Kerko: a
Emil Lafe: Fjalor Enciklopedik Shqiptar
E premte, 25.09.2009, 07:04 PM
FJALOR ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR (botim i ri)
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008
Nga prof. Emil Lafe
encikloped@yahoo.com
Dalja nga shtypi dhe vënia në qarkullim e vëllimit të
parë e të dytë të Fjalorit enciklopedik
shqiptar është me të vërtetë një ngjarje e shënuar në jetën shkencore të
vendit tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi. Botimi i
kësaj vepre enciklopedike, fryt i një pune të gjatë kolektive, përbën një
arritje të rëndësishme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një dëshmi
domethënëse të rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë
kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare, të
pavarësisë së kërkimit shkencor në kohën tonë dhe njëkohësisht një dëshmi të
aftësisë së kapaciteteve intelektuale që janë formuar në strukturat e saj.
Botim i ri i Fjalorit enciklopedik shqiptar është përgatitur pas një pune
komplekse disavjeçare të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, të redaksive të 21
fushave tematike të Fjalorit, të Këshillit botues e të Redaksisë së
përgjithshme dhe të disa qindra autorëve të zërave. Vepra e pranishme vijon
rrugën e çelur nga Fjalori enciklopedik
shqiptar i botuar në vitin 1985, i cili, si vepra e parë enciklopedike në
gjuhën shqipe, do të mbetet në historinë e shkencës e të kulturës shqiptare si
çdo fillim pozitiv, që hap një rrugë të re.
Ky botim i Fjalorit enciklopedik u përgatit në rrethana të reja historike-politike
të brendshme e të jashtme dhe në pajtim me to ndryshon shumë nga fjalori i
mëparshëm, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga përmbajtja e zërave e nga mënyra
e trajtimit të tyre. Në mënyrë të figurshme mund të thuhet se botimi i ri i Fjalorit enciklopedik ndryshon nga
botimi i parë i tij ashtu siç ndryshojnë Bota dhe Jeta Shqiptare e kohës së
sotme nga ato të një brezi më parë.
Fjalori
enciklopedik shqiptar
përfaqëson një vepër shkencore sintetike e përgjithësuese. Ai pasqyron
historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike që nga
lashtësia deri në ditët tona. Në këtë mes vend të gjerë zë pasqyrimi i
gjithanshëm i jetës së shtetit shqiptar që me themelimin e tij më 28 Nëntor
1912. Po ashtu në FESH kanë gjetur
pasqyrim historia e Kosovës, historia dhe jeta e popullsisë shqiptare në
Maqedoni e në Malin e Zi, ana gjeografike-natyrore e trojeve të saj të banimit,
zhvillimet dhe arritjet e reja politike, ekonomike, arsimore e
kulturore-shhkencore. Arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe në përgjithësi
Diaspora Shqiptare, e vjetra dhe e reja, veprimtaria e institucioneve dhe e
figurave të njohura të saj, janë vështruar si pjesë përbërëse e pandashme e
Botës Shqiptare dhe kanë gjetur pasqyrimin e duhur në FESH. Kështu, në
emërtimin Fjalor enciklopedik shqiptar
përcaktimi shqiptar pasqyron në radhë
të parë përmbajtjen e kësaj vepre: ajo ka të bëjë me kombin shqiptar dhe me
trojet e tij etnike, pra nuk është një vepër enciklopedike e tipit universal.
Lënda e FESH është përgatitur nga redaksitë e
21 fushave tematike në pajtim me Platformën e punës të miratuar nga Redaksia e
përgjithshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Enciklopedisë
Shqiptare. Këto redaksi janë:
I. Redaksia e Arkeologjisë dhe e Historisë së
Lashtë, e drejtuar nga akad. Muzafer Korkuti;
II. Redaksia e historisë së Mesjetës e
Hershme dhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga akad. Kristaq
Prifti;
III. Redaksia e Historisë Bashkëkohore, e
drejtuar nga prof. Ana Lalaj;
IV. Redaksia e Mbrojtjes, e Rendit dhe e
Historisë ushtarake, e drejtuar nga prof. Ruzhdi Ramadani, gjeneral;
V. Redaksia e Kulturës popullore, e drejtuar
nga akad. Alfred Uçi;
VI. Redaksia e Letërsisë, e drejtuar nga
akad. Jorgo Bulo;
VII. Redaksia e Gjuhësisë, e drejtuar nga
prof. Seit Mansaku;
VIII. Redaksia e Artit dhe e Kulturës, e
drejtuar nga prof. Ferit Hudhri dhe prof. Josif Papagjoni;
IX. Redaksia e Gjeografisë, e drejtuar nga
prof. Arqile Bërxholi dhe prof. Farudin Krutaj;
X. Redaksia e Arsimit, e drejtuar nga i
ndjeri akad. Bedri Dedja;
XI. Redaksia e Shtypit, e drejtuar nga
prof.as. Bashkim Gjergji;
XII. Redaksia e Sporteve, e drejtuar nga
prof. Lumturi Markola;
XIII. Redaksia e Drejtësisë, e drejtuar nga
akad. Luan Omari;
XIV. Redaksia e Sociologjisë dhe e
Filozofisë, e drejtuar nga akad. Zija Xholi;
XV. Redaksia e Ekonomisë, e drejtuar nga i
ndjeri akad. Hekuran Mara;
XVI. Redaksia e Industrisë, Gjeologjisë dhe
Minierave, e drejtuar nga akad. Teki Biçoku dhe prof. Besnik Ostrosi;
XVII. Redaksia e Ndërtimit, e Komunikacionit
dhe e Ekonomisë komunale, e drejtuar nga i ndjeri akad. Besim Daja;
XVIII. Redaksia e Bujqësisë, Blegtorisë dhe
Pylltarisë, e drejtuar nga akad. Mentor Përmeti;
XIX. Redaksia e Mjekësisë dhe e
Farmaceutikës, e drejtuar nga i ndjeri akad. Josif Adhami;
XX. Redaksia e Biologjisë, e drejtuar nga i
ndjeri akad. Teki Tartari;
XI. Redaksia e Kimisë, Fizikës, Matematikës
dhe Informatikës, e drejtuar nga akad. Dhimitër Haxhimihali.
Redaksitë, ku kanë luajtur një rol
veçanërisht të rëndësishëm sekretarët shkencorë të tyre, kanë mbajtur lidhje të
vijueshme me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare që në fazën e përgatitjes dhe
diskutimit të fjalësit të çdo fushe, deri në dorëzimin e zërave. Të gjithë
zërat e fjalorit të mëparshëm janë rivështruar, ripunuar e plotësuar, shpeshherë
rrënjësisht, nga autorët e tyre të parë, nga bashkautorë të rinj, nga redaksitë
përkatëse, nga redaktorët e Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare dhe nga Këshilli
botues i veprës, i përbërë nga akad. Ylli Popa (kryetar), prof. Arqile
Bërxholi, akad. Jorgo Bulo, prof. Emil Lafe, akad. Luan Omari, akad. Kristaq
Prifti, akad. Eduard Sulstarova, i cili e ka shqyrtuar me durim e me
përgjegjësi gjithë lëndën, fushë pas fushe. Në këtë proces një numër zërash u
gjykuan si të panevojshëm dhe u lanë jashtë; një numër zërash të tjerë janë
thjeshtuar ose bashkuar në zëra përmbledhës. Janë mënjanuar vlerësimet
ideologjike e politike të së kaluarës, që kishin sjellë shtrembërime të së
vërtetës historike për një numër ngjarjesh e personalitetesh. Botimi i ri i
veprës “Historia e popullit shqiptar” në 4 vëllime, botimi i shumë materialeve
dokumentare, i monografive e studimeve nga fushat e shkencave albanologjike,
teknike e natyrore, nga fushat e artit, të sportit, të shkencës ushtarake etj.,
e kanë pasuruar FESH me fakte e vlerësime të reja.
