E shtune, 21.12.2024, 03:35 PM (GMT)

Faleminderit

Lek Pervizi: Gjergj Fishta - Poet i pavdekshëm

E hene, 28.12.2009, 07:58 PM


Me rastin e 70 vjetorit, 1940-2010,  të vdekjes së Poetit të Madh Kombëtar, Gjergj Fishtës, ribotojmë  artikullin  që doli në revistën Kuq e Zi më nëndor 2001, nr. 19.
 
GJERGJ FISHTA
POET I PAVDEKSHËM
1940-2010
 
Nga Lek Pervizi
     
Revista Kuq e Zi i ka përkushtue disa shkrime Poetit të Madh  Kombëtar, Gjergj Fishtës, me rastin e rivarrimit të atyne pak eshtnave që u kishin shpëtue vandalizmit të barbarëve të shekullit njezet siç ishin sllavo – komunistët.
    Gjatë një gjysmë shekulli ai mbeti pa varr dhe veprat e tija u ndaluen rrebtësisht. Rreth tij u krijue një pellg harrese ku qarkullonin si peshq shpifarakë, lloj lloj thashëthemesh keqdashëse, për të ia denigrue dhe nënvleftësue figurën dhe krijimtarinë. Akte këto, antinjerëzore dhe antishqiptare që vetëm anmiqtë e përbetuem të kombit arbnor mund të kryenin me kënaqësi sadiste, kundër një nga shkrimtarët ma të shquem të Shqipnisë. Para pesëqind vjetëve u dhunue dhe varri i kryetrimit dhe Heroi të Kombit, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Paska qenë thanë që të dy Gjergjat e mëdhej shqiptarë të pësonin të njejtin fat pas vdekjes : t’u tretëshin eshtnat e shenjta e të mos mbetej gjurmë e shej tyne mbi tokë !  Mbi vorrin e Skënderbeut u vërsulën hordhitë turke, mbi atë të Fishtës, hordhitë sllavo - komuniste. Të dy palët anmiq të tërbuem të kombit shqiptar !  
     Këta të fundit, harruen se ishin shqiptar dhe se kishin të banin me një popull që i kishte qendrue stuhive shekullore i papërkulun dhe krenar, që dijti të ruente të pa paprekun gjuhën dhe identitetin e vet gjatë shekujve dhe prandaj do të dinte të ruente kujtimin e herojve që luftuen për mbrojtjen e Atdheut  ose të atyne që krijuen vepra të pavdekshme për lartësimin e lavdinë e shqiptarizmit.
I cilesuem « shovinist » (pse antisllav) ; i cilësuem « reaksionar » (pse antikomunist) : i cilësuem   « tradhtar » pse patriot, duke mos patun mundësi ta kishin të gjallë (pse i vdekun), për ta pushkatue në Zallin e Kirit, siç vepruen me intelektualë të tjerë, miq e kolegë të tij, vendosën t’i përdhunojnë vorrin duke ia nxierrë kockat e duke ia hedhun në lumin e Bunës. Kujtuen se me këtë veprim të ulët e kriminal do të arrinin të zhduknin praninë dhe veprat e tija nga mendja dhe zemra e shqiptarve. Të vjen keq kur mendon se në këtë fushatë të egër përsekutimi kundër figurës së Fishtës, u bashkangjiten edhe disa shkrimtaruca e letraruca komunistë shqiptarë, që ndonse të tillë, duhet të ishin tregue ma të përmbajtun e të mos shpreheshin as me fjalë denigruese as me shkrime neveritëse, që mjerisht per ta, mbesin të dokumentueme në shtypin kohor. Tani ata mund të jenë të penduem, por si tepër vonë !
     I gjithë ky mllef sulmues e denigrues i pajustifikuem, fshihte në vetvete qellime arriviste të paramendueme që i përshtatëshin shprehjes latine «  Mors tua, vita mea ! » (vdekja jote, jeta ime). Sepse dule eliminue Fishtën fizikisht e letrarisht, ata kujtonin se do t’i zinin vendin në supremacinë letrare, nga që ishin të bindun (të verbuem) për vijimin e përjetshëm të diktaturës komuniste së cilës i shërbenin me zell e devocion e prej së cilës kishin përfitue lavdi e privilegje, të katandisun siç ishin në nivelin e oborrtarëve servilë, sahanlepirës dhe intrigantë. Me këtë bindje se kishin kapun qiellin me dorë, nuk u ndaluen as para krimit, veçse si mund të arrinin të hypnin në podiumin e nderit, prej ku, sipas mendjes tyne, e kishin largue përfundimisht Poetin Kombëtar, për të ia zanë vendin. Në shpirtligësinë e tyne të neveritshme, kënaqëshin që ia kishin zhduk trupin, vorrin dhe veprat. Por i kishin ba hesapet pa hanxhinë, në rastin tonë, pa popullin.
    Ai popull, të cilit Fishta, si një Homer i vërtetë, i kishte këndue lavdinë, lashtësinë, besën, heroizmin e trimninë, vetmohimin, burrninë, traditat, zakonet, kanunet, mikpritjen e bujarinë, historinë dhe atdhedashuninë, në 15 000 vargjet e « Lahutës së Malsisë », vetë ai popull pra, i kishte gdhendun me shkronja të pashueshme ato vargje, në kujtesën e tij të çeliktë, të farkëtueme e të kalitun gjatë shekujve. Ato kangë  përjetësonin heroizmin e kombit shqiptar për të mbrojtun trojet e shenjta kundër orvatjeve grabitqare të fqinjëve të pabesë e kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha (Shtatë Krajlave), që për interesat e tyne sundonjëse, i sakrifikonin pa pikë mëshire popujt e vegjel, duke i përdorun si plaçkë lufte ose tregu, për levërdinë e tyne.
    Shqiptari në valën e dyndjeve barbare dhe të pushtimeve të hueja, u ngujue në malet e bjeshkët e larta për të mbrojtun gjuhën, traditat e zakonet, për të ruej identitetin e vet gjatë rrjedhës së shekujve, e pikërisht në ato male ruejti thesarin e letërsisë shqipe, « Lahutën e Malsisë » dhe emnin e pavdekshëm të Gjergj Fishtës. Ata malësorë trima, të parët e të cilëve ishin ndeshun në lufta të rrebta për liri e pavarësi, arritën t’i këndojnë kangët e « Lahutës » nën hundën e komisarëve dhe sekretarëve të partisë në fuqi, të cilët nuk mund t’i pëngonin rapsodët popullorë që t’u këndonin herojve të tyne kreshnikë : Oso Kukës, Marash Ucit, Abdyl Frashërit, Ali Pashë Gucisë, Ded Gjo Lulit,  Marash Vatës, Gjin Pjetrit, Lleshit të Zi, Haxhi Zekës, Mehmet Shpendit, Tringës, Zanave, Orëve e Shtojzovalleve, ku përfshiheshin edhe dragoj e kuçedra, lugetën e baloza, etj. Ashtu siç këndohëshin dikur kangët homerike në botën e lashtë. Jo rastësisht Fishta u quejt Homeri Shqiptar dhe Homeri i fundit i atij qytetnimi që e pati zanafillën para tremijë vjetëve me poemët e Iliadës dhe Odhisesë. Fishta qëndron krenarisht përkrah poetëve të mëdhej të poezisë epike botnore, me një veçori dalluese, sepse vargjet e tij tingëllojnë aq fuqishëm në gjuhën shqipe dhe nuk mund të përkthehen të tilla në gjuhët e tjera. Dihet se kryeveprat e letërsisë botnore janë përkthye shqip pa asnjë vështirësi e në shumë raste edhe ma bukur. Kujtojmë përkthimet e Fan Nolit, Pashko Gjeçit, Mitrush Kutelit, Guljelm Dedës, Mark Demës, Gjon Shllakut, etj. Por që epika shqiptare e përfaqësueme nga Fishta, të jepët në gjuhë evropiane, deri tani ka rezultue e pa dobishme, e në qoftë se ka pasun tentativa të tilla, ato kanë deshtue. Kujtojmë një përkthim të « Lahutës » italisht të vitit 1942, në vargje njëmbëdhjetërrokshe, një katastrofë !
        Me rihapjen  e vorrit të Fishtës, aty u  gjeten vetëm falanget e gishtave, që u kishin shpëtue xhelatëve varrmihës e varrdhunues, të atyne gishtave që mbanin penën e frymëzueme të Poetit në radhitjen e 50 mijë vargjeve, nga të cilët 15 mijë të «  Lahutës së Malsisë ». Mbas 50 vjetëve fillon një epokë e re kulturës shqiptare, me udhërrefyes Fishtën, jo vetëm si poet i shquem, por edhe si gjuhëtar e patriot, që bashkë me Rilindasit e tjerë, ndër ta shumë letrarë e intelektualë, na dhanë alfabetin e parë të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, atë alfabet me të cilin u shkrue ajo kryevepër e letërsisë sonë «  Lahuta e Malsisë », unike në gjithë historinë e letersisë së Kombit Shqiptar.
    Botimi i veprave të plota të Gjergj Fishtës në Prishtinë, ishte  një vlerësim i lartë e i meritueshëm për krijimtarinë e tij  dhe u mirëprit nga bota shqiptare si një hov rilindës e ripërtëritës i kulturës shqiptare. Botimi i arritun në Kosovë, vlen si një shembull nxitës dhe inkurajues për të vlerësue figurat e mëdha të kulturës shqiptare, që për shkaqe ideologjike, shtypje diktatoriale e pushtime të hueja, ishin nxierrë jashtë repërtorit kulturor kombëtar. Fishta për Kosovën, shkruejti faqe të pavdekshme të qëndisuna me vargje që buçasin e jehojnë, që gjimojnë e trondisin, ma tepër se zhurma e tankëve shtypëse, ma tepër se krisma e armëve vrasëse dhe se ulurimat e udhëheqësve të Serbisë, që çirren e ulurojnë si ujq të tërbuem mes pyjeve të shkretueme të epsheve të tyne grabitqare. « Lahuta e Malsisë » do të kumbojë si një kushtrim i papërmbajtun në gojën e rapsodëve dhe kangëtarëve popullorë, për të gjallnue heroizmin dhe ato veti të larta burrnore, që lypsen sot ma shumë se kurrë, për t’i dalë në krye fitimtarë, luftës dhe përpjekjeve tona për liri e bashkim kombëtar !
    Revista Kuq e Zi, krenohet që ka mundësi të paraqesë në faqet e saja këtë vigan të poezisë shqiptare, dhe e quen historik këtë çast që përjeton bashkë me gjithë lexuesit dashamirës të asaj letërsie që mbeti e pastër dhe e pacenueme nga ndikimet e hueja ideologjike, si ato majat e larta të bjeshkëve tona kreshnike të kunorzueme me borë. Çast me të cilin na jepet mundësia për të shkrue, lexue e folun bashkarisht për Poetin e Madh të Kombit Shqiptar, pas një gjysmë shekulli heshtje tepër të gjatë !
 Ja si shprehet albanologu i njohun austriak  Maksimilian Lambert, për « Lahutën e Malsisë », të cilën e studioi mirë dhe e përktheu gjermanisht, duke e vlerësue këtë vepër si epope – heroike – historike  të shqiptarve.

«…Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka randësi nga ana artistike, por edhe se ajo, porsi vena e mirë, sa ma shumë vite që kalojnë aq ma vlerë merr, duke qenë se ajo asht pasqyra përmbajtëse dhe reflektuese besnike e jetës, shpirtit, dëshirave dhe përpjekjeve, luftës dhe vdekjes së Shqiptarve : pra « Lahuta «  asht shprehja ma e qartë e dokëve të malsorëve banorë të Malsisë së Veriut. Ndersa zakonet e lashta të fiseve malsore janë destinue të zhdukën nga tallazet e forta të qytetnimit, lexonjësit, letrarët, juristët e historianët e nesërm, kanë për të ia dijtë për nder pas dhjetra apo qindra vjetëve të ardhshëm Poetit, i cili me   « Lahutën e Malsisë » na la një portret të Shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarve bashkohorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit XX, me një ndryshim të vogël, që ai pati prej lashtësisë Iliro – Thrake ».

 


(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora