Mendime
Fatmir Gashi: Mirënjohjen time Amerikës per Kosovën, ja shpreha duke u radhitur në Ushtrinë Amerikane (Nga Këze Kozeta Zylo)
E diele, 03.01.2010, 07:59 PM
Duke intervistuar z. Fatmir Gashi |
Mirënjohjen time Amerikës per Kosovën, ja shpreha duke u radhitur në Ushtrinë Amerikane
Vetëm në Liri, u takuam me vëllezërit tanë të një gjaku
Nga Këze Kozeta Zylo
Rrëzimi i diktaturës komuniste në Shqipëri solli dhe takimin midis vëllezërve shqiptarë dhe të gjitha trevave të saj jashtë kufijve, të ndarë pamëshirshëm nga qarqet politike të shekullit që lamë.
Gjatë 50 viteve të shkuara edhe pse shumë prej nesh e kishin ëndërr për të vizituar Kosovën, Dibrën, Malin e Zi, Çamërinë, kjo ëndërr e kahershme, kurrë s’u bë realitet!
Pra e thënë shkurt, shqiptari nuk linte të takohej me shqiptarin…!
Por edhe pse diktatura nuk na linte të takoheshim, ne kurrë me mendje dhe me zemër nuk u ndamë shpirtërisht, por në forma dhe mënyra të ndryshme takoheshim me ta me gjuhën shqipe, me zjarrin e dashurisë vëllazërore të mbrujtur në breza.
Mosmarrja e vizave për të dalë jashtë shtetit, mbyllja brenda mureve të rrethuara me tela me gjëmba, ishte një ndër marrëzitë e shumta të sistemit.
Shumë prej brezit tim që filluan punë rregullisht rreth viteve 80-të , veçanërisht po flas këtu për ata që patën fatin të punonin në Tiranë, i shikonin dhe ndjenin me nga afër, padrejtesitë e mëdha, korrupsionin, imoralitetin shpirtëror, grykësinë, përbuzjen, pasi shpesh ndodhte që të ishje “kolege” me ish nuse të bllokut, vajza të privilegjuara, fëmijë të ish udhëheqësve, te cilët cdo gjë e shikonin nga maja e Olimpit.
Gjithmonë më vriteshin ëndrrat, të paktën së brendshmi, kur disa prej tyre nuk i shihnim me muaj të tërë në mësim, por drejtorët me gojën plot na thoshnin, se janë në Paris, Londër, Romë…e prandaj klasat tuaja të kujdestarisë duhet të kenë mësues zëvendësues, për këta mësues “yje” të Kombit.
Por sot nuk dua të ndalem për kësi marrëzirash, që i rënduan aq shumë mbi shpinë popullit të thjeshtë, por më shumë i solla, për të pohuar se marrja e vizave ishte e ndaluar vetëm për ne të thjeshtët, edhe pse gjyshërit tanë e kishin kaluar një jetë të tërë në Perëndim, ndërsa ne nipërit dhe mbesat e tyre për ironi të fatit, duhet të rrinim aty ku donte diktatura, një jetë të tërë, në majë mali, a në baltë fushe, aty ku ajo e zgjaste jetën dhe më shumë…!
Kështu fitorja e Lirisë pas viteve 90-te, qarkullimi deri diku i lirë i njerëzve në botë, më së shumti më gëzoi se do të takoheshim me vëllezërit e një gjaku, të një gjuhe, të një flamuri, që na ndanë aq padrejtësisht për dekada me radhë.
Ardhja ime me familjen në New York, përveç mundësive të pafund, por mbi të gjitha lirinë e mendimit, bëri që të takoheshim me shumë shqiptarë prej Kosove dhe nga të gjitha trevat e tjera të Shqiperisë.
Në kolegjet ku punuam së bashku me bashkëshortin tim me vite të tëra, u njohëm nga afër me këta patriotë të shquar nga Kosova, sa shpesh herë më inspironin dhe me shumë studentët shqiptarë, me dashurinë e tyre për Flamurin, Atdheun, por ajo që do më ngazëllente shpirtin, ishte vendosja e emrave autoktonë shqiptarë, pasardhësve të tyre.
Nëse do të shikojmë statistikat në pagezimin e emrave autoktonë pasardhësve tanë, shumë prej shqiptarëve brenda Shqiperisë, (siç dhe na quajnë shpesh…) sidomos të brezit tim dhe më vonë, fëmijët kanë emra të huaj, emra që u bë si modë për kohën…!
Me sa kuptohet mbyllja brenda kështjellës së kuqe, dhe ëndrra për të parë botën e qytetëruar, krijoi një vakium shpirtëror…që mbase do kohë të korrektohet.
Në asnjë vend te huaj me tradita të lashta, me kulturë dhe që janë tejet konservatorë për cfarë kanë arritur, nuk lejojnë prindërit e rinj, t’u vendosin fëmijëve të tyre emra shqiptarësh.
Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend! Për ironi të fatit tek ne ka ndodhur dhe po ndodh…
Konkretisht le të marrim Greqinë, si fqinj shumë e afert, a keni dëgjuar që fëmijët e tyre të kenë emrat: Berat, Bardhyl, Valbona, Arbër, Ilir, Teuta, Drita, Vlora, Saranda, Shqipe…?
Në fakt ka ndodhur e kundërta, ne ju kemi marr emrat atyre, duke i ndërruar nga emra të bukur shqiptarësh, në emra grekë…!
A ndodh që hebrenjtë, t’u vendosin emra shqiptarësh fëmijëve të tyre, edhe pse jemi populli i vetëm në botë, që nuk lejuam asnjë hebre të persekutohej?
Jo, asnjë komb me tradita të shquara nuk arrin të përziejë disa tradita të tyre me të të tjerëve…Megjithatë edhe kjo temë lejon një hapësirë të gjerë për të diskutuar.
Sot unë dua të sjellë në këtë shkrim një nga takimet e shumta dhe të përzemërta që kam pasur me shumë miq prej Kosove, miq që na ka bashkuar çështja kombëtare, çështja e Kosovës, Flamuri ynë, dhe kjo fal ardhjes së Demokracisë në vendin tonë.
Fatmiri me nenen e tij Ajmonen |
Të gjithë studentët kishin marr penat në duar, dhe po shkruanin një letër të dashurve të tyre.
Dikush meditonte nga xhamat e qelqta të dritareve, që perballë kishin rrugën e famshme të Manhattanit “Broadway”, dikush kishte ulur kokën dhe shkruante e shkruante, disa të rinj shkruanin për të dashurat e tyre, ndërsa një gruaje me fytyrë ëngjëllore po i rrëshqiste loti i kristaltë, pakuptuar.
Zhurma e lotit që kërciti mbi fletën e bardhë, më tërhoqi vëmendjen, që edhe unë kushedi se në ç’kopësht me lule kishja qëndruar, sepse temën që kishja zgjedhur për t’ju dhene muzë studentëve, ta bridhte mendjen hapësirave të kaltra, hapësirave pafund!
Duke ecur në majë të gishtave, me kujdesin më të madh, edhe pse tapeti nuk të lejonte të bëje zhurmë, përsëri ndjeva që shumë studentë ngritën kokën në menyrë të menjëhershme, dhe dhimbja për lotin, natyrshëm i bëri shumë kurioz.
Por, unë gjithësesi nuk desha kurrë, që ata të humbisnin frymëzimin, aq më tepër që të gjitha këto detyra do të dorëzoheshin në dekanat…
I afrohem pranë dhe me dorën mbi supin e saj, pa i thënë asnje fjalë, sepse nuk mundesha…i lexova letrën që kishte këtë përmbajtje:
I dashur Fatmir,
…Mua më ka marr malli shumë dhe shpresoj që ti të vish së shpejti në shtëpi.
Biri im! C’gjë e mrekullueshme është që ti më telefonove sot!
…Une dua t’ju tregoj se sa krenare jam që ti po i shërben Ushtrisë Amerikane, shërbim që tregon mirënjohjen e thellë që kemi ne për Amerikën, se cfarë ka bërë ajo për Kosovën dhe Shqipërinë tonë të dashur!
…Unë jam nëna më me fat në botë, nëna më e bekuar që kam një djalë të tillë!
Falënderoj Zotin e madh, që më dha këtë shans të mrekullueshëm të kem një bir të tillë.
Duaje Zotin dhe do ta kuptosh se ai të shikon dhe të do shumë dhe ty.
Shpresoj që kjo letër të të sjellë lumturi dhe buzëqeshje në shpirtin tuaj.
Gjithmonë dua ta kuptosh se sa shumë të dua unë, dhe nuk mund të pres sa të kthehesh në shtepinë tonë të ëmbël…
E përfundova letrën me rrëke lotësh, dhe kuptova që nuk mund ta vazhdoja bisedën me të, por i shkruajta që kompozimi juaj është i shkëlqyer, prandaj ju lutem mund të dilni të mirrni ajër të pastër, për t’u qetësuar pakëz…!
Ndërkohë unë kujtoja miken time më të ngushtë prej Kosove, në kohën e diktaturës, mësuesen tjetër Gashi, që dhe ajo kishte dramën e saj të familjes, ardhur nga Kosova, për t’i shpëtuar kthetrave të Serbisë…!
Një jetë e tërë, dhimbje, drama, lot, për popullin shqiptar kudo.
Pasi mbaroi ora e mësimit, të gjithë studentët shkuan dhe e përqafuan me radhë duke i uruar: “Të ardhtë djali shëndoshë nga Iraku”!
Mirënjohjen time Amerikës per Kosovën, ja shpreha duke u radhitur në Ushtrinë Amerikane
Që nga ajo kohë kam qenë gjithmonë e interesuar për shendetin e djalit të saj, Fatmirit.
Rasti e solli që të takohesha me të në Bronx, në ditëlindjen e parë të Kosovës, në festën e Pavarësisë.
Trimi prej Kosove, një djalë i pashëm dhe ndoshta më i gjati në atë festë, nuk kishte si të mos binte në sy midis njerëzve.
Unë e ulur në tavolinë dhe e përqëndruar tek miqtë përreth, befasohem kur dikush më bie lehtë nga supet dhe më thotë: po të kërkojnë!
Në këtë kohë kthej kokën dhe para meje qëndronte si bust madhështor, ushtari i kthyer përgjithmonë nga Iraku, Fatmir Gashi, së bashku me nënën e tij dhe motrën që kishin ardhur për të më takuar.
Pasi u përqafuam, shkuam dhe u ulëm në dhomën e pritjes dhe biseduam gjatë rreth shërbimit të tij në Irak dhe shkollën që ai po kryen në Mercy College, në Manhattan.
Ai ishte krenar që ishte bashkuar me ushtrinë amerikane për të luftuar terrorizmin.
Njekohesisht arsyeja kryesore sepse i shërbeu Ushtrise Amerikane, ka qenë qe t’i shprehte falenderimin Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çfarë ajo ka ndërrmarë në vendlindjen e tij në pranverën e 1999-es, qe sikur mos të kishte ndërhyre SHBA, edhe më shumë njerëz do të vdisnin në vendlindje, gjithashtu do të zgjatej më shumë koha për te çliruar Kosovën.
“Si vendlindje tha z.Gashi, unë e mendoj Kosovën me Shqipërinë - për mua Kosova ka kuptim vetëm si emërtim gjeografik i një pjese të Shqipërisë.
Për shembull, kur u regjistrova në ushtri, për shkaqe teknike nuk ka qenë e mundur ta shkruaja shtetin "Kosova” atëhere u regjistrova se vij prej qytetit të Prishtinës te shtetit shqiptar.
Si ushtar kam shërbyer aty ku më kanë caktuar, pra, nuk ka qenë ndonjë trimëri e shquar, por e kam kryer ndërgjegjshëm detyrën që e kam pas të caktuar e për të cilën kam qenë i ushtruar. Megjithatë, më vjen mirë që kam qenë pjesë e Operacionit
“Liria e Irakut 3” ('Operation Iraqi Freedom 3') ku ju mundësua irakianëve me i mbajtë zgjedhjet shumëpartiake pas më shumë se 50 viteve - zgjedhje që i ndihmojnë irakianët të jenë të zot e vendit të tyre.
Z.Gashi ka pasur rastin dhe eshte takuar me figura madhore të ushtrisë:
(si Gjeneral Taluto-në, i cili në atë kohë ka qenë komandant i "Forcës së Posaçme: Liria" “Task Force Liberty”.
Pasi mora një informacion të shkurtër për trimin prej Kosove, te gezuar se bashku vazhduam të festonim vitin e parë të Pavaresisë së Kosovës, ëndërr që u realizua pas një shekulli…!
Komentoni
Artikuj te tjere
Vladimir Bruçaj: Obama, "realisti i krishterë"
Dibran Demaku: Cenzura dhe autocenzura
Sokol Demaku: Që sillet e vepron me egërsi e pa mëshirë - mizori
Bekim Alban Demjaha: Në vend të reagimit
Mexhid Yvejsi: Zoti, shqiptarët dhe gjuhëtarët
Muharrem Sfarqa: Atje ku afaristët gjerman lavdërojnë shqiptarët
Ibrahim Kelmendi: Fanatizmi fetar mysliman dhe pasojat e tij për lirinë e besimit dhe të komprometimit të shqiptarëve
Eduard M. Dilo: ''Jemi shqiptare'' - i thashe...
Baki Ymeri: Letërkëmbim me Ramiz Kelmendin në Facebook
Rilindja: Letër e hapur drejtuar z.Bamir Topi, kryetar, z. Sali Berisha, kryeministër dhe znj. Jozefina Topalli
Blerim Kastrati: Kadri Veseli i SHIK-ut u përpoq t'u shiste gogla shqiptarëve
Asllan Dibrani: Festat e krishtlindjeve tek shqiptarët dhe skandalet e Anastas Janullatos...
Albert Zholi: Flet Drejtoresha e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, Nevila Nika
Femi Cakolli: Përgjigja ime për ekstremistët islamikë?
Përparim Kapllani: Rrëshqitja e myslimanëve shqiptarë
Selim Hasanaj: Shpendi
Blerim Uka: A na duhet një Parmentier shqiptar ?
Kadri Veseli: Historia ime
Syle Beqiri: Intervista e Kadri Veselit dhe dilemat qe la pas
Mirela Bogdani: Përgjigja ime për ekstremistët islamikë