E shtune, 21.12.2024, 02:51 PM (GMT)

Mendime

Naser Aliu: Horoskopi i qeverisë

E diele, 24.01.2010, 09:58 PM


Horoskopi i qeverisë

“Patëm një dallgë të fuqishme, ndikoi edhe eklipsi i Hënës!” S. Berisha

Nga Naser Aliu

Kjo deklaratë detyron njeriun t´i hetojë edhe lëvizjet e planetëve tjerë dhe të pikasë ndikimin e tyre shumë të madh në Shqipëri dhe në politikën ballkanike në përgjithësi. Vetëm kështu mund ta kuptojmë fatin tonë. Vetëm me lëvizjet e planetëve mund të kuptohen shqetësimet, tmerret, rëniet dhe ngritjet në njëzet vitet e fundit në Ballkan. Atje mund të shihet se politikanët nuk kanë faj, por fajet mund të dëshmohen me prova në sistemin tonë diellor. Janë imponime, mesazhe, zëra, që shndërrohen në bindje dhe nuk mund të evitohen. Politikanët ballanik vetëm absorbojnë fatin e shkruar nga kompetencat hyjnore dhe ekzekutojnë planet e tyre. Dashakeqët mund t´i fajësojnë qeveritë ballkanike për mjerimin tonë. Fati jonë, paqe a luftë, krim apo korrupsion, vjedhje apo eksplodim, kurdiset diku tjetër, jo në kryeministri, jo në ministri, jo nëpër administratë, jo në Kuvende, por mbi kokat tona ballkanike, në gjithësi!

Nuk ka dyshim se Saliu është politikan i shkëlqyer: vizionar, trim me flet, internacionalist, tribun i vegjëlisë, i revolucionit, i evolucionit, madje edhe tribun i mimikrisë, por dezorientimi vjen nga lart. Saliu i Madh e donë shumë kombin shqiptar. Për dështimet në politikën shqiptare nuk janë fajtorë politikanët, por planetët. Planetët e sistemit diellor, sepse opozita informon gabimisht galaktikën.
Ka disa planetë, që me vite ushtrojnë ndikim të madh në Ballkan me eklipset e tyre tekanjoze dhe tendencioze. 
Marsi si dhuruesi i emrit ditës së martë, i muajit mars, është fajtor për shumë tragjedi në Ballkan, në kohën e fundit edhe në Gërdec. Është fajtor sepse Marsi ishte Perëndi i luftës te romakët dhe ky planet zakonisht kur ia mësyn një vendi me dallgët e veta, ushtron një ndikim aq të madh, sa popujt me vite nuk këndellen. Serbia me vite e ka nderuar si Kryeperëndi dhe i lutej për ditë. Mirëpo, Marsi kur zbulon armë eksplozive, bën çka bën dhe i detyron të eksplodojnë. I pëlqejnë shumë bombat dhe lëndët eksplozive! Shkurt, fajet nuk duhet kërkuar te politikanët tokësor, sepse aty nuk gjenden kurrë, jo në Ballkan, por të hulumtohen aty ku mund të gjenden, te Marsi! Jo vetëm te Marsi, por edhe te Plutoni si Perëndi i nëntokës dhe mbretërisë së të vdekurve! Ndikoi eklipsi i Marsit, jo vetëm në Serbi me vite, por edhe në Shqipëri, edhe në Gërdec.
Pritet që kryeministri së shpejti të dërgojë Ministrin e Punëve të Jashtme dhe kryetaren e Kuvendit në Mars për t´i ndryshuar drejtimin dhe dallgët ndikuese këtij planeti keqdashës, antiballkanik...Marsi ka marrë qindra mijëra njerëz në qafë, këtu nuk ka më dyshime dhe duhet thënë publikisht.
Luna: Perëndia e  hënës na shkaktoi përmbytje të papara, edhe pse ne nuk kemi shkelur kurrë hënën, por amerikanët. Sali Egberi akuzoi Lunën publikisht për përmbytjet në veri të vendit. Ndikoi eklipsi i hënës, tha ai. “Eklips” domethënë errësim i përkohshëm i një trupi qiellor. Luna, mirëpo ka raporte shumë të mira me Marsin dhe nëse ulen e bisedojnë se bashku, vetëm dreqi din se çfarë befasia na përgatisin. Të akuzohet hëna publikisht, nuk ishte qëndrim i drejtë diplomatik, sepse pasojat mund të jenë edhe më të liga! Në fakt, nuk ishte kompetencë e hënës të merret me ujëra.

Neptuni: bir i Saturnit, me karrierë më të madhe se i ati, Perëndi e ujërave të rrjedhshëm, lumenjve dhe deteve, madje edhe i motit kishte gishtin në këtë tragjedi. Ai banon në fund të detit Jon apo Adriatik dhe urdhëron përbindëshat e detit dhe shtrëngatat. Saliu i Madh nuk e përmendi, me një qëllim: të mos i prish raportet fqinjësore me të gjitha planetët, Perënditë dhe kështu akuzoi vetëm hënën. Në fakt, nga Neptuni mund të pritej edhe shpëtim, t´i kanalizojë ujërat dhe t´i çojë në det, por këtë nuk e bëri me kohë. Nuk dihet pse heshti: veproi kështu nga mosinformimi i Lunës apo kompetencat e tij janë kufizuar dhe duhet të vështrojë si mjeran, gjersa përmbytjet rriten dhe vërshojnë çdo gjë para vete. Sidoqoftë Neptuni mund të akuzohet dhe duhet të akuzohet për pakujdesi, indiferencë dhe moskokëçarje! Jo vetëm hëna!

Jupiteri, planeti më i madh, më i madh se të gjitha planetët e sistemit diellor së bashku, te romakët ishte Kryeperëndi, bos i bosëve, në fakt quhej Jupiter Optimus Maximus. Mbret i Perëndive. I vetmi Kryeperendi, që mund të krahasohet me kryeministrin Sali Velikin, që u dhuroi serbeve para pa përmbytje dhe pa tërmet! Madje edhe ftoi Tadiçin dhe ky i fundit pranoi ftesën menjëherë. Sejdiu deshi të tregohet Tarzan dhe tha se nuk e fton kurrë Tadiçin. Të nesërmen ai tha se do ta vizitojë Kosovën. Sejdiut i urdhëruan Perëndit të heshttë dhe ai heshti. Tadiçi erdhi dhe shkoi. Kur e ftuan Tadiçin në Zagreb, ai tha: “ Nëse vjen edhe Fatmili i Kosovës, unë nuk luaj me ju...!” Dhe nuk shkoi të luajë...Politikan tipik ballkanik dhe politeist! Ky adhuron Merkurin dhe Hermesin, si edhe politikanët kosovarë!

Sali Veliki mund të krahasohet me Jupiterin se edhe ky nuk mund të akuzohet se ka imunitet të përhershëm për të gjitha veprimet e tija: qoftë kriminale, qofte korruptive, si Sali Veliki. Nuk mund, mirëpo, të besohet se hëna, pra Luna, vepron krye në vete pa u marrë vesh më parë me Jupiterin, sepse ky përveç se ishte mbret i Perëndive ishte edhe Zot i vetëtimës dhe murmurimës! As Marsi nuk do ta eksplodonte Gërdecin nëse nuk përfitonte Jupiteri. Këtu mund të pohohet se pas gjitha tragjedive në epokën Sali Maksimalit nuk qëndrojnë vetëm perënditë e vogla, por personalisht edhe Jupiter Optimus Maximus, që me të gjitha fuqitë përpiqet të përfitojë nga mjerimi shqiptar!

Venera ishte smirake; kur ajo pa se gjitha planetët kishin marrë kursin drejt Shqipërisë me dallgët e tyre ndikim-ushtruese, u nis edhe ajo. Ajo kontrollon dashurinë, kërkesat erotike, bukurinë dhe plleshmërinë dhe drejtoi valët bindëse e ndikuese drejt kongresit të Partisë Demokratike dhe u fali një bukuroshe, që din t´i dridh bythët. Qëllimi i kësaj Perëndie ishte ta zbukurojë Partinë Demokratike, ta bëjë me erotike, më të bukur, ta bëjë më sexi dhe më të dashur për votuesit mashkullorë. Kështu mund të harrohen skandalet, devijimet verbale dhe perversionet tjera! Me bythë të tilla mobile dhe molloze në Këshillin Kombëtar, nuk duhet të brengoset askush për votat, votuesit shumë herë në vend të kokave, votojnë prapanicat e bukura! 
Këto ndikime Venera mund t´i bëjë vetëm gjatë eklipsit, domethënë në terr, sepse është fjala për dukuri jo publike, të turpshme.  

Urani: 2,5 miliard kilometra larg tokës. Perëndi i qiellit te grekët. Ky planet me gazra, gati i kaltër si flamuri grek dhe Perëndi në mitologjinë greke, shkaktoi probleme tjera në Shqipëri edhe atë pa lejen e Jupiterit. Pse? Ky urdhëroi Sali Megalos t´i falë një copë det të kaltër Greqisë. Meqenëse ishte kësmet, kryeministri nuk kundërshtoi dëshirën e Uranosit. Kjo Perëndi greke po nevrikos Neptunin dhe falë detin, edhe pse kompetencat për ujërat i takojnë Neptunit! Shkurt e shqip, nuk është Saliu që falë det, por Urani pas eklipsit që pati vitin e kaluar. Ky Perëndi iu ka turrë Shqipërisë dhe në 100 vitet e fundit i ka marrë shumë copa të detit, majtas dhe djathtas...Nuk do t´ishte keq të dërgohet ndonjë ministër edhe te Neptuni, ka shumë për çka mund të bisedohet...
Pas të gjitha këtyre katastrofave dhe përzierjeve të kompetencave në sistemin diellor, pak ditë më parë u shfaq edhe Merkuri, thua se ishin pak Perëndi në aksion. Merkuri ishte një Perëndi në religjionin romak i barabartë me Hermesin grek. Ai ishte Perëndi i oratorisë, tregtarëve dhe hajnave. Merkurit i besojnë dhe i luten shumë qeveri në Ballkan, të gjitha. Ata dinë të flasin mirë, të bëjnë kontrata të mira dhe vjedhin pazbulueshëm! Ata luten çdo ditë, që vjedhjet e ditës, t´i mbulojë terri i natës, eklipsi. Homologu i tij grek kishte më shumë përgjegjësi dhe ishte edhe Perëndi i rrenave, mashtruesve, ishte sjellës i ëndrrave dhe dërgonte shpirtrat në nëntokë. Nga kjo mund të pohohet se shumë politikan në Ballkan i besojnë edhe Merkurit, edhe Hermesit! Madje mund të thuhet se në paqe i besojnë vetëm këtyre dy Perëndive! Duket se kësaj Perëndie Jupiteri i ka rritur kompetencat dhe tani drejton edhe: repartin e korrupsionit, tregtinë me njerëz, ndërtimin e piramidave, repartin e kriminalitetit të organizuar dhe pasurimin e paligjshëm.

Duke zbuluar veprimet e kësaj Perëndie, atëherë mund të shfajësohen qeveritë ballkanike, sepse fajet nuk i kanë hajdutët, por Merkuri. Merkurit  është planeti më i vogël, por më i shpejti në sistemin diellor, prandaj edhe hajnat i kanë këmbët e shpejta. Karakteristikë tjetër e këtij planeti pranë diellit: ditën ka temperaturë të madhe, mbi katërqind gradë, natën shumë të ftohtë, gati – 170, dhe kjo ndikon që hajnave, respektivisht besimtarëve  të tij gjatë vjedhjes t´u rritet temperatura dhe pulsi, natën i bie nën zero dhe mbulohen mirë, tok me plaçkat e tyre!
Vjedhjet dhe abuzimet e ndryshme qeveritë ballkanike nuk i bëjnë pse u pëlqen, por pse Merkuri dhe Hermesi kanë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi ta. Fat. Kësmet quhet ndikimi i tyre! Nuk mund t´i iket! Qeveritë ballkanike janë të gjitha politeiste. BE-ja është monoteiste dhe shpërblen Serbinë, edhe pse ajo me 70 milion € në vjet financon administratë paralele në Kosovë!

Hajdutët e kanë si ditë festive të mërkurën dhe këtë ditë pushojnë, nuk vjedhin por meditojnë, ndajnë prenë dhe i luten Merkurit për ditët dhe vjedhjet e ardhshme. 
Në bazë të fakteve të sipërpërmendur shihet se tragjeditë tona ballkanike nuk na i përgatisin politikanët, por i kemi si fat dhe na shkruhen lart. Eklipset e planetëve qëndrojnë pas tragjedive tona! Nuk na hipin në qafë ata pse kënaqen vet, por se Zotërat i detyrojnë të sillen me ne ashtu si sillen, sepse politika jonë nuk është tokësore, por qiellore, domethënë udhëhiqemi direkt nga hyjnitë! Dhe, ata nuk tërhiqen dot dhe nuk u skadon afati kurrë!
Zotërat në qiell janë të mendimit se ne i meritojmë këta politikan që i kemi, këta besimtarë të Merkurit dhe Hermesit! 
Po e mbyll këtë horoskop ballkanik me mendimin gjenial të kryeministrit shqiptar: “Kam kohën, gurin dhe arrën...!” 
Sipas Mekurit dhe Hermesit ai ka edhe miqtë me të cilët do ta ndajë dhe do ta hajë arrën...Ai me një pagë do t´i ndihmojë viktimat e përmbytjeve, po të shikonte rreth vete, do t´i kishte mundur t´i ndihmojë përnjëmend, jo me një rrogë, por me miliona euro. 
Edhe një dukuri duhet hulumtuar: ahengu në Tiranë me Realin dhe festimi i përmbytjeve. Cili planet-Perëndi është fajtor për eklipsin në stadium?!
Me lekët e shikuesve ka mundur të paguhet Reali për të qëndruar në Spanjë. Me dy milion e gjysmë të Realit kanë mundur përnjëmend të ndihmohen viktimat...Në pyetje ishte vetëm një zhvendosje humane!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora