Kulturë
Nexhat Rexha: Poezi me përmbajtje e shije estetike
E marte, 05.01.2010, 06:48 PM
POEZI ME PËRMBAJTJE E SHIJE ESTETIKE
Sabit Rrustemi:”Nën qerpikun tënd” Botoi ”T-KOM”, Shkup, 2009, fq.65.
Nga Nexhat Rexha
Koncepti filozofik e letrar është realizim i mundshëm, nëse ai ndërtohet në baza të mundshme e të realizuara nën rregullat, që i prodhon jeta me të gjitha variantet e mundshme të saj. Duke patur këtë qëllim e mision njerëzor e artistik Sabit Rrustemi, që nga fillimi i krijimeve të para artistike ka ruajtur identitetin e vet krijues, gjithnjë duke e pasuruar fondin e letërsisë shqiptare me veçantit e tija artistike.
Ai prej veprës së parë “Ku i la lisat era”1990, deri te kjo e fundit e botuar para disa muajve me titull ”Nën qerpikun tënd”, ka krijuar portretin e ekspresiv prej artisti.
Përmbledhja me poezi”Nën qerpikun tënd”, të Sabit Rrustemit është vepra më e re poetike, e cila vjen para lexuesit me një përkushtim të theksuar. Vargjet e këtij vëllimi korrespondojnë pohimin e brendshëm shpirtëror në krijimin e vargut racional, duke e pasqyruar atë gjithnjë me zjarrminë e botës së brendshme, që shpërthen vazhdimisht në përditshmërinë tonë. Autori me shije estetike ka shpërndarë këto xixa të ngujuara për të dhënë dritë e shpresë për jetën në vazhdimësi.
Vëllimi poetik “Nën qerpikun tënd” ndahet në katër cikle, të cilët kanë harmoni tematike dhe artistike në mes vete: E vogël kjo botë për ëndrrën tonë, E paprekshmja pikon në mua, Nën qepallat e një dritareje, Më zgjoi përmes aromës.
Në të gjitha ciklet, brendia artistike e vargut është e lirë dhe reprezentative, sepse autori në secilin varg, në secilën poezi, ka shkrirë botën e përditshme, duke shenjëzuar momentet më të mira që jep jeta. Që nga cikli i parë e deri tek ai i fundit, nga afërsia shihet, se vërtet e vogël është bota, kur ndizen ëndrrat, e vogël është bota kur puqen dashuritë, për këtë qëllim njeriu sakrifikon shumë anë të dukshme e të padukshme të jetës, në atdheun ku vlon dashuria e pikëtakohen ëndrrat e trazuara. Sabiti në poezinë e tij, të rrëmben, e të fut brenda kësaj bote, që t`i jep të gjitha mundësitë për të shijuar të bukurën, ai është i hapur në dashuri, të cilën e ndryjnë shumë njerëz, pastaj kjo dashuri paraprakisht dihet se është konvecionale, që vlon e prit sinjale për t`u shkrirë i tëri, në të tërën .Ky është lajtmotiv funksional në këto rrethana të krijuara dhe i pranueshëm për lexuesin e cilës do shtresë a komunikim gjuhësor.
Funksionalizimi i brendshëm i vargut është lakonik dhe si produkt artistik rrjedh nëpër të gjitha kohët edhe si nevojë organike, edhe si gamë, edhe si nevojë fiziologjike. Mirëpo, nëpër këtë njohje të brendshme shpirtërore, ai shpalosë atë që duket e nuk thuhet, atë që e ndjen shpirti e nuk e thotë, në poezinë “Pikat e heshtjes” ai shprehet: Të pathënat që ndjejmë/Ç`lexim i çuditshëm/Për dashurinë që përjetësohet/E nuk thuhet/Mes tri pikash/Sa buzë janë tharë/Një puthje duke ëndërruar. Këtë ndrydhje të padukshme, ai nëpër vargje e shtrydhë, e kjo shtrydhje pastaj lëshon lëngë e shije, e kjo pastaj lëshon aromë, kjo aromë bashkon zemra të ngujuara. Autori është i hapur dhe autentik në shprehjen që ngjallë shpresë dhe e përkufizon dashurinë për së afërmi, ai nuk dëshiron që ajo të jetë vetëm abstraksion i jashtëm, por njohja e vetvetes me jetën rezulton kontestimin e përditshmërisë me gjëra të bukura që i prodhon jeta.
Mirëpo, ai dëshiron që këto dashuri të shfaqen natyrshëm, të cilat kërkojnë shenjëzim në kohën e princit të kësaj kohe,pse të mos regjistrohen në kalendarin e shpirtërave të dashurisë. Pikëtakimet e syve e ndërrimi i ngjyrave të fytyrës i vënë në funksion dinamik dhe i vënë në korelacion reciprok për të dashuruar, duke e zhvilluar procesin në frekuenca të brendshme emocionale, gjithnjë me shije e aromë të pranueshme, e në tërësinë e kësaj oaze shkrihen barrierat pengestare, gjithnjë këtë amshim e vendosë brenda qenies ekzistenciale.
Strehimi edhe si sintagmë e formulim artistik është i veshur me petkun idilik, sepse figuracioni i vargut merr e jep kuptimësi përmes mjeteve shprehëse, që bartë refleksion natyra me të gjitha bukuritë bimore, që kultivojnë stinët e vitit. Njëherit, brendia poetike reflekton edhe hapësirën qiellore, sepse rrezet e diellit dhe rigat e shiut ,shkrijnë ngurtësi, e kur shkrihet ngurtësia zemrat bashkojnë të gjitha gjymtyrët , e buzët pastaj prodhojnë ëmbëlsirë dhe krijohet atmosfera festive. Të gjitha ngjarjet zhvillohen nën një strehim, e ai strehim bëhet “Nën qerpikun tënd”, konaku është i hapur, për këtë qëllim ia vlen të sakrifikohet një jo nga e kaluara, për t`i thënë të sotmes po, për t`i dhënë kuptim thelbësor të ardhmes.
Sabit Rrushemi, përmes lirikave erotike ka thyer heshtjen, për të shkrirë mallin dhe lotin nëpër petalet e lules së ëndërruar dhe për ta zhveshur anatemën krijuese të puthjeve në pritje, sepse luledashuria,tërë atë aromë e shije që ka brenda saj,ai arrin ta shkrijë botërisht në një pirg të vetëm në fushën e gjelbëruar, sikur qerpikët i kanë dhënë strehim të amshimit njerëzor.
Poezia e këtij vëllimi është formulim i ndjenjave të qarta dhe racionale në brendi, sepse niveli artistikë është stabil, konkret dhe në vete bartë imazhe funksionale e rrjedh të natyrshme. Poeti përmes figurave artistike si; metafora, epiteti,simboli etj., ka treguar se transparenca në poezinë e tij bartë atributet e kohëve,si në rrafshin tematik,po ashtu edhe në rrafshin e vetëdijesimit të këtij absurditeti nëpër shoqëritë e ndryshme.
Tërësia e veprës është e ngjeshur me mjeshtri artistike dhe ruan në vete mesazhin e kristalt për dashurinë, për jetën, për amshimin dhe ky kristal i çmueshëm strehon nën qerpikun e të lumturve. Sabit Rrustemi me dy veprat e fundit”Shiu i buzëve tua” dhe”Nën qerpikun tënd”ka vazhduar serinë veprave artistike me motivin e dashurisë, të cilat janë të nevojshme, të arsyeshme dhe gjithsesi e begatojnë thesarin e letërsisë shqiptare, duke patur parasysh edhe lëvrimin e kësaj tematike, dhe si të tilla ato sjellin risi origjinale, e ruajnë në vete ekzistencialen si model i përjetimit shoqëror.
Pra, nga titulli i poezisë”Nën qerpikun tënd”, del edhe titulli i librit poetik dhe konsideroj se është një goditje e ëmbël metaforike, sepse të banojë njeriu nën qerpikun e të dashurit-të dashurës është rehati shpirtërore, sepse klima dhe siguria janë liria më e madhe shëndetësore që njeriu e kërkon gjatë gjithë jetës.
Vepra në përmbajtje dhe në stil është e nivelit të realizimeve standarde, sepse jetës i jepet hapësirë, sikur të robëruarin e liron nga burgu. Dashuria në këtë vepër paraqitet si vlerë dhe ajo është sinonim që i jep kuptim e qartësi vargut poetik të këtij vëllimi.