Kulturë
Portret i Viktor Gjokës në liri
E diele, 28.10.2007, 07:14 PM
Nga Dhurata Hamzai
Ndërroi jetë,dje në Romë, aktori i shquar Viktor Gjoka. Kineast e aktor i madh, u lëndua megjithatë rëndë nga diktarura komuniste, duke u internuar në një fshat të Tiranës ku ai duhet të vuante dënimin. Gazeta “TemA” boton rrëfimin e tij të fundit të derdhur në një portret.
Kush është Viktor Gjoka, kemi pyetur shpesh për të. “Eh Viktori..!” Dhe miqtë e tij më të vjetër kanë harruar të na japin përgjigje. Kanë buzëqeshur sikur të kenë patur parasysh hijen e tij, e ndërkohë kujtimet e brendshme i kanë bërë të jenë të paqartë. “Eh, Viktori..! Sa i madh që ishte Viktori, sa i talentuar, sa i mirë që ishte Viktori”. Pastaj kanë folur aq pak për vuajtjet e tij të shumta. Kanë heshtur. Kanë rikujtuar më pas rolet, mbresat, batuat, famën, dhe përgjigjen se kush ishte Viktor Gjoka edhe nga miqtë e tij më të ngushtë nuk e kemi marrë dot. Na kanë thënë se u detyrua të arratisej para 90’ës në Itali. Portret më retorik se ky nuk i kanë bërë ndonjë artisti. Pse iku në Itali më pas, pse e dënuan më parë. Si ndodhi. Të gjitha përgjigjet janë të paqarta, sepse janë pleksur me kohën e çuditshme që jetuam, por edhe me temparamentin impulsiv të tij. Viktor Gjoka ka ardhur këto ditë nga Roma në Tiranë. Është vështirë ta shkëputësh nga miqtë dhe është lehtë të dëgjosh me orë të tëra duke biseduar me ta. Qenka me të vërtetë fat i madh ta njohësh nga afër Viktor Gjokën..! Është aq ekspresiv, sugjestionues dhe artist në biseda. Në tavolinën ku mund të jesh ulur me të jeton aq shumë situata të improvizuara, saqë do t’ja kalonin pa frikë regjisë së një teatri postmodern. Reciton pjesë teatrore, improvizon kujtimet e jetës së tij nëpëmjet një aktrimi brilant dhe humori tepër fin. S’është çudi që historia e vërtetë e jetës së tij të nis kështu: “Atëhere më dërguan në Bërxhit. Më pas më lanë edhe pa punë. Buka m’u mbarua. Kur kisha pak e ndaja me një maçok që mbaja në dhomë. Kur më mbeti vetëm një copë, mendova “O maçoku, o unë” dhe e fsheha kafshatën e fundit të bukës në xhep…” Të qeshësh me vuajtjet, me fodullëkun e një regjimi që të ka prerë krahët, që të vrarë shpirtin, e të duash prapë jetën, ta sfidosh atë dhe edhe kur të jesh afër të ’70- tave duke rrezatuar prapë energji, gëzim, dashuri për artin, për njerëzit, është një dhunti më vete. E unë njeriu kushdo qofsha para këtij artisti pësoj në vetvete një katarsis energjik. Energjia është përsosur brenda tij. Sapo ka ardhur në Tiranë dhe kërkon diçka ta ndryshojë: “Më vjen keq që artistët i shoh si të çorganizuar”, thotë duke kujtuar dikë që dikur shkëlqeu... “Unë nuk e kuptoj pse ndiqet një politikë e tillë. Respektohen më tepër të huajt dhe unë për çudi shoh shumë nga gazetat tona që flasin për ta me shumë superlativa, kurse artistët tanë që kanë dhënë një kontribut shumë të madh harrohen. Sikur ka një lloj xhelozie këtu, një lloj sfumimi”. Gjoka e nuhat menjëherë pavëmendjen absolute të qeverisë ndaj artit. “Si e keni vuajtur ju vetë gjatë kohës që keni qenë në Shqipëri, xhelozinë ose sfumimin?”, e pyes. “Unë e kam vuajtur shumë indiferentizmin shtetëror. Kanë qenë kolegët, aktorë që më thonë “sa bukur e ke luajtur këtë gjë”, “sa bukur ke qëlluar në këtë rol” dhe me një sy kritik të vëmendshëm tregojnë detajet e filozofisë sime të aktrimit. Po unë vi këtu pas kaq vjetësh dhe shoh që rivihet “Karnavalet e Korçës” në skenë. Po ky Viktor Gjoka që është akoma i gjallë dhe këta nuk po kujtohen për asnjë gjë. Nuk më vjen se këta thonë “Eh, po punë e madhe se këtë do ta harrojmë. E ç‘ishte ai hiç”. Por puna është se çështja e dashurisë për kolegun, për aktorët duhet t’ju bierë ndër mend edhe këtyre njerëzve, sepse kultura e një populli qëndron mbi supet e këtyre njerëzve. Ah sa shpejt që gjejnë këta politikanët mënyra të xhvasin, të ngrenë pallate, të zhvillojnë biznese të mëdha, po për artistët pse nuk duan të ivenstojnë”, thotë Viktori i nxehur. Ja aktori i njohur Roland Trebicka kur do të luante rolin e Nikollaqit tek “Karnavalet e Korçës” si model brilant pati marrë parasysh Viktor Gjokën. “Kujtoj se para 40 vjet?sh këtë rol e kanë luajtur aktorë të shk?lqyer, si një nga aktorët më fantastik të komedisë, Viktor Gjoka” ka thënë ai.
