Udhëpërshkrim
Patoku, plazhi që u bë kënetë
E merkure, 03.10.2007, 10:28 PM
Shkruan: Ben Andoni
Kur shikon një tabelë me emrin Patok, ndanë superstradës Tiranë-Lezhë, mos ndal. Më mirë. Pyet dikë, që të të kthej pas. 200 metra më parë është pak më mirë. Eshtë një rrugë që të dërgon me më pak mundime në ish-plazhin, që tash po zë vend në legjendat popullore, atë të Patokut. Tani aty vetëm mund të hash ndonjë drekë dhe si ambientalist t’i kënaqesh arealit natyror. Nëse ke vendosur të provosh durimin e makinës, apo je me ndonjë nga makinat garuese të Rrally Albania, atëhere vazhdo. Vazhdo, që të trandesh dhe rropullitë të këndojnë këngët e jermit tek ty. Një e tillë fatkeqësi, pak a shumë u ndodh të gjithë atyre nostalgjikëve, që duan të shikojnë, Patokun, një nga plazhet më të bukura të brezave të viteve ’60, ’70 e pak më tutje. Por, Gjoka, 55 vjeç, një burrë i fortë, më shpjegon se kështu do të vazhdojë. Vetëm me një kusht mund të ndryshojë. Duhet të devijohet Mati?! Hap sytë. Por, ai më çmerit sërish: “E bëj me djemtë dhe me një fadrom, thjesht duhet leje prej qeverisë...”. Duhet të jetë i forti i zonës sepse e shikoj se vendos kollaj rend me burrat përreth që e pyesin shpesh...Por, tash, po më duket edhe si Zeusi...
Në Patok
Në fakt, Mati ka ndryshuar shumë mjedisin. Nga devijimi i tij, i gjithë vendi është kthyer në kënetë dhe uji i ka marrë dhe po i merr shumë tokës. Askush nga njerëzit, që kanë pasur dikur nostalgji, tani nuk e njeh më dot Patokun. Laguna e Patokut është një nga pjesët e Ultësirës Perëndimore të hapësirës mesdhetare të bregdetit shqiptar në Adriatik, pak më poshtë se Perëndimi i qytetit të Lezhës. Tashmë, e lëshuar krejt nën pushtetin e dy derdhjeve të Drojës dhe Matit. Po të devijohet pak ai, dhe Gjoka me shokë, “...ia q..k..., por duhet një leje nga Xhuveli”. Ah...Por, Xhuveli do të thotë Ministria e Mjedisit dhe pak kush e di fuqinë, që ka ky njeri në këtë zonë. Po të japë ai një leje (që i bie të jetë leje qeverie), Gjoka dhe të tjerët me një mundim “të vogël” e devijojnë Matin dhe këneta bjerret. Uji bie. Vinë turistët. Zona merr rëndësi. Kush e pengon, e pyesim. Më flet për një si biçim konspiracioni, por që në thelb janë komuniteti i peshkatarëve. Atyre u pëlqen kjo gjendje se gjuajnë. E heq nga stërhollimet Gjokën dhe i kujtoj rrugën. Duhet të jetë një nga njerëzit e pronarit, që po ndërton, sepse sërish e pyesin dhe ai e vendos lehtë çdo gjë në vendin e vet. E gjithë laguna, që tash është ndarë në dy pjesë, një të madhe dhe të vogël...dalëngadalë po i nënshtrohet detit. Por këta që duan të ndryshojnë lumin ende nuk rregullojnë dot jetën e tyre.
Deri aty
Dhe, deri aty, ka qenë një sakrificë e pafund. Edhe pse ka ujë dhe duket një tokë e pamat, dora e njeriut mungon. Në rrugën, që tashmë po i pakësohen shenjat minore të asfaltit, në peizazhin urban. Anash ka një bimësi të harlisur dhe një rrugë që të trand. Shoferi, me të cilin udhëtojmë, gjithashtu, nuk mban mend shumë nga Patoku. Por, me kujdes shikon rrugën, që një ndonjë segment të vogël e ka ruajtur pak mirë. 9 kilometrat, apo pak më shumë kilometrat që të fusin në thellësi të lagunës, të duhet t’i përshkosh për gati 40 minuta. Ndonjë makinë e rrallë me të cilën shkëmbëhemi të sjellë një kohë, kur këtu nuk pushonin makinat, që sillnin njerëz nga Kruja, Mamurrasi dhe e gjithë Shqipëria e mesme. Të gjithë derdheshin në këtë plazh të mrekullueshëm, ku kishe kënetën, detin. Me pak fjalë të gjitha. Por, thirrjet që i bëjmë memories na lënë. Në vend të së kaluarës, tash shtëpitë e pakta të fshatarëve janë më të mira. Disa katëshe, por shpesh, duket se në to nuk pitëtin asgjë. Ndërkohë, që bashkëbisedimi me një rrugë të stërkeqe vazhdon. Rrugës ndrrohemi në thellësi edhe me ndonjë karrocë si qëmoti, ndonjë biçikletë heroike dhe më rrallë ndonjë këmbësor. Roj Pazhës (çfarë toponimi), Gorea, Fushëkuqe, pastaj Gurëz, Gor, Adriatik...Një shtëpi që i ka mbetur vetëm fasada na tregon një përpjekje të pafat, ose më shumë akoma ndonjë shkatërrim prej bazamentit jo të mirë të tokës. Gërmadha e një shtëpie, që ka nisur me pretendime, të jep pak imazh hijesh në këtë vend. Kudo janë pompat, që janë të vendosura në disa kulla të stërmëdha që e transportojnë ujin pastaj për Durrësin e më gjerë. Zona vuan për ujë...Paradoks tip shqiptar. Pellgu i Fushë-Kuqes është një nga më të mëdhenjtë e ujërave nëntokësore arteziane dhe uji që nxirret aty me anë të motopompave, shkon pastaj me një ujësjellës prej 125 kilometrash në qytetet e Durrësit dhe Kavajës, si edhe në qendra të tjera të banuara që shtrihen në zonën e ujëmbledhësit. Kapaciteti i ujësjellësit është rreth 700-750l/sek. Një Shefqet ka shkruajtur emrin në disa panele betoni, që i rrethojnë shtëpinë dhe me numrin e celularit të shkruajtur keq poshtë saj, bën një shërbim vetë imobilari këtu. Dy gra të hedhin një vështrim të bezdisur që tutje. Asgjë e mbjellë prej tyre në përgjithësi. Lule. Jo. Gardh. I keq. Tek tuk diçka, ferr, shkalafitje gjërash shtëpie pa vlerë, por asgjë më shumë. Ndërkohë, shoferi, sikur të jemi bash në dimër mundohet t’u hapë rrugë makinave, që mundohen të kapin rripin e vetëm të mirë të rrugës. Që më 1972, kur është shtruar kjo rrugë, deri më atëhere nuk është bërë ndonjë rishikim. Tashmë është në grahma. Si e gjitha hapësira e Patok-Fushë- Kuqe ku janë përmbi 2.200 ha. Ato pak drurë të vjetër që kanë mbetur, vazhdojnë të priten; ndëras erozioni bregdetar ka çuar në zhdukjen e plazhit të Patokut. Më tej. I kërkoj rrugën një njeriu që në pak minuta, i mjafton, që pa e pyetur, të më bëjë panoramë ankimi. Vetëm kullosin, ndonjë gjueti, peshkim i pakontrolluar, ndërtime pa leje. Fillon dhe vjen era e torfës. E rëndë.. ..ajo të kujton se je tash në...perandorinë e llucës...
Fshatarët
Por, ndryshe nga ky banor, pak të tjerë e kanë marrë veten në dorë. Kanë ndërtuar disa restorante dhe besojnë se gjërat do të ndryshojnë. Vetëm se Gjok Vuksani, që e takoj në vendin ku dikur ka qenë plazhi, nuk shikon se do kenë ndonjë të ardhme kushedi se çfarë. Kryetari i komunës që ka qenë, sipas tij, ka punuar dhe në kohë të tij janë bërë të vetmen investime në infrastrukturë. “E hoqën me puç do shkërdhata”, më thotë. Këta që kanë ardhur, thjesht po vjedhin. Por, shqiptarëve u pëlqen. Të gjithë bashkëfshatarët e tij nuk mund ta përballonin dot jetën, nëse nuk do kishin refugjatë në Itali, Greqi etj. Po, kjo është e besueshme. Po pse zdërhallen kot? Këtë nuk ma thonë. Mbjellin bostan, që me sa duket është krenaria e tyre e padiskutueshme, misër dhe grosh por, që janë të pamjaftueshme. Largësia nga tregu, mungesa e grumbullimit dhe rruga e vështirë, ua vështirëson jetën. Ndaj shpresa është te Patoku, te turizmi dhe te emigracioni. I pari hipotetik. I dyti real. Nga shtëpitë hamendëson se mund të kenë edhe burime të tjera dhe se janë të zotë. Por, kjo ka pak rëndësi...Janë vetëm pak kilometra larg magjistralit kryesor dhe e gjithë komuna tash vuan mos mbylljen në kohë të disa projekteve, që mund ta lidhnin menjëherë me rrugën dhe zhvillimin. Aq u bën. Mizerja duket se u pëlqen të gjithëve. Dhe, ankimi. Burrat vazhdojnë në kafe, përveç pak të zotëve që kanë filluar të merren me një biznes restorantesh. Kanë sajuar disa kasolle tip palafitesh (ndërtime mbi ujë me kashtë, të kulmuara me çati) ku shërbehet. Janë të gjitha njëlloj dhe me zgjatime dërrase lidhen me njëra-tjetrën. Kuptohet, nëse do të hash je i detyruar që të ndalosh tek ato që kanë më shumë shishe jashtë, ose makina që presin. Një variant i biznesit të restoranteve në Shqipëri, sipas të cilit, sa më shumë gjëra që të qarkullosh, aq më i mirë je. Në fakt duhet të jetë ndonjë përvojë kamionistësh ndanë bujtinave të rrugës. Gjithsesi, pas një rruge të gjatë, i jemi afruar ujit. Është këneta nga të dy anët dhe tash një rrugë në mes, që shërben për vetëm një makinë. Këtu qarkullimi rregullohet vetë. Që do të thotë: nëse shoferi nuk është ndonjë nga të fortët, pret që të kalosh ti që vjen nga poshtë. Ose do kalojë ai dhe ti do presësh...Njeriu i parë që kam shikuar në ardhje është një 65 vjeçar. Peshkon. I vetëm. Nuk i bëj përshtypje. E vetmja fjalë, që më thotë është befas: “Nuk i bie fare sot. Ditë e keqe”. Nga e folura më duket që nuk ka asnjë lidhje me këtë vend. Por, burri vazhdon, sikur të mos jem. Ka një kapele masovikësh dhe më sqaron se është banues i Laçit. Ka të folurën e Vurgut.
Plazhi
Atje ku ishte plazhi tash, janë gërmadha. A i kujtoni dot kabinat, argëtimet e Patokut? Dukej si plazh fisnor, sepse shumica e njerëzve barteshin bashkë me të gjithë sorollopin e tyre. Tash, sikur të jesh në ndonjë ish-kamp, heshton kudo. Nga llucëria duket se ndihen akoma argëtimet me lopatat, peshkatarët, pjeshkat, bostanët që merreshin në tregun e varfër të kohës atëhere. Ishte një mrekulli të qenët në këtë vend. E, tash, uji gati i ka pushtuar kabinat, që u është marrë prej qenieve njerëzore -gjithçka e mundur. Nuk orientohemi dot se ku kemi qenë, ndërsa bunkerët tash janë në ujë. Këneta ka ardhur deri afër..ndërsa bimësia e ujit është e harlisur. Ka pak shpendë. Një privat ka marrë zonën e kabinave dhe me një përpjekje çnjerëzore po mundohet të rivitalizojë një zonë, që po përmbytet. Aty punon Gjoka. Më fal. Udhëheq. “Duhet me qenë pak i marrë që të bësh këto punë, por ia”, vlen më thonë dy punëtorë, që më shpjegojnë ardhjen e ujit. Më orientojnë për zonën. Tashmë deti është tutje. Sërish, kujtimet e fëmijërisë nuk më ndihmojnë. Nuk e njoh Patokun e dikurshëm. Një më i ngeshëm dhe më i zoti, një personazh i filmit, që e shikonim dikur si “Tokë dhe kallamishte.” Ai ka mbartur materiale ndërtimi dhe atje ku një copë tokë ka mbetur midis detit dhe kënetës ka bërë ngrehinën e tij. Merr klientë këtej kënetës me një varkë me motorr dhe i përcjell tutje. Ky është atraksioni më i veçantë. Në stere, pak restorantet që janë më afër, shërbehet mirë. Një grua, që pretendon se burrin e ka pronar...një vajzë në SHBA, ka ardhur në pronën e vet dhe më bën një leksion të kaosit shqiptar. Nuk kanë energji, nuk kanë ndihmë për rrugën dhe çmimet e perimeve katastrofike. E shikon shtetin si pengesë për të gjitha. Ai dhe vetëm ai. Eshtë afër fshatit, përballë ujit, që i sjell peshq dhe ..por sërish ankohet. “E mbajmë kot më thotë, sa për tu gjendur në punë”. E ka bezdi, që na shërben. Neve, që na jep muhabet.
Peshkatarët
Na shpëton një djalë. Ai është te lokali dhe i merr leje për të marrë racionin e peshkut. Iki dhe unë. I shpëtoj monologut të gruas mbuluar me ar. Pak metra më tutje, peshkatarët argëtohen. Një i tillë, mbi të gjithë, dhe shumë i shëndoshë duke mbledhur rrjetat, qesh. Më qesëndis, ngaqë e shikoj. Kurse, të gjithë bashkë peshkatarët, nga varkat buzë ujit gjejnë kohë të merren dhe me një qen race. I hedhin peshqit fluturim. Ato përshkojnë harqe dhe në qiellin e vrenjtur marrin një ngjyrë argjendi, për tu bërë asgjë pastaj në gojën e qenit që kërcen fuqishëm me këmbët e para. Por, edhe ai, i zgjedh. Kur dalin në breg i pyes për kënetën dhe peshkun. E bëjnë qetë punën, por më konfuzojnë, kur thonë se do ishin të kënaqur po të devijohesh Mati. Janë pak qindra metra, me njerëzit e plazhit, po nuk kuptohen. E gjithë Shqipëria ka nevojë për negociatorë. Ankohen më pas. Por, janë të gjithë mirë. Dy syresh i mbledhin fare rrjetat dhe e mbyllin punën. Kaq ishte për sot. “Nëse do të devijohet Mati, atëhere ky vend bëhet sërish plazh. Por kënetën dhe këtë pjesë e ka ushqyer Mati. Do i themi Xhuvelit- më thonë njerëzit që ndërtojnë në plazh, por Patoku është peng i peshkatarëve”. Sa janë? –i kam pyetur. Janë 36 veta më thotë njëri. Në fakt, peshkatarët janë dhe më pak. Kanë një muhabet të shtruar. Duken i kanë rregulluar punët e tyre. Janë të lumtur dhe peshkojnë mirë. Një tregtar, që më vjen keq kur e shikoj, vjen nga Lezha (apo dikund tjetër), dhe ua blen. Ia vlen me këtë rrugë?-e pyes. Mbledh supet. Nuk e di, më përgjigjet. Dhe, puna e peshkatarëve, merr fund me kaq. Askush nuk është kujdesur për dajlanët e tyre, paçka se pretendojnë se paguajnë për licencat. Si kudo dhe këtu prishin punë njerëzit pa licenca dhe gjuetia jo e mirë, por këta duhet t’i kenë disiplinuar. Duket se kanë gjuhë me njëri-tjetrin. Nuk e kanë marrë karburantin e premtuar nga qeveria, por paratë që nxjerrin, janë të mjaftueshme për të mbajtur familjet. “Ju prish punë po të devijohet Mati”- i pyesim. Aspak. Do kemi mundësi të gjuajmë më mirë, më përgjigjen. Nuk i futem më rebusit, sepse në pak metra katror dhe këtu shqiptarët nuk e gjejnë dot gjuhën për atë që quhet komunitet. Ikin. Qëndrojmë. Shikoj dhe mundohem të vend rend. Banorët nuk e kuptojnë dot se duhet të jenë bashkë. Gjoka shfryn vazhdimisht për peshkatarët. Kurse, këta janë të qetë...Peisazh i bukur...Ai nuk më gënjen, të paktën.
Në 250 ha e lagunës kemi një kanal që lidhet me detin, ku mesatarja e thellësisë shkon deri më 1 metër dhe kripshmëria shkon deri më 30mg/l. Peshkatarët gjuajnë në kanal dhe me rrjeta në lagunë.
...
Gruan e gjej sërish në tavolinë. Tani është shoferi që dëgjon ligjëratën e saj dhe pi i patrandur verë. Gruaja bëhet vërtetë e dobishme kur tregon një rrugë më të arsyeshme për tu kthyer. Duhet të shkosh mes fshatrave dhe atëhere makina nuk vritet. Pak kohë më pas, dalim shumë më shpejt në magjistralin kryesor. Sa qesharake premtimet e qeverisë për turizmin shqiptar?! Por, edhe të 8000 banorëve të komunës në këtë vend u pëlqen kjo lloj status-quo. Më mirë. Kështu u pëlqen.
Kur shikoni ndonjë rrugë, buzë magjistralit që të dërgon në Lezhë, më mirë pyesni: si mund të iket më mirë në Patok. Nuk ka ndonjë gjë se çfarë do shikoni, por do kënaqeni...me kënetën dhe atë që dikur ishte Patoku. Fundverë-fillimvjeshtë 2007.