E merkure, 13.11.2024, 06:24 AM (GMT)

Kulturë

Sami Islami: Si u bë Vani ministër?

E merkure, 16.12.2009, 09:18 PM


PËR ORËT E LIRA

SI U BË VANI MINISTËR?

Shkruan: Sami ISLAMI

Kur lind fëmija (nëse është djalë) prindërit ia lënë emrin Luan, Sokol, Hekuran dhe emra të tjerë, me dëshirë që kur fëmija të rritet të merr virtyte të emrave që ua lënë; të luanit (trim si luani), të sokolit    ( i shkathtë si sokoli), të hekurit (i fortë si hekuri) etj. Mirëpo zakonisht këto janë vetëm dëshira të prindërve, se rrallë mund të rastis emri me atë çfarë do të bëhet  fëmija në jetë, sepse mund ta ketë emrin Luan, po të jetë frikacak si miu, ose të ketë emrin Sokol e të jetë i ngathtë si breshka...
Ja që për çudi, nga njëherë me emrin qëllon që edhe  fëmija kur të rritet të bëhet  i tillë. Kështu ndodhi me personazhin tonë. Kur lindi fëmija, prindërit e quajtën Pelivan (kurse shkurtimisht më vonë  e thirrnin vetëm me nofkën Vani). "Çështë ky emër, e kishin pyetur? Çfarë domethënie ka?" " Kjo është fjalë domethënë ”akrobat“, "pelivan" njeri që di të eci edhe nëpër tel, si thonë, dhe nuk rrëzohet!" -iu kishte pasë përgjegjur prindi i tij, si në qesëndi!. "Unë kam dëshirë që djali im të bëhet si pelivan, sepse vetëm të tillët më së miri kalojnë në jetë!"

Dhe për çudi sa po kalonte koha,Vani po rritej dhe si dukej po e ”arsyetonte“ emrin, nga se qysh i ri ia nisi ”pelivanllëqeve“, me që filluan edhe  t'i ”ecnin“  të shkretat. Sa ishte nxënës gjimnazi,  librat i kishte ”zët“, po megjithatë “suksesin“ e kishte ndër më të mirët, ndoshta se ishte  bir ”funksionari“. Dhe  Vani si ”pelivan“ që ishte e ”nuhati“ herët se në Vilajet  për të nuk do të kishte ”përspektivë“ dhe vendosi të shkojë në Perëndim. Po ç’t’ë bënte atje? Punën s’ia donte hiç.  Shkollën s’e kishte përfunduar, edhe pse  apetitet s’e lenin të qetë që të bëhej i madh. Po si t’i hynte këtyre ”pelivanllëqeve“? Hajt, mendoi, ta regjistroj veterinën, se me para mund ta kryej  edhe atë pa farë mundi, dhe, në mos asgjë, bile kur ta ”kryej“ do ta fitoj titullin “dr“, se ku e dinë njerëzit kur të kthehem në Vilajet se çka kam kryer dhe si e kam kryer? Do t’ju them se jam ”dr“ e hajt. Dhe vërtetë ”i shkrepi“ Vanit. E mori ”diplomën“ e veterinarit dhe sapo deshi të kthehej në vendlindje, tha me vete, çka mund të bëj unë me këtë diplomë atje?. Atje dolën prej pune edhe ata që ishin, e unë  po kthehem të punoj , pale!
Vendosi të rrinte edhe më tej aty ku ishte. Kështu e ”këshilloi“ edhe Zeqa.
-Perëndimi është punë  e madhe, shkojmë në Gjermani- tha dhe ia bëjmë disi. Dhe vërtetë s’lanë gur mbi gur, si thonë, duke ushtruar ”profesione“ ndër më të ndryshmet, përveç ”profesioneve“ për çka ishtin ”kualifikuar“ duke  bërë para të mira.
Një ditë Vani, duke e parë se e kishin ”kullotur“ mjaft Gjermaninë dhe nga frika se mos po u binte kush në gjurmë i tha Zeqës:
- Të holla kemi bërë mjaft, ç’thua të shkojmë në Amerikë!
- Lere pash Zotin ia priti Zeqa, pse a nuk po të pëlqen këtu, a?
- Më pëlqen, më pëlqen këtu, po a s'po e sheh se u mbush thesi?!  Shkojmë atje dhe bëjmë diçka më të mençur. Atje  unë kam disa miq dhe me që s’na njeh kush  tjetër për marifetet tona! Në mos asgjë e formojmë një si parti politike!
- Lere mos bën hajgare-ia priti Zeqa- s’janë ato punë për ne! Parti politike në Perëndim! Se mos ka pak parti në Vilajet!
- Unë po të them se kjo edhe mund të ketë sukses. Se mos kanë vdekur budallenjtë? Atje ka shqiptarë sa të duash. Një herë e ”formojmë“ një në kajde të ”Komunitetit“ e pastaj bëjmë Parti. Situata në Vilajet është e rëndë dhe nisim ngadalë t’i ”ofrojmë“shqiptarët , iu themi se kemi ardhur të bëjmë diçka për vendlindjen , fillojmë të mbledhim para në emër të shoqateve humanitare dhe?
-Mirë e ke Vani, kërkush nuk ta kalon ty për "pelivanllëqe"!

Dhe erdhi Vani në Amerikë! I ra kryq e tërthor qytetit ku u vendos. Takoi pak njerëz nga Vilajeti i tij. Por me rëndësi qe se ai aty u takua edhe me Malën, i cili e njohtoi edhe me bashkatdhetarë të tjerë. Mala së shpejti po e martonte djalin dhe për ta nderuar Vanin, e kishte ftuar atë dhe Zeqën në këtë gazmend. Dhe Vani  për ta treguar ”patriotizmin“ e madh, në dasmën e Malës,  u dalldis krejt. E mori flamurin  kombëtar dhe doli në ballë të krushqve (edhe në mërgim dasmat bëheshin sipas traditave shqiptare!) dhe kërcente Vani.  Kështu kërceu me flamur u djersit sa mjekra e kuqe e flokët e rralla i pikonin ujë! U dalldis sikur donte ta ”shterrte“ krejt "patriotizmin"!
-Kush është ky që po bën kaq ”gjymysh“ pyetnin disa?
-Nuk e di po po thonë se qenka një ”i njofshëm” i Malës dhe sa paska ardhur tash vonë prej Vilajetit -sqaroi një i pranishëm?

***
Ditët po kalonin e Pelivani po hulumtonte si të futej në shoqërinë e re. Një ditë e pyeti Malen:
-Si i keni punët këtu në Amerikë, a ka  ndonjëfarë aktiviteti ?
-Ka pasur- ai ktheu Mala, -po nuk është duke funksionuar në kohë të fundit.E kemi në plan ta mbajmë një mbledhje dhe të bëjmë diçka. Nëse je i interesuar posa të mbajmë mbledhjen   unë do të të propozoj  për kryetar  të komunitetit ?se, ti e di,  këtu mua s’ma prish kush. Pastaj këtu "vetëm tanët" jemi mjaft. ”Hajde Pelivan, hajde,  të erdhi rasti ta luash rolin ashtu siç di ti“- tha vetëmevete. Dhe Mala shfrytëzoi dasmën për t'i  tubuar shqiptarët. U bënë ato ”formalitetet“ dhe  punët filluan të ecnin  tamam sipas skenarit, nga se edhe në "zgjedhje" nuk pati konkurencë.
Dhe Vanit filluan t'i rriten veshët edhe më. E pse jo, pa pritur e pa kujtuar u bë kryetar i shqiptarëve dhe atë në Amerikë! Sepse fundja kjo ishte si fitorja e Cezarit në Senatin e Romës, i cili pat thënë "Veni, vidi, vici" (Erdha, pashë, fitova). Rreth vetes kishte Malen me gjithë "kompaninë" e tij. Dhe kjo në fund të fundit mjaftonte. Njerëzit nga Vilajeti tuboheshin aty. Mala, si "muzikant" që ishte bënte shpesh muzikë ( natyrisht sa për qejf) e nganjëherë luante ping-pong e të tjerët "organizoheshin" disi. Me rëndësi ishte se  ky Vani (Pelivani pra) shfrytëzonte çdo rast për të mbledhur para: jo për këtë çështje, jo për atë çështje, po më së shumti i "ndezte" kur   "organizonte" aksion për të mbledhur të holla për atdheun (për Vilajetin pra) për gjendjen e rëndë atje. Dhe njerëzit jepnin të holla, e ky Vani  nuk i zbriste kurrë veturave më luksoze që kishte në Amerikë!
Me profesionin e veterinarit ishte ndarë definitivisht, po pasi që ishte njëfarë "doktori", siç thamë, titullin "dr" e kishte shumë në qejf dhe, nganjëherë kur shkruante (në Amerikë po botohej një gazetë e shqiptarëve) u nënshkruante me "dr", edhe pse  ky "nënshkrim" asnjëherë nuk kishte lidhje me atë për çfarë shkruante ky farë Vani, po me rëndësi ishte të dukej se ky ishte njeri "i madh". Në Amerikë s'la mbledhje pa e përmendur, pa e propaganduar partinë vet, në emër të së cilës edhe u pasurua. E pat bërë "blozhë" si thonë një farë "komunikate" duke  e lexuar për çdo mbledhje! Tani, jo vetëm "kompania" e Malës  dhe e  Zeqës që e mbanin në duar , por tash ai e "zgjeroi" influencën edhe tek shumë të tjerë?
Për shkak të situatës shumë të turbullt në Vilajet, në Amerikë vinin shpesh edhe shqiptarë të tjerë. Kështu një ditë erdhi edhe Emini.Edhe ky kishte  disa “huqe” sikur edhe Vani. U soll e u soll të futej diku në parti dhe dikur ia arriti qëllimit dhe si të thuash  “u be dora e djathtë” e Vanit. Po as ky nuk sh[pëtoj pa nofkë. Edhe këtij, posa erdhi, njerëzit ia gjetën nofkën dhe e quajtën shkurt Mini. Si duket edhe ky Mini tamam ishte si mini në të vërtetë, si përnga pamja ( se kryet e kishte si të miut) poashtu edhe përnga "hujet". Edhe ky, si "atdhetar" i madh  dhe  "patriot" po "digjej" për fatin e atdheut. Edhe ky, pra,  më në fund u fut në partinë e Vanit dhe si të thuash e gjeti fëlterja tenxheren. E gjetën njëri- tjetrin. Të dytë ishin me mjekra. Të dytë kishin mjekra ngjyrë të kuqe, por  Vani kishte mjekër të gjërë dhe të rruar me "stil", kurse  Mini kishte mjekër të mprehtë dhe mbante syza si me hije as të errta, as plotësisht të ndriçueshme.
***
Po Vani as me këtë nuk ishte i kënaqur. Synimin e kishte diku tjetër. Ai e dinte mirë se në Amerikë, sado që kishte bërë para të majme nuk do të kishte "autoritet " sa të kthehej në Vilajet. Zatën edhe thonë "Më mirë i pari në katund, se i fundit në qytet". Dhe Vani pra po planoifikonte të kthehej në Vilajet, pasi që partia e tij kishte shumë gjasa të fitonte dhe,  doemos ky do të merrte ndonjë vend të mirë në pushtet!. Sa për  postin e kryetarit të partisë në disaporë kishte planifikuar t'ia lente Minit. Se kush do t'ia "kryente" punët më mirë se Mini, i cili ishte në gjendje të bënte të pamundurën për "bosin" e tij? Zor. Pastaj ky Mini edhe e kishte dhënë provimin tek Vani për servilitet qysh  se kishte ardhur në Amerikë, kështu që për këtë Vani nuk kishte  asnjë dyshim. Vetëm Mini do të ishte "i denjë" ta zëvendësonte! Dhe Vani u kthye në Vilajet. Ia filloi "dallavereve " edhe atje. Mini po e zëvendësonte në mënyrë të denjë, si thamë, duke  organizuar aktivitete politike e besa edhe asosh kulturore. Një natë u organizua një koncert i madh në Amerikë. Ishin tubuar shumë atdhetarë dhe Mini për t'u treguar të gjithëve se se sa servil ishte ndaj Vanit u ngrit në këmbë dhe tha:" Prej këtu, mendoj se e shpreh edhe mendimin e masës kur them se dua t'i uroj punë të mbarë në Vilajet Vanit.  Dhe për këtë qëllim kam zgjedhur këngën për Isa Boletinin në Londër". Duartrokitjet  e "simpatizuesve" të Vanit s'kishin të ndalur. Muzika ia filloi  e Minit nuk po i zinte vendi vend prej gëzimit?
Kështu po vazhdonte jeta në Amerikë, po në Vilajet?

Edhe në Vilajet,  në "zgjedhjet " që u bënë,  për çudi fitoi  partia e Vanit!  Zatën thonë kur ecë, ecë! U formua qeveria dhe u caktuan ministrat. Filani, ministër  i drejtësisë, tjetri ministër i arsimit, një tjetër ministër i ekonomisë etj. etj. dhe Vani si njeri që kishte të bënte pak a shumë me "mjekësinë", pasi siç thamë në fillim e kishte të "kryer" vetetinën e caktuan Ministër i Shëndetsisë! Dhe Vilajeti më i varfër ekonomikisht,  më në fund, u bë me qeveri të re  dhe si të thuash  më i pasuri me ministra! Po kjo gjë aspak s'po e shqetësonte Vanin, pasi që  punët po ecnin për mrekulli! Ministri shpesh po ftohej edhe në TV, e ai si njeri me "diapazon të gjerë diturie" jepte "ders" miletit se kështu, ose ashtu duhet bërë, madje ata të Televizionit filluan ta prezentojnë si "Dr. Vani ministër i shëndetsisë" etj, etj.  
-Hajde, Vani hajde, - dëgjova duke  thënë  një të pranishëm derisa ky po "mbante një fjalë të rastit " në TV dhe ishte bërë gati të "inauguronte" një spital në Vilajet.
-Ç'të keqe ka  këtu ?- e pyeti një tjetër.
-Jo asgjë- ia ktheu i pari, po po kujtoj një thënie të në të urti i cili njëherë pat thënë:
 "Kur punët të shkojnë mirë, varg e vistër,
Edhe matrapazi mund  të bëhet ministër"!


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora