E shtune, 21.12.2024, 12:17 PM (GMT)

Speciale » Mustafa

Avzi Mustafa: Akademik Olivera Jashar - Nasteva - 10 - vjet e mertisur dhe e harruar

E diele, 10.01.2010, 11:27 PM


10-vjet nga vdekja e Oliver Jashar–Nastevës

AKADEMIK OLIVERA JASHAR-NASTEVA – 10-VJET E MERTISUR DHE E HARRUAR

Shkruan: dr. Avzi Mustafa

10 janar 2000 – Kanë kaluar 10 vjet nga mëngjesi i kobshëm kur dikush nga miqtë papritmas më mori në telefon dhe më kumtoi lajmim më të hidhur për vdekjen e akademik Olivera Jashar-Nasteves, profesoreshës dhe shkencëtares më të denjë në fushë të linguistikës te ne. Lajmi u përhap shpejt edhe në fakultet. Ne filluam të mblidhemi, sepse dekanati kishte vendosur të mbajë një mbledhje komemorative. Gjatë pritjes dhe takimeve nëpër fakultet të gjithë ne që e kishim pasur profesoreshë ose kolege kishim çka të kujtonim për këtë dijetare e fisnike të madhe. Edhe pse fjala e urtë latine është se “për të vdekurin fol sa më mirë ose hesht”, për prof. Oliverë gjithkush mund t’ju flasë vetëm mirë. Ajo ishte pedagoge e shkëlqyeshme, shkencëtare e papërsëritur dhe humaniste e veçantë.
  Sekreti i pavdekshmërisë së Olivera Jashar-Nastevës nuk qëndron vetëm te mendimet e saja të thella gjuhësore, por edhe personaliteti dhe modestia e saj e dyfishon interesin dhe dashurinë për mendimet e saj. Të gjithë ata që kanë pasur qoftë edhe kontaktin më të vogël, atë nuk mund ta harrojnë kurrë, sepse ajo posedonte virtyte që rrallëkush mund t’i ketë. Këtë si duket e kishte trashëgim nga gjyshi Jashar, përfaqësuesi i Shkupit në Lidhjen e Prizrenit, dhe nga babai Emin beu. Olivera ishte e bija Emin beut të Shkupit i cili në vitin 1909 kishte marrë pjesë si përfaqësues i Klubit të Shkupit në Kongresin e Manastirit me të drejtë vote. Atëbotë ky bej e mbrojti abece-në latine për shqipen.
 Me largimin nga kjo botë në botën e amshueshme të akademik Olivera Jashar-Nastevës, po kalojnë tashmë 10 vite që ajo po qëndron në heshtje të pamerituar. Për këtë personalitet të madh shkencor nuk u tha më asnjë fjalë dhe ajo nuk u kujtua thuajse aspak për këto 10 vjet – as nga Fakulteti i Filologjisë e as nga Akademia Shkencave të Maqedonisë. Por, shkëlqimin e personalitetit të saj, si dhe punën se saj të denjë më shume se kurrë tani po e vërejmë si një nga humbjet më të mëdha si në aspektin human ashtu edhe në atë shkencor.
Oliver-Jashar-Nasteva jashtë aktivitetit në fushën e fjalës se shkruar, u dëshmua edhe me punën e saj pedagogjike. Ajo së pari shquhet si profesoreshë e diplomuar në paralelet e para  në gjuhën shqipe në Shkollën Normale “Nikolla Karev” të Shkupit, ku ligjëronte gjuhën maqedonase e pastaj në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup ku ligjëronte gjuhën frënge. E vetmja grua dhe një ndër të parat femra e diplomuar. Për nevojat e nxënësve shqiptarë ajo i bëri edhe disa përkthime dhe mori pjesë në përpilimin e plan-programit të parë të lëndës së gjuhës shqipe.
Nevoja, por edhe suksesi i arritur në studime, në vitin 1963 e sollën të punojë si asistente në Katedrën e Gjuhës Maqedonase të Fakultetit Filozofik të Shkupit, ku edhe i mori të gjitha gradat shkencore dhe arsimore. Ajo e ligjëronte Linguistiken e përgjithshme për të gjithë studentët që i studionin gjuhët në këtë fakultet. Pastaj, në vitin 1972, kur pranë Fakultetit Filologjik duhej të hapej Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe ajo bashke me prof. dr Petro Janurën u bë themeluesja e Katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkupit. Aty krahas Linguistikës së përgjithshme, i ligjëroi lëndët: Dialektologjia e gjuhës shqipe dhe Historia e gjuhës shqipe. Me pas ajo u angazhua edhe për hapjen e Katedrës se Gjuhës Turke, ku ishte edhe shefja e parë e kësaj katedre. Gjithashtu bashkë me Bllazhe Koneskin, Bozhidar Vidoevskin dhe Pertar Ilievskin e themeluan sektorin e gjuhësisë në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë në Shkup.
Koha dhe mungesa e saj fizike nuk ia ka humbur aspak asaj imazhin pozitiv dhe vlerën në shkencë. Përkundrazi, ajo më shumë se kurrë kërkohet dhe citohet për të dëshmuar mendimet e plota shkencore në fushën e gjuhësisë. Në shkence jeta e saj studimore ka ecur në hap më zhvillimet bashkëkohore të epokës kur ajo jetoi. Dhe, të ecësh në një hap me kohën botërore, kjo është një merite e veçantë kur bëhet fjalë për një studiuese, sidomos për një linguiste në një epokë kur duhej të peshohej çdo gjë apo të thuhej ashtu siç e kërkonte ideologjia. Në këtë drejtim ajo na jep shembullin e një punëtoreje dhe një gruaje më fisnike – se si duhet të jetë një shkencëtare e mirëfillte duke i pasur parasysh këto fakte. Është për t’u habitur se si ishte e mundur që edhe në periudhat më të zymta dhe të ndjekura për çdo shkronjë të mbeteshe objektive në shkencë. Atë e mbronte objektivja. Ndonëse hakmarrja ndaj sa nuk kishte të ndalur – asaj nuk ia botuan as edhe një libër shkencor deri sa nuk u ndryshua sistemi. Kësaj shkencëtareje librin e pare ia botoj autori i këtij teksti në emër të studentëve dhe kolegëve të saj nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe me titull “Kontaktet gjuhësore në hapësirat ballkanike” në SHB “Logos-A” të Shkupit. Megjithatë vepra e saj citohet gjithandej në të gjitha punimet shkencore të njerëzve më eminentë të gjuhësisë ballkanike pranë gjuhëtarëve të mëdhenj si: Idriz Ajeti, Eqrem Çabej, Jani Thomai, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, Viktor Fridman, Bllazhe Koneski, Bariqi, Desnickaja, Topolinska, Usikova, Henri Hemp, Mikloshiqi, Majeri, Vaigandi, Selishçevi, Skoku etj. Kjo shkencëtare në mënyrë objektive, si në diakroni ashtu edhe sinkroni, i studionte dhe i analizonte fenomenet gjuhësore. Siç shprehej akad. Idriz Ajeti “Ajo kishte një gjuhë specifike dhe kishte aftësinë që temat shumë të ndërlikuara gjuhësore t’i bëjë të kuptueshme për të gjithë. Sidomos kur bëhet fjalë për gjuhët ballkanike, ajo ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme për studimet e krahasuara të gjuhëve ballkanike”.
Të flasësh ose të shkruash për portretin e Olivera Jashar-Nastevës ose për veprën shkencore të saj është e pamundur të mos shkruash edhe për virtytet e saja njerëzore të një personaliteti të rrallë të vlerësuar jo vetëm me parametrat tonë, por të të gjithëve që e njohën dhe patën punë me të.
 Kjo zonje e madhe humane e shkencore në lëmin e linguistikes mbetet një gjigande e mendimit linguistik. Opusi i saj shkencor llogaritet në mbi 200 zëra bibliografikë të botuar në gjuhë të huaja në revistat shkencore botërore. Ajo trajtonte tema nga interferenca gjuhësore, gjuhet në kontakt, lidhjet gjuhësore etj., të gjitha të analizuara sipas metodave më bashkëkohore të studimit të gjuhësisë. Prof. Olivera me intelektin e saj të çuditshëm në shumë kumtesa e referate nëpër shumë simpoziume e kongrese e mbrojti pikërisht atë që do të thoshte shkencë. Akad. Oliveren e njohën dhe për të shprehen interes shume institucione e katedra, ku ftohej të mbajë ligjërata, si: Napoli, Paris, Krakov, Moske, Ankara, Çikago etj.
Në vitin 1983 akademik Olivera Jashar Nasteva zgjidhet anëtare e rregullt në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, ndërsa pas dy viteve zgjidhet edhe anëtare e Akademisë së Shkencave të Turqisë, ndërsa në shumë edhe në shumë akademi vepronte si bashkëpunëtore në sektorin e gjuhësisë. Për personalitetin dhe veprat e Olivera Jashar-Nasteves janë thënë dhe po thuhen shume fjale miradije nga njerëzit e shkencës e të pendës, sepse ajo ishte një monument që ecte rrugës dhe e kishte tejkaluar kohën në të cilën jetonte. Ajo do të mbetej e pranishme edhe në të ardhmen. Emri i saj do mbetet ndër dijetaret dhe intelektualet e cila dashuronte dhe jetonte me problemet e zbulimit të së vërtetës. Ajo jetonte me studentët, koleget e me linguistiken. Ndërkaq tani linguistika dhe ne jetojmë me atë.



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora