Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Një natë e bardhë

| E enjte, 11.02.2010, 09:45 PM |


Këze Kozeta Zylo

Një natë e bardhë

Një natë e bardhë në kopshtin tim,
Përmbi pemë me krahë qëndroi,
Qysh në agim zogjtë cicërinë,
Zëri i tyre ëmbël më zgjoi…

Dhe lot i pishës së argjendë,
Në cep të buzës butë pikoi,
Ca kujtime me flutërza bore,
Zemrën time, se c’përvëloi…

Si drenushë eci ngadalë,
Qetësisht si ky peizazh,
Vellon trupit në të bardhë,
Ma vesh bora që nga lart…

Dhe mbledh unë ca lule bore,
Me shportë shpirti nëpër degë,
Jua hedh nxënësve në oborre,
Kujtimi i lojës thellë më djeg…

Me borën e bardhë përmbi supe,
Ecim bashkë një copëz rrugë,
Çuditërisht të dyja heshtur,
Dorë për dorë ajo dhe unë.

Dhe pse dehem nga kjo bardhësi,
Si mjegull e thinjur rëndon shpirtit,
Më zhvesh kujtimet si pemë vjeshte,
Lakuriq në ngricë të vitit…!

10 Shkurt, 2010
Staten Island, NY