E hene, 30.12.2024, 02:27 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: Dy vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet me madhështi në Bashkinë e New Yorkut

E enjte, 18.02.2010, 10:00 PM


Dy vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet me madhështi në Bashkinë e New Yorkut

Nga Këze Kozeta Zylo

Me ftesë të Bashkisë së New Yorkut qindra shqiptarë u mblodhën për të festuar dy vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në City Hall, Manhattan, në kryeqendrën e botës.
Është viti i dytë që këshilltarët e Bashkisë së New Yorkut, z.James Vacca dhe z.Joel Rivera së bashku me patriotin e shquar dhe aktivistin e palodhur z.Esad Rizai president i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro - Amerikane organizojnë këtë ceremoni për Pavarësinë e Kosovës, shtetin më të ri ne botë.  Ceremonia u hap me nderimin e nënë Terezës dhe këndimin e tre himneve të Amerikes, Shqipërisë dhe Kosovës, të interpretuara nga bilbili i këngës shqiptare znj.Merita Halili shoqëruar nga muzikanti i talentuar Raif Hyseni.
Përshëndetën ceremoninë Ambasadori i Republikes së Kosovës në Amerike, z.Avni Spahiu i cili falënderoi shtetin amerikan, Diasporën shqiptare dhe gjithë popullin e Kosovës me Ibrahim Rugovën si prijës, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.  Ndërsa ambasadori i Shqipërisë z.Ferit Hoxha pranë misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara midis të tjerash tha se: “Shpresoj që në të ardhme jo të largët, mos të kemi dy ambasadorë shtetesh shqiptare që të përshëndesin këtu, por të kemi vetem një ambasador që të na përfaqësojë si një shtet i vetëm, si një komb”.  Fjala e tij u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Këngëtarja elegante znj.Valentina Ajdari me zërin e saj të ëmbël interpretoi këngën: “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe “A vritet pafajësia”?  
Bashkia e qytetit dhe z.Esad A.Rizai dhanë çmime të mirënjohjes për një kontribut të shquar në çështjen kombëtare dhe të Kosovës këtyre personaliteteve: z.Harry Bajraktari themeluesi dhe botuesi i parë i gazetës së mirënjohur në Diasporë dhe në Shqipëri “Illyria”, politikanit amerikan z.Stephen Kaufman, i cili ka ndihmuar shumë çështjen e Kosovës.  Fjala e tij e zjarrtë për Kosovën dhe popullin shqiptar u ndërpre disa herë nga duartrokitjet.  Me një sens humori dhe me mençuri ai ngriti bashkëshorten e tij në këmbë dhe i tha:  “Ju jeni me origjine greke, pasi siç dihet Greqia nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës, prandaj tani duhet të deklaroheni këtu se e pranoni Pavarësinë e saj”!  Salla buciti ne të qeshura dhe duartrokitje të stuhishme.
Ndërkohë ishja e bindur se në këtë gëzim të ligjshëm të shqiptarëve me siguri që ata kanë ndjerë një shije të keqe në shpirt ga politika e helmuar dhe pabesia e politikanëve grekë në të gjitha kohërat për Shqipërinë fqinje...!
Dr.Anna Kohen falënderoi të gjithë të pranishmit dhe z.Rizai për këtë vlerësim që i bënin organizatës “Motrat Qiriazi” , organizatë që ka dhënë një kontribut në punët humanitare, në ndihmë të popullit të Kosovës. Znj.Ana Kohen me origjinë hebre, në fillimin e përshëndetjes së saj me fjalët: “Të nderuar bashkatdhetarë”..., më rrenqethi të tërën dhe më bënte të ndihesha akoma më krenare për popullin tim fisnik shqiptar që diti të ruajë dhe të strehojë hebrenjtë nga kthetrat e nazizmit gjerman.
Z.James Vacca prezantoi superstarin e vallëzimit amerikan, shqiptarin Toni Dovolani i cili votohet dhe shikohet nga më shumë se 20 milione amerikanë në shfaqjen më të ndjekur amerikane: “Vallëzim me Yjet”, shfaqur në një kanalet më prestigjioze të Amerikës, kanalin televiziv, ABC!
Nderimi që iu bë këtij talenti të shquar ishte se ai ka prezantuar Kosovën në skenat amerikane dhe botërore, me veshjet e tij kuq e zi, me shqiponjën dy krenore, dhe njëkohësisht me fjalën e tij ai ka ditur të prezantojë cështjen e Kosovës në shumë personalitete të shquara të botës së artit.  Diaspora shqiptare e ka për nder që Toni Dovolani, ky artist shqiptar nga Kosova me arritje shume të larta në profesionin e tij, ka ndikuar që të vlerësohet kultura dhe arti shqiptar në mjediset e botës së artit amerikan.
Fjalimi i mirënjohjes së Toni Dovolanit ishte fjalim i një artisti të denjë, çka i rrëmbeu zemrat e shqiptarëve atë natë dhe me fjalën e tij të mençur dhe plot vitalitet.  
Z.Esad A.Rizai vlerësoi me mirënjohje dhe z.Vacca i cili është një mik i ngushtë i shqiptarëve. Si këshilltar në Bashkinë e New Yorkut, ai ka ngritur kurdoherë zërin për Shqipërinë dhe Kosovën në mjediset politike të Amerikës.  Diaspora i është mirënjohëse për punën e tij dhe dashurinë e madhe që ka për Kombin shqiptar dhe Kosovën.
Vitin e kaluar z.Vacca së bashku me fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, ka ndihmuar shumë, që një rruge në Bronx t’i vihej emri i humanistes së shquar botërore, shqiptares “Mother Tereza”.
Proklamatë mirënjohjeje kanë marre dhe bashkëshortët Merita Halili dhe Raif Hyseni.
Këngëtarja e shquar Merita Halili falënderoi të gjithë shqiptarët dhe tha se: “Dikush lufton me pushkë, dikush me penë, unë kam fatin që të këndoj për Kosovën dhe Shqipërinë kudo në botë...Lavdi dëshmorëve të Kosoves, lavdi dëshmorëve të Kombit”!
Mjaft emocionante ishte dhe fjala e akademikut Mark Krasniqi, kryetarit të Partisë Demokristiane Shqiptare të Kosovës, i cili u vlerësua me proklamatë mirënjohje nga Bashkia e qytetit te NY.  Ai falënderoi Amerikën dhe ish presidentin Klinton që i qendruan në krah popullit shqiptar të Kosovës në ditët më të vështira të historisë së saj.  Ai foli me krenari për figurat më të shquara të Kombit shqiptar, ku nga ky komb vazhdoi akademiku Krasniqi kanë dalë figura të ndritura botërore si: Gjergj Kastrioti në shekullin e 15-të, NënëTereza në shekullin e 20-të dhe Ismail Kadare në shekullin e 21.
Fjalimi i tij me urtësinë e një burri politikan dhe të mençur preku zemrat e të gjithë bashkatdhetarëve dhe iu tha atyre që mos ta harrojnë kurrë atdheun e të parëve të tyre, por këtë dashuri t’jua transmetojnë dhe brezave të ardhshëm. 
E pata shumë kënaqësi të takohesha me akademikun Krasniqi, gati pas 15 vjetësh, një takim që na është dhënë mundësia në Tiranë në “Unionin Demokristian”, si përfqësues të dy partive politike me të njejtin emër, Demokristiane, dhe që ka pasur shumë pika të përbashkëta në program...
Ndërsa Prof. Shyqri Nimani i cili ka shkruar me shkrim kaligrafik Deklaratën e Pavarësisë se Kosoves në papirusin e vjetër 700 vjeçar, letër që është blerë në Londër, përshëndeti gjithë pjesëmarrësit dhe falënderoi veçanërisht Bashkinë e New Yorkut që ka dy vjet që po feston Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Prof. Nimani me një elekuencë në të folur si në shqip dhe anglisht, përshkroi me emocion dhe kulturë se si kishte punuar për të shkruar Deklaraten e Pavarësisë së Kosovës të përmbledhur vetëm në një faqe.  Prof.Nimani ne kohen e lire prezantohej me krenari nga aktivistja znj.Flutura Bida.
Mirënjohje ka marrë dhe gazetari Halil Mula i cili me kamerën e tij në dorë ka qenë i kudondodhur, i papërtuar për të pasqyruar luftën dhe heroizmin e popullit shqiptar në Kosovë. Ai ka dhënë realisht ngjarje drithëruese të luftës së Kosovës në media dhe kudo dhe nëpërmjet ketij realiteti ka sensibilizuar shqiptarët kudo që janë.
Z.Rizai i dha falënderime dhe Plakut patriot z.Dajci, ku më bënë përshtypje dekoratat e tij të varura në xhakete, por që ishja krenare, që vlerësohen këta njerëz dhe këta burra që nuk u ndalën asnjëherë për Kombin shqiptar.
Në këtë festë të Pavarësisë së Kosovës kishin ardhur shumë përfaqësues organizatash si: Vatra, me përfaqësues n/kryetarin e saj, intelektualin dhe aktivistin e palodhur, z.Agim Rexha, shoqata më e vjetër shqiptare e krijuar nga Fan S Noli, dhe që vazhdon të mbajë ndezur prushin e memëdheut tonë, shoqata“ Çamëria“ me kryetar z.Sali Bollati ku z.E.Rizai e falënderoi publikisht për kontributin e tij të vyer si intelektual i devotshëm në Diasporë, ndërmjet emrave në listën e personaliteteve që kanë punuar parreshtur për Kosovën.  Edhe shoqata e mirënjohur „ Dibra“ nga Staten Island, e cila vazhdimisht ka qenë aktive në çështjen e Kosovës dhe ka ndihmuar me patriotizëm të shquar, kauzën e saj, ishte e përfaqësuar nga kryetari i saj, biznesmeni i suksesshëm z.Ibrahim Kolari, Bajram Dede dhe Fisnik Daci.  Në këtë tubim ishte dhe z.Ilir Hysa një aktivist i palodhur, ai ishte veshur me simbolet e Kombit shqiptar dhe të Kosovës.  Z.Hysa së bashku me z.Kirka i cili u falënderua për punën e tij, janë përfaqësues të shtetit amerikan për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet së shpejti në Amerikë.  Ata po punojnë me përkushtim të madh dhe përgjegjësi, që shqiptarët të regjistrohen si shqiptarë dhe mundësisht të mos mungojë asnjë si i regjistruar.
Falënderime i shkuan dhe gazetës „Illyria“ me botues z.Vehbi Bajrami dhe editor z.Ruben Avxhiu, që e kthyen gazetën në nje tribunë të vërtetë per të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj martir.  
Z.Rizai ka falënderuar dhe gazetarin, patriotin e shquar z.Muhamet Mjeku që nuk ka rreshtur kurrë së pushuari me shkrimet e tij dhe analizat e thella për Kosovën dhe Shqipërinë.
Përsëri në skenë kanë ardhur Merita Halili dhe Raif R.Hyseni, duke intepretuar këngën „ Ç’ka dielli që s’bën dritë“ Bajram Curri.
Mbylljen e kesaj feste madhështore e bëri z.James Vacca, këshilltari bashkiak i New Yorkut, i cili iu uroi përsëri shqiptarëve: “Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës“
Të gjithë pjesëmarrësit u larguan atë mbrëmje me gëzimin e fitores së Pavarësise së Kosovës dhe të sigurtë, se kjo Pavarësi do të jetë e përjetshme, sepse ka në krah miken e madhe, superfuqinë botërore, Amerikën, që së bashku me popullin shqiptar, nuk do të dijë të ndalet kurrë për të mbrojtur trojet e veta, tokat e tjera që janë akoma të paçliruara...
dhe të drejtat legjitime te saj.

City Hall, Manhattan
16 Shkurt, 2010


(Vota: 35 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora