Kulturë
Ditët e fundit të Nonda Bulkës
E marte, 01.12.2009, 07:56 PM

Në shtëpinë e Nondës nuk ishte si të shkoje në shtëpinë e Sterjos, sado mikpritës që ish i zoti i saj. Sigurisht, shkonin Sterjua e Ziaudin Kodra, që tok me Nondën e quanin veten “tre musketierët”, por ne të tjerët vetëm me raste. Nuk di të them se cilët qenë ata, përtej rrethit të rij të ngushtë, që hynin e dilnin në shtëpinë e Nondës. Po ja që një ditë i shkoi për vizitë në shtëpi Enver Hoxha. Ata kishin qenë miq të hershëm në Korçë, kolegë, bile kishin fjetur ca kohë në një dhomë. Për këto marrëdhënie Nonda tregonte, kur binte fjala, por pa u mburrur e pa spekuluar. Edhe kur rrëfente ndonjë qyfyr interesant ishte i matur. Mbaj mend që thoshte se nuk e priste që do të vinte një ditë, që të bëhej ai që u bë. “Dhe u bë i madh, - shtonte, - e ku? Në Shqipëri, ku s’është e lehtë të bëhesh i tillë.” Atij sinqerisht i vinte mirë për këtë. Rrallë kish qëlluar të takoheshin, por ruanin respekt për njëri tjetrin. Nuk e di pse Enveri, kur fliste për të apo bisedonte me të, nuk e thërriste Nonda, po Epaminonda.
E pra, një ditë miku dhe udhëheqësi ia behu në shtëpinë e tij. E njoftuan që më përpara. Ai gati nuk e besoi dhe u hutua. Sigurisht, ndjehej i nderuar, por thoshte se ishte i papërgatitur. Kishte një apartament të vogël, ku, siç arsyetonte Nonda me humor, nuk mund të pritej siç duhet udhëheqësi! Tani nuk ekzistonin raportet e vjetra. Në vend të tyre qenë ato në mes udhëheqësit të shtetit dhe qytetarit Epaminonda Bulka, do të thoshte i zoti i shtëpisë.
Për këtë vizitë Nonda do të tregonte me gëzim, por dhe me humorin e tij fin. Kish pasur gjithë atë shqetësim para se të vinte miku i nderuar. Nuk dinte si ta priste, çfarë protokolli duhej të ndiqte. Por, siç thoshte pastaj, nuk kish qenë aq e vështirë dhe e sikletshme sa e kish menduar. Enveri sapo kish hyrë e kish marrë në qafë, aq sa Nonda, para trupit të tij të gjatë e të bëshëm, qe ndjerë i vogël. Si qenë ulur përballë njëri tjetrit, Nonda kish marrë fjalën dhe i emocionuar i kish thënë: “Të faleminderit për nderin që po më bën. Është vërtet një nder i madh, se më i madhi mik që më ka begenisur është Sterjo Spasse, po ti ia kalove.” Kish plasur gazi dhe sikleti i Nondës sikur qe shkarkuar, aq sa i drejtohej me ti dhe filloi ta thërriste Enver. “M’u zgjua miqësia e vjetër, - tregonte Nonda. – Ajo më bëri të jem Nonda dhe ai Enveri.” Pas përshëndetjeve të rastit, Enveri i kish thënë: “Kam ardhur me një lajm të gëzuar. Sapo mora njoftim nga Behar Shtylla që ndodhet në Amerikë, ku më shkruan se kish takuar Fan Nolin dhe më dërgonte përshëndetjet e tij të përzemërta. Më thoshte se i kish shfaqur dëshirën që në një kohë të arsyeshme, të bënte një vizitë në Shqipëri. Gjithashtu, i kish thënë se donte që ne këtu t’i botojmë veprat. Ka shkruar dhe gjëra të reja. Ta solla këtë lajm se e di se sa shumë e do dhe e çmon ti Nolin. Veç të vijë, pa do ta presim ashtu siç e meriton. Do që të mbajë dhe ndonjë leksion në Universitetin tonë. Në fund i kish thënë i bëj të fala kumandarit dhe gjithë shokëve.”
Biseda pastaj kish vazhduar me evokimin e kujtimeve të përbashkëta për Korçën, për Francën e për literaturën e saj, me të cilën ishin të lidhur aq shumë shpirtërisht të dy. Kishin bërë dhe shakara, duke u krijuar kështu një atmosferë gazmore, që e kish çliruar Nondën gati nga çdo kompleks. Para se të ngrihej, miku i vjetër, duke e ditur adhurimin e madh të Nondës për Balzakun, i kish sjellë si dhuratë një komplet luksoz të veprave të tij. Nonda nuk dinte si ta falënderonte për dhuratën, siç nuk arrinte të gjente dhe fjalët e mirënjohjes për nderin që i bëri me vizitën e tij. Pastaj e kish përcjellë mikun e nderuar deri poshtë te makina, nën vështrimin kureshtar të dhjetëra banorëve të pallatit, që kishin zbritur ta shikonin udhëheqësin duke dalë nga shtëpia e profesorit.
Kjo vizitë nuk kaloi pa jehonë në rrethet e shkrimtarëve dhe intelektualëve. Nonda, që nuk e kish në natyrë mburrjen, do të tregohej i përmbajtur në hollësi. Në vend që të fliste për vizitën e udhëheqësit, do të tregonte për sihariqin që ai i kish dhënë, për sihariqin e ardhjes së Fan Nolit. Vetëm në rrethin e tij të ngushtë në shtëpinë e Sterjos, ku pata rastin dhe unë ta dëgjoj, ai do të rrëfente hollësitë e takimit dhe do të bënte komentet e tij gazmore. Ne do ta dëgjonim me kureshtje dhe do t’i bënim pyetje. Mbaj mend se i vetmi nga shoqëria e ngushtë që e dëgjonte me vëmendje, por nuk fliste, do të qe Mitrush Kuteli. Nuk besoj që kjo të ishte zili, as mungesë respekti për gjithë sa tregonte Nonda. Por për një gjë jam i sigurt: Mitrushi, që ishte i ndërgjegjshëm për vlerat e tij si shkrimtar, në këtë rast ndjente se koha që jetonte nuk ia njihte dhe çmonte. Ai ishte thuajse i harruar dhe krejt i mënjanuar. Bile, jo shumë kohë më parë, redaksia e prozës e Shtëpisë Botuese me pa të drejtë ia kish kthyer dorëshkrimin me tregime për ta ripunuar. Këtë refuzim ai e kish përjetuar keq. Edhe një herë, pas kaq vitesh që kish tentuar të nxirrte në dritë disa nga rrëfenjat e tij të hershme, nuk kish gjetur miratim. Ngushëllimin do ta gjente në shoqërinë e tij me Sterjon dhe Nondën, duke zbrazur mllefin që kish brenda vetes.
Dhe ata i qëndronin pranë, aq sa një ditë dy miqt’ e tij të ngushtë i propozuan që të bënin një ekskursion nëpër Myzeqe. Për këtë i ndihmoi Nuçi Tira, Kryetar i Degës së Brendshme të Lushnjës, pogradecar, partizan i vjetër dhe adhurues i shkrimeve të Mitrushit. Ai i shoqëroi me makinën e tij. U nisën me qejf dhe u kthyen plot mbresa nga takimet dhe vizitat. Nonda me shakatë e veta e kish bërë më të bukur udhëtimin. Përshtypjet e tyre të përbashkëta do t’i hidhte në një reportazh të gjatë Mitrushi. Ai u botua në revistën “Nëntori” nën titullin “Fluturimthi nëpër një cep të Myzeqesë” dhe u nënshkrua nga të tre. Ishte hera e parë që emri i Mitrushit dilte në shtyp, jo si përkthyes, por si shkrimtar, gjë që do ta lehtësonte diqysh atë shpirtërisht. Nonda do të më thoshte se honorarin, kur e morën, nuk e ndanë, por ia dhanë të gjithin Mitrushit. Natyrisht, kjo nuk ishte aq e rëndësishme se sa fakti që, dalja publike e tij, i dha zemër mikut të tyre, i riktheu disi besimin e humbur dhe e inkurajoi t’i kthehet seriozisht punës krijuese. Nonda këtë e kish merak e peng të madh, sepse ia njihte e çmonte lart vlerat si solist i letërsisë shqipe e jo si korist, ku e fuste ai veten dhe shumë të tjerë…
Vitet e fundit Nonda erdhi pedagog i frëngjishtes në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku punoja dhe unë. Ai do t’i mahniste studentët me leksionet e tij, po dhe me frëngjishten e tij. Ndryshe nga skolastizmi i ndonjë kolegu vërsnik, ai ishte i lirë dhe artist si gjithnjë në orën e mësimit. Pra, solli një frymë të re dhe fitoi zemrat e studentëve. Në këtë kohë, do të takoheshim më shpesh. Ishte koha kur ai do të kishte edhe korrje të mbara në botime. Do të përkthente romanin “Evgjeni Grande” të Balzakut dhe do të botonte një vëllim me fabula të Ezopit, La Fontenit etj. të ritreguara në prozë. Në këtë kohë ai do të merrte dhe gradën shkencore Kandidat i shkencave filologjike, për të cilën u gëzua pamasë dhe u ndje i nderuar. Oponentë do të qemë prof. Aleks Buda dhe unë. Për mua do të qe një nder që po e paraqisja dhe po bëhesha garant para komisionit shtetëror dhe katedrës së letërsisë për vlerat pedagogjike-shkencore dhe intelektuale të Nondës. Ai nuk dinte si të ma shprehte mirënjohjen për vlerësimin që i kisha bërë, kur e meritonte plotësisht. S’kish dyshim, siç e shprehja dhe në oponencë, Nonda Bulka ishte një nga profesorët e shquar, që me fjalën e tij të mençur e të kulturuar kish edukuar dhe formuar disa breza të rinjsh.