Filmi për luftën dhe miqtë e preferuar
“Me Gjokën do të bëjmë një film që ka lidhje me luftën”, thotë operatori Ilia Tërpini. Bëhet fjalë për një nga çastet historike që nuk dihet pse është anashkaluar nga regjisorët tanë kur e kanë trajtuar këtë temë. Italia fashiste kapitulloi dhe një një pjesë e mirë e italianëve u bashkuan me shqiptarët, siç u formua batalioni “Antonio Gramshi”. Ky batalion luftoi krah për krah me partizanët shqiptarë. Mirëpo shumë nga këta italianë jetojnë sot në Itali dhe ruajnë kujtimet më të mira nga kjo periudhë. Ruajnë kujtime nga mikpritja e popullit shqiptar që i strehoi se gjermani po t’i kapte i vriste, por edhe kujtime nga lufta me partizanët se kanë luftuar krah për krah. Ka shumë raste që shqiptarët kanë shpëtuar jetën e italianit dhe janë vrarë vetë. Kështu që Viktori së bashku me Mark Doganin, përsëri me grupin e filmit të parë “Tirana në Europë” dhe me operatorin Tërpini në krah, mikun e tij më të mirë, janë në hapat e para të kësaj pune. “Filmi i dytë që mendojmë pasi të vëmë në vijë këtë është “Kanina”, një film me episode jashtëzakonisht të forta. Është një fshat i Vlorës që ka tradita si Shkodra, Gjirokastra, Berati dhe ka një kala shumë të bukur dhe shumë të fortë. Kemi vajtur e kemi vizituar. Perveç kalasë ka njerëz shumë të mirë që jetojnë atje dhe ruajnë kujtimet e asaj kohe. Skënderbeu është lidhur me kalanë dhe me këtë popull duke marrë gruan nga Kanina, Donikën”, rrëfen Ilia Tërpini planet e tjera të përbashkëta. Ndërsa Viktor Gjoka na tërheq me nervozitet vëmendjen për operatorin e njohur. Ai e ndjen se, ky njeri që punon kaq shumë në Shqipëri, nuk vlerësohet sa duhet. E di këtë “zakon vendas”. E ka pësuar vet më parë. Ndryshe është vlerësuar në dhe të huaj. Duke folur për projektet e tij të afërta thotë kështu për ortakun e tij Ilia Tërpini: “Ky është shoku im më i afërt, artisti Ilia Tërpini me të cilin unë kam bashkëpunuar vitet e fundit në “Tirana në Europë”. Unë kam kuptuar forcën magjepëse të këtij operatori të madh, i cili nuk është vetëm i gjinisë të operatorit, por hyn në dimensione më të forta dhe më të mëdha edhe në mënyrën e regjizurës. Pra mund të them që të tillë artista me vlera, jetojnë akoma dhe duhen vlerësuar, sepse për të tillë ka nevojë Shqipëria”.
