E enjte, 14.11.2024, 06:48 AM (GMT)

Kulturë

Gjon Keka: Duke ecur në këpucët e tjetrit

E premte, 08.01.2010, 09:01 PM


Duke ecur në këpucët e tjetrit

Nga Gjon KEKA

Ndërkohë që vitet ikin njëri pas tjetrit, problemet dhe zhvillimet e përgjithshme në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës kanë mbetur ende tepër shqetësuese, pothuajse të njëjtat në procesin e sfidimit të tyre edhe brenda këtij viti të ri që kemi hyrë tanimë. Sfidat e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë pjesë e proceseve që duhet t'i përballojë me përgjegjësi dhe aftësi më të lartë “lidershipi” dhe institucionet e Kosovës në rrugën e forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor si dhe të rrugës së proceseve të integrimit në familjen evropiane. Politika kosovare duhet që të demonstrojë aftësinë e saj shtetërore me anë të autoritetit dhe legjitimitetit që ka ashtu që edhe sfidat që vijnë, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, t'i sfidojë me anë të fuqisë së saj politike dhe të autoritetit që ka në mbarë Kosovën.
Siç mësojmë në të drejtën ndërkombëtare, sovraniteti është ushtrimi në mënyrë legjitime i pushtetit të një shteti mbi tërë territorin e tij. Dhe në lidhje me këtë, duke ditur se Kosova është shtet dhe ka sovranitetin e saj de jure, atëherë është e drejtë ligjore për ta bërë këtë, pra për të shtrirë tërë autoritetin e tij shtetëror në tërë territorin e saj dhe po ashtu, duke ditur se Kosova është shtet de facto, atëherë ajo duhet që të demonstrojë aftësinë e saj shtetërore në mënyrë faktike dhe reale në tërë vendin e saj, ashtu që ky efekt praktik i saj të ndihet edhe në veprimet që ndërmerr në ruajtjen e sovranitetit të saj nga dëmtime që vijnë sidomos nga strukturat paralele, siç janë ato në veri të Mitrovicës dhe pjesët e tjera të etnitetit serb. Sidoqoftë, ajo që po ndodh në këtë fillim viti në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës, është rezultat i paaftësisë qeverisëse të lidershipit kosovar dhe sjelljes së tyre ndaj proceseve të shtetit në mënyrë fëmijërore dhe të çuditshme.

Por kjo, gjithashtu, lidhet edhe me këtë se lidershipi i Kosovës si duket ka hyrë në politikë nga fati e rastësia e jo nga profesioni dhe përvoja e thellë dhe aftësia për punuar për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit dhe afrimin e tij te dera e integrimit në sistemin e vlerave evropiane. Është pikërisht edhe një nga këto pengesa që po përjeton shteti i Kosovës, duke pasur një lidership të tillë të cilët nuk kanë aftësi dhe forcë për t'iu kundërvënë problemeve potenciale që dalin rrugës, sepse një lidership i përgatitur dhe i aftë për të mbajtur në duar të sigurta telekomandën e shtetit, nuk lejon nëpërkëmbjen e qytetarit dhe nuk lejon gjithashtu lojëra të fqinjëve, siç është rasti i politikës destruktive serbe ndaj Kosovës dhe veglave te saj brenda Kosovës, pra strukturave paralele që të trazojë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Megjithëkëtë, ajo që po ndodh tani në Kosovë, është një defekt diplomatik dhe politik, që i ka rrënjët në marrëveshjet e mëparshme dhe pikërisht këto marrëveshje kanë bërë që sot veriu i Mitrovicës të mbetet një territor i diskutueshëm, i cili është një zonë diskutabile që ndan fatet e njerëzve dhe është pikërisht ky mur që krijoi diplomacia dhe politika e naivitetit dhe servilitetit në atë kohë kur do të duhej të vendosej drejt historikisht. Duhet theksuar se integriteti territorial i një shteti e në këtë rast i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës është parimi bazë i së drejtës ndërkombëtare, prandaj duke u bazuar në këtë parim thelbësor ajo nuk duhet lejojë struktura paralele dhe agresive që cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, pastaj që fusin fitilin brenda etniteteve për të destabilizuar dhe për ta humbur apo më mirë për ta minuar rrugën e demokracisë dhe të shtetndërtimit të Kosovës si dhe aspiratës së saj në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Ndërkaq, në anën tjetër, kriza e qeverisë, respektivisht partive të martuara politikisht dhe pa asnjë vullnet dhe përgjegjësi, po e çojnë qeverisjen e këtij koalicioni të panatyrshëm në një dilemë rrugësh dhe vullnetesh të përziera; në njërën anë flitet se nga thyerja emocionale brenda një nate e këtij koalicioni vitin që lamë pas tani copat e saj po i mbledhin disa nga dëshira për të mbajtur pushtetin me zor e disa nga frika se humbja është e sigurt po u divorcuan. Dhe i dhanë hapësirë zgjedhjeve të parakohshme. Mbajtja me zor e martesës politike është e dëmshme, e pafrytshme dhe nuk i sjell progres dhe as zhvillim të shëndoshë demokracisë, institucioneve dhe në përgjithësi shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Në demokraci mbajtja me zor e martesave politike apo koalicioneve qeverisëse ka sjellë gjithmonë sëmundjen e demokracisë, pastaj sistemit institucional, politik, qeverisës si dhe ka pasur një jetë tepër të shkurtër të rrugës së saj të gjatë që ata kanë menduar ta ecin së bashku me karrocën e thyer dhe me lojërat e nxehta brenda emocioneve instiktive të partive të martuara politikisht dhe pa vullnet të brendshëm.

Me një fjalë, riformatimi apo ringjyrimi i ndërtesës së këtij koalicioni aktual qeverisës është vetëm një infuzion i shkurtër dhe një qëndisje e keqe e proceseve të institucioneve demokratike dhe të sistemit politik të shëndoshë që duhej të prodhonte fryte dhe aftësi vizionare për të dalluar rrugën e progresit dhe të ardhmërisë së demokracisë së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nga rruga e mbylljes së poreve të demokracisë dhe funksionalizmit të institucioneve në përgjithësi. Këto arnime që po i bën martesës politike koalicioni aktual qeverisës vetëm sa e shndërrojnë qeverisjen në një martesë që mban si veshje të jashtme të saj një petk të arnuar, ku në këtë mënyrë edhe jeta e kësaj martese politike nga brenda do të shuhej nga dita në ditë dhe do të dhjamosej nga ngulfatja për të mos dalë lakuriq kriza e brendshme e martesës politike e koalicionit qeverisës si dhe për të mos futur në rend dite zgjedhjet e parakohshme nacionale e që në fakt janë të pashmangshme.
Ndërsa në kuadër të këtij refleksioni, duhet nënvizuar edhe këtë se një argument i fuqishëm për demokracinë e një shteti juridik e demokratik është para së gjithash heqja e dilemave dhe pengesave të brendshme, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, zbardhja e politicideve, ulja e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë politike etj., etj, ashtu që qytetarët e Kosovës, duke qenë të sigurt dhe duke parë funksionalizimin e institucioneve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të tij, arrijnë që të pajtohen me politikat e sotme të institucioneve të Kosovës. Ndërsa rrëzimi i këtyre argumenteve të qëndrueshmërisë politike bën që qytetarët të humbin besimin në institucione dhe në vetë shtetin e tyre dhe arrijnë te shkalla tjetër e kërkimit të një shansi të nevojshëm dhe i domosdoshëm për të ndryshuar ata që janë në pushtet ose për të ndryshuar politikat me të cilat ata nuk pajtohen në asnjë mënyrë dhe me të cilat e ndiejnë veten dhe ardhmërinë e tyre të pasigurt gjatë rrugëtimit të vendit të tyre nga pushtetarët e tyre dhe politikat e tyre të gabuara.
Pastaj, çështja e vizitës së Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në Kosovë është një vizitë pa asnjë efekt politik dhe diplomatik, por duhet theksuar se i vetmi efekt që mund të jetë në kuadër të kësaj vizite është trashja e mentalitetit bizantin të pakicës serbe dhe ushqimi i ëndrrave të zbrazëta se Kosova gjoja ende është në iluzionet e tyre dhe se politika e Beogradit ka një kujdes ndaj tyre. Siç dihet, nuk është hera e parë që Presidenti serb viziton Kosovën, më herët i është bërë e mundur nga një konsensus i brendshëm në mes të administratës së UNMIK-ut dhe qeverisë së përkohshme të Kosovës, ndërsa tani po i bëhet e mundur nga vetë institucionet legjitime të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, kjo në shikimin e parë është e çuditshme, ndërsa në të dytin është absurde dhe e pakuptueshme. Vizita e Presidentit të Serbisë duhej të ndalohej për dy arsye shumë të rëndësishme:
E para, përderisa nuk ndërron qëndrimi i Beogradit zyrtar ndaj shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe e dyta përderisa shteti serb nuk kërkon falje publike për krimet gjenocidale të kryera ndaj popullit të Kosovës.
Dhe krejt në fund, nga e gjithë kjo mund të thuhet se “lidershipi” i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po krijon një imazh të çuditshëm dhe skeptik kundrejt proceseve dhe rrugës së ndërtimit të shtetit të Kosovës si dhe proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike. Sjellja e “lidershipit” dhe aftësia e tyre për të ndikuar pozitivisht në proceset e shtetndërtimit, pastaj për t'i kontribuar drejt me efektivitet dhe me sukses shtetit dhe rrugës së Kosovës pothuajse është zbehur dhe nuk po lë hapësirë që në të ardhmen të mbahen mend si një “lidership i referencës” në historinë e re të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, sepse, siç shihet, “lidershipi” i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po ecën në këpucët e dikujt tjetër, duke harruar se këpucët e politikanit, diplomatit e liderit nuk të bëjnë të tillë, njeriu mund të veshë këpucë të llojllojshme, por ai mbetet i tillë çfarë është, si duket këpucët e politikanëve janë shndërruar në këpucë të biznesmenëve politikë. Fati mund të sjellë të mbathësh këpucë politikanësh, të veshësh petk mbretërish të kësaj bote e të hipësh në skelën më të lartë, por e rëndësishme është që atyre t'ua japësh vlerat që u takojnë dhe t'i kontribuosh vendit në mënyrë të zgjuar dhe të përgjegjshme e vizionare, duke mos harruar kurrë se nga skela mund edhe të zbresësh poshtë, thellësisht poshtë. Prandaj, është e një rëndësie jetike që “lidershipi” i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës të mbathë këpucët e një “lidershipi të thjeshtë e me vlera të vërteta”, ashtu që të punojnë në mënyrë të pandalshme në mbjelljen e demokracisë së shëndoshë, në forcimin e institucioneve demokratike, shtetit juridik, zhvillimin ekonomik dhe në ndërtimin e rrugës së sigurt të Kosovës drejt integrimit në familjen evropiane.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora