Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Euforia e mos-humbjes

| E merkure, 07.10.2009, 10:47 AM |


Euforia e mos-humbjes

Nga Besnik Dizdari

... Sepse ka barazim, por dhe mos-humbje. Barazimi vlen më shumë se mos-humbja. Ndonëse grafikisht të dy kanë të njëjtën pamje. Dy numra të barabartë me një vijë në mes: 1-1! Për shembull, 0-0 i Shqipëri – Gjermani në vitin shqiptar oruellian 1967 nuk ka qenë një mos-humbje, por një barazim i mirëfilltë. Madje për kah fama e rezultatit, qe konsideruar thuajse si një fitore. U eliminua nga Kampionati Europian në të mirë të Jugosllavi së së Titos, Gjermania e Helmuth Shön-it…

Kombëtarja e Shqipërisë, në të vërtetë, ka disa barazime kësisoji, por dhe jopak mos-humbje. Barazim ka qenë edhe 1-1 i Irlandës së Veriut në Tiranën e vitit 1965, sepse po ashtu, edhe ky barazim shkaktoi eliminimin nga Kampionati Botëror të një prej formacioneve më angleze që ka pasë ndonjëherë Irlanda e Veriut. Ajo nuk ishte e sotmja, sepse asokohe përbëhej prej një bërthame të Manchester United me në krye George Best – ndoshta lojtari më i mirë i botës për periudhën – për të cilin sot e kësaj dite e kam të vështirë të përcaktoj se kush ia ndali vrullin: Shllaku, Frashëri apo Halili?

Shqipëria ka edhe barazimin zâmadh 2-2 në Mielec të Polonisë së Boniekut më 1984. Tash së fundi Shqipëria ka edhe barazimin 2-2 në Kiev me Ukrainën, që po aq është një barazim, jo një mos-humbje. Shqipëria ka edhe barazimin 1-1 me Bullgarinë e Stoichkov më 1995, mû në çastin kur ky formacion i shkëlqyeshëm ballkanik ishte midis katër më të mirëve të botës. Mandej, Shqipëria ka edhe barazimin 2-2 në Oslo të Norvegjisë, që jo vetëm nuk ishte një mos-humbje, por ishte një lloj barazimi historik që i përngjante jopak fitores. Për çudi, më duket barazim edhe 1-1 me Zvicrën e fortë të çastit, mbërritur në Tiranë më 2002, ndeshja e parë me një trajner të huaj, italiani Giuseppe Dossena, ngaqë skuadra shqiptare qe thjesht në hapin e parë europianizues të saj. Por edhe 0-0 me Irlandën e fuqishme në Tiranë më 2003, vetëm katër ditë mbas fitores së bujshme 3-1 me Rusinë në Shkodër, premierat e Hans Peter Briegel, të cilin nuk mbeti gazetë në Shqipëri pa e kritikuar pa mëshirë (përjashto autorin e këtushëm); e tash ec e gjeji rezultatet e tij!

Nuk mund të harroj as barazimin e fuqishëm 0-0 në Sofje – vepër e Otto Baric, më 2007, që merret me mend se nuk është një mos-humbje. Dhe duke i qëndruar pranë aktualitetit veçoj 0-0 në Braga të Portugalisë më 15 tetor 2008, episod i rrallë që gjithashtu kurrsesi nuk mund t’i them mos-humbje, por barazim, një barazim i madh madje, kryevepra e vetme e trajnerit Arie Haan, si një sfidë ndaj lojtarit më të mirë të botës, Cristiano Ronaldos

Mirëpo, Shqipëria ka dhe një radhë mos-humbjesh, grafikisht barazime edhe këto, por që anojnë më tepër nga mos-humbja. Mund të numëroj disa të këtillë: Shqipëria – Greqia 1-1 më 1986, Shqipëria – Letonia 1-1 në ’94, Letonia – Shqipëria 0-0 në ’94, Shqipëria – Armenia 1-1 në ’98 - të gjitha ndeshje të Kupës së Botës. Mund të numëroj ndërkaq, edhe këto të tjerat: Shqipëria – Polonia 1-1 më 1971, Shqipëria – Irlanda e Veriut 0-0 në 84’, Shqipëria – Turqia 1-1 në ‘84, Shqipëria – Greqia 0-0 në ’98, Letonia – Shqipëria 0-0 në ‘99, Shqipëria – Letonia 3-3 në ’99, Shqipëria – Sllovenia 0-0 në 2007, Shqipëria – Bullgaria 1-1 në 2007 - të gjitha këto ndeshje të Kampionatit Europian…

XXX

1-1 i javës që shkoi me Danimarkën, kryesuesen e Grupit 1 të Afrika 2010, për një çast të duket të jetë një barazim mirëfilli, jo një mos-humbje. Mirëpo, diçka e mbrendshme, ndoshta një lloj trysnie që më bën historia, më shtyn ta përfshij edhe këte barazim më tepër te mos-humbjet. Jo thjesht ngaqë në tanësi ndeshja nuk qe nivel i lartë europian, por ndoshta më tepër nga që po shoh një eufori të papranueshme për këte barazim (kaq të dobët e paskan ditur Kombëtaren e Shqipërisë?), një gëzim të pamatë, të zgjatur, naiv, aty-këtu deri i papërmbajtshëm.

Menjëherë mbas ndeshjes, duke u kthyer për në shtëpi, andej rreth orës 23.00 të së mërkurës që shkoi, teksa përjetoja zhurmën e Rrugës së Elbasanit në gjysmëerrësirë, e mora përdore biçikletën time dhe u mundova të bëj një “hetim’ të shpejtë me gjimnazistë – tifozë kryeqytetas të mveshur me flamurin kombëtar mbi supe, të cilët pyetjes se si iu ishte dukur ndeshja, mu përgjigjen thuajse të gjitha shkurt: “Jo keq, një farë soj”; si dhe: “rëndësi ka që nuk humbëm”.

Isha sinkronizuar edhe unë me mendimin e kësaj rinie sportdashëse që nuk e hiqte assesi flamurin prej supeve. E pra, nuk e kuptoj se përse në ndeshjen me Danimarkën qenka pritur humbja dhe na paska çuditur kaq shumë barazimi, që për mendimin tonë i takon të hyjë në arkivin ku janë vendosur ato, mos-humbjet.

Mos kanë mbërritur punët që fusha shqiptare, dikur tejet e vështirë edhe për më të fortët e kontinentit, sot të jetë shndërruar në diçka krejt të lehtë? Deri aty saqë kur barazojmë 1-1 me Danimarkën, e cila edhe pse është kryesuese e Grupit 1 europian të Afrika 2010, e pakta ka mbi 10 Kombëtare shtetesh të tjera europiane që ia kalojnë në cilësi e traditë, në zhvillim teknik të futbollit e në forcë shpërthyese të tij, në gjakim futbollistik e pse jo, edhe në histori?

Të pushton kjo retorikë, teksa kujton këto humbje që kemi pësuar në Tiranë kohët e fundit: Portugalia 1-2, Hungaria 0-1, Bjellorusia 2-4, Holanda 0-1, Rumania 0-2, Turqia 0-1, Ukraina 0-2, Danimarka 0-2. Përjashto zhgënjimin e humbjes me Bjellorusinë dhe atë të falur me Turqinë, të gjitha të tjerat janë humbje të mbaslojërave të forta, gati të barabarta me kundërshtarët, të një niveli futbollistik europian madje, ndoshta edhe më të lartë se mos-humbja apo barazimi i së mërkurës që shkoi me Danimarkën. Ndoshta këto ndeshje, të cilat me pak fat, me pak guxim më tepër, me pak personalitet më të fuqishëm, mund të ishin shndërruar në barazime, që jo vetëm nuk do të ishin mos-humbje, por gati-gati barazime me vlerë fitoreje, pa shkuar ndërkaq te pikët që mund të fitoheshin, do t’i dhuronin Shqipërisë fate të tjera renditjesh e fuqizimi të Kombëtares së saj. Kësisoji, mundet që ngjarjet dhe ecuritë e këtyre ndeshjeve e kanë mposhtur opinionin (më saktë një pjesë të opinionit, ndoshta atij ndër gazeta, TV e në FSHF), që kur barazon 1-1 me një ndeshje krejt normale, pa vlera të fort të mëdha si kjo me Danimarkën, t’i dorëzohen një gëzimi kaq të pamatë sa të shndërrohet në eufori mos-humbjesh!

E pra, çka ishte në thelb Shqipëria – Danimarka 1-1?

Epërsi e plotë taktike dhe teknike në 45 minutat e para e danezëve, tre raste të pastra të tyre, dhe goli që për çudi nuk mbërrin prej kësaj epërsie, por thjesht prej një mosmarrëveshjeje tipike naiviteti shqiptar (jo vetëm futbollistik) midis mbrojtjes dhe portierit 21-vjeçar Ujkani, ndonëse në mbrojtje ne kemi një yll deri të Sunderland të Anglisë, i cili është i çmueshmi Lorik Cana!? Kur nis pjesa e dytë, papritmas, mbas një zëvendësimi befasues E.Beqiri – Hyka, ritmika e Shqipërisë ndërron si me urdhër. A i duhet mveshë kjo kthesë pranisë së 21-vjeçarit të Mainz-it të Gjermanisë, Hykës së ri, apo diçkaje tjetër? Nuk e di. Di vetëm se barazimi mbërrin shpejt në të 51’, mbas një pesëminutëshi kthese të vërtetë. Them se janë ndër minutat të rralla që kemi pa në Stadiumin Kombëtar. Zbritja e golit është disi e një stili holandez: rrufe e tanë, zhurma e fuqishme e së cilës kulmon me golin e Bogdanit – në të vërtetë e gjitha vepër e Hamdi Salihit: një kalim sakrifice për te shtatlarti ynë, dhe këmba e tij e zgjatur, e fuqishme, e pagabueshme dhe 1-1! Goli i 11-të i Erionit në 52 ndeshje.

Për disa çaste të dukej se nuk do të ndalonte këtu. Danezët tronditen dhe Shqipëria duket se kërkon fitoren teksa nuk i ndal sulmet. Ajo është për gati 20 minuta aty, para portës dhe zonës së Sorensenit, por mbas pak gjithçka ndalon edhe kjo si tjetra: si me urdhër! Tash danezët mbushen me frymë dhe baraspeshojnë gjithçka, madje krijojnë edhe një herë e pakta dy raste të pastra. Shqipëria hesht ndërkaq. Fotografia e ndeshjes tash paraqet pamjen jo të një barazimi mirëfilli, por të një mos-humbje të pastër. Me një fjalë, papritmas etja për fitore shuhet. Shqipëria kërkon thjesht të ruajë barazimin, t’i gëzohet mos-humbjes. Ndeshja për gati 20 minuta të fundit nuk ka histori. Eshtë 1-1. Barazim Shqipëria me Danimarkën kryesuese e Grupit 1 europian të Kupës së Botës 2010. Dhe vetëm kaq. Skuadra për çudi merr duartrokitjet si për një fitore. (Vërtet, kaq të dobët e paskan ditur Kombëtaren e Shqipërisë?...)

XXX

Shqipëria kishte plot 7 muaj pa shijuar 1 pikë të Kupës së Botës: 11 shkurt 2009, La Valletta: Malta – Shqipëria 0-0. Mbi 200 ditë. Shumë. Aq më tepër kur kujton se mbas barazimit maltez erdhën dy humbjet 0-2 me Hungarinë në Tiranë dhe 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen që shkarkuan trajnerin Arie Haan dhe që sollën në krye të Kombëtares shqiptare kroatin, jo aq të mirënjohur, Josip Kuže. Dhe ky 1-1 me Danimarkën. Për kah cilësia fitorja 6-1 me Qipron me gjithë peripecitë e rrjedhës së fatit (tre 11-metërsha mirësie turke), nuk paska qenë diçka spontane. Ndonëse përballë dy kundërshtarëve të ndryshëm për kah niveli, e po kaq edhe përballë dy ndeshjeve në skaj të njëra tjetrës për kah rangu i tyre, Shqipëria qe pothuajse e njëjtë në disa tregues: në ritmin, në elasticitetin mbrojtje-sulm, në seriozitetin e synimit, e pse jo, edhe krijuese çastesh gazmêndi në stadium. Dallku e Agolli tejet interesantë në mbështetjen e sulmit. Ndërsa Cana hap mbas hapi mund të bëhet shtyllë e mbrojtjes (por a ia vlen ta përdorësh për mbrojtjen artin dhe forcën e tij të spikatun të shumanshme?), papritmas u përvijue dyshja “e re” e sulmit, ajo Salihi – Bogdani. Dhe Shqipëria e cila e mbylli ndeshjen duke patur në 11-sh katër djem 21-vjeçarë: Ujkani, Hyka, Vila, Lika! Kjo po, përbën padyshim faktin më të rëndësishëm të kësaj ndeshjeje. Sidomos kur kujton se treshja jonë “e shêjtë”, ajo Skela - Duro - Bogdani mban mbi supe plot 97 vjet moshë, ndryshe mesatarisht 32 vjet për secilin. Ndonëse nuk besoj se këta tre musketierë do t’i lëshojnë shpejt armët…

E me të gjitha këto, them se ky barazim më tepër është një mos-humbje, ka vlerën e mendimit të gjimnazistëve të Rrugës së Elbasanit: “Jo keq, një farë soj… rëndësi ka që nuk humbëm”.

Gjithmonë mos-humbja ndryshon nga barazimi atëherë kur, ndonëse ndeshja grafikisht ka të njëjtën pamje (1-1, 0-0, 2-2), barazimi shquhet për kërkimin deri në fund të fitores, çka Kombëtarja nuk e bëri. Ia kishte ânda barazimin “grafik” edhe asaj. Çka tregon për një besim ende jo aq të fortë për të synuar larg, më larg, në fund të fundit, për të shfrytëzuar deri në fund epërsinë e fushës tënde, sidomos kur është fjala për Danimarkën, e cila nuk është as Angli, as Francë, as Spanjë, as Itali, as Gjermani e as Holandë. Apo ndoshta as Rusi e Serbi, e mundet as edhe Portugali e Suedi, pavarësisht nga fakti se kjo është Danimarka, e cila kryeson fuqishëm Grupin 1 europian të Kupës së Botës 2010. E ka vënë në fuqi futbollin profesionist vetëm andej nga mesi i viteve ’70…

E kundërta e gjithë këtij mendimi që del nga ajo që ne nuk e pranuam si barazim mirëfilli, por mos-humbje, është kujtesa që na thotë se Shqipëria nuk është fuqi futbolli në Europë. Ajo është një gjakuese (pasionante) e vërtetë e futbollit në Europë, e, me gjithë popullsinë e vogël dhe zhvillimin shkallë – shkallë shoqëror-ekonomik, ndër vite ia ka arritur të formojë disa futbollistë të rangut europian, të mëparshmit pa shumë fat për shkaqe të diktaturës komuniste, të tjerët me shumë fat për shkaqe të sistemit të demokracisë. Kësisoji, 1-1 me Danimarkën është një rezultat normal. Dhe nëse në përmbajtje, në psikologjinë e tij, në vlerën e zhvillimit të futbollit ai i përngjan më shumë mos-humbjes se sa barazimit, kjo ka të bëjë me të gjitha ato që parashtruam në këte shkrim të pranueshëm për ne apo ndoshta të papranueshëm për shumë mendje futbolli, një zgjedhje e lirë kjo. Ajo që ne në gazetari e kemi fé është sentenca që thotë: “Faktet janë të shêjta, komentet të janë të lira”. Kam përshtypjen se në rastin e dhënë faktet e këtushme në mos të shêjta, të paktën i kemi kryefortë.

Me 7 pikët e saj në 9 ndeshje Shqipëria ndodhet në situatën më të ulët të katër edicioneve të fundit të saj, e drejtuar me trajnerë të huaj, ku për hir të së vërtetës në tanësi, ajo ka bërë një kthesë të dukshme, mbi të gjitha në përmbajtjen dhe cilësinë e ndeshjeve. Mirëpo, i duhet të mos kënaqet me mos-humbjet. Qoftë edhe në këte edicion të kualifikimeve europiane, ku bie fjala, vërejmë se Letonia ka 14 pikë, Izraeli 12, Uellsi 9, Biellorusia 10, Lituania 9, Maqedonia 7. Këto sa për të kujtuar se disa të përafërt me ne janë më mirë se ne. Ndonëse ka edhe Kazakistan me 6 pikë, Qipro me 6, Luksemburg me 5, Estoni me 5, deri dhe Lihtenshtejn me 2 pikë.

Kombëtarja e sotme e Shqipërisë nuk është më ajo e varfër e një kohe. Kam kohë që kërkoj të mësoj me imtësi se sa i kushton ajo Federatës Shqiptare të Futbollit dhe nuk arrij ta mësoj. Federata Shqiptare e Futbollit nuk është më e varfër. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të zhvillimit social, ekonomik dhe gjeopolitik edhe për Kombëtaren e Shqipërisë. Ndërsa 7 pikë në 9 ndeshje është rënia e vetme e Kombëtares së saj në këto katër edicioneve të fundit, kur ajo ndërkombëtarizoi dhe modernizoi drejtimin teknik të saj.

I duhet të luftojë euforinë e mos-humbjes.
Tema