Zërat e FESH janë përpunuar sipas kritereve
shkencore, redaktoriale e teknike nga Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, e cila,
në bashkëpunim edhe me autorët e me redaksitë, ka kryer vijimisht edhe
plotësime, përditësime e saktësime të nevojshme. Këshilli botues i veprës ka
shqyrtuar të gjithë lëndën sipas fushave dhe ka vendosur përfundimisht për
përmbajtjen e saj në marrëveshje me redaksitë e fushave dhe me Qendrën e
Enciklopedisë Shqiptare.
Fjalori i ri enciklopedik përmban mbi 7200
zëra, ndër të cilët rreth 2350 zëra persona, në krahasim me rreth 5000 zëra të
FESH të botuar më 1985, ndër të cilët rreth 700 zëra persona. Shtesa prej rreth
2300 zërash në krahasim me FESH të botuar më 1985 nuk ka të bëjë vetëm me
përfshirjen e ngjarjeve e të dukurive të reja në Shqipëri, që i përkasin
periudhës nga viti 1985 deri në ditët tona. Duke marrë parasysh realitetin e ri
të krijuar në ditët tona për popullin shqiptar në Ballkan, veçanërisht pas
çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe shpalljes së Republikës së
Kosovës si shtet i pavarur e sovran më 17 shkurt 2008, Qendra e Enciklopedisë
Shqiptare dhe redaksitë e fushave, me përkrahjen e Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, bënë shumë përpjekje që në këtë botim të ri të FESH të pasqyrohen
gjerësisht gjithë trevat shqiptare, duke shtuar në mënyrë të ndjeshme zërat për
qytetet, fshatrat, komunat dhe për njësitë e gjeografisë fizike (male, fusha,
lugina, qafa, gryka, lumenj etj.). Kështu në FESH janë pasqyruar 30 komunat dhe
qendrat komunale të Kosovës, si dhe komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni,
në Malin e Zi e në luginën e Preshevës; janë përfshirë monumente të natyrës e
të kulturës të këtyre trevave, shumë ngjarje historike, të vjetra e të reja,
ndër to edhe lufta e UÇK-së dhe fushata e NATO-s për çlirimin e Kosovës, së
cilës i kushtohet edhe një zë i madh i përgjithshëm si shtet i pavarur e
sovran. Përveç kësaj, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe zërat për
institucionet arsimore, kulturore-artistike, shkencore, si dhe për personalitete
e figura historike ose të fushave të ndryshme të kulturës, artit, shkencës,
sportit etj. nga gjithë hapësira shqiptare. Në këtë mënyrë ky Fjalor
enciklopedik ka arritur të jetë vepra e parë enciklopedike me shtrirje
mbarëkombëtare, e hartuar me forca të përbashkëta të gjithë shqiptarëve.
Në këtë botim të FESH janë përfshirë në
mënyrë më të gjerë edhe ngjarje të jetës ndërkombëtare, si edhe një varg
personalitetesh të huaja politike, shkencore, nga bota e artit e nga fusha të
tjera, që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vendin tonë ose kanë ndikuar
në zhvillime të ndryshme të jetës shqiptare, veçanërisht ata që kanë përkrahur
aspiratat dhe përpjekjet e popullit tonë për një Shqipëri të lirë, të përparuar
e demokratike.
