E premte, 27.12.2024, 03:57 PM (GMT)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV)

E enjte, 07.01.2010, 08:53 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS

(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Fiksione psikopate rreth "lin?it intelektual"!

Ekzagjerimi, stërmadhimi, predimensionimi i çdo gjëje që lidhet ose mund të lidhet në një ose tjetër mënyrë me personin ose punën e tij, aq sa humb çdo masë e përmasë e përpjestim real, është një ndër karakteristikat dalluese në shkrimet, qëndrimet e sjelljet e R. Qosjes, dhe zë vend të gjerë në pamfletin e fundit. Kjo duket e natyrshme, sepse çdo gjë lidhur me të duhet të jetë e nivelit, e rangut, e dimensioneve që t'u përgjigjet ideve universale, jetike, vizioneve të gjera, planetare, që t'i përgjigjet mendjes që noton në hapësira interplanetare, iluzioneve që ka ai për personin e vet, për veprën dhe rezultatet e veta. Prandaj, në qoftë se dikush në një mbrëmje diskutimi për kritikën merr qëndrim kritik ndaj disa qëndrimeve të tij, atëherë i tërë tubimi, e tërë mbrëmja s'është tjetër veçse një sulm, një atak, një linç, madje intelektual(!) i përmasave historike! Dhe ky linç do të ketë prapaskenë të thellë, sepse si do të mund të ndodhë të thotë kush mendim negativ për të, madje publikisht, e të mos jetë përgatitur, inskenuar, organizuar kjo nga të gjitha forcat e errëta të sotmes e të së kaluarës!
Po të ndodhë të botojë kush artikull ku do të shprehte rezerva ose qëndrime kritike ndaj ndonjë pikëpamjeje ose rezultati i tij, atëherë vetë botimi s'mund të mos jetë rezultat i një organizimi, i një agjiliteti të posaçëm qëllimkeq, të redaksisë apo të ndonjë anëtari të saj. Nëse botimi koincidon me ndonjë ngjarje historike ose me prezencën eventuale të mysafirëve të huaj, atëherë lidhur me ngjarjen, shihet i kurdisur dhe i lidhur me ngjarjen si një aferë, komplot, diskreditim, skandal me përmasa ndërkombëtare!

Në përshkrimin e rasteve të tilla, ai i lëshon fre imagjinatës, madje një imagjnate të sëmurë, që për pikënisje ka dyshimin, qëllimkeqësinë e supozuar të kritikut te të tjerët, ngatërron rolin e kritikut e të letrarit, për faktet flet imagjnativisht dhe është insinuativ, zgërdhishëm në të dyja rastet. E në fund, seriozisht(!) do të thotë: pak shaka, pak seriozisht!

Historisë së kulturës sonë do t'i shtojë këtë radhë R.Q. edhe një datë, edhe një ngjarje, por të shënuara me germa të zeza: 23 janarin (1976), mbrëmjen e linçit intelektual!
Po, ç'është kjo?

Duke dashur të nxisë krijimtarinë dhe diskutimin kulturor, "Rilindja" pat organizuar një Tribunë, një diskutim publik për temë të ndryshme që mbahej kohëpaskohe në lokalet e Fakultetit Juridik.

Në mbrëmje u diskutua edhe për kritikën dhe disa diskutantë shprehën qëndrime kritike ndaj disa pikëpamjeve të R.Q. Të tjerët i përkrahën mendimet e tij ose s'i zunë në gojë, sepse shqyrtuan çështje të tjera. Kjo ishte Tribuna e 23 janarit.

Por, si duket, si përshkruhet, si kualifikohet ajo në pamfletin e R.Q.? Ajo është mbrëmje krimi, madje e njërit ndër krimet më të mëdha në historinë e kulturës "mbrëmja e linçit intelektual". Ky "linç" u përgatit, u parapërgatit, u stërpërgatit, me të vetmin qëllim të diskreditohet R.Q. "Në kronikën e fushatës... mbrëmja e 23 janarit të vitit 1976 do të shkruhet me germa të arta, të zjarrta, ndriçuese, vizëlluese" (!) (f.64).
Po, kush e shënon, kush e shkruan këtë kronikë? Kuptohet R.Q. vetë, sepse vetëm ai merret me trivalitete të këtilla.

Ky "linç" i 23 janarit (!), ky "akt barbar, vandalizëm", ka edhe tipare të linçeve klasike "çfarë ishin për shembull, linçi i robërve në arenat e luftës me shtazët... linçi i djegies në furrën e druve në mesjetë... linçet e varjes në sheshin e qytetit, në Perëndimin e egër" (f.67), por ka edhe karakteristika të linçeve moderne "sipas metodologjisë bashkëkohore të linçeve intelektuale"(!).

Për imagjinatën e ekzaltuar "linçi" i "23 janarit ka piedestalin - "një amfiteatër në Fakultetin Juridik të shtruar me tepihë ngjyrë të kuqe, që simbolizonin përfundimin e heretikut", ka kohën e caktuar - ishte zgjedhur ora 18 (ora 18 h) (!), shkruan R. Q.), "domethënë një kohë e lirë, kur njerëzit nuk dinë ç'të bëjnë me veten dhe, për atë shkak shkojnë në vendet... ku mund të shprazin pasionet e tyre", ka publikun e mysafirët e nderit, ka "shtabin e grupit(!) që organizonte fushatën" - lokalet e rubrikës kulturore të "Rilindjes", e të tjera të ngjashme!

Duke vazhduar të "shprazë pasionet" dhe për të dëshmuar erudicionin dhe kompetencën e vet në çështjet e linçit e të linçimit, në ekstazë, pa dashur të zbresë prej reve, R. Q. vazhdon: "Linçi i kësaj mbrëmjeje ishte një linç specifik, origjinal, i egër, i kurdisur dhe në stilin e linçeve misterioze, perfide të Aleksandër Borxhias, të pallateve të Vatikanit, të kështjellave dhe të dramave të Shekspirit, edhe në stilin e linçeve të Berias dhe të ekzileve të Siberisë" (!) (f. 72). Ideisti ynë univerzal, jetik vizionist planetar edhe marrëzirat do t'i ketë të dimensioneve historike-botërore! Një mbrëmje diskutimi për kritikën, ku janë shfaqur mendime kritike për disa pikëpamje të tij, mbrëmje nga e cila nuk ka pësuar dhe nuk mund të pësonte asnjë e keqe, s'është tjetër veçse - mbrëmje linçi, që përmban tërë përfiditetin dhe të këqijat e linçeve të së kaluarës, por është më i egër se ata!

Dhe kështu, ndërsa kujton të ketë thënë gjë të madhe, R. Q. thotë në të vërtetë naivitetin dhe padijeninë më të madhe që mund të thuhej. Sepse, në qoftë se diskutimi për kritikën, dhe po të ishte vetëm një kritikë ekstreme e R. Q., mund të krahasohet, në cilëndo formë, me misteret dhe perfiditetin e Borxhias e të pallateve të Vatikanit, me Berian dhe egzilet e Siberisë, atëherë ose këto s'paskan qenë gjë ose R. Q. s'di çka flet.



I njëjti ekzagjerim i njëjti dyshim psikopat për skena e prapaskena, për organizime e komplote vërehet kur artikullin R.Q. për Ibrahim Rugovën dhe artikullin e tij të botuar në "Përparimi", 4/78. Botimi i artikullit lidhet me Konferencën shkencore të Lidhjes së Prizrenit ku, ai, d.m.th R. Q. "do të mbajë njërin prej tri referateve kryesore", lidhet me prezencën e të huajve, shihet dhe paraqitet hiq më pak se një përpjekje e organizuar për diskreditimin "ndërkombëtar" të tij! Dhe kjo do të bëhet përmes artikullit i cili do të lexohet "edhe pse ishte vënë në mesin e mesit të revistës, pas pesë dhe para gjashtë artikujve të tjerë"! (f.229).

Lidhur me këtë artikull, edhe dy fjalë. Në Morfologji thuhet: "Nuk ka dyshim se për botimin e këtij artikulli në numrin festiv të Përparimit ishte posaçërisht i interesuar dhe është posaçërisht i merituar Fehmi Agani" (f.229). R. Qosja, e mbush plot gojën, dhe e thotë një rrenë!

Natyrisht, në qoftë për përgjegjësi, si anëtar i redaksisë, jam përgjegjës bashkë me të tjerët për çdo gjë që botohet në Përparimi. Në qoftë për t'u veçuar, publikisht po them, as për t'u distancuar prej artikullit të botuar dhe as për t'iu arsyetuar kujt, sepse s'më duken të nevojshme as njëra as tjetra, se artikullin e përmendur si dhe të gjithë artikujt e atij numri, i kam parë vetëm pasi janë botuar. Në të vërtetë angazhimi im në redaksi të Përparimit në përgjithësi nuk është as i rregullt as fort i zellshëm dhe konsiston në angazhimin e bashkëpunëtorëve nga fushat e filozofisë e të sociologjisë dhe në shikimin e punimeve nga këto fusha. Duke mos pasur mundësi për angazhim më të madh, para më se dy vjetësh kam kërkuar të lirohem nga kjo detyrë dhe po pritet një rast i përshtatshëm të më zavendësojë ndokush tjetër. Gjatë vitit 1978 asnjëherë nuk kam marrë pjesë në mbledhje të redaksisë për programimin e përmbajtjes së numrave të caktuar të revistës. Për artikullin e I. Rrugovës nuk kam pasur rast të deklarohem as para botimit, as pas botimit të tij, madje as në redaksi dhe as jashtë saj.

Po pse atëherë gënjen R.Q.? Sepse i duhet të krijojë përshtypjen e fushatës, të klanit, të veprimit të organizuar kundër tij. Ai, madje as nuk e sheh se sa kontradiktor është. Vetëm dy faqe më parë ai shkruante: "Revista shkencore Përparimi... kishte qëndruar gjatë mënjanë fushatës... për shkak se një kohë të gjatë në redaksinë e vet nuk kishte pasur anëtarë të interesuar për rrjedhën e saj. Dhe, me zgjerimin e kompletimin e redaksisë me anëtarë të rinj, me anëtarë që ishin të interesuar dukshëm për fushatën... ajo do t'ia dalë në krye ta mbulojë me kompetencë edhe fushatën në fjalë (f.227). Në përbërjen e parë s'kishte të interesuar për fushatë, të interesuarit u shfaqën me zgjerimin e redaksisë. I interesuari kryesor është Fehmi Agani. Por ky ishte anëtar i redaksisë edhe në përbërjen e parë, kur "në redaksi nuk kishte pasur anëtarë të interesuar për rrjedhën" e fushatës, edhe në përbërjen e re! E vërejti apo jo këtë fakt R.Q.? Apo atij as që i interesojnë faktet, as që i intereson logjikësia e konsekuenca logjike, kur i ka fiksionet dhe dyshimet, që i mjaftojnë? Më në fund: po recensentët, a nuk guxuan t'i bëjnë as kaq vërejtje, as kaq sugjerime lidhur me faktet elementare? Jo, ata që mund të bënin vërejtje e sugjerime, që më në fund kishin respekt ndaj vetes e opinionit, nuk pranuan t'i bëhen recensentë një pamfleti, kurse këta "recensentë" ishin për të nënshkruar, dhe nënshkruan. A nuk është mjaft indikative e dhëna se libri u dorëzua në shtyp në nëntor 1979, kurse Pleqësia e Institutit i caktoi recensentët më 28.XI.1979!
"Iluzionet" dhe iluzionet

Diskualifikimi aprioristik i oponentëve, mënyra e sëmurë e atribuimit të qëllimkeqësisë, të motiveve të dyshimta ose ekstremisht negative ndaj kundërshtarëve të supozuar, madje argumentuar-paargumentuar, duke injoruar faktet, duke dhunuar arsyen, po e deshti puna, kjo është një ndër karakteristikat më dalluese të "polemikës" së R.Q. e shprehur fuqimisht në pamflet.

Pyetja e parë që mund të shtrohet është pikërisht se për ç'arsye R.Q. kthehet në ngjarjet e para aq kohëve, të harruara edhe për gjeneratat që i dinin e lëre më për gjeneratat e reja, për të cilat s'kanë rëndësi fare? Mua më duket se ai rikthehet te këto momente për shkak të ndërgjegjës së papastër! E di se kishte qëndrime të pamira, e bren se këto dihen dhe janë larg pozës burrërore dhe moraliste që do të mbajë dhe përiqet t'i "racionalizojë" qëndrimet e veta dhe të "dëshmojë" se gjithmonë kishte të drejtë!

Nga fundi i janarit 1974 R.Q. pat botuar në "Rilindja" artikullin Krijimtaria dhe jeta jonë krijuese në të cilin ngritej kundër disa dukurive negative në jetën krijuese dhe angazhohej për forma më të organizuara të jetës kulturore. Edhe pse çështjet e shtruara s'ishin
fort reja, s'ishin që të mos përkraheshin. Por, s'mund të përkrahej edhe mënyra se si kualifikoheshin disa marrëdhënie.

Prandaj, në kuadër të një anketimi që e organizoi "Rilindja" mendova që është mirë të përgjigjen me shkrim. Përkrahja dënimin e dobësive dhe kërkesën për forma më të organizuara të jetës kulturore, por jo edhe vlerësimin e marrëdhënieve në formë të vrazhdë e me ngjyra të errëta si e bënte R.Q. Ku nuk pajtoheshim? Ai i karakterizonte marrëdhëniet kështu:

"E tillë çfarë është, jeta krijuese është një jetë, le të thuhet, kulturore e provincës, ku njerëzit pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke u marrë, plot gëzim me fatkeqësitë e vogla dhe të mëdha të fqiut dhe duke iu lutur të madhit zot, që t'i digjen vetullat dhe flokët e gruas së bukur të fqiut të parë, që t'i bëjë kopilin e bija e fqiut të dytë, që t'i lëshojë burri të bijën e madhe fqiut të tretë, që të ndahet prej të shoqes fqiu i katërt, që t'i bjerë zhuga fqiut të pestë, kurse damlla fqiut të gjashtë, që t'i dhezet shtëpia fqiut të shtatë, e të tjera" ("Anatomia e kulturës, 105).

Kush mund të pajtohej me një vlerësim të këtillë? S'është fjala për shijen-pa shije dhe trivialitet, sepse të këtilla kishte edhe të tjera, por për vlerësimin vetë. Mesi ynë kulturor s'ishte formuar, i pjekur, kritik, duartrokiste vend e pa vend, s'mund të ndihmonte krijimtarinë me një qëndrim objektiv vlerësues. Por, entuziazmi dhe dashamirësia ishin karakteristikat kryesore të mesit tonë kulturor, të marrë në kuptim të gjerë. Duke jetuar edhe unë si e tërë gjenerata në atmosferën e entuziazamit dhe të optimizmit të nxitur fuqimisht me Plenumin e Brioneve, entuziazëm dhe optimizëm që e karakterizojnë, më duket, jetën tonë të përgjithshme të këtyre 15 viteve, s'mund ta perceptoj ndryshe veçse në mënyrë optimiste edhe klimën tonë kulturore e krijuese. Të thuhet se jetojmë prej së keqes dhe për të keqen e tjetrit, më dukej akuzë e tmerrshme. Po të thuhej kjo domosdo do të shtrohej pyetja: çfarë qenkan marrëdhëniet tona shoqërore, kur u krijuan marrëdhënie të tilla, që njerëzit të jetojnë nga e keqja e tjetrit? Sepse karakteri dhe natyra e njeriut formohen në tërësinë e marrëdhënieve shoqërore. Por unë e evitoja këtë, sepse më dukej, si më duket edhe sot, se karakterizimi i këtillë i marrëdhënieve dhe i klimës krijuese ishte rezultat i dobësisë së njohur të ekzagjerimit të R.Q. dhe një kritikë provincialiste e provincializmit, që e përsëriti ai shpesh deri më sot.

Në reagimin tim thuhej edhe se tema e shtruar shikohej ngushtë, se duhet të shihet më gjerë ndërlidhja e shoqërisë dhe e krijimtarisë, se diskutimi duhej të pasurohej me analiza e orientime vlerore të krijimtarisë sonë, etj. Si e interpreton sot R.Q. këtë reagim?
Para së gjithash e quan interesant "sidomos përkah taktika e kompromisit" (57) dhe mandej kërkon të gjejë arsyen pse u botua fare: "Që të mbronte dobinë e klaneve në jetën tonë krijuese duke mbrojtur ashtu edhe strategjinë e veprimit të tyre? Apo ndoshta që të më sinjalizonte atë që s'jam i prirur kurrë ta kem parasysh: se unë s'mund të shkruaj çka dua, sepse ka kapuç mbi mua!"(58) Antidogmati ynë i deklaruar s'mund të kuptojë se mund të përkrahet damkosja e dobësive, por jo edhe njollosja e mesit dhe e marrëdhënieve, që nuk ka bazë as në realitetin tonë shoqëror as kulturor. Insinuant si është, do të më atribuojë hiç më pak se qëllimin që t'i mbroj klanet, që s'ishin tjetër veçse halucinacione të tij. Dhe, i kompleksuar si është, reagon emocionalisht e rebelohet: Mua të më vënë kapuç?! Por, kur ka korrektësi, ku mund të ketë diskutim e polemikë, kur nuk vështrohet nëse ka apo jo të drejtë ai që mendon ndryshe, por në vend të kësaj kërkohen motive të fshehta, obskurante të tjetrit?

Pas pak ditësh R.Q. shkroi Iluzionet janë të dëmshme, që ishin të intonuara polemikisht që nga titulli, në mënyrë sofistike bënin jë spostim, një zëvendësim të subjektit të polemikës. Sepse, ndonëse nga marrëdhëniet dhe klima krijuese varet në një masë të madhe edhe rezultati i krijimtarisë, në polemikën e mëparshme, së paku në reagimin ndaj artikullit të parë të R.Q. s'ishte fjala për rezultatet e krijimtarisë. Ishte kontestuar vetëm pohimi se në dy vitet e fundit krijimtaria ishte në krizë. R.Q. jo vetëm që bën zëvendësimin sofistik të temës së diskutimit, por në mënyë jokorrekte, pa emëruar, u imputon, u atribuon të tjerëve se kanë dhe po përhapen iluzione për rezultatet e krijimtarisë sonë. Dhe, duke qenë se iluzionet rrëzohen shpejt, R.Q. mendon se shpejt do të mund të diskualifikonte edhe oponentët. Por, një gjë s'e llogariste mirë R.Q. Ai s'e shihte se është pikërisht iluzion dhe iluzore të kujtosh se mjafton t'i imputosh tjetrit iluzione dhe opinioni ta marrë këtë si të gatshme e të vërtetë.

Edhe ndaj këtij artikulli pata reaguar me vështrimin e titulluar: Për një vlerësim objektiv të krijimtarisë. Vërejtjet e mia kishin të bënim me mënyrën e diskutimit e të polemikës, me vlerësimin sektar të krijimtarisë, me nisjen nga premisa të pasakta, me konkludimet alogjike, me mënyrën arbitrare - diskualifikuese të vlerësimit dhe me dëmin e saj.

Vërejtjet kishin të bënin me mënyrën e diskutimit, sepse mënyra e diskutimit, e polemikës nuk është formë e jashtme, mirësjellje e korrektësi, fair play, si do të thoshte ky fejplejist, që kurrsesi s'po mund të ngrihet te principieliteti marksist, por është thelbore dhe principiele se edhe vetë përmbajtja. Mënyra e polemikës së tij ishte aprioristiko-diskualifikuese. Përkundër tri faqeve të gazetës dhe titullit të të tri vazhdimeve me Iluzionet janë të dëmshme, s'e shihte fare të nevojshme të thoshte se cilët ishin përhapës të iluzioneve dhe ç'thanë ata që të ishin iluzion, s'e konsideronte fare të nevojshme t'ua shtronte për gjykim lexuesve cilësimin që u atribuonte të tjerëve. Kjo mënyrë e polemikës është e njohur, është mënyra sofistike e postulimit, e supozimit si të ditur pikërisht të asaj që do të duhej të vërtetohej. Iluzionet ishin fiksione të R.Q., ishn projeksione të tij, ai postuloi në mënyrë simplifikuese, e quajti të ditur se ata që mund të kenë mendime të ndryshme nga ai për krijimtarinë tonë dhe nivelin e kushtet e saj, janë përhapës të iluzioneve, apriori i diskualifikoi për të filluar mandej rrebeshin patetiko-verbal kundër iluzioneve. Kjo mënyrë ishte dialog i R. Q. fiksionet e tij. Vërejtjet për mënyrën e polemikës ishin kërkesë për evitimin e dobësive të irrelevancës në polemikë, për evitimin e atakimeve morale e personale të atyre që mendojnë ndryshe, për më shumë konsekuencë në qëndrimet, më shumë besnikëri ndaj qëllimit dhe më pak përgjithësime të pabazë, më pak sulme difuze dhe aluzione të pacaktuara. Sepse, s'mund të ketë diskutim të çështjes nëse vazhdimisht ndërron tema e diskutimit, nëse bëhen pohime të kundërta madje edhe brenda të njëjtit vështrim. Dhe s'mjafton të deklarojmë se kemi qëllim të mirë, se duam të dënojmë plogështinë e të inkurajojmë krijimtarinë, po qe se lejojmë që, të përfshirë nga emocione të caktuara, të harrojmë rrugës qëllimin dhe të mohojmë edhe ato rezultate që i kemi, duke satisfaksionuar në këtë mënyrë jo punën e rezultatin, por përtacinë e shterpësinë, sepse pikërisht këto të fundit barazohen me të parat. Të gjitha këto dobësi të polemikës në mënyrë shumë më të fuqishme manifestohen në Morfologji.

Vërejtjet kishin të bënin edhe me mënyrën sektare të vlerësimit, sepse për rezultatet e krijimtarisë s'mund të gjykohet vetëm sipas fushave albanologjike. Dhe, sado që këto fusha zënë dhe duhet të zënë një vend të veçantë e të gëzojnë një përkrahje të posaçme, as si komb dhe as si punëtorë të kulturës s'mund t'i reduktojmë ambiciet e pretendimet dhe as të mohojmë origjinalitetin dhe krijimtarinë në fushat e tjera, qofshin këto shkenca të natyrës apo shkenca shoqërore. S'mund të anulohen p.sh. rezultatet në shkencat e natyrës me një deklaratë të papërcaktuar e të pakuptimtë se aty "s‘mund të kemi rezultate për eksportim".

Në vështrim, ndër të tjera, thuhej: "Për një përcaktim dhe vlerësim, relativisht të plotë e të saktë të krijimtarisë sonë dhe të nivelit e të rezultateve të saj, në relacion me kushtet dhe mundësitë, nevojiten para së gjithash përcaktimi relativisht i plotë i vetë kushteve, objektive e subjektive. Kjo u bë vetëm pjesërisht, madje me ca pasaktësi. Të pohohet se kemi kushte objektive të favorshme dhe se s'kemi organizim të punës krijuese, se kemi kushte subjektive, kolektive e individuale, por kemi përtaci e plogështi, madje që nga periudha e sundimit osman, më duket është një kontradiktë.



"
Po iluzionet? Janë të shumta e të shumëllojta dhe, për të keq nuk janë të locuara në një vend. Janë të shpërndara dhe të dëmshme ku do që të jenë. Por, një "iluzion" timin dëshiroj ta pranoj publikisht. Është iluzion, po deshët, apo bindja që kam se detyra jonë primare është të kërkojmë, të gjejmë dhe të afirmojmë vlerat dhe krijimtarinë që kemi, me ndjenjë mase e përgjegjësie, duke kritikuar të meta e dobësi, por pa shikuar dhe matur nga nivele abstrakte dhe të paqena.Jo për vetëkënaqësi, jo për autarki, por për kënaqësinë normale të shkaktuar nga rezultatet e arritura, kënaqësinë që inspiron dhe inkurajon rezultate më të mëdha, që të mund të hyjmë sa më të plotë e më të begatshëm në komunikimin kulturor e krijues me të gjithë. Kjo më duket rruga e vlerësimit objektiv, e nxitjes dhe e inkurajimit të krijimtarisë sonë".

Redaksia e gazetës e konsideroi të arsyeshme të mos e vazhdojë polemikën dhe nuk e botoi vështrimin tim nga i cili i nxora vetëm dy-tri mendime. Bëhej kjo për të mos e thelluar konfrontimet dhe për të mos kaluar në grindje personale. Edhe pse nuk më dukej e drejtë, nuk kam dyshuar në këtë motiv. Por RQ s'i mjafton kaq. Shkon në redaksi, kërkon t'i lexojë artikujt e pabotuar, fshehurazi
del e i kserokson dhe nis t'i shpërdorojë! A mund të mos e dinte RQ se artikujt e pabotuar u takojnë vetëm autorëve? Në pamfletë shkruan ndryshe. Thotë se donte që artikujve t'u përgjigjej "me kohë", "menjëherë javën tjetër", prandaj i kseroksoi. Por, edhe po ta lëmë anash faktin që artikujt që kapin gjithsej 21 faqe, s'janë që të mos t'u pergjigjet pas një jave ai që për "40 ditë" shkruan një libër, shtrohet pyetja: Ç'është përgjigje "me kohë" për artikujt e pabotuar, përse të jepej përgjigja "menjëherë javën tjetër" dhe përse RQ sot e fsheh prej lexuesve faktin që redaksia kishte vendosur të mos i botonte artikujt? "E kisha vënë në dijeni kryeredaktorin", thotë ai, "se kisha bërë kseroksimin". Vërtet, mos e pyet se të tregon vetë! Nëse kseroksimi është bërë me leje- dhe vetëm me leje mund të bëhej, ose do të ishte vjedhje e materialeve nga redaksia- pse të vihet në dijeni kryeredaktori, lëre më që as ky pohim nuk është i vërtetë?!

Këtu më duhet të bëj një digresion dhe të vë në dukje një moment të rëndësishëm, që jo rastësisht RQ e lë anash. Me artikujt e pabotuar, por të kseroksuar ilegalisht RQ, që kujtonte se u kishte bërë nder të madh rektorit të atëhërshëm dhe dekanit të atëhershëm të Fakultetit Filozofik duke i përmendur iluzionet e tij si të vetmit me kontribut albanologjik, insiston të mobilizojë përkrahjen e tyre dhe mbahet mbledhja e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ku R.Ismajlit, atëherë asistent, për artikull të pabotuar (?) i bëhen kërcenime me dëbim nga Fakulteti! Çështja as që mund të shtrohej para Këshillit të Fakultetit, lëre më që në marrëdhëniet tona shoqërore s‘kanë fare shans të realizohen kërcënime të tilla. RQ, në stil të vet, i pakënaqur, si duket me përkrahjen kur botoi Anatominë e kulturës, ku u botuan edhe iluzionet, nuk i shënoi emrat e ish-rektorit dhe të ish-dekanit, i depersonalizon dhe shkruan : "Me përjashtim të dy-tre vetëve, punonjësit e tjerë shkencorë nuk mund të pohojnë se kontributi i tyre shkencor ështe me rëndësi të veçantë albanologjike (!) Pas kësaj, njeriu si të mos pyet : A mund të ketë ende individë aq të kotë e aq të marrë, që ta vënë veten në çfarëdo forme, në varësi intelektuale apo morale nga vlerësimet subjektiviste, nga arbitrarizmi dhe teket e RQ? Kujt mund t'i duhen ato, qofshin edhe afirmative, lavdëruese? Pyetja imponohet veçmas kur shihet pretencioziteti i RQ në Morfologji: këtë e citova, atë s‘e citova; këtë e përfilla -atë s‘e përfilla, e kotësira të ngjashme. Por RQ e vazhdon dezinformimin. "Autorët...kishin nxituar mandej t'i tërheqin artikujt me pohimin se ashtu u është cenuar e drejta e sekretit"!

Po ku e gjeti RQ këtë pohim të marrë? Ai e redukton në absurd trillimin absurd të vetin. Në të vërtetë, pas skandalit në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, ishte e deplasuar të diskutohej në mënyrën dhe me tonin si ishin shkruar artikujt. Ferplejisti ynë vazhdon: "Kur sot, mbas gjashtë vitesh, mendoj në lidhje me këtë reagim, pranoj se kam gabuar: kam gabuar sepse u kam dhënë alibinë autorëve t'i tërheqin artikujt e tyre, sado që do të dëshiroja t'i kishin botuar" (59). Kështu shkruan akademiku ynë, që as fjalës alibi nuk ja di kuptimin dhe përdorimin e drejtë! Dhe vazhdon duke analizuar trillimin e vet: Nuk mund të jetë arsye zbulimi i sekretit, thua se e tha kush këtë, përveç tij!

R.Q. nuk do të ishte ai që është po të mos arrinte edhe në këtë orvajtje dezinformimi, deri në "prapavijë", po të mos u impononte motive të errëta oponentëve. "Nuk ka dyshim se autorët tanë i kishin tërhequr artikujt pa arsye se ndërkohë kishin kuptuar se me ta më qartë zbulonin prapavijën e përgjigjeve të tyre" (!) Natyrisht, depërtimi në "prapavijë" është ikja nga vija e vërtetë e problemeve reale.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV) Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora