Kulturë
Peter Morgan: Ja si e “frikësonte” Kadare Enver Hoxhën
E merkure, 17.02.2010, 09:01 PM
Nga Fatmira Nikolli
Loja mes Kadaresë dhe Enver Hoxhës ishte si ajo e 'maces me miun'. Për këtë arsye i kam quajtur ata të dy, dy mjeshtra shahu përballë njëri-tjetrit". Kështu shprehet profesori amerikan, Peter Morgan, i cili sapo ka botuar një libër me titull "Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990". Në studimin që është shtrirë gjatë në kohë, ai prezanton udhëtimin e Kadaresë që nga koha kur qe një djalosh që shijonte frytet e para të modernizimit komunist, deri kur ai u bë një shkrimtar finok, provokues e sfidues. Më tej Morgan tregon se si u shndërrua "Pallati i ëndrrave", në një shtysë për të depërtuar në botën e mistershme të këtij shkrimtari, cila ishte marrëdhënia që ky njeri inteligjent kishte me diktatorin Enver Hoxha dhe pse e quan të rrezikshme lojën e shkrimtarit? Duke kaluar nga njëra vepër tek tjetra, Peter Morgan tregon se si i shpëtonin syve censurues të Nexhmije Hoxhës mesazhet e veprës së Kadaresë, vepra që mund të lexoheshin mes rreshtave. Ai rrëfen takimet me autorin, të cilin e konsideron një zotëri të vërtetë, në Tiranë e Paris, dhe bisedat me të. Sipas tij, inteligjenca që kishte Kadare, e bënte atë të aftë të shkruante në një mënyrë të tillë, që të kënaqte të dy palët, si ata që lexonin mes rreshtave, ashtu edhe ata që nuk mund të lexonin në këtë mënyrë. Më tej flet për imazhin që kishte shkrimtari në sytë e diktatorit, duke thënë se ai pa tek Kadare një shkrimtar të një niveli të lartë, e në të njëjtën kohë, ai kuptoi se mund ta përdorte atë për t'i dhënë regjimit të vet miratim në Perëndim, por shton se Enver hoxha ishte disi snob, por ai nuk donte të ngjante apo të ishte si Hrushovi apo Çausheshku. Ndërkaq, profesori Peter Morgan në intervistën e tij shton se Hoxha u mundua t'i botonte kujtimet e fëmijërisë së vet tek "Fayard", por nuk ia doli.
Sapo keni shkruar një libër për Ismail Kadarenë nën diktaturë. Përse vendosët ta bënit këtë?
Procesi i të shkruarit të librit "Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990", ishte një proces i gjatë. Më ra në dorë libri i Ismail Kadaresë "Pallati i ëndrrave" në versionin anglisht, e lexova atë dhe menjëherë u binda se do të ishte një tekst ideal për t'iu shpjeguar studentëve të mi si ishte Europa socialiste. Ishte një tekst relativisht bashkëkohor, i cili tregonte situatën e stalinizmit ekstrem, dhe ishte një tekst në të cilin mund të merrja një informacion të rëndësishëm mbi Europën socialiste të pasluftës. Ky roman më dha mua mundësinë të mësoja shumë mbi Ballkanin e po ashtu, mbi kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Një projekt kërkimi, i filluar në vitin 2003, më çoi në vepra të tjera të Kadaresë, më solli në udhëtime drejt Shqipërisë, madje edhe tek vetë shkrimtari në Paris e në Tiranë. Gjatë kohës që unë kam shkruar këtë libër, kam ardhur të shoh Kadarenë si një njeri, eksperienca e të cilit në të shkruar, në politikë dhe në etnicitet ishte e veçantë. Konteksti i diktaturës shqiptare, shkollimi i shkrimtarit në Moskë dhe njohja e hershme e kompleksitetit të të shkruarit në formën e re të shoqërisë komuniste të periudhës së pasluftës, refuzimi i tij gjatë viteve 1970 dhe 1980 për të lënë vendin e tij ose të bënte kompromise për të shkruarin, e bëjnë Kadarenë unik si shkrimtar në ambientin socialist. Në një tokë ku shkrimtarët zakonisht ishin të munduar, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadare prodhoi disa prej veprave të tij më brilante e më armiqësore për t'u dalluar në Europën Lindore socialiste. Si rezultat i vazhdimit të kërkimeve të mia, dhe meqenëse në të vërtetë pak dihej për Ismail Kadarenë në anglisht, dhe akoma më pak për regjimin diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, unë shkrova disa artikuj për librin "Pallati i ëndrrave". Pasi kisha kuptuar se sa pak dihej rreth këtij shkrimtari dhe vendit të tij, (së paku në botën anglishtfolëse), unë propozova të shkruaja një libër dhe mora një fond bujar nga Këshilli Australian i Kërkimeve për të kërkuar dhe për të shkruar një libër mbi Kadarenë.
Kur e takuat për herë të parë atë?
Në nëntor të vitit 2004 unë e takova për herë të parë Ismail Kadarenë. Unë gjeta tek ai një njeri të merakosur për Shqipërinë, historinë e saj bashkëkohore, dhe vetë rolin e tij, e jo për t'u surprizuar, skeptik për aftësinë e një njeriu të jashtëm që të penetrojë në sekretet e tij. E fillova këtë studim me qëllimin që të zbuloja përgjigjen e kontradiktave të veprave dhe jetës së Kadaresë. Kam prezantuar udhëtimin e Kadaresë që nga koha kur ai qe një djalosh që shijonte frytet e para të modernizimit komunist deri kur ai u bë një shkrimtar finok, provokues e sfidues, e po ashtu edhe vetëdyshues në fund të diktaturës. Analizat historike dhe letrare zbulojnë veprat e Kadaresë e prezantojnë një njeri të devotshëm ndaj punës së vet, por edhe një kundërshtues të hapur koherent të diktaturës që nga libri "Qyteti pa shenja" në vitin 1959, deri tek "Hija" dhe "Piramida" në fund të viteve 1980.
Ju e keni takuar shkrimtarin tonë disa herë. A mund të na zbuloni diçka më shumë rreth takimeve dhe bisedave tuaja?
Zoti Kadare është një zotëri i rangut të parë, një shkrimtar dhe një intelektual, i cili ia ka dedikuar jetën e tij letërsisë dhe Shqipërisë. Ai është edhe kozmopolitan edhe europian në perspektivën e tij, por në të njëjtën kohë është edhe patriot i fortë, që i bën opinionet e tij të njohura në çështje që kanë të bëjnë me vendin e tij, qofshin ato çështje sociale, politike apo kulturore. Në zemër, gjithsesi, ashtu si e ka treguar edhe në pesë dekadat e kaluara, ai ka mirëqenien e Shqipërisë dhe atë të shqiptarëve të tij. Ajo çfarë më bën përshtypje jashtëzakonisht tek ai si shkrimtar, është qetësia dhe lehtësia me të cilën ai duket se shkruan. Kjo, për mua është një e dhënë e nivelit të gjenialitetit që Kadareja ka, aftësia natyrale e të treguarit të historisë dhe fjalët që ai përdor, e bëjnë atë kaq joshës si autor edhe në përkthimet në vende të ndryshme.
Ju flisni në libër për jetën e tij nën komunizëm. Ku i keni marrë informacionet për ato vite? Kë keni takuar?
Shumë prej informacioneve të mia vijnë nga disa intervista që unë kam bërë në vitin 2004 në Tiranë, me miq, kolegë dhe të tjerë njerëz rreth Kadaresë dhe rreth jetës shqiptare, kulturës, historisë, shoqërisë dhe politikave në përgjithësi. Jean-Paul Champseix, i cili mësoi frëngjisht në Shqipëri në vitet 1980, dhe profesor Ilir Yzeiri i Universitetit të Elbasanit, në veçanti më kanë dhënë shumë informacione dhe mbështetje që të njihja Shqipërinë, historinë dhe kulturën e saj. Unë nuk e kam provuar jetën nën komunizëm, por kam lexuar gjerësisht dhe thellësisht në historinë e kohës dhe kam folur me njerëzit që kam intervistuar, njerëz të cilët kanë jetuar nën atë regjim. Mbase nuk do ta di kurrë se si unë do të jetoja në atë ambient, por kam bërë më të mirën time të mundshme, për t'u informuar përmes historisë gojore dhe asaj të shkruar mbi atë çfarë ishte jeta gjatë atyre dekadave.
A mund të na thoni linjat kryesore mbi të cilat ecën libri juaj?
Ndërkohë që pjesa më e madhe e librit mbulon politikën, historinë dhe biografinë e autorit, interesi im kryesor është Kadareja si shkrimtar. Unë jam magjepsur nga romanet e tij dhe qëllimi im ishte të shkruaja një studim kritik mbi veprën e tij. Për të bërë këtë, m'u desh të zbuloja hapësirën ndaj së cilës letërsia dhe eseistika e tij i është dedikuar. Tema qendrore ka qenë identiteti shqiptar që nga kthimi i tij në atdhe në vitet 1960. Një prej kritikave që i janë bërë Kadaresë nga komentatorët brenda dhe jashtë vendit, ka qenë se ai ka ndryshuar mënyrën e tij të të shkruarit në mënyrë që të qëndrojë në një linjë me regjimin. Gjithsesi, një analizë ndaj romaneve të tij tregon një nivel të jashtëzakonshëm koherence në kritikën e tij të nënkuptuar ndaj tradhtisë që regjimi shqiptar i bëri popullit të vet. Që nga "Qyteti pa shenja" (1959) deri tek romanet e tij më të fundit në vitet 1980, ai vazhdimisht ka shfaqur dobësinë, korrupsionin dhe kalbëzimin e regjimit, ndërsa vetë ai ka mbështetur gjithnjë e më fuqishëm sensin e identitetit shqiptar, të predikuar përmes historisë kombëtare dhe vendosjes së vlerave tradicionale si të papajtueshme me diktaturën.
A ka ndonjë gjë që ne nuk e dimë për shkrimtarin tonë?
Miqtë e mi shqiptarë, siç është Profesor Ilir Yzeiri, më kanë bërë vigjilent ndaj aspekteve të të shkruarit të Kadaresë, të cilat, unë si i huaj nuk do t'i kisha kuptuar kurrë. Duhet të isha i pavullnetshëm, të sugjeroja se unë mund të mësoj shqiptarët të kuptojnë shkrimtarin e tyre të madh. Në fakt unë kam takuar shumë shqiptarë, njerëz të zakonshëm, që janë thellësisht krenarë për Kadarenë. Gjithsesi, më duhet të them se mbase shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është Kadare në skenën botërore të letërsisë. Për mua, ai është një prej kronistëve më të mëdhenj të periudhës së pasluftës, puna e të cilit kapërcen barrierat kombëtare e i flet për Shqipërinë dhe për popullin e saj, tërë botës. Është skandal fakti që ai nuk e ka fituar çmimin "Nobel" për Letërsinë në vitet e kaluara, e shpresoj që do ta marrë atë së shpejti si një mirënjohje për kontributin e tij në letërsinë botërore.
Jeni shprehur se libri juaj është një tregim për dy mjeshtra shahu, të vendosur kundër njëri-tjetrit për më shumë se tri dekada. Përse përdorni termin 'mjeshtra shahu'?
E përdor këtë shprehje kryesisht për të dëshmuar nivelin e taktikave që ishin përfshirë në marrëdhënien e Kadaresë me regjimin në më shumë se tri dekada. Të dy, si ai, e si Enver Hoxha, luajtën një lojë tmerrësisht serioze për zërin e Shqipërisë. Një tjetër metaforë e mundshme që në gjuhën angleze do të ishte, një lojë si "macja me miun", nuk do ta shprehte dot nivelin intelektual dhe taktikat brilante të të dy anëve. Kishte po ashtu edhe një nivel përfshirjeje personale të njërit personazh ndaj tjetrit, e kjo e bën situatën e Kadaresë kaq të pazakontë në kontekstin e diktaturave të Europës socialiste. Vetë Kadare ka përdorur një sërë metaforash, në veçanti atë të miteve antike greke, si Prometeu e Zeusi, për të treguar nivelin e kompleksitetit të marrëdhënies diktator-shkrimtar, politikë-letërsi, e realitet-imagjinatë.
Thoni se Kadare ka pasur taktika brilante. Ai ia doli mbanë të mbijetojë në më të egrin e më shtypësin e të gjitha regjimeve. A mund të na thoni se cilat ishin taktikat që ai përdori, sipas jush?
Kjo është një pyetje komplekse e që kërkon shumë saktësi në përgjigje. Në fakt është një prej çështjeve më kryesore të librit tim. Kadare ishte pa dyshim një takticien i rangut të parë, një njeri i cili mund të lexonte situatën politike e që ishte i aftë të shkruante në mënyrat që ai donte ndërsa ishte brenda kufijve të censurës. Është e rëndësishme të themi se shumë prej asaj që Kadareja shkroi, ishte marrë në dorë nga botuesit e regjimit dhe kontrollohej e redaktohej nga ai, e po ashtu shpesh veprat ndryshoheshin ose ktheheshin mbrapsht për rishikim. Kadare ishte i gatshëm të rishikonte çikërrimat për të parë veprën e tij të botuar. Studimi im, mbi tipet e kundërshtimeve të ngritura mbi veprat e shkrimtarit, nga redaktorët e nomenklaturës madje edhe ata të nivelit të lartë (siç ishte Nexhmije Hoxha), tregon se shumë prej tyre nuk e kanë lexuar në mënyrë inteligjente kompleksitetin apo nuancat e kuptimeve të veprave. Kadare ishte i aftë të shkruante në një mënyrë të tillë, që të kënaqte të dy palët, si ata që lexonin mes rreshtave, ashtu edhe ata që nuk mund të lexonin në këtë mënyrë. Ashtu si edhe poeti i madh gjerman i shekullit të 19-të, Hajne, Kadare duket se ka përfshirë në lojën e 'maces dhe miut' botimet e Shqipërisë komuniste. E ka parë si detyrë të kapërcejë sytë censurues të regjimit. Gjithsesi, ai ishte shumë i limituar në disa mënyra në të shkruarin e tij dhe ka vuajtur stresin dhe poshtërimin e hetimit (jurisë) të veprës së tij, në kohën kur botoi "Dimrin e madh" dhe "Pallatin e ëndrrave". Tensioni i një jete duke shkruar në ato kushte ka qenë shumë i madh.
Enver Hoxha, thoni ju, ishte një narcist inteligjent, i etur për pushtet, i cili donte t'i tregonte botës që regjimi i tij ishte një regjim komunist i sofistikuar... Si e argumentoni këtë opinion?
Enver Hoxha ishte i vetmi lider i Europës socialiste që kishte pasur një shkollim europiano-perëndimor në Francë dhe Belgjikë. Ai krenohej me veten për bibliotekën e vet, leximet e veta dhe kredencialet e tij intelektuale franceze, jo se ishte ndonjë intelektual apo ndonjë shkrimtar i madh në fakt. Gjithsesi, ai donte të kishte një reputacion të tillë. Ai pa tek Kadare një shkrimtar të një niveli të lartë, e në të njëjtën kohë, ai kuptoi se mund ta përdorte atë për t'i dhënë regjimit të vet miratim në Perëndim. Gjithsesi, ai nuk lexoi mes rreshtave; ai nuk e kuptoi sipërfaqen për të cilën Kadare përdori mjete letrare në mënyrë që të minonte apo të gërryente themelet e diktaturës. Madje, edhe "Dimri i madh", mbase romani më i diskutueshëm dhe kundërshtues i Kadaresë, teksa portretizonte Enver Hoxhën në sipërfaqe si hero, në të njëjtën kohë tregon se një Shqipëri në të cilën partia është e degjeneruar, e në të cilën "fitorja" mbi Moskën rezulton një izolim, varfërim dhe nënvleftësim i shqiptarit Besnik Struga. Stuhia e dëborës në fund të romanit përmbledh ose e thënë ndryshe, rrëfen situatën finale. Ndërsa "Dasma", një roman që vetë Kadare e konsideron si më të dobëtin dhe më të komprometuarin, është larg të qenit i qartë në portretizimin e konfliktit mes vlerave tradicionale dhe atyre të regjimit komunist. Kështu, ndërkohë që Enver Hoxha e përdori Kadarenë si shkrimtarin e tij dhe si intelektualin që kishte një lloj lirie relativisht të madhe për të udhëtuar e madje edhe për të shkruar, Kadare e ktheu këtë liri në diçka shumë të rrezikshme për regjimin.
Ku e shihni ju fuqinë e autorit ndaj Hoxhës, njeriut që kishte në dorë popullin shqiptar?
Ndërsa shkruante, Kadare fitoi mbështetje të fuqishme dhe kishte mbështetje nga shumë intelektualë francez të fuqishëm, njerëz siç ishte botuesi Claude Durand, të cilit ai do t'i fliste nëse do të ishte në rrezik. Enver Hoxha ishte një njeri disi snob mes liderëve komunistë të Europës, por ai nuk donte të ngjante apo të ishte si Hrushovi apo Çaushesku. Hoxha u përpoq, edhe pse nuk pati sukses, të botonte kujtimet e fëmijërisë së tij tek botuesi francez i Kadaresë, "Fayard". Kjo marrëdhënie që Kadare kishte me Perëndimin, i dha atij potencial dhe mbrojtje.
E keni konsideruar Kadarenë si Nemesis, perëndia e hakmarrjes. Si i tillë, çfarë bëri ai, ku u hakmor?
Hakmarrja e tij ka të bëjë me famën dhe vlerësimin që ai gëzonte. Në të njëjtën kohë, kur ai vuante, ai e lëndonte dhe e plagoste diktaturën. Ai iu ofroi shqiptarëve një vizion të asaj çfarë ata ishin dhe asaj që mund të ishin nëse do të liroheshin nga prangat e diktaturës. Enver Hoxha dhe miqtë e tij, përfshirë Nexhmijen dhe të tjerë, kishin fuqi absolute deri në fund. Kadare dokumentoi jetën shqiptare nën regjim deri në vitet '90.
Ju thoni se shkrimet e Kadaresë, "ironike, shumëkuptimëshe dhe imagjinative" ishin komplet kundër ideologjisë së kohës. Kjo në të gjitha veprat?
Po, madje edhe në ato më të diskutuarat, siç janë "Martesa", "Dimri i madh". Ai ka një tekst që lejon disa lexime, siç është ai mes rreshtave.
Si do ta përkufizonit jetën e tij në atë kohë?
Për standardet shqiptare të kohës, Ismail Kadare gëzonte një sërë privilegjesh, në terma konkretë e fizikë. Ai jetoi relativisht mirë, e pati mundësi të udhëtonte edhe pse në kushte kontrolli e survejimi. Do të ishte gabim nëse do e prezantonim atë si një figurë të heshtur nën atë regjim. Veprat e tij u botuan në mënyrë selektive dhe ai qe një anëtar i mirënjohur i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i Partisë. Ai ishte deputet në asamble, dhe mund të ikte edhe jashtë vendi. Ai mundi të shmangte burgun, kampet e punës, apo forma të tjera dënimi për atë që nuk ndiqte linjën. Këto kanë qenë vërtet privilegje. Por, është e rëndësishme të themi se Kadare nuk kishte lirinë që të hiqte dorë nga udhëtimet apo të refuzonte t'i bashkohej trupave qeveritare. E, të gjitha privilegjet që ai gëzoi, e kishin një çmim. Si çdo aspekt tjetër i jetës së tij, veprat që shkroi ishin subjekt i kontrolleve. Ai ka vuajtur tmerrësisht nga kërcënimet dhe terrori i lëvizjeve të papritura që mund të bënte diktatori. Hoxha kishte një lloj respekti për Francën dhe ishte aq finok, sa të mbronte Kadarenë si një figurë me vlerë për ta shfaqur në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, Kadare nuk ia dha miratimin e tij regjimit në rolin e si ambasador. Përkundrazi, përdori çdolloj mundësie për të shpërndarë veprat letrare, të cilat flisnin në mënyrë elokuente për gjendjen e vështirë të vendit. Letërsia e tij është e patëmetë. Në mënyrë që të mbijetonte, ai duhej të pranonte në heshtje regjimin dhe privilegjet.
Komentoni
Artikuj te tjere
Pilo Zyba: Një rrugë për dy dashuri
Kalosh Çeliku: Luftën e fitojmë - Po në takolinë na qepin struke
Albert Zholi: Pjesë nga Monografia Luftar Paja
Ismet Hebibi: Poezi mbi poezitë
Ejup Ceraja: Priste Kosova shekuj me radhë...
Bedri Tahiri: Nusja e Praruar
Martin Lleshi: Baladë për atdhenë
Agim Gashi: Dita e Pavarësisë
Demir Krasniqi: Shteti i Kosovës
Besnik Kërluku: Qëndresa / Delvina Kërluku: Adem Jashari
Dibran Demaku: Gëzuar!
Ukshin Zajmi: Sonetë urimi për Ditëlindjen e Kosovës
Neki Lulaj: Urime , Urime Dardanisë
Gani Qarri: Për Pavarsinë shumë urime
Qamil Foniqi: Në dy vjetorin e pavarsisë së Kosovës - Poezi nga cikli “Rruga deri këtu”
Jusuf Zenunaj: Sot kanë ditën e Pavarësisë
Dy poezi nga Nehat Jahiu
Demir Krasniqi: Vallja e Gjilanit
Pilo Zyba: Shenjt Valentini
Ylli M. Dilo: Vites