Në mes shokëve të rrethit të tij të ngushtë Nonda ishte padyshim më optimisti. Kur vinte ai, hynte gazi e humori, davaritej mërzia e trishtimi, biseda bëhej më e këndshme. Por koha do të bënte të vetën dhe ai e miqt’ e tij po i afroheshin apo i kishin kaluar të gjashtëdhjetat. Sa vinte e më shumë shëndeti do të ishte në qendër të bisedave të tyre. Në qoftë se të tjerët ankoheshin, Nonda hallet e shëndetit do t’i kalonte me humor. Një herë aso kohe më tha në mënyrë të tërthortë, pa i përmendur emrin: “Ajo qerrata … është e pabesë. Nuk pyet. I merr me radhë e pa radhë. Në këtë moshë që po shkelim, ajo qëndron prapa derës. Dhe mosha jonë është si fushë me mina. S’dimë ku shkelim, se ta dimë, ruhemi. Pa më thuaj si të ruhemi?!” Kjo temë për Nondën u bë akoma më e prekshme dhe më e dhimbshme, kur ndodhën gjëmat e para. Kosa e asaj “qerrata”… që Nonda s’ia thoshte emrin, ra në rrethin e tij. Një ditë papritur goditi Ziaudin Kodrën, studiues dhe profesor i letërsisë shqipe, mik familjar i Nondës. Ikja e tij e tronditi, por s’kaloi shumë kohë, pushoi dhe zemra e Mitrushit. Kjo e dyta ishte për të një gjëmë e pangushëllueshme. Nuk e kisha parë ndonjëherë Nondën aq të dëshpëruar. I kish ikur tërë humori. Do ta quante një humbje të madhe, që koha në të cilën kish jetuar, do të thoshte, nuk e kuptoi dhe nuk e çmoi, po kohët që do të vijnë do t’i zbulojnë vlerat e tij të papërsëritshme.
Pas humbjes së dy miqve të dashur, Nonda nuk do të bënte më humor me vdekjen si më parë. Po nga humori, gjithsesi, ai nuk ndahej dhe as mund të kuptohej pa të. I kish ardhur dhe një hov dëshire për të punuar. Do të shkruante, do të përkthente, do të botonte herë pas here. Tani i kish kaluar të gjashtëdhjetat, por natyrës së tij nuk i shkonte pleqëria. Gjithnjë në lëvizje me biçikletë, energjik, ngado që shkonte shpërndante gaz e humor. I kish lindur bile ideja që të shkruante një triologji me prozë për vendlindjen, Leusën. Për mua ky ishte një lajm gati i pabesueshëm, sepse ai nuk dinte të mblidhej e të shtrohej në punë. Gjithë sa kish shkruar do të qenë krijime të shkurtra. I qe ngritur mendja bile të shkonte për ca kohë në Leus e deri në Frashër. “Të fle një herë në shtëpinë e Naimit”, thoshte. Pastaj shpërthente për vendlindjen dhe fliste e tregonte gjithë nostalgji. Kujtonte fshatin rrëzë malit të Dhëmbelit, burimet e çezmat e panumërta, kopshtet e pemishtet, pyjet plot bredha e lajthi, kishën e vjetër me qiparisa nën majën hijerëndë e Nemërçkës. Në këtë mjedis kish lindur, kish hedhur shtat Nonda, që tani në perëndim të jetës i fanitej kohë e pa kohë dhe nuk i bënte dot ballë dëshirës të shkelte sa pa u bërë vonë. Do të takonte dhe vërsnikët e tij bashkëfshatarë, aq fisnikë, të zgjuar e plot humor, të cilëve do t’iu detyronte disa nga virtytet dhe vlerat që kish marrë me vete nga fshati i lindjes. Ndoshta rronin Goli e Mili nga personazhet komike të Leusës, që nuk i harronte për shakatë e kripura e të mençura, për kurajën, për gjuhën dhe batutat e thekura. “Pa ta, - thoshte, - nuk do të ishte Nonda që më njihni. Jam dishepull i tyre me shkollë!” Për këta njerëz të vendlindjes e plot të tjerë, ai do të shkruante triologjinë, për të kaluarën e të sotmen e tyre, që i sillnin aq kujtime e i zgjonin aq mbresa. Të gjitha këto Nonda i përjetonte gjallërisht dhe e thërrisnin që t’i hynte punës. Punës cfilitëse që kërkon proza dhe që ai kish përpara shëmbëlltyra si Mitrushi e Sterjo. Po nga do t’ja fillonte? Kjo ishte pyetja që e mundonte dhe që priste përgjigje! “Një fjalë goje!”, buzëqeshte ironikisht Nonda.
Po tamam në këtë kohë i erdhi ajo që nuk e priste, ajo që ai nuk ia përmendte emrin, por fliste për të, bile bënte dhe humor. Dëgjova që ishte operuar dhe se operacioni qe shoqëruar me dyshime. Këto të fundit qenë disi të turbullta, më shumë se të vërteta ishin thashetheme. Megjithatë, i shkova në shtëpi që e kisha afër. Isha gjithë druajtje, por kur i rashë ziles dhe pashë atë të më hapë derën e të më buzëqeshë, sikur u qetësova. Kur hymë në studion e tij, vura re që qafën e kish mbështjellë me një shall dhe fytyrën e kishte pak të zbehtë, por nga humori m’u duk po ai. Dhe me këtë humor, nisi të tregojë: “Ore, mos të gjetë e keqja në se është e keqe kjo që më është shpifur mua në qafë. Më doli një gjëndër. E po gjëndër, thashë me vete e megjithëkëtë shkova dhe takova doktor Bedriun (Bylykun). Ai ma pa dhe më tha si pa të keq “Hajde të hënën në sanatorium e ta heqim. S’ka asgjë me zarar, punë minutash.” E me që ishte kështu, nuk e zgjata dhe shkova. Më futi menjëherë në sallë, po ndërkaq më shumë se për hallin që kisha, folëm e bëmë shaka. Bile, kur po shtrihesha në një si bankinë më hipi në kokë një dëshirë, si duket për të humbur mendjen dhe e pyeta: “O Bedri, kur qenka operacion pa zarar e nuk zgjat shumë, a mund të recitoj poemën e Alfred de Vinjisë “Vdekja e ujkut”? Po, më tha Bedriu. Kështu u shtriva, por pa ndonjë emocion kushedi se çfarë. Prita sa ai u përgatit dhe nisi nga puna dhe atëherë unë fillova recitimin ngadalë sikur po flisja me veten. Të them të drejtën, nuk më kish shkuar mendja se do të vinte një ditë ta recitoja këtë poemë që e kam aq për zemër në këto rrethana. Po me sa duket doja të merrja kurajë nga ujku. Po, po nga ujku që bie pre e mizorisë njerëzore dhe i jep mësim një kafshë madhështore, siç i thotë poeti njeriut, që të dijë të qëndrojë me dinjitet para çastit të vështirë. Edhe unë kështu doja të qëndroja në atë çast jo të zakontë. Vazhdova kështu të recitoja me frëngjishten time vargjet e famshme, ngadalë e me shpirt duke u mëshuar fjalëve kuptimplote. Nuk di, përse ndodhi kjo me mua kur erdha në mbarim të poemës dhe shqiptova vargjet e fundit: “Rënkimi, vaji e lutja janë të gjitha dobësi”. Pra, mos u dorëzo, bëhu burrë para asaj që të ka caktuar fati. Mos u jep, vuaj e vdis pa hapur gojë. Heshta një hop dhe i thashë Dr. Bedriut: “Unë mbarova”, por ai nuk m’u përgjigj dhe vazhdoi punën e tij. Një kohë që zgjati disa herë më shumë nga koha e poemës që kisha recituar. U përpoqa ta largoja mendjen nga ç’po bëhej me mua dhe të mbahesha nga vargjet inkurajuese të Vinjisë, që, në atë çast, më tingëllonin më kuptimplote se kurrë ndonjëherë.
Kur mbaroi operacioni dhe u ngrita ndenjur, pashë nga Dr. Bylyku dhe infermieri. Nuk më pëlqeu fytyra e tyre. Dhe se si më dolën fjalët: “Më duket se mbaroi vdekja e ujkut dhe filloi vdekja e Nondës”. Bedriu u mundua të buzëqeshë dhe filloi të bëjë teatër si gjithë mjekët në këso rastesh …”
Nonda vërtetë sikur ta parandiente, sepse që nga ky çast filloi kalvari i tij. Ajo nuk kish qenë një gjëndër e zakonshme, por nga ato që do t’i merrnin jetën. Nonda do ta quante demon dhe kjo fjalë do t’i përmblidhte të gjitha. Demoni ishin vuajtjet, dhimbjet, mendimet e zymta, ndarja e ngadaltë nga jeta. Ai do të hynte e do të dilte nga një spital në tjetrin dhe për t’ia zgjatur jetën e për ta nderuar e dërguan dy herë në Bukuresht. Nonda do të përpiqej t’i përballonte situatat me kurajë dhe humor. Po humori tani ishte një humor i zi. Në një letër që u dërgonte miqve të tij të ngushtë nga spitali onkologjik i Bukureshtit do t’u shkruante: “L’inevitable, l’inexorable, l’ineluctable, l’irreparable” (E paevitueshmja, e pathyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja”) – erdhi. Po hyj dhe unë në listën e kandidateve-ve që i vënë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliarda frymorëve që mbërthen globi”. Për këtë tani ishte i bindur veç të tjerash, se në hyrje të spitalit i kishin kapur sytë disa fjalë frëngjisht të shkruara me shkronja gati të padukshme që thoshin: “Ju që hyni këtu, braktisni çdo shpresë …”
Gjatë qëndrimit në Bukuresht do të kalonte situata të rënda. Dhimbje, mërzi, vetmi, mendime të rënda, mall dhe ndonjëherë shkreptimë drite, shpresa të vakëta. Do të shkruante letra për në Shqipëri. Do të hidhte në letër dhe një poemë dashurie e malli për vendlindjen. Gjendja e tij shpirtërore ndërronte në varësi të gjendjes fizike, të fjalëve të mjekëve e të analizave. Kura dhe prapë kura të pafund, që lypnin kurajë e durim, po dhe shpresa që i regëtinin si drita e një kandili, që më parë as në ëndrrën më të keqe nuk i kish parë. Mendimi se ishte nisur në një rrugë të pakthyeshme nuk i ndahej dhe kjo duket në të gjitha letrat, me përjashtim të atyre që i dërgonte gruas.
Një ditë pasi u kthye nga Bukureshti i shkova në shtëpi së bashku me Sotir Cacin. E bëmë me fjalë që më parë të mos hapnim bisedën e sëmundjes. U gëzua kur na pa dhe seç bëri një shaka që s’e mbaj mend. Pastaj u ul në një kolltuk përballë televizorit. Dukej që kish lënguar. Qe dobësuar dhe hequr në fytyrë. Nuk ishte më Nonda energjik. Filluam të bisedojmë dhe folëm më shumë për letërsinë franceze, me që ai dhe Sotiri ishin përkthyes të saj. Erdhi një moment, sikur na ngeci fjala dhe u bë një pauzë pak e zgjatur. Ndihej që diçka nuk shkonte. Në mes nesh dhe aty sikur shtrihej një zonë e ndaluar, ku ne përpiqeshim të mos shkelnim. Edhe atij, si duket, nuk ia kish qejfi të fliste për hallet e sëmundjes. Pra, të dy palët nuk po dinim çfarë të thoshim. U desh një fjalë e Nondës që ta kapërcenim ngërçin që na kish kapur. Ai tha: “Ore, ta hapim pak televizorin e të shohim ç’ka”, dhe shtypi butonin e telekomandës. Ekrani u zbardh dalëngadalë deri sa para nesh u shfaq një pamje tepër e çuditshme. Ishte pamja e një varreze që jepte një nga stacionet italiane. Disa gra me lule në dorë u afroheshin varreve dhe i vendosnin mbi to, ndërsa lotët u rrëshqisnin faqeve. Padashur unë e Sotiri pamë njëri tjetrin në sy. Kurse Nonda , ndërkaq me sytë e mbërthyer në ekranin e vogël, foli si me vete: “Hajde, shpjegoje këtë rastësi. Si unë dhe ju bëmë kujdes të mos e përmendnim atë … Po ja, shikoje … atë e kishim midis nesh…”
Ai u mundua të qesh, siç e kish në natyrën e tij, kurse ne na u lidh gjuha. Nuk bëmë asnjë koment. S’gjetëm asnjë mënyrë për ta kapërcyer situatën, veç disa grimasave të fytyrës. Çdo fjalë para zgjuarsisë dhe realizmit të tij do të tingëllonte false dhe naive. Vërtetë heshtja është flori. Dhe nga kjo situatë na shpëtoi shtypja e butonit që bëri Nonda, duke e kaluar në një kanal tjetër. Ishte stacioni i TVSH që po jepte një koncert me muzikë popullore dhe jonet gazmore mbushën dhomën. “Sa e bukur është jeta”, dëgjova zërin e Nondës.
Kjo do të ishte biseda e fundit, por jo takimi i fundit. Do të takoheshim dhe nja dy herë të tjera, por ato qenë ceremoniale. Para se të ikte, atij do t’i bëheshin nderet e fundit për së gjalli. Do të dekorohej me një urdhër të lartë dhe ceremonia do të zhvillohej në zyrat e revistës “Hosteni”, ku u mblodhën plot miq e shokë. Nonda m’u duk gati i topitur e i hutuar, ca nga emocionet, ca nga sëmundja që po e vinte përfundimisht poshtë. Pas fjalëve të ngrohta që u thanë, foli dhe ai: “Me ilaçe dhe humor do ta luftoj demonin që më ka kapur për gryke”, tha me zërin e tij të dobësuar.
Për herë të fundit e takova në shtëpinë e re që i kishin dhënë, të cilën ai nuk e gëzoi dot. Shkova dhe i dhashë kopjen e parë të librit të tij të sapo botuar me shkrime të zgjedhura. E mori librin në dorë, por mezi e mbante. Tha vetëm një fjalë: “Të faleminderit”, dhe vura re një pikë loti që i rrëshqiti nëpër faqet e rreshkura. Me sa kuptova, në ato çaste më shumë e trondiste dhe e emociononte dashuria dhe nderet e miqve dhe e opinionit, se sa ajo që e priste …
Fund, Shtator, 2009
Komentoni
Artikuj te tjere
Floresha Dado: Kadare, artist i fjalës dhe dijetar i mendimit njerëzor
Mexhid Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Përtej harrimit''
Mexhid Yvejsi: Miliona haxhinj, Miliona dashuri...
Rami Kamberi: Në darën e jetës
Nuhi Ismajli: Disa vërejtje një vepreje me vlerë
Adem Berisha: Miqësi apo...?!
Blerim Çoçaj: Lufta e UÇK-së, NATO-ja dhe çlirimi i Kosovës
Nuri Plaku & Baki Ymeri: Fillesat e arsimit në diasporën shqiptare të Rumanisë dhe albanologu Grigore Brënkush
Prend Buzhala: Midis ndjenjës dhe përsiatjes (Poezia e Mexhid Mehmetit)
Sevdije Rexhepi: Cikël me poezi nga libri ''Orët e mungesës''
Kozeta Zavalani: Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën
Poezi nga Skënder R. Hoxha
Kolec Traboini: Flamuri i kryengritjes 1911
Këze Kozeta Zylo: Për ty, Flamur
Gjon Keka: Demokracia ka nevojë për opozitë legale
Mazllum Saneja: Poezja moderne polake - Jan Michal Stuchly (VIII)
Cikël poetik nga Arsim Halili
Suzana Kuqi: Asgjë e bukur...
Baki Ymeri: Estetizmi senzual i poeteshës Florika Bud
Kalosh Çeliku: Zhurma e rrotave të qerres