Mendime
Vilhelme Vranari: Kanina e lashtësisë, Kanina e të gjithë kaniniotëve!
E shtune, 03.10.2009, 09:33 PM

(Mesazh drejtuar gjithë bashkëqytetarëve të mi kaniniotë kudo që ndodhen në botë!)
Nga Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
Të nderuar bashkëqytetarë të Kaninës së lashtë! Kanina, një nga qëndrat më të herëshme urbane, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Europën jugëlindore e cila ndryshe nga qendrat e tjera të lashtësisë, që sot janë zhdukur, i ka rezistuar kohës së vrazhdët. Kamxhiku i sa e ka fshikulluar ashpër, pa mëshirshë e megjithatë, edhe pse gërmadhë, ajo ende qëndron në këmbë. Ndaj meriton t’i kushtohet vëmendje nga shteti, shoqëria, por veçanërisht nga ne, që rrënjët i kemi në këtë tokë të shenjtë.
Kanina e lashtësisë, e historisë, e kulturës dhe e turizmit ka nevojë për mendjet e ftohta intelektuale të bijëve të saj.
Si bijë legjitime e Kaninës, po ju drejtohem juve, njerëzve të mirë dhe qytetarëve fisnik, që t’i lemë mënjanë hasmëritë, mllefet, smirën, dasitë partiake, se këto e përçajnë dhe e dëmtojnë Kaninën, duke e nëpërkëmbur atë emër të bukur dhe të nderuar. Secili nga ne, për hir të saj, duhet të dalë nga vetja.
Kurrë s’duhet të harrojmë se jemi degë të të njëjtit trung, rrënjët e të cilit janë në truallin e kësaj kështjelle kreshnike, të lashtë sa vetë njerëzimi, e cila ngrihet krenare si karakollë majë shkëmbit. Qëndrimi fisnik i kalasë, i ngjan një zonjeje të rëndë, që iu është përgjigjur rrebesheve të kohërave dhe si një kujtesë për ne, duket sikur na thotë:
“Unë këtu isha dje, këtu jam sot dhe këtu do të jem për jetë e mot. Misioni im fisnik është që t’i mbroj fëmijët e mi, sepse me mendjen, punën dhe energjinë tuaj, ne bashkë e kemi bërë historinë. Bijtë e mi, i ruani rrënjët se na duhen për nesër. Ato do të na shërbejnë për kohë thatësire. Këtë do ta arrini vetëm atëherë kur të njihni pendimin, i cili do të sjellë faljen. Pendimi dhe falja apo ndjesa ndaj gabimeve, janë dy cilësi të virtytit të njeriut, pa të cilat nuk mund të ecni përpara, por do të ngeleni në armiqësi të përjetshme. Kjo nuk ju nderon. Duajeni dhe ecni krahpërkrah shoku-shokut, dëgjojani mendimin, se dy mendje ndihmojnë njëra -tjetrën dhe nuk ju lënë të shkelni në drrasë të kalbur.”
Kaniniotë të mirë dhe fisnik! Po ju kujtoj se bota nuk i ka Heronjtë, por i krijon ata, kurse ne i kemi dhe nuk dimë t’i vlerësojmë. Është detyra jonë që nëpër gërmadha dhe në çdo gur të saj, të zbulojmë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Kështu madhërojmë veten, rritemi në sytë e fëmijëve tanë, të opinionit mbarë kombëtar dhe i bëjmë nder historisë sonë shekullore të larë në gjak.
Kanina jonë ka aq vlera historike, sa që në shumë periudha ka qënë udhërrëfyese dhe ka ndikuar në fatet e kombit. Ato mure të lashta janë dëshmi e një jete që nga fillimet e saj të hershme.
Të dashur miqtë e mi, a kemi mundësi t’ia kthejmë fytyrën e vërtetë qytetare Kaninës sonë? Përgjigja ime është “PO”. Veçse na duhet të jemi më tepër tolerant dhe të kemi mirëkuptim me njëri-tjetrin , sa nuk është tepër vonë, sepse më pas koha ka për të qënë gjykatësi më i mirë e cila do të na dënojë.
Ne jemi degët e asaj peme shekullore, ndaj na bije barra e rëndë, që të rindërtojmë atë që koha e ashpër dhe dikatatura e egër e shkatërruan pamëshirë. Diktatura komuniste solli shkatërrimin dhe tjetërsimin e pronës, mohoi vlerat njerëzore të pakthyeshme, varrosi inteligjencën shqiptare nëpër këneta, kanale dhe miniera, gjë që solli tjetërsimin e njeriut. Për gjysmë shekulli e shihnim njëri-tjetrin si armiq. Nuk duhet të harrojmë se koha e mbrapsht na varfëroi jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht. Si pasojë e politikave të mbrapshta u armiqësua vëllai me vëllanë, mohoi biri të atin. Na ka nderuar një gjë e tillë? Jo…Është vështirë të pranohet, por e vërteta, sado e hidhur të jetë vjen një ditë dhe del në shesh. Historia e një kombi u përket të gjithëve, jo vetëm të bardhit por edhe të ziut, jo vetëm të pasurit por dhe të varfëit, si të majtit edhe të djathtit. Sepse në dejet e shqiptarëve, pa dallime partiake apo klasore rrjedh gjak i pastër iliro-pellazg. Askush nuk lind as komunist, as demokrat, as ballist dhe as socialist. Çdo njeri lind i lirë dhe si i tillëe zgjedh vetë rrugën e jetës. Po ju kujtoj se para lufte shqiptari njihte vetëm “SHQIPTARIZMIN”.
Zotërinjë, nën tokë e nën gëmadha lashtësie është varrosur e vërteta. Duhet të ringjallen ata që bënë historinë ndër kohëra dhe të flasin për sa ka ndodhur, gjë që është e pamundur. Nëpërmjet faktesh historike të shkruara nga vendas dhe të huaj, gojëdhanash dhe ngjarjesh, duke skalitur portretet e atyre që e kanë merituar emrin “Qytetar të Kaninës”, ne të gjithë së bashku do të ecim nëpër shekuj dhe do t’u tregojmë fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave për këtë qytet me një histori të ndritur, me një traditë dhe kulturë të mirfilltë qytetare,që për fat të keq është lënë në harresë.
Le të na shërbejë ky mesazh për Kaninën tonë, Kaninën e të gjithë kaniniotëve pa asnjë dallim. Mjaftë me mëri, mllefe, urrejtje dhe hakmarrje! Na është dhënë mundësia t’i japim dorën njëri-tjetrit, të këmbejmë mendimet tona të vyera dhe përvojën e jetës. Kjo është në shërbim të së mirës sonë dhe asaj kombëtare…Nëse nuk jemi në gjendje të njohim gabimet tona, atëhere do të bëjmë faje, të cilat askush nuk mund t’i ndreq. Do të jetë vonë, madje s’do jetë as e nevojëshme, nëse arrijmë në atë cak kur të themi:“Thirri mendjes ti, moj mendje, që s’dite për veten tënde!” Nëse secili nga ne bën gjënë e duhur në kohën e duhur, them se ia vlen, në të kundërt historia ka për të na dënuar…Dihet se “kur të vijnë mendtë, s’t’i hanë as qentë?!” Ne jemi shumë të vegjël para madhështisë së Gjithësisë, ndaj në të ka vend për të gjithë. Në këtë botë kaq të vogël, që në krahasim me Universin është e papërfillshme, si ka mundësi që ka kaq shumë urrejtje, e cila nxit hakmarrjen dhe si nuk gjendet pak vend për dashuri dhe vëllazërim?! Përse vallë?!
Kur jemi në grahmën e fundit të gjithë pyesim veten: “Kam qënë a s’kam qënë ndonjëherë? Nëse isha, ç’bëra, ç’lashë pas? Njeriu vdes fizikisht, por jeta e tij shuhet vetëm kur s’flitet më për bëmën, apo veprën e tij. Ndaj shpesh dëgjojmë të thonë: “ I humbtë varri, se emri i është harruar!…” Ose “I ndriftë shpirti atje ku prehet!” Miqtë e mi, jo të gjithë janë të shkolluar. Dimë se edhe mes të arsimuarve jo të gjithë janë njerëz të shkencës, letërsisë apo artit. Duhet pasur parasysh se edhe bujku që punon tokën edhe astronauti që ka hyrë në të fshehtat e Universit duke prekur retë, janë njerëz. Si të tillë, cilido është vetvetja, sepse jep vlera në ndërtimin e shoqërisë njerëzore. Çdo njeri le pas një emër. Nëse është i mirë apo i keq, kjo varet vetëm nga ndërgjegja e secilit.
Fjala është e para shprehje e mendimit. Kjo dhunti hyjnore që na dhuroi Zoti, le të shërbejë për të mirën, le të jetë si balsam për të shëruar shpirtrat tanë të lënduar! Ju ftoj të nisim rrugën e mirësisë dhe të vëllazërimit. Ju kujtoj se për mirësi, kurrë s’është vonë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se të gjithë jemi shqiptar, se lindëm nga e njëjta baltë, folëm të njëjtën gjuhë, gjuhën e bukur të shqipeve. Ndaj po ju kujtoj : “TË GJITHË JEMI KANINIOT DHE SI TË TILLË, ËSHTË E DREJTA JONË LEGJITIME, MORALE DHE QYTETARE, TË JAPIM NDIHMESËN TONË MODESTE PËR TË MIRËN E KANINËS SONË!” Nxjerrja në pah e vlerave historiko-kulturore të një treve plotëson thesarin e vyer të hisorisë dhe kulturës kombëtare .
Ne do të bëjmë diçka, të tjerët do të bëjnë më shumë dhe do të plotësojnë atë që nisën të parët tanë dhe ne nuk mundëm ta bëjmë.
Iu madhoftë emri Kaninës sonë fisnike, Kaninës së Gjergj dhe Donika Arianitit, Kaninës së Ismail Qemalit, Kaninës së intelektualëve dhe të të gjithë kaniniotëve! Kanina me qytetarët e saj do të jetojë në shekuj!...Nderim dhe mirënjohje gjithë bijëve dhe bijave të Kaninës që kanë lënë dhe do të lënë gjjurmë në historinë shumë shekullore dhe kulturën e hershme dhe të re të saj!
Shkrim i botuar për herë të parë në gazetën “Kanina “ (shtator-2006) - Për ZSH: Këze (Kozeta) Zylo
Komentoni
Artikuj te tjere
Blerim Rrecaj: Kush mundohet ta vëjë kombin shqiptar në gijotinë
Selim Hasanaj: Po e korrim atë që kemi mbjellë - Therje me thika mes shqiptarëve në Fredrikstad
Xhevat Rexhaj: Komunat do t'i fitojë - hajni i vogël ose i madh
Engjëll Koliqi: Në kuvend
Lebit Murtishi: Në Kosovë diçka po ''zihet''
SHAIBK: Komunikatë
Faik Krasniqi: Kombi ''Kosovar''
Lebit Murtishi: Me shkas…
Lek Pervizi: Enciklopedia e Akademisë së Maqedonisë - Një provokim i qëllimshëm ndaj shqiptarëve
Hafiz Gagica: Një ditë në Berlin
Kërcënohet nga Xhihadi Islamik Gjon Keka
Blerim Rrecaj: Pikëpyetjet dhe krekosjet
Selim Hasanaj: Patrioti që i tha Jo rrugës së Anadollit
Blendi Fevziu: Histori e sajuar…
Adnan Abrashi: Ana pozitive e ashtuquajturës ''Enciklopedi Maqedone''
Selim Hasanaj: Lisi nga Rugova që u qëndrojë furtunave
FBKSH-AKSH: Reagim ndaj enciklopedisë maqedonase
Agim Vuniqi: Rri drejt e fol shtremt
Gëzim Mekuli: Pse kaq shumë manipulime e propagandë ne mediet shqipe?
Selim Hasanaj: Plackitje spektakulare në Stokholm të Suedisë, plasciktsit serb