Në pasqyrën më poshtë paraqitet
SASIA E ZËRAVE TË HARTUAR
PËR FJALORIN
ENCIKLOPEDIK SIPAS FUSHAVE
|
Fusha |
Nr. i zërave |
1 |
Arkeologjia dhe Historia e lashtë |
300 |
2 |
Historia
e Mesjetës dhe e Rilindjes |
585 |
3 |
Historia
bashkëkohore |
665 |
4 |
Mbrojtja,
Rendi, Historia ushtarake |
386 |
5 |
Kultura
popullore |
370 |
6 |
Letërsia |
240 |
7 |
Gjuhësia |
170 |
8 |
Artet,
Kultura |
490 |
9 |
Gjeografia |
1562 |
10 |
Arsimi |
180 |
11 |
Shtypi |
300 |
12 |
Sportet,
Fizkultura |
125 |
13 |
Drejtësia |
235 |
14 |
Sociologjia,
Filozofia |
26 |
15 |
Ekonomia |
234 |
16 |
Gjeologjia,
Minierat, Industria |
307 |
17 |
Ndërtimi,
Komunikacioni, Ekonomi komunale |
234 |
18 |
Bujqësia,
Blegtoria, Pylltaria |
389 |
19 |
Shëndetësia,
Farmaceutika |
362 |
20 |
Biologjia |
171 |
21 |
Kimia,
Fizika, Matematika, Informatika |
135 |
Për realizimin e FESH kanë bashkëpunuar dhe
kanë dhënë ndihmesë të veçantë punonjës shkencorë të instituteve dhe qendrave
kërkimore-shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pedagogë të
departamenteve të Universitetit të Tiranës, të Universitetit Politeknik të
Tiranës, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të universiteteve të tjera të
vendit, të Akademisë së Arteve, të Akademisë Ushtarake, të Akademisë së Rendit,
si dhe specialistë të cilësuar nga një numër institucionesh të tjera
kërkimore-shkencore. Bashkëpunëtorët nga Universiteti i Prishtinës, nga
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga institucione të tjera të Kosovës,
po ashtu nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, nga Universiteti i Europës
Juglindore në Tetovë dhe nga institucione të tjera në Maqedoni, në Malin e Zi,
nga Arbëreshët e Italisë, si edhe disa albanologë të huaj, kanë dhënë të gjithë
së bashku ndihmesë të pazëvendësueshme, duke hartuar zëra nga fushat e tyre të
punës dhe duke dërguar materiale e të dhëna të nevojshme për plotësimin e një
numri zërash të tjerë. Shumica e tyre, përveç tekstit të zërit, na kanë dërguar
edhe materiale të ndryshme ilustruese. U jemi mirënjohës të gjithëve dhe i
falënderojmë botërisht.
Për saktësimin dhe përditësimin e të dhënave
që përmban vepra, u jemi drejtuar organeve të administratës shtetërore e
sidomos INSTAT-it, prefekturave në qarqe dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile në
Ministrinë e Brendshme, që na vuri në dispozicion të dhënat e gjashtëmujorit të
parë të vitit 2008 për popullsinë e qarqeve, të komunave e të qyteteve dhe të
Republikës së Shqipërisë në tërësi. Kemi vënë re me kënaqësi se të gjitha këto
institucione i kanë trajtuar me vëmendjen e duhur kërkesat tona dhe janë
përpjekur të bëjnë më të mirën për plotësimin e tyre. Rritje të ndjeshme në
këtë botim kanë edhe ilustrimet: vëll. I e II përmbajnë rreth 700 fotografi
personash dhe mbi 1000 ilustrime të tjetra.
Është përmendur herë-herë se përfundimi i
kësaj vepre nuk duhej të ishte zgjatur kaq. Nuk është rasti për të paraqitur
justifikime për këtë vonesë, por megjithatë e quaj të nevojshme të jap një shpjegim.
Kur kryesia e ASHSH mori vendim për të përgatitur një botim të ri të Fjalorit enciklopedik shqiptar, u mendua
se lënda e fjalorit të parë në pjesën më të madhe do të qëndronte me disa
redaktime të pjesshme; një numër zërash do të përditësoheshin e do të
plotësoheshin, disa zëra të tjerë do të zhvisheshin nga politizimi dhe nga
ideologjia e Partisë së Punës; krahas kësaj do të shtoheshin një numër zërash
të rinj dhe do të hiqeshin disa zëra të panevojshëm. Edhe unë, kur e pranova
detyrën e drejtorit të QESH që m’u propozua në fund të vitit 1999, mendova se
me botimin e ri të FESH-it do të bëhej afërsisht po ajo punë që po bëhej me
përgatitjen e botimit të ri të Fjalorit
të shqipes së sotme (2002), d.m.th. mënjanimi i ngarkesave ideopolitike,
përmirësimi i disa përkufizimeve, shtimi i një numri të kufizuar fjalësh të
reja. Rrjedhim i këtij përfytyrimi të cekët për punën që na priste, ishte
caktimi i një ekipi të vogël për redaktimin shkencor: 4 veta. E thënë në mënyrë
të figurshme, u ngrit një ndërmarrje riparimesh e shërbimesh, e cila përballoi
detyrat e një ndërmarrjeje të vërtetë ndërtimi. Zgjidhja e vetme ka qenë që të
punonim të shtatë ditët e javës, pa orar, me mirëkuptim, me dëshirën për të
bërë më të mirën e mundshme. Planifikimi në vepra kolektive me përmasa aq të
gjera mbetet gjithnjë i vështirë. Unë jam ngushëlluar në njëfarë mënyre, kur
kam mësuar se edhe projekte madhore si tuneli nën La Mansh ose aeroplani
“Konkord” kanë marrë dyfishin e kohës e të mjeteve të planifikuara nga ekipe
specialistësh të sprovuar. Por ndonjëherë, në ditët e ngarkesave e të
shqetësimeve më të mëdha, kam sjellë nëpër mend atë monologun e famshëm
shekspirian, të përshtatur për këtë rast në formën: Ah, sikur fati të mos na kishte caktuar ta çonim deri në fund këtë punë
që kemi nisur, kush e duron ...
Punonjësve të QESH u është dashur të
përballonin një ngarkesë të madhe të dyfishtë: organizative dhe shkencore. Ana
organizative kishte të bënte me marrëdhëniet me 21 redaksitë për të ndihmuar në
funksionimin e mirë të tyre dhe në marrjen e materialit. Puna për hartimin dhe
redaktimin e zërave të FESH, meqë u konceptua kryesisht si ripunim, nuk u
përfshi në planet shkencore të atyre që do ta kryenin. Dorëzimi i lëndës jo
rrallë ka tejkaluar disa herë afatet e caktuara dhe si rrjedhim gjithë
mekanizmi i punës ngadalësohej.
Ana shkencore e punës sonë kishte të bënte me
përpunimin e materialit për t’i dhënë formën e nevojshme të një zëri
enciklopedik dhe për të plotësuar mungesat e mangësitë, për të rrafshuar
pabarazitë e trajtimit të zërave të një karakteri. Puna më e vështirë ka qenë
ajo që quhet “organizimi logjik i përmbajtjes” dhe kjo nuk mund të kryhet mirë
pa njohuri të përgjithshme e pa një intuitë profesionale për fushën përkatëse.
