Speciale
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V)
E diele, 20.12.2009, 07:59 PM
FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)
Bolla e brendshme e helmit urrejtës
Më 30,31 dhjetor 2008 dhe më 1, 2 e 3 janar 2009, akademik
Qosja i dha një intervistë në vazhdime së përditshmes „Infopress“. Qasja është
e njëjtë, fjalori është i njëjtë, pelimi është i njëjtë, alogjika po ashtu e njëjtë,
si në të gjitha intervistat e tjera. Nuk e themi ne këtë. Këtë e thotë ai vetë
i ngazëllyer nga pyetjet e „qëlluara“, aso që ia shkapurisin lukthin, të cilin
e konsideron ndërgjegje të lartë morale e intelektuale. Natyrisht, përgjigjet i
ka gati absolutisht të njëjta dhe si të mësuara përmendsh. E pyet gazetari se
si e vlerësonte ai vitin 2008, që po mbaronte. Pjesën e parë të përgjigjes e ka
të kontrolluar: „I shikuar historikisht, viti 2008 do të shënohet si vit
jashtëzakonisht i madh në historinë e popullit shqiptar…për arsye se këtë vit u
arrit ideali shekullor i popullit shqiptar: u arrit çlirimi dhe pavarësia e
edhe e një pjese të tokave shqiptare dhe të popullit shqiptar: u arrit çlirimi
dhe pavarësia e Kosovës. Por, këtë vit iu hapën dyert edhe Shqipërisë
shtetërore për t'u bërë anëtare e NATO-s“.
Përgjigje e plotë, e saktë dhe e ndjeshme sinqerisht.
Megjithatë, ai nuk ndalet në këtë korrektësi. Bolla e brendshme e helmit
urrejtës nis e zhdërvillet dhe, sikur të pendohej pse e tha këtë pjesë të
sinqertë e të ndjeshme të përgjigjes, si zakonisht ngutet dhe shton pjesën
tjetër të së njëjtës përgjigje ndryshe, aso që i kemi dëgjuar dhe i kemi lexuar
thuaja në secilën fjalë a mendim të tij shumëherë: „I shikuar nga pikëpamja
shoqërore, politike dhe ekonomike, viti 2008 nuk mund të thuhet se ndryshon
posaçërisht prej viteve të tjera pas rënies së komunizmit. Në Shqipërinë
shtetërore, si edhe gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara, viti 2008 ishte
vit i politikës dhe konflikteve politiko-partiake me të njëjtit aktor në krye.“
Kosova, siç dihet, nuk arriti të çlirohej nga shputa e egër
serbe pa luftën e UÇK-së dhe pa ndihmën e madhe, a super të madhe, të NATO-s.
Shqipërisë nuk do t’i hapeshin dyert dhe nuk do të mund të bëhej anëtare me të
drejta të plota në aleancën ushtarake më të fuqishme të botës, pa i arritur
standardet e parapara të zhvillimit të gjithanshëm ushtarak dhe ato
ekonomiko-shoqërore. Ia hapën dyert dhe ajo u bë anëtare e NATO-s për hatër?
Jo. U pranua anëtare me të drejta të plota në këtë aleancë pa i plotësuar
standardet e parapara? Jo. Atëherë, z. akademik Qosja, si është e mundur që
viti 2008 „nuk mund të thuhet se ndryshon posaçërisht prej viteve të tjera
pas rënies së komunizmit si edhe gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara viti
2008 ishte vit i politikës dhe konflikteve politiko-partiake me të njëjtit
aktor në krye“?
Nuk mund të thuhet se akademik Qosja nuk i di dhe nuk i paska
ditur kriteret dhe standardet që duhet t’i plotësonte secili shtet që pranohet
në NATO. Ai e di me siguri se kur në vitin 2008 iu hapën dyert Shqipërisë për
në NATO, ishin pararealizuar këto kritere dhe standarde dhe ato u finalizuan
plotësisht deri më 4 prill 2009, kur Shqipëria edhe zyrtarisht hyri nëpër këto
dyer të hapura të NATO-s si anëtare me të drejta të plota. E kush i paska
realizuar këto kritere e standarde të shumta, e të cilat s’e paskan
ndryshuar Shqipërinë dhe ajo nuk paska ndryshuar posaçërisht prej viteve të
tjera pas rënies së komunizmit? Një lexues anonim në internet këto deklarata të
Qosjes i quan dokrra, i quan sëmundje, i quan… të pista. Nuk them se janë të
tilla, por mbresa të ngjashme lënë.
Purgatoristi Qosja vete edhe më larg. Pavarësinë e Kosovës dhe
Shqipërinë në NATO nuk i lë në një vend brenda historisë sonë kombëtare. „Shpallja
e Kosovës shtet i pavarur dhe hapja e dyerve për pranimin e Shqipërisë në NATO
nuk mund të krahasohen, sepse nuk do të kenë të njëjtin vend në historinë e
popullit shqiptar. Çlirimi dhe Pavarësia e Kosovës është e arritur e madhe,
historike, shekullore, e popullit shqiptar, është liri e arritur, është
pavarësi e arritur, është ngritje historike e popullit shqiptar si komb. Hyrja
e ardhshme e Shqipërisë në NATO është hyrje në një Aleancë ushtarake, shumë të
rëndësishme, por Aleancë, që është sot e mund të vendos vetë që të mos jetë
nesër…“, thotë ai me gjithë „dëlirësinë“ e tij të mendimit të guximshëm, që
e kanë vetëm ata që janë të zotë të bëjnë ose të zhbëjnë çfarë ua do lukthi. Po
të mos ishte në pushtet e djathta, e urryera i tij deri në psikopati, nuk do të
thoshte kështu kaq zhvlerësueshëm për NATO-n. Por, siç dihet, që nga nisma e
viteve nëntëdhjetë në Shqipëri nuk mund të flasë mirë, si njeri dhe si
intelektual i zoti që është, për të djathtën shqiptare. Çfarë iu desh asaj që
me turmën e guximshme lirikërkuese, bashkë me studentët, që ishin e ardhmja e
Shqipërisë, ta sillnin demokracinë, ta sillnin jetën nga ferri komunist,
stalinist e enverist? Çfarë iu desh asaj që me turmën gjithëpopullore në Tiranë
të përmbysnin aq pamëshirshëm përmendoret e Enverit dhe të Stalinit? Po të mos
e kishte bërë këtë kjo turmë e djathtë lirikërkuese, ajo sot nuk do të shahej
nga akademik Qosja. Nuk do të shahej as Kadare, i cili asnjëherë deri tash nuk
u bind t’ia pranonte Qosjes se ishte mik i Enver Hoxhës dhe i komunizmit, i
cili atë e kishte bërë mit për nevojat e veta. Përse ai nuk u tregua i
guximshëm, siç ishte dhe është edhe sot i guximshëm Qosja kur e pranon se jo
vetëm e kishte nënshkruar deklaratën më të dhembshme të zisë për vdekjen e
Titos së tij, të cilën deklaratë, siç pohon vetë, do ta nënshkruante edhe sot?
Hyrjen në NATO të Shqipërisë akademik Qosja e bën gati hiç.
„NATO sot është e nesër mund të mos jetë“ (!), thotë „profecia“ e tij, duke e
zhvlerësuar në këtë mënyrë rëndësinë e NATO-s dhe të Shqipërisë brenda saj, e
cila është sot, por mund të mos jetë nesër, ai në të vërtetë përpiqet ta
zvogëlojë deri në pamundësi rolin dhe meritat e së djathtës në Shqipëri. I
turbulluar nga emocionet plangprishëse me këto që thotë harron se pa NATO-n dhe
tomahovkat e saj Kosova sot as do ishte e lirë, as do ishte shtet i pavarur.
Këtë rëndësi ai e harron duke vajtur pas kërkimit të zhvlerësimit të çdo gjëje
që është arritur me sukses në Shqipëri dhe ndër
shqiptarët.
„Hyrja e Shqipërisë në NATO nuk e di a e ndihmon a e pengon
idealin historik të popullit shqiptar: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“,
shpreh brengën boshe atdhetare akademik Qosja në këtë intervistë! Ç’rëndësi
pati dhe ka kufiri i sotëm Kosovë-Shqipëri? Cilat ishin dhe janë pengesat e
qarkullimit të lirë nëpër këto toka tona? As Europa, as NATO nuk mund të
veprojnë me shkop magjik që menjëherë të hiqen kufijtë ekzistues, të cilat tash
nuk e pengojnë në asnjë mënyrë bashkimin praktik, shpirtëror e fizik të kombit
tonë në këto dy vende që jetuan gjatë, njëra enveriste, tjetra titiste, të
ndara me hekura e me vdekje nga të dyja palët. Filozofizma e tepruar fantastike
degradon në patologji, thotë Frojdi.
Sidomos kur këto, në të vërtetë, nuk janë gjë tjetër përveç
filozofi krrokamash.
Kush u dashka të pretendojë ta dojë më shumë Kosovën
Duke folur në këtë intervistë për planin gjashtëpikësh të
sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, akademik Qosja ngrihet kundër
të drejtës së pretendimeve të shqiptarëve të tjerë që ta duan Kosovën më shumë
se Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi a Jakup Krasniqi! Mrekulli pas mrekullie,
mendime gjeniale prej prokurori, që ndanë të drejtën dhe që ndanë historinë. „Në
deklaratat dhe debatet për planin gjashtë pikësh po dëgjoj se i bëhen shumë
vërejtje kryeministrit, kryetarit dhe kryetarit të Kuvendit… Nuk mendoj se kemi
të drejtë të pretendojmë se e duam Kosovën më shumë se Fatmir Sejdiu a Hashim
Thaçi, a Jakup Krasniqi“, nënvizon rreptë e përfundimisht Qosja. Ndoshta ka
të drejtë. E kush thotë se ata njëmend nuk e duan Kosovën? Ç’lidhje ka dashuria
ndaj Kosovës e treshit me gjashtë pikat e OKB-së? Nuk dihet, por prapë them se
Qosja mund të ketë të drejtë të përcaktojë të drejtat e pretendimeve për një
dashuri të tillë. Po e zëmë, ç’kërkuan ata që bënë jetën burgjeve serbo-titiste
me dashurinë aq të madhe për Kosovën dhe për lirinë e saj? Ç’kërkuan ata që
dhanë jetën në emër të dashurisë për Kosovën dhe për lirinë e saj? Ç’kërkuan dy
të rinj të „Vetëvendosjes“ kur u vranë nga policët rumunë në qendër të
Prishtinës, derisa përpiqeshin të shprehnin dashurinë që kishin për Kosovën,
dashuri kjo që pretendohej të ishte më e madhe, më kuptimplote dhe më e
dhembshme se dashuria për Kosovën që kanë Fatmir Sejdiu, në fronin e kryetarit,
se Hashim Thaçi në fronin e kryeministrit dhe Jakup Krasniqi në atë të
kryeparlamentarit dhe me fotografinë e shenjtë të Enver Hoxhës në shtëpinë e
tij? Sipas Qosjes askush në Kosovë nuk guxuaka dhe nuk paska të drejtë ta dojë
Kosovën më shumë se këta tre veta! Bile as të pretendojnë! Hallakamë vardisjesh,
hallakamë servilimesh, hallakamë demagogjish, jo pse i do këta të tre, por pse
në krye të shtetit të Kosovës e të institucioneve të saj më nuk janë të
urryerit e tjerë të tij, dr. Rugova, akademik Fehmi Agani, etj… por është
Fatmir Sejdiu, i cili i bëri nder, sipas Qosjes, Kosovës në sytë e vendeve
islamike kur nga zyrat e Presidencës i hoqi fotografitë e të shenjtëve Nëna
Tereze dhe Papës, të cilat i kishte vendosur mbi 16-17 vjet më parë e deri në
vdekje të tij, dr. Rugova, por është Hashim Thaçi që ka lënë pa asnjë
mbikëqyrje, qoftë edhe humane, kolonën aq të madhe e të gjatë të varfanjakëve
të skajshëm. Ai ka të drejtë ta dojë Kosovën më shumë se ç‘kanë të drejtë të
pretendojnë shqiptarët e tjerë, sepse ai i jep rrogë pa punuar fare pakicës serbe,
nuk ua kërkon paratë për energjinë e shpenzuar elektrike, nuk ua merr tatimet
në pronë siç ua merr shqiptarëve. E kush guxon dhe kush merr të drejtën ta dojë
Kosovën më shumë se këta tre të veçuar nga akademik Qosja? Popullit duhet t’i
mjaftojë dashuria për Kosovën e këtyre tre të parëve, ndaj duhet të heshtë,
ndaj duhet të pushojë që të ketë pretendim dashurie për Kosovën, ndaj duhet të
rri urtë dhe të mos kritikojë, të mos bëjë grevë, por të vazhdojë të mësohet të
durojë dhe të ushqehet përditë e dinjitetshëm me dashurinë e këtyre të treve që
kanë për Kosovën.
Kjo është porosia e akademikut tonë, i cili pak më vonë harron
se çfarë lavde u thuri këtyre të treve dhe i heshti të tjerët. I merr në thumb,
por tash jo për të tjerët, jo për popullin dhe fatin e tij, por për vete dhe
vetëm për vete.
Këtu nis shpërputhja e deklaratave të deritashme me këto që
pasojnë. Në pyetjen e gazetarit se pse gjithnjë e më rrallë shihet në medie për
të trajtuar probleme politike a shkencore dhe pse po ngjet nga ai kjo shmangie,
sjell një përgjigje të dhembshme: „Nuk po ju shmangem unë mediave, por
mediat e sunduara prej ndonjë partie a klani partiak dhe shkencor po më
shmangin mua… Për shkak të hesapeve të tyre ato janë të shtrënguara t'i
fotografojnë ditë e natë zyrtarët…Ç'hajër kanë televizionet private dhe
televizioni publik prej meje? Kurrfarë hajri. Vetëm sherr. Unë u prish punë
atyre te zyrtarët!... Besoni mos besoni, por kjo është kështu: statusi im
publik është shumë më i kufizuar sot kur në pushtet është Partia Demokratike e
Kosovës, partia e krijuar prej pjesëtarëve të UÇK-së dhe të përkrahësve të saj,
do të thotë, partia e UÇK-së - e organizatës së përkushtimeve të mia
intelektuale dhe morale. Dyert e disa institucioneve e jo vetëm dyert e
Akademisë së Shkencave e të Arteve dhe të
E shihni? Ai harroi lavdet e mëhershme që ua bëri tre të
parëve të Kosovës në raport me të tjerët jashtë tij dhe tash i akuzon edhe si
klane, edhe si mbyllës me shtatë brava të dyerve për të! LDK-ja vetëm ia paska
mbyllur dyert, kurse PDK-ja e Hashim Thaçit dhe e Jakup Krasniqit ia paska vënë
edhe shtatë brava të tjera. Çfarë po ngjet kështu? Nëse këta tre shtatëbravësh
nuk e dashkan Qosjen, që nuk e pranuakan as anëtar në Këshillin Kombëtar të
Shkencës, „edhe pse me përvojë të madhe shkencore“, atëherë si nuk
paskan të drejtë të tjerët të pretendojnë ta duan Kosovën më shumë se këta të
tre, edhe nëse nuk e duan dhe nuk e çmojnë turbullimin intelektual dhe kaq
egoist të Qosjes? Si nuk paska të drejtë edhe z. Qosja, i cili një herë i
lavdëron, kurse pas 3-4 minutave i shanë, që të pretendojë ta dojë Kosovën më
shumë se këta tre të sharë? Ai edhe i lavdëron, edhe i shanë, dhe në fund edhe
i kërcënon: „Për këtë një gjë është e sigurt: do të flitet nesër. Pena ime
shkruan“.
Vaj halli për ta. Gëzimin për lavdërimin që ua bën, do t’ua
mbytë, siç ua mbyti me të shara vetëm 3-4 minuta më vonë, edhe me të shara të
tjera edhe më të mëdha me penën e tij që nuk pushon së shkruari, i frymëzuar,
si gjithnjë, vetëm nga mllefet, urrejtja dhe nga sëmundja e tij egocentrike.
PDK-ja, jo vetëm nuk guxon t’ia mbyllë dyert me shtatë brava, siç thotë vetë,
por duhet të jetë aq e vetëdijshme dhe aq e gatshme që t’ia shpërblejë guximin
rrënues të kundërshtarëve të saj politikë. Ajo duhet të jetë e vetëdijshme dhe
e gatshme që këtij akademiku rrënues dhe këtij rapsodi të veçantë për Titon e
tij, t’ia rikthejë të gjitha privilegjet dhe përparësitë pa asnjë kod, që
kishte në kohën e Titos. Nëse nuk do të veprojë kështu, PDK-ja do ta pësojë nga
kërcënimi i tij me penë. PDK-ja duhet ta mbajë mend, sikur thërret Qosja: „Pena
ime shkruan“.
