Mendime
Kur do të regjistrohet popullsia në Shqipëri?
E marte, 12.06.2007, 07:57 PM
Nga Ardian Ndreca
Ardian Ndreca |
Ku ka ma mirë se të jetosh, aq mâ shumë në paqë – e kur bahet fjalë për myslimanë – nji amerikan teokon si Bushi që zakonisht mendon për hezbollahet, pasdaranët, talebanët, fanatikët, kamikazët... për ata që tue mos pasë kurrgja çka me humbë mbjellin terror kryesisht ndër myslimanë e kajherë edhe ndër të tjerë – jeta në paqë asht shumë domethanëse.
E keqja asht se Bushi na ka ba të gjithëve myslimanë ose ka tregue se prej naltësive të Airforce One sheh me vemendje veç myslimanët, pale a po jetojnë në paqë apo në luftë.
Nuk mund ta kritikojmë, pse siç thotë populli: shkon gjuha ku dhemb dhambi, e nga ana tjetër presidenti i SHBA-së nuk mund ta njohin patjetër historinë e gjithë popujve të botës. Mandej Bushi nuk ka ndonji familjaritet të madh me shkencat historike, prej të cilave edhe ai mund të mësonte gjana shumë interesante.
Atij ashtu i kanë thanë e ai ashtu ka folë. Nga ana tjetër edhe gazetari shqiptar dukej mâ se i përshtatshëm me intervistue Bushin, mbasi për të dy historia e vendit tonë ishte mjaft e panjohun.
Ajo që në të gjithë shtypin shqiptar të len pa mend asht fakti se vijon të thohet se ne shqiptarët jemi 70% myslimanë, 20% ortodoks dhe 10% katolikë.
Po ateistat ku janë? Po ata që s’e kanë vra mendjen kurrë nëse ekziston nji Zot, po ata që edhe tue qenë «myslimanë» apo të «krishtenë» shkruejnë fjalën «zot» me shkronja të vogla.
Për nji monoteist që njeh dallimin mes emnave të përgjithshëm e të përveçëm asht nji gabim i randë me shkrue «zot» kur bahet fjalë për Krijuesin, i cili asht i Përveçmi par excellence.
Disa dekada komunizëm ateist e mbas tij shekullarizimi i vazhdueshëm i shoqnisë shqiptarë e kanë ndryshue ekuilibrin e feve në Shqipni. Nemos tjetër shohim sekte fetare të reja, besime të reja, shohim indiferencë ndaj fesë – e të gjithë këta shqiptarë ku përfaqsohen kur jepen përqindjet: 70-20-10?
Ende vijojmë me u paraqitë para botës me të dhana të paraluftës, e lufta ka do kohë që ka mbarue.
Kemi përditësue të dhanat që i përkasin moshës mesatare, rrugëve të shtrueme, sipërfaqes së pyjeve, ujnave të mbrendshme, pashallarëve që sundojnë – por kur bahet fjalë për besimin s’kemi pasë guxim me shikue vetveten e me thanë se çfare feje kemi, sa e gjejmë vetveten te xhamia apo te kisha, me nji fjalë a besojmë tek ai Zot që na paraqesin klerikët tanë në përgjithsi?
Në kohën e komunizmit, në qytetin tem ndodhej i vetmi Muzeum i Ateizmit, ku ekspozoheshin kryesisht materiale që kishin të banin me Kishën katolike.
Në stendat modeste kishte pjata porcelani dhe gota kristali, piruj dhe thika, libra dhe qarkore kundër komunizmit, mandej kishte statuja, simulakre shenjtënsh, armë të ftohta dhe zjarri, shishe të vogla me helm për me helmue brrakat dhe ujësjellësat e Shqipërisë socialiste, kishte fugure, veladona e gjana të tjera të rrezikshme për revolucionin proletar, që me sa duhej s’ua kishin gjetë të tjerëve.
Gjithçka ishte qesharake, pse në të vërtetë në asnji muzeum nuk mund të ekspozohen idetë, dhe ishin pikërisht idetë ato që rrezikonin regjimin komunist dhe jo pjatat e porcelanit apo shenjtnit prej allçie.
Pra, gjatë viteve të komunizmit gjanat nuk kanë mbetë ashtu siç ishin në vitin 1939 apo në vitin 1944.
Sot për me pasë nji ide sadopak reale mjafton me pa sesa vetë, sidomos të rinj, frekuentojnë objektet e kultit.
Njeriu thjesht për faktin që quhet Refik, apo Jani apo Rrok – nuk i përket automatikisht nji feje. Duhet me e pyet Refikun, Janin, Rrokun se cilës fe i përket e mandej me përditësue të dhanat.
Nji tjetër e metë e përqindjes 70-20-10 asht se tek ai 70% kemi thjesht myslimanë.
Por ne e dijmë dhe vetë politika e Shqipnisë e ka pasë gjithnji parasysh se myslimanët në vendin tonë janë sunit dhe bektashinj, dhe se këto të fundit – ashtu si sunitët - përbajnë nji bashkësi të madhe, të nderueme, patriotike që meriton vizibilitet edhe në përqindjet që jepen.
Komunizmi u përpoq ta zgjidhte problemin e fesë me ligje popullore demokratike – tue vendosë me e nxjerrë Zotin përjashta prej Shqipnijet. Kjo gja nuk pati shumë sukses, pse Zoti u struk në zemrat e njerzve, kajherë edhe të atyne që e mohonin me gojë, mbasi ishin të detyruem për nji kafshatë bukë, e cila u shërbeu me mbërrijt gjallë deri në agimin e lirisë.
Po sot, që në vendin tonë kemi nji demokraci të vërtetë, pse nuk e regjistrojmë popullsinë e me ketë rast shohim se cilat janë përqindjet, pse ndoshta presidenti Bush mund të ketë të drejtë por gazetari shqiptar kurrsesi jo, pse o ka probleme me anglishten ose me historinë.
Para pak vitesh qytetarët shqiptarë u pajisën me pasaporta të reja – të cilat për nga standardet barabiten me ato të Bregut të Fildishtë apo të Republikës së Kiribatit.
Mâ në fund po flitet për letërnjoftime dhe për pasaporta të reja që do të plotësonin mâ së miri standardet ndërkombtare. Tue qenë se administrata shqiptare nuk gëzon nji famë të veçantë për luftën ndaj korrupsionit, pse të mos përfitojmë me regjistrue popullsinë e me ketë rast standardet e dokumenteve shqiptare do të ishin mâ të nalta e do të njiheshin mâ lehtë dhe mâ gjansisht prej shteteve të hueja!
Do të shmangeshin me ketë rast edhe shumë keqkuptime, siç asht ai i përqindjeve të ngrime 70-20-10 dhe do të spjegoheshin shumë fenomene të reja shoqnore.
Do të ishte nji e mirë e madhe me e njohtë vetveten ashtu siç jemi realisht, me anën e shkencës së numrave dhe të jo të numraxhinjve spekullatorë.
Komentoni