E shtune, 21.12.2024, 11:54 AM (GMT)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Ismail Kadare, Vlerë Kombëtare e ndërkombëtare

E diele, 04.10.2009, 07:00 PM


ISMAIL KADARE,
VLERË KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE

Nga Fotaq Andrea
 
Ismail Kadare, me Veprën e tij është sot mbret i letërsisë shqiptare në botë, gjeni i letrave shqipe që ka përcjellë në arenën ndërkombëtare vlerat më të mira historike të kombit tonë dhe që ka mbrojtur me pathos e shqiptari çështjen kosovare.
 
Se kush është vlera kombëtare e ndërkombëtare "Kadare", po e ftoj lexuesin e interesuar të lëçisë, këtu poshtë, penat e arta franceze që kanë shkruar për të, dhe po e lë të notojë i qetë, pa komplekse, në oqeanin "Kadaria" të shkrimtarit të mirënjohur francez Erik Faye. Por nuk mund të lë pa theksuar mbi të gjitha fjalët e arta të Moris Dryonit, ish Sekretarit të Përhershëm të Akademisë Franceze se “Kadare është një ndërgjegje".
 
Më kujtohet në fillim të viteve '70 në rrugët e Parisit se si një student maghrebin, duke iu mburrur franceskës së vet para një vitrine librarie, tek sheh një libër të Kadaresë në vendin e nderit, i mburret e i thotë: "Kadar, shih çfarë shkrimtari të madh kemi ne!" Dhe që atëherë, shkrimtari do t'i vinte theksin e-së së shqipes për t'u lexuar edhe në frëngjisht mbiemri i saktë. Në po ato vite, në një tekst antologjie shkollore (të kolegjit francez) për moshat 13-14 vjeçare, do të botohej vjersha e tij "Qeleshja" dhe nuk kishte kënaqësi më të madhe për ne kur nxënësit na pyesnin se çfarë konkretisht qenkësh kjo kéléché shqiptare vërvitur ujrave të një përroi malor që rendte si kalë frerëlëshuar.
 
Më kujtohet po ashtu se si në Spitalin Ushtarak të Tiranës, librat e tij ishin ndër më të parapëlqyerit, mbanin erë ilaç dhe qenë vetë ilaçi shpirtëror i të sëmurëve.  Një kanceroz nga një familje tradicionale tiranase, që ishte i ndërgjegjshëm se shpejt do ndahej nga jeta, edhe pse vuante nga plaga në mushkri, nuk e hiqte nga dora "Kush e solli Doruntinën", m'u lut madje t'i tregoja përfundimin se nuk po ndihej mirë. Te nesërmen, ndërroi jetë.
 
Nuk mund të mos rri pa përmendur faktin që vite me radhë, Kadare ishte Kryeredaktori i revistës Les Lettres Albanaises, që përcillte në botë vlerat më të mira historike të letërsisë sonë. Dhe Kadare i mëshonte fort traditës historike të letërsisë shqiptare, duke bërë kështu të njohur vlerat e krejt plejadës së shkrimtarëve tanë historikë, nga Budi e Bogdani gjer te Migjeni e Poradeci.

Me çmimet e shumta ndërkombëtare, me libra të tërë kritikë nga autorë të huaj që i kushtohen veprës së tij, me famën kombëtare e ndërkombëtare që gëzon, Kadare, de facto, e ka marrë tashmë, moralisht, çmimin Nobël.
 
Kushdo që është mirënjohës dhe dashamirës i veprës së tij është po ashtu në të drejtën e tij të plotë për të thënë veç një fjalë : "Ju falemi me nder shqiptari e me dorë në zemër, Z. Kadare!"
 
KADARE NËN PENËN E ARTË TË AUTORËVE FRANCEZË
 
Marrë nga Antologjia e ilustruar :
Fotaq Andrea, Pena të arta franceze për shqiptarët
(1332-2007)
 
Robert ESKARPIT  
 
Robert Eskarpit (1918-2000), shkrimtar i njohur, gazetar, sociolog e historian, bashkthemelues i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, Kalorës i Legjionit të Nderit, specialist i etërsisë angleze dhe autor i rreth 50 veprave, kryesisht ese letrare, sociologjike e romane. 
 
NJË SHQIPTAR PËRMBAN GJITHË SHQIPËRINË
 
Çdo vend ka të paktën dy fytyra, atë të legjendës dhe atë të vërtetësisë. Shqipëria ka fytyrën që i japin sytë që e vështrojnë, por kjo fytyrë është përherë edhe vërtetësi, edhe legjendë. Jep përherë pak më tepër, shumë më tepër se ç’i kërkohet.
Vendosni pushtimin në vështrimin tuaj dhe do të keni luftën e pamëshirshme. Vendosni në të ngrohtësi dhe do të keni miqësinë më të pathyeshme në botë. Vendosni në të mosbesimin dhe do të keni një gardist të kuq pas çdo guri, një polic pas çdo dere, një mister të egër në kthesën e çdo rruge. Vendosni në të besimin dhe do të ketë muzikë në tarracat e kafeneve të vogla të Tiranës, do të ketë ngjyrime ëndrrash mbi qilimat e Korçës, do të ketë aroma të vjelash në rakinë e Përmetit. Vendosni në të përbuzje, fyerje, mëshirë, dhe do të ndjeni të rëndojnë mbi ju sy guri të ashpër të malësorit mustaqepërpjetë që gërryejnë faqet e tij të mendueshme, tek tërheq fort mbi cigar të vet dhe ju gjykon, ju zhvesh, ju shfryn të tërin, sikundër bën Ismail Kadarea me gjeneralin e tij eshtrambledhës.
Ai është atje që prej kohëve neolitike, kurrizmbështetur pas shkëmbit të vet, i gatshëm të qëllojë me dyfek, me ushtë, me gur mbi gjithçka që vjen nga deti apo që brenda grykave. Çdo shkëmb lind një të tillë dhe toka e thatë poshtë tyre është e mbarsur me eshtrat e ushtrive ngadhnjyese që kanë pushtuar, robëruar, torturuar, sakatuar, masakruar këtë popull, pa mundur asnjëherë ta mposhtnin e ta shkatërronin. Është një popull i ngjashëm me gjuhën e vet, më e lashtë nga ajo e heronjve të Homerit, depërtuar, njollosur nga të folmet e tërë pushtuesve të saj, por e pacënuar në strukturat e veta. Në shqip, nga dy deri në pesë numërimi bëhet sipas latinishtes së ulët, më tej sipas turqishtes, më tej sipas sllavishtes, por një thuhet gjithmonë si para tremijë vjetësh.
Dhe kjo është e mjaftueshme : një shqiptar përmban gjithë Shqipërinë. Në romanin e Ismail Kadaresë, malësori Nik Martini që hap zjarr kundër gjithë ushtrisë italiane përhapur gjatë bregut ranor, është sa i vetëm dhe i panumërt.
Varrmihësi plak Reiz, vrarë nga eshtrat e një armiku vdekur që prej njëzet vjetësh, përfaqëson në vetvete dhimbjen e pamatë dhe zemërimin e pamatë të një populli me histori tragjike.
Midis këtyre dy vdekjeve të vetmuara, gjenerali që mbledh divizionet dhe ushtritë e veta skeletike, ndjehet më i mundur nga paraardhësit e tij të luftës. Vallëzon një kuadril* të çuditshëm midis varreve së bashku me gjeneralin krahëcung të një ushtrie tjetër të vdekur, me një politikan batakçi dhe një prift të dyshimtë. Nga ky vend mesdhetar, gjatë dy vjetëve zhvarrimesh poshtë e përpjetë, ai nuk sheh veç baltërat e vjeshtës dhe borërat e dimrit. Nëpërmjet kronologjisë së ashpër e dramatike të tregimit të vet, Ismail Kadarea ia mohon atij pranverën, sikurse ia mohon buzëqeshjen. Gjithçka fillon me shiun e me borën, gjithçka mbaron me erën.
E megjithatë, buzëqeshja dhe pranvera janë përherë aty, pothuaj në çdo faqe. Buzëqeshje humori e patrazuar, që sheh te armiku i dikurshëm një shtazë të çuditshme, por pa e dërrmuar, që është madje e gatshme për t’u bërë e përzemërt, mjaft që tjetri të japë shenjën e parë, buzëqeshje tepër njerëzore, mbrujtur me guxim, ndershmëri, kujtesë të gjatë dhe durim të shkurtër.[...] Për njëzet e pesë vjetorin e çlirimit të saj, Ismail Kadare i jep lexuesve francezë një roman me përmasa botërore, gjë që tashmë është shumë, por që është edhe më shumë, një roman që është vetë zëri i Shqipërisë mijëvjeçare duke u folur njerëzve për shekullin e përtëritjes së saj.
 
Robert ESCARTPIT, 28 nëntor 1969.
 
Parathënie e romanit të Ismail Kadaresë
 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 
Botimet Albin Michel, Paris, 1970.
 
Alain BOSQUET
 
Alan Boske (1919-1998), poet i njohur, gazetar, përkthyes, shkrimtar e kritik letrar, Anëtar i Akademisë mbretërore të Gjuhës dhe Letërsisë frënge të Belgjikës dhe i Akademisë së Letrave të Kebekut, ish Kryetar i Akademisë evropiane të Poezisë në Luksemburg. 
 
SHPIRTI I SHQIPËRISË GJENDET NË POEZITË E SAJ
 
Çdo ese filozofike apo letrare është një zotim. Çdo roman apo tregim është një përzgjedhje. Çdo pjesë teatrore është një kontratë shoqërore. Si këtu, dhe atje, zotërojnë vullneti dhe njëfarë objektiviteti. Po jo e njëjta gjë mund të thuhet për poezinë : në çastin e kristalizimit, ajo rrok pavetëdijën. Poema është kësisoj një e vërtetë mbartur nga mahnitja, dhe jo nga ndonjë mendim i paraforumar. Një shpirt – për ta quajtur me emrin e vetë disi të braktisur – shfaqet përmes saj. Andaj nuk e teprojmë po të themi e rithemi këtë mendim të zakontë : shpirti i një populli gjendet në poezinë e tij, shumë më tepër nga çdo formë tjetër e artit.
Shpirti i Shqipërisë gjendet në poezitë e saj më të mira. Ky popull nuk është për ne më i njohuri, as edhe më i studjuari : jemi ende shumë larg. Për këtë vend, ne kemi njohuri ose të gabuara ose të copëzuara ose, në më të mirën e rasteve, disi abstrakte. Shpesh, – dhe këtu e ndjej veten po aq fajtor sa të tjerët – ato përmblidhen në ndoca përgjithësime, të forta, të thekshme, por pothuaj në skaj të gabimit. Na duhet ta pranojmë. Për dikur, një tokë aty, buzë Greqisë, dhe që i jepte kësaj një si tyftajë ajri të egër, qëndrueshmërie, fuqie të ashpër : por të mjaftueshme për të korrigjuar drejtpeshimin e padurueshëm helen dhe pretendimin e papërligjshëm të lumturisë së saj aq mirë të profilizuar.
Për Mesjetën, një heroizëm veshur me veprime verbuese, gjithë rreziqe të mëdha, vrasje, nga ato që kryente verbazi mbarë Evropa : nga dëshpërimi në dëshpërim, po shkohej drejt shprehjes së një individualiteti, që teksa dërrmohej, rilindte sërish. Edhe më pranë nesh : sundimi i gjatë osman, me vijimësinë e tij të mizorive e të qullepsjeve, me korrupsionin si vatër prehëse e tiranisë, gjë që i lejonte popujt e shtypur të mbijetonin nën çizme : e po mirë, të paktën kjo tirani s’pati kurrë peshën vendimtare të shfarosjes. Lashtësia, mesjeta e turbullt, turqit : kur s’ke liri, ke te paktën lirinë për të krijuar legjendat e tua. Të jetosh, a është vallë e vështirë ? Po ja që jetoke edhe me epopera e bestytnira.
Gjatë shekullit, pavarësia, tek paraqitej shpesh si një formë mjaft e varfër e lirisë, gjatë së cilës Migjeni i madh mundi të shkruajë : « Mjerimi punon ditë e natë ». Më në fund, republika popullore, izolimi, shembulli i vetëm dhe transformimi rrënjësor i një kombi stërvitur në kohën e tij, por i aftë për të jetuar në shekullin XV nëpërmjet përfytyrimit, sikurse në shekullin XXI nëpërmjet shpresës. Satira, hutesa, solidariteti i ngrohtë, ca marrëzi, një nevojë gati e përkujdesshme për të thënë të vërtetën e vet qoftë individuale qoftë kolektive, a nuk është pikërisht kjo që po na tregon sot Shqipëria nga natyra e saj e thellë ? Mjaft të lëçitësh prozën dhe poezinë e Kadaresë për të bindur vetveten, prapa tërë maturive : ah ! ajo maturi e gurëve të lashtë që nuk pranon kollaj çdo lloj bari.
Sigurisht, duhet vajtur në uzinë. Po poeti korrigjon : « Uzina e prodhimit të vargjeve ». Sigurisht, duhet të zësh qoshen tënde në këtë planet të vogël. Por poeti na paralajmëron që « Ta pastrojmë këtë planet ». U dashka nënshtruar në kohën tonë ndaj tërë rreziqeve. Por poeti shqiptar na siguron : « Radioaktiviteti s’do djegë endërrat e tua ».
Parathënie e librit  « Ismail Kadarea dhe
 poezia e re shqipe », bot. frëngjisht,
 P.J. Oswald, Paris, 1973.
 
Eric FAYE
 
Erik Faj (1963), romancier e tregimtar, një nga penat më të ndritura të brezit të sotëm të shkrimtarëve francezë, që ka nisur të shkruajë që nga mosha njëzet vjeç. I numërohen mbi njëzet vepra gjer më sot, esse, fiksione, tregime, ndër to librat “Ismail Kadare – Biseda me Erik Faj” dhe  “Ismail Kadare, Promete zjarrsjellës”, nga ku është marrë teksti i mëposhtëm.
 
PREJ GURI E SHIU
 
Këta personazhe arkitipikë integrohen në një ansambël të gjerë që mund ta quajmë Universi Kadare. Vetë spektatori i magjepsur i Makbethit e i Hamletit i fut romanet e veta në atmosferën që përfshin kështjellat e Skocisë dhe Danimarkës. Universi Kadare dallohet nga konstante gjeografike e klimatike shumë të theksuara : skeda e tij sinjalizuese na mëson para së gjithash se në të bie jashtë mase shi. Shiu është te Kadarea një element pothuaj i kudogjendur. Shi i ftohtë, që nuk bie në formë shtrëngate të fuqishme, por në mënyrë të rregullt, të imët dhe monoton, gjatë një stine shumë të ztërgjatë, që nis në tetor për të vijuar gjer në prill. Një dimër i madh përshkon romanet e tij, çdo rrebesh është një faqe më vete e kthyer. Kjo stinë e gjatë njeh herë-herë faza nxitimi : klima bëhet më e ashpër sa më shumë ngjitesh lartësive apo depërton në Rusi. Por përgjithësisht, shi e mjegull mpleksen rreth personazhesh të mësuar me atë fshikëz lagështie si londonezët me fog-un.
Rrallë, shumë rrallë kam lexuar një shkrimtar që të ketë lënë në veprën e tij gjurmën e peizazheve të veta të brendshme. Ismail Kadarea bën pjesë në atë rreth të ngushtë autorësh, mendimi i të cilëve aq shumë përmban një « ikonografi intime », sipas shprehjes së Zhyljen Grakut, saqë krejt shkrimet e tyre nuk janë gjë tjetër veçse reflektim besnik e i përhershëm i saj. Pena e autorit bëhet skllave e vegimeve të tij. Ekziston një territor i krijuar nga Ismail Kadarea, sikundër që ekziston një Gracoland, si dhe një vend ku janë stacionuar utopitë e Ernst Jüngerit, një zonë ku fryjnë erërat e Sent-Xhon-Persit. Kadaria është një territor dimërimi ku janë strehuar njerëz të pamësuar me verën. Periudhat verore që duken aty-këtu në veprën e Kadaresë (konkretisht te Daullet e shiut* ) janë kohë pritjeje. Në pritje të ardhjes së shiut, rikthimit të jetës ; sepse personazhi kadarean është sisor jo i zakontë, ngaqë dimëron në verë. E ç’të thuash atëherë për pranverën në veprën e tij. Faqet e rralla të Kronikës në gur që përmendin stinën e ngrohtë paraqesin njerëz, një qytet të tërë, në topitje të plotë. Është, ndër dy dimra të zgjatur, një rënie në koma.[...]
Pritja e dimrit është paraqitur si jo më mirë  tek Daullet e Shiut. Shiu, a më mirë uji, është personazhi kryesor i veprës, dhe është i pranishëm në krejt mendjet, i kërkuar me ngulm a i parë me frikë. Ai është Uliksi, është një spektër që duhet të ribëjë shfaqjen e tij. Çështja është kur konkretisht?  Ai kushtëzon, për të rrethuarit, mbijetesën e tyre, dhe mbërritja e tij përfundimare do të thotë dështim për osmanllinjtë. Me një fjalë, ai është burim ngjarjesh, dhe për më tepër në këtë shtjellë tregimore, ku ujët mungon aq mizorisht, Kadarea, nëpërmjet metaforave, krijon mori detrash, përrenjsh e rrjedhash të tjera uji. Det të tërbuar, det të errët, det të valëzuar, det të zhurmshëm ! Taborret kthehen herë në dallgë, herë në lumenj të gjallë, herë në përrenj të rrëmbyeshëm. Njeriu ka nevojë për ujë, gjer aty sa e rikrijon në përfytyrimin e vet ; pashai ëndërron për të, po atë natë kur nisin e bien daullet e shiut, shenja e fundit…
Kur shkrimtari përmend një territor si Saharaja, që i nënshtrohet diktaturës së diellit, këtë e bën për të kujtuar para së gjithash, me nostalgji, kohën e bekuar kur ka qenë një « mbretëri e pafundme pjellore e dikurshme ». Shfaqja e thatësirës dhe e verës së përjetshme i kanë dhënë një goditje fatale poezisë ; ylberët dhe vetëtimat, dukuri të volitura për metaforat, u tërhoqën drejt Veriut :
 
« Njëri pas tjetrit vdisnin shirat,
Dhe iknin retë me karvane.
Si ura që pas ikjes shemben,
Me rrapëllimë ylberët ranë. »1
 
Kështu, shiu shfaq forcën e vet në tërësinë e fushës hulumtuese të Ismail Kadaresë. Është e vërtetë se shumica e romaneve dhe poezive të tij kanë për sfond vetë vendin e tij, që dimër e vjeshtë bën pjesë në zonat më të lagështa të Evropës. Më në fund, në qytetin e tij të gurtë, që është gjithashtu qyteti i shirave, ai ka jetuar në një fshikëz mjegullnajash të ftohta dhe kreun e parë të kronikës së tij e nis me fjalët :
 
« Përjashta, nata dimërore kishte mbështjellë çdo gjë me ujëra, mjegull dhe erë. Duke futur kokën nën jorgan, unë dëgjoja mbyturazi zhurmën monotone të pikave të shiut mbi çatinë e madhe të shtëpisë sonë ».
 
Pikat e shiut bëhen personazhe kryesorë në fillim të kronikës. Shkrimtari rrëfen odisenë e tyre nga qielli drejt çative, pastaj në sterna, ku këto entitete, duke u bërë të mendueshme, humbasin lirinë e tyre në ato kurthe që u ka ngritur qyteti.
Nëse do pikturonte, me siguri Ismail Kadarea do pëlqente të mbetej në stadin e skicimit, apo të shprehej si impresionistët, duke shmangur konturet, duke kapur ndryshimet që i sjell natyrës moti i keq, duke u dhënë përparësi ndjesive në intelekt, aq shumë, në shkrimet e tij, shiu, mjegulla dhe përfytyrimi mjaft i veçantë zhdukin kufijtë ndarës midis reales e fantastikes. Atmosfera e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, e Dosjes H apo e Prillit të thyer është e ngjashme. Është ajo e një fundosjeje graduale brenda një stine që s’i duket fundi.[...]

Ismail Kadarea nuk tregon veçse silueta në një dekor vegimor. Dhe nga ana tjetër, nëse i vendos përgjithësisht romanet e tij gjatë « stinës së shirave », ai parapëlqen po ashtu që fillimi i tyre të përkojë me mbërritjen e vjeshtës, apo me mësymjet e fundit  të dimrit në mars, madje dhe në prill. Pas një kapitulli të parë kaluar në shtratin e verës baltike në Dubulti, studenti shqiptar kthehet në Moskë nën shiun e fillimit të vjeshtës dhe Muzgu i perëndive të stepës do të përpihet ngadalë nga dimri rus. Po ashtu, gjenerali e nis misionin e vet në Shqipëri në mes të vjeshtës dhe elementi klimatik luan aty rol mbisundues :
 
« Ishte vjeshtë dhe shiu kishte kohën e tij. Gjenerali e dinte këtë. Para se të nisej, kishte mësuar midis të tjerave edhe diçka për klimën e Shqipërisë. Ajo periudhë e vitit ishte aty e lagët dhe me shi »1.
 
Kjo as që e çudit gjeneralin, që gjithmonë ka menduar se misioni i tij mund të kryet me sukses vetëm në kohë të keqe.
Çështja Doruntina po ashtu shpërthen në vjeshtë. Një kometë shfaqet në qiellin vjeshtor të Vitit të mbrapshtë që në faqen e parë. Dimri i madh fillon me një furtunë ekinoksi në shtator, Koncerti nis në mes të vjeshtës, ashtu sikurse Pallati i ëndrrave, në të cilin bie, që në faqet e para, e njëjta borë e shkrirë që pret gjeneralin në Shqipëri.
Një admirim i tillë për stinën e rreshjeve do dilte jashtë rregullit shkrues nëse disa romane do bënin përjashtim. Kamarja e turpit, Ura me tri harqe, Kronikë e një qyteti të gurtë*  fillojnë në mes të dimrit ose në fund të stinës së keqe. Sido që të ndodhë, gjithmonë bëhet fjalë për periudhën e shirave e të mjegullave, dhe aq shumë bie në sy një gjë e tillë, sa shkrimet e Kadaresë shpesh shkrihen me ngjarjet që kanë ndodhur në stinën e ftohtë.  Historia duket pronë e vjeshtës dhe e dimrit, dhe vera, nga ky çast, përkon me një letargji ngjarjesuese. Në Nëntorin e një kryeqyteti, shkrimtari paraqet çlirimin e Tiranës nga partizanët në nëntor 1944. Muaji i nëntorit rishfaqet te Dimri i madh, me konferencën e 81 partive komuniste në Moskë që vulos përçarjen e kampit socialist. Kur jeta pra ngadalësohet në shumë vende me mbërritjen e shirave dhe të ftohtit, ajo rilind në Kadari, për t’u shuar më pas në pranverë, stinë para së cilës shkrimtari as përmallet, as mrekullohet. Një konceptim i tillë i ritmit të jetës të kujton fjalët e asaj kënge të vjetër të ushtarëve zvicerianë, përmendur nga Kadarea : « Jeta jonë është udhëtim nëpër dimër, udhëtim nëpër natë ».1
Kadaria është përgjithësisht një vend pafundësie e lartësie, lagur nga det, të cilin e përbuz me krenari, sepse krijuesi i saj është sërish brenda diapazonit të bashkëpatriotëve të vet, të cilët, gjatë gjithë historisë së tyre kanë jetuar në male, për t’u mbrojtur nga pushtuesit që vinin nëpërmjet detit. Të rralla janë madje qytetet shqiptare buzë detit, dhe është për t’u çuditur tek sheh, kur i bie përgjatë me anije rivierës shqiptare, që shumë fshatra janë ngritur në faqe të maleve. Më 1939, pushtuesit italianë zbarkojnë në brigjet shqiptare, dhe vetëm në këtë rast Kadarea pranon të përmendë detin. Prifti që shoqëron gjeneralin në misionin e vet ka, nga ana tjetër, në gojë fjalë therëse lidhur me këtë :
 
« Shqiptarët janë si ato qeniet që i tremben ujit. Ata kanë qejf t’u qepen shkrepave dhe maleve. Atje e ndjejnë veten të sigurtë »2.

Për të gjithë këta malësorë, shpjegon Kadare, « e keqja dilte gjithmonë nga deti dhe duhej shfarosur mu në breg të detit ».3 Në të kundërt, shpesh shkrimtari përmend plazhet – në një roman si Muzgu i perëndive të stepës, apo në shumë poema – por përgjithësisht këtë e bën për t’u tallur me detin dhe për ta injoruar. Autori i poemave të tilla si « Plazh një mëngjes vere » apo « Buzë detit » nuk mendon veç për rërën e dunave dhe nuk shfaq gjë tjetër veç moskokëçarje për ujin ; në këtë përbuzje për detin, « Dallgë », poemë e shkruar më 1959, gjatë qëndrimit në BRSS, bën përjashtim, dhe nuk është veçse një anomali tek ai njeri shumë më tepër i merakosur të zbulojë « Përse mendohen këto male ».
Shiu kadarean bie, para së gjithash, mbi gurë. Kadaria është një vend djerr, tërësisht mineral. Kuptohet që godinat janë aty të gurta, sipas shëmbëlltyrës së vetë qytetit të lindjes të shkrimtarit, që ka frymëzuar fillimisht disa pjesë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, më pas novelën Qyteti i jugut  dhe Kronikë e qytetit të gurtë. A mund të ketë vallë elementë më të ftohtë nga guri për t’ia bashkëngjitur dimrit kadarean ? Kullat* e Prillit të thyer, ura në ndërtim mbi Ujanën e mallkuar, sheshi ku është ngritur kamarja e turpit, janë prej guri. Vetë Shqipëria i shfaqet kërcënuese dhe minerale gjeneralit, me të mbërritur në tokën e huaj :
 
« Tokë e pjerrët kudo. Pllaja të zymta që rrëshqisnin me shpejtësi poshtë mjegullës. Në ato hone e pjerrësira dhe në gjithë rrafshnaltën dimërore, dergjej, nën shi, ushtria që ai po vinte ta zhvarroste ».1
 
Guri dëshmon fortësinë, pavdekësinë e gjërave. Në Stamboll, sheshi i kamares së turpit të jep një përshtypje qëndrueshmërie « të paarritshme ». Alekasndër Zotos2 vë në dukje se valët e tërbuara të Ujanës së mallkuar nuk arrijnë kurrsesi ta tundëllojnë urën me tri harqe, duke qenë se është e pajisur me një taban guri, ndërkohë që zakoni e kërkonte të ishte prej druri gjer në atë kohë. Dhe, nga ana tjetër shënon ai, shkrimtari nderon kësisoj mitin e qëndresës* , të asaj qëndrese të Shqipërisë ndaj goditjeve të fuqishme të pushtuesve gjatë historisë së saj : romakët, venedikasit, kryqëzatat, bullgarët e serbët, më pas, osmallinjtë, austriakët, francezët, italianët, grekët e gjermanët… pa përjashtuar më afër në kohë synimet hegjemoniste të jugosllavëve, sovjetikëve dhe kinezëve. Më prozaikisht, Kadarea ka përfshirë në këto peizazhe të brendshme ato të një Shqipërie malore, pastruar nga erërat dhe larë nga shirat. Kineasti Kujtim Çashku ka ditur ta rikrijojë këtë Kadari në përshtatjen e tij të Prillit të thyer. Por  s’ka pse gabojmë : Kadaria nuk është pikërisht Shqipëria. Është domosdo një lëmë e Ballkanit, por rindërtuar sipas dëshirave të krijuesit të saj, zhveshur nga cilësimet që do lejonin ta identifikoje përnjëherësh, me synimin që ky territor të marrë një vlerë universale dhe një përmasë poetike, gjë që vetë realiteti e përjashton : magjikja, fantastikja dhe ndjesia e një pafundësie janë të dhënat e saj bazë.
Gjeografia kadareane paraqitet disi sipas shëmbëlltyrës së Tiranës : pa tabela sinjalizuese, pak tabela rrugësh, pa numra në dyert e banesave, pa plan qyteti ! Universi Kadare është një labirint, ku rrallë e tek një detaj lejon të orientohesh, krijon një iluzion. Kuptohet se kjo gjeografi e misterit sundon para së gjithash në atë çka e quaja « vepra të përjetshme », në të cilat Ismail Kadarea jep krejt aftësinë e tij për të krijuar një botë më vete, por nuk ndodh kështu në një roman si Dimri i madh, domosdoshmërisht veshur me piketime kohore e gjeografike. Tek Kush e solli Doruntinën ?, e vetmja referencë për në vend ka të bëjë me hanin e dy Robertëve, çelur nga Kadarea për t’i shërbyer e për të strehuar një përmasë të konsiderueshme personazhesh. E dimë që ngjarja zhvillohet në Shqipëri, por autori vendos një pikëtakim për shpërqëndrim të lexuesit. Jo larg hanit, rrjedh Ujana e mallkuar, mbi të cilën ka qenë hedhur në Mesjetë një urë guri. Hani dhe rrjedha e ujit, ura që ajo përshkon, si dhe rruga e vjetër romake Egnatia bëjnë pjesë, së bashku me trevën e Vlorës, ndër vendet kryesore që Kadarea ka dëshirë t’i përdorë si skena. Këto qendra shfaqen si gjatë Mesjetës së hershme tek Kush e solli Doruntinën ?, ashtu dhe në shekullin XIV tek Ura me tri harqe, në shekullin XIX te Komisioni i festës, në fillim të shekullit XX te Viti i mbrapshtë, më pas në vitet 30 te Dosia H. I përfytyruar, hani i dy Robertëve nuk vendoset kurrë gjetiu përveçse në afri të një lumi, i përfytyruar gjithashtu, dhe sikur ta ka ënda në këtë rast një farë loje, të themi, për të gjetur vendndodhjen e tërë këtyre krijimeve të mirëfillta të mendimit, sepse pa thënë asgjë asnjëherë, Kadarea lë piketa, madje kontradiktore. Tek Dosj         a H, ai e vendos hanin e tij në qendër të vendit.[…] Një përmendje e hanit tek Pallati i ëndrrave lejon gjithashtu të përcaktohet vendndodhja e tij në Shqipërinë qendrore, por në të kundërt, një frazë e Urës me tri harqe e vë në dyshim këtë orvatje të parë lokalizimi : « Një murg venedikas që shkonte në Bizant solli lajme të tjera të këqia nga baza e Vlorës »1. Duke e ditur që hani i dy Robertëve dhe ura e Ujanës së mallkuar ndodhen gjatë kalimit të udhës së vjetër romake Egnatia, mund të mendohet se itinerari i ndjekur nga murgu që prej Vlorës shkon disi drejt Veriut, duke ndjekur rrugën Egnatia, që zinte fill nga njëra anë në Durrës dhe nga ana tjetër në Apollonia, për të ngjitur luginën e Shkumbinit. Kjo rrugë romake lidhte në fakt bregun shqiptar me Selanikun, më pas me Bizantin, duke përshkuar fillimisht këtë luginë shqiptare, dhe ka shumë të ngjarë që të lokalizohet këtu ura jonë, duke qenë se udha është e gjerë dhe e rrafshtë në fillimet e veta dhe përbën rrethinat e Urës me tri harqe… Jemi pra më së miri në Shqipërinë qendrore. Dhe ka pak ngjasë që murgu venedikas, ndërkohë që vinte nga Vlora, të ketë përvijuar një kthesë të tillë nga ana e Veriut, për të vajtur në Bizant ; andaj, hani i dy Robertëve duhet vendosur më në jug, ndoshta në luginën e Drinos, i sheshtë dhe i gjerë në disa zona, si rrëzë Gjirokastrës…
Lëçitja e Kamares së turpit të bën të mendosh po ashtu se Ujana e mallkuar ndodhet edhe më në jug. Pas rënies së Janinës, kryeqytet i Ali Pashës, kasneci Tunxh Hata çon në Stamboll kokën e drejtuesit rebel të mposhtur, dhe ndalet rrugës në hanin e dy Robertëve. Nëse do shënonim një vijë Janinë-Stamboll, do vinim re se hani misterioz ndodhet edhe më në Jug, domethënë jashtë kufijëve të Shqipërisë së sotme, dhe konkretisht në Epir. Vendngjarjet e përfytyruara të Kadaresë janë pra të lëvizshme dhe, për nevojat e rrëfimit, mund të rrëshqasin nga Veriu drejt Jugut, dhe për aq kohë sa shkrimtari e ushqen dhe mirëmban këtë lëbyrje, lexuesi domosdo s’do shohë veçse vezullima flakadanësh. Por, a nuk përbën vallë një nga kulmet e artit pikërisht krijimi i një gjeografie të lakueshme sipas dëshirës, si një dekor teatror ?
Për të qenë të saktë, lidhur me Kadarenë, e mira do jetë të thuhet se bëhet fjalë  për vende gjysmë-imagjinare. Shkrimtari ruan ndjenjën e masës dhe krijimi i mirëfilltë anashkalon realitetin, por një realitet përfshirë në mjegullnaja. As edhe një herë qyteti i gurtë, objekt i një Kronike të gjatë nuk është përmendur me emrin e vet, Gjirokastër. As edhe një herë, kështjella e rrethuar nga osmallinjtë nuk quhet me emrin e vet në Daullet e shiut. Pa ngurrim, mund të përmendet emri i Krujës, kryeqytetit të Skënderbeut, që i bëri ballë tri rrethimeve, të gjitha të drejtuara nga sulltanët. Bëhet fjalë në rastin e romanit për rrethimin e parë, duke qenë se Ismail Kadarea përmend në fund vdekjen e pashait para se të kthehej në Stamboll, sikurse ishte konkretisht rasti i Muratit II më 1450. Por, duke qenë kundër gjinisë së romanit historik, shkrimtari ia lë në këtë rast vendin fiksionit dhe simbolit. Kështjella, titulli origjinal i botimit në frëngjisht të Daullet e shiut, mund të jetë fare mirë, sipas përfytyrimit, Athina përballë Persisë, Tirana përballë Moskës, për më tepër që libri është shkruar në çastin e ndërhyrjes së Paktit të Varshavës në Çekosllovaki, apo menjëherë më pas. “Veprat e përjetshme” të Kadaresë janë shkruar në mënyrë të tillë që kurrfarë ashpërimi nuk e cënon dot mendimin (datë e saktë, vend i saktë), sepse kjo do cënonte atëherë karakterin e tyre universal.
 
*     *     *

Kartografitë e Kadarisë po ashtu shfaqen shumë pak të sakta përsa u përket vendeve të përmendura në Kamaren e turpit. Ali Pasha i Tepelenës, para rënies së tij përfundimtare, ishte i rrethuar në kryeqytetin e tij Janinën, por as edhe një herë nuk përmendet emri i qytetit. Krahinat e përshkuara nga Tunxh Hata midis kufijëve rebelë dhe qendrës së perandorisë nuk përmbajnë as ato emra, gjë që është edhe më e logjikshme duke qenë se janë nënshtruar nga turqit gjatë proçesit të “shkombtarizimit,” e barabartë me mohimin e indentitetit të tyre. Maqedonia, e ndodhur faktikisht në itinerarin Janinë-Stamboll, u hamendësua një çast në përbërje të këtyre zonave, andaj dhe kritikat ndaj librit nuk munguan...
Kadarea pëlqen po ashtu të mos ia përmendë emrin as qyteteve të tjerë (emri i qytetit të Dosies H dhe i mikro-shoqërisë së saj groteske nuk jepet veçse me inicialin N.), ndërkohë që nuk i mongojnë saktësitë lidhur me vende larg aksionit, që na shfaqen apo përshkohen nga ana e personazheve; kështu për malet, shpellat a parregullsitë e tjera të natyrës, apo për rrugët, të zhveshura edhe këto nga emrat e tyre krahinorë, në mënyrë të tillë që i shpëtojnë çdo orvatjeje për t’i lokalizuar në hartë. Një turbullsi e tillë bën pjesë në Universin Kadare, ashtu sikurse vendet fiktive. Edhe këtu, në emrat që u jep trojeve natyrore, ai shfaq peizazhe të përbashkët në shumë romane : Lugjet e zeza përmenden te Dimri i madh sikurse te Prilli i thyer, ku në një çast ecet nëpër “ rrugën e madhe që shpie drejt majave të mallkuara” (të mallkuara po aq sa Ujana). Këto maja shfaqen periodikisht nëpër mjegullnajat e Dosies H,  ku përmendet gjithashtu emri i Lugjeve të zeza, troje të mitologjisë shqiptare. Kadaria ngjason kësisoj me Skocinë; malet aty shfaqen veshur me mjegullina, ngjasuese me fantazmat, dekori ndjell shqetësim, dhe një ndjenjë tensioni vjen duke u rritur sa herë që kthen faqet e librit. Do të ishte e mërzitshme të hartoje këtu një listë të përpiktë të vendeve që përshkon mendimi i Kadaresë, por nëpërmjet saj do mund të vërenim se sa e përzishme është vetë gjeografia e brendshme e shkrimtarit : Udha e keqe, hani i vejushës së re, ose ato “shkorrije pa emër, apo që u ishte harruar emri”1. Arrihet këtu në atë çka e bën Kadarenë shkrimtar të veçantë, sepse Universi i tij nuk do mund të ish krijuar nëse krijuesi nuk do kish pasur në vetvete një ndjenjë të bashkëlindur të fantastikes, një pasion për pafundësinë dhe humbëtirën. Mbretëria e tij është sa pa fund aq edhe e vogël. Të njëjtat vende rishfaqen në intervale të rregullta, dhe personazhet i përshkojnë për javë të tëra (Prilli i thyer, Viti i mbrapshtë), madje muaj (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), në atë shkallë sa hapësirat, të përshkuara nga mjete lëvizëse të ngadalta, mbi udhë të vështira, duken të pafundme; veç në mos qoftë fjala për një vend kuptuar si labirint, ku rikalohet shpesh në të njëjtat vende pa e vënë re. Ismail Kadare ka krijuar kështu për armiqtë e Shqipërisë një territor gjysmë-imagjinar, ku humbet si në Trekëndëshin e Bermudeve*. Viti i mbrapshtë vë në skenë një plejadë të tërë bandash të armatosura që fundosen baltovinave, humbasin, fshiken:
 
“Të çorientuar nga zhvendosja delirante e francezëve, trupat austriake, që ndodheshin jo shumë larg, bënë një ndryshim të papritur në marshimin e tyre drejt Shqipërisë Qendrore, lanë një pjesë të qerreve me municione në llucën që u doli befas përpara dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, pikërisht në çastin kur pas shumë mundimesh po e rrethonin më në fund gjysmën e bandave esadiste, u erdhi urdhri të hiqnin dorë nga kjo”2.       
 
Gracka në të cilën Kadare mbërthen pushtuesit e Shqipërisë kthehet kështu në farsë; grotesku kulmon ndoshta te Gjenerali i ushtrisë së vdekur me atë kryqëzim vajtje-ardhës të misionit italian me misionin gjerman, burim ngatërresash të këndshme.
 
*     *     *
 
Kjo është e veçanta e artistit : që zëvendëson Perëndinë atypëraty. Shkrimtari shqiptar, siç e pamë, e kthen rrjedhën e kohës dhe e kalon në një përmasë tjetër, duke ia nënshtruar atë diktateve të veta, pa të cilat, për më tepër, nuk do kish arritur atë terra incognita që çdo krijues kërkon të zbulojë tek ai. Ai ka vënë kështu në lëvizje, sipas termit të Grakut duke folur për Stendalin, “një epokë-vend tërësisht mënjanë kronologjisë sikurse gjeografisë”3, për të rigjallëruar legjendat e Ballkanit, siç ka bërë Leo Perutz me ato të Pragës së tij të lindjes, duke ia nënshtruar një aggiornamento-je në mënyrë që të mund t’i transpozojë ku dhe kur dëshiron, qoftë edhe në shekullin XX në vende identifikuar qartë, por që pak rëndësi ka : atmosfera dhe peizazhet, të dhënat thelbësore të viseve që përshkon autori, të rikthejnë përherë në atë territor fantastik, ku shtjellohen mjaft nga romanet e tij. Ujana e mallkuar, majat e mallkuara, hani i dy Robertëve bashkohen në shpellën e Ali Babës së letërsisë botërore  me vise të tjera të imagjinuara, nga abacia e Telemës së Rablesë tek Marina e Jüngerit.
 
*     *     *
 
Disa mendje të serta kanë kritikuar Kadarenë se nuk ka luajtur me karta të hapta, nuk ka hyrë më herët në rebelim me regjimin, sikur tabela ligjesh misterioze të vendoskan që shkrimtar i mirë, në Lindje, nuk na qenka veçse ai që niset për kryqëzatë kundër sistemit në vend. Kundërshtimi kadarean shkon shumë më tej, tek sulmon diktaturën e kohës, ashpërsinë e nocionit hapësiror, duke qenë se arti kthehet para së gjithash në ushtrim rirregullimi të reales në të cilën infiltrohet irealja. Shqipëria e fillimit të shekullit, dhënë për kullotë fuqive të huaja dhe bandave të brendshme, ka njohur një gjendje të përafërt me atë të Libanit të viteve të fundit, dhe i ka lejuar Kadaresë të vërë në veprim, te Viti i mbrapshtë tërë aftësinë e tij, duke pikturuar një vend pa kufij të qartë, pa ushtri kombëtare të denjë për t’u quajtur me këtë emër, pa qeveri të respektuar, në territorin e së cilës fryjnë lirshëm katër erërat e Evropës, që sjellin aromë baruti. Ai që e ka përshkuar sa gjatë-gjerë Kadarinë, ruan kujtimin e një mikro-shteti që mund ta rrokësh me shikim në tërësinë e vet që nga maja e një belvedereje. Lëçitja e veprës të krijon një përshtypje densiteti letrar më të fortë nga hapësiror, sepse është në fakt një thurrimë e vërtetë ndërkoneksionesh që lejojnë të kalohet nga njëri libër te tjetri. Numërohen jo më pak se shtatëdhjetë pasarela që lidhin librat, nëse mbështetemi në tërësinë e teksteve botuar në frëngjisht, duke shtuar këtu edhe Dasmën, datuar në fund të 1990-ës. Ato zënë brenda një biblioteke hapësirën që ndan romanet nga shoshoq. Paraqitur grafikisht në formë shigjetash që fluturojnë nga njëri titull te tjetri, këto ndërkoneksione – vendngjarje të Universit Kadare, legjenda të përbashkëta, skena apo personazhe të përbashkët – duket sikur lidhin librat siç lidhen rrugët e qytezave të një mbretërie; tufë shigjetash konvergojnë drejt disa titujve. Kështu Dimri i madh – por është përmasa e romanit që ndikon në këtë konstatim – më pas Kamarja e turpit dhe më pak Ura me tri harqe – shfaqen si qendrat nervore të Kadarisë, ku është shumë e vështirë që t’u përcaktosh një kryeqytet. Pjesa më e madhe e ndërkoneksioneve ndahet mes shumë romaneve, dhe nga kjo pikëpamje Kadaria përmend më shumë një vend si Italinë apo Gjermaninë, ku bashkëjetojnë dy a tre qytete me rëndësi të barabartë, sesa Francën, ku një kryeqytet imponon tiraninë e vet. Ndoshta Kadarea është tashmë i mbrojtur nga rreziku për ta parë veprën e tij përmbledhur në një titull të vetëm, siç është rasti, me të drejtë apo pa të drejtë, për disa shkrimtarë të tjerë : Pastërnak/Zhivago, Selin/Udhëtimi, rast kur, me peshën e vet, një tekst dërrmon pjesën tjetër të veprës në kujtesën kolektive.
 
*     *     *
 
Nuk ka as edhe një roman, as edhe një përmbledhje poemash të Kadaresë që të mos lidhet me pjesën tjetër të veprës, ndryshe nga vepra e Balzakut, tek i cili numërohen disa romane autonome (Shuanët, për shembull). Boja e Kadaresë bëhet një gjak, i cili vadit gjithë pjesët e trupit pa dalllim, nëse mund të krahasojmë në këtë mënyrë një vepër aq homogjene me një qenie. Tekstet e ndryshme të Kadaresë përforcojnë shoshoqin dhe i japin çdonjërit ngarkesë të madhe: këto pasarela përforcojnë të tërën sikurse betonarmeja një godinë. Legjenda e murimit bashkon midis tyre Urën me tri harqe, Vitin e mbrapshtë, Komisionin e festës, Dosien H dhe Kamaren e turpit.
Vetë Kamarja e turpit lidhet drejtpërsëdrejti me Pallatin e ëndrrave dhe mund të pritet që në të ardhmen, Kadarea të niset sërish nga një pjesëz romani tashmë të botuar për të ndërtuar një tjetër. Kohezioni i veprës është kështu rrëmbyes. Kadaria është një vend tërësisht i pavarur, por pa jetuar megjithatë në autarki; ndërkoneksionet që lidhin veprën e shkrimtarit shqiptar me trashëgiminë letrare botërore janë gjithashtu të shumta, konkretisht në drejtim të Greqisë së lashtë. Këmbimet midis miteve dhe veprës së Kadaresë janë, siç e kemi parë, thelbësore. Vepra e tij merr me anë perfuzioni tërë lëngun organik të qytetërimeve të Greqisë së lashtë. Për më tepër, vetë shkrimtari e vëren një gjë të tillë. [...]
 
Nuk mund të mos vlerësojmë po ashtu edhe aspektin ludik të rrjetit të ndërkoneksioneve të thurrura nga Kadarea. Ai ka ndërtuar të themi një botë si e Herges, gjithë shkelje syri që çojnë nga një album te tjetri, duke përzier imagjinaren me realen, duke fshehur realitetin nën emra të huazuar. Por ajo ç’ka bërë Kadarea, e tejkalon të ndërmarrurit e Herges apo romancierë si Zola, ngaqë ka krijuar, siç e pamë, një shkallë të kohës shumë të veçantë dhe ka lëshuar pasarela nga një shekull tek tjetri. Libri është një mbështetës material i papërshtatshëm për veprën e tij, që më shumë se çdo tjetër formon një tërësi. Do duhej të shpikej një libër superior, me një konceptim tepër elastik, disa segmentë të të cilit të mund të zhvendoseshin lehtë për t’iu drejtuar vardarit të dy a tre teksteve dhe për t’i ndriçuar me dritën e tyre. Por duke mos qenë një bëmë e tillë veçse një konstruksion i mendjes, na duhet të vazhdojmë të kënaqemi së lëçituri Kadarenë nëpër libra të mëvetësishëm, qartësisht të përcaktuar me një faqe të parë dhe një faqe të fundit. Do na pëlqente të përfytyronim fushën zbatuese të një libri të tillë tek një Balzak apo tek një Zolë nëse informatika, për shembull, do të mund ta realizonte një ditë.
 
*     *     *
 
Shfaqja e personazheve nga një roman te tjetri – nga Dimri i Madh te Koncerti – të kujton menjëherë veprën balzakiane, megjithëse Kadarea i drejtohet kësaj mikro-shoqërie njerëzore vetëm për dy romane, fletë të një sagaje ndoshta të papërfunduar mbi Shqipërinë bashkëkohore; Balzaku shqiptar megjithatë nuk ka aspak për qëllim të konkurrojë gjendjen civile. Një përllogaritje e shpejtë lejon të numërohen gjithë-gjithë rreth njëzet personazhe të rikthyeshëm. Ismail Kadarea për më tepër nuk është se ngulmon për të na i treguar, ndryshe nga Balzaku, të cilit i pëlqente të përshkruante me detaje veshjen e personazheve dhe aspektet fizike të “trupës” së tij. A mund ta përfytyrojmë qartë se kush është Gjergj Dibra? Ç’moshë ka ? A është i pashëm, esmer apo kuqalash ? Shumë-shumë, shkrimtari mbjell sa këtu-atje ndoca treguesa, por edhe kjo, paradoksalisht, sa për ta shtuar disi më shumë  konfuzionin :
 
« Silueta e Brikenës, e hollë dhe e derdhur për moshën e vet, u thye nga kuadrati i portës »2. 
 
Ç’moshë ka Brikena ? Duke verifikuar elementë të ndryshëm, edhe mund të gjendet, por krijuesi i mban të veshur me një vello misteri personazhet e veta. Ai e lëshon projektorin mbi ta vetëm në raste të rralla, kur aspekti fizik kthehet në kriter përcaktues : te Hua Guofeni, sepse ai vendos të përngjasojë me Maon, koka e Ali Pashës, sepse ajo mbërthen shikimin e të gjithëve dhe simbolizon pushtetin tiranik të perandorisë otomane. Personazhet e tij mbeten përfundimisht pak të karakterizuar : ç’rëndësi ka qenia e tyre, janë veprimet që i paraprijnë gjithçkaje. Humnerat e mendimit njerëzor i interesojnë shkrimtarit sepse çojnë në veprime apo lejojnë të përcaktohen personazhet sipas konstanteve të lartpërmendura. Si rregull i përgjithshëm, turbullsia që vesh personazhet kadareanë bën pjesë në universin e krijuar nga shkrimtari njëlloj si turbullsia në të cilën përfshihen vetë peizazhet e tij. Ashtu si nuk përcaktohet saktësisht vendndodhja e urës te Ujana e mallkuar, po ashtu nuk përshkruhet as Gjergj Dibra : janë në njëfarë Shqipërie, Kadarie, të hijëzuar, që i përkasin njëfarë mjedisi ; gjithçka tjetër do të ishte e tepërt. Nuk gjen pra te Ismail Kadarea kultin e detajit që të acaron apo të magjeps tek Balzaku ; detaji thjesht ndihmon në lindjen e një klime të përcaktuar, pa të cilën ai atëherë është i paqenë. Shkrimtari shqiptar nuk merakoset fort për diametrin e një qiriu prej rrëshire dhe ngjyrën e tij, gjë që, në të kundërt, i tërheq vëmendjen Balzakut. Kadarea shfaq haptas linjat e mëdha të universit të tij. Ngjyrat, lëndët dhe siluetat janë kësisoj të privilegjuara, por ai zgjedh një diafragmë të madhe në objektivin e kameras së tij, vetëm e vetëm për të ruajtur të qartë një shirit të ngushtë nga  realiteti, që shfaqet i rëndësishëm në çastin e duhur. […]
 
“Ismail Kadare – Promete zjarrsjellës”,
Botimet José Corti, Paris, 1991.
 
ISMAIL KADARE : NJË SFINKS NË DIMËR
 
Një mjet për të matur magnitudën e një enigme qëndron konkretisht në përllogaritjen e galerive që një mendje duhet të përshkojë para se të dallojë daljen nga labirinti. Për shumë vetë, ata që, për lojë intelektuale apo për arsye të tjera, jepen pas « yçklave kineze », Ismail Kadarea ka qenë dhe mbetet sinonim enigme. Fytyra e tij të kujton shpesh atë « maskë përpikmërie », rezultante e viteve të plumbit, që shkrimtari ua vesh tipareve të funksionarëve të lartë kinezë në faqet më dramatike të romanit të tij Koncerti. Nëse njeriu nuk lind misterioz, është shoqëria që i fut shijen e sekretit, dhe ajo ku Kadarea ka kaluar dyzet e pesë vjet stalinizëm kishte një prirje të fortë komploti. Ashtu si tregimtari i Strofullës së Kafkës, shkrimtari shqiptar ka çelur galeri të shumta për të mbjellë brenda tyre udhëpërshkuesit e tij, dhe vetë duke ndenjur me vështrimin e sfinksit prapa « maskës së përpikmërisë» në brendësi të kështjellës së pamposhtur të Daulleve të shiut. Profesioni : i rrethuar : ky ishte statuti shoqëror i çdo mendjeje të pavarur në vendin totalitar. Me vite, ligji i heshtjes imponuar shkrimtarëve që mund të udhëtonin, detyra e vetçensurimit shndërruar në kusht mbijetese sikur e kishin trashur misterin, duke shkaktuar lindjen e hipotezave. Kush ishte ai, ç’rol luante para se kufijtë të hapeshin ? A luan të njëjtin rol që nga ajo kohë ? Ku dhe deri në çfarë shkalle debatet që troshitin shoqërinë shqiptare kanë kaluar në filtrin e mendimit të tij, çfarë ka vënë në peshë në këtë apo atë fushë ? Të skicohen përgjigje, ky do të jetë synimi i këtyre radhëve, të skicohen sepse është e pamundur të çmontohen deri tek e fundit kukullat zhigonje* të një mendimi. Gjithmonë mbetet një e tillë në brendësi të më së voglës, në pafundësi, pjesë e paepur e misterit që përbën hijeshinë e një mendjeje dhe markën e saj të fabrikimit.
Historianët manikeas** duhet t’i ketë zënë deti duke vëzhguar historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë : vija pluskuese e këtij kombi nuk ka rreshtur së lëkunduri. Sipas yrysheve të kapitenit të saj, anija ka ndërruar shumë herë drejtim. Rreziku i të qenit shkrimtar vinte nga ajo që rreshtat e shtypur në libra mbeteshin, kur, në të njëjtën kohë, vija e Partisë lëkundej ; nga ky çast, i takonte njeriut të zhdërvjelltësohej mjaftueshmërisht për të zbutur palëvizshmërinë e veprës së tij, prej ku mund të shfaqej rreziku nga çasti në çast.  Kështu është dhe me Kadarenë, vepra e të cilit përshkoi, megjithë « duhanin e shumtë të djegur » tërë ato vite stalinizmi, dyzet e pesë, kreshnikëri me sa duket e pashoqe në historinë e Letrave. Perëndimi e mendonte Shqipërinë të shkrirë në klishetë e pjesës së mbetur të bllokut komunist. Vala tronditëse në Lindje e preku Shqipërinë lehtë, me vonesë. Nga 1945 deri më 1990, Shqipëria tregoi, politikisht, një qëndresë të habitshme ndaj valëve përplasëse. Stalinizmi nuk do çrrënjosej veçse nga vitet 1990-1991. Kush ishte Kadarea, humbur në këtë biotop* të çuditshëm ? Një produkt prejardhur nga Haveli apo nga Pasternaku ?
 
Ndoshta kombet e vegjël kanë privilegjin të prodhojnë shkrimtarë që, sikurse Kadarea, janë trupëzuar më së miri me historinë e tyre. Odisetë e pasluftës shqiptare janë aty, të ritranskriptuara në veprën e tij, në mënyrë realiste apo nëpërmjet marifetit të fabulës. Qëkurse është botuar për herë të parë më 1953, Kadarea parapëlqen të jap llogari për botën sipas tij, sesa të zbatojë vetëvëzhgimin e dëshiruar nga shumë autorë. Nga poemat e para lirike e romatike, kalohet me shpejtësi në poemat e mësimit të botës, përzier me angazhime; pastaj me ngadalë, nëpërmjet një rrëshqitjeje drejt prozës, merr formë vështrimi që do ketë Kadarea për botën fokale tiranike, që shkakton një Weltanschauung, i cili, nga romani në tregim, do të kompozojë me penelata të njëpasnjëshme një portret të Shqipërisë e të botës. Shkrimtari kalon në revistë etapat e mëdha të historisë shqiptare, por pa vepruar si historian : përçarja katolike/ortodokse, dyndja osmane, qëndresa e Skënderbeut, largimi i arbëreshëve drejt Italisë, rënia e Ali Pashës, hapat e para pas pavarësisë, periudha zogiste, lufta, çlirimi i Tiranës prishjet me disa, pastaj me të tjerë, masakrat e Kosovës, rënia e stalinizmit shqiptar… Megjithatë, nuk bëhet fjalë për tekste « shqiptaro-qendërzuese ». Vendi i tij, dhe që këndej Perandoria otomane nuk janë veçse pretekste për të lartësuar debatin, për t’u dhënë librave cilësorin misterioz të gjithanshmërisë. Nëse Kadarea është para së gjithash shqiptar, është në mënyrën e emrave të mëdhenj të Rilindjes** të kthyer drejt Perëndimit, të armiqësuar ndaj një arkaizmi dhe një tradicionalizmi, përgjegjës i të cilëve bëhet Perandoria otomane.
 
Të shkruarit në « Shqipërinë e re »
 
Pavarësisht nga cilësia letrare e veprës së tij, Shqipëria, herët a vonë, do duhet t’i rinjohë shkrimtarit të saj më « ndërkombëtar » meritën se në orët më të zeza të vendit ka dashur të hartojë një proçesverbal për atë që, para tij, po rrënohej : për vetë Shqipërinë. Menjëherë pas luftës, brezi në ngjitje që jetonte vitet e veta  më të ndritshme, i kishte kënduar ndërtimit të një Shqipërie të re, bazuar mbi çlirimin e vendit nga partizanët komunistë pa ndihmë të jashtme. Shkrimtarë e artistë kërkoheshin (me të madhe) të bashkonin zërin e tyre në atë kor. Shumë prej tyre tregoheshin të çiltër, sepse më shumë nga aksiomat socialiste, kemalizmi i udhëheqësve të rinj, dëshira e tyre për ta ngritur Shqipërinë në radhën e kombeve evropiane duke i dhënë fund Azisë, dhe lustroja demokratike me të cilën ishin zbukuruar më 1945 dhe 1946, nuk kishin si të mos shkaktonin joshje. Herë pas here, regjimi e lironte disi darën dhe bashkësia e vdekatarëve sikur merrte atëherë frymë më lirshëm ; shtëpitë botuese kalonin në shtypshkronjë dorëshkrime të rikthyera në gjendje të tolerueshme. Frika sikur sprapsej njëfarësoj. Qetësia e përkohëshme e fundit e këtij lloji u shfaq në fillim të viteve 70. Pastaj, u rikthye frika, më 1973, nxitur nga filipiket* e hierarkëve kundër dekadencës borgjeze : duhet vrarë krimbi i Perëndimit futur në frutin e Shqipërisë së re ! Dekada 1973-1983, ishte me sa duket më e ashpra që ka njohur vendi : i sëmurë, me shqetësime kardiake dhe me diabet, tirani korri « miqtë » e tij një pas një, e dërrmoi krejt vendin me ndërtimin e bunkerëve, shpalli më 1976 një Kushtetutë që e izolonte edhe më shumë vendin, ndërpreu marrëdhëniet me aleaten e fundit të Shqipërisë, Kinën. 1973-1983 : pikërisht, gjatë kalimit të këtij tuneli, Kadarea nxori kryeveprat e tij, që buronin nga dashuria që kishte për Shqipërinë në rrezik, sepse  kishte një mision : « të restauronte ikonën », atë ikonë që, nën petkun e progresit, regjimi kishte dashur ta shfytyronte paturpësisht, si arkeologët e Sadam Huseinit, të cilët, pa u merakosur fort për vërtetësinë,  u orvatën të rishfaqin Babiloninë.
 
Sfida e kujtesës  
 
T’i transmetosh krejt një vendi sëmundjen e Alzeimerit, të shkatërrosh qelizat ku ishin gdhendur kujtimet e tij për ta zëvendësuar jetën e Njeriut me atë të një qenieje të re… për këtë, regjimi nuk i kursente mjetet. Përballë tij, lufta e një shkrimtari për të restauruar ikonën synonte të shpëtonte jetën njerëzore në themelet e saj më kryesore dhe t’i bënte ballë iluzioneve orwelline të pushtetit. Është kjo një nga arsyet për të cilat Dimri i Madh, shfaqur në një çast kritik (në pranverë 1973), pësoi goditjet e regjimit : funksionarët, ish-ët, të dashuruarit e zhgënjyer, një pjesë e tërë aktorësh të « komedisë së vogël njerëzore » luajtur në këtë roman ishin një fyerje përballë njeriut të ri.
Në vitet që pasuan, Kadarea vijoi punën e tij për ruajtjen e kujtesës kolektive. Në klimën mjedisore të paranoiës, ishte jetësore të mos e harroje. Andaj, nëpërmjet Prillit të thyer, shkrimtari shpluhuron Kanunin, të drejtën e lashtë zakonore që, në fillim të shekullit, e shihje ende të vepronte në Veri të vendit. Që këtej, ai nxjerr një nga konceptet e tij madhore besën** (fjalën e dhënë), e cila, nëse s’është me zanafillë krejt shqiptare, përbën një nga degët e fundit të një qytetërimi mesjetar që vishte një pjesë të mirë të krishtërimit. Ashtu sikurse nuk do rreshti më duke iu referuar Kanunit, ai do ta bëjë besën ide kryesore të shumë romaneve1. Në periudhë të plotë izolimi, në një shtet ku çdo kontakt me një të huaj ishte i dyshimtë, Kadarea përmend një kohë kur ishe i lirë të përshkoje Evropën, kur martoheshe përtej kufijëve !
Pak nga pak, në rrjedhë të viteve e të librave, ikona rigjen ngjyrat e veta : Kadarea nuk e shpjegon një pemë nga gjethishtja e saj, por nga rrënjët, nga kripërat minerare që e ushqejnë : ai e ndërmerr analizën në çastin kur, në laboratorët e ideologjisë staliniane, shegertët magjistarë kërkojnë të ndryshojnë përbërjen e kriprave minerare. Duke parodizuar me titullin e një vepre të Enver Hoxhës, mund të përmblidhet një pjesë e mirë e veprës së Kadaresë nën emërimin : « Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së përjetshme ». Duke dashur ta izolojë elementin e përjetshëm, Kadare e thjeshtonte periudhën socialiste në një epifenomen, të përkohshëm por të frikshëm, nëpërmjet pushtetit të vet venitës. Pa dashur të mahnisë kritikët letrarë të një çasti të dhënë, ai regjistrohej në kohë dhe kandidonte për të mëtejshmen. Ikona e restauruar do të ishte garanci për të, ndërsa vetë historia mund të gjykonte mbi pjesët. Por çfarë ikone do merrte për garanci ? A është e sigurt se ajo është restauruar me besnikëri të plotë ? Sepse paradoksi është i tillë që Kadarea nuk pranon në tekstet e tij etiketën e romaneve historikë. Jemi njëqind lega larg natyralizmit.
Para se të jetë estet apo roje i muzeut Shqipëri, Kadarea është një krijues, dhe ngasja duhet të jetë e madhe për të ndërhyrë, për të dhënë shpjegimin e vet të ikonës, madje edhe për ta përdorur mitin në shërbim të përfytyrimit të tij të botës ; dhe Kadarea bën pjesë ndër ata shkrimtarë që kanë krijuar një grilë leximi, nëpërmjet së cilës ata filtrojnë historinë, dukuritë e saj, zbulojnë lëvizjet bazë ku mbështetet evolucioni i gjërave. Ai duhet gjithashtu të joshë, duke u shtuar miteve, herë pas here, një të dhënë, një trup të huaj për të krijuar një mit hibrid, të ripërpunuar. Ka qëlluar që lexuesit shqiptarë të përshëndesin faktin që Kadarea u rijep jetë legjendave, « hambari i lashtë mitik » i Shqipërisë dhe që po këta lexues e kritikojnë në të njëjtën kohë për një trajtim tepër subjektiv të legjendave, për një penelatë tendencioze në përpjekjen për restaurim. Tek rizgjon legjendat, shkrimtari ka ndërmarrë hapin e zvetënimit, të çmistifikimit, të çeljes së tyre para botës, duke përfshirë në debat të dhëna të reja, madje tek Kush e solli Dorintinën ? duke thyer një tabu, inçestin (edhe pse nuk përshkohet veçse si telish), gjë që thjesht do shkaktonte skandal në Shqipërinë e viteve 70. « Variante të tjera sipas Kadaresë » të këtyre miteve pothuaj nuk kanë shkaktuar dallgë. Kadare nuk mund të kënaqet me interpretimet zanafillëse dhe sipas tij, miti, edhe pse mund të vishet me maskën e një tabuje, priret të shpjegojë të tashmen. Debatet, indinjata që shkakton tek disa tregimi i tij Dritë hëne, më 1985, janë një dëshmi e tillë : me t’u botuar, teksti u ndalua, kopjet u tërhoqën nga shitja. Në atë Shqipëri që do varroste Hoxhën dhe ende nuk i kish larë tërë hesapet me njëfarë « turpi shtetëror », Kadarea kishte shkuar tepër larg.
 
Marrëdhënie të dykuptimta me Partinë
 
Vija e angazhimit kadarean ka mundur të shfaqet po aq e spërdredhur sa një rrugë shqiptare, për të njëjtat arsye madje, sepse duhej doemos t’u bihej qark disa pengesave të pakapërcyeshme. Megjithatë, ashtu sikurse vetë rruga në njëfarë distance, angazhimi i tij merr më së miri të njëjtin drejtim me vitet, ndjek një fill, pavarësisht nga shmangiet : shkrimtari nuk endet në një labirint ; çka është, à posteriori, me interes për t’u studjuar, është pikërisht rruga që ka përshkuar. Kadarea, që nga mosha dhjetë vjeç, nuk ka njohur veçse komunizmin dhe në atë botë u rrit e mori edukim. Në mbarim të studimeve, ende nuk e ka teserën e anëtarit të Partisë së punës, por shkruan poema lëvduese për Shqipërinë e re, atë që ngre lart propaganda. Si çdo poet filiz, njeh dhe duron rregullin sipas të cilit për të botuar një përmbledhje, duhet t’i kushtosh të paktën një poemë lavdisë së Partisë. Në atë kohë, lirizmi i rinisë së tij shpreh një dashuri për idealet progresiste, por poeti nuk ndihet rehat në kornizat e ngushta të realizmit socialist. Ai parapëlqen t’i këndojë kohës së qëndrimit të tij në BRSS, në Jalta, në Moskë apo mbi bregun balltik ; në vitet 60, shpreh daljet e tij të para në Perëndim nëpërmjet përshtypjeve poetike, ka guximin të flasë për vendin ku një shqiptar nuk shkon dot ; gjetiu, kampet borgjeze e revizioniste që ekzistojnë veç « të diabolizuara », nxirë nga shtypi zyrtar. Ikja ! Kjo ide kthehet në mendim të ngulët për çdo shqiptar, që për nga funksioni mund të marrë pjesë në ndonjë delegacion. Ç’duhet bërë atëherë për të qenë në listën e « të deleguarve ? » Prania e Ismail Kadaresë në disa lista nisësish jashtë shtetit u acaronte nervat disave, ngacmonte smirat, dhe në atmosferën e « rretheve të gjera » si ajo e intelektualëve të Tiranës, një hiç merrte përmasa gjigande. Çuçuritej midis fisnikrucësh të Iluzioneve të humbura të Balzakut : « Kadarea ka një veturë »… apo « një vend në avionin për Zyrih », apo « për në Paris »… E megjithatë, çdo nisje për jashtë shtetit ishte thikë me dy presa dhe kish rrezik të kthehej në drejtim të përfituesit. Një intervistë me ton tepër të lirshëm, apo një artikull tepër mburrës në shtypin perëndimor, do të mjaftonin që në Shqipëri menjëherë të lehnin qentë besnikë dhe të shembeshin marrëdhëniet e ndërtuara. Atëherë, gjaku i shkrimtarit gati sa nuk ngrinte ; një « maskë ashpërsie » zinte vend në fytyrën e tij.
Fati i tij të kujton atë të Shostakoviçit. Rrethuar nga brenda prej pronarit, nga jashtë prej kureshtarëve, vitrinë e bukur, fliste në mënyrë të dykuptimtë për të qenë brenda pa e mbajtur veten kurrë për të parë, detyrohej të tregohej i matur sa herë që i dilte rasti për të marrë një ditë avionin… « Vendi im nuk më duket dhe aq i izoluar sa ç’thonë », do t’i shpjegonte kësisoj gazetës le Monde, më 1986, kur regjimi ende e detyronte të mos merrte pjesë në Apostrophes, për shkak të pranisë të një autori anglo-sakson. Kontakti me shtypin e huaj mund të kthehej në mundim, aq shumë i duhej zhonglonte pa e shitur shpirtin, të vetçensurohej para se të mendonte nga vetvetja, të tregohej më finoku që të mund të dekodohej prej disave, por pa i thartuar të tjerët… Më pas, kthimi në vend ishte si një ushtrim tjetër akrobacie… Megjithatë, në Perëndim, sikurse në Shqipëri, ai që dilte periodikisht nga Vendi i Shqipeve mbahej për i privilegjuar. Më 1972, Kadarea ishte bërë anëtar i Partisë së punës, në moshën tridhjetë e katër vjeçare. Thotë se nuk kish nga t’ia mbante, në fund të viteve 60 – duke shkruar romanin Dasma që tani e hedh poshtë,  – përballë sulmeve të dogmatizmit rrethues. Asnjë entuziazëm nuk e shtyu të marrë teserën e Partisë, por ndoshta thjesht presionet e jashtme dhe një instikt mbijetese, që e shtynin të mendonte se me t’u bërë « anëtar », do kishte më hapësirë, siguri në jetë, në zhvendosje apo për botimin e librave. E ku ka gabuar atëherë, nëse vërtet kjo ishte përllogaritja që bënte ! Sepse, pikërisht, duke filluar nga kjo periudhë, retë e zeza nisin të grumbullohen…
Më 1970, kur ende nuk është anëtar partie, Kadare është zgjedhur deputet i Tiranës. Në Lindje, le ta rikujtojmë, parlamentet nuk ishin veçse dhoma regjistrimi dhe funksioni i deputetit që Kadarea « ka pasur » deri më 1982 nuk i dha mundësi veprimi për kurrfarë gjëje dhe as mundësinë më të vogël pushtetore. Me veprën e tij dhe vetëm me të, ai ka qenë dhe mund të jetë ende dobiprurës për kombin shqiptar. I zgjedhur deputet : pa një ditë të bukur emrin e tij në një listë të të « zgjedhurve » pa e kërkuar ndonjëherë këtë post ; sipas një metode të errët përqindjeje të paracaktuar, regjimi ja që kish nevojë për një shkrimtar, meqë vendet e tjera në Kuvend ishin zënë nga ingjinierë, punëtorë, etj. Ç’duhej bërë ? Të kundërshtonte ? Do ishte gabim i rëndë me pasoja, veprim subversiv ! Kush nuk ish hapur pro, dyshohej thjesht për kundër. Mendimi i Robespierit, futur nga vetë Hoxha, sundonte në vend. Në parathënien e tij për përkthimin frëngjisht të Proçesit të Kafkës, Bernard Groethuysen e përmblidhte tërthorazi, duke folur për Joseph K., atë çka do të ishte rregulli bazë te Kadarea : « Që nuk jeni i lirë, gjithçka e provon këtë. Përpiquni atëherë të thoni jo për çfarë të mundni. Gjithçka të detyrohet, gjithçka është atje. »
Atëherë, pranimi ? Apriori, kjo nuk të zotonte për asgjë, e megjithatë, – po kush mund ta merrte me mend ? – ishte si të fusje një këmbë në grackën që regjimi ngrinte për të kompormentuar të gjithë ata që guxonin të pretendonin për një famë « ekstra-revolucionare ». « Populli dhe Partia ju ngrejnë në majë të Olimpit, por nëse nuk i qëndroni besnikë, ju hedhin në greminë », do t’i ketë thënë një ditë Kadaresë Ramiz Alia. Gremina ! Fare mirë do e kish njohur nga afër pasi i dorëzoi pa kujdes botuesit një poemë titulluar Pashallarët e kuq, më 1975, ata « pashallarë të kuq…që çojnë në varr arkivolin e Revolucionit ». Do qe flakur në të edhe gjatë verës e vjeshtës së vitit 1973, gjatë fushatës së shtypit që shpërtheu kundër Dimrit të Madh, orkestruar nga Enver Hoxha. Lëvizja nisi nga provinca për të mbërritur më pas në Tiranë. Vetë Hoxha u shpreh për romanin në vjeshtë, gjatë një fjalimi në Elbasan. Por kush e ndërpreu befas fushatën ? Një mirësi e papritur e tiranit, që deshi të shmangte në Perëndim dhuratën e një Pastërnaku të ri duke « e hidhëruar » kështu Shqipërinë me një çmim Nobel disident ? Ose të qe vallë, më prozaikisht, infarkti i ri me të cilin u godit diktatori në tetor 1973, që ia largoi Kadarenë nga mendimi ? Nga viti në vit, Kadarea kaloi me sukses një pistë të gjatë me pengesa. Është e vështirë të japësh, në Perëndim, shpirtin « fshataresk » në të cilin ishte zhytur Tirana, ku sundonte një baraspeshë pushteti midis klaneve, ku thashethemnaja kishte shtruar postiqet, përhapur nga vox populi, shërbimet e fshehta apo smirashët e tërë kategorive ; qytet ku inteligjenca, tepër e mbikëqyrur, ishte katandisur të takohej në tre a katër kafene mbushur me mikrofona ; qytet-Janus, po aq sa stalinian edhe mesdhetar, ku mbretëronte kallzimi e dyshimi, qytet ku miqësitë e vërteta ishin nga pasuritë më të çmuara dhe merrnin një vlerë të pazakontë për Perëndimin ; qytet i banuar nga nocionet e besës dhe mikëpritjes, të cilave regjimi donte t’i zëvendësonte vetëm me ksenofobinë ; qytet, ku intelektualët ishin tërësisht të magjepsur pas Perëndimit, Parisit… E pamundur të shprehësh në disa rreshta frymën e këtij kryeqyteti baritor, që nuk munëronte më shumë se 200 000 frymë, përfshirë që atëherë në faqet e Dimrit të Madh dhe të Koncertit.
 
Drejt  prishjes
 
Asnjëherë Kadarea nuk ra në greminën që i kurdisnin ndoca. Në sytë e disa funksionarëve të lartë mediokër, ai përbënte një rrezik, por mediokër të tillë, nuk bënin gjë tjetër veçse nënvlerësonin forcën e shkrimeve të tij ; për mendjet e mbara që çanin një shteg drejt sferave të larta, ai mishëronte një vitrinë dobiprurëse për Shqipërinë në sytë e botës së jashtme, por një vitrinë që lypsej të mbikëqyrej nga afër.
Në këtë mjedis të ngushtë, ku të gjithë « haheshin me shoshoq » apo mbështesnin heshturazi njëri-tjetrin, urrejtjet, smirat dhe simpatitë u desh të baraspeshoheshin për të bërë të mundur që Kadarea t’i shpëtonte greminës, edhe pse mjaft herë, e shpunë në buzë të saj për ta kërcënuar me rrezikun që e priste. Megjithëse i qortuar nga kritika, madje dhe nga pushteti (më 1982), i detyruar nga viti 1975 gjer më 1978 të mos botonte romane, shkrimtarit iu propozuan (imponuan) gjithashtu funksione nderi. Ai ishte anëtarësuar në Partinë e punës më 1972. I nderuar jashtë, nuk kish si të jetonte në hije në Shqipëri, por duke qenë gjithnjë « një i dyshimtë » për ministrinë e Brendshme, iu besuan poste nderi. U bë kryeredaktori i Lettres albanaises, botuar në shqip, por edhe në frëngjisht, u emërua gjithashtu nënkryetar i Frontit demokratik, funksion tërësisht përfaqësues në gjirin e kësaj organizate mase që numëronte katërmbëdhjetë nënkryetarë për një presidencë të gjithfuqishme : Nexhmije Hoxha, Lady Makbeth shqiptare, e veja e tiranit. Si të kundërshtonte ? Kur aq shumë do e kish dëshiruar ? Kadarea tashmë e dinte se me kalimin e viteve, rrezikonte veç burgun ; e dinte se një « aksident » ndodh shpejt, se autoritetet mund ta organizonin në fshehtësi… Ah ! sikur edhe ai të kish pasur të drejtën e disa muajve për errësirën e një qelie ! Ndërgjegja e mirë e vetë Perëndimit, kapur pas situatash thjeshtësuese, antikomuniste gjer në palcë, do kish ulëritur në këtë rast kundër poshtërimit që po i bëhej këtij Solzhenicini ballkanik, dhe ndoshta do krijoheshin komitete, do qarkullonin peticione ! Një burgosje e tejzgjatë veç do ngjallte detyrimisht respektin e intelektualëve parizianë… Por burg nuk pati. Atëherë, me artin e skematizmit që karakterizon disa prej tyre, këta intelektualë nuk panë te Kadarea veçse një « të afërm të së vesë [të Enver Hoxhës], deputet nga 1970 gjer më 19821 » dhe konkluduan drejtpërdrejt se në bazë të këtyre fakteve, « Kadarea është pjesë e sarajeve2 ». Çfarë do kish ndodhur nëse shkrimtari do kish hedhur vickla, do kish shpallur hapur armiqësinë ndaj regjimit ? Me siguri vetvrasja e ngadaltë, nëpërmjet mbytjes. Meqë do mbahej përherë e më shumë në një heshtje shterpë, Perëndimi do e kish harruar, duke i qëmtuar gjetiu Havelët dhe Pliuçët e vet. Heshtje shterpë, ndërkohë që me botimin aty-këtu të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, kish filluar të flitej me terma pozitive për Shqipërinë dhe kulturën e saj. Po riflitej për Shqipërinë e përjetshme. Pikërisht ky rezultat e nxiti shkimtarin për « të restauruar ikonën » gjer më 1990.
Një ikje në mërgim, a do t’i kish shërbyer diçkaje më 1983, kur ky mendim i erdhi Kadaresë gjatë një vizite në Paris ? Në gjendjen e atëhershme, mund të mendohet se regjimi shqiptar do e kish « tretur » këtë dezertim nëpërmjet shpifjes. Më 1983, tirani kishte hyrë praktikisht në fazën e vet të agonisë, dhe me të drejtë shpresohej se Ramiz Alia, princi trashëgimtar i nomenklaturës, do të bëhej një despot më i ndritur. Nuk ndodhi kështu, sepse klanet në pushtet përgjonin shoshoqin, neutralizoheshin, dhe në çdo rast mund të tregonin se deri në ç’pikë tjetri qenkësh i korruptuar dhe « social-tradhtar » : llogari në Zvicër, përvetësime të fondeve publike… Kadarea duroi deri në tetor 1990 për të ikur në mërgim (ose më mirë, sipas shembullit të Tomas Manit, nuk u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit). Priti për t’u larguar gjersa regjimi të paraqitej mjaft i dobësuar. Gjatë verës 1990, pas disa hapjeve, pushteti u ashpërsua. Për Kadarenë, kjo ishte një disfatë e re e inteligjencies. Kupa ishte plot me atë çka deri atëherë ai kishte kritikuar ashpërsisht më shumë : me mediokritet dhe zell të shërbenjësve. Mediokritet i aparatçikëve, i përgjegjësve të sigurimit, i intelektualëve rrogtarë, i smirashëve. Sipas këtij shkrimtari të pamëshirshëm ndaj rëndomtësisë, vendi po vdiste nga mediokriteti i udhëheqësve të tij. Ajo çka ai përllogariste me mendje të kthjellët ishte që të shkaktonte një tronditje të domosdoshëm për « rigjallërimin » e vendit. Fare mirë ai mund të qëndronte, përderisa gjendja po fermentonte. Por nuk mund të mohohet megjithatë se largimi i tij luajti një rol katalizatori. Nga njëra ditë në tjetrën, mendjet e zamkosura në pritshmëri, veç kur u gjendën përballë problemeve, dhe të gjithë, nga ishin e s’ishin, u ndodhën përpara urgjencës për t’i bërë ballë. Mërgimi i Kadaresë shpejtoi reformat dhe lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte zanafilla e rënies së stalinizmit. Disa e qortuan se u largua në një çast vendimtar : do kish luajtur një rol më të rëndësishëm në vend, thonin ata. Por gjatë lëvizjes studentore të vitit 1990, emri i tij ishte në gojën e tërë kundërshtuesve të regjimit, dhe në euforinë e atyre ditëve të ethshme, disa shihnin tek ai presidentin e një Shqipërie demokratike. Duke u larguar, duke e bërë mbarë botën të flasë për Shqipërinë, Kadarea ruante sërish figurën e vendit të tij. Të restaurohej ikona ! Ngrinte lart krenarinë e atij kombi duke përcaktuar kufijtë e së durueshmes. Por tek disa shkaktonte një shqetësim. Përse po ikën ? Ç’do të bëjë atje ? Regjimi kërkonte të jepte për të pamjen e një tradhtari.
 
Një ambasador jashtë të zakonshmes
 
I dobishëm në vend vërtet, por nuk është se s’u përpoq. Qëkurse dara kish nisur të lirohej, Kadare kish përdorur ndikimin e tij shumë herë me radhë për ta shtyrë regjimin drejt demokracisë. Duke ndjerë se çka ishte e pamundur dikur, po bëhej pak nga pak e mundur, jepte intervista kritike, takonte politikanë, gjer edhe te presidenti Ramiz Alia, për ta bindur për drejtësinë e reformave. I duhej dhënë fund atij kulti të asketës kombëtare. Në pranverë 1990, takon Ramiz Alinë. Takim tjetër me Alinë, mes intelektualësh, gjatë verës, këtë herë për të kërkuar pluralizmin. Por periudha e hapjes kish përfunduar ; pushteti mblidhet në guaskë, nis të kërcënojë : mos shkoni larg ! Gjatë këtyre muajve të gjatë pritjeje, romanet e Kadaresë, a veprojnë vallë në ndërgjegje, apo mos kemi të bëjmë thjesht me një hamendësim? Dhe duhet të jetë sidoqoftë një pohim pafuqishmërie që e shtyn në tetor 1990 të kërkojë strehim në Francë : e pranon se u largua « duke mos pasur asnjë mjet tjetër për të bërë të njohur qartë dhe plotësisht pikëpamjen [e tij], meqë nuk ekziston në Shqipëri mundësia për opozitë legale […]1 ». Nëse librat do kishin ndikuar mjaft fuqishëm, ai as që do kish nevojë të largohej. Kush mund të masë, dhe me çfarë saktësie, përshtypjen e vërtetë të ikjes së tij në mërgim ? Shpifja ishte zëri i parë që u dëgjua. Kështu, një drejtues i Ministrisë së jashtme shqiptare thoshte : « Kadarea kishte folur për refugjatët si jashtëqitja e shoqërisë shqiptare ; tani, ai vepron si ta. » Pas tre muajve të ikjes të tij në mërgim, dëshirat që ai kish shprehur për vendin u plotësuan : u rivendos liria e kultit, pluralizmi politik, liria e shtypit, fundi i monopolit të Partisë mbi Shtetin… Jashtë shtetit, Kadarea nuk mbetet inaktiv, po kthehet në një lloj ambasadori lëvizës i « Shqipërisë së përjetshme ».
Nëse ky ambasador jashtë të zakonshmes i referohet aq shpesh fondit mitik grek apo ballkanik, nëse i drejtohet aedëve, Eskilit apo Kanunit, këtë e bën jo për mungesë argumentesh, por për njëfarë sprapsjeje që ia dikton mendimi i tij. Për të pasur një grilë leximi të botës lypsen zhalone të tillë që e tejkalojnë kohën. E tashmja nuk është veçse një kursor zhvendosës mbi një ekran të madh. Nëse në ndonjë rast, konkretisht që pas rënies së stalinizmit shqiptar, mund të jetë dukur sikur Kadarea s’ka qenë në sinkron me pragmatizmin e gjithfarshëm të popullsisë shqiptare, kjo vjen ngaqë ai gjykon nga larg, për koherencë, për të mos humbur kohë me epifenomenet. Duke i dhënë fund mërgimit të tij në pranverë 1992, ai vijon ta kalojë shumicën e kohës në Paris, për të përfunduar e lëmuar një vepër përtej-kohës, për të mos qenë i mbërthyer nga luftrat ndikuese, për të mbetur disi mënjanë shpërthimit të etheve. Me vite, ai luan rolin e një balize* që nxjerr rregullisht sinjale, të dukshme për të gjithë. Duke dalë nga forsepsi* i një Evrope për të hyrë në tjetrën, që nuk e do veçanërisht atë, Shqipëria nuk po i jep dot fund mundimeve të veta, dhe megjithë evolucionet politike të kohëve të fundit, disa nyje të lidhura ende nuk janë zhbërë, si ai i Kosovës, së cilës Kadarea i ka kushtuar tregimin Vargu i dasmorëve ngriu në akull, që i bën jehonë ngjarjeve të përgjakshme të Prishtinës në pranverë 1981. Kadare i rikthehet shpesh fatit të këtij rajoni populluar në pjesën më të madhe nga shqiptarë, duke vënë në dukje faktin se në Evropë, nuk ekzistojnë më kombe të tjerë, që të kenë gati gjysmën e popullsisë nën sundimin e një shteti, Serbisë, e cila ia mohon krejt të drejtat. Shkrimtari kërkon të trondisë opinionet, të shmangë harresën dhe nuk ngurron të flasë për « tragjedinë » e Kosovës, për « ferrin që rëndon mbi shpatullat e dy milionë shqiptarëve ». Mbrojtës i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, ai e qorton Perëndimin për heshtjen e tij ndaj Kosovës, së cilës serbët i hoqën autonominë më 1989. Ndaj qarqeve pushtetore të Beogradit, ndaj Titos dhe veprimeve të tij mashtruese, ai nuk i kursen fjalët më të ashpra.
 
Besnik ndaj vetvetes   
 
Qëndrimi i tij, që ka të bëjë me prapsjen, për të analizuar të tashmen nëpërmjet filtrit të së shkuarës, është në fund të fundit shumë koherent me konceptin e kohës që ai zhvillon në veprën e tij, bazuar, për ta përmbledhur, mbi nocionin e rikthimit të përjetshëm. E ardhmja është një formë e së shkuarës, e tashmja nuk është veçse një pllakë e ndjeshme, sikurse çdo tjetër, për të kapur e fiksuar mitin.
Rënia e stalinizmit nuk pati vetëm pasoja pozitive për shkrimtarët shqiptarë. Pasi qenë kërkuar me ngulm – të paktën ata që në shpirt nuk ishin shërbëtorë – pasi qenë përkëdhelur kur shpresa kalonte nëpërmjet tyre, ja tek i shohim të ribien në hije. Statuti i shkrimtarit zhvleftësohet. Të tjera vlera marrin stafetën, më pragmatike, për t’i rënë grepit të peshkimit : paraja dhe pushteti, ëndrrat me çmim të lirë importuar nga Perëndimi. Me zhvillimin e një shtypi « të lirë », secili mund të shajë tjetrin nëpërmjet rrugës së shtypit. Në një botë në hapje të plotë, letrësia nuk është ajo që sjell ëndërrat : ajo sillte atë pjesë të botës që u ishte ndaluar shqiptarëve. Përplasjet e ashpra midis politikanëve e zhgënjejnë shpejt Kadarenë, e bindin në qëndrimin e tij për të mbetur përmbi trazirën. Ashtu sikurse kishte deklaruar në fund të vitit 1990, se mërgimi i tij nuk do të ndikonte pothuaj apo aspak në mënyrën e tij të të shkruarit dhe në « lirinë e tij të brendshme », ai gati s’e ka ndryshuar mënyrën e tij të të menduarit të botës. Disa shpresa janë zhgënjyer, ndër ato që ai shihte tek njeriu. Por fati i tij nuk është i vetëm. Krejt vendet e ish bllokut socialist i zhvleftësuan intelektualët e tyre. Rikthimi i Solzhenicinit u bë në kuadrin e një indiference relative.
Shqipëria nuk u hodh në gjueti shtrigash ndër ata që i llogariste si shkrimtarë apo artistë. Dritëro Agolli, që kryesoi Lidhjen e shkrimtarëve gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve dhe ishte anëtar i Komitetit qendror të Partisë, ruajti një figurë shkrimtari të vlerësuar, si dhe Kadarea. Veçse në këto kohëra, kur ekonomikja dhe politikja janë primare, a lexohet vallë shumë ? Mes katrahurës, Kadarea ndjek me ritëm të barabartë një refleksion për baraspeshat e reja që po vendosen, për atë të shkuar që rizgjohet parreshtur dhe për historinë që përsëritet ; makineria e rikthimit të përjetshëm rrotullohet e rrotullohet. Tregimet Muri i Madh (1993) dhe Kisha e Shën-Sofisë (1994) bëjnë pjesë në atë grilë leximi që e bëjnë Ismail Kadarenë një « ndërgjegje », moskokëçarëse ndaj mënyrave të gatshme-të-mendimit. Cilatdo qofshin dredhat e fatit të tij përmes viteve të plumbta, duhet t’i njihet merita se ka kundërshtuar pushtetin (e vërtetë) kur është shfaqur tek ai, dhe se nuk e ka braktisur rrugës kryqin që ka zgjedhur për ta mbajtur që në rininë e vet.
 
Shqipëria utopi – Me dyer të mbyllura në Ballkan,
Paris, 1996.       
 
Maurice DRUON
 
ISMAIL KADAREA ËSHTË NJË NDËRGJEGJE
 
Fjala e Z. Moris Dryon, Sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze dhe Kryetar i Jurisë për Çmimin Botëror Cino del Duca, gjatë ceremonisë për dhënien e këtij Çmimi Z. Ismail Kadare, më 28 tetor 1992. 
 
Në çastin e parashtrimit të arsyeve që na çuan për dhënien e Çmimit botëror Del Duca Ismail Kadaresë, mendova se s’kish pse të zija e t’i numëroja ato kur gjithçka ishte e qartë. Dhe kjo qartësi e ka një emër : Ismail Kadarea është një ndërgjegje.
Ai mishëron dhe ilustron funksionin më të lartë të shkrimtarit kur ky, me penë për të vetmen armë, ndërhyn në historinë e vendit të tij, pra të njerëzimit, që të bëj të dëgjohet, nën kapën e zezë të shtypjes, fillimisht murmurima, më pas zëri i qartë dhe më në fund klithja e lirisë.
Gjirokastra është një qytet i vogël në Jug të Shqipërisë. Aty lindi Kadarea më 1936, në një shtëpi gjysmë të rrënuar që i ati dhe një fqinj përpiqeshin ta mbanin më këmbë. Ky qytet i vogël mbeti i shtrenjtë në zemrën e Kadaresë, dhe shfaqet shpesh në veprën e tij, si një simbol.
Është tetë vjeç kur diktatura, e vetmja gjatë një historie mijëvjeçare, mbërthen vendin e tij. Ndjek detyrimisht një arsimim dozuar sipas metodës marksiste, makinë konformuese e mendjeve. Por shpejt sheh se ka një botë tjetër, një atdhe tjetër që i duket « më i fuqishëm, i ngjyruar e magjepës ». Kjo hapësirë e lirë, kjo tokë strehuese është letërsia.
Ndjek studimet në Fakultetin e Letrave të Tiranës dhe i përfundon ato në Moskë, në Institutin Gorki, ku formohen shkrimtarët dhe kritikët. Përherë i njëjti kallëp zyrtar e totalitar. Po ku gjetkë do mund të shkonte ? Megjithatë, i hyn letërsisë. Kjo, sipas tij, nuk ka veç një qëllim : të ruajë tempullin. « Për atë tempull, ka thënë ai, shkrimtari duhet të jetë gati për t’i bërë ballë kujdo. Madje edhe kohës së gjithfuqishme. Madje edhe popullit mosmirënjohës. Madje edhe historisë ».  Tempulli, të merremi vesh, është njeriu, individi.
Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçe, Kadare, talent çuditërisht i hershëm, boton vëllimin e tij të parë me poezi, dhe romanin e parë : Kronikë e një qyteti të gurtë**, ku shfaqen tashmë temat dhe procedimet që do formojnë unitetin e veprës së tij.
Pas prishjes midis Shqipërisë dhe Bashkimit sovjetik, Kadare kthehet në tokën e tij të lindjes, ku bëhet gazetar për të jetuar. Shqipëria është atëherë krejt e shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Asnjë këmbim, thuajse, madje as me Lindjen. Ky shtet i vogël kthehet kështu në një botë mbyllur në vetvete dhe nënshtruar ndaj tërë recetave të tiranisë. Megjithatë, revista letrare Les lettres albanaises, që drejton Kadarea, do të shfaqet në frëngjisht, gjë që tregon më së miri se nga Parisi pritet rrezja e dritës që depërton në këtë qilar.
Ismail Kadarea ka shumë të drejtë të besojë në fuqinë e letërsisë. Talenti çan kufijtë.
Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman përkthimi i të cilit botohet në Francë më 1970, i njofton botës letrare të vëmendshme se atje, në Shqipërinë e shtrënguar, është shfaqur  një shkrimtar i madh. Dhe kjo, para njëzet e dy vjetëve.
Që atëherë, rëndësia e Kadaresë dhe fama e tij nuk kanë rreshtur së shtuari, në të njëjtën kohë që zhvillohej vepra e tij, e konsiderueshme dhe e larmishme.
Trembëdhjetë romane, nga Prilli i thyer te Piramida që u botua këtë vit, përmbledhje tregimesh, vëllime me poema, një antologji e prozës shqiptare, një ese e gjatë mbi Eskilin, apo këtë humbës të madh, mjaft tekste të tjerë, të gjitha këto të botuara në dymbëdhjetë vende a më shumë.
Ismail Kadarea është një shkrimtar kontrabande. Dua të them me këtë se fabulën, mitologjinë, legjendat e vjetra turke a shqiptare, apo legjendat e trillëta që i sajonte vetë, ai i ka përdorur si ambalazhe të padëmshëm a të sigurt për të kaluar rrëshqanthi mjetet mendore të lirisë nën hundën e doganës intelektuale.
E dimë nga përvoja, duke qenë se kemi jetuar edhe vetë nën pushtimin, se sa situatat e historisë së largët apo personifikimet e lashta të revoltës mund të jenë, përballë çensurës, mjete ndihmëse për të denoncuar shtypjen dhe për të zgjuar ndërgjegjet.
Nën këto strehëza, dhe falë një përfytyrimi pjellor, Kadarea ka ditur të zbërthejë pamëshirshmërisht mekanizmat me anë të të cilave një pushtet arbitrar mund të rëndojë mbi shpirtrat e të vendosë terrorin.
Kam parasysh librin e tij Pallati i ëndrrave, ku një tiran fabrikon një polici të tërë për të zbuluar deri edhe në gjumin dhe ëndrrat e qytetarëve, të shtetasve, më mirë të themi, çdo shenjë që do mund të kundërshtonte apo kërcënonte pushtetin e tij.
Kam parasysh gjithashtu atë tregim të shkurtër, ku me një urdhëresë shpallej kërkimi dhe eliminimi i të gjithë njerëzve që kanë « syrin e keq ». Dhe gjithkush heton fqinjët, familjen, kalimtarët që kryqëzon në udhë ; dhe kallëzimet lulëzojnë ; dhe arrestimet vijojnë ; dhe ankthi depërton në shpirtra, e gjithsecili veç kur shihet në pasqyrë duke pyetur vetveten nëse edhe vetë ka « syrin e keq ». Përkryerje e tiranisë : ta bësh popullsinë të jetojë nën kërcënimin e përhershëm e hutues të një fajësie të beftë për një krim të papërcaktuar. Mezi mund të flitet për simbol a alegori. E dimë fare mirë se si Stalini dhe tërë konkurruesit e tij në botë kanë shpënë drejt gulakut apo ekzekutimeve kapitale anëtarë të rrethit të tyre thjesht për një këmbim vështrimi.
Kadarea përgënjeshtron – siç e thotë edhe vetë – « klishenë sipas së cilës nuk mund të krijohej letërsi e vërtetë nën një diktaturë komuniste ». Duke e marrë rrezikun në sy, ai krijoi një letërsi klandestine, jo për nga shpërndarja, por për nga vetë përmbajtja ; ai krijoi një mbretëri letrare, duke e ditur fare mirë se « shkrimtari është ndër sovranët më i godituri lehtësisht ». I izoluar, e ka ndjerë veten « si një pemë shënuar me kryq për t’u prerë ».
Nuk i ndodhi kështu.
Historia ktheu.
Dëshmitar i Shqipërisë, dëshmitar për Shqipërinë, Kadarea u bë universal. Këtë çast, jeton në Paris, ku mori strehim politik. Por, tashmë shkon edhe në vendin e tij, ku admirohet dhe, le ta theksojmë, që është një nga vendete Evropës ku frëngjishtja praktikohet më shumë. Dhe Kadarea vijon veprën e tij.
Kjo vepër i përgjigjet më së miri vetë frymës së çmimit Cino del Duca : të nderojë një kontribut që shquhet për humanizmin e kohës.
Andaj, në këtë vit 1992, juria që kam nderin të kryesoj parapëlqeu, i talentuari Ismail Kadare, që ju kam lexuar shumë, por që ju shoh për herë të parë, t’ju zgjedhë për këtë Çmim që do t’ju jepet nga vetë themeluesja e tij bujare.
 
Alain PLANTEY
 
Alan Plante (1924), Kryetar i Akademisë Franceze dhe i Institutit të Francës që nga viti 1996, me karierë të ndritur shkencore, juridike, diplomatike dhe autor i mbi njëzet veprave e punimeve akademike.
 
ROMANCIER I MADH E I HERSHËM
 
Ceremonia solemne për anëtarësimin e Z. Ismail Kadare në Akademinë franceze të Shkencave Morale e Politike. Seanca e ditës së hënë, 28 tetor 1996, Paris, Pallati i Institutit të Francës.
 
Fjala e Z. Alain PLANTEY, President i Institutit, Kryetar i Akademisë,
 
Zoti Ministër,
 
Shkëlqesia e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë ju ka deleguar për ta përfaqësuar në ceremoninë gjatë së cilës Z. Ismail Kadare do të zërë vendin në cilësinë e anëtarit shok të Akademisë sonë.
Akademia është e ndjeshme ndaj nderit që po i bën Shkëlqesia e Tij Presidenti Sali Berisha dhe nderit që po i bëni ju vetë. Ajo ju përshëndet në mënyrë të veçantë, si dhe Shkëlqesinë e Tij Z. Ambasador të Shqipërisë në Paris dhe kryetarët e tjerë të misioneve diplomatike që nderojnë me praninë e tyre këtë seancë solemne.
Mesazhi që Shkëlqesia e Tij Z. President i Republikës së Shqipërisë na ka dërguar është si më poshtë :
« Zoti President Berisha e konsideron futjen e shkrimtarit të madh Kadare në Akademinë e Shkencave morale e politike si një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë kulturën shqiptare dhe si një dëshmi e përpjekjeve fisnike që bën Franca për të bërë të njohur kulturën dhe historinë shqiptare. Shqipëria do t’i jetë gjithmonë mirënjohëse ».
Akademia është e ndjeshme ndaj kësaj dëshmie dhe falënderon autorin e saj të shquar.
 
Sipas zakonit, po i drejtohem tani kolegut tonë të ri.
 
Zotëri,
 
Akademia e Shkencave Morale e Politike ju ka thirrur kohët e fundit për të pasuar filozofin dhe moralistin e madh Karl Popper, në cilësinë e anëtarit shok. Ju bashkoheni kështu me personalitete të tjera të larta të huaja, sigurisht në numër tepër të kufizuar, duke pasur parasysh internacionalitetin e kulturës dhe shkencës. Sigurisht, Akademia ju njihte tashmë sepse, duke pasur parasysh meritat tuaja të shkëlqyera, ju kishte zgjedhur, më 1989, korrespondent në seksionin e saj të Historië e Gjeografisë. Pas pak, kolegu ynë Henri Amouroux do ketë misionin e madhërishëm të kujtojë karakteristikat kryesore të personalitetit dhe veprës suaj, ku kudo vihen në dukje cilësitë tuaja.
Unë, nga ana ime, do dëshiroja ta shihja këtë anëtarësim tuajin, unanim, në kontekstin e vet ideologjik e historik. Sepse, ndërsa jeni, pamëdyshje, shkrimtar, veprat tuaja në mbarë botën kanë një kuptim të fuqishëm, therrës nga disa aspekte të tmerrshme, që i bën ato të jenë akte politike. Autoritetet tuaja kombëtare nuk kanë gabuar. As edhe turma e lexuesve tuaj, të vëmendshëm për shprehjen e anktheve shekullore të një pjese të Evropës sonë të vjetër dhe të tronditur nga ngjarjet dramatike që po zhvillohen sot atje. Sepse, duke ju zgjedhur ju, ne zgjedhim sigurisht një evropian, por një evropian të një lloji të veçantë, një ballkanik, një shqiptar për më tepër, përfaqësuesin e shquar të një prej kombeve dhe një prej kulturave më saktësisht ballkanike. Nga « Ballkani », domethënë nga malet, nga gadishulli, morfologjia e të cilit është me origjinalitet hutues, tokë kalimi për klima të pamata dhe erëra të egra, kryqëzim rrugësh midis stepës së ashpër dhe butësisë së brigjeve, kryqëzim qytetërimesh. Parë nga avioni, për një aziatik, Ballkani është tashmë Evropë, me horizontet e veta të kufizuara, Evropë me gardhinë, por asnjëherë e padepërtueshme ; për një perëndimor, Ballkani prapë është Evropë, por sa i vështirë për t’u njohur, me fusha të fragmentuara, lugina të ngushta, rrafshina të rrepta, maja honesh, fise të shpërndara. Në Shqipëri, më mirë se kushdo e dini ju vetë, Zotëri. Copëzimit të tokave i përgjigjet copëzimi i popujve. Gjithë vëzhguesit janë në një mendje : duke shkuar madje edhe në neolitik, nuk ekziston njeriu ballkanik, i racës ballkanike. Migrime e invadime mbivendosën shtresa etnike, përzien tipet fizikë, ndërlikuan karakteret njerëzorë dhe marrëdhëniet shoqërore. Pellazgë, dorë, galë, ilirë, skitë, romakë, gotë, bizantinë, hunë, bullgarë, serbë, turq u ndeshën e luftuan. Të gjithë lanë gjurmë, askush nuk unifikoi gadishullin. Feja, si element identiteti popullor, vetëm për këtë fakt ishte një faktor armiqësie, fillimisht midis të krishterësh me bindje të kundërt, më pas e sidomos midis të krishterësh e myslimanësh kur sovraniteti otoman përfitoi nga këto ndarje për t’u ngulur qëndrueshëm nëpërmjet forcës ushtarake, madje dhe në Shqipëri, ku në shekullin XV lufta për pavarësi ngadhnjeu për një çast me Gjergj Kastriotin e ndritur, nën emrin Skënderbe. Që përpara këtij shpërthimi, tërë fuqitë evropiane u joshën nga aventura ballkanike, secila për hesap të vet, natyrisht. Italia romake, sigurisht, pastaj veneciane, dhe më në fund fashiste. Duke ardhur nga Danubi, gjermaniteti austriak e aleman, katolik, por herë-herë aleat me myslimanët, shoqëruar nga dinamizmi hungarez ; thalasokracia angleze që dominonte ishujt dhe portet mesdhetare ; pansllavizmi rus e ortodoks duke u përpjekur të vasalizojë kombet e shfaqura për t’iu afruar porteve ; kultura e lirisë gjithashtu, simbolizuar nga Franca, nga letërsia, drejtësia, filozofia e saj dhe përfaqësuar po ashtu nga sakrifica e ushtarëve të saj, varret e të cilëve janë piketat e përparimit të trupave çlirimtare të Franchet d’Esperey.
Kështu, zënkat që përçajnë popujt ballkanikë i kanë bërë vendet e tyre fusha betejash, ku të huajt kanë ardhur për t’u ndeshur gjatë shekujve. Rivalitetet u shtuan menjëherë pas shpërbërjes dhe shuarjes së mbisundimit otoman. Një çast, sunduesit u quajtën « fuqi me interesa të përgjithshme » dhe u shfaqën si anëtarë të përhershëm të një koncerti evropian, por që shpejt u thye. Problemet strategjike të kësaj pjese të botës janë aq ngulmuese, saqë përballë Ballkanit, nuk ka Evropë të bashkuar. Ballkanikët e dinë, dhe e vënë këtë kartë në veprim.
Përmenda rolin politik, diplomatik e kulturor të Francës në këtë Evropë ende duke u bërë. Me ju, Zotëri, bëhet fjalë pikërisht për një gjë të tillë. Në fakt, popujt ballkanikë, secili në gjuhën e vet ringjallur nga murgjit, poetët, oratorët, në periudhën dhe shembullin e zgjimeve hungareze, polake, çeke, gjetën forcën për të hedhur poshtë sundimin osman. Pas veprës së Sirilit e Metodit, gjuha liturgjike u vendos tek sllavët, dhe më pas gjetiu. Megjithatë, ishin gjuhët e folura Iaike të lashta që, falë letërsisë së shkruar a gojore, u lartuan në godina kulturore gjatë shekullit të kaluar : konkretisht, rumanishtja, serbo-kroatishtja, bullgarishtja, shqipja. Por këto gjuhë të folura jetojnë në mënyrë autonome, aq sa në këtë hapësirë të vogël bashkëjetojnë katër alfabete të ndryshëm, secili në shkrimin e vet. Kështu gjuha, dukuri e natyrshme, erdhi në mbështetje të prirjeve kombëtare në një gëlim të ri, ku Shqipëria dha shembullin. Dukuria kombëtare gjeti shprehjen e vet me shfaqjen e shteteve, të brishtë për aq kohë sa përzjerja e popullsive pengoi pranimin e kufijëve të vërtetë. Fe e gjuhë u bashkuan për të krijuar zënka të pafunda. E vetme, trashëgimtare e popullit ilir të Lashtësisë, por në një hapësirë më të kufizuar nga ajo që zinte, Shqipëria diti, që para Luftës së Parë botërore, të afirmojë në tërësi, identitetin e vet territorial, institucional e gjuhësor mbi themelin e formave organizative dhe shprehëse patriarkale, me origjinë indo-evropiane, dhe ndikuar gjerësisht nga trashëgimia latine.
Megjithatë, kujtesa kolektive e popujve të Ballkanit, dhe konkretisht e popullit shqiptar, mbart gjurmët e shekujve të sundimit otoman, duke qenë se Turqia ushtroi aty një qeverisje politike të ngushtë, tek përzgjidhte drejtues që i vinte në krye të punëve në krejt perandorinë dhe në krye të ushtrive, por edhe tek bënte vjelje taksash, të lashtash si dhe djemsh rekrutë. Me t’u shmangur një shtypje e tillë, pasoi, për fat të mirë jo për një kohë të gjatë, shtypja e konformizmit  komunist, stalnian ose jo, një nga viktimat e së cilës ishte edhe Shqipëria. E krishterë para se të bëhej myslimane në pjesën më të madhe, më pas gjerësisht laike, ky komb kishte ruajtur në gjirin e perandorisë osmane origjinalitetin e vet falë forcës së traditave dhe karakterit të popullit të tij. Romanet tuaja dëshmojnë për këtë. Por atdheu juaj nuk mundi t’i shpëtojë diktaturës së një oligarkie që tregohej maoiste dhe që, më 1967, shkoi gjer aty sa ndaloi praktikat fetare.
Tek ju, Zotëri, shtypja karakterizon njeriun dhe veprën. Ajo ju shtyu përpara, ju dhe talentin tuaj. Ajo ju drejtoi drejt vërtetësisë dhe fuqishmërisë. Romancier i madh e i hershëm, ju lëshuat një mesazh me përmbajtje mobilizuese, duke sjellë në botë, dhe konkretisht këtu, provën e forcës dhe të efektshmërisë së thirrjes drejt lirisë kur është e çiltër dhe gjithë talent. « Vendi i Shqipeve » ishte vendi i diktaturës së fundit marksiste regresive. Këtë diktaturë, ju e luftuat. Vepra juaj e luftoi, vepër tërësisht e drejtuar kundër totalitarizmit, formave të tij të shumta e të ndryshme. Nëse sot, si shumë në Evropën qendrore e ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky Perëndim, prej të cilit në fakt komunizmi kishte frikë, është sidomos falë jush. Këtë thirrje Franca e dëgjoi. Jehona e saj oshëtin në një periudhë turbullire të madhe, kur të gjithë, dhe konkretisht popujt e Ballkanit kërkojnë të dinë se ç’fat mbijetese do njohin pavarësia dhe qytetërimi i këtyre kombeve. Më shumë se gjetiu, në Ballkan përplasjet kulturore kanë qenë nga më mizoret. A nuk na ka trashëguar vetë Greqia e lashtë llahtarën e tragjedive më të këqija ? Por, nga këto drama mizore, a nuk bëri të lindë bukuria më e kulluar ?
Tani, në vend të kultivohen kundërshtitë dhe rivalitetet, le të kërkojmë ngjashmëritë. Të përbërë ose jo në kombe, madje në shtete përreth kryeqytetesh të bukur, popujt ballkanikë nuk kanë bashkëjetuar gjatë shekujsh, madje mijëvjeçarësh, mbi të njëjtën tokë, pa përngjasuar doket dhe zakonet e tyre. Kudo, dashuria për një tokë të vështirë, forca e traditave familjare, kundërvënia midis fshatarëve e qytetarëve, kulti i nderit çuar gjer në krim, shija e lirisë, zelli romantik, lindur pjesërisht nga ilirizmi napoleonian, tërësi karakteresh, ku konstatojmë, mjerisht, fuqinë eksplozive e anarkike, ndërkohë që mund të themelojnë aty paqen, sidomos kur shoqëria moderne e ka zvogëluar forcën e aristokracive dhe të feudaliteteve, ka futur shijen e informacionit të mediatizuar dhe të të mirave të konsumit, ka stimuluar laicitetin në marrëdhëniet midis bashkësive.
E vërteta është se që prej një shekulli, Ballkani ka dhënë e vazhdon të japë shembullin e veçantë të një rizgjimi politik mbështetur mbi ringjalljet kulturore, energjike e spontane. Urrejtja nuk është aty një traditë, ajo është ndërtuar nisur nga një larmi e ligjshme, e respektueshme, për më tepër mbrojtur nga kozmopolitizmi turk. Këtyre popujve të lënduar, elitat e të cilëve ndihen të braktisura, është koha t’u lëshohet një mesazh shprese. Kush më mirë se Franca mund t’u shprehë vlerësimin që meriton secili prej qytetërimeve të tyre, nxitjen në rrugën e lirisë demokratike dhe dashurinë për një Perëndim evropian sot të bashkuar, paqësor e paqësues, po qe se ky vetë nuk bie, nga ana e tij, në njëfarë tribalizmi ngjallur në mënyrë inkoherente ?
Në këtë kuptim gjithashtu, zgjedhja juaj në gjirin e Shoqërisë sonë ka vlerë morale, atë të respektit që secili i detyrohet identitetit dhe origjinalitetit të tjetrit. Qoftë për persona, qoftë për fise apo shtete, parimi është i njëjtë : paqja nuk vendoset as në tokë, as në zemra pa një rikthim në themelet e shoqërive. Në Ballkan, është fjala për atë lidhje pas një qoshku tokeje, për atë zell të solidariteteve tradicionale, por edhe për atë tolerancë të fetarëve e feve, për hapje të rrugëve komunikuese, aq të domosdoshme për mirëkuptimin e ndërsjelltë të njerëzve, për rikthimin e elitave, shumë prej të cilëve janë formuar në Francë, për këmbimin e vlerave dhe ideve.
Cilido qoftë ndërmjetësimi i këtij apo atij institucioni ndërkombëtar, cilado qoftë diplomacia e kësaj apo asaj fuqie të jashtme, vepra nuk mund të jetë veçse sipërfaqësore dhe e përkohëshme nëse përpjekja për disiplinë dhe tejkalim të antagonizmave nuk vjen nga popujt e interesuar dhe veçanërisht nga elitat e tyre. Perandoritë janë zhdukur, por kush nuk e sheh se sa kanë mbetur të ndërvarur popujt e Ballkanit ? Në të ardhmen, fati i tyre do të jetë po aq i lidhur sa në të shkuarën. Fati i tyre i vërtetë është pra të qëndrojnë e jetojnë në harmoni. Ka ardhur pra çasti të sinjalizohet kundërshtia ndaj thjeshtimeve fanatike e të dhunshme, të rikthehet mikëpritja shekullore dhe e shenjtë për të huajin, të bashkohen fiset e kombet brenda respektit të ndërsjelltë të interesave, kulturave dhe feve. Atëherë, origjinaliteti  i gjithkujt mund të përbëjë forcën e aleancës së tyre.
Ju keni treguar, Zotëri, fuqinë etike e politike të mesazhit letrar, kur ky mesazh mbështetet mbi kurajon dhe talentin. Vendi juaj është më së miri mes nesh.
 
Henri AMOUROUX
 
Henri Amuru (1920), gazetar, shkrimtar e historian i njohur, anëtar i Institutit të Francës, Kryetar i Akademisë së shkencave morale e politike, Çmim Botëror Cino del Duca për krejt veprën e tij, Kryetar i Çmimit “Albert Londres”.
 
Fjala e Z. Henri AMOUROUX, në ceremoninë solemne për anëtarësimin e Ismail Kadaresë në Akademinë franceze të Shkencave Morale e Politike.
 
Cilin presim sot në gjirin tonë ? Romancierin Ismail Kadare, njërin nga më të mëdhenjtë e kohës sonë, që po zë vend midis anëtarëve shok të huaj në Shoqërinë tonë ? Pa dyshim. Mirëpo, më 1989, Ismail Kadare ishte zgjedhur anëtar korrespondent i Seksionit të historisë e gjeografisë të Akademisë sonë. Një romancier në Seksionin e historisë e gjeografisë ? Më takoi atëherë, Ismail, t’u thoja kolegëve të mi, të bindur në çast, se krejt vepra juaj ishte e pandashme nga gjeografia e një vendi që Ptolemeu, i pari, e quajti Albanoi, fjalë, për të cilën mendohet se ai i referohej në këtë mënyrë maleve, pikërisht atyre maleve që zënë dy të tretat e territorit dhe kanë qenë strehë jo vetëm e tërë qëndresave ndaj gjithë pushtimeve, por edhe të muzikës, valleve, kostumeve, zakoneve dhe, çka është themelorja, e gjuhës shqipe.
Ju i përkisni, Ismail « Vendit të Shqipeve », një vend, shkruani ju, veshur me male shkëmbore dhe re zemërimi, male të larta e të ftohta, sfond i një dekori tragjedie – kështu fillon Gjenerali i ushtrisë së vdekur – male të cilat – si te Iliada, ku nimfat hyjnore jetojnë mbi Siflën, mes shkrepeve vetmitare – janë një mjet për njeriun për të hyrë në kontakt me hyjnitë. Ju jeni skenaristi i reve të cilat, duke mbushur qiellin me një gjëmim bubullime, duke zbritur, duke zbritur përherë e më shumë si të kërkonin të vdekurit, janë në harmoni mortore me masakrën me të cilën përfundon Komisioni i festave. Ju luani me muajt e stinët, romanet tuaja quhen Dimri i Madh, Prilli i thyer, Pranverë shqiptare.
Shiu dhe mjegulla, që janë miqtë tuaj, shfaqen që në faqet e para të romanit që ju bëri të njohur në botë : Gjenerali i ushtrisë së vdekur, dhe një nga personazhet tuaja vë në dukje se ngjarjet më të çuditshme ndodhin përherë në vjeshtë. Pra gjeograf. Por edhe historian.
Romanet tuaja nuk janë, sikurse është pranuar të quhen, romane historike, mbështetur në dokumente arkivore dhe rindërtime të mprehta. Ato janë romane ushqyer nga historia juaj kombëtare dhe traditat gojore, një histori që ju e organizoni dhe e modeloni sipas shijes suaj me ndihmën e kujtimeve të përziera, me ndihmën e legjendave, ato legjenda që luajnë rol aq të madh në jetën sentimentale të Shqipërisë, një histori ku takohen si në mjegull – siç shkruani ju – mitologjitë greke, egjiptiane, bizanine e asiriane.
Ju nuk ngurroni t’i lëvizni shekujt. Kur ju shkruani Daullet e shiut, e ç’rëndësi ka që Zhorzh Kastriota, i mbiquajtur Skander Beg, princ i Shqipërisë dhe i Epirit, para të cilit dështuan dy sulltanë dhe heroizmin e të cilit e këndoi Ronsari :
 
O nder i shekullit tënd ! O shqiptar prej fatit sjellë !
Dora tënde, turqit mundi njëzet e dy herë,
Tmerr i radhëve të tyre, llahtarë e kështjellave të tyre,
 
po, e ç’rëndësi ka që Skënderbeu jetoi në shekullin XV. Më shumë dhe nga vetë luftimi i fundit, ai i vitit 1468, rëndësi për ju ka vazhdimësia e shtypjes dhe vazhdimësia e qëndresës. Sepse, Ismail, duhet të dish t’ju lexosh.
Një ditë, keni thënë një fjali me një vërtetësi të hidhur ! E kam njohur letërsinë përpara, shumë më përpara se të njihja lirinë. Është letërsia ajo që do t’ju udhëheqë - dhe shumë të tjerë me ju, falë jush -, drejt lirisë.
Keni thënë po ashtu : Kushdo e di se në një regjim tiranik, një shkrimtar i madh i izoluar është si ajo pema që i është vënë syri për ta prerë. Më 1989, zgjedhja juaj si korrespondent i Akademisë sonë, përveç që përputhej me romancierin-historian-gjeograf, kishte nga ana tjetër për qëllim të mbronte një shkrimtar të madh, që ajo Polici e Mendimit, e asaj bije të ministrisë të së Vërtetës, për të cilën flet Orwell në librin e vet të admirueshëm 1984, mbikëqyrte e kërcënonte. Botuesi juaj, shumë shkrimtarë, në Francë dhe jashtë, dega londoneze e Amnisty, vënë në lëvizje prej njërës nga admirueset tuaja, e pranishme sot këtu, shqetësoheshin, protestonin, vepronin.
Ne u bashkuam me ta, me shpresë se, përmes lidhjeve të mbajtura midis Quai de Conti dhe Tiranës, këto mesazhe, që pothuaj javore, ju sillnin jehonën e debateve tona, do të ndryshonin persekutimet që ju bëheshin, duke ua bërë të qartë vijën që s’duhej kurrsesi të tejkalonin.
Mburoja jonë, a ishte e efektshme? Ne e kemi dëshiruar të tillë. Eryc Faye, bashkëshoqërues i tërë librave tuaja, që i pajis me parathënie dhe shpjegime, komentues i shquar dhe i vlerësuar me çmim jo më vonë se katër ditë më parë nga fondacioni Del Duca, komentues i një vepre me të cilën është i lidhur me zemër e me shpirt, vëren me të drejtë se Orwell, Huxley, Nabokov nuk kanë shkruar për totalitarizmin e mirëfilltë, sepse nuk kishin si të futeshin në atë që ai e quan lëndë e parë, por për përfytyrimin që kishin ndaj tij në Perëndim.
Vetë disidentët sovjetikë kanë botuar pas destalinizmit, kur një regjim i zbutur autorizoi, në Novy Mir, botimin e Një ditë e Ivan Denisoviçit. Ndërsa ju, Ismail, ju jetonit, shkruanit në një qytet ku ngrihej e lartë mbi dhjetë metra, një statujë e një stalinisti që nuk do të zhdukej veçse më 22 dhjetor 1990 ; ju jetonit, ju shkruanit, në një vend që do të jetë i fundit, para jo më shumë se gjashtë vjetësh, që do të çlirohej nga një totalitarizëm që kish lindur me çlirimin – çlirim/totalitarizëm, sa tmerr ngjall vetë çiftëzimi i këtyre fjalëve! – në gati gjysmën e Evropës më 1945, çlirim që do të thoshte thjesht ndryshim padroni.
Lindur më 1936, ju keni njohur pra 45 vjet totalitarizëm në krejt shfaqjet e tij. Sepse totalitarizmi nuk ka asgjë me një vijë e drejtë ; është një vijë me përthyerje, vijë e lakuar, që herë-herë i lë të qetë përkohësisht të durueshmit. Xhelatët e Mesjetës i vinin në përdorim gjendje të tilla qetësimi. Midis dy torturave, ata tërhiqnin nga viktima hekurin e skuqur, lironin zinxhirët dhe litarët për t’ia rifilluar më pas. Totalitarizmat e shekullit XX mësuan edhe ato t’i bëjnë metodat më të larmishme. I ri, përfituat një bursë për Institutin Gorki të letërsisë në Moskë. Sepse për pushtetin, që zbuloi talentin e gjimnazistit, rëndësi kishte që ju të bëheshit një shkrimtar i mirë, domethënë një shkrimtar që mendon mirë. Duke qenë se letërsia e mirë, ashtu siç mësohej në Moskë nuk ju tërhoqi, ju pritët atëherë vitet 1960 dhe 1962 për të botuar në Shqipëri, në revistën letrare Drita, tekste që menjëherë do të kritikoheshin sepse nuk i referohen Partisë së punës, nuk i përshtaten asnjë prej dogmave të nderit. Kur Shqipëria zyrtare ndërroi dashuri, duke hedhur poshtë BRSS-në post-staliniste që e konsideronte tepër liberale dhe duke u martuar e vetme në botë, përtej mijëra e mijëra kilometrave e shekujve qytetërues, me ashpërsitë më karikaturale të librit të vogël të kuq, ju do të dërgoheshit dy vjet me radhë në malet e Jugut në takim me popullin... sikur ju s’e njihkeshit popullin, popullin tuaj !
Me të rënë tensioni, pa e kërkuar, veç kur emëroheni deputet më 1970. Sa e kollajtë është për ata që janë larg rreziqeve të japin si shembull guximin e tyre arrogant për ata që ndodhen në kafaz, ku i mban rob pushteti absolut. Po qe se këta kundërshtojnë nderimet, atëherë përjashtohen, burgosen, apo, dhe kemi të bëjmë këtu me një formë burgimi, ndalohen të botojnë, gjë që do të jetë për ju, Ismail, fati juaj disa herë. Po qe se i pranojnë këto përfitime, nderime, atëherë, ja ku e shohin veten të kompromentuar, bashkëfajtorë, të penguar nga zinxhirë të butë, por detyrues. Sa i vështirë është raporti i shkrimtarit me pushtetin totalitar. Pothuaj detyrimisht, midis mendimit dhe forcës, duhet të vendoset një lojë e dyfishtë. Në një vend mburrësisht e frikësisht të mbledhur në vetvete, që nuk do të njohë asgjë nga fetë – ato u ndaluan më 1967 –, që nuk do të dijë asgjë dhe të mësojë asgjë nga një Perëndim i pranishëm në ballkonet e dritareve, ju do të jetonit kështu midis shpresës dhe dëshpërimit, midis periudhave të lirive të matura me kujdes – një udhëtim në Shtetet e Bashkuara në kuadrin mbikëqyrës të një misioni, udhëtimi juaj i parë në Paris, më 1971, botimi i përshëndetur gjithë lavdërime i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, – dhe periudhave të ftohjes, pas botimit të Dimrit të Madh dhe mos botimit të asaj poeme Pashallarët e kuq, që do t’ju kushtojë një dënim të ri me punë fizike dhe ndalimin, për një kohë, të çdo vepre romaneske. Në të vërtetë, persekutimet nuk vijnë vetëm nga ana e një pushteti, i cili luhatet midis admirimit e frikës në personin tuaj. Po aq sa nga pushteti, ju do të vuanit edhe nga lajkatarët e pushtetit, të cilët, me penën e tyre bujkrobe nuk bëjnë gjë tjetër veçse denoncojnë penën tuaj të lirë dhe, me sy të errët përtej çdo caku, i shohin me smirë ato suksese që ua hanë shpirtin. Tek Qorrfermani, shkruar më 1984, por që çensuara do ta lejojë për botim më 1991, ju nxirrni në skenë gjyqin popullor para të cilit vihet poeti më i famshëm i vendit. Kolegët e tij që kanë bërë thirrje për kallëzim, dhe që janë bërë edhe vetë kallëzues, e akuzojnë për fjalë me dy kuptime, me të cilat është mbushur vepra e tij. Turmës së smirëzinjve nuk i mbetet atëherë veç të kërkojë mjetin me të cilin - si gjithë njerëzit që kishin syrin e keq, dhe që po shtoheshin në vend -, atij do t’i hiqej arma e krimit : sytë. A do përdoren shufra hekuri me dy maja, acidi, detyrimi me sytë nga dielli, mbajtja për një kohë të gjatë në errësirë të plotë? Dhe ndërsa diskutohej ethshëm në këtë mënyrë, një nga funksionarët, si dha urdhër që turma të heshtte, mbajti, shkruani ju, një fjalim të shkurtër, në të cilin theksoi shpirtmadhësinë e shtetit, që këtë herë  kufizohej vetëm me një qortesë. Veçse, ky është paralajmërimi i fundit, shtoi ai, duke treguar me gisht në drejtim të poetit. Këto fjalë, ky është paralajmërimi i fundit, ju i keni dëgjuar sa e sa herë, Ismail.
Atëherë, si të realizoni vetveten? Si, me penën tuaj për të vetmen armë, të merrni përsipër, sikurse shkruan Maurice Druon, funksionin më të lartë të shkrimtarit, si, nën atë kapuç të zi të shtypjes të lëshoni fillimisht që të dëgjohet, një murmurimë, pastaj të qartësoni zërin dhe më në fund të lëshoni thirrjen e lirisë?
Thirrjen e lirisë!
Ja, e tëra!
Dhe që të dëgjohet thirrja e lirisë, ju thërrisni për ndihmë rrëfenjën e legjendat ; ju i drejtoheni Homerit, tregimet e të cilit kanë magjepsur e tronditur – kam parasysh fundin e Hektorit – rininë tuaj; ju i drejtoheni aedëve dhe rapsodëve ; ju i drejtoheni vojticave, që i ndërpresin dënesat për të vënë në përdorim fjalë ngjethëse që lëvdojnë të vdekurit ; ju i drejtoheni Shekspirit dhe thirrjeve marrake të mbretit Lir,
 
Fryni erëra gjersa faqet t’u shkulen! Tërbohuni.
Gjëmoni rrebeshe e tufane, shpërtheni...
 
dhe sidomos ju i drejtoheni atij Përbindëshi të ringjallur, Perandorisë otomane, që sundoi mbi gjysmë mijëvjeçari në Shqipëri, atij Përbindëshi që kërkoni ta mashtroni, meqë e bëni të mbajë, pa e shkruar – por askush s’ka si gabon në këtë mes – rolin e atij Përbindëshi pafundësisht më i frikshëm në kohë më të afërta: Bashkimi Sovjetik, me rrjetin e vet të përgjakshëm prej miliona e miliona të vdekurish.
Mesjeta e një Shqipërie të tumorizuar në Mesjetën e Perandorisë osmane ju mundësoi të demaskonit totalitarizmat e shekullit XX, me sigurinë që do kuptoheshit menjëherë nga një popull që diktatura e kishte “ghetorizuar”, por që, duke e lënë për një kohë të gjatë pa liri, ia kish shmangur ndotjet e botës moderne dhe të qytetërimit të “fast food-it”. I detyruar nga forca të mblidhej në vetvete, populli shqiptar qëndronte i tërhequr edhe për shkak të një historie që kurrë nuk i shqitej nga kujtesa dhe që banonte shpirtin e tij. Nga shqiptarët, ju kuptoheshit menjëherë.
Mirëpo Shqipëria, sa banorë? Tre milionë, po edhe tre milionë nëpër botë, duke folur një gjuhë të vështirë, pa rrezatim jashtë kufijëve, dhe që ju bën të ndiheni krenar meqë pohoni se Aleksandri i Madh betohej në shqip!
Atëherë, le të vimë te mrekullia që i lejoi Maurice Druon-it të deklarojë se dëshmitar i Shqipërisë për Shqipërinë, ju u bëtë i përbotshëm.
Ju u përkthyet në mbi tridhjetë gjuhë dhe më duhet të them se gjysma e këtyre përkthimeve ka për origjinë tekstin francez. Kur japonezët lexojnë Prillin e thyer, kur norvegjianët lexojnë Kush e solli Doruntinën?, kur baskët lexojnë, në gjuhën e tyre, Ura me tri harqe, e kush do mendojë një çast se ata pasionohen për problemet e jetës politike shqiptare? Japonezë, norvegjianë, baskë, italianë, grekë, amerikanë, portugezë, francezë, - francezë që kanë qenë ndër lexuesit tuaj të parë dhe që ju qëndrojnë besnikë -, të gjithë kanë mësuar prej kohësh të dekriptojnë mesazhet që përmbajnë librat tuaja, të gjithë e dinë që legjendat, rapsoditë, vojticat dhe gjeografia e përjetshme janë në realitet materiali i këtij qëllimi të madh : denoncimi falë fabulës, duke qenë se çdo mjet tjetër ju mbetej i ndaluar, denoncimi i totalitarizmit dhe i totalitarëve.
Kur ju shkruani te Dimri i Madh se krejt Evropa ishte zhytur në mjegull, gjysma e Azisë ishte që tani e mbuluar nga dëbora dhe temperaturat e presionet ishin të tilla që u ndihnin cikloneve për të lëvizur në zemër të shkretëtirave, lexuesi menjëherë e ka kuptuar se meteorologjia juaj ishte politike. Kur, tek Ura me tri harqe, ju shkruani këtë frazë : pata përshtypjen se nën këtë dush hëne, shihja fusha të tëra përmbytur në gjak dhe male kthyer në hi. Shihja hordhitë turke që zdrugonin botën për të zgjeruar hapësirën islamike. Shihja zjarre e hi dhe kufomat e përzhitura  të njerëzve e kronikave(...). Dhe përmbi gjithçka, atë hënë të ngrënë, produkt i ëndërrave të stepave shterpë. Kjo natë që po afrohet do të jetë e gjatë..., lexuesit e kuptojnë që nata që po afrohet nuk do të jetë vetëm duke filluar nga viti 1378, nata e gjatë otomane, por edhe ajo natë që do të mbulonte një Shqipëri vendosmërisht të vetme, shkëputur më 1978 nga vëllai i madh kinez pasi u shkëput nga padroni sovjetik. Ai padron sovjetik pothuaj përherë i pranishëm prapa perdes së fabulës apo historisë.
Romani juaj Komisioni i festave është në dukje ngjarja e një ftese për një ceremoni pajtimi lëshuar më 1830 nga Perandoria otomane për prijësat e fundit të një prej revoltave të shumta shqiptare, ceremoni, e cila që para se të fillojë festa, përfundon me masakrën e shqiptarëve naivë. Le të fshijmë dukshmëritë. Duke vënë në skenë dramën e vitit 1830, a nuk keni menduar për atë dramë që, më 1968, kish goditur si rrufe Çekosllovakinë dhe kish shtangur habie gjithë botën? Tre javë para se të arrestoheshin udhëheqësit çekë, para se të pushtohej vendi nga tanket sovjetike, para se të shtypej revolta e krejt një populli, më 29 korrik në Çierna u ngritën dolli të zhurmshme dredharake dhe u bënë përqafime hipokrite gjatë një ceremonie pajtimi të përgatitur edhe ajo nga një komision festash, fijet e të cilave i tërhiqte Byroja Politike!
Aparencë sërish, aparencë përherë tek Pallati i ëndrrave, që do t’ju kushtojë atë dënim publik nga pasuesi i Enver Hoxhës : Populli dhe Partia ju ngrejnë mbi Olimp, por në qoftë se nuk u qëndroni besnik, ata ju hedhin në greminë... E cili pra qenkësh krimi juaj ? A nuk patët kujdes, si zakonisht, të zhvendosnit romanin tuaj në kuadrin e Perandorisë otomane? Heroi juaj, Mark-Alemi, a nuk endej në një Stamboll, ku nuk kalonin veçse pajtone me perde të mbyllura duke shpënë oborrtare në vendet e tyre të punës natore? Dhe që zhvendosja të ishte e plotë, a nuk shoqëronin rapsodët këngën e tyre të rëndë me lahutën njëtelëshe? Domosdo. Por, Ismail, Stambolli juaj i rreshkët, duhet pranuar që i ngjan tepër qendrës modeste të Tiranës ! Dhe Pallati juaj i ëndrrave, me arkitekturën e rëndë sovjetike, a nuk është kopje e selisë së frikshme dhe të dyshimtë të Komitetit Qendror, vendosur aty, në fund të bulevardit të madh të Tiranës? Në bodrumet e pallatit tuaj... Pallat !... Një shtet i prekur tashmë nga paranoja e komplotit, mendoi të burgosë ëndrra pas ëndrrash, ëndrra erotike, ëndrra krizash ekonomike, ëndrra grushtesh shteti, ëndrra përçartjesh të mëdha, ëndrra të cunguara, që nuk mbahen mend të plota në pështjellë të zgjimit, dhe që ëndërrftilluesit do ta kenë disi të vështirë për t’i zbërthyer ; po, të burgosin ëndrrat që bën çdo mëngjes një popull i tërë, i bindur se duke u çliruar nga subkonshienca e vet vepronte për të mirën e atdheut ! Ne nisim kështu, shkruan Eric Faye, një vizitë të drejtuar në atë laborator të së keqes, ku një shtet i tërë vihet në përgjim të shtetasve të tij, duke kërkuar të kapë sinjale paralajmëruese për të ardhmen e tij. Sepse nuk bëhet fjalë për brishtësinë e mrekullueshme të ëndërrave, por të një makthi, makth, vijon Eric Faye, që mbërthen çdo pushtet për të mësuar PARAPRAKISHT, për t’i dalë përpara gjërave, për të udhëhequr opinionin duke e kanalizuar, dhe kjo, në të gjitha kohërat. Hë, pra, Ismail, pranoni që qenkeni fajtor për një imagjinatë të shfrenuar ! Që një shtet në mbrojtje i qepet akteve, fjalëve të zeza në të bardhë, vetë qëllimeve, asaj që është parë, asaj që shihet, asaj që do të shihet. Sepse, që mbledh legjione arkivistësh dhe regjimente interpretuesish për të klasifikuar e analizuar ëndrrat e një populli të tërë, për të shtënë në dorë burra e gra që na qenkërkan vizituar prej ëndrrash të gjykuara nga më të rrezikshmet, në fund të fundit, ç’kërkonit ju që kuturiseni gjer aty, kur dihet që Pallati i ëndrrave u dënua ashpër nga plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, mbledhur më 1982. Kur dihet që edhe një herë ju u ndodhët buzë greminës !
Ekziston një vënie e mirë në përdorim e sëmundjes. Po a ekziston vallë edhe një vënie e mirë në përdorim e persekutimit? Është fjala për zemrat e forta, sigurisht. Per i Francës, Viktor Hygo nuk do të kishte qenë Hygo pa grushtin e shtetit të 2 dhjetorit 1851, pa atë mërgim prej njëzet vjetësh, që do t’i japë rastin të shprehet : syrgjynosja që m’u bë ishte e mirë dhe për këtë falënderoj fatin. Oficeri i artilerisë Aleksandër Isaieviç Solzhnicin, a do të ishte bërë Solzhnicin nëse kundërspiunazhi nuk do t’i kishte kapur letrat që dyshoheshin për jo-dashuri ndaj Stalinit, nëse nuk do të ishte arrestuar më 9 shkurt 1945, kur lufta ende s’kish mbaruar, pa gulagun, pa pavionin e kancerozëve në spitalin e Tashkentit? Mirëpo, edhe më i forti e lëshon veten nëse nuk ka pranë tij një zemër besnike. Në Gernesej, për Hygonë do të jetë Zhyljeta, kurse Solzhenicini gjeti paqen e shpirtit pranë Matrionës.  Pranë jush, Ismail, përherë Elena, ndjeshmëria si shkrimtare e së cilës ishte një udhërrëfyes i sigurt, vendosmëria e karakterit një plotësim i boshllëkut më të madh të vetmisë e të braktisjeve.
Pranë jush, dy vajzat tuaja, që me të ardhur koha e konfidencave të rrezikshme, ju do t’u shprehnit mendimin për t’u larguar. Mirëpo, shumë shpejt, rrethi juaj do të jetë pafundësisht më i gjerë nga rrethi familjar. Pranë jush gjithashtu Jusuf Vrioni, përkthyesi juaj. Tregohet mjaft mosmirënjohje ndaj përkthyesve! Lexuesi i kalon përciptazi emrat e tyre. Kujtesa nuk i ruan. E megjithatë, s’ke ç’thua ! Që të përcjellësh përmes fjalëve, nga një gjuhë në tjetrën, dhe më shumë akoma, nga një qytetërim në tjetrin, dallgët e ndjenjave, të përkthesh pa tradhtuar tërë rrahjet e zemrës, duhet shumë më tepër nga një punë gjigande, nga një përpikmëri absolute, duhet një pasion i fuqishëm dhe mjeshtëria për të ushtruar me të vërtetë dyzimin e personalitetit. Nëse më shumë se gjysma e përkthimeve të veprës së Ismail Kadaresë është realizuar duke u nisur nga teksti frëngjisht, ky është një nder për gjuhën tonë, por është gjithashtu një nder për cilësinë e përkthimit të Jusuf Vrionit, i cili, ardhur nga Tirana, ndodhet sot mes nesh. Vrioni, për të cilin dua të kujtoj, me emocionin që i detyrohemi atyre që kanë saktifikuar lirinë e tyre për vetë lirinë, se u dënua më 1947 me trembëdhjetë vjet punë të detyruar si armik i pushtetit, si agjent i huaj, ky i huaj që ish Franca, kjo Francë që ai e kish dashur dhe ku kish studjuar në Janson de Sailly, në HEC, në fakultetin e drejtësisë, kjo Francë që ai e do vazhdimisht dhe që me përkthimet e tij të veprës së Kadaresë, i siguron rrezatimin e gjuhës. Pranë jush, që prej vitit 1978, datë e botimit të Dimrit të Madh, një botues, i njëjti, i njëjti për njëzet e tre tituj. Dhe më shumë... sepse Fayard boton jo vetëm veprat tuaja të plota në frëngjisht, por edhe në shqip..., gjë që i siguron botuesit prestigj, por sigurisht jo të ardhur. Ne jemi të shumtë këtu që e dimë rëndësinë e një botuesi-mik në jetën e shkrimtarit -, që e dimë sa rëndësi kanë besnuikëria e tij ndaj veprës, miqtë e tij, nxitjet për punë, zëri i tij, thjesht në çaste dyshimi. Por për ju, Ismail, që jetonit rrethuar nga mosbesimi në atë që ish një nga fortifikatat e fundit të totalitarizmit, për ju, më shumë se kushdo tjetër, ne e dimë sa të çmuara për ju ishin miqësia e fortë e Claude Durand-it, të cilit i besuat një dorëshkrim për ta botuar vetëm në rast arrestimi a vdekjeje, vigjilenca e tij dhe e ekipit të tij.
Pranë jush, miq të vjetër dhe miq të rinj. Shkrimtarë të huaj e francezë, kritikë letrarë, gazetarë dhe midis këtyre gazetarëve Colette Deman, ime shoqe, falë së cilës unë ju njoha, por që para gjashtëmbëdhjetë vjetësh ishte e para që ju i besuat qartë të fshehtën tuaj se i kundërviheshit regjimit.
Kolokiumi i dytë ndërkombëtar frankofon, i organizuar nga Shoqata e shkrimtarëve të gjuhës frënge, kryesuar nga Edmond Jouve, kumtesat e të cilit u mblodhën në një vëllim me 300 faqe; çmimi i fondacionit Del Duca, që i dha rastin Maurice Druon-it për t’ju bërë një nderim të shkëlqyer ; Bashkëbisedimet me Eric Faye, botuar më 1991, Dialogu me Alain Bosquet, botuar më 1995, do të lejojnë të depërtohet më mirë në atë që është quajtur Universi Kadare, bota juaj e brendshme, misteri i shkrimit tuaj, sepse është mister i madh ai i shkrimit.
Duke dialoguar me Alain Bosquet, ju na mundësoni të hyjmë edhe ne në atë që ju e quani kalendari juaj i dytë, ai çast kur, me t’u ndezur zjarri, me të pirë kafenë, më në fund me të rrjedhur koha e domosdoshme për të harruar klimën politike, terrorin, festat, ju hyni ngadalë, si verbërisht, në universin tuaj. Atëherë para meje, siç i hapni zemrën Boskesë, shpaloset një kohë tjetër grimcuar si pluhur xhami, një kohë pa drejtim, paraprometeiane, në mund të them, që pret nga unë t’i jap një drejtim të caktuar. Dua s’dua, ditë të tëra kalojnë duke u tallandisur në të fshehtat e tyre që përpiqem t’i kap, por që pikërisht atëherë kur mendoj se mund t’u afrohem, më shpëtojnë. Kështu, në mënyrë instiktive, bëj gati filtrat, veglat, apo gjithçka që quaj kështu për aq kohë sa nuk kanë emra në asnjë gjuhë. Nga ana tjetër, duhet të përkujdesem për vetë gjendjen e gjuhës : a është e rrjedhshme aq sa duhet, e ngrohtë, elastike, e pëlqyeshme (në çastin e krijimit, gjuha më ngjan me një grua të zalisur) apo ka humbur nga këto cilësi dhe gjendet para jush e ngrirë, në pritje të një elektroshoku që do t’i japë jetë? Kjo vetëtimë mund të shpërthejë nga truri juaj, por mund të vijë, pse jo, edhe nga truri i një gjeniu zhdukur prej shekujsh, por që ju huazon për një çast këtë shkarkesë hyjnore...
Si thoni, Ismail, tokëza a u mbyll me kaq? Në dukje. Vetëm në dukje. Sepse më e vështira është ndoshta ende para jush. Duke hyrë në liri, në të gjitha liritë, në lirinë e mendimit, në atë liri kundërshtimi që s’ka si të ketë çmim e kuptim kur nuk has më qëndrueshmërinë e shtrëngesave dhe burgjeve, duke mos qenë më një përjashtim totalitar, Shqipëria, a do vazhdojë t’ju frymëzojë përherë me të njëjtën forcë, me të njëjtin pasion? Meqë diktatura u shemb, meqë kujtimet e përgjakshme të Perandorisë otomane nuk shërbejnë më si maskë për atë Perandori të përgjakshme sovjetike fshirë nga historia, dhe që shpejt, shumë shpejt, pa dyshim, do shuhen dhe nga kujtesa, në ç’burime tashmë do ta gjeni frymëzimin? Kujt do t’i drejtoheni? Është kjo një pyetje për të nesërmen. E megjithatë, duke lexuar Spiritus, romanin tuaj të fundit, botuar para disa ditësh, kemi të drejtë ta ndjejmë veten të siguruar...
Në esenë kushtuar Eskilit, ju përmendni lodhjen e atit të tragjedisë greke strehuar në brigjet e Ilirisë, në Epidamn, apo edhe më tutje akoma, në Siçili... Dhe s’kanë pse venë që nga Athina e Greqia për t’i folur. Ja, përsa i përket Eskilit ! Dhe s’ka pse vinë që nga Tirana e Shqipëria për t’i folur këtij Kadareje, i cili udhëton tashmë lirisht nëpër botë dhe është ngulur në Paris, në zemrën që rreh, në zemrën e zhurmshme të Quartier Latin. Hë, pra! Ja, një nga frazat e fundit të Eskilit tuaj: Kështu, ndoshta ai shfreu dufin, por në të njëjtën kohë, ai ndjente thellë në shpirt që Greqia vazhdonte të rëndonte me krejt peshën e vet mbi shtyllën e tij kurrizore dhe kot që të shkumonte nga tërbimi, kot që të lëvizte supet nga inati, kurrë nuk do arrinte të çlirohej... Ai do mbante Greqinë dhe Greqia do mbate atë.
E pra, Ismail, mjaft të ndërrosh emrin e një atdheu! Gjithmonë ju do mbani Shqipërinë dhe gjithmonë Shqipëria do t’ju mbajë ju...
Në fund të jetës së tij, Lord Bajroni, i lodhur nga kënaqësitë, por jo nga pasionet, shkoi në atë Shqipëri, që ishte në atë kohë një vend humnerash e cubash. I dhanë një shpurë. Në fund të udhëtimit, i kërkoi atij që ishte prijësi i shpurës sa duhej ta paguante. Mori përgjigjen: Nuk dua asgjë, veç të më doni. Ne ju duam, Zotëri, dhe sepse ju duam Ismail - dhe nëpërmjet jush Shqipërinë e maleve dhe legjendave, të rapsodëve e të aedëve, të qëndresave të përhershme kundër pushtuesve të njëpasnjëshëm, Shqipërinë e të vdekurve dhe të gjallëve, futur falë magjisë së shkrimit tuaj në historinë e përjetshme -, ne ju ftojmë këtë mbrëmje, Zotëri, të zini vend midis nesh.
 
Maurice VINCENT
 
Moris Vincent (1955), President i Universitetit Jean Monet të Sent-Etjenit në vitet 1997-2002, Këshuilltar bashkiak i Sent-Etjenit dhe Këshilltar krahinor i Rhon-Alpeve, autor i disa botimeve.

VEPRA E ISMAIL KADARESË MBART FYRMË EVROPIANE

 
Ceremonia solemne për dhënien e Gradës « Doctorat Honoris Causa » Z. Ismail Kadare nga Universiteti Jean Monnet, 10 tetor 1997
 
Fjala e Profesor Maurice Vincent
 
Zonja dhe Zotërinj të zgjedhur,
Zonja dhe Zotërinj dekanë e drejtorë,
Të dashur kolegë, të dashur miq,
 
Manifestim i imigrantëve shqiptarë më 7 prill 1939 para Bursës së Punës të Sent-Etjenit për të protestuar kundër pushtimit të Shqipërisë nga trupat musoliniane.
Mund të thuhet me të vërtetë se qyteti dhe Universiteti i Sent-Etjenit e prisnin Ismail Kadarenë prej kohësh, se dëshironin t’i hapnin dyert në mënyrën më zyrtare e më solemne : Titulli “Doktor Honoris Causa” që po i japim sot, e që na nderon edhe ne, sanksionon një fakt, përuron një urë tashmë të hedhur midis tij e neve, dhe midis neve e tij. Për t’iu referuar një prej librave të tij më të famshëm, do thoja madje që kjo urë ka më shumë se tri harqe, konkluzion që do ta përligjia fillimisht me një përmbledhje të shpejtë.


Manifestim i imigrantëve shqiptarë më 7 prill 1939 para Bursës së Punës
 të Sent-Etjenit për të protestuar kundër pushtimit të Shqipërisë
 nga trupat musoliniane.
 
Pa dyshim që e dini tashmë, i dashur Ismail Kadare, se qyteti që po ju pret, ka qenë midis dy luftrave një nga qendrat e emigracionit shqiptar në Francë, dhe pikërisht këtu, në Bursën e Punës të Sent-Etjenit, më 1939, u mbajt një kuvend i paharruar i tërë punëtorëve dhe studentëve shqiptarë të rajonit stefanuaz, lionez dhe grënobluaz, për të protestuar kundër pushtimit të vendit të tyre nga gjeneralë e ushtarë e “Ushtrisë suaj të ardhshme të vdekur”.
Këta emigrantë ishin, në shumicën e tyre, me origjinë nga Jugu i Shqipërisë, dhe rajoni i Gjirokastrës, qyteti juaj i lindjes, përfaqësohej më së miri. Ata furnizonin një krah pune për të cilin minierat tona kishin nevojë të madhe, pas plagëve të tmerrshme të konfliktit të parë botëror. Edhe sot mund të shihen mjaft emra të njerëzve tuaj skalitur mbi gurët e varreve në varrezat tona. Për këtë prani shqiptare në Sent-Etjen, festa e librit mirëpret madje edhe një dëshmitar të gjallë, për më tepër poet, në personin e Vangjel Lekës, që na vjen nga Riviera juaj. Një pelegrinazh i tij i kohëve të fundit në të lashtin “qytet të zi”, sipas perifrazimit që përdorej në atë kohën për të përcaktuar qytetin tonë, e ka frymëzuar këtë poet për disa vargje, që figurojnë tashmë në një përmbledhje që ai ka botuar në Francë, me përkthimin e tij, parathënien e të cilit e keni nënshkruar, siç e dini, ju vetë. Marrë kështu, si drejtpërdrejt nga burimi, ai kujtim i përbashkët ringjallet me mjaft emocion:
 
“... Postjeri vjen dy herë në javë,
Çdo të enjte e të shtunë.
Nuk e di prej sa e sa vitesh
Pres çdo të enjte e të shtunë
Mes erës në sheshin e fshatit
Mes shiut nën degët e zhveshura të rrapit.
Postjeri vjen tetë herë në muaj,
Gjyshi është larg në dhe të huaj,
Postjeri vjen 96 herë në vit,
Sent-Etjeni është larg, shumë larg,
Dhe miniera frymën po ju zë. [...]”
 
Nëse i përzgjodha këto vargje për t’i lexuar, kjo sepse në to bëhet fjalë për një postjer, vetë zanati që ushtronte babai juaj, dhe mund të mendohet se mëse njëherë, ai u ka çuar me dorën e tij grave e mëmave të mbetura vetëm atje, në Gjirokastër, letra që mbanin vulën e Sent-Etjenit apo të një prej qytezave të saj! Kushedi, mbase edhe vetë pasioni juaj i fëmijërisë për pullat e postës, për të cilën flet një nga poemat tuaja, ka lindur, pikërisht, nga zanati i babait tuaj të nderuar dhe paraskiconte çeljen planetare të universit tuaj poetik e romantik?!
Por, le të kthehemi tek arsyet e takimit të sotëm.
Shkaqe të tjera, më pranë në kohë mund të parashtrohen në të vërtetë. Një nga përkthyesit tuaj, anëtar i Universitetit tonë figuron se rrjedh prej atyre familjeve imigrantësh që sapo përmenda, dhe dy kolegë të tjerë, që qëndruan gjatë në Tiranë, si lektorë të frëngjishtes – emigrim së prapthi, në mund të them – janë bërë që nga ajo kohë qytetarë stefanuaz të adoptuar. Kanë shkruar dy libra të shënuar për vendin tuaj, njëri që prek periudhën diktatoriale – 57, bulevardi Stalin – dhe tjetri, periudhën e daljes nga komunizmi, me titullin Shqipëria apo logjika e dëshpërimit. Si dëshmi të tretë, që përligj më së miri festën e librit, meqë Shqipëria është këtë vit vendi fener, ata vetë siguruan ekspozitën fotografike vendosur në njërën prej godinave të qytezës universitare, dhe i falënderoj në mënyrë të veçantë, në emër të Universitetit dhe të gjithë atyre që do shohin këtë ekspozitë.
Nga ana juaj, a nuk është më në fund, vetë fjala e dhënë që po realizohet me këtë ceremoni të sotme? Sepse secilit i kujtohet këtu një vizitë e mëparshme tuaja në Universitetin e Sent-Etjenit, në maj 1986, kur erdhët për një bashkëbisedim, në mbarim të së cilës, siç më kanë thënë, ju premtuat të riktheheni një ditë, aq shumë admiruesit tuaj stefanuazë e forezianë dëshironin të vazhdonin atë bisedë, por këtë herë të organizuar në kushte më të mira. Prandaj, për më tepër, i ftojmë të gjithë t’ju dëgjojnë sërish nesër në mëngjes në një amfiteatër këtu pranë. Jam i sigurt që shumë vetë do donin me shpirt të bisedonin me ju, të zgjasnin emocionin e leximit të librave tuaja, nëpërmjet një bashkëbisedimi me vetë personin e gjallë të autorit. Në emër të tyre, ju falënderoj  që tani, i dashur Ismail Kadare, për këtë nder, sepse të gjithë janë në dijeni të detyrimeve që keni.
 
Profesorë të Universitetit Jean Monet përreth Ismail Kadaresë.
Profesorë të Universitetit Jean Monet përreth Ismail Kadaresë.
Harku i njëmijtë i urës që na lidh : ju jeni Kryetar Nderi i Shoqatës humanitare Fëmijët e Shqipërisë, themeluar nga doktor Dzemail Dzemaili, shqiptar për nga origjina, dhe përkrahur nga një prej paraardhësve të mi, Presidenti Lauras, me përkushtimin që i njohim.

Këto fakte e dëshmi flasin tashmë : ardhja juaj në këto anë nuk do jetë pa vijimësi, pa jehonë përcjellëse. Botimi nga Shtypshkronjat tona Universitare të një vepre publikuar nga CIERC, një nga qendrat tona kërkimore, nga Skënderbeu te Kadareja, po çel udhën. Nesër, kolegët dhe studentët e letërsisë së krahasuar do të përkulen mbi këtë apo atë vepër tuajën, përfshirë në programin e këtij viti universitar dhe akoma më shumë pa dyshim.
Ekspozita fotografike dhe bibliografike e drejtuar nga Zonja Achard, konservatore e Bibliotekës Universitare, krahas asaj të Elisabeth et Jean-Paul Champseix, do të qëndrojë e hapur edhe në ditët e ardhme. Kështu, do t’i përgjigjemi më mirë kërshërisë që gëzon vendi juaj kudo që shkoni. Tanimë, e çelur për publikun, ju pret po ashtu edhe juve, që sëbashku ta përurojmë me këtë rast të veçantë të pranisë suaj.
Përkim tjetër, ku nuk shoh thjesht efektin e rastësisë : Shoqata Euro’Arts, në bashkërealizim me Cinéma le France organizon në fillim të dhjetorit një festival të vërtetë të filmit shqiptar. Ma ka ënda të jap lajmin e kësaj ngjarjeje si një stoli ideale pas kremtimit të letërsisë shqiptare, përqëndruar rreth personit tuaj dhe për shkak të përmasës së veçantë që do ketë manifestimi. Në fakt, zgjatimet e saj do drejtohen edhe nga ana e Kinematekës dhe do na bëjë të mundur vizitën e mjaft artistëve dhe krijuesve të vendit tuaj. Edhe aty do të priteni personalisht, dhe Zonja Nicole Cornut, përgjegjëse e Cinéma le France do t’jua konfirmojë këtë dëshirë nga ana e saj, për më tepër që disa nga filmat e propozuar janë nxjerrë nga librat tuaja. Dhe a duhet tashmë të kujtoj që Prilli i thyer, i Liri Begejas na u dhurua si premierë me të dalë, dhe këtu shoh edhe një hark tjetër në urën tonë, aq shumë prania e regjizores, nëpërmjet lidhjeve që ju bashkojnë, nënkuptonte praninë tuaj.
Java e Kinemasë shqiptare më sjell ndër mend nisma të tjera të mundshme, afatmesme apo afatgjata. E si të mos mendojmë për shembull për kënaqësinë që mund të na japë shfaqja në Sent-Etjen e një pjese teatrore nga Besnik Mustafaj apo një spektakël nga Baleti Preljocaj? Sigurisht, këtu nuk bëj gjë tjetër veçse zgjatoj urën nëpërmjet dëshirave në seri, pa dashur të nxjerr këtu ndonjë sekret në përzgjedhjet që kanë bërë institucionet kulturore simotra të qytetit me institucionin tonë.
Do t’i quaja të përfunduara preludet e ceremonisë së sotme dhe rrjedhojat e sigurta e të mundshme të saj, duke përmendur gjithashtu, pozicionuar tashmë në plan kombëtar, disa lidhje shkencore që bashkojnë vendet tona përkatëse, në mënyrë të veçantë punën e arkeologëve francezë në qendrat ilire apo greko-romake, që nga periudha e paraluftës deri në kërkimet e Pierre Cabanes, Profesorit të Universitetit të Paris-Nanterre, të cilit ju vetë për më tepër i keni hartuar parathënien e një vepre të botuar kohët e fundit : Shqipëria, vendi i shqipeve.
Për të mos hequr asgjë nga këto këmbime franko-shqiptare, dua të përshëndes më në fund rolin e shkëlqyer në përhapjen e veprës suaj nëpër botë të Claude Durand-it, botuesit dhe mikut tuaj, e të Jusuf Vrionit, përkthyesit tuaj, i cili është rritur të themi dhe i ka bërë studimet në Paris, aq sa e ka zgjedhur vendin tonë për atdhe të dytë.
Por natyrisht, përtej gjithë këtyre harqeve, është vetë vepra juaj që na jep arsyet më të forta për t’ju pritur mes nesh.
Emri i Universitetit tonë, në fakt nuk është thjesht për modë apo për parapëlqim: ne dëshirojmë dhe kërkojmë ta meritojmë emrin e atij që është cilësuar si “Ati i Evropës”, Jean Monnet-it, ashtu sikurse dëshirojmë të zhvillojmë parreshtur Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të cilave Universiteti ynë u kushton vëmendje të veçantë, frymëzuar ndër të tjerë nga René Cassin.
E tërë kjo i çelte krejtësisht dyert një shkrimtari, krijimtaria e të cilit, në një nga boshtet e veta madhore dëshmon për drama bashkëkohore të kontinentit të vjetër, duke synuar njëkohësisht t’i rijapë vendit të tij vendin që i takon në qytetërimin perëndimor që prej Antikitetit më të hershëm. Prova, thjesht trashëgimia e poezisë suaj popullore, nga e cila Gëte në kohën e vet vlerësoi disa thesare dhe që ju vetë i keni lartësuar nëpërmjet shkrimeve të paharrueshme në prozë.
Do ta zhvilloj disi këtë aspekt, në më lejoni, duke iu kthyer vetës së tretë, më e përshtatshme për shqyrtime të tilla.
Kjo frymë evropiane që mbart vepra e Ismail Kadaresë duket sikur shkon fare mirë në fakt në drejtim të një tradite, për të cilën ka aftësinë ta amplifikojë, ta bëjë më të larmishte, si për të reaguar ndaj traumatizmave të Historisë.
Në mënyrën e vet dhe në një kontekst politik të pabotuar, zëri i Kadaresë, a nuk ritransmeton në jehonë të fuqishme, apo në isso* të fuqishme, për t’iu referuar polifonive të famshme shqiptare, zërin e Poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri, i cili, në fund të shekullit të kaluar i lëshonte këtë thirrje poetike Evropës:
 
“Lind më në fund o ditë e shumëpritur,
Diell që ngjitesh nga perëndimi!
Ti që të shohin toka të largëta,
Ne këtu, mos po na harron? “
 
Një tjetër poet i Rilindjes kombëtare shqiptare, Andon Zako Çajupit, i vinte keq që shqiptarët vinin armët e tyre në shërbim të vendeve të huaja – Mbretërisë së Napolit, Venedikut, Greqisë, madje dhe Turqisë – kur duhet të mendonin për fatin e tyre. Sa i revoltuar, edhe i dëshpëruar, ai u bënte thirrje bashkëpatriotëve të tij, sikurse vepron sot, në rrethana krejt të tjera, Ismail Kadare. Sepse, duke luftuar mosmirënjohjen dhe mospërfilljen ndaj vendit të tij, ai e di se në një masë të madhe, gjithçka varet prej vetë atij për t’u parë siç duhet t’i ketë hije, në radhë të parë nga vendet fqinje. Kështu, në esenë që i ka kushtuar Eskilit, Kadare i bën thirrje kombit të tij të tregohet me pamjen e tij më të vërtetë, më të mirë... që edhe është më evropiania. Dhe, a është rastësi nëse i ka kushtuar po ashtu një ese të tërë – Shfaqja e Migjenit në letërsinë shqipe – një poeti, edhe ky më pranë nesh, përfshirë krejt, gjer në thellësi të vetvetes, nga ëndrra perëndimore?
Por sado i magjepsur që shfaqet, e shohim autorin të mbajë qëndrim ndaj dalldive të kota, ndaj iluzionit të barnave magjike. Shkrimtar me përgjegjësi, ndërgjegje e lidhur me fatin e atdheut të tij, Kadaresë i është dashur po ashtu të zbresë në arenë mjaft herë, me artikuj apo deklarata për t’i paralajmëruar bashkëqytetarët e tij ndaj disa demonëve dhe iluzioneve të modernitetit perëndimor, por edhe duke kërkuar nga Evropa më shumë vëmendje e mirëkuptim ndaj tyre.
Vepra e Kadaresë, sigurisht, nuk buron vetëm nga historia dhe aspiratat e vendit të tij. Ajo merr përmasa zgjeruese dhe madhështi duke iu referuar në mënyrë të vazhdueshme e me mjaft zhdërvjelltësi dy gjenive të kulturës botërore, thellësisht të rrënjëzuar në Rilindjen evropiane, Dantes dhe Shekspirit. Mbi këtë shtohet edhe një shtresëzim kulturor trashëguar nga lashtësia greke, mishëruar kryesisht tek figura e Homerit, rapsodit origjinal, dhe e Eskilit, atit të tragjedisë.
Këto rezonanca të larmishme kanë frymëzuar tanimë mjaft shkrime të komentuesve të tij, dhe unë nuk kam ç’shtoj më shumë nga ata. Megjithatë, thjesht sa për të ndezur kërshërinë për këto shkrime, do dëshiroja të ndalesha një çast mbi disa aspekte madhore të këtij humanizmi me të vërtetë evropian që ato kanë nxjerrë në pah si riaktivizim.
 
Kur Kadare i rikthehet mitit të Prometeut, këtë e bën për t’ia kundërvënë formave të tjetërsimit individual e kolektiv karakteristike për shekullin XX, dhe në këtë mënyrë ai ripërtërin leximin e këtij miti. Ese për Eskilin e shpreh këtë mëse qartë : Projekti që lufton heroi nuk është një genocid i zakontë, por zëvendësimi i njerëzimit ekzistues me një njerëzim të ri. Këtu është e tatëpjeta e çdo tiranie, logjika e thellë e dëshirës për fuqi, sa e verbër dhe e tërbuar, nga ku burojnë utopitë më të këqia totalitare. “ Nuk e dimë se me ç’qenie Zeusi do ta kish zëvendësuar njerëzimin e dënuar, shkruani ju. Por për një gjë jemi të sigurtë, që ky njerëzim i ri do kish qenë edhe më i keq, megjithëse Zeusi mban për këtë qëllim fjalime të një demagogjie të skajshme që nga maja e Olimpit”. (Eskili, apo ky humbës i madh, f. 89-90). Pas kësaj, kuptohen fare mirë faqe të tëra nga Koncerti, dhe para tyre, faqe të tëra nga Kamarja e turpit, për t’iu përmbajtur vetëm jehonave më të menjëhershme të këtij projekti jupiterian që alegoritë tuaja, por edhe referimet e drejtpërdrejta për historinë e këtij shekulli nuk rreshtin së godituri në krejt format dhe pasojat.
Kjo mbrojtje e parreshtur ndaj të gjitha dhunimeve që i bëhen njeriut, mbështetet e pasurohet me një aspekt tjetër të veçantë, sipas jush, të autorit të Orestisë, të cilën ju e keni përkthyer :  lidhja e tij me atë çka mund të quhet, për anakronizëm të vullnetshëm, shtet i së drejtës. Kjo fut në lojë normën e së drejtës dhe të padrejtës në marrëdhëniet individ me individ, po edhe kolektiv me kolektiv apo vend me vend. Edhe këtu, më e thjeshta është t’ju citojmë : “Nëse Eskili ka universalizuar problemin e së drejtës [mund të themi : të drejtësisë], kjo ngaqë problemi, sipas tij, është pjesë e qenësishme e çdo akti njerëzor.[...] Ka njerëz që mendojnë se “e drejta” mund të jetë njëkohësisht edhe me njërën, edhe me tjetrën palë, por këta që gjykojnë në këtë mënyrë [...] janë moskokëçarës, mendje të dobta apo të zhgënjyera. E drejta nuk mund të jetë kurrë në të dy anët njëkohësisht, ajo i takon vetëm njërës prej palëve”. (Po aty, f. 35-36). Kjo ide-forcë nuancohet dhe plotësohet me atë të “Shpërnguljes të së drejtës”, sipas vetë shprehjes suaj, që e shpjegoni në këtë mënyrë : “Pasioni i tepërt, qoftë edhe në gjendje mbrojtjeje të ligjshme mund të ngjallë shpërnguljen e së drejtës tek kundërshtari, i cili, duke përdorur të njëjtat armë, shkakton një zinxhir krimesh që do të vijojnë pafundësisht, nga brezi në brez” (Po aty, f. 36-37). Dhe pak më poshtë, shtoni : “Në bazë të kësaj aftësie të natyrshme shpesh karakteristike tek autorët antikë, për të universalizuar dukuritë, nocioni i së drejtës, tek Eskili, zgjerohet në krejt rrafshin e një vendi, madje edhe në marrëdhëniet apo konfliktet midis shteteve”.
Kërkesa juaj për drejtësi, ngulmimi juaj për rend të ligjshëm – pikërisht tek ju, kur dihet  që vendi juaj përjetoi, për një kohë të gjatë nën arbitrarizëm, forcën e një të ashtuquajture “drejtësi klasore”, e cila zëvendësoi të drejtën apo mori përparësinë – përbëjnë një temë tjetër kyç të veprës suaj, atë të Bessës*, term dhe nocion i vështirë për t’u përcaktuar, që mbulon gjithçka që ka të bëjë me fjalën e dhënë a për të dhënë, një virtyt ndërgjegjeje që i jep gjithsecilit dinjitet, vërteton madje ekzistencën e tij, një kuptim i mprehtë i normës për të udhëhequr realizimin e saj. Ky ligj i Bessës përbën gurin themeltar të një konstruksioni gjigand juridik, të cilit për një kohë të gjatë i është nënshtruar jeta e shqiptarëve, veçanërisht e atyre të Veriut : Kanuni*.  Ai shërben gjithashtu si bazë e legjendave të famshme, nga ku dy nga romanet tuaja – Ura me tri harqe dhe Kush e solli Doruntinën? – që paraqesin rikompozime, të cilat i pasurojnë edhe më shumë, krahas aktualizimit  në të njëjtën kohë. Do kufizohem, i detyruar, vetëm duke përmendur disa nga faqet tuaja që kanë të bëjnë me Kanunin, ku ndihet madhështi, sa e trazuar, aq edhe magjepëse.
Ngaqë Prilli i thyer, në një kuptim, nxjerr tragjikisht në skenë vdekje sa absurde e mizore aq edhe të paradokohshme në zinxhirin e verbër të gjakmarrjeve, duke i penguar djemtë e rinj t’i shkojnë gjer në fund pranverës së tyre, e drejtat kanunore paraqitet fillimisht si një sistem i pamëshirshëm dhe çnjerëzor. Vetë ju, në Dialogun me Alain Bosquet, nuk mungoni të zbuloni efektin vrasës të një cikli të tillë, pa harruar të saktësoni, megjithatë, që kodi mbulon tërë fushat e jetës dhe që vetë gjakmarrja nuk shihet aspak në kuptimin e një nxitjeje apo pëlqimi ndaj dhunës. Kanuni parashtronte mundësi faljeje, pa cënuar nderin dhe dinjitetin e familjeve.
Në fakt, duke lexuar Kush e solli Doruntinën? të krijohet me të vërtetë përshtypja që dishepujt e Konstandinit i referohen asaj fryme të thellë të Kanunit, kur përpiqen të rikthejnë atë vizion të njeriut e të jetës që shfaqte i zoti i tyre: “Çka mendonte ishte diçka që ia kish gjetur farën përhapur andej-këndej në jetën e shqiptarëve, dhe për të cilën thosh se duhej zhvilluar, duhej inkurajuar e ngritur në sistem. Bëhej fjalë për një sistem ku nuk do kish më nevojë për ligje të shkruara, për gjyqe, burgje e polici”. Askush nuk çuditet, pasi lexon këto radhë, për çka thoni lidhur me gjenezën e Prillit të thyer: “ E kam shkruar Prillin e thyer në një kohë kur Shqipëria, ashtu si tërë pjesa tjetër e botës komuniste i nënshtroheshin një drejtësie e një kodi penal nga më çnjerëzorët që mund të mendohet. Krahasuar me këtë “drejtësi”, së cilës ia njihni krimet po aq mirë sa unë, Kodi i vjetër zakonor shqiptar [...], në vend të duket barbar [...] duket çuditërisht demokratik” (f. 106).
Ja tek e shohim veten në kryqëzimin e madh të veprës suaj, në atë pikë lidhjeje ku përputhen e sotmja dhe e pakohëshmja, e veçanta dhe universalja, dëshmia e saj thelbësore për atë përbindësh të paparë : universi totalitar. Më shumë se kushdo tjetër, keni ditur të paraqisni ligjet dhe mekanizmat e tij të lindjes nën dritën e një kulture evropiane, të miteve e legjendave të vendit tuaj dhe do shtoja, të kujtesës suaj si shqiptar.
Edhe pse intensiteti i kësaj vepre është në gjendje të na parashtrojë mori objektesh për anketim, do dëshiroja tani, për të mos e zgjatur, të përmendja dy prej komentuesve të veprës suaj, të cilët janë interesuar nga afër për këtë aspekt madhor të frymëzimit tuaj. Eseja e Eric Faye titulluar Në laboratoret e totalitarizmit më të egër dhe trill letrar në shekullin XX nuk mungon t’ju japë një vend nderi dhe Gilles Banderier, nga ana e tij, i ka kushtuar një  studim të tërë ferrit tuaj – Pallati i ëndrrave – në përqasje me atë të Dantes.
Në këtë ferr, pikërisht, përbërë nga një diktaturë totalitare, siç e keni thënë edhe ju, “ Të shkruash normalisht është një nga shkallët më të larta të qëndresës, dhe kur shkrimtari arrin të botojë, ai e ndan lirinë e vet me të tjerët. Ndërton [atëherë] njëfarë kështjelle lirie”.
Faleminderit i dashur Ismail Kadare për këtë kështjellë të ngritur me durim për vite me radhë, faleminderit për këtë vepër shqiptare e universale, faleminderit për protestën tuaj aq të dashur dhe plotësisht humane.
 
Botim i posaçëm i Universiteti Jean Monnet të Sent Etjenit,
 “Doctorat Honoris Causa Ismail Kadare”,10 tetor 1997.
 
* Lloj valleje në modë ne shek. XIX, me ekzekutime figurash të ndryshme.
* Titulli frëngjisht i romanit Kështjella të Ismail Kadaresë.
1 Ismail Kadare, Vepra Letrare 1, Tiranë, 1981, f.332.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f.9, Vepra letrare 3, Tiranë, 1981.
* Titulli në frëngjisht i librit Kronikë në gur të Kadaresë.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f.215.
2 Po aty, f. 139.
3 Po aty, f. 143.
* Shqip në origjinal.
1 Gjenerali i ushtrisë së vdekur, f. 10.
2 Parathënie e Aleksandër Zotos për Urën me tri harqe, botim frëngjisht i Garnier Flammarion, f. 43.
 
1 Ura me tri harqe, f. 128, bot. fr.
1 Prilli i thyer, f. 25.
* 300 ishujt e Bermudeve, arqipel britanik në Atlantik.
2 Viti i mbrapshtë, f. 299, “Ismail Kadare, Koha e shkrimeve”, bot. shqip, Tiranë, 1986.
3 Prust, pasuar nga Stendal, Balzak, Flober, Zola, shkruar nga Zhylien Grak, f.41, Edition Complexe.
2 Koncerti, f. 11, bot fr.
* Nënë Zhigonja apo Zonja Zhigonjë, personazh teatri krijuar më 1602 që përfaqëson një grua gjigande nga palat e fundeve të së cilës dalin një mori fëmijësh. Në formë mbiemërore, thuhet gjithashtu për objekte të ngjashëm, madhësia e të cilave vjen duke u zvogëluar, dhe që mund të futen brenda njëri-tjetrit.
** Që ka të bëjë me manikeizmin, botëkuptimin dualist të së mirës e së keqes.
* Në ekologji, mjedisi biologjik i përcaktuar, që i jep një biosenoze kushte banimi relativisht të qendrueshme.
** Shqip në tekst.
* Fjalim i ashpër.
** Shqip në tekst.
1 Kush e solli Doruntinën?, Muzgu i perëndive të stepës, Hija.
1 Sipas Valeurs actuelles, 12 mars 1990.
2 Po aty.
1 Deklaratë e botuar nga Ismail Kadarea më 25 tetor 1990.
* Shenjë në det për t’u treguar udhën anijeve.
* Instrument obstetrikal në formë pince, që shërben për të kapur kokën e fetusit me qëllim që të lehtësojë daljen e tij në disa raste lindjesh të vështira.  
** Titulli në frëngjisht i romanit Kronikë në gur.
* Shqip në origjinal.
* Shqip në origjinal.


(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora