KUR VIJNË JANARËT
Nga Halit Bogaj
Siç është thënë edhe disa herë më parë , kur vjen muaji janar populli ynë i kujton disa nga heronjtë tanë të cilët vdiqën ose u vranë në këtë muaj.Në janar të vitit 1982, në mënyrë mizore, u vranë tre martirë të lirisë shqiptare: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka të cilët kishin shkuar në Gjermani për t’u përpjekur që Evropës t’ia përkujtonin padrejtësinë e madhe që e kishte bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve, në përgjithësi dhe Kosovës , në veçanti. T’ia përkujtonin asaj se në Ballkan akoma ishte një popull që vante nën kthetrat kolonialiste dhe se duhej gjithsesi që të ndryshonte fati i tij. Në fillimin e aktivitetit të tre martirëve tanë dukej se Evropa as që donte të dëgjonte përkitazi me kërkesat legjitime të shqiptarëve, duke mos u lodhur fare se pikërisht ajo ishte fajtore se ç’kishte ngjarë me ne nëpër konferenca të ndryshme të metropolove të fuqishme, siç ishin Berlini, Londra dhe Parisi. Se sa ishte e preokupuar Evropa, përkatësisht Gjermania me çështjen e Kosovës, shihej qartë edhe me vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Madje Gjermania bëhej komode , që duke u përpjekur që ta ruante krijesën e sëmurë jugosllave të Titos, lejoi që brenda shtetit të saj të organizohej vrasja monstruoze e tre atdhetarëve tanë kolosalë . Kjo u bë e ditur sidomos pas atentatit nga i cili kishte shpëtuar vetëm Jusufi, për ta vrarë pastaj përfundimisht në spitalin e qytetit nga një mjek me mbiemrin Vidiç, i cili kishte hyrë aty’’Si në shtëpinë e vetë’’.!Pra, pëveç vrasjes së tre djemëve shqiptarë, Gjermania ishte fajtore që nuk i kërkoi kurrë vrasësit kriminelë, të cilëve duhet shtuar edhe vrasjen e Enver Hadrit disa vite më vonë në Belgjikë, të cilët nuk u gjetën kurrë por shetisin edhe sot të lirë nëpër Evropë!!!
Jusuf Gërvalla ishte i pari që arriti që demostratat e shumta për Republikën e Kosovës t’i çvendoste nga Kosova në vendet e ndryshme të Evropës në të cilat punonin shumë bashkëatdhetarë tanë të cilët iu bashkangjitën idealistëve të shquar, ëndrra e të cilëve një ditë do të bëhej realitet, kur edhe Gjermania/e cila e lejoi vrasjen e tyre/u bashkangjit për ta ndëshkuar Serbinë dhe për ta pranuar Pavarësinë e vendit tonë.
Jusufa Gërvalla, bashkë me Kadriun dhe vëllaun Bardhoshin, ishin të parët që ia tronditën themelet shtetit fashizoid jugosllav, i cili shte mësuar që të burgoste, shpërngulte dhe vriste shqiptarë, pa u brengosur fare se bota një ditë do t’i bënte lëvizjet e veta progresive në këtë drejtim.
Pas ngjarjeve historike të vitit 1981 dhe pas vrasjes së shumë studentëve në atë Pranverë të përgjakshme , shteti serbosllav dukej se ishte qetësuar , me bilansin tragjik të vrasjes së njerëzve të paarmatosur, duke dhënë një variant zyrtar prej 11 të vrarëve ! Ishin qetësuar duke menduar se kishte përfunduar gjithçka , por së shpejti okupatorëve tanë u kërset atje ku nuk e kishin pritur fare, nëpër qendrat kryesore evropiane ,në të cilat vetëm tre pishtarë të rinj kishin arritur të bënin mrekullira për t’i mobilizuar njerëzit tanë atje dhe për t’i treguar Evropës se Kosova ishte një Vullkan që nuk do të shuhej kurrë , pa iu dhënë asaj të drejtat që i takonin , s’i edhe popujve të tjerë të këtij nënqielli ballkanik.Dhe ishte vërtet një anomali e paparë askund në botë që një grusht malaziasë, maqedonasë dhe boshnjakë e sllovenë, t’i kishin republikat e tyre kurse shqiptarët jo!Përkundrazi, ne na shtypnin me metodat më të egra koloniale që nuk ndodhnin askund në Evropë, duke u dërguar tek ne me dhjetra mijra policë dhe ushtarë për ‘’ta pacifikuar’’ vendin tonë kurse për vete t’i kishin të gjitha të mirat e kësaj bote dhe të gjitha liritë njerëzore.
Me veprimtarinë madhështore të tre martirëve tanë , për herë të parë në rrafshin ndërkombëtar , merrej vesh e vërteta e hidhur e cila dominonte në Kosovë dhe të cilën duhej lansuar pikërisht atje ku ajo e kishte vendin.
Se sa ishte i rrezikshëm Jusuf Gërvalla e hetoi shumë shpejt shërbimi sekret jugosllav i cili i çoi atje njerëzit e vetë të rryer, të sepcializuar dhe gjakpirësa për aksione të tilla terroriste , për ta kryer një akt tragjik të historisë sonë të lavdishme , përkatësisht për t’i vrarë tre veprimtarët tanë të shenjtë me emrat e të cilëve lidhet fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, e cila iu soll bumerang vetë Serbisë dhe arnmiqëve tanë të përbetuar të cilët as sot nuk mund të pajtohen dhe ta përballojnë disfatën e tyre evidente , por sorollaten dhe lëpihen tek ish shtetet e ashtuquajtura’’Të painkuadruara’’nga koha e Titos , për ta ndaluar, sado pak, ndonjë pranim të ri të Pavarësisë së Kosovës , e cila po vjen duke u bërë kancer i orekseve të tyre shekullore hegjemoniste.Pra Jusuf Gërvalla ishte ndër të parët që ua nxori të palarat në shesh, për t’ua treguar atyre ato vargjet famoze të Naim Frashërit: /Se ditët e mira/Për Shqipërinë/ Paskëtaj vinë/ Lum kush të rronjë/ Ta shohë Zonjë/, çfarë ndodhi 12 vjet pas vdekjes së Naimit dhe 26 vjet pas vrasjes së Jusuf Gërvallës.
Mbrëmë kur akoma nuk e kisha shkruar këtë artikull të shkurtër, i dëgjova disa këngë nostalgjike të Jusuf Gërvallës/i cili qëndronte i ulur në një bregore me kitarën e tij nga e cila nuk kishte të ndarë/.Njëra ndër këngët e bukura dhe mallëngjyese i kushtohej nënës së dashur dhe kthimit të tij më të shpejtë në përqafimin e saj të ngrohtë.Përveç disa këngëve të tij të pakta të cilat i kemi trashëgim/ ngase armiku ynë i kishte zhdukur atëherë kur në mënyrë barbare hyri në Radiotelievizion/, i lexova edhe disa poezi të tij të fuqishme nga përmbledhjet poetike’’Kanjushë e verdhë’’dhe’’Fluturojnë e bien’’, në të cilat shprehte thellësinë dhe gjerësinë e tij intelektuale, si një erudit i rrallë i kulturës sonë, i cili u mor me disa veprimtari të ndryshme kulturore, në mesin e të cilave ishte edhe përkthimi nga gjuhët e huaja.