E hene, 23.12.2024, 02:36 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Skënderbeu duhet ri-interpretuar

E shtune, 20.10.2007, 04:37 PM


Shkruan: Ben Andoni

“Arbëria Venedikase”, një libër, i cili ka zënë  vend menjëherë në bibliotekat shqiptare. Një punë juaja cilësore është ndjekur nga një përkthim i mrekullueshëm ka bërë që auditori shqiptar, t’ju vlerësojë maksimalisht. E keni parandjerë këtë reagim?

“Në fakt, jam surprizuar nga interesi që i kushtoi publiku shqiptar një libri mirëfilli të karakterit shkencor, por që natyrisht jam shumë i nderuar, që ka gjetur këtë lexueshmëri kaq të madhe. Jam plotësisht me Ju, që kjo i kushtohet edhe meritës së përkthyesit”.

Në temë: Ngulmimet venedikase në bregdetin arbëror, ashtu si kudo, ishin të lidhura me afërsinë nga deti. Por, herë pas here, Arbëria ishte një treg i dobët për interesat e Venedikut. Përveç përfitimit ekonomik, a kishte një politikë për të mbajtur larg të tjerët nga kufiri apo Zonja, thjesht, e mendonte në të ardhmen e saj tokën Arbërore, si një tokë krejt “të sajën”?

“Duhet që të dallohen mirë dy faza kronologjike: kur Venediku shtiu në dorë zotërimet e tij në bregun Jug-Lindor të Detit Adriatik, ka reaguar kryesisht kundër përparimit tepër të shpejtë Osman përgjatë Via Egnatias. Osmanët i vendosën për herë të parë këmbët në truallin evropian në vitin 1354 dhe vetëm tridhjetë vjet më vonë, më 1385, ata kishin arritur në qendër të Shqipërisë së sotme. Ngushtica e Otrantos gjithmonë ka qenë e një interesi vital për tregun Venedikas. Ndaj, kur Republika e Shën Markut e kuptoi se zotërinjtë (Bujarët) e vegjël arbër ishin të paaftë për të mbrojtur portet kryesore, i duhej që të siguronte vijën e bregdetit. Kështuqë, fillimisht, ajo kishte një motivim strategjik. Por në fazën e dytë, Venediku është përpjekur që të integrojë ngulmimet e tij në Shqipëri në sistemin e tij ekonomik. Tregëtarët venedikas kishin qenë aktivë në këtë hapësirë që përpara fillimit të sundimit të venedikasve, por tashmë duhej që të konkurohej fort me tregëtarët nga Dubrovniku (Raguza). Më shekullin e 15-të, tregëtarët venedikas, zakonisht në bashkëpunim me tregëtarët lokalë dhe ndërtuesit e anijeve, filluan të drejtonin rrjedhën e eksporteve në drejtim të Venedikut. Por, që kur arkivat lokale kanë humbur, ne nuk mund të përcaktojmë (llogarisim) tregëtinë venedikase në territoret arbëre, ndërsa në vitet kur kishte paqe, veçanërisht gruri arbëror, por edhe kripa kanë pasur një rol të konsiderueshëm në tregëtinë venedikase. Edhe diçka, nuk duhet të harrohet se në atë kohë, Venediku, ka qenë një nga qytetet më të mëdha të Evropës”.

Si kanë bashkëpunuar bujarët arbërorë para shekullit XV me Venedikun...Balshajt, Topiasit, Muzakajt, Dukagjinët.....? A grisheni, që të bëni diçka më të detajuar për fisnikët arbërorë? A ka referenca që mund të mbështeteni për këtë, apo humbasin...në mjegullat e kohës?

“Familjet bujare në këtë hapësirë kanë përfituar nga thyerjet e perandorive, p.sh. Bizantine, që sundonte në Adriatikun Juglindor por disi edhe nga dobësia e Perandorisë jetëshkurtër serbe në këtë pjesë të Ballkanit. Bujarët (Zotërinjtë) kanë mbushur vakumin e fuqisë; por ata ishin shpesh të paqëndrueshëm dhe luftonin kundër njëri-tjetrit. Mund të thuhet se ishte një lloj rrëmuje politike, madje kaos,  kur ne analizojmë sot pastabilitetin e konsiderueshëm territorial të këtyre bujarëve. Këto familje fisnikësh jetonin pranë lidhjeve të ngushta me bregdetin, që i lidhte me botën e Adriatikut, veçanërisht me Mbretërinë e Napolit dhe Dubrovnikun; kurse Venediku ishte kryesisht një partner tregëtar, ndërsa (me përjashtim të periudhës ndërmjet 1204- ca. 1215) në krahasim me Napolin, nuk është perceptuar si një nga faktorët kryesorë politikë në hapësirë, apo të paktën deri në fund të shekullit të XIV. Me mbërritjen e osmanëve, ata duhet që të bënin të njëjtën zgjedhje, ashtu si të gjithë familjet bujare të Ballkanit: ose të pranonin rendin e ri perandorak ose të kërkonin ndihmë nga Perëndimi. Ata, vetë, ishin tepër të dobët për të bërë një rezistencë serioze ndaj Osmanëve. Shumë prej tyre mundoheshin që të ekuilibronin qëndrimin në mes të Osmanëve dhe Venedikut, duke ripërcaktuar taktikat e tyre, kurdo që situata e politikës së përgjithshme të ndryshonte. Ata mbanin, po ashtu, kontakte të ngushta me fqinjët e tyre ballkanikë, që ndiqnin një taktikë të ngjashme. Qëllimi i tyre kryesor ishte që të mbijetonin politikisht në mes të zjarreve. Por, që kur baza e tyre e fuqisë është kufizuar në ekstrem, ata nuk kanë pasur më shanse që t’i stabilizonin zotërimet e tyre”.

Luftë e pareshtur e Balshajve, serbëve dhe princëve të tjerë shqiptarë me njëri-tjetrin. Pse rrezikonte dhe shpenzonte kaq shumë Venediku në një truall kaq të pavendosur, ku hasesh shpesh me pabesi?

“Arsyeja kryesore ishte që Venediku dëshironte të mbante kontrollin e bregut. Familja Balsha, që përkrahej nga Despotati Serb, kërcënonte komunikacionin në mes të territoreve të sotme të Shqipërisë Qëndrore dhe hapësirën përreth Kotorrit. Nuk duhet që të harrohet se këto konflikte filluan kur Venediku ka pushtuar në mënyrë përfundimtare gati të gjithë bregun lindor të Detit Adriatik (ndërmjet 1409-1420); në të njëjtën kohë, Venediku e shtriu territorin e tij edhe në Italinë e sotme të Veriut. Luftrat kundrejt Balshajve koinçiduan kështu me periudhën e demostrimit më të dukshëm të fuqisë ushtarake në historinë e Venedikut. Venediku përkrahej nga disa qytete bregdetare, të tilla si Kotorri, të cilët kishin konfliktet e tyre serioze me familjet bujare të hinterlandit. Kështuqë nuk ishte vetëm një konflikt në mes të Balshajve dhe Serbëve kundër Venedikut, por gjithashtu në një nivel më lokal, në mes të pjesëve pro-venedikase të popullsisë urbane kundër fisnikëve të hinterlandit. Shoqëritë urbane ishin më shumë të orientuara në drejtim të botës Adriatike sesa hinterlandit, shoqëritë e të cilit dhe sistemet sociale e të cilit ishin më shumë të ndikuara nga influenca e Bizantit dhe e Serbëve. (veçanërisht e ashtëquajtura sistemi i pronjave, një formë speciale e posedimit të tokës)”.

Danja është dorëzuar tek Venediku nga familja e Zaharisë, ndërsa Durrësi nga Topiasit. Mendoni se kishin besim, apo nga fakti që arbërorët besonin se vetëm Republika dinte të menaxhonte mirë?

“Familja e Topiasve ka qenë nën një presion jashtëzakonisht të madh të Osmanëve; ata u munduan që të ruanin kontrollin e tyre në Durrës për veten e tyre, por Venediku kishte humbur besimin në aftësinë e tyre për t’u mbrojtur. Pak a shumë i detyruan Topiasit që të rrethonin Durrësin, që kur ata filluan që të kenë frikë nga dominimi osman në këtë port tepër të rëndësishëm. Venediku ka vepruar në një mënyrë të ngjashme edhe në raste të tjera, për shembull në Naupaktos(sot Navpaktos në Greqi, përballë Patrasit), kur më 1407 trupat venedikase kanë shpërthyer qytetin dhe kanë hequr nga pushteti Familjen Spata, që gjithashtu kishte treguar se ishte e dobët që të kundërshtonte Osmanët. Danja, megjithatë, ka qenë një rast tjetër. Nuk ka qenë port dhe rëndësia e tij shtrihej në funksiononin që ajo ishte një stacion dogane në rrugën e karvaneve për në Pukë dhe në Prizren. Familja e Zaharisë ishte dobësuar, ndoshta prej sulmeve Otomane, por ajo gjithashtu i kishte humbur lidhjet me fqinjët e saj, familjen Dukagjini, megjithëse shumë prej tyre ishin vasalë të Zahariajve. Shumë familje fisnikësh u përpoqën që të pushtonin Danjën për të përfituar nga taksat e doganës, Zaharitë, Dukagjinasit dhe më vonë edhe Kastriotët ishin më kryesorët. Zaharitë shpresonin se Venediku do të mbronte Danjën kundër këtyre pretendimeve; ata shpresonin gjithashtu se qytetarët e Shkodrës dhe Drishtit do të mbështesnin Venedikun në kontrollin e linjave kryesore të tregut. Në fakt, familja e Zaharisë është tërhequr në Shkodër dhe më 1448 shkodranët kanë luftuar kundër Skënderbeut në Drin, ndërsa në të njëjtën kohë, Drishti ka zmbrapsur sulmet e fisnikëve arbër. Këtu sërish, mund të shikohet dhe antagonizmi në mes të shoqërive urbane dhe familjeve fisnike, që ishin në hinterland (prapatokë). Qytetet e përdornin Venedikun për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike në ultësirat e Veriut të tokave arbër”.

E keni rrokur dhe pjesën e Kohës që përfshin Skënderbeun. Kush janë të panjohurat e këtyre marrëdhënieve? A do të donit, që t’i fokusonit ndonjëherë në dritën e një dokumentacioni ende të panjohur deri më sot?

“Arberia venedike” u shkruajt më 1999-2000 dhe qysh atëhere, unë kam kaluar një periudhë të gjatë duke rrëmuar në shumë arkiva. Në fakt, dokumentat që janë në arkivat e Milanos dhe të Mantovës të lejojnë që të vizatosh një panoramë të detajuar të lidhjeve shumë të komplikuara në mes të Venedikut dhe Skënderbeut. Ato janë karakterizuar nga një mosbesim i dyanshëm dhe shpesh shumë hapur edhe armiqësi. Nuk duhet që të harrohet se Skënderbeu pretendonte më 1444 që të ishte trashëgimtari i Balshës së III; ky ishte një anti-venedikas i hapur që kur Venediku kontrollonte pjesën më të madhe të ish-territoreve të Balshës. Megjithatë, Skënderbeut i vinte mirë për investimet e Venedikut në kohën e sundimit të tij dhe madje edhe i kërkoi ndihmë financiare Venedikut, ndërkohë, që u bë aleat me konkurrentin kryesor në Detin Adriatik të Venedikut, Mbretërinë e Napolit. Si vasal i kurorës Napolitane, ai është përfshirë në konfliktin në mes të Venedikut dhe Napolit;nga ana tjetër, ai ka marrë ndihmë ushtarake substanciale nga Napoli, e, ndërkohë, është zgjeruar në varësinë e tij ndaj politikës italiane, në të cilën ai nuk kishte ndonjë influencë. Do të ketë një analizë të detajuar të trekëndëshit të lidhjeve të tyre në librin tim të ardhshëm, kushtuar Skënderbeut”.

Pse bujarët arbërorë, përfshirë edhe Skënderbeun, vazhdimisht kërkonin që të ishin qytetarë të Republikës së Venedikut dhe i kërkonin benefice materiale asaj... A ishin njësoj në kërkesa dhe ndaj Raguzës, Romës etj?

“Kjo ka qenë një strategji tradicionale e fisnikëve, dhe jo vetëm e Arbërve, por gjithashtu e dukshme edhe në Zeta (Mali i Zi), Hercegovinë dhe Bosnje. Shumë prej tyre kishin llogari bankare në Dubrovnik; kishte bujarë që kishin blerë pallate dhe shtëpi në territoret e Venedikut dhe Raguzës në kontinent, por edhe në ishujt e tyre: të tillë si Kor?ula, Hvar apo Mrkan. Qëllimi i tyre ishte që të siguronin një vend të mbrojtur për familjet dhe ndjekësit e tyre në rast të pushtimit osman. Familjet e tilla si Kastrioti dhe Aranitët nuk ishin thjesht qytetarë të Venedikut, por ata ishin kooptuar edhe si anëtarë të Këshillit të Madh, që do të thoshte se ata ishin pjesë e patricëve të Venedikut. Zakonisht, fisnikët e rëndësishëm ndiqnin një strategji për të shpërndarë rrezikun: Skënderbeu kishte si vasal i Napolit një feud në Pulia, atij i është dhënë azil në Venedik dhe në Dubrovnik. Qëkur këto familje bujarësh preferonin që të mbeteshin afër territoreve të familjeve të tyre, Roma ishte më shumë e interesuar për ata, që në mënyrë definitive i kishin lënë tokat, p.sh një degë e Aranitëve që janë vendosur në Romë që në fillim të vitit 1470. Ka pasur po ashtu dhe një dimension tjetër të këtyre lutjeve të vazhdueshme për ndihmë financiare: tradicionalisht, organizimi i malësorëve në Arbëri ka pasur një ekonomi, ku përdorej fare pak monedha. Kishte një diferencë të madhe në mes të ekonomisë urbane të ultësirës së Arbërisë dhe rajoneve ku dominonin familjet e tilla si Kastriotët në Mat dhe Dibër apo Dukagjini. Mirëqënia kostante ishte e pamundur pa importin e teknologjisë ushtarake nga Italia dhe bota e Adriatikut. Ishte e dukshme se eksporti i grurit, nuk i mbulonte shpenzimet e konsiderueshme për  mirëqënien e banorëve, sepse sulmet Osmane i dëmtonin seriozisht korrjet e grurit në pranverën e vonët dhe në verën e hershme. Kjo ishte arsyeja që shumë nga familjet bujare u bënë vazhdimisht ta varura nga ndihma financiare. Ato përfitonin nga fakti që çmimet në vendet malore ishin dukshëm më të ulëta se në hapësirat urbane- kështu, p.sh. guvernatori venedikas i Tivarit fitonte 400 dukate në vit, e, një bari (çoban) merrte një dukat në vit. Kështuqë dhe me vetëm një shumë të vogël parash, bujarët mund të paguanin ndjekësit e tyre”.

Mendoni si një ridimensionim i figurës së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve është i nevojshëm. Si e shikoni mbetjen në hije të Aranitasit, Muzakajve, Topiasve dhe Dukagjinëve?

“Unë nuk do të flisja për “ridimensionim”, por një ri-interpretim. Në fakt, kjo pyetje është shumë komplekse dhe nuk është e mundur, që ta përmbledh në hapësirën e pak rrjeshtave. Mund t’i referohem në të ardhmen në librin tim për Skënderbeun, që fatmirësisht mund të publikohet në vitin 2008 me përkthimin në shqip të Ardian Klosit? Ndërsa, pyetja e dytë ka shumë për të thënë me punën e lidhjeve publike në Mesjetën e Vonët. Së pari, Skënderbeu vetë pati mundësinë që të vizitonte Dubrovnikun (Raguzën), Napolin dhe Romën, që ishin qendrat kryesore të informacionit dhe të kulturës së Rilindjes. Kështuqë, ai u bë i dukshëm për elitën italiane, që kishte zakonisht një vizion të vagullt për zhvillimet politike në Ballkan. Atëhere, si vasal i Mbretit të Napolit, Skënderbeu përfitoi shumë nga rrjeti diplomatik i Napolit në Evropë:lidhjet e tij me Burgundinë, për shembull, do të kishin qenë gati të pamundura pa mbështetjen e Napolitanëve. Skënderbeu filloi që herët që të ndërkombëtarizojë kryengritjen e tij kundër Osmanëve duke dërguar delegacione në gati të gjithë Oborret kryesore në Shtetet e Jugut dhe Perëndimit të Evropës. Bujarët e tjerë e humbën këtë makinë kaq të sofistikuar, megjithatë të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre diplomatikë nëpër Evropë. Duhet të theksojmë, megjithatë, që ata kishin një politikë strategjike  shumë më pak të pastër se qëndrimi i Skënderbeut në drejtim të Osmanëve: Dukagjinët gati për çdo vit ndryshonin krahun; Aranitasit ishin një familje ortodokse dhe kur nuk shkuan drejt Katolicizmit ashtu si bëri Skënderbeu; Topiasit gati ishin asgjesuar në Luftën e Beratit më 1455, ndërsa Muzakët thjesht nuk luanin ndonjë rol të rëndësishëm. E vetmja familje, që tërhiqte shumë interes në Itali, për shkak të fuqisë ushtarake ishte Familja e Dukagjinëve”.

Si ndikoi Venediku për statutet e qyteteve shqiptare si Drishti, apo Shkodra?

“Ato ndanin në fakt, një traditë të përbashkët në administrimin komunal, kështuqë kishte një rrafsh të përbashkët konstitucional. Që në momentin që statutet e Drishtit nuk janë ruajtur (ne posedojmë vetëm statutet e kapitullit të katedrales, por jo të komunës së Drishtit), vetëm mund të analizojmë Statutet e Shkodrës. Ato kanë shumë ngjashmëri me statutet e qyteteve dalmate dhe janë edhe të influencuara nga ligji mbretëror serb. Krahasuar me statutet e Adriatikut, ato mund të karakterizohen si tipike për procesin e kodifikimit të ligjit, që zbatohej në fund të shekullit të XIII dhe në shekullin e XIV në të gjithë bazenin adriatikas. Nën ligjin venedikas, janë shtuar disa amendamente, por Shkodra jetonte në të njëjtin proces me ‘ngurosjen” e statuteve, që do të thotë se ligji venedikas gradualisht e kishte zëvendësuar ligjin lokal; kështuqë statutet ngadalë po e humbnin rëndësinë e tyre të vjetër, por ato asnjëherë nuk u anuluan; kjo korrespondonte edhe me traditën e kahershme të kohës së Venedikut për të respektuar ligjin lokal dhe për të zgjeruar atë me elementët e ligjit venedikas kudoqë kjo të dukej e dobishme. Por, përgjithësisht, nuk ka pasur intervenim të fuqishëm në brendësi të strukturave komunale nga shteti venedikas”.

Për mbrojtjen e Shkodrës, Venediku, ka derdhur forcat më eprore. Eshtë derdhur aq heroizëm, saqë tregon se Venediku bregun Lindor të Adriastikut e mendonte si të tijin. Bëhej thjesht për nderin e saj, apo për të dhënë sa më shtrenjtë zotërimet e saj...

“Mbrojtja e Shkodrës mund të jetë shembulli më i mirë i përputhshmërisë rajonale dhe interesave të Venedikut. Për shumë dekada, Venediku kishte mbrojtur interesat ekonomike të Shkodranëve kundër sundimtarëve të hinterlandit, kundër Serbisë, Dukagjinit , madje edhe Kastriotëve. Shkodra nuk ishte shembulli i një qyteti, që e ruante garnizoni venedikas, por është mbrojtur nga vetë popullsia lokale dhe nga mercenarët venedikas. Për Venedikun, Shkodra ka qenë qyteti më i rëndësishëm në Jugun e Adriatikut-dhe askush nuk duhet të harrojë se vetëm një vit pas rënies së Shkodrës Osmanët  pushtuan Pulien. Shkodranët kanë mbrojtur mënyrën e tyre të jetesës dhe kulturën e tyre; nuk mund të jetë e habitshme sot, që shkodranët që arritën të mbijetojnë preferuan më mirë të emigronin sesa t’i nënshtroheshin Osmanëve. Në fakt, ka pasur një ndryshim komplet të popullsisë së Shkodrës më 1479. Për Shkodranët në eksil, mbrojtja e qytetit të tyre ishte kolona, që përcaktonte vetë identitetin e tyre.  “Scuola degli Albanesi” në Venedik është e dekoruar me një reliev, që përkujton rrethimin e qytetit. Ndërsa, për vetë venedikasit lufta u bë pjesë e imazhit të tyre zyrtar, që personifikonte Republikën. Identitetet lokale dhe venedikase kështu janë shkrirë në një të vetëm në këtë rast”.

Jeni mbështetur në disa disiplina për historinë tuaj? Ka elementë të etnografisë, arkitekturës, jurisprudencës, shkencës ekonomike etj? A ndjeni se është e plotë?

“Nuk ka qenë qëllimi pëtr të shkruar një “histori të përgjithshme” në sensin e shkollës së Analeve (Annales) në Paris. Libri natyrisht përdor rezultatat e kërkimeve të mëparshme sidomos në historinë ekonomike dhe në arkeologjinë”.

A ka pasur burime referencash, që i keni shfrytëzuar Ju direkt në gjuhët mesjetare?

Çfarë njohurish keni për gjuhët?

“Unë përdor zakonisht burimet vetëm në gjuhët origjinale (kryesisht në latinisht, italishten venedikase dhe greqishten bizantine), pjesërisht për botimet shkencore dhe pjesërisht për dorëshkrimet. Përveç gjuhëve kryesore të Evropës Perëndimore, unë lexoj në shqip, greqishten moderne, maqedonisht, serbisht, rumanisht dhe rusisht”.

Kush është apogjeu i marrëdhënieve të Venedikut me Shqipërinë dhe po ashtu edhe pika më e ulët e tyre?

“Apogjeu ishte aleanca e vitit 1463, plani për një sulm të përbashkët mbi Otomanët brenda kornizës së Kryqëzatës që kishte ideuar Papu Piu II. Nadiri është viti 1447-1448 gjatë një lufte të hapur në mes të Skëndërbeut dhe Venedikut, në kohën kur Sinjoria ka marrë parasysh dhe vrasjen e armikut të saj të rrezikshëm”.

Marrëdhëniet specifike të qyteteve arbërore me Venedikun mbetën më shumë të llojit ekonomik apo ushtarak...

“Kjo varet nga periudhat; në një të tërë, Arbëria Venedikase kishte një ekzistencë të pastabilizuar dhe dikush edhe mund të shikoj një militarizim gradual të shoqërisë së saj. Nga ana tjetër, tregtia ka vazhduar ngandonjëherë dhe në kohën e luftës. Lufta ishte shpesh e kufizuar në hapësira të vogla: Durrësi mund të ishte nën sulm, ndërsa tregu zhvillohej në Lezhë. Kështuqë, nuk ka një përgjigje të përgjithshme për këtë pyetje”.

A fituan shprehi shqiptarët nga tregëtia me Venedikun? A mund të shikohet një pikë lidhje e zhvillimit të shekujve të mëvonshëm të Shkodrës, pikërisht prej këtyre marrëdhënieve?

“Tregëtia me Venedikun, por edhe migrimi në qytetin e Sh. Markut që kanë qenë shumë intensive, megjithëse ne nuk mund të përcaktojmë atë në mënyrë shumë ekzakte. Por, ka një shkëmbim të vazhdueshëm ndërmjet Shkodrës dhe Venedikut”.

Pak më parë, unë kam zbuluar regjistrin e eksporteve të një porti në Dalmacinë venedikase dhe ai tregonte një numër të konsiderushëm anijesh nga Shkodra , Lezha, Ulqin dhe Tivari në rrugën për në Venedik. Kjo tregon, megjithatë, vështirësinë për të ndërtuar një lidhje direkte ndërmjet këtij tregu të vonët mesjetar dhe tregëtinë në kohën otomane. Venediku mbeti gjithmonë një pol tërheqës për importin e grurit shqiptar dhe atje ka pasur shumë kërkesa për mallrat arbëre, veçanërisht tekstilet dhe produktet e luksit nga Shqipëria”.

Po roli i Raguzës, Napolit dhe qytet-shteteve të tjera të kohës, mendoni se kanë pasur ndikim në Arbërinë e “kohës suaj”...

“Ashtu si u përpoqa pak më parë të shpjegoj, kanë pasur një impakt të konsiderushëm në Arbëri. Dubrovniku tërhiqte një numër të madh emigrantësh nga Arbëria, ky vend shërbente si një vend grumbullimi për rajonin, aty rekrutoheshin priftërinj katolikë për në Arbëri dhe ka qenë dhe konsumatori kryesor për mallrat bujqësorë dhe materialet e papërpunuara nga e gjithë hapësira përreth. Napoli, nga ana tjetër, ka ndikuar në mënyrë speciale në familjet bujare në Arbëri, por edhe në elementët e kulturës kavalereske, për shembull ato futeshin në Arbëri përmes Napolit. Kishte edhe lidhje shumë të ngushta të Arbërve dhe familjeve bujare napolitane. Nuk duhet të harrohet, që të theksohet rëndësia e impaktit shoqëror dhe kulturor të hinterlandit ballkanas. Kronika e Gjon Muzakës zbulon një rrjet të gjerë të lidhjeve rajonale ndërmjet familjeve bujare nga rajonet e Arbërisë, Greqisë dhe Maqedonisë, Serbisë dhe Zetës (Malit të Zi). Shumë familje fisnike ishin Ortodokse dhe ndanin një kulturë të përbashkët Bizantine. Në oborret e vogla, të familjeve si Araniti, influenca e Lindjes dhe Perëndimit shkonin krah për krah. Kur më 1469 një princ i ri Aranitas është pritur nga Papa Pali i II në Romë, ai fliste rrjedhshëm shqip, greqisht, Bullgarisht, Italisht dhe latinisht dhe kështu a ka fituar admirimin e Papës dhe të gjithë kardinalëve të pranishëm”. 

E shikoni territorin e historisë mesjetare shqiptare (Pavarësisht punëve cilësore të studiuesve të tillë si Shuflaj, Jireçek), në kohën kur jetojmë, të begatë për studime?

“Fatkeqësisht, në këtë moment, ka vetëm pak historianë profesionistë që janë duke punuar me këtë periudhë”.

A do keni sërish punim për historinë e shqiptarëve dhe e ndiqni debatin publik shqiptar për rishikimin e historisë. P.sh. në historinë tuaj burimet e autorëve shqiptarë nuk janë të shumta...Si e shikoni këtë...

“Unë jam përpjekur që të përdor kërkimet e realizuara, kurdo që ato më janë dukur të përshtatshme, përshembull unë jam mbështetur në kërkimet shqiptare mbi komunitetet fshatare dhe zhvillimet demografike apo arkeologjisë. Por, shumë pjesë të librit, janë shkruar direkt nga burimet, edhe pse ka pasur fare pak apo aspak kërkime në të shkuarën, apo se kërkimet ekzistuese kanë qenë të paragjykuara ideologjikisht. Në shumë aspekte, historiografia komuniste akoma ka një impakt të madh për interpretimin e Arbërisë Mesjetare, dhe deri më tani, nuk ka pasur fatkeqësisht gati asnjë përpjekje për të diskutuar linjat e vjetra të interpretimit të historisë mesjetare në këtë hapësirë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora