Udhëpërshkrim
Nën peshën e Akrokeraunëve
E premte, 27.04.2007, 07:02 PM
Shkruan : Ben Andoni
Në do të besosh sesa qeveritë shqiptare kanë bërë për turizmin kulturor, nuk të duhet shumë. Mjafton të lesh pak kilometra Vlorën dhe t’i afrohesh qytetit të vogël të Orikumit. Sikur vetë Zoti t’i bashkonte me dorë: qyteti antik, ku ka luftuar Qezari me Pompeun; klima mesdhetare-kontinentale; një gadishull me gjire të vogla; shpella, ku kanë qëndruar templarët; rrënoja; florë dhe faunë e egër apo çdo gjë që mund të përmbajë një almanak kulturoro-turistik, janë bërë bashkë dhe bashkëjetojnë të patrazuara.
...
Në këtë përfytyrim jemi sapo kalojmë rrugën e vetme të Orikumit, ku si zakonisht meshkujt gjerbin të patrazuar kafetë, ndërsa ende nuk ka ikur era e zgjedhjeve vendore. Askush nuk është i dhënë pas punës, por më shumë Orikumi historik, tashmë është krejt i betonuar. Orikumo-betoni është fantazma e postmodernitetit të ndërtimit allashqiptar, që ia ka zënë frymën klasikut historik. Por, ka pak rëndësi. Sepse pak minuta më vonë kemi lënë Orikumin dhe kemi ndaluar për pak kohë në Bashkinë e qytetit, që në vitet e arta me Rusinë ka shërbyer si një pallat kulture. Elementët sllavë të ndërtimit me kapitelet dhe ballinën, nuk të lënë asnjë shteg dyshimi, se rusët kishin menduar të qëndronin shumë këtej, po të mos ndodhte kryeneçësia e Enverit. Askush nuk gjendet në bashki, sepse të gjithë rendin. U duhet të funksionojnë ndryshe dhe të gjejnë humorin e kryetarit të ri. Një zë i edukuar nga pas telefonit, na tregon se nuk do kemi ndonjë përshkrim për qytetin. Të paktën nga ai, si zyrtar. Krenari, një nga konkurrentët e “Rrally Albania”, më sqaron se nuk ka rëndësi. “Do kënaqemi me natyrën”, më thotë dhe në dorë më plas një poezi me kaligrama. E shijon gjithçka sipas mënyrës së tij dhe kjo e ka bërë të lirë, por edhe të qetë. Ka të drejtë. Ajo që është më pas do t’ia vlejë, më sqaron sërisht. “Paçka se këta njerëz stërhallen këtu... do shikojmë disa gjëra të bukura”. Më tregon itinerarin, si një ushtarak i mirë terreni. E ka bërë disa herë duke shoqëruar turistët, që janë të apasionuar pas virgjërisë së faunës dhe florës sonë. Mundohem ta besoj, por shpjegimi nuk më bind përkohësisht, sepse bëhet me shumë pathos dhe ngaqë Krenari është i dashuruar me natyrën. “Moçali është moçal”, i them. E, çfarë moçali, thyer tek-tuk me beton. Eshtë bonifikuar e gjithë zona, ndërsa fshatarët kanë ndërtuar në mes djerrinave shtëpi të frikshme disakatëshe. Nuk kanë ujë, gjelbërim, veçse mania e kateve nuk i ka lënë fshatarët e kamur edhe këtu të ëndërrojnë një mirëqënie false.
2 mijë vjet më parë, Çezari dhe Pompeu u stacionuan në të njëjtin vend. Çezari vinte pas një zbarkimi të suksesshëm në Palasë, kurse porti që përmendte ai, ndodhet ende në lagunën e Orikumit, që është lokalizuar me vetë lagunën, ku ne kalojmë me “Toyota” e hershme. Kurse në perëndim të saj, bankina përshkohej nga një kanal që lidhte lagunën me detin... Filloj të besoj se ka të drejtë Krenari. Kjo zonë do fitojë me virgjërinë. Ndaj betonit të saj apo banorëve të çartur, tentojmë dhe ikim shpejt. “Do ndalojmë në Marmiro. Nuk besoj të keni parë gjë të tillë”, na thotë krenarisht Krenari.
Drejt Kishës së Marmiroit
Për të mbërritur te kisha duhet marrë rruga që të shpie te baza ushtarake e Pasha Limanit. E vetmuar dhe e ngushtë, ajo ende plotëson strategjinë e dikurshme për t’ua bërë sa më të vështirë pushtimin e Shqipërisë armiqve të pafundmë. Rreth 50 metra para hyrjes së bazës duhet të kthehemi në të majtë e të vazhdojmë përgjatë bregut drejt Lagunës së Orikumit. Ne do të zbresim andej, ndërsa rrugën e kemi marrë nga qyteti. Pasi kemi lënë gjolin rreth 2 kilometra, mbi një lartësi të vogël- gjendet kisha. Para se të mbërrish tek ajo, drejt Bazës do t’i afrohemi vendbanimit që është poshtë: Dukatit fshat. Një mik i Krenarit, që kujdeset për kishën mund të na udhëheqë, por edhe të na tregojë sesi jetojnë.
Fshati nuk ka njerëz dhe askund frymë të gjallë. Jemi si në jerm. Sorollatemi më kot, jo larg detit, në një ditë ku dielli lodron me malin e Karaburunit dhe i fshihet Akrokerauneve madhështore. Rrotullohemi kudo, por nuk përgjigjet askush. Njeriu i Krenarit më duket koncept, sepse nuk duket. Vetëm se gati 20 minuta më vonë shfaqet krejt “papritur” një bari. “Shkujdesur”, ai do të na tregojë për gjithçka. Më tregon se janë të gjithë myslimanë, por ritet i bëjnë në kishë. Kanë dhe xhami, por duhet të ngjiten pak tutje. Nuk e besoj dot, sepse ia fut pak kot. Se sa fetarë të mirë janë shqiptarët, të duhen shumë prova. Por, për të kundërtën, të mjafton të shkosh në pak vende, që të shikosh sesi e nderojnë kultin. Në një përpjekje pa sukses për t’u futur në Pashaliman, për të parë Orikumin e vjetër, kemi përfunduar në këtë Luginë, ku fshatari ma stërhollon një histori nderimi fetar të paqenë dhe me pasaktësi reale. Pak minuta më vonë zbulohet. Nuk ka kohë, por është i frikësuar, se na kujton njerëz të kishës. Fytyrë pak djallëzore, e fiton kuptimin pak nga pak, kur na bën me shenjë se do ikë. E kuptojmë pak më vonë: Ahmet Kulluri, kështu quhet banori 60-vjeçar, na ka mbajtur dhe ndërkohë ka dhënë urdhër që kisha të llamburitë nga qirinjtë?!!!
Drejt Kishës
Në fakt, nuk ka nevojë pse të na udhëheqë askush. E lejojmë me mirësjellje, por më shumë jemi të kënaqur që ikën. Falë “Toyotës” së Krenarit, një i apasionuar pas terreneve Off-road, makina na shpie vetë atje. Bën dhe të pamundurën e ngjit makinën deri në hyrjen e kishës. Kohë më parë, këtu ka qenë një moçal dhe kallamishtet ishin të gjalla deri në kohën e austriakut Karl Patch, që udhëtoi në këtë vend 100 vjet më parë. Këneta e Dukatit quhet toskërisht Gjoli i Dukatit. Brigjet e tij në perëndim, veri dhe lindje, janë të veshura me kallamishte, gjë që e bën mjaft të vështirë t’i afrohesh ose të nisesh së andejmi me barkë, së paku me lundër.
Rrafshira është jopjellore në shumë vende. Toka në zona të gjera është me gurë dhe e mbuluar me driza dhe kaçube, si edhe e çarë me kanione të thella, të thata, si edhe shtratë të zëna me zallishtë. Eshtë pak e kultivuar dhe shërben kryesisht si kullotë; megjithatë ashtu si e dëshmojnë mbeturinat e kulturës së lashtë, po të bëhej një sistemim i mirë i tokës, po të kryheshin rregullimet dhe sistemimet e nevojshme të lumenjve si edhe vaditja e tokës në pjesën veriore, mund të arriheshin prodhime mjaft të bollshme, të mjaftueshme për një popullatë më të madhe se ç’mban e ushqen në kohën e sotme. Kurse ne e gjejmë me një lloj shkurriste, që ka si hala të gjata që na vrasin. Enveri duket se ia doli për pak kohë, derisa banorët ia kthyen virgjërinë tokës. Vërtetë, jo larg Orikumit, gjendet ajo e shumëpërfolura kisha paleokristiane e Marmiroit, që nga larg duket shumë më e madhe. Nga teknika e ndërtimit dhe nga kupola kryq, mund të mendojmë që kisha mund të jetë e shekullit të XIII, shprehen specialistët që vijonin me: Mbi hyrjen ngrihet tamburi cilindrik, i veçantë për ndërtimet e kohës. Ka shërbyer më vonë si model për kishën e Zvërnecit. Në fakt, fragmentet e afreskeve janë nxirë. Zbulohet dhe misteri i zhdukjes së fshatarëve. Dikush duket të ketë ardhur në kohën që ne bisedonim me fshatarin që na vidhte kohë dhe ka ndezur të gjithë qirinjtë. Kisha llamburit duke nxjerrë në pah një mjedis të frikshëm. Janë qirinj të gjatësive të ndryshme dhe një pisllëk, që nuk e gjen dot as në kapitujt shpotitës të gjirizive të Hygoit tek “Të Mjerët”. I ngjan më shumë një vendi të mirë të harruar, sesa një kishe. “Kujdestarët”, që “e duan” kishën, i ndezin qirinjtë buzë murit dhe ndaj ai ka marrë një të nxirë të frikshme. Një Ungjill, që daton i shtypur në kohën e Zogut, ka pasur fatin “të digjet”, kurse rrecka pa fund përbëjnë gjithçka. Tentoj të marr Ungjillin (të paktën ta ruaj), por në fund stepem. Kisha ka një mur, që duket se nuk është punuar mirë dhe ai e rrethon në drejtim të detit. Por kisha vetë ngjan shumë e braktisur. Sipër një hyrje gjendet ende një afresk, që i ka shpëtuar specialistëve. Në anën perëndimore ndodhet narteksi. Kisha ka tre hyrje: nga perëndimi, nga jugu e veriu. Edhe dyshemeja e kishës ka formën e “kryqit”. Gurët e qemerëve e të qosheve janë të skuadruara dhe në lexime kam kapur hamendësime se ato janë marrë nga ndërtesat antike të Orikut. Arkeologu austriak, K.Patsch, që e vizitoi këtë kishë në vitin 1904, shprehet: ‘Kemi të bëjmë me qendrën epishkopate ‘Gllavinica’”. Materiali i ndërtimit për kishën e Marmiroit që ndodhet më në jug, si edhe për vetë faltoren që ndodhet në kodër duhet të jenë sjellë nga Paleokastro, shpjegon austriaku. Kisha është një dëshmi e rënies së krishterimit në Sanxhak, për sundimin e të cilit flasin shumë gërmadha kishash, nga të cilat një pjesë i kemi përmendur dhe një pjesë do t’i ndeshim në të ardhmen. Lëvizja e ndërrimit të besimit fetar vazhdon akoma në rrethin e Akroqeronës.
Në fakt, ka hasur një banor kriptokristian, që i ka treguar dhe fenomenin, që banorët ende mbanin dhe emrin kristian, veç atij mysliman. Por duhet të largohemi, sepse ky vend në këtë djerrinë ruan dhe objekte të tjera. Sërish jemi off-road, pa banorë dhe në peisazh disa kuaj.
Të tjera
Në këmbët e malit të Karaburunit, pranë Marmiroit mbi përroin e Gjinarës, gjendet ujësjellësi i Ferunit. Eshtë ndërtuar nga muratorët e fshatit Dukat më 1888. Kanali rrjedhës është i hapur dhe është ndërtuar me tre harqe gjysmërrethore. Gjatësia e kanalit është 2 kilometra dhe gjerësia është 50 centimetra. Harku qendror me një rreze prej 5.7 metra, është ndërtuar me pllaka gëlqerorësh. Në dy balloret e harkut qendror ruhen ende ganxha metalike që shërbenin për të ngjitur gurët. Rrjedha dhe harqet janë ndërtuar me pllaka guri të latuar. Bazamenti i rrjedhës është bërë me gurë të rrumbullakët nga shtrati i lumit aty pranë. Lartësia më e madhe e ujësjellësit është 5.6 metra. Faltorja në kodër është në shkatërrim e sipër dhe në brendësinë e saj ngrihet që prej 12 vitesh një kapelë e quajtur Kapelë e Shën Gjergjit, shkruhet në literaturën turistike të vendit.
Por edhe vetë ajo është pa çati dhe pa dysheme. Ky vend duhet të ketë qenë me rëndësi në antikitet, fragmente gurësh të punuar dhe fragmente tullash dolën këtu nga terreni. Pak hapa nga kapela ndodhet në kodër një shtëpi e vogël, e cila në kohë karantinë banohet nga mjeku dhe ndonjëherë përdoret si kazermë.
Rrethi i Akrokeraunës
Në këto rrugë, kur sorrollatemi kot dhe mundohemi t’i hamendësojmë të gjitha kemi mundësi të kujtojmë. Njeriu, udhëtimin e të cilit kemi shfrytëzuar 100 vjet më parë, udhëtonte në të njëjtin vend. Karl Patch shprehet se me qëllim që të mos rrezikonim materialet e grumbulluara, grupi ynë u nis më 3 maj 1904 me blloqe shënimesh e skicash të reja drejt bregut lindor të gjirit plot gjallëri të Vlorës, drejt Pashalimanit.
Në vend të Saliut, çapkën të shkathët, me grupin tonë u bashkua një shërbyes i familjes Vlora. Masa e kujdesisë për të vendosur në vend të sigurt pjesë-pjesë materialin e grumbulluar, është shumë e këshillueshme në Shqipëri për të mos ndodhur ashtu si ndodhi me Dr.Baldaccin, të cilit para se të hipte në anije në Shëngjin iu konfiskuan të gjitha blloqet e shënimeve dhe ditaret. Që nga skela, rruga shpie përmes një plazhi të gjerë: këtu lemë mënjanë në të djathtë farin tek e dala e hundës së Ferrit dhe për treçerek ore arrin në Ujë të Ftohtë.
Rreth 1.2 kilometra më në jug, në një gadishull të vogël shkëmbor që bie i thepisur mbi det, ndodhet kalaja e ndërtuar në këtë rrafsh të vogël rreth 25 vjet më parë...
Rruga ngjitet lart, herë duke u ngushtuar, herë duke u zgjeruar; ndonjëherë bëjmë pushim për t’u hapur rrugë kafshëve të ngarkuara me dru ose me qereste që shkojnë në Pazarin e Vlorës. Një gjysmë ore rrugë dhe më në jug të kalasë në breg të detit duken gërmadhat e kishës së Shën Onufrit. Më tutje shfaqet kisha e Shën Kollit në shkatërrim e sipër.
Në rrëzë të malit duket fshati Rradhimë me 60 shtëpi myslimanësh, të cilin e lemë mënjanë. Për një kohë ecim bregut dhe kalojmë në va lumin e vogël Izvor, të pasur me peshk e që derdhet në gjirin e Vlorës.
Ishte mbrëmje e freskët dhe ne po përgatiteshim të strehoheshim në një shtëpi të braktisur për të kaluar natën, kur një përshëndetje e përzemërt na bëri të linim mënjanë çantat dhe kutitë e blloqeve e shënimeve dhe skicave. Ky ishte Otto Vieveg nga Meining. Një rreze drite në vend të huaj...
Zoti Vieveg fliste plot energji për qëllimet e tij. Ai bashkë me zotin Eftimiadhi kishin blerë nga Dukati pyllin e Valtos të vendosur nën bregun jugor të Gjolit të Dukatit, kishin prerë pemët dhe kishin hapur kanale për transportimin e trungjeve në pyll dhe gjatë ultësirës. Trungje pemësh shtriheshin në breg të detit, prisnin lejen e qeverisë për t’i transportuar në Itali, Marseille etj... Pastaj do t’u vinte radha pasurive pyjore të vargut të Karaburunit. Ai ishte i pasur në lisa, vidhe, frashër, dafinë dhe fiq të egër...
Kthim te banorët
Kriptokristianët, Patch i identifikon me një nga banorët, që është bari. Musa Jorgaqi, që më vonë na dha strehim në Shën Dre, pak kohë më parë quhej Zaharia... Ndërsa banorët e sotëm nuk dihet se çfarë kriptosh janë. Kulluri, që na ka bërë një histori blic të fshatit, duket se nuk është shumë fetar. Por, kishën e respektojnë dhe shkojnë të gjithë?! Pavarësisht se ajo që kam parë me zhgënjen pa fund. Pak kohë më parë, më tregon se duhet të ikë dhe se këtu i ka marrë dreqi të gjitha. Kjo është e vetmja gjë e vërtetë që ia vlen të dëgjoj prej tij. Ka dy lopë dhe gjashtë fëmijë. Të gjithë në punë të tyre. Më të fatit në emigracion. Ai vetë ka mbjellë foragjere për lopën dhe pak gjëra të tjera, në mënyrë që të mbijetojë. Por, është më shumë sesa i mbijetuar. Kjo zonë dikur ka qenë kooperativë e tipit të ulët, ndërsa tash jetojnë dhe bëjnë jetën e tyre.
...
E kam lemë dhe nga një tregim i një fshatari, që ecën mbi një mushkë nisemi për Nekropolin e qytetit antik, që për fat, sipas fjalëve të tij duhet të jetë jashtë. Por asnjë shenjë e tillë. Pas një ecje gati njëorëshe, rrugë e pa rrugë, mbërrijmë në buzë të gjolit, ku disa platforma na tregojnë se këtu mund të jetë ajo që kërkojmë...: varret e vjetra të Orikut. Kaq asgjë më shumë. Orikumi dhe gjiri i Vlorës u bënë dikur një nga pikat më të rëndësishme të zbarkimit për trupat e Çezarit që mbërritën këtu nga Brindizi. Madje, besohet se ka anije të fundosura të Çezarit. Në fakt, kjo pak rëndësi. Askush nuk kujtohet për to. Edhe pse monumentet natyrore që ndodhen në zonën përreth Orikumit përbëjnë dhe pjesën më madhe të monumenteve natyrore të gjithë Vlorës... Ato zbresin që nga pisha Flamur në Qafën e Llogorait dhe duke vazhduar me Rrepet e Tragjasit, me shpellat më tutje dhe me zogjtë e panumërt, që shtegtojnë ngado...Varret që gjejmë janë zhgënjyese. Të lënë në mëshirën e fatit dhe pa asnjë pikë referimi. Made in Albania.
Shikohemi me sy me Krenarin. Po për çfarë turizmi flitet këtu?! Për çfarë, kur askush nuk kujdeset që ta bëjë të njohur këtë në Shqipëri. Në fakt, çfarë mund të presësh më shumë nga Zoti. Këtë nuk ia kërkojmë dot një Ministrie, që veç kulturës i kanë shtuar dhe atributet e turizmit. Mendojmë rrugën e kthimit, duke ecur nën hijen e pushtetit të Akrokeraunëve. Në atë orë dhe bariu Kulluri ka lënë punën dhe i drejtohet shtëpisë, kurse ne nxitojmë që nata mos të na zërë nën Akrokeraune. Eshtë dimër i vitit 2007. Natyra prehet nën virgjërinë e pamundësisë.