Nëse shtrohen këto që thotë Qosja tash edhe për PDK-në e
Hashim Thaçit, që ia paska vënë edhe nga shtatë dryna, në një rrafsh tjetër të
logjikës, do të dilte një domosdoshmëri fare banale e një analize tjetër: si
ndodhi që, pas privilegjeve aq të mëdha, aso kapitale të besimit dhe të
besueshmërisë ndaj tij që kishte gjithë klasa politike e LKJ-së dhe, sidomos
gjatë viteve nëntëdhjetë e deri më sot, të mos e dojë askush nga krijuesit dhe
politikanët Rexhep Qosjen në Kosovë? Gjatë viteve nëntëdhjetë politikanët
intelektualë e krijues i kishin ofruar atij poste të rëndësishme në
institucionet shtetërore të Kosovës, që krijoheshin edhe para tytave dhe
egërsisë vrastare serbe. Nuk e kishte pranuar asnjërin post, sepse ishte kohë
rreziqesh të mëdha në veprimtari të tilla shtetformuese të shqiptarëve. Të
tjerët vepronin pandalshëm, pavarësisht rreziqeve. Ky jo! Shikonte prapa
perdeve të shtëpisë së tij se çfarë ngjante në Kosovë dhe me Kosovën, çfarë
ngjante me njerëzit e saj. Rrinte larg këtyre ngjarjeve, që përfundonin edhe me
gjak, edhe me burgosje, edhe me mizori të përditshme. Ishte kundër kreut të
LDK-së, që në të vërtetë në këto vite më shumë se parti politike, ishte
organizim i lëvizjes mbarëshqiptare në Kosovë dhe të djemve, grave e vajzave të
saj në mërgim thuaja në gjithë botën. U inkuadrua në institucionet e degraduara
të Kosovës pas luftës, kur vendin tonë e qeveriste UNMIK-u, që atje dhe prej
atje të shfaqte gjithë fuqinë e tij në një kohë kur nuk kishte rreziqe nga
barbaria serbe. Edhe nga këto poste unmikiane nuk prajti të shfryjë mllefe e
urrejtje ndaj të gjithë atyre që para popullit ishin të mëdhenj, ishin të
shtrenjtë dhe që kishin sakrifikuar shumë në dhjetëvjetëshin e fundit para
luftës, gjatë luftës dhe pas saj deri në ditët e sotme. Tash del, sipas
pohimeve të tij në këtë intervistë, se edhe kundërshtarët politikë të kreut të
LDK-së së dikurshme, siç janë krerët e PDK-së, nuk e dashkan Qosjen, sepse po
ia mbyllkan dyert e angazhimit të tij me shtatë dryna! Kjo që thotë dhe
konstaton në këtë intervistë, i përngjet një „pasoje“ ndaj tij shumë të
natyrshme. E panatyrshme duket, megjithatë, se si ky akademik nuk flet, nuk
mendon fare se pse të gjithë qenkan kundër tij. Ai nuk mund ta marrë me mend se
askush nuk është kundër tij, sepse ai duhet të jetë dikush që të ketë miq ose
kundërshtarë. Ai s’i ka as të parët dhe, nuk mund t’i ketë as të dytët. Është
në natyrën e tij tashmë që ai t’i ketë të gjithë kundërshtarë dhe të gjithë
armiq. Prandaj, i kërcënon me penën e tij që “shkruan vazhdimisht” nëse atij
nuk i ofrojnë privilegjet që dikur ia kishte garantuar me dorëshlirësi partia
komuniste jugosllave. Le të shkruaj, sepse shkrimi i duhet vetmisë së tij, të
cilën e mbushë me të tilla filozofi, të cilat tashmë nuk janë tjetër përveç
krrokama të përditshme dhe të mërzitshme.
Ky akademik i madh, ky tempull i dijes sonë kombëtare, i cili
nuk mund të mrizojë, i cili nuk mund ta durojë mrizimin nën hijet e mëdha që
bëjnë atje lartë mendjet e mëdha të kombit, krijuesit e mëdhenj të kombit,
politikanët e mëdhenj të kombit, atdhetarët e njëmendtë të kombit, prandaj ka
marrë përsipër t’i rrëzojë, t’i shembë me ca orekse të sëmura instinktesh dhe
patologjish të pakontrolluara. Megjithatë, nëse përdorim ironinë, ai është
mjaft kombëtar. Ai gjithnjë jetoi me vuajtje të mëdha për Kosovën, të cilën s’e
paska pushtuar Tito i tij. Jetoi me vuajtjet, me vrasjet, me burgosjet, me
dëbimin e popullit të tij nga regjimi politik i Titos, të cilin e çmonte dhe e
çmon edhe sot. Është atdhetar i madh, sepse, siç thotë edhe vetë, nuk paska
qenë vetëm dëshmitar, por paska qenë edhe pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet
madhore të kombit dhe në situatat më të vështira të këtij kombi, në Kosovë e në
Shqipëri, në afirmimin e nevojës së këtij populli në Kosovë për liri dhe për
çlirim në të gjitha dimensionet ndërkombëtare, sidomos në qendrat e mëdha të
vendosjes dhe, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të paraluftës. Kur dhe si
nuk dihet e as është dëgjuar ndonjëherë. Në asnjë ngjarje të madhe ai s’ka
marrë pjesë as si dëshmitar. Dëshmitar ishte, por prapa tylit të perdeve të tij
të shtëpisë, gjithnjë i frymëzuar, jo nga ngjarjet që kapërcente populli i tij,
por nga filozofë e shkrimtarë të mëdhenj. Nëse e përdorim përsëri ironinë, a
nuk i tha ai Evropës, siç thotë në intervistë „se ju e keni sjellë kombin
shqiptar në këtë gjendje, ndaj ju duhet t’i bëni ndreqjet e një veprimi të
tillë“? Nëse nuk u kishte thënë në sy, ai këtë pohim bile e ka trilluar me
guximin e tij gjithnjë heroik në intervistat e tij lokale. Pastaj, siç dihet,
Evropa, që është aq e ndjeshme dhe aq penduese, e zënë ngushtë prej tij,
ndërhyri dhe e bindi edhe SHBA-në që së bashku ta rregullojnë padrejtësinë ndaj
popullit shqiptar, të cilin e kishin sjell vetë!
A nuk mori pjesë e nuk merr edhe në ngjarjet madhore të kombit
edhe në Shqipëri? Mori dhe merr gjithnjë në krah të „revolucionit të vonuar
demokratik“, të cilët e dogjën, e vranë dhe gati e zhbënë Shqipërinë? Mori dhe
vazhdon të marrë pjesë shumë aktivisht. A nuk mori pjesë në delegacionin
shqiptar të Kosovës në Rambuje? Mori. A nuk e shkroi nga atje ditarin atdhetar,
të cilin disa e quajnë shënime procembajtëse? E shkroi. Por, edhe pse të tjerët
nuk dinë gjë për këto pjesëmarrje të mëdha të tij, ai e thotë vetë, prandaj
(ironi) vetëdefinicioni i tij nuk lë vend për dyshime se ai është vërtet
atdhetar i madh. Është atdhetar e patriot i madh, sepse, siç deklaron vetë, ka
shkruar mbi katër mijë faqe për çështjen shqiptare në Kosovë. Unë i besoj,
sepse shumicën e këtyre faqeve të shkruara e të publikuara prej tij i kam
lexuar. I kam lexuar dhe, përveç përmbajtjeve rrënuese, etiketuese, denoncuese,
pamfletuese… por dhe servile, nuk kam gjetur gjë tjetër të rëndësishme, që do
t’i duhej historisë dhe dritës së saj. Kam gjetur përtej këtyre që u thanë,
edhe vetëmadhështinë e tij të ndërtuar mbi rrënojat që përpiqet t’i shkaktojë
në këto faqe të „rëndësishme“ të shkruara për çështjen shqiptare. I kam lexuar
dhe të tilla përmbajtjesh kam gjetur edhe në propaganda të tjera, që kanë dalë
si përpjekje për shëmtimin e imazhit politik, kulturor e kombëtar të
shqiptarëve në përgjithësi. Një literaturë e tillë nuk është e pakët dhe nuk
është e re.
Duke i lexuar këto faqe, nuk e di se pse, por sikur kërkoja që
ky atdhetar i madh, ky intelektual i moralshëm, që nuk paska kursyer asgjë
(bile as gjumin e rehatshëm) për luftëtarët e lirisë së UÇK-së, së paku të
kishte shkruar edhe faqe libri, po e zëmë, për Adem Jasharin, të cilin vetë e
quan komandant legjendar, kur i nevojitet për të sharë të tjerët. Por nuk e
gjej. Ca miq të mi krijues më qortojnë dhe më thonë të mos e shkruaj këtë që e
shkrova, sepse ai do të ta rrëmbejë këtë ide dhe do ta shkruaj një libër për
legjendën Adem Jashari. Le ta rrëmbejë, u them. I takon atij ta rrëmbejë idenë,
sepse ai thotë për veten se është atdhetar i madh dhe thotë pandalshëm se paska
sakrifikuar edhe ai sa të thuash për luftën në Kosovë, për paraluftën në
Kosovë, për pasluftën në Kosovë. Ai thotë vetë se është atdhetar i madh, këtë
s’e thotë askush tjetër! Se pak u duket, u them, që derisa ishte në