirit nuk kishte para për botimin e vargjeve, për botimin e librit të parë të saj. Kurse, unë nuk kisha forcë t’i them asgjë, as t’i premtoj që të gëzohet për librin e parë!
Vërtetë,... e shkurtë është jeta...!

2.      
Ndonjëherë, dhembja dhe gëzimi aq mirë koordinohen në mes vete, sa të bëhet se gjërat e tilla janë sublimë e së mirës dhe e pajtimit të së keqes me lumturinë...! E thash këtë, sepse, mu kujtua se edhe tash, ditë për ditë kalvari i zbrazjes së Kosovës po e rëndon amanetin e të gjithë atyre që u flijuan për liri, për jetë të lumtur, për punë e kënaqësi, për shkollim e dëfrim. Kjo, është edhe sot bukë e përditshme, do të thoshte dikush. Jo besa dikush, por kështu thoshte e thotë shumëkush.
E, buka e përditshme, kush beson, se, edhe sot sa shumë mungon?! Buka e gojës, e cila rrudhë mendjen dhe mund ta thyej edhe moralin, ta varros lumturinë e njeriut,... edhe të familjes. 
-Jam mbetur si qen! –thotë njëri që kishte luftuar për lirinë e tokës dhe të njeriut. Këtë e thotë botërisht në një prej TV-emisioneve, kurse unë dot nuk u besoj veshëve të mi. Sepse, e rëndë është kjo,... e dhembshme, therëse,... e pabesueshme,... fyese! 
Në këtë amulli mendimesh, krejt pa lidhje mu kujtua se para do ditësh kisha lexuar se si një dele e kishte lindur qengjin me kokë njeriu! Ky kuriozitet i pabesueshëm, ta thyen mendjen, t’i rrënon urat dhe t’i shtrembëron rrugët e jetës. Atëherë, ec e mos e luhat mendimin për njeriun,... ec e mos e lëndo shpirtin për dilemat, mashtrimet, mosbesimet dhe për tradhtitë e marritë, të cilat, gjithherë shndërrohen në barriera, barrikada e në sfida për ta fisnikëruar idealin dhe për ta trimëruar guximin e njeriut për rrugëtimin e ndershëm. 
Andaj, hajt e zbërtheje këtë lindje të qengjit me kokë njeriu. Në këtë rast, kë duhet lavdëruar e kë akuzuar për këtë paradoks, apo për këtë vaki?! S’ka se si t’i dilet matanë çështjes së tillë. Por, të gjitha këto sikur detyrueshëm ta imponojnë nevojën e studimit të vetvetes! Mirëpo, kush ka guxim ta bëjë këtë. Kush është çmendur të merret me këtë problematikë... A, është i mençur apo budalla ai i cili i qaset kësaj mrekullie. Edhe për këtë, vështirë se mund të merret vendimi por edhe t’i gjendet zgjidhja. A, ta marrim një nisjativë për këtë?! Po më duket se askush dot nuk e vranë mendjen për një aventurë të tillë, bile, as për ta thënë as më të voglën fjalë...!

3.
Është interesant, se nganjëherë, në të njëjtën kohë ndodhin fatkeqësi apo edhe çudira mbase edhe gjëra të mira. Por, këto të fundit më rrallë! Sivjet, çrregullimet e natyrës ishin më të shpeshta. Ani, për fat të keq, ato gjëra i godasin vendet më të shkreta, më të varfra. Krejt e padrejtë është, kjo. Por, e padrejtë dhe jo e mirë është edhe mos harmonia e njerëzve, shkapërderdhja, ndarja, mospajtimi,... të cilat, njeriut ia shtojnë dhembjet dhe mallin për dashuri. Njerëzit, kështu e ndjejnë etjen për ngrohtësi...
O, Zot! Çfarë koincidence. Mu tani, nga aeroporti i Prishtinës u ngrit aeroplani me udhëtarë, në mesin e të cilëve është edhe vajza ime, Mimoza së bashku me dy fëmijët e saj dhe me bashkëshortin. Ajo, mori botën në sy për të gjetur një grimë sigurie për punë e bukë. Sa më dhemb kjo, o Zot!. Ani, Mimoza është sugarja ime, e cila nuk besoj se merr frymë dot pa babin e vet,... pa mua! Sepse, gjithherë e përherë jetën e kemi pasur të lidhur, por, edhe po ashtu, përherë jetën dhe lumturinë e ka shikuar edhe përmes meje. E di,... se ajo tani ka ngelur me shikim kah Kosova e me fotografinë e prindit të saj sy, që do t’i mungojë!
Për këtë shpartallim shpirti, kë duhet mallkuar,... kë duhet gjykuar?! Ajo, prej tash e ka zbrazësinë dhe dhembjen më të madhe të shpirtit që njeriu mund ta ketë ndonjëherë, e cila tani e bartë përmes këtij udhëtimi. Por,... ku do të jetë stacioni i ndaljes. Ku do të ndalojë dhembja e malli i saj me dy fëmijët, të cilëve, prej tani do tu mungojë edhe vazhdimësia e lojës me lodra, të cilat s’do ta kanë më aromën e vendlindjes,... do tu mungojë edhe zëri e babushit!
Ma gërryejnë mendjen zbrazjet dhe largimi nga vendlindja i qindra mijëra të rinjve shqiptarë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Pse, kjo lëkundje kaq e tmerrshme dhe e padrejtë e popullit tim. Pse, kjo padrejtësi?!
O, Zot! Sa vështirë është të jesh shkrimtar. Sa keq e tmerr për zemrën dhe shpirtin e tij! 
E gjithë kjo më ngjanë në luftën e heronjve të heshtur, në luftën e atyre që skajshmërisht e kanë dashur dhe e duan atdheun, tokën e gjyshërve. Për këtë arsye, ata edhe heshtin, ikin të pagojë, sepse,... zemra, mendja e shpirti u ngelet në tokën mëmë. Kjo dashuri nuk i lë rehat askund,.... as në varr. Nëse jo kështu, atëherë, zemra e shpirti u mbetet edhe si shëtitës i mallkuar, pa vendlindje e pa atdhe. 
Kështu duken dhe kështu janë, heronjtë e heshtur...!

4.
Vetvetes ia shtrova pyetjen, se, cila është zonjë më e rëndë; ajo e oborreve mbretërore, ajo e kabineteve, ajo e zyrave, apo ajo zonja e rrugëve,... ajo lypsja?! Për këtë pyetje më kishte provokuar plaka, e cila shpeshherë kthen në kafeteritë dhe restorantet e qytetit për të kërkuar ndonjë cent për kafshatën e bukës.
Një ditë, e kishte zgjatur dorën plotë rrudha kah unë:
-A, i keni dhjetë centë?!
-Jo, zonjë. Asnjë cent nuk e kam për ta dhënë! –i thash sertshëm, kurse ajo rrudhi krahët dhe sikur i shkoi buza në gaz, sepse, fjalën Zonjë drejtuar asaj, kurrë nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë dhe, besoj se kurrë as nuk do ta dëgjojë dhe as deri tek varri. 
Posa kishte dalë në rrugë, ishte ndalur dhe me zë kishte thënë:
-Unë,... zonjë?!!
Ky monolog i saj, sikur përbënte atë lëngun e thatë të kuptimit të thjeshtë filozofik. Por,... pse edhe kjo grua nuk mund të jetë zonjë. Së paku, zonjë e rrugëve. Apo, jo?! Ka zonja e zotërinj të rrugëve. Ata, bile janë ambasadorë të shoqërisë! Ata, janë zonja e zotërinj të vërtetë, sepse, e respektojnë çdo pëllëmbë rruge e toke që e shkelin, edhe pse, nganjëherë e shkelin me këpucë të përbaltura, të mbushura me atë baltën e vuajtjes dhe të dhembjes. E, balta e dhembjes, jo vetëm se dhemb, por ka tingull e zë, të cilin nuk di kush as ta deshifrojë...! Kjo është filozofi, apo jo?!
Edhe tjetra. Një ditë, bora e kishte rënduar atë lisin e vjetër, i cili sikur rri me zor lëvarë në qendër të qytetit, dhe sikur degët ia kishte lodhur tej mase. Prandaj, më shkoi ashtu vetvetiu ndërmend, se sikur të fliste edhe me gojë ky lis, i cili e fsheh historinë pa fajin e vet, do ta bënte këtë rënkim, që unë po e radhis në trajtë poezie: Borë,/Pse m’i rëndon kaq shumë degët e mia,/Që tërë decenieve kanë lëshuar shtat frikshëm,/Asnjëherë barra nuk mu hoq as nga zemra,/As nga shpirti,.../Sa rrugëtar i përhershëm,/Si pelegrin i heshtjes dhe i misterit.
Kjo është ajo, që desha ta them edhe unë...!

5.
Dera dytësore për bisedime dhe pajtimi kombëtar?!... Këtë shprehje, më ka rënë ta dëgjoj para disa kohësh. Por,... ky vajtim, nëse mund të thuhet kështu, kisha për të thënë se popullit kurrë nuk i është hequr qafet. Pse, është kështu,... e pse është kështu! 
Çfarë marrie: pajtimi kombëtar... Më duket se nuk gaboj, nëse them se qysh kur jam bërë për të ditur diçka për vetveten time, shprehjet: pajtimi kombëtar dhe mospajtimi kombëtar, ma kanë rrahur e çmendur mendjen, ma kanë trembur historinë, ma kanë ligështuar këngën,... ma kanë mallkuar rrugëtimin.
Flasin e komentojnë njerëzit për rrugëtimin kombëtar, bisedë kjo e cila sikur vjen e gjithnjë merr vlim më shumë, merr frymë së prapthi tash e një shekull, mbase edhe më përpara, dhe ende nuk u rehatuam. Në vend se këto biseda t’i zhvendosim në sanimin e rrugëtimit  drejt të së mirës dhe arritjeve botërore, dëgjojmë bisedën për votimet e qershorit të vitit kaluar, si vota të “dy” popujve(!). Dhe, kësaj, në një debat televiziv, si mahi, si ironi, njëri ia mbathi edhe këtë: Ani! Edhe shqiponjën e kemi me dy koka! Po, po... ironi!
Kurse, mësuesin në prag të pensionimit, e dëgjoj duke thënë:
- Tash, për asgjë nuk kam vullnet! –kështu belbëzon mësuesi i cili dyzetë vjet i ishte përkushtuar mësimit për t’i ngjeshur e begatuar gjenerata e gjenerata me dituri! Çfarë mallkimi është ky,... i cili, sikur ma shemb edhe jetën time...! 
Pastaj, radhiten edhe gjëra të tjera. Por, jo jo! Nuk e di a është kështu, vetëm se nganjëherë më bëhet se gjërat, por, edhe jetën e masim me hijen e mëngjesit...!