Këze Kozeta Zylo: Për ty, Flamur
| E shtune, 28.11.2009, 06:58 PM |
|
Kozeta dhe Qemal Zylo |
Këze Kozeta Zylo
Për ty, Flamur
Gjethet e pemëve me ngjyrë të kuqe,
Si flamuj Arbëri valëviten në qiell,
Magjepsem pranë tyre në këtë stinë vjeshte,
Nju Jorku më duket si Vlora me diell!
Nga qielli i mallit rrokulliset loti,
Nga një shpirt i arratisur për tek ju,
Ndërsa një pëllumb me sqep më solli,
Flamurin e Marigosë, ta shpalosë këtu!
Kjo ditë mbiu si kumt i Lirisë,
Ardhur nga shpirtrat, që djegin muzgjet,
E nëpër rrënjë të thella të natës,
Më rrënqethet trupi, me të kuqen e Perëndimit,
Që përndez mallin, për ty, Flamur!
Në vargje më plasin lulet bozhur,
E ngjyros me to udhën e ëndrrave…
Në udhën, ku ndizet kënga shqiptare,
Me vallen e Osman Takës, plagë e Çamërisë…
Ndërsa unë vështroj,
Vetëm nga ninëzat e syrit të Vlorës,
Flamurin gjak, Flamurin shkabë!
Manhattan,
28 Nëntor, 2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.