Ilia Tërpini e kujton kështu gjithmonë mikun e tij
“Që kur Viktori u kthye nga Bashkimi Sovjetik, kishte gjithë ato energji. Kishte studiuar për regji dhe për aktor. Erdhi dhe kontaktet e para i kam patur me Viktorin. Vetitë e tij unë i pashë të realizuara në shfaqjet e bukura që ka dhënë Viktor Gjoka në Teatrin Popullor. Sot e kësaj dite, të gjithë mbajnë mend si ka qenë ai tek “Karnavalet e Korçës”, te “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, “Revizori” i Gogolit e shumë role të tjera. Me ne u lidh kjo miqësi që në atë kohë. Më vonë Viktori, kur arriti kulmin, u bë edhe “Artisti i Popullit” u ndëshkua, megjithatë shpirti i tij nuk u shkëput asnjëherë nga lëvizja artistike sepse edhe atje ku vajti, në fshat ai punoi, organizoi grupe artistike dhe mori edhe çmime të para në festivale”. Më vonë Viktori nga situata e keqe që ishte në Shqipëri u arratis në Itali. Aty nuk mund të rrinte dot pa shprazur atë energjinë e tij artistike dhe foromoi shoqatën “Dea”. Me këtë shoqatë ai ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, sepse ka afruar gjithë artistët shqiptarë që punojnë atje dhe sa herë që kanë vajtur për vizitë personalitetet e vendit si presidenti Meidani dhe Moisiu ky ka dhënë shfaqje. Pra, nuk ka vonuar që t’i mahnisi edhe italianët gjatë qëdrimit atje me punët e tij, energjinë, sfidën. “Viktori interpreton shqip, italisht, greqisht, interpreton në katër- pesë gjuhë” thotë Ilia Tërpini. Ai për sa i përket interetimit është një nga aktorët e rrallë shqiptarë që akoma nuk ia dinë vlerën këta të rinjtë, por së shpejti do tja dëgjojnë bëmat pas filmit “Tirana në Europë”, shton ai për filmin që ka bërë së bashku me Viktorin. Vetë Gjoka ka zbuluar nënshtresën e këtij njeriu të qetë, punëtor që tërë jetën e tij ka rendur me aparatura në krah, aparat në gjoks dhe e ka lidhur jetën e tij me filmin shqiptar. Por, “vlerësoheni ju këtë artist!”, thotë Viktor Gjoka. “Ilia ka dhënë një kontribut në filmin “Kapedani”, që janë filma fondamentalë dhe kanë ç’të thonë dhe për të kaluarën. Edhe pse disa janë filma shumë skematikë, filma që nuk shfaqin të vertëtën, lëriani kohës ti gjykoj. Mos gjykoni artistin. Ja tashti zhvillimi i kinematografisë në botë, bëhet me gjëra të sofistikura, të përpunuara, më të vërteta. Do zoti i hapet rruga edhe vendit tonë. Shoh këta të rinjtë që po përpiqen” thotë ai. “Mendoheni Ilian që ka punuar në kushte primitive vite të tëra. Vlerësoheni Ilian. Kultura duhet ndihmuar, artistët duhen respektuar, jo vetëm me anën morale, por edhe me anën materiale”.
I talentuar nga se; nga filozofia e tij për jetën, apo filozofia e brendshme e aktrimit?
“Filozofia ime e brendshme është kjo që aktori ka bërthamën e tij në figurë. Ai aktor që e sheh figurën që luan nëpërmjet forcës së genit të tij, krijon figurën e pangjashme me figurat e tjera. Arti i vërtetë bëhet atëhere kur artisti zbërthen tek vetja e tij figurën që ai do të luaj”. Viktori flet e flet duke shpërthyer me atë genin energjik të njeridashjes, jetëgjallimit, sfidës. Gjoka endet në kujtime të gëzueshme: “Tek “Karnavalet e Korçës” konkretisht askush nuk mund të besonte që unë mund të sillja një Nikollaq Jorganxhi të realizuar, sepse nuk e njihja dhe korçarin shumë. Por duke studiuar nëpërmjet historisë, natyrat e tyre arrita që të futem në lëkurën e këtij tregtari, i cili bënte hesap edhe kur bëhej fjalë për fëmijën e tij”. Me lot në sy, duke parë nga Teatri Kombëtar kujtimet e tij e humbasin ekulibrin. I sillen përpara të gjitha. I duket sikur nga dera e TK sheh oborrin e shtëpisë së tij. I kujtohet roli tek “Fytyra e dytë” i Halil Shkozës; “na kënaqe me muhabet o Muhamet”, ose “Po vajza, ku do të punojë, more kushëri?”. “Në ministri, në ministri” thotë Kadri Roshi me mënyrën e tij” . Viktori nuk i ndan sytë nga ajo ndërtesë dhe vazhdon të përgjigjet për atë që e pyetëm filozofinë e aktrimit “Mishërimi i figurës kërkon të marrin pjesë gjithë forcat brendshme të aktorit ai të bëhet një trup. Ai krijon figura të tilla të paharruara dhe unë kam kohë që kam ikur nga Teatri. Sot shoh që populli s’më paska harruar. Më kujtohte dje në këtë rrugën aty, një profesor më tha. “Viktor Gjoka, je i paharruar”.Ai më mbante mend me “Rrëshqitjen” e Besim Levonjës që unë e kisha harruar vet. Disave edhe një rol i vogël do t’u dukej shumë i spikatur. Më kujtohet në “Majlindën” e Xhemal Brojës. Më kishin ndëshkuar atëhere në teatër që të mos luaja role të mëdha. Unë luaja rolin e një infermieri dhe atje ndodhi ajo që s’pritej. Një kritik polak në vend që të shkruante për ata të tjerët që luanin role kryesore shkruajti për figurën e infermierit duke krahasuar Gjokën me Aleksandër Moisiun”.
Rol më i dashur jo, i dashuruar me rolet
“Nuk kam asnjë rol që s’është i dashur për mua. Për kë të them që s’është i dashur, për Pristandën e Karaxhalës që s’është i dashur. Ku shpërthente populli me duartrokitje e ovacione. Është figura tek “Një letër e humbur” e shkrimtarit të madh rumun. Si mund t’a harrojë Pristadën, si mund ta harroj unë “Shërbëtorin e dy zotnive” të Karlo Gordonit. Si mund të harroj Revizorin e Gogolit e “Banjën” e Majakovskit. Si mund të harrojë Ivan Ivanoviçin e Majakovskit me një çantë në krah që përshkruante biografinë. Po të më donte roli në kohën time nuk do të isha lavdëruar unë tashti. Unë bija në dashuri me rolet.
I dënuar për dashurinë
Komedia dhe dashuria ime. Dy gratë e mija të mira. Dënimi pse mora një nuse 23 vjeç më të re. Dhimbja për gruan që ndava dhe fëmijët.
Viktor Gjokën, jo vetëm që e dënuan dje, por po e lëndojnë prapë sot, duke përmendur martesën e tij të dytë shumë më tepër se veprat që ai bëri. Dhe kjo gjë ngjet për shkak se për të rinjtë e sotëm është shumë e çuditshme që të dënohesh për ndjesitë që ke kundrejt një personi, pavarësisht nga mosha, profesioni apo gjendja civile e tij. Të rinjtë shqiptarë sot janë shumë liberalë. Kur Viktor Gjoka ra në dashuri me Elenën, gruan e tij të dytë, nuk ishte aq i lirë sa këta të rinj. Të qenit të dashuruar në atë kohë ishte një vuajtje shpirtërore për të dy bashkëshortët. Viktori ishte i martuar dhe Elena ishte një vajzë shumë e re që u josh nga temparamenti i artistit. Dhe ndodhi ajo që ndryshoi menjëherë fatet e këtyre njerëzve. “Kjo ishte komedia dhe tragjedia ime. Njeriu bie në dashuri si në një gropë të errët dhe shikon nga të kapesh dhe të dalësh sipër. Por unë mbeta brenda dhe nuk dola dot”, thotë Viktor Gjoka. Për të në atë kohë u mor masë ndëshkimore që të punonte në uzinë. Pasi mendoi se do të ishte i mjaftueshëm dënimi që kishte marrë për martesën me Elenën 23 vjeçe më të re se ai, shkon të bisedojë me një njeri me përgjegjësi në atë kohë për t’u kthyer në teatër. “Ah, more Viktor Gjoka, ç‘na bëre”, i thotë ai. “Pse na e bëre si lopa more? I dhe një shkelm kusisë dhe na e derdhe qumështin”. “Po unë qumështin e derdha, i thotë Gjoka, por të na rrojë lopa, se lopa bënë tjetër qumësht”. “Ah, për këto je i zoti ti, po do ta vuash këtë që ke bërë”. “Pse kapeni me mua që mora një nuse të re”, i thotë Gjoka. “Unë e bëra këtë mëkat. Po Babë Myslymi...?! (pseudonimi i Myslym Pezës, udhëheqës komunist). “Pse, ore, Babë Myslymi je ti?!”. Nxehet pushtetari dhe i bie tavolinës me grusht. Fill pas kësaj nisi një fushatë ndëshkimi për “moralin” e Viktor Gjokës edhe pse koleget e tij në teatër deshën ta mbrojnë duke u shpjeguar se ai asnjëherë s’ju është dukur i pandershëm. “Ne flemë me Viktor Gjokën dhe s’kemi frikë!”, kanë thënë ato për të. Viktori i trajtonte koleget me shumë respekt. “Unë i kisha të gjitha shoqet e mia, i ndihmoja dhe i trajtoja si motra”, thotë. Për Viktor Gjokën të biesh në dashuri është një gjë e rrallë, për të cilën edhe vuajtjet ia vlejnë. “Dashuria është jeta, thotë ai. Por çdo gjë ka kohën e vet. Dashuria të përtërin. Është e vërtetë. Por dashuria edhe të dhemb. Është një dhimbje e madhe. Unë kurrë nuk desha të ndahesha me gruan dhe fëmijët e mi. E kam thënë dhe po e them prapë: Ish gruaja ime ka qenë dhe është edhe sot zonjë mbi zonjat dhe akoma unë ndiej dhimbjen e saj dhe nuk e harroj si atë, si fëmijët e mi. Por unë nuk mund të harrojë edhe këtë të dytën që kujdeset dhe ndien një dhimbje të madhe për mua. Se gjithë hallet që kalova më pas i vuajtëm bashkë. Dhe kush e duron një aktor si unë?!”. Viktor Gjoka mendon se pikërisht ajo skenë nga ku interpretonte e ka bërë Elenën që të binte në dashuri. Elena ndiqte me pasion interpretimet e tij. Viktori i dukej vajzës njeriu më fantastik në botë. Atëherë ajo ishte nxënëse në shkollën e mesme. Drejtori i Teatrit Kombëtar në atë kohë ishte Riza Hajro. Vajzat e shkollës së mesme vinin në oborrin e teatrit dhe nguteshin të takonin idhullin e tyre aktorin Viktor Gjoka. Ishin të reja dhe nuk kishin droje. “Eh, more Riza, i thotë një ditë drejtorit, ç’tu bëjë unë këtyre”. “E shoh, e shoh, po ti mbahu Viktor, mbahu! Ti duhet të ruhesh nga ato”, i thosh ai. “Unë mbahem ore, qeshte Viktori, po s’mbahen këto”. “Eh! Këtu morën punët ters, se ato s’mbaheshin dhe unë rashë brenda”, thotë Viktori me humor.
Në Bërzhitë
Në një fshat të Tiranës ai duhet të vuante dënimin. Nuk do të lejohej asnjë lloj luksi për aktorin e famshëm të kohës. Mendohej se në gjirin e “klasës punëtore” ai do të edukohej me normat e shoqërisë komuniste. Komunistët nuk harronin edhe ta kontrollonin herë pas here. Shkon në Bërzhitë drejtori i teatrit, Riza Hajro, dhe një përfaqësues nga Komiteti i Partisë. Viktori edhe atje në fshat mundohej të punonte me grupet artistike. “Urdhëroni që të shihni punën që kam bërë”, u thotë atyre. “E dimë, e dimë punën që ke bërë ti”, i thonë ata. Ne kemi ardhur për ty këtu. Viktori po punonte në fushë atë të dielë, sepse ishte një nga ato aksionet vullnetare të kohës së diktaturës. Si përgjegjës i kulturës duhej të bënte “Emulacionin Socialist”. Kishin ardhur edhe disa të tjerë nga Tirana. Viktori u mundua t’i përshëndeste, por asnjeri nga ata nuk i ktheu përgjigje. Atëhere ai kthehet dhe u thotë, “Si u duket kjo punë që kam bërë?”. “Ti bënë mirë që të rrëmbesh atë bishtin e kazmës dhe të fillosh të gërmosh atje”, iu hakërrua njeri nga komunistët e Tiranës. “Pse kështu?!”, u tha Gjoka. “Atje!, iu hakërrua ai egër, atje të gërmosh, jo të rish me këtë aparatin që më ke varur në qafë” dhe gërthet sa ta dëgjonin të gjithë rreth e rrotull. Viktori lëndohet rëndë dhe u thotë, “Dëgjo, unë do t’ju them një fjalë, por mund t’ju vijë rëndë juve”. “Po ti, more qen bir qeni, kush je ti që i thërret Viktor Gjokës kështu”. Dhe fjalët e pakontrolluara të thëna me një guxim të çmendur ngritën krye. “Prit, prit, vazhdoi Viktori i zemëruar dhe i papërmbajtur të të bëjë edhe një fotografi meqë kam aparatin dhe të të ruaj si kujtim. Ku do të vesh ti, more qen bir qeni. Prit, prit, çdo të të bëj, se unë një jetë kam!”. Gjithë qenia e tij dridhej nga nervozizmi fatal. Të gjithë kishin mbetur të habitur. Drejtuesi i nxjerrë përpara shoferin për ta kërcënuar, i cili ishte njëherësh edhe sekretar i Partisë. “Qërohuni!”, u bërtet atyre Gjoka, duke u ndjerë në atë moment i rrezikshëm për të pranishmit. “Pritmëni, more pritmëni, pse po më ikni?!” u ka bërtitur nga pas komunistëve. Ata kërcasin e ikin. “Mirë, ua bëra unë atyre, po ku do të futem unë i mjeri tani”, mendonte me vete. “E kisha mirë bodrumin ku banoja në Bërzhitë”. Viktori po mendonte se nuk kishte më kthim mbrapa, e ku do ta më çonin më keq. Kthehet tek banesa-bodrum dhe i thotë Elenës për incidentin fatal. Ajo mundohej ta qetësonte. Zhurma u bë e madhe dhe kur Gjoka rrëfen këtë histori fillon të interpretojë karakterin humoristik të sekretarit të Partisë në Bërzhitë që i mbahej goja. Për një fije peri shpëtoi nga një ndëshkim më i rëndë. “Do të arr-arrestojnë, more. Pa, pa ma thu-thuaj bio-biografinë... Epo mirë, mirë, s’paske bio-biografi të keqe. Bo, bo! Ç‘bëre kështu mor Viktor...?! Ja kështu shpërthente Viktor Gjoka kur i rrëmbyen skenën, duke thelluar dramën e jetës së tij. Kanë bërë një mbledhje të madhe më pas me tërë fshatin për ta ndëshkuar më tepër, por këtë herë artistit fjala i ka zënë vend, duke rrëfyer me sinqeritetin e tij dramatiko-komik se kush është Viktor Gjoka. Edhe pse u end kaq gjatë drama e jetës së tij, Viktor Gjoka u bë për fshatarët e Bërzhitës njeriu më i dashur, dhe ai do ta quante këtë fshat të Tiranës vendlidja ime e dytë, ndërsa e para do mbetej shumë larg, në Jug. “Mirë tragjedia që më kishte ndodhur, por unë doja që një pjesë të jetës që më kishte mbetur ta jetoja”, thotë Gjoka. “Unë doja t’i kthehesha teatrit. Kisha mall për të. Më 1990, ja Artur Zheji, që unë sot e përshëndes me gjithë zemër dhe e quaj si një nga drejtorët më progresivë të RTSH-së, dhe që për mua është një nga penat më me vlerë, dëgjon nga goja e nënës së tij, aktores Besa Imani, për jetën time. Edhe pse Arturi s’më kishte parë në skenë, i nisur nga ato që kishte dëgjuar, ngulte këmbë që unë të kthehesha në teatër. Ai këmbënguli dhe unë vendosa të vi. Më kishte marrë malli, por u deziluzionova se më vunë në skenë si dublant. Për mua dublanti është rol përgjysëm. Unë doja një rol vetëm, sepse dy gjysma siç e kishin parashikuar ata do të binim në reminishenca. Ky është zhgënjimi i fundit i Viktor Gjokës për të pasur një rol të madh, pasi ia rrëmbyen njëherë skenën. Iku përtej detit dhe atje në Romë bënë projektet e tij si regjisor shqiptar. Është duke nisur zhirimet e para për filmin “Kanina”. Me grupin e vogël të xhirimit do të udhëtojë drejt Vlorës, duke zgjuar nga gjumi kalanë e lashtë të Kaninës.