Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Rexhep Kasumaj

| E diele, 24.01.2010, 08:36 PM |


Rexhep Kasumaj


Intermexo mërzie!

1.
Në funddhomën pa ballkon
s’është më bredh i vitit të ri
që kreshpëronte flatrash përpjetë 
i dehur në kreni
nga bukuri  e shpresave tona 
varë mbi gjerdanët 
mbi dritëzat farfuritëse
mbi fletë
peng mbetur i të vjemit mot
tek sosi përjetë.

2.
E tani, ja, krahëlëshuar  teposhtë
tërhiqet lëvarë në trishtim
tok me ëndrrat, lutjet ëngjëllore 
që klithin për shpëtim  
nga gjethnajë e tij therëse
por coptohen keq
kutizash dëshirake të stolisë
dhe dëshpërueshëm bien 
e sërish kthehen
në vendlindjen e mërzisë…

Berlin, mesdimër, 2010


Magji e lotit

1.
Pa lotin,
E vrarë do ish jeta, e shkretë
Në ngjizje të bukurisë
Një trung krejt i tharë
Pa rrëfanë 
E fletë.

2.
Ç’është ai lëng i shpifur 
Tek, thonë, 
Tej botës shtyn ngjim
Trena,  anije, avionë
Jo, është loti që i nis a pret
Udhë, dashuri e trishtim.

3.
Si do qanin stacionet, aeroportet
Pa lotin e ndarjes?,
Të dielat e pritjes ç’do thoshin 
E parmakë dritaresh në vetmi
Kuisje e pikëlluar erës 
A muzgjet me shi?.

4.
Lulet si do çelnin
E zogjtë e përmalljes
Kush do i ftonte 
Të ktheheshin sërish në prill?,
Pa lotin do jepte shpirt dhe vdekja  
E s’do mbetej veç një trill!

Berlin,  verë 2009


Rabin i penduar!

Lutja, thotë mësim i mirë biblik
Shenjëtorja, na qenkësh çlirim
Se me Hyun rrezja prushërohet
E dorën ai zgjat për ngushëllim

Dhe lutet përulshëm ditë e natë 
Fqinji im i heshtur dorëhollë
Nga tempulli në tempull ai vete
I krrusur e shpesh me kollë

Tani tek mesvjeshtë argjendon
Rabinin kujtoj të vjetër me lot  
Që i ngujuar në fatin e keq, tha
Unë nuk lutem më kurrë, o Zot!

Berlin, mesverë 2009


Revoltë

Zogjtë kishin braktisur
 Zejen e vjetër
Qëmoti në grevë ish 
Telefon i bezdisë
E postë provinciale një jetë vononte
Njatij moti besëprerës   
Me hirin e shterrëzisë

Ah ,Hermes të ri magjie
SmS aherë të kish 
Me ngut engjëjsh të flatronte
Nëpër erë e shqotë 
Dhe me të fundmen frymë 
Shenjën të jepte 
Ndal: unë kam ende lot!

Berlin, verë, 2008