Herë-herë zërat për çështje të ndryshme kanë pasur formën e një kumtese; zërat
për disa persona ndonjëherë ruanin tonin dhe formën e një fjalimi jubilar a të
një nekrologjie; meqë një pjesë e madhe e hartuesve të zërave janë pedagogë,
lënda që na vinte prej tyre ruante shprehjen e një leksioni. Kujdes të veçantë
kërkonte përmirësimi i shprehjes dhe i formulimeve te zërat e autorëve nga
Kosova e Maqedonia. Redaktorëve të QESH dhe mua si redaktor i përgjithshëm e
drejtues i projektit na është dashur të përballojnë një punë mjaft të
vëllimshme për ta bërë lëndën në fillim të përshtatshme për diskutim në
Këshillin botues të veprës, dhe më pas për të realizuar plotësimin e vërejtjeve
e të kërkesave të tij dhe redaktimin përfundimtar e përgatitjen për shtyp. Në
këtë veprimtari prof. Hysen Kordha ka përballuar detyra organizative e
shkencore në shtatë fusha të shkencave shoqërore e ushtarake, ku janë shfaqur
edhe çështjet më të mprehta e më të diskutueshme; dr. Vilma Proko ka përballuar
7 redaksi, kryesisht nga degët e ndryshme të ekonomisë, nga fushat e shkencave
natyrore e teknike si dhe detyrën e sekretares shkencore të Qendrës dhe të
administrimit të projektit; magister Haziz Gjergji ka përballuar katër fusha,
prof. Mevlan Kabo fushën e gjeografisë, më e madhja për nga numri i zërave,
veçanërisht gjeografinë fizike; Luljeta Minarolli dhe unë kemi ndjekur dy
fushat filologjike dhe kemi kryer redaktimin letrar të Fjalorit; Enkelejda
Misha ka punuar me cilësi për radhitjen, redaktimin teknik, ruajtjen e
materialeve të fjalorit, mbledhjen e ilustrimeve, dhe specialisti i grafikës
Ndue Gjika i doli zot formulimit grafik të veprës me shije artistike dhe me
ambicien për një standard të ri në këtë lloj botimi.
Me gjithë përpjekjet tona, nuk kemi arritur
t’i bëjmë redaksitë që të punonin të gjitha në nivelin e duhur. Jo rrallë ne
kemi qenë të lumtur që më në fund kemi arritur t’i marrim zërat e kërkuar, sido
që të ishin, dhe pastaj e dimë ne se ç’na është dashur të bëjmë me ta. Në të
gjitha rrethanat QESH ka punuar me durim, me gjakftohtësi, ka marrë përsipër vetë
edhe detyra të të tjerëve për hir të përfundimit të veprës, nuk ka bërë gjyq
“kjo më takon mua e kjo s’më takon mua”, po ka bërë përpjekjet më të mëdha që
vepra të arrijë standardet akademike më të larta si në përmbajtje, ashtu dhe në
paraqitje e në kulturën e redaktimit. Jemi të vetëdijshëm se kjo vepër e
realizuar në një kohë të cilësuar si periudhë
tranzicioni, pasqyron aty-këtu dritëhijet e kësaj periudhe. Por ato do të
përmirësohen në një botim tjetër jo aq të largët. Unë e përshëndes idenë e shprehur
nga kryetari i ASHSH, akad. Gudar Beqiraj, se veprimtaria enciklopedike do të
jetë një fushë pune e përhershme e Akademisë së Shkencave. Ngjarja e sotme mund
të cilësohet si arritja në port e një anijeje pas një lundrimi të gjatë. Por
edhe kur qëndrojnë në port, anijet nuk i shuajnë fare motorët, se është shumë
vështirë pastaj t’i ndezësh e t’i bësh gati për një lundrim të ri.
Zonja dhe zotërinj!
Bibliotekat e institucioneve dhe të familjeve
shqiptare po pasurohen me një vepër që na bën ta njohim më mirë dhe ta duam më
shumë atdheun tonë, historinë dhe kulturën tonë, veten tonë. Akademia e
Shkencave dhe hartuesit e kësaj vepre i kanë dhënë popullit shqiptar,
veçanërisht brezave të rinj, një dëshmi të qartë të pasurisë së vlerave tona
historike e kulturore, një dëshmi të lashtësisë dhe të njësisë së fisit
shqiptar, një dëshmi të mundësive për të ecur më shpejt përpara, një dëshmi
dinjiteti njerëzor e kombëtar. Prandaj ne sot kemi një ditë gëzimi të
përbashkët, ditën e kurorëzimit të një pune të bashkuar për një qëllim të
lartë. Le ta mbajmë mend këtë ditë! Ju falënderoj që jeni këtu me ne!
Tiranë, 26.06.2009