Puna drejtuese e një ndërmarrjeje të madhe botuese më bën më të përgjegjshme.
Me Fatmirin kemi jetuar një histori dashurie dhe pasioni nga më të veçantat.
Me kohën ka ndryshuar forma por jo përmbajtja e dashurisë sonë.
S’kam asgjë kundër bashkëjetesës.
Emancipimi i gruas nis nga vetvetja.
Nga Albert Zholi
Një grua e qetë, simpatike, plot vrull, gjithmonë në lëvizje, këto janë disa nga cilësitë e drejtores së përgjithshme të Institutit të Librit dhe Promocionit “Toena”, Irena Toçi. Tashmë që bashkëshorti i saj Fatmir Toçi është deputet i PS-së, hallet e punës në shtëpinë më të madhe botuese në vend janë shtuar dhe më shumë. Ajo i është larguar paksa fëmijëve për t’iu kushtuar edhe më shumë punës, por dashurinë për Fatmirin e ka si në ditët e para të njohjes. Sipas saj, gruaja me vullnet, studim dhe punë mund të bëjë po aq sa mund të bëj edhe një burrë. Ajo vlerëson letërsinë shqipe për arritjet e saj dhe argumenton pse marrëdhënia e Toena-s me ta është një marrëdhënie suksesi e ndërsjellë
A. Zh. - Ju tashmë drejtoni shtëpinë botuese “Toena”. Është e vështirë për ju si femër të drejtoni shtëpinë botuese më të madhe në Shqipëri?
I. T. - Në të vërtetë, çdo profesion ka vështirësitë e veta, por pas 18 vjet pune si drejtore ekzekutive në Shtëpinë Botuese Toena, çdo gjë është më e thjeshtë. Vështirësitë, megjithatë, në realizimin me sukses të kësaj detyre janë të natyrave të ndryshme: Si fillim, mjafton të përmend tregun e brishtë shqiptar të librit ku p.sh. marrëdhëniet me shtetin janë në të shumtën e rasteve marrëdhënie trysnie dhe jo bashkëpunimi si do të ishte e natyrshme të ishin duke iu referuar realitetit të vendeve të tjera të Evropës; nga ana tjetër, legjislacioni që rregullon marrëdhëniet midis tre komponentëve kryesorë të punës sonë: botuesit, autorit dhe tregut janë ende jo të qarta, të kontestuara dhe jo në efiçencë; për më shumë, edhe ato pak rregulla të konkurrencës që janë vendosur prej botuesve këto 20 vjet zbatohen vetëm nga një pjesë e kolegëve dhe jo nga të gjithë, gjë që shprish
konkurrencën e pastër dhe krijon disproporcion në ballafaqimin me lexuesin; ndërkohë që shija e lexuesit ka evoluar me kalimin e viteve, cilësia që ofrohet nga shtypshkronjat shqiptare nga njëra anë dha kapaciteti i tyre prodhues nga ana tjetër na detyrojnë shpesh të kërkojmë bashkëpunime me shtypshkronja që operojnë në tregun evropian apo edhe më larg në Kinë apo Indi – gjë që kërkon një menaxhim krejt tjetër të produktit libër. Të gjitha sa ju përmenda dhe mjaft probleme të tjera që lidhen me punën drejtuese të një shtëpie të madhe botuese: me politikat e saj botuese, me marrëdhëniet me autorët, me përzgjedhjen dhe mbështetjen e fuqishme të veprës së më të mirëve prej tyre, janë njësoj të vështira për t’u zgjidhur si për një burrë ashtu edhe për një grua. Shoqëria shqiptare është në të vërtetë mjaft mosbesuese dhe paragjykuese ndaj punës drejtuese, organizuese apo administruese
të një gruaje, por nga na tjetër mendoj se pikërisht duke pasur parasysh këtë pikë të dobët të shoqërisë sonë puna e çdo gruaje në një pozicion të tillë do të ishte edhe më e përgjegjshme. Nga ana tjetër kjo detyrë është një sfidë personale nga e cila nuk druhem aspak dhe për të cilën nuk do t’i kursej energjitë e mia pozitive.
A. Zh. - Nisur nga katalogu juaj vihet re që pjesa më e madhe shkrimtarëve shqiptarë më të mirë, botojnë te Sh.B. Toena. Si e shpjegoni dëshirën e tyre për të botuar te Toena?
I. T. - Konstatimi juaj është i drejtë. Në katalogun tonë të botimeve, të vitit që lamë pas, veprat e autorëve shqiptarë përbëjnë 80% të të gjithë botimeve në tërësi. Nuk ishte një rastësi shifrash ky rezultat, por një realizim i synimeve tona për të botuar dhe promovuar letërsinë shqipe. Përzgjedhja jonë për vendosjen e këtyre lidhjeve bashkëpunuese me autorët shqiptarë të prurjeve më të mira është i qartë. Nga ana tjetër, ata na besojnë veprën e tyre, mendoj për disa arsye që lidhen me disa hallka të rëndësishme të punës sonë botuese: shërbimi që i ofrojmë ne një vepre fillon me redaktimin dhe korrektimin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme duke qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autorët dhe duke respektuar mendimin e tyre, pa toleruar aty ku cilësia dëmtohet; estetikisht synojmë që të ecim me kohën duke ndjekur modelet e botimeve më të mira në tregun
evropian; hallka më e fortë e punës sonë është padyshim promocioni, takimet e gjera me lexuesin, konferencat e shtypit, kontaktet nëpërmjet faqes sonë në internet me lexues në të gjitha anët e botës. Them se kjo marrëdhënie respekti dhe korrektësie e ndërsjellë e bën jetëgjatë dhe të suksesshme marrëdhënien tonë.
A. Zh. - Mund të na përmendni disa nga emrat e lakuar të krijimtarisë letrare shqiptare që kanë botuar te ju dhe disa momente që kanë ngelur në kujtesën tuaj nga takimet që keni pasur?
I. T. - Numri i shkrimtarëve shqiptarë që janë botuar nga ne janë të shumtë. Secili prej tyre ka veçantitë e veta dhe vlerësimin për veprën e tyre ne e kemi bërë çdo herë që i kemi botuar. Nga ana tjetër duke pasur parasysh raportin që vepra e tyre ka vendosur me lexuesin dhe vlerësimet që ata kanë marrë nga institucione të ndryshme si Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Akademia Kult, institucione të tjera në Kosovë, Shqipëri dhe Ballkan mund të veçojë disa prej tyre si: Fatos Kongoli, Diana Çuli, Ben Blushi, Flutura Açka, Bashkim Shehu, Agron Tufa, Kim Mehmeti, Mehmet Kraja, Luan Starova, Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçka, Teodor Laço, Visar Zhiti, Natasha Lako, Ali Podrimja, Preç Zogaj.
Momente të emocioneve të veçanta nga takimet me ta janë të panumërta. Të papërshkrueshme janë sidomos takimet e shumë prej tyre me lexuesit në qytete dhe qendra nga më të ndryshmet në Shqipëri dhe përtej saj. Kujtoj si më të bukurat: takimin e Fatos Kongolit dhe Agron Tufës me lexuesit në Podgoricë; Diana Çulit në Ulqin por edhe në Luksenburg; Ben Blushit në Prishtinë por edhe në Korçë; Kim Mehmetit në Tiranë por edhe në Berat; Bashkim Shehut në Vlorë; Luan Starovës në Tiranë; Ylljet Alickës në Lion; Flutura Açkës në Korçë...
Në secilin nga këto takime, shkrimtarët e sipërpërmendur kanë dhënë me qindra autografë për lexuesit e tyre. Librat me autografin e tyre janë bërë pjesë e bibliotekave personale të atyre lexuesve, duke u dhënë një nga kënaqësitë më evidente dhe speciale. Në të gjitha këto takime ne kemi marrë kënaqësinë edhe të kurorëzimit të punës sonë me sukses.
A. Zh. - Si e pritët kandidimin e bashkëshorit tuaj, Fatmit Toçit, për deputet dhe a ishit dakord me vendimin e tij?
I. T. - Nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe as i nxituar. E kemi diskutuar gjatë propozimin e PS që Fatmiri të kandidonte, si pjesë e listës së saj, në qarkun e Vlorës. Së bashku vendosëm se ishte momenti i duhur për të hyrë në këtë garë, që s’kishte për të qenë e lehtë, por që për Fatmirin kishte kuptim të veçantë përderisa do të ishte, në rastin më të mirë, përfaqësues në Parlament i banorëve të Lumit të Vlorës, zonë që për të, ka qenë dhe është shumë e dashur. Shumë e rëndësishme do të ishte zgjedhja e tij si deputet edhe për përfaqësimin më të mirë të komunitetit të njerëzve të kulturës, për të cilin ai ka dhënë në vazhdimësi dhe me konsekuencë një kontribut të vazhdueshëm.
A. Zh. - Si jeni njohur me Fatmirin dhe a keni shenja xhelozie ndaj njëri-tjetrit?
I. T. – Me Fatmirin jemi njohur rreth 19 vjet më parë. Kemi jetuar një histori dashurie dhe pasioni nga më të veçantat, histori që u kurorëzua me martesën tonë. Lidhja jonë i ka rezistuar kohës edhe falë ekzistencës së xhelozisë, krahas ndjenjës së besimit dhe respektit reciprok.
A. Zh. - Si ndiheni sot, si bashkëshorte e një deputeti, a është e vështirë pasi ai është rreshtuar në një formacion politik? Jeta juaj private a është më e privuar?
Më duket se asgjë esenciale nuk ka ndryshuar në marrëdhënien tonë. Ne kemi qenë dhe jemi shokë të mirë. Përse e them këtë? Sepse jemi mësuar të bashkëpunojmë, përveçse të ndërtojmë një familje. Për më shumë, ai është rreshtuar në atë formacion politik, në të cilin ka gjetur më shumë veten. Nëse do të më pyesnit se cilat do të jenë politikat botuese të Toena-s pas kësaj, a do të jenë ato gjithëpërfshirëse apo do të mbështesin më shumë krijuesit që ndodhen më afër të majtës shqiptare do t’ju përgjigjesha pa hezituar: Jo. Toena ka botuar gjatë gjithë kohës së ekzistencës së saj dhe do të botojë veprën e të gjithë atyre autorëve që përbëjnë pasurinë tonë kombëtare. Toena nuk do të bënte kurrë gabimin të ndante autorët e letërsisë apo të fushave të tjera në dy kampe. Toena ka qenë dhe do të vazhdojë t’i mbetet idesë se mbështetja i duhet dhënë mendimit të
vërtetë intelektual që vjen nga të gjitha krahët.
A. Zh. - Thuhet se me kalimin e viteve dashuria në çift zbehet. Mendimi dhe eksperienca juaj me Fatmirin?
I. T. - Besoj se nuk jam e vetmja që do të them se asnjë marrëdhënie në çift nuk ka në çdo fazë të jetës të njëjtat ngjyra dhe njëjtin pasion. Me kalimin e kohës konstatoj se në lidhjen tonë është zbehur frika apo pasiguria se nesër mund të mos jemi më bashkë dhe është shtuar dhe përsosur pa dyshim kujdesi për të mos e lënduar njëri-tjetrin qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Pas kaq vitesh bashkëjetese mendoj se kohë pas kohe ka ndryshuar forma e të shfaqurit të dashurisë por nuk ka ndryshuar përmbajtja e saj.
A. Zh. - A mendoni se shoqëria shqiptare është shumë maskiliste dhe pse?
I. T. – Po, shoqëria jonë, për fat të keq, është ende shumë maskiliste. Edhe pse për emancipimin e femrës te ne është bërë një luftë e gjatë që fillon që në kohën e Mbretit Zog dhe ligjet e miratuara në atë kohë, për heqjen e perçeve që mbaheshin gratë e besimit mysliman dhe vazhdon fuqishëm dhe me konsekuencë në kohën e regjimit komunist. Duhet të pranojmë se ishte pikërisht ky regjim që i dha gruas vendin e merituar në shoqëri, që e përfshiu atë në të gjitha proceset e ndërtimit të shoqërisë, që e përfshiu gjerësisht në vendim marrje, në administrim dhe që ndryshoi rrënjësisht dhe përgjithmonë raportet midis burrit dhe gruas në shoqërinë tonë. Pas rrëzimit të komunizmit dhe vendosjes së demokracisë mendoj që u bënë hapa mbrapa në këtë drejtim. Femra shqiptare u ndie e rrezikuar në përgjithësi nga pjesa mashkullore e shoqërisë. Shumë femra për fatin e keq të tyre dhe për
faqen e zezë të familjes shqiptare u trafikuan nga njerëz të afërt apo dhe nga vetë burrat apo vëllezërit e tyre në rrugët e Evropës, shumë të tjera kanë vuajtur dhe vuajnë dhunën në familje. Shoqëria jonë ende nuk ka mundur të gjejë zgjidhje për të zbutur apo zhdukur fenomene të tilla monstruoze. Shkaqet e ekzistencës së këtyre fenomeneve janë të shumëllojta: që nga varfëria e skajshme e shumë familjeve e deri te tradita patriarkale e rikthyer.
A. Zh. - Edhe këto zgjedhje nuk u arrit numri 30% femra në parlament ndryshe dhe nga shteti më i ri në botë Kosova. Cila është arsyeja sipas jush për këtë nënvleftësim të femrës shqiptare?
I. T. – Mendoj se përpjekja e partive politike për të realizuar 30% e pjesëmarrjes së grave në parlament gjatë zgjedhjeve të fundit kanë qenë të kënaqshme. Arsyeja kryesore besoj që nuk u arrit kjo shifër ka të bëjë me angazhimin e vetë grave në politikë. Me sa duket pjesëmarrja e grave në partitë politike ende nuk i kap këto përqindje. Po flas për gra që do të kishin formimin dhe edukimin e duhur profesional dhe kulturor për t’u përfaqësuar në institucionin më të lartë të shtetit shqiptar.
A. Zh. - Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj?
I. T. – S’kam asgjë kundër bashkëjetesës. Mjafton që fëmijët që do vinë në jetë nga çiftet që bashkëjetojnë të mos rriten me kompleksin se nuk janë pjesë e një familjeje të vërtetë dhe të jetojnë duke u ndier të rrezikuar se marrëdhënia e prindërve të tyre mund të marrë fund edhe për arsye të rëndomta. Them se bashkëjetesa është një mënyrë e mirë që njeriu të marrë me të mirë veten duke besuar se në çdo moment është i lirë të vendosë për të ardhmen e tij. Është vetëm një iluzion, megjithatë. Çdo lidhje mes dy njerëzve është shumë komplekse dhe nuk mund të zgjidhet lehtë.
A. Zh. - Jeni supersticioze në jetë?
I. T. – Në të vërtetë nuk jam supersticoze, por kam vënë re se kam ndjesi të forta telepatie, të cilave, për fat të keq, jo gjithmonë i marr në konsideratë.
Ditari sekret i emigrantes MADI