E hene, 23.12.2024, 06:00 AM (GMT)

Mendime

Naser Aliu: Historia e Damunit

E merkure, 02.12.2009, 06:44 PM


Historia e Damunit

Nga Naser Aliu

Mos pyetni pse quhej Damun. Nuk dihet. Atëherë tingëllonte emër normal, tani duket i çuditshëm, me një etimologji shumë trishtuese. Për këtë njeri të mjerë dhe të pafat nuk kam menduar së paku njëzet vjet, edhe pse më kishte traumatizuar si fëmijë nëntë vjeçar.

Tash u krijuan skena identike dhe ja më shfaqet Damuni i gjorë para syve: trupmadh, hundëshqiponjë, me ballin e madh. Në fytyrë dukej si Brezhnjevi, i mungoni vetëm flokët e dendura të tij. Damuni ishte fqinji jonë për të cilin u tha në lagje se ishte "trenu" (ishte çmendur).

Para sëmundjes sillej mirë me ne. Tani kur luanim top fshihej diku në kopsht dhe na e merrte topin, që binte vazhdimisht në kopshtin e tij dhe, me atë top, luanin pastaj fëmijët e tij. Një ditë na ra topi mu aty, ku kishte mbjellë perime. Ai vrapoi pas nesh duke sharë dhe bërtiti: " Edhe ni herë, ku'me jav'shkul dhamtë nja nga nja!". Dhe na e sekuestroi topin përsëri. 'Ndoshta na tha për dhëmbët', menduam ne, se kishte rastësisht darët në dorë, por këtë nuk e kuptuam kurrë. Zgjati një muaj derisa blemë topin e ri.

Në lagje flitej se Damunin e kishin dërguar në çmendinë. Ndaj morëm topin e ri dhe... përsëri në rrugë. Topi si dreq top që ishte, ra përsëri në kopshtin e tij dhe mu mbi specat që sapo kishin luluar.

Damuni u hodh nga dritarja e katit përdhes si një leopard, kërceu rrethojën sikur të mos ishte fare dhe vrapoi pas nesh duke bërtitur: " Ah, nalnu bre, pa jav'rep lëkurën nuk e la!"

Ne ikëm. Hera e tretë dhe e fundit ndodhi diku pas një muaji. Përsëri flitej se ai kishte shkuar në spital. Më shumë se një javë nuk u kthye. Ne menduam se nuk kthehet më. Të rriturit thoshin: "Sigurisht po ia "djegin nervat" në spital dhe kthehet prapa i qetë dhe i butë si një lope"!

Edhe pse kujdeseshim të mos binte topi atje, e godet Agroni dhe topi... Përsëri brenda! Tani jo mbi speca, por diku ndërmjet domateve të kuqe. U afruam pranë rrethojës për të shikuar topin, kur befasisht u shfaq Damuni pas një peme të vogël me plot gjethe.

Gjashtë shokët ikën në të gjitha drejtimet, unë mbeta i shtangur ballë për ballë me të. Ndërmjet rrethojës pash sytë e tij të kuq, të hapur deri te vetullat.

Nuk di pse u ndala. Ndoshta pse sytë e tij m´u dukën aq të mëdhenj, sa më shtangën në vend.
Akoma pa mbyllur gojën, kërceu rrufeshëm mbi rrethojë dhe më mori me vete duke më bartur nën sqetull si një qengj.

As nuk u përpoqa t´i ikë nga duart. Ashtu si gjendesha në sqetullën e tij, vështroja rrugën nga lart se ku më çonte dhe u ndal pas shtëpisë duke u ulur mbi një cung. Pranë cungut një sëpat akoma me gjak, dhe koka e pulës me njërin sy të mbyllur, tjetri nuk shihej.

Nëna thoshte, kur vdesin njerëzit e u mbeten sytë hapur, atëherë u kanë mbetur shumë dëshira të parealizuara. Kur pashë kokën e pulës ashtu, m´u kujtuan fjalët e nënës dhe mendova, paska shkuar e lumtur pula! Mua sigurisht do të më kishin mbetur sytë e hapur!


"Dreç biri i dreçit, ap'po do ta pres krytë apo do me të tredhë..." Me njërën dorë m´i tërhiqte flokët duke më parë në sy, me tjetrën më shtrëngonte drejt trupit të tij dhe përsëriste: zgjidh, cilën do me rujt: krytë apo bolet?


Dhëmbët i kishte gati katran të zi. Tre i mungoni para. I mbylla sytë nga trishtimi dhe thashë me vete: Më mirë të vendosë ai. Kisha frikë nga sëpata që e kishte afër dhe ndjeja rrahjet e zemrës deri në fyt.

E pashë edhe kokën time pranë asaj të pulës. U trishtova dhe sinqerisht nuk pëlqente as dënimi i parë, as i dyti. Derisa sa ai po përsëriste se cilin dënim parapëlqeja, u fut im atë brenda dhe më shkoqi nga duart e tija. Shpëtova, thashë me vete. Më mirë paramendoja një kortezh pas, se sa të shkoja në shkollë i tredhur. Damuni e konsideronte krejt lagjen të sëmurë, por jo veten! Kur njerëzit i thoshin se ishte i sëmurë, ai nuk e pranonte.

Nuk më dhemb askund, thoshte ai.

Edhe një gjë vlen të tregohet: javët e para kur qe çmendur Damuni u përhap saora në lagje. Çdo shtëpi i tërhoqi vërejtjen fëmijëve të ruhen prej tij, sepse "edhe nëse e vret ndonjë, ai nuk burgoset, por dërgohet në spital", - thoshin të rriturit.

Mirëpo, ne si fëmijë edhe krenoheshim me Damunin. Ishte një lloj pasurie dhe sigurie të posedohet një Damun: fëmijët e lagjes tjetër që më parë vinin te ne e nuk na linin të qetë, tani kishin frikë nga Damuni jonë!

Në fillim gruaja e tij për të krijuar përshtypje se sjellja e burrit ishte krejt normale, fliste edhe ajo vet me vete duke ujitur specat: "Oh, sot kam parë ëndrra të çuditshme, - thoshte ajo, kur ishim ne afër. Dhe vazhdonte të flasë gati si burri i saj, të këndonte apo të fishkëllente, madje zonja Damun nisi dikur na e shante nënën si burri i saj.

Për ta krijuar përshtypjen e normales, kështu sillej edhe vëllai i vet në fillim. "Po dëgjoj zëra, - thoshte ai, Zoti më ka dhënë aftësi të komunikoj me botën tjetër". Lagjja nisi të mendojë se ishin çmendur që të tre, dhe brengosej për fatin e fëmijëve të Damunit.

Dikur nusja e tij nuk fliste më me vetveten, por këndonte vetëm me zë të ulët: "o moj e mira mori nëpër therra!", ndërkaq vëllai e dërgonte dhe e merrte nga spitali psikiatrik dhe nuk komunikonte më me botën tjetër.

Pse kjo histori kaq private dhe kaq intime? Ja e vërteta: kurrë në jetë nuk kisha menduar se Damuni, i para disa dekadave kishte plotësuar të gjitha kushtet, (pa përjashtim, të gjitha kushtet!) për tu bërë kryeministër në vitin 2009. Madje kryeministër në një vend demokratik.

I mjeri Damun i fëmijërisë sime, vdiq pa pozitë, edhe pse i paska patur të gjitha cilësitë e nevojshme për kryeministër ballkanik! Çfarë humbje tragjike për Ballkanin, që nuk din t´i shfrytëzojë resurset e veta njerëzore!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora