Faleminderit
Sami Krasniqi: Kur të kthehem, do të vij bashkë me lirinë...
E enjte, 07.01.2010, 10:00 PM
Kur të kthehem, do të vij bashkë me lirinë...
Dëshmori Rexhep Behrami
Në vend përkujtimi për dëshmorin Rexhep Behrami
Nga Sami Krasniqi
Ai, tashmë ndjehej i çliruar. Ishte i lire…Rexhep Behrami, kishte dëgjuar urdhërin e shpirtit të tij të lire. Ai e kishte vrarë vdekjen e bashkë me të edhe frikën prej saj. Se, ai me shpirtin dhe mendjen e tij njëlloj, sikur ai personazhi në ‘’….Bisedë përmes hekurash’’, pa hamendje dhe trimërisht kishte pranuar, ‘’...konceptin filozofik të vdekjes si mundje ’’
''.....Unë nuk mundëm më. Jo, kështu nuk mundëm.......e di o babë se edhe mund të ju lë
keq, e di ....se edhe ti o nënë pa mua do ta kesh edhe më vështirë.Por, më besoni nuk
mundem. Shpirti më thotë. Unë duhet të shkoj atje, ku vërtet sot edhe e kam vendin. Ndoshta edhe jam vonuar….!? Po, une duhet te shkoj, atje ku po bëhet luftë për jetë a vdekje, atje ku ushtria jonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me gjak po e shkruan historinë......’’
Me këto fjalë, më 16 mars të 1999-tës, Rexha iu drejtua prindërve të tij: nënë Sabries dhe babë Smajlit, tek të cilët barra e rëndë e jetës dhe pesha e viteve e kishin bërë të vetën. Dera e Smajl Behramit prej Kolle, (ka kohë që pjesa më e madhe e familjes jeton në në Mitrovicë) djalë pas djali e gjysh pas gjyshi nuk dinte se ç'është koria. Kodi i saj familjar i tëri ishte vetëm besë dhe trimëri,nderë dhe burrëri.
Sa herë që toka mëmë përgjakej për liri, kjo derë i përgjigjej kushtrimit te atdheut.Thonë se miku-mikut herët i gjason. Mbase edhe ashtu duhet të jet. Populli flet,vetëm pasi t'i sprovojë mirë e mirë gjërat. Edhe nënë Sabria nga një derë e një familjeje trime e bujare vinte. Ajo, ndjesë pastë, bijë e Rexhajve të Koshtovës ishte. kush nuk ka dëgjuar për Ramadan Rexhën, njeriun i cili zanatit të luftëtarit për liri tërë jetën ia kushtoi.
Me fjalët:''.... biro, në luftë kërkohet burrni dhe trimni...'',që të dy prindërit e bekuan te birin e tyre Rexhën,i cili emrin e kishte marre nga stërgjyshi dhe axha i vet, që të dy të rënë në fushën e nderit, për lirinë e Kosovës.
Me të hedhur në krah çantën, në të cilën kishte futur disa gjëra përsonale, Rexha, përqafoi të dy prindërit. Dhe, pasi kaloi me shpejtësi shkallët e hyrjes së shtëpisë, bëri dy-tre hapa tutje e u ndal pranë derës së oborrit. U ndal aty, ku shpeshherë i kishte gjetur të merakosur, nënë Sabrien dhe babë Smajlin duke e pritur atë, kur ndodhte të vonohej. Pasi që i shikoi të dy në sy si asnjëherë më parë, i shtrëngoi fort, i puthi në ballë duke iu thënë: ''.... Do të ju mungoj për një kohë, por ju mos u mërzitni.....Kur të kthehem, do të vij bashkë me lirinë....''
''Shko bir, shko, zoti të bekoftë! Por, qëndro burrë dhe trim, ndero vendin dhe shokët e mos na korit.....'', i tha baca Smajl të birit,në të cilin kishte kohë që mbështetej, porsi i moshuari në shkopin e pleqërisë.
Virtytshëm dhe pa u hamendur ecte në rrugën e të parëve, në rrugën e lirisë....
Me t'u përshëndetur me prindër, Rexha kishte mësyrë për në Çyçavicë, kishte mësyrë atje, ku si në të gjitha pjesët tjera, Kosova prapë me gjakun e bijëve të saj po lagëte për të satën herë tokën e vet. Nëpër rrugët e Mitrovicës shetisnin së bashku militarë e paramilitarë, policë e mercenarë serbë. Të ngarkuar nëpër autoblinda e pizauverë të ’’zhiguar’’ në fytyrë dhe shpirt, si mburrje dhe çmenduri e një ikonografie kriminale, si dëshmi të trashëgimisë së shpirtit dhe mendjes së sëmurë, në gjokse kishin kacavjerrur mirënjohje dhe dekorata të vjetra e të reja, të shpikura dhe ‘’ordenuara’’ nga krajlët e vjetër e të rinj të Serbisë. Rexhës fare nuk i bënin përshtypje. As zhurma e as ‘’mburrja’’ e sëmurë e pizevengëve kriminelë të krajlëve nga Kalimekdani. Ai, tashmë ndjehej i çliruar. Ishte i lire…Rexhep Behrami, kishte dëgjuar urdhërin e shpirtit të tij të lirë. Ai e kishte vrarë vdekjen, e bashkë me të edhe frikën prej saj. Se, ai me shpirtin dhe mendjen e tij njëlloj, sikur ai personazhi në ‘’….Bisedë përmes hekurash’’, pa hamendje dhe trimërisht kishte pranuar, ‘’…..konceptin filozofik të vdekjes si mundje …’’ E dimë…’’ thoshte personazhi i cituar nga Ukshin Hoti në librin e përmendur pak më herët, ‘’….se jemi të vdekur, por ashtu kemi vendosur…’’. Vërtet, s’ka si të jet ndryshe. Sa here që shqiptarët u nisën në luftë, në mbrojtje të atdheut, ata kurrë nuk thane, se, po vemi atje për të vrarë dhe asesi për të djegur, apo për të plaçkitur, por në çdo kushtrim besatoheshin fort, në gjakun e derdhur për liri, në flamurin e Skënderbeut, në Shqipërinë e gjithë shqiptarëve dhe niseshin me bindje dhe zemër, se do të japin edhe jetën për lirinë e atdheut. E madhërishme si në baladë, hyjnore si në mitet antike. Mbase edhe kënga, ‘’Besa-besë, besën ta kam dhënë. për Kosovë jetën due me dhënë…’’, e kënduar nëpër protestat, demonstratat dhe kryengritjet e shqiptarëve për lirinë e Kosovës, notat në pentagram i hodhi si gjakim dhe domosdo e një populli. Pikërisht këtu qëndron përmbajtja filozofike, fryma dhe shpirti i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata, ushtarët e UÇK-së, Serbisë i thane se për ne nuk ka më as burg e as robëri, por ka vetëm Liri a Vdekje. Përkundër rregullave drejtshkrimore fjalët: Liri a Vdekje i shënova me të madhe, pasi që besoj se i tërë alfabeti përmbajtësor i qëndresës sonë mund të shpjegohet me këto dy fjalë. Gjithë kësaj nuk mund t’i hiqet e as t’i shtohet asgjë, as edhe një pike e as edhe një presje.
Të respektosh të afërmit është e natyrshme, të respektosh vizionin është hyjnore…..
Gjatë rrugës për në Çyçavicë, ishte ndalur në Dobërllukë tek motra e babes, halla Hyrë. Kishte kohë që nuk ishin pare. Pasi u çmallën, Rexha i kishte treguar qëllimin. Kot ishte munduar halla për ta bindur që të heq dorë nga rruga e nisur. Ai, i lehtësuar në shpirt me sy pak në të qeshur i ishte përgjigjur: ’’…..Halla ime, nuk mundem të rri më. Bile, edhe jam vonuar….Unë po shkoj atje ku sot e kam vendin…Sall, atë që më takon sot dau ta bëj….Këtë e kanë bërë edhe të afërmit tone…Po, pikërisht, stërgjyshi Rexhë dhe axha Rexhë… Ti e di moj hallë se edhe emrin dhuratë prej tyre e kam….’’
Prej aty, Rexha, gjatë rrugës për disa çaste ishte ndalur edhe në Vushtrri te djemtë e hallës Fatime. Më pastaj kishte mësyrë për në Çyçavicë, në Kollë fshatin e të parëve të tij. Ishte nisur për atje, prej nga gjithëmonë thoshte se vij. Edhe pse , i lindur dhe i rritur në Mitrovicë, sa here që ka rastisur ta pyste ndonjeri se prej nga vinte, pa përjashtim, nga Kolla i thoshte, ndërsa më vonë gjatë bisedës mund të ndodhte që t’i shpjegonte se, në Mitrovicë jetonte.
Ecte kah kishin ecur shumë më herët e edhe më vonë të parët e tij, andej në marshimin e gjatë drejt lirisë. Ai, ashtu i qetë, i patrembur dhe thellësisht i bindur në qëllimin e përbashkët fisnik, po ecte drejt ëndrres së madhe. Ai, tashmë po marshonte drejt vegimit të tij, pas të cilit kishte ecur gjithëherë. Ai siç kishte nderuar një jetë të tërë të afërmit e tij, po ashtu një jetë të tërë, kishte nderuar dhe respektuar vegimin, vizionin e tij, se siç do të thoshte në: ’’Përjetësia e dyfishtë’’, autori B. Islami ’’….të respektosh të afërmit është e natyrshme, të respektosh vizionin është hyjnore…’’ Askush s’kishte mundur ta ndalë, se nuk ndalet luledielli në përcjelljen e diellit të paperënduar. Por, dielli i Rexhë Behramit dhe i gjithë atyre që ranë dhe sakrifikuan për atdhe nuk do të perëndoj kurrë.
Pas një udhëtimi jo të lehtë, kishte arritur shumë afër vendit edhe për ku ishte nisur. Aty, po bënin luftë dy ushtri. Njëra e huaj dhe prej një toke të huaj, ndërsa tjetra e re, e dale nga populli, e cila po bënte luftë për një kauzë të shenjtë të një jete të re.
Në fshatin Kollë, në vendin e quajtur Çuku, në përpjekje e sipër për t’iu shkuar në ndihmë forcave të UÇK-së, Rexha ishte goditur nga një pragë serbe. Rëndë ishte plagosur. Plaga ishte e madhe. Predha i kishte hequr shputën e këmbës së majtë. Gjakderdhja e kishte bërë të vetën.
Më 22 mars të 1999-tës, Rexhep Behrami, në token e të parëve, në token e Kosovës, të cilën tashmë edhe ai e kishte lagur me gjakun e tij, qetësisht mbylli sytë…..Ai shkoi atje për ku ishte nisur….Në shpirtin e madh të lirisë.
Trupin e pajetë e kishin varrosur, në një truall të Kollës, ushtarët e UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe djemtë e axhës së tij, Lifit siç e thërriste ai, që të gjithë të mobilizuar në luftën çlirimtare, ndërsa ai më i riu, Rrahmani i avansuar me gradën e majorit.
Lajmi për rënien e Rexhës, shtoi dhembjen, por edhe krenarinë…
Ashtu sikurse pjesa më e madhe e familjeve shqiptare të Kosovës, që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë dhe trojet e veta edhe familjen e Smajl Behramit në ditën e 24 marsit, ushtria serbe me dhunë e kishte nxjerë në udhën e madhe të dëbimit. 24 mars 1999. Atë ditë, shumë shqiptarë të Kosovës shumë më kollaj mund të merrnin vesh se ç’po ndodhte në New York apo Berlin, se sa atë që po bënte vaki në rrugicën e lagjës, pranë derës së shtëpisë.
Një rrapëllimë e madhe, për një cast sikur ia ndali mendimin, Smajl Behramit. Otvorite vrata,(hapëni derën) ishte çirrur oficeri serb. Me urdhër nga lart, duhet të lëshoni shtëpinë. Shpejt.’’…Jo ore zotëri, nuk kemi kah me shkue përtej pragut të shpisë…Më mirë na vrani.’’ Pasiqë e kishin bërë të vetën, njëri nga oficerët duke zgërdhirë dhëmbet iu kishte drejtuar të parit të familjes ’’…Na zdravlje stari’’.
Pas më shumë se dhjetë ditë, vuajtje e bredhje deri në Gremnik të Klinës së Begut, familja Behrami ishte kthyer në shtëpi, tashmë të demoluar. Për fatin e mire, në gjithë këtë të keqe të madhe, kishte qëlluar të jet bashkë me ta edhe Ismeti, djali më i madh i familjes, i cili gjithashtu asokohe ishte i ngarkuar me detyra të veçanta të luftës çlirimtare.
Lajmi për vrasjen e Rexhës, përkundër asaj që ndodh në raste të lajmeve të hidhura, kishte vonuar disa ditë. Ai, kumti i zi erdhi. I rëndë e i dhembshëm. I shkurtër dhe fjalëpak ashtu si vetë jeta e të rënit. Paj, dëshmorët nuk duan shumë fjalë. Rëndë i goditi në shpirt të gjithë. Sa vet Çyçavica ishte i rëndë për babë Smajlin e nënë Sabrien, për vëllain Ismetin, ndërsa për vëllain Rafetin dhe motrat: Kymeten, Lyden, Zehranë dhe Buqen edhe më të rëndë ua bëri kurbetin.
Rivarrimi i Rexhës u bë me 29 prill të 2000-tës. Ishte dëshirë e prindërve të tij, që ai të pushoj, aty ku edhe pushojnë eshtrat e familjarëve tjerë. Për ta nderuar kishin ardhur miq e shokë nga e gjithë Kosova. Të gjithë kishin bërë udhë për ta nderuar kthimin e tij. Familjarë, miq, bashkëveprimtarë, përfaqësues të subjekteve politike, shokë dhe komandantë të luftës, të gjithë donin ta takonin edhe njëherë. Në mesin e të gjithëve të fortë si gjithëherë qëndronin, ata të cilët e kishin lindur dhe rritur, mësuar dhe edukuar, prindërit e tij.
Ata sikur donin ta pysnin: …pse u vonove bir…dhe iu bëhej sikur e dëgjonin duke iu thënë:…Më falni, por u desht të rrija pak në Kollë, doja që edhe ndonjë ditë, lirisë roje t’i bëja. Por, ja unë erdha, u ktheva dhe këtu jam bashkë me l i r i n ë……