E diele, 22.12.2024, 01:27 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Dhuna ekstreme në xhami

E premte, 22.01.2010, 09:55 PM


Edhe një palë grushta janë hedhur mbi një Hoxhë. Kësaj radhe, fytyra e atij që është përgjakur është e një Imami të Mitrovicës, Hamit Kamberit. Ai thotë se e di kush e ka rrahur. Edhe në këtë rast, sipas tij, sulmuesit janë besimtarë islamë, por me dukje tjetër nga tradicionalët, të cilët dëshirojnë ta marrin Xhaminë. Bashkësia Islame çon një mesazh të fortë për këta radikalë, të cilët i quan dhunues.

Nga Artan Behrami, Express  
 
Menjëherë pas faljes së namazit, pesë persona kanë rrahur rëndë imamin e xhamisë së Tunelit të Parë në Komunën e Mitrovicës. Këta persona, së pari e kanë mbyllur imamin, Hamit Kamberin në xhami, më pas kanë filluar të godasin me grushte në kokë. 

“Kam dëgjuar që disa persona e mbyllën derën e xhamisë. Dhe më pas më kanë sulmuar fizikisht. Personat në fjalë i di kush janë, familjet ua njoh”, thotë imami Hamit Kamberi, për Express.

Tash e disa javë, sulmuesit nuk janë të kënaqur me ritet fetare që praktikohen në këtë xhami. Ata disa herë kanë kërkuar largimin e imamit nga Xhamia. Këtë e pohon vetë imami. 

“Unë i respektoj rregulloret e Bashkësisë Islame, sipas Medh'hebit Hanefi. Ata duan të tjera rite me i krye”, thotë Imami i rrahur.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja e vetme që është sulmuar nga një pjesë e vogël e xhematit. Imami Kamberi thotë se asnjëherë nuk ka pas probleme personale me sulmuesit, por atyre iu kanë penguar vetëm rregullat e përcaktuara nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Imam Hamiti tregon se është sulmuar në kokë, dhe nga goditjet ka pësuar lëndime të jashtme dhe brendshme. “Tash do të shkoj në Prishtinë m’u mjeku. Duhet patjetër të shkoj te neurologu. Kam lëndime të brendshme dhe të jashtme, sepse kam lëndime në tru, në kokë dhe qafë”, tregon ai.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur kur njeri nga sulmuesit e kishte thirrur për të biseduar me të diçka. Derisa ishte duke biseduar, ai thotë se prapa shpinës është sulmuar nga katër persona të tjerë. Imam Hamiti pranon se njëri nga ta ka pasur mjekër të gjatë, derisa të tjetër ishin me veshje jo të zakonshme për myslimanët që zbatojnë rregullat, sipas Medh'hebit Hanefit.

“Unë kam mbështetjen e xhematit edhe të institucioneve dhe kam ende. Sulmi është tinëzar, qyqar, sepse trimi del përpara e jo pas shpine. Ata kishin pantallona të shkurtra”, shpjegon imam Hamit Kamberi.

Ndërkohë, Jetish Berisha, kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë e ka dënuar sulmin fizik ndaj Hamit Kamberit, imamit të xhamisë në Tunelin e Parë në këtë qytet.
Berisha thotë se sulmet ndaj zyrtarëve të Bashkësisë Islame janë duke vazhduar dhe duke u ashpërsuar çdo ditë e më shumë. Ai konfirmon sulmin ndaj Kamberit dhe kërkon nga hetuesia dhe policia që të ndriçohet ky rast.

“Pasi ky është një sulm në vazhdën e sulmeve që po i bëhen zyrtarëve të Bashkësisë Islame, siç ka qenë më herët me rastin e mulla Musliut në Drenas, mendoj që prapë të njëjtit njerëz, me të njëjtën ideologji, kanë vazhduar me asi lloj sulmesh”, thekson Berisha.

Sulmi sipas tij, është edhe më i rëndë, ngase ka ndodhur në shtëpinë e Zotit, ku gjithmonë lutet për paqe dhe marrëdhënie të mira ndër njerëzore.

“Disa persona mendojnë që me dhunë mund të merren objektet fetare. Ato ideologji nuk janë parime të shëndosha islame, çfarë na takon neve si myslimanë shqiptarë–kosovarë”, vlerëson Berisha. Ai tregon se imami Hamit Kamberi edhe më herët ka pasur probleme të vogla me sulmuesit, por ato kanë qenë mosmarrëveshje që janë lidhur me ritet fetare.

Sulmin ndaj imam Hamit Kamberit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Imami i xhamisë, ka pësuar lëndime të dukshme sipërfaqësore në pjesë të fytyrës dhe të kokës, ndërsa për ndihmë të parë është trajtuar në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës. 

“Ai është dërguar në QKUK në Prishtinë për një kontroll të detajuar, pasi ankohej për dhembje koke si rezultat i goditjeve të pranuara”, sqaron Hoti, në një komunikatë për media.

Policia e Kosovës ka mbledhur informatat mbi sulmuesit e imamit dhe është në kërkim të sulmuesve, të cilët ende nuk janë lokalizuar. Përveç imamit të xhamisë, i cili është intervistuar në cilësi të viktimës, policia ka siguruar edhe deklarata të dëshmitarëve të mundshëm të këtij rasti.

“Në bazë të informatave preliminare të rastit të raportuar, besohet se motivet e këtij sulmi qëndrojnë prapa kundërshtimit të një grupi të personave për caktimin e tij si imam në këtë xhami”, thuhet në këtë komunikatë.

Për këtë sulm, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media thotë se është e shqetësuar pas këtij rasti.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sulmin ndaj imamit e konsideron atak në institucionet e Bashkësisë Islame, dhunim të institucioneve dhe sulm në vendin e punës”, thuhet në komunikatën për media të institucionit më të lartë fetar islam në Kosovë.

Më tej thuhet se akte të tilla me elemente kriminale e banditeske janë të papranueshme për shoqërinë që pretendojmë ta ndërtojmë.

Kryesia e Bashkësisë Islame gjithashtu apelon dhe kërkon nga xhemati i xhamisë që të ruajë qetësinë dhe mos të bjerë pre e provokimeve të ulëta e të errëta dhe të distancohen nga ky akt vandal e kriminal.

Në komunikatën e cila mund të cilësohet si më e ashpra deri më tash e lëshuar nga BIK-u pas rasteve të tilla, kryesia fton xhematin të solidarizohet me imanin dhe institucionin që ai përfaqëson, duke e ruajtur unitetin, doktrinën dhe respektimin e vijës institucionale.

“Ata që dhunojnë institucione, ata që dhunojnë vendet e adhurimit, ata që dhunojnë imamët a zyrtarë në vendin e punës, nuk ia duan të mirën këtij vendi e këtij populli.
Kryesia e BIK-ut angazhohet për rend, qetësi e ligj, e jo për anarki e banditizëm”, thuhet në këtë komunikatë të BIK-ut.

Brenda pak muajsh kanë ndodhur disa sulme mbi imamët nga persona që konsiderohen më radikalë. Para imamit të një xhamie në komunën e Drenasit, ishte sulmuar edhe një zyrtar i lartë i Bashkësisë Islame në Prishtinë, i cili kishte pësuar edhe lëndime në fytyrë. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora