E diele, 22.12.2024, 01:23 AM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Kadare: Serbët nuk kanë kërkuar falje për masakrat, Evropa i favorizoi me vizat

E merkure, 06.01.2010, 09:58 PM


Serbët nuk kanë kërkuar falje për masakrat, Evropa i favorizoi me vizat

Nga Ismail Kadare

Ndodhem në Prishtinë për një qëndrim të shkurtër, me rastin e çmimit letrar "Rexhai Surroi". Ngjarja ndodh në një nga sallat e Hotel Grand-it. Atmosfera është e bukur dhe njëkohësisht solemne. Në program, përveç një koncerti të shkurtër klasik është parashikuar paraqitja e një libri që nuk ka lidhje me çmimin. Libri ka për titull fjalën "I izoluar" dhe për nëntitull "Rrëfimet nga tunelet e tmerrit". Eshtë botuar përsëdyti nën patronazhin e Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të Komitetit të Helsinkit.
Salla dëgjon si e ngrirë. Dhe është e kuptueshme: libri tregon njerën nga pamjet e terrorit në Kosovë në njerën nga periudhat e hovëzimit të tij, në pranverë të vitit 1989. Në sallë ndodhen disa nga njerëzit e torturuar, dëshmitë e të cilëve janë përfshirë në këtë botim. Sepse libri përfshin kryesisht dëshmitë e intelektualëve shqiptarë të Kosovës, që u arrestuan, u izoluan, u fyen e u trajtuan barbarisht, si askush tjetër në Europë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ishin akademikë, letrarë, profesorë, gazetarë, doktorë të shkencave ata që u lidhën me pranga, u zvarrisën nën goditjet e kamzhikeve, u zhveshën lakuriq e u torturuan pa mëshirë në atë fund marsi.
Salla dëgjon si e ngrirë. Dhe kjo nuk shpjegohet vetëm ngaqë në këtë mjedis kulturor ndjeshmëria për intelektualët është më e lartë se për të tjerët. Kurrsesi jo. Të pranishmit në ceremoni e dinë mirë se pas tablosë së frikshme të kalvarit që përshkruhet në këtë libër, është një tablo shumë herë më e gjerë e krejt Kosovës. Në radhë të parë tabloja e djegieve, shërnguljeve, masakrave, përdhunimeve. E atyre që lanë jetën në këtë luftë, me armë në dorë si luftëtarë, ose të ç'armatosur si viktima. E atyre që s'u kthyen më e që nuk dëshmojnë dot. E atyre që ende janë të zhdukur nën kushedi ç'tokë. E të tjerëve, që ishin pa tituj e grada shkencore, por që u dënuan ngaqë ishin thjesht të një kombësie tjetër: shqiptarë.
Pas ceremonisë në "Grand", më duhet të nisem në aeroport. Eshtë jashtëzakonisht ftohtë. Kalendari shënon 22 dhjetor. Rrugës i kërkoj Veton Surroit një kopje të librit. Kam dy avionë për të ndërruar dhe më duket se asgjë tjetër nuk mund të lexoj përpara këtij libri.
"I izoluar". Mbulesa e zezë me një spikamë gardiani burgjesh. Mbi gjashtëdhjetë dëshmi. Një listë prej 253 intelektualësh të burgosur, izoluar, torturuar. Redaktor Zenun Çelaj. Reçenzentë Adem Demaçi dhe akademik Gazmend Zajmi.
Ky i fundit në parathënie shkruan midis të tjerash: "Nga ana e një pushteti u dëshirua jo vetëm mposhtja e një vullneti të një populli, por edhe shembja e tërë trashëgimisë së civilizimit juridik në botë".
Ashtu sikurse çdo herë kur hapet dosja e Kosovës, pyetje të shumta janë të pashmangshme. Ndër to janë së paku tri pyetje, që lidhen me citimin e mësipërm. E para: shkaku i vërtetë që i shtyu serbët të kryenin këtë aksion, që mund të ishte me pasoja për ta. E dyta: si guxuan ta kryenin? Dhe e fundit: si guxojnë ende sot të mos e dënojnë?
Pyetja e parë lidhet me krejt imazhin që ishte përpjekur të krijonte Jugosllavia: vendi i shquar liberal i universit komunist, e famshme për takime shkrimtarësh e akademikësh, për festa kulturore, kinematografike, pritje e përcjellje artistësh e filozofësh nga gjithë bota. Pra pyetja është: kjo Jugosllavi liberale, kulturdashëse, festivalore, si e harroi befas këtë imazh dhe u ngrit të bënte të kundërtën?  Përgjigja është e thjeshtë: ata nuk harruan asgjë, por gjithçka e bënë me një synim cinik, të llogaritur mirë, për hir të një qëllimi themelor, të cilin e quanin aq të madh, saqë pranuan edhe pasojat jo të favorshme. Ky qëllim ishte thyerja morale përfundimtare e shqiptarëve të Kosovës. Me fjalë të tjera, duke goditur barbarisht dhe pa asnjë kujdes atë që konsiderohej "elita kulturore" e shqiptarëve, Serbia donte të kalonte mesazhin e saj: ne e dimë se sa të kushtueshme janë aksione të tilla dhe nuk guxojmë të bëjmë të tilla me askënd. Nuk guxojmë që akademikët, letrarët apo doktorët e shkencave t'i zhveshim lakuriq, për t'i rrahur më lehtë. Por me ju ne e bëjmë sepse ju s'jeni si të tjerët. Ju jeni të huaj këtu dhe, kryesorja, ju nuk jeni popull, por nënpopull. Ju s'keni asgjë të qytetërimit kontinental, nuk keni as tradita, as art, as gjuhë normale, as njerëz të shquar.
Ky interpretim mund të duket i tepruar dhe emotiv për dikë që nuk është në dijeni të gjërave. Por mjafton të lexohet doktrina antishqiptare e akademikut serb Vasa Cubrilloviç, që interpretimi të duket fare i përmbajtur. (Me këtë rast duhet thënë se kjo doktrinë, ende e padënuar nga Serbia e sotme, duhet të botohet gjerësisht në gjithë hapësirën shqiptare dhe atë europiane, në mënyrë që institucionet dhe zyrat e përgjumura të kuptojnë se çfarë tmerri është mizoria ndërballkanase, se ku i ka rrënjët problemi ballkanik, dhe si ai nuk mund të zgjidhet pa i prerë ato rrënjë).
 Thyerja morale bën pjesë në projektet më raciste që ka njohur njerëzimi. Për të mos u zgjatur, do të përmend një tjetër pamje të saj, që ngjan aq e ndryshme nga terrori për të cilin po flasim: përdhunimi i qindra vajzave dhe grave shqiptare, pjesa më e madhe e kryer nga ushtarët, në sy të prindërve, burrave dhe vëllezërve të tyre. A janë përqëndruar ndonjëherë në atë masë që duhet ata që merren me punët e Kosovës dhe të Ballkanit se ç'do të thotë kjo për vajzat dhe gratë? A e kanë menduar se ç'do të thotë për burrat dhe djemtë? A e kanë menduar se një pjesë e adoleshentëve, vëllezër të këtyre vajzave dhe grave, që, në kohën e asaj dhune ishin dhjetë vjeç, tani janë njëzet vjeçarë dhe e kanë të pamundur ta shqitin nga koka e tyre atë tmerr?
Përdhunimi i grave si mjet lufte, duke synuar sidomos thyerjen e dinjitetit burrëror në disa breza, është llogaritur për një sundim të gjatë.
"I izoluar". Shfletoj librin me titullin gati-gati asnjanës, në krahasim me atë që fsheh. Në kuptimin juridik fjala zbërthehet me shpjegimin "qëndrim në vendin e caktuar". Por sa larg është ajo që përshkruhet këtu.
Sytë më shkojnë te dëshmia e akademik Rexhep Ismajlit. Më tërheq vëmendjen edhe për faktin se pak çaste më parë e kam takuar në sallën e ceremonisë në Hotel "Grand". Dëshmia e tij ngjan me atë të të tjerëve. "Ashtu nëpër gjumë, i shkundur nga rropama e derës..." (f.83). Kështu fillon rrëfimi i arrestimit, pastaj me radhë: zhveshja, goditja, plagët, talljet. Sharjet dhe talljet gjatë rrahjes janë tepër të parapëlqyera prej xhelatëve. Në rastin e Ismajlit polici qepet pas titullit "profesor". Me këtë rast, midis fyerjeve i duket e udhës të bëjë pakëz filozofi për gjuhën shqipe, që është specialiteti i të arrestuarit. "Kam përvojë unë. Kështu ndodh gjithnjë. Gjithçka fillon atje, tek ata të gjuhës ".
Rrahësi injorant mund të mos dijë shumë gjëra, por ai e di thelbin e punës së tij: është diçka që s'duhet harruar kurrë në këtë rrëmujë: gjuha shqipe. Eshtë diçka që shekuj më parë është kuptuar prej osmanëve, më pas prej shovinizmit grek, e tani prej serbëve. E vetmja gjuhë e ndaluar në Europë. Të vetmet shkronja të mallkuara në një ceremoni fetare.
Xanxa e gjuhës merr ndonjë herë ngjyra groteske. Një tjetër profesor rrëfen dialogun e tij me rrahësin "poliglot": "Parlez vous français? më pyeti. Iu përgjigja serbisht "jo". Eh, do të ta mësoj pak ! tha …" (f.118)
Vijon rrëfimi për frëngjishten, dhe frëngjishtja, në këtë rast, nuk është veçse një grumbull goditjesh me shkopin e gomës, mbi trupin lakuriq të profesorit.
Vazhdoj leximin e librit. Dëshmitë vijnë njera pas tjetrës, njera më e hidhur se tjetra. Në të gjitha ka diçka që përsëritet. Përsëritja është pjesë përbërëse e çdo gjendjeje  infernale.
Janë disa gjendje që vijnë njëra pas tjetrës me ritmikën e ankthit: çastet e arrestimit, pjesa më e madhe në mëngjes pa gdhirë, në ditët e fundit të marsit 1989. Pastaj rrugëtimi te burgu apo hetuesia. Më pas zhveshja, rrahja mes britmash. Më pas rrugëtimi drejt së panjohurës, në tjetër burg.
"Më 20 mars 1989, rreth orës 23.00 shumë milicë me në krye kryeshefin e Sigurimit shtetëror të Prizrenit, Zoran Dragoviçin, më arrestuan në mënyrë brutale, duke trishtuar fëmijët… ". (f.103)
"Më 28 mars 1989, në orën 04.45 ma prishën gjumin krismat në derën e banesës s'ime… " (f.116)
" Në dritën e zbehtë të mëngjesit, më 28 mars 1989, në orën 0.5 :30…) (f.121)
 "Në mëngjesin e hershëm të 28 marsit, diku rreth orës 05 :00, nga gjumi më zgjuan rrapullimat e çizmeve… " (f.125)
 "Mëngjesin e 28 marsit 1989, në orën 06:00, shtëpia ishte e rrethuar me milicë të armatosur gjer në dhëmbë… ". (f.144)
 "Ishte e diel, më 26 mars herët në mëngjes..." (f.171)
"Më 28 mars 1989, njerëzit e Sigurimit shtetëror, të armatosur u futën në dhomën time të fjetjes , ku isha me gruan dhe tri fëmijët… " (f.245)
Siç shihet, është vetëm një grimë e tmerrit, kryesisht mëngjesi i datës 28 mars 1989. Pas zgjimit të trishtueshëm, vijon tejçimi i të arrestuarve në mjediset e policisë a të burgut. Atje niste faza tjetër: zhveshja, fyerjet, rrahja.
"Pas urdhrit që të zhvisheshim, Lepi (bukuroshi), mjeku i përkëdhelur kështu nga gardianët, me një shkop në të cilin ishin gravuar centimetrat, maste gjurmët e zeza në trupat tanë… ". (f. 88)
"Më erdhi radha mua. Gardiani, i cili merrte teshat tona, më urdhëroi të zhvishesha lakuriq… " (f.164)
"Gardianët  vazhdimisht bërtisnin: kokën poshtë! Mos shiko! Mos fol! Do t'ju mbysim! Keni për të marrë vesh ç'është Serbia! Eshtrat kemi për t'ua thyer! Serbia është e fortë… ". (f.165)
"Më erdhi radha edhe mua dhe hyra në korridorin e torturave… " (f.166)
"Një herë një inspektor m'u kërcënua: Do të t'i nxjerrim sytë… " (f.182)
"Më në fund më thanë të zhvishesha lakuriq. Milicët më rrahën me shkopinj, shkelma, grushta, deri sa më çuan në dhomë të alivanosur… " (f.173)
"Gjuranoviçi nuk më pyeti asgjë, vetëm e dëgjova kur më tha: keto grushte janë dreka e sotme, më tutje do të shohim… " (f.113)
"Njeri më tha: ti punon në TV? Të njohim mirë. Ti je kryesori! Më rridhte gjaku pa ndërprerë nga fytyra. Në vend që të më kontrollonte mjeku më tha rreptë: mos e përlyej murin me gjak!" (f.242)
 "Ndërkohë hyri edhe një gardian tjetër: ç'do ky skelet këtu? tha…" (f.246)
 "Edhe katër herë të tjera më rrahën në burgun e Shabacit…" (f. 229)
Ka diçka të njohur në këtë stil të foluri. Në këtë ritëm, në këtë këputje shprese. Eshtë jehona e ngjashme me pëshpërimën e banorëve të ferrit, në pjesën e parë të poemës së famshme të Dantes.
Dhe ngjashmëria vazhdon, me udhëtimet nga një burg në tjetrin, nëpër terr, nëpër ankth.
"Në orën 03 :00 mbërrimë në Prokuple… (f.158)
"Nga gjysma e natës mbërritëm në burgun Ndërkomunal të Vranjës…" (f.163)
"Pas tri-katër orësh udhëtimi mbërritëm në Burgun Qendror (CZ) të Beogradit… (f.256)
 "Pas dymbëdhjetë ditësh na thanë të përgatiteshim sepse do të na dërgonin diku tjetër…" (f.259)
Dhe tmerri vazhdon.
Avioni sapo është ulur në aeroportin e Ljubianës, në pritje për të fluturuar në Paris. Eshtë jashtëzakonisht ftohtë, apo ndoshta më duket kështu nga leximi i librit.
Eshtë po ajo ditë, 22 dhjetor 2009. Në sallën e pritjes, në lajmet televizive jepen pamje të ngazëllimit serb në Beograd me rastin e heqjes së vizave për BE. Dhe kjo është e natyrshme. Ndërkaq spikerët theksojnë se të dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, nuk kanë përfituar nga ky favor. A mund të jetë një arsye më tepër që festa e serbëve të jetë më e gëzueshme?
Nuk më pëlqen ta besoj se ky zakon i keq ballkanik, që hidhërimi i njerit popull të shkaktojë gëzim tek tjetri, po vazhdon. Kanë ndodhur shumë ngjarje e vdekje e kanë rënë shumë bomba vitet e fundit, që diçka t'u kenë mësuar popujve të Ballkanit. Vite më parë, të gjithë e mbajnë mend mbrëmjen kur Kosovës iu hoq autonomia. Stacionet televizive jepnin pamjen: Kosova e gjithë e zhytur në terr dhe në zi, në kohën kur në Beograd festohej me bujë e shampanjë. Por dihet se si përfundoi ajo festë dhe çfarë fshihej pas ngazëllimit të gabuar.
Pa bërë filozofi për mirësinë apo mizorinë natyrale të popujve, dëshiroj të kujtoj një test të cilin shqiptarët, kudo që ndodheshin e kaluan përgjithësisht me dinjitet: ditët e bombardimit të Serbisë. Shqiptarët e kishin dëshiruar, pa dyshim, thyerjen e Serbisë. Megjithatë ditën e bombardimit nuk mbaj mend as festë e as triumfalizëm askund. Çka linte të kuptohej se e kishin shpresuar një zgjidhje më të butë.
Në qoftë se mospërfitimi nga heqja e vizave shkaktoi trishtim dhe pezmatim te shumica e shqiptarëve, shkak për këtë nuk ka qenë favori që iu bë një vendi fqinjë. Çdo popull në thellësi të vet e ka atë mençuri sa të kuptojë se lajmi i mirë në Ballkan është lajm i mirë për të gjithë, ashtu siç i keqi është i tillë për këdo. Siç del qartë nga shfletimi këto ditë i medias shqiptare, pezmatimi i shqiptarëve ka qenë, në radhë të parë i drejtuar ndaj vetes, ndaj vendit të tyre që nuk arriti të kapërcejë pengesën. Duhet thënë ndërkaq se pezmatimi nuk është pa lidhje me favorizimin e serbëve, por kjo e dyta ka një shpjegim më të thellë. Favorizimi shihet prej shqiptarëve si një përpjekje për një revizionim të ngjarjeve, për një kthim pas të historisë.
Askush nuk mund të jetë aq naiv saqë të mos ketë vënë re se këta dhjetë vjet pas mbarimit të luftës vazhdon një përpjekje e tillë negacioniste. E inkurajuar prej saj, propaganda serbe shkoi më larg, duke kërkuar mjegullimin e kufirit midis shtypësve dhe viktimave, midis policisë së blinduar me tanke dhe civilëve, midis shtetit të pajisur me armë, topa e burgje dhe kryengritësve, shkurt, duke shkuar drejt një simetrizimi të plotë të gjithçkaje. Pas kësaj nuk mbetej veçse një hap për të quajtur të gabuar gjithçka: ndëshkimin e Serbisë prej NATO-s, gjithë aksionin e përbashkët të Europës, për të përfunduar gjer te mospranimi i pavarësisë së Kosovës.
Në qoftë se shqiptarët e përjetuan me dramacitet të tepruar favorizimin e Serbisë, përpara se të kishte të bënte me luksin e interpretimit të historisë, me raportet midis harresës dhe kujtesës etj., ky favorizim ishte, sipas tyre, një shenjë e dobësimit të vullnetit europian për mbrojtjen e lirisë së brishtë të Kosovës.
Libri që kam në dorë, një ndër librat më të trishtuar që kam lexuar, e dëshmon këtë. Krimet e përshkruara këtu, ndonëse janë ditur, asnjëherë nuk janë dënuar në atë masë që duhet.
Më e habitshme është se qysh përpara konfliktit të fundit dramatik shqiptaro-serb, propaganda serbe u duk se po përgatitej për ngjarjen e ardhshme. Si në një vizion kinse profetik u fol për krimet që kishin ndodhur e do të ndodhnin në Kosovë, për shpërnguljet, për përdhunimet, për tmerret. Gjithçka u duk më pas si një parashikim i saktë me të vetmin ndryshim se këto krime, sipas propagandës beogradase, nuk bëheshin prej serbëve, por përkundrazi prej shqiptarëve. Shkurt, xhelatët  dhe viktimat kishin ndërruar vendet. Gati-gati sa nuk thuhej se ishin shqiptarët ata që po iu binin në qafë tankeve të pafajshme serbe, dhe ishin gratë shqiptare ato që po përdhunonin ushtarët serbë!
Në një letër të hapur që Vuk Drashkoviç, shkrimtar dhe nacionalist i njohur serb, më ka drejtuar më 1987 nëpërmjet gazetës "Le Monde diplomatique" shpalosej hapur ky kryengulth i fakteve. Pasi më drejtohej me fjalët "koleg i nderuar", si kolegu kolegut, më vinte në dijeni për gjendjen në Kosovë, ku serbët e gjorë vuanin nën "xhelatin shqiptar, që ka veshur rrobat e viktimës". Ndërkaq shfaqte habinë se si unë nuk hiqja dorë nga përralla për "kombin liridashës dhe kalorsiak shqiptar" dhe e mbroja atë, në vend që të mbroja viktimat serbe. Pas kësaj, pasi i bënte një biografi asgjësuese kombit shqiptar të ardhur, sipas tij, nga Kaukazi, i cili s'kishte asnjë vlerë, madje dhe heroin kryesor, Gjuro Kastriotin, e kishte me nënë serbe, (një motiv i dashur dhe aspak origjinal ky për rimohuesit shqiptarë), më krahasonte me Adolf Hitlerin ngaqë, ashtu siç ai mbronte idenë e Rajhut të madh, unë mbroja të njejtën gjë me Shqipërinë e madhe. Ndryshimi i vetëm ishte se, ndërsa ëndrrën e Hitlerit e kishin ndërprerë, sipas tij, gjëmimet e topave rusë, ëndrra ime ende vazhdonte, në pritje, natyrisht, të ca gjëmimeve. Drashkoviçi ngatërrohet kaq shumë në patetizmin e tij saqë pasi më quan përhapës të ideve antiserbe të Vatikanit dhe të Austrisë katolike, gjithmonë si kolegu-kolegut më shkruan se jam në anën e gabuar, domethënë, sipas tij, në anën e vrasësit të Arkimedit, të atyre që dogjën Xhiordano Brunon, që i morën jetën në duel Pushkinit, madje që e torturuan 27 herë Kampanelën! Letra përfundon me fjalët: "Në librin tuaj më të ri "Krushqit janë të ngrirë", barbaritë e sotme të shqiptarëve në Kosovë ju i quani kryengritje. Por nuk keni sqaruar se është fjala për kryengritje kundër njerzillëkut, kulturës, moralit dhe vetë arsyes njerëzore. Besoni vërtet se Europa dhe bota nuk do ta marrin vesh të vërtetën?"
Letra sqaruese e "kolegut Drashkoviç" u ribotua dymbëdhjetë vjet më pas, më 1999, në kulmin e konfliktit në Kosovë. Ka patur natyrisht ca prerje ëndrrash e ca gjëmime bombash, por jo ashtu siç i kujtonte Drashkoviçi dhe, kryesorja ka qenë se Europa e ka kuptuar, më në fund, të vërtetën, që nuk ishte e vërteta e tij.
Eshtë pikërisht kjo e vërtetë e kuptuar dhjetë vite më parë, por disi e mjegulluar më pas, që, siç u tha më lart, shkakton shqetësimin e sotëm shqiptar. Ai lidhet me një mendim të përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, për një "përkëdhelje" të Serbisë, për kërkesa të buta ndaj saj lidhur me krimet në Kosovë. Me këtë rast kushtet lehtësuese, në këmbim të Karaxhiçit dhe Mlladiçit, janë gjykuar tepër komode për vendin agresor. Jo dy kriminelë të profilit të ulët, si Karaxhiçi dhe Mlladiçi, por Cubrilloviçi, doktrina e tij duhet dorëzuar. Nuk mund të ketë normalitet në Ballkan pa u dënuar ky doktrinar bashkë me projektin e tij për dëbimin e kombit shqiptar nga Europa. Ky projekt makabër ka qenë "harta e rrugës" e asaj që ndodhi në Ballkan, e sidomos në Kosovë, në fund të shekullit XX.
Ndjeshmëria e tepruar e shqiptarëve ndaj problemit të rikthimin në Europë rrjedh pikërisht nga humbja dy herë rrjesht e kontinentit mëmë. Shqiptarët, ashtu si shumica e ballkanasve, duke përfshirë edhe serbët, i kanë të gjitha arsyet të besojnë në të ardhmen europiane. Njera prej rrugëve që çojnë drejt saj, më e detyrueshmja, është krijimi i një "ndërballkanizmi" të ri,: si ide, si ndjesi dhe si vullnet i përbashkët për paqtim. Eshtë e qartë se për këtë sfidë të re, të paparë në historinë ballkanëse, ndaj dhe më të vështirën, duhet të punojnë në radhë të parë vetë popujt e gadishullit. Dhe, me ata bashkë, natyrisht Europa.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora