E enjte, 14.11.2024, 06:36 AM (GMT)

Editorial

Naser Aliu: Vëllazëria me Turqinë

E shtune, 06.03.2010, 06:59 PM


Vëllazëria me Turqinë

Nga Naser Aliu

Me çdo shkrim që shkruaj paraprakisht e di se dikush mund të mos pajtohet me mënyrën se si mendoj, si gjykoj, si i shoh apo shqyrtoj dukuritë dhe shfaqjet në shoqëri. Për këtë qëndrim herë pas herë më dërgohen email dhe me kërcënohen. Më shajnë dhe me dërgojnë propagandë fetare, duke sharë një fe dhe duke ngritur tjetrën! Sa herë që më shajnë dhe kërcënohen, unë kuptoj se qëndrimi im është i drejte. Këtë ma bëjnë të qartë disa shkrues me mënyrën se si artikulohen.

Ofendimet nuk vijnë nga opionist apo intelektual të mëdhenj shqiptarë( unë mendoj si ata apo ata pajtohen me vështrimet e mia); sharjet dhe kërcënime vijnë nga njerëz, që nuk i njoh as për nga veprimtaria kombëtare, as për veprimtari intelektuale.

Unë mendoj ndryshe nga këta të fundit.

Ky jam unë, i mirë apo i keq, dhe lexoj me kënaqësi mendimin, qe është ndryshe nga i imi. Dua vazhdimisht të mësojë dhe t´i korrigjoj mendimet dhe nëse më janë shndërruar në ide fikse pa dijen time, pranoj faktet e reja, vetëm faktet dhe ndryshoj gabimet eventuale. Mjafton t´i përmbahen rregullave të mirësjelljes dhe të polemizohet. 

Sa i përket Turqisë, nuk mendoj se populli turk është i egër, por mendoj se është ndryshe nga ne dhe në aspektin e qytetarisë jemi disa dekada para tyre, kurse Qeveria e sotme turke, në kohën e fundit po përpiqet vetëm në bazë të një njësojshmërie, t´i fshijë 99 dallime tjera. Dallimet na bëjnë neve komb me identitet. Nëse jemi shqiptarë nuk jemi vëllezër me ta. Nëse jemi vëllezër, nuk jemi shqiptarë, por turq.

Vëllazëria ekziston vetëm në bazë të gjakut, por jo në bazë të bindjeve: ideologjike, partiake, të profesionit apo të adhurimit të një klubi sportiv. Historia dhe e tashmja dëshmon se feja mund të ndryshohet apo braktiset, por me vëllanë nuk mund të procedohet kështu. Kur një i madh të konsideron vëlla, duhet te bëhesh si ai. Si vëllai i madh! Gjermania nuk e konsideron vëlla popullin austriak! Edhe pse ka më shumë arsye se sa Turqia me ne!

Shqiptaret e djeshëm e kane luftuar pikërisht këtë dhe rezultoi me krijimin e një shteti të vogël shqiptar, (1)sepse krishterët konsideronin vëlla njeri tjetrin dhe na copëtuan! Si këta, që sot na sugjerojnë Turqinë.

Unë nuk dua te bëhem vëlla i turqve, nuk dua ta gënjej veten me vëllazëri imagjinare, mirëpo nuk mund t´ia ndaloj askujt te transformohet në vëlla, por kam të drejte në këtë rend të sotëm ta them mendimin tim: se disa vëllezër të mi po dezertojnë kombëtarisht!

Unë nuk do të bëhem vëlla as me pushtuesin e djeshëm serb, as me të pardjeshmin turk, respektivisht me asnjë pushtues tonin. Mirëpo refuzimi i vëllazërisë, nuk nënkupton kundërshtimin e bashkëpunimit, ku kemi dobi të dy popujt!  Politikisht për popujt është vetëvrasëse nëse jetojnë me bindje të djeshme dhe përjashtojnë rrethanat e reja dhe interesat e reja, të sotshme! Duke u bazuar në interesin reciprok.

Kritika ime kundër qëndrimit të Qeverise se sotme turke është preventive. Nëse, unë, sot hesht kur simpatizohet pushtuesi i para 100 viteve, nuk mund të kritikoj edhe një shqiptar, që përkrah Qeverinë e djeshme apo të sotshme serbe. Ne pyetje është parimësia dhe integriteti vetjak.

(2). Ekziston rreziku i madh që bashkëpunëtoret shqiptarë të Millosheviçit të ngritën në piedestal!! Kjo është rruga që po na sugjestionojnë!

Nëse përqafojmë pushtimin turk, duhet ta përkëdhelim edhe pushtimin serb dhe të bëhemi gazi i botës, se nuk dallojmë pushtuesin nga miku! Dallime në synime dhe egërsi nuk kanë pasur, njëri ka zgjatur më shumë, tjetri më pak. Më pak se na nxorën nga balta perëndimorët.

Këtu paraqitet rreziku tjetër.

(3). Nëse Perëndimi për shkak të fesë do t´i kishte konsideruar vëllezër serbet ( nëse ju keni të drejtë ndërtim vëllazërie në bazë të bindjeve vetjake , këtë të drejtë do ta kenë edhe ata), atëherë shqiptarët e Kosovës do t´ishin edhe sot nëpër çadra diku nëpër fushat e malet e Shqipërisë, të shpërndarë si palestinezet.

Ja çfarë tragjedie do te kishte prodhuar vëllazëria fetare. Vëllazërisë fetare mund t´i referohen kombet tjera, që kanë përfituar nga kjo vëllazëri religjioze, por ne shqiptarët, kemi fituar pikërisht, sepse nuk u respektua kjo vëllazëri, që po trumbetohet sot.

(4). Kjo vëllazëri fetare që propagandohet sot, bën apel edhe te krishterët ta krijojnë vëllazërinë e tyre në mes vete.

Çka domethënë kjo? Kjo do të krijonte një rezultat të ri dhe një anulim të pavarësisë: është kjo dëshira jonë? Vërtetë jemi aq të verbër sa të mos shohim se daullet po bien për shkatërrim, e jo për një vëllazëri infantile?!

Aleancat në mes popujve garantojnë ekzistencën e disa shteteve. Jo aleancat fetare. Këtë e dëshmon Palestina, Çeçenia etj...ku Turqia me vëllazërinë e vet, mund të ndikonte pozitivisht, nëse qenka fuqia e tetë ushtarake në botë, siç thuhet me krenari nëpër shkrime të disa shqiptarëve...Me këtë dua të them se Turqia mund t´i bëjë vëllezër ata që kane nevojë, e jo ata që u çliruan!!! Miq në kohe të mira është e lehtë të gjinden, por "miku i mirë shihet në ditë të vështire", thotë populli! Turqia nuk mund të përfshihet këtu! Deri në mars të vitit 2010, jo! As në të ardhmen, jo. Ajo po përpiqet të krijojë zona të reja ndikim për dëshmuar rëndësinë e vet në botë.

Nuk ka pushtues të mirë apo pak më të mirë se tjetri. Ka vetëm pushtues, interesa të tyre dhe ndikime. Askush, kurrë në jetë, nuk futet në shtëpi të një tjetri me shpatë apo me pushkë, për t´u konsideruar apo imponuar si MIK! 

Para se të konsiderohet populli turk vëlla, ata duhej së paku të kërkonin ndjesë, së paku formalisht,  se na imponuan me dhunë gati 500 vite vendnumërim, edhe pse librat te ne, kishin nisur të shkruhen pak vite pas librave në Gjermani.

Në Gjermani ka shumë turq dhe shumë shqiptar: akoma nuk kam takuar të miqësuar shqiptarë me turq. Në anën tjetër, janë mijëra shqiptarë, që punojnë të italianët apo kanë restorante italiane, nuk hapin restorante turke, shoqërohen me italian dhe flasin edhe italishten. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse shqiptari më mirë e ndjen veten pranë një italiani, se sa pranë një turku. Pra në shtëpi ndjehet në Evrope, jo në Azi! Edhe diaspora dhe emigrimi e dëshmon këtë. Shqiptari në rrezik nuk ikën drejt Lindjes, por drejt Perëndimit. Kjo ndoshta është arsyeja e distancës në miqësi me turqit. Ndoshta kjo nuk është e drejtë, por ky është realiteti! Dhe, njeriu ka të drejtë t´i zgjedhë miqtë, por nuk ka mundësi t´i zgjedhë pushtuesit dhe armiqtë. Ata thjesht me armë na futen në shtëpi! Dhe meqë jemi kombi i vogël, kapitullojmë, por kemi dëshmuar se kemi fuqi rikrijuese dhe ri-orientuese! Rezultatet pozitive erdhën pikërisht nga ky korrigjim.

Një tjetër për ta rritur vlerën e Turqisë artificialisht tha se Turqia mbron Shqipërinë nga Greqia. Greqia është në BEE dhe nuk mund të pushtojë një vend fqinj. Të na pushtojë jo, por Qeveria jonë tentoi t´i falë një pjesë të detit shqiptar. Tradhtia është e mundur, pra, por jo pushtimi. Në kohën e Enverit Shqipëria ishte pa Turqinë, por Greqia nuk e pushtoi. Shkurt e shqip vetëm bashkimi jonë rreth një identiteti dhe orientimi të drejtë mbron shtetet tona. Shtetet tona sot i mbron Perëndimi, kryesisht SHBA. Sa për Turqinë brenda pak ditësh do të pushtohej tërë Kosova, sepse për ta qetësuar Turqinë, do të kujdesej Rusia. Ja, kaq e thjeshtë është rënia e shteteve! Nëse krijohen vëllazëri krishtere sipas modeleve fetare vëllazërore myslimane, atëherë brenda natës shtetet tona do të shuhen! Shtetet nuk janë ngrehina të përjetshme, ato rrëzohen sa herë devijojnë popujt.

(5). Neve po na mbajnë leksione dhe po na mësojnë si ta rrezikojmë shtetësinë tonë! Si ta humbim më shpejt!

(6). Populli shqiptar ka vetëm një orientim të drejtë: aleanca me SHBA-të dhe integrimi në BEE! Nëse e synon këtë edhe Turqia, atëherë duhet t´i pranoje vlerat qytetare të Perëndimit dhe mund të takohemi aty si partner, por jo si vëllezër! Siç jemi takuar në NATO! Si partnerë, jo si vëllezër!

Në një komb tjetër të qytetëruar, do t´ishte krejt e palogjikshme të diskutohet a është mik apo vëlla pushtuesi i djeshëm! Te ne po ka nevojë edhe pas 100 viteve të merremi me atë, që është e qartë.

(7). Vëllazëria me Turqinë do të na linte edhe pa histori, sepse rezistenca jonë kundër tyre do të quhej Rezistence Tradhtare, që paska luftuar vëllanë! Kjo prek muret e brendshme të spitalit psikiatrik, sepse flet për dobësinë e një përkufizimi të drejtë dhe të thjeshtë: dallimin mes të mirës dhe të keqes!


(Vota: 31 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora