E shtune, 21.12.2024, 01:55 PM (GMT)

Faleminderit

Skënder R. Hoxha: Janari i përgjakshëm i vitit 1999

E merkure, 20.01.2010, 09:56 PM


JANARI I PËRGJAKSHËM I VITIT 1999
                                
     SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA  

      (“Has i Thatë, o Has i Thatë”!...)      

     Më 29 janar të vitit 1999, komandanti Agim Zeneli nga Shqiponja (ish-Jabllanica) e Dushkajës, komuna e Gjakovës, me bashkëfshatarin e bashkëluftëtarin Luan Smajlin dhe me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, pasi kishin kthyer në Rogovë të Hasit për t’i strehuar të plagosurit ( thuhet, dikush i kishte lajmëruar forcat serbe (?)) dhe pas një lufte të ashpër bien në fushë të nderit 16 dëshmorë (luftëtarë) dhe 9 civilë.
        Vepra e tyre liridashëse nuk do të harrohet nëpër breza. 
Shënime biografike për këta dy dëshmorë të kombit:
    
AGIM (BARDH) ZENELI
    (16.XI.1962 – 29.I.1999)

        Agim Zeneli u lind më 16 nëntor 1962 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Rrjedh nga një familje patriotike. Që nga viti 1921 kjo familje pësoi nga forcat serbo-malazezo-çetnike, kur në Jabllanicë u masakruan 64 burra, viktima të pafajshme, vetëm pse ishin shqiptarë. Edhe në vitin 1956, axha i Agim Zenelit, Zenel (Avdyl) Zeneli, u burgos nga organet e sigurimit shtetëror serb, madje u dënua me pesë vjet burgim. Agim Zeneli shkollën fillore e kreu në Kralan, ndërsa atë të mesme në Gjakovë. Prindërit, Bardh dhe Xhyke Zeneli kishin pesë fëmijë: katër djem dhe një vajzë. Agimi ishte i martuar dhe la pas vetes tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Edhe pse punoi në Perëndim, në Zvicër, disa vjet punoi në ilegalitet të thellë rreth çështjes kombëtare. Që në vitin 1997 iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikërisht më datën 5 tetor 1997 iu bashkangjit UÇK-së si komandant i Batalionit të Parë në Brigadën 132, përkatësisht në Njësinë e Dukagjinit. Mirëpo, pas rënies së tij, Brigada 135 do të mbajë me nder emrin e këtij dëshmori. Bashkë me Agim Zenelin, luftonte edhe i vëllai, ushtar i UÇK-së, Florim Zeneli. Në luftën që u zhvillua në Sukë të Cërmjanit, më 20 prill 1998, Agim Zeneli u tregua strateg i vërtetë. Ai, bashkë me shumë luftëtarë nga mbarë Dushkaja dhe viset e tjera të Kosovës, vranë mbi 70 policë dhe ushtarë serbë. Pastaj vijnë betejat me radhë: në Cërmjan, në Gërgoc, në Zhdrellë. Më 13 maj 1998 përsëri e gjejmë në luftë me serbët, tash në fshatin Këpuz. Me njësitin e tij, i njohur me nofkën “Çergashi”, luftëtarët qëndruan heroikisht nga muaji maj deri në shtator të vitit 1998. Në ofensivën serbe në Këpuz, Agim Zeneli luftoi dhe u mbrojt si luan. Nuk e frikësonin as tanket, e as helikopterët e armikut, njërin prej të cilëve edhe e rrëzoi. 
        Mori pjesë në sulmin kundër forcave serbe në fshatin Kralan. Një ditë më vonë shkon në fshatin Çupevë dhe sulmon pozicionet serbe. Në ofensivën e dytë kur forcat e shumta të policisë dhe ushtrisë serbe arrijnë të futen në Jabllanicë, Agimi i plagosur, del nga spitali i  Kryshecit dhe u bashkohet shokëve. 
        Në Batalionin e tij kishte luftëtarë nga të gjitha viset e Kosovës: nga Drenica, nga Dushkaja, nga Llapusha etj. Mori pjesë në luftërat që u zhvilluan kundër forcave serbe në: Jabllanicë, Këpuz, Çeskovë, Kralan, Gllarevë, Çupevë, Volljakë, Sferkë, Gremnik, Grabanicë, Rahovec, Qifllak, Zhebel, Bardhaniq, Buqan, Vranoc, Bokshiq, Baran, Dashinoc, Gërgoc, Cërmjan, Sukë të Cërmjanit, Junik, Rakovinë, Kallavajë, Ratishë dhe në kufirin shqiptaro-shqiptar.
       Dëshmori Agim Zeneli ra heroikisht më 29 janar 1999 në Rogovë të Hasit duke mbrojtur të plagosurit që udhëtonin për në Shqipëri. Ishte komandant i grupit në këtë udhëtim. Këtu ranë në një pritë që ua kishin zënë forcat serbe. Luftoi së bashku me shokët deri në fishekun e fundit, me ç’rast u vranë 16 luftëtarë, pjesëtarë të UÇK-së. Kjo luftë ishte edhe një masakër e madhe ndaj shqiptarëve.       
      Trupi i tij prehet në fshatin e lindjes, në Jabllanicë të Dushkajës.*)

LUAN (AVDI) SMAJLI
 (9.VII.1978 – 29.I.1999)
     
       Luan Smajli u lind më 9 korrik 1978 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Në masakrën e vitit 1921 nga dora çetnike nga kjo familje u vranë tre burra. Prindërit Avdi dhe Servete Smajli kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Si familje me tradita të hershme patriotike, nuk u gjunjëzua para kurrfarë presioni të pushtetit dhe regjimit serb. Dëshmori Luan Smajli shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Cërmjan, ndërsa vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Historisë, të cilin për shkak të luftës së fundit, u detyrua ta ndërprejë. Ai shkon në Shqipëri për armatim. Më 23 mars 1998 hyri në radhët e UÇK-së. Mori pjesë në Bëtejën e Parë në Sukë të Cërmjanit më 13 prill. Po ashtu e gjejmë në vijat e frontit edhe në fshatrat dhe luftimet kundër forcave serbe në Këpuz, Qeskovë, Grabanicë. Natyrisht, në ofensivën e parë në Jabllanicë ishte ndër të parët, nën komandën e Xhevdet Brahimajt. Në korrik ishte për të tretën herë në Shqipëri, për armatim, ku qëndroi dy javë. Kthehet dhe merr pjesë në disa luftime. Në nëntor përsëri ia mësyn Shqipërisë për armatim, ku bijnë në një pritë, ku pas shumë mundimeve për pesë ditë rezistencë, kthehet nëJabllanicë.
       Më 27 janar 1999, bashkë me eprorin Agim Zeneli dhe shumë luftëtarë të UÇK-së nga vise të ndryshme të Kosovës nisen përsëri për armatim në Shqipëri. Gjatë rrugës binë në pritën e parë në Bishtazhin, ku forcat serbe vranë dy bashkëluftëtarë, Hamdi Berishën dhe Kasim Shalën, njëherësh plagosin edhe disa të tjerë. Tërhiqen dhe vazhdojnë rrugën për në Goden, ku përsëri binë në pritë të forcave serbe. Me këtë rast vriten dy vigaj të UÇK-së Prend dhe Memë Lleshi,
njëherësh plagosen Agron Rama, Nexhat Berisha dhe Luan Smajli. U detyruan të kthehen dhe të vijnë në Rogovë të Hasit, ku kërkuan strehim për të plagosurit. Me këtë rast dikush i lajmëron forcat serbe, të cilat rrethojnë shtëpinë ku ishin vendosur, dhe pas një lufte të ashpër, më 29 janar 1999, binë në fushën e nderit 16 dëshmorë, në krye me komandantin Agim Zeneli dhe 9 civilë. Këtu gjeti vdekjen edhe luftëtari i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Luan Smajli, student i historisë, i cili ndërroi librin me armën për të fituar lirinë.*)
     Vepra dhe sakrifica e këtyre trimave u bë shembull për breznitë. Ajo u bë frymëzim për poetët të cilët thurën vargje për ta, u bë frymëzim për historianët e publicistët të shkruajnë libra për ta…
     Për Agimin e Luanin, këta luaj të vendlindjes sime, poeti Hasan Hasani (gjithashtu bashkëfshatar imi dhe i Agimit e Luanit), shkroi vargje për ta, për idealin e tyre, trimërinë, vendlindjen e tyre, poe edhe për Hasin e Thatë ku ranë trimat. Në vjershën me titull “Agimi i Bardh Avdylit”, poeti Hasani kishte thënë: “Thonë shumë trima dha Dushkaja/ Shumë petrita me zjarr n’gji,/ Nëpër kodra, lugje e maja/ Herë n’Kosovë, herë n’Shqipëri,/ njohën shtigje e shumë ograja/ T’armatosën për L i r i -/ Është Agimi i Bardh Avdylit/
 Lulja e gjakut, lulja e prillit.” Ai, vendit ku kishte ndodhur masakra, Rogovës së Hasit, i drejtohet me: “Has o Has, o Has i Thatë/ Çerdhe zogjsh, çerdhe trimash,/ N’shtigje tuaja ditë e natë/ Përkundë vdekje, kobe krismash,” (…) si dhe, duke aluduar në tradhtinë që iu kishte bërë këtyrë ushtarëve të UÇK-së: “Shpesh n”Kosovë krimb i tradhtisë/ Në palcë shpirtrat seç i breu,/ Ç’po vajtojnë Zanat Malësisë/ Djemt ma t’mirë kush i rrëmbeu,/ N’Rogovë t’Hasit n’prag t’shtëpisë/
Hyll mbi hyje aty shkëlqeu -/ Agim Bardhi i Bardh Zenelit/ Mboll lavdinë n’tingull t’telit.” (Shih, përmbledhja me vjersha e Hasan Hasanit, Shqipet e Shqiponjës, VATRA, Prishtinë, 2000, f. 25, 28, 29). Ndërkaq, poeti në fjalë, vjershën për Luan Smajlin e nis me strofën: “N’Zabel t”Ri ç’është ky shkëmb/ Që s’njeh vetimë as s’njeh rrufe,/ Luan Smajlin shkau s’e tremb/ Këngë e tij noton mbi re,/ Lule gjaku gemb mbi gemb/ Vdes i bukur sikur ka le -/ Krah për krah me bacë Agimin/ Për Kosovë ky dha betimin.”. Poeti, edhe në këtë vjershë, nuk lë pa e shprehur mallkimin ndaj tradhtisë në Has të Thatë, ndaj vargjet: “Has i Thatë o Has i Thatë. Drini nuk ta falë tradhtinë,/ Trimat nxore nga gjiri atë natë/ Skuqe n’gjak përherë lirinë,”/ (…) “Një çetë burrash vure n’sprovë/ Vdekje t’bukur t’bëjnë n’Rogovë.” (Po aty, vj. “Luani i Avdi Januz Smajlit”, f. 31), sikur e përligjin dyshimin se aty kishte pasur tradhti (?).
     Për këta dëshmorë të kombit, në një poemë të gjatë, ka shkruar edhe autori i këtij shkrimi: (…) “Agim Zeneli e Luan Smajli/ T’Jabllanicës këta dy trima,/ Nëpër shumë lufta u dalluan/ Keq i mori n’Rogovë tradhtia./ Ishte Agimi luftëtar i mbarë/ Komandant i Batalionit të Parë,/ Me Luanin të pandarë./ Luan Smajli i biri i Avdisë/ Ishte student i historisë.” (Shih, Prof. Skënder R. Hoxha, Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës (monografi), Art poetika, Pejë, 2004, f. 266). Vargjet e këtyre dy autorëve, për një kohë të gjatë, nëpër breza, do ruajnë kujtimin për veprën e këtyre dy luftëtarëve të rinj nga Shqiponja (ish-Jabllanica), bashkë me shumë luftëtarë të tjerë, nga vendlindja e tyre, Kosova dhe me gjerë, e në anë tjetër lëshojnë tinguj mallkimi mbi fenomenin e tradhtisë.  
__________    
*) *) Shënimet për këta dy dëshmorë nga ish-Jabllanica (tash Shqiponjë) janë  marrë  nga libri i Hasan Hasanit “Tw pavdekshmit e Dukagjinit”, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Zona e Tretë, Pejë, 2002;për Agimin: f. 46 – 47, e për Luanin: f. 